Konferenca e Përgjithshme
Dhurata e Mrekullueshme e Birit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


9:46

Dhurata e Mrekullueshme e Birit

Nëpërmjet Jezu Krishtit, ne mund të shpëtojmë nga agonitë e merituara të dështimeve tona morale dhe të mposhtim agonitë e pamerituara të fatkeqësive tona në vdekshmëri.

Verën e kaluar ndërkohë që lexoja Librin e Mormonit për një mësim të manualit Eja, Më Ndiq, më bëri shumë përshtypje raportimi i Almës se kur ai u bë plotësisht i vetëdijshëm për mëkatet e tij, nuk kishte “asgjë aq therëse dhe aq të hidhur, sa ishin dhembjet e [tij]”1. E pranoj, biseda për dhembjen therëse më tërhoqi vëmendjen pjesërisht për shkak të betejës sime atë javë me një gur prej shtatë milimetrash në veshka. Kurrë nuk ka përjetuar një njeri kaq “gjëra të mëdha” sesa kur “[ndodh]” një gjë kaq “[e] vog[ël] dhe [e] thjesht[ë]”2.

Gjuha e Almës më ra në sy gjithashtu për shkak se fjala e mrekullueshme në përkthimin në anglisht të librit të Mormonit, përdoret zakonisht për të përshkruar gjëra të një bukurie të pashembullt ose të një madhështie të pakrahasueshme. Për shembull, Jozef Smithi vuri re se engjëlli Moroni kishte veshur rroba të “bardhësisë më të jashtëzakonshme”, “një bardhësi përtej gjithçkaje tokësore që [ai] k[ishte] parë ndonjëherë”3. Prapëseprapë, fjala e mrekullueshme mund të përçojë gjithashtu një intensitet të skajshëm edhe për gjëra të tmerrshme. Pra, Alma dhe fjalorët më të mirë e lidhin dhembjen therëse me të qenit i “mund[uar]”, i “tortur[uar]” dhe i “ngacmuar” në “shkallën më të lartë”4.

Gjuha e figurshme e Almës pasqyron realitetin konkret se në njëfarë pike, faji i plotë, torturues i çdo mëkati që ne kryejmë, duhet ndier. Drejtësia e kërkon atë dhe Vetë Perëndia nuk mund ta ndryshojë5. Kur Alma i kujtoi “të gjitha” mëkatet e tij – veçanërisht ato që shkatërruan besimin e të tjerëve – dhembja e tij ishte pothuajse e padurueshme dhe mendimi i të qëndruarit përpara Perëndisë e mbushi atë me “tmerr të papërshkrueshëm”. Ai dëshiroi që të “shuhe[j] si në shpirt ashtu dhe në trup”6.

Sidoqoftë, Alma tha se gjithçka filloi të ndryshojë në çastin kur “mendja [e tij u] përqendr[ua]” te “ardhj[a e profetizuar] e një Jezu Krishti … për të shlyer mëkatet e botës”, dhe ai “thirr[i] brenda zemrës [së tij]: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua”. Me atë mendim dhe atë përgjërim, Alma u mbush me gëzim të “mrekullueshëm”, “po aq [i] madh, sa kishte qenë dhembja [e tij]”7.

Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se vetë qëllimi i pendimit është që ta marrë një mjerim të caktuar dhe ta shndërrojë atë në lumturi të pastër. Falë “mirësi[së së Tij të] menjëhershme”8, në çastin që ne vijmë te Krishti – duke treguar besim tek Ai dhe një ndryshim të vërtetë të zemrës – pesha dërrmuese e mëkateve tona fillon të kalojë nga shpina jonë në të Tijën. Kjo është e mundur vetëm sepse Ai që është pa mëkat, vuajti “agoninë e pafundme dhe të papërshkrueshme”9 të çdo mëkati në universin e krijimeve të Tij, për të gjitha krijimet e Tij – një vuajtje kaq e rëndë, saqë gjaku rrodhi nga çdo por i Tij. Nga përvoja e drejtpërdrejtë dhe vetjake Shpëtimtari na paralajmëron në këtë mënyrë, në shkrimet e shenjta të kohëve të sotme, që ne nuk e kemi idenë se sa “therëse” do të jenë “vuajtjet” tona nëse nuk pendohemi. Por, me një bujari të papërfytyrueshme, Ai gjithashtu qartëson: “Unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen”10 – pendim i cili na lejon të “shijoj[më]” “gëzimi[n e] jashtëzakonshëm” që shijoi Alma11. Vetëm për këtë doktrinë, unë “qëndroj plot habi”12. Prapëseprapë, për habi, Krishti ofron edhe më shumë.

Nganjëherë dhembja therëse nuk vjen nga mëkati por nga gabimet e sinqerta, veprimet e të tjerëve ose forca përtej kontrollit tonë. Në këto çaste, ju mund të thërrisni ashtu si psalmisti i drejtë:

“Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

… Dhe tmerri më ka mposhtur.

… ‘Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.’”13

Shkenca mjekësore, këshillimi profesional apo korrigjimi ligjor mund të ndihmojnë për ta lehtësuar këtë vuajtje. Por vini re, të gjitha dhuratat e mira – përfshirë këto – vijnë nga Shpëtimtari14. Pavarësisht nga shkaqet e lëndimeve dhe hidhërimeve tona më të këqija, burimi përfundimtar për lehtësim është i njëjti: Jezu Krishti. Vetëm Ai e mban fuqinë e plotë dhe balsamin shërues për të korrigjuar çdo gabim, për të ndrequr çdo padrejtësi, për të rregulluar çdo papërsosuri, për të shëruar çdo plagë dhe për të dhënë çdo bekim të vonuar. Ashtu si dëshmitarët e lashtë, unë dëshmoj se “ne nuk kemi [një] kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona”15, por në vend të kësaj, një Shëlbues të dashur i cili zbriti nga froni i Tij lart dhe shkoi përpara “duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; … që ai të mund të dijë … sesi të ndihmojë popullin e tij”16.

Për cilindo që sot ka dhembje kaq të forta ose kaq të veçanta saqë ndieni se askush nuk mund t’i vlerësojë ato plotësisht, ju mund të keni të drejtë. Mund të mos ketë asnjë pjesëtar të familjes, mik apo udhëheqës priftërie – sado i ndjeshëm dhe mirëdashës që mund të jetë secili prej tyre – që e di saktësisht atë që po ndieni ose që ka fjalët e sakta për t’ju ndihmuar që të shëroheni. Por dijeni këtë: është Dikush që e kupton përsosurisht atë që po përjetoni, i cili është “më i fuqishëm se e gjithë toka”17 dhe i cili “mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërko[ni] ose mendo[ni]”18. Procesi do të shpaloset në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij, por Krishti qëndron gjithmonë gati për të shëruar në çdo grimë, çdo aspekt të agonisë suaj.

Kur e lejoni Atë që ta bëjë këtë, ju do të zbuloni se vuajtja juaj nuk ishte më kot. Duke folur për shumë prej heronjve më të mëdhenj të Biblës dhe brengat e tyre, Apostulli Pal tha që “Perëndia … siguroi disa gjëra më të mira për ta nëpërmjet vuajtjeve të tyre, sepse pa vuajtje ata nuk mund të bëheshin të përsosur”19. E shihni, vetë natyra e Perëndisë dhe qëllimi i ekzistencës tonë tokësore është lumturia20, por ne nuk mund të bëhemi qenie të përsosura të lumturisë hyjnore pa përvoja që na vënë në provë, ndonjëherë deri në palcë. Pali thotë se edhe Vetë Shpëtimtari u bë përjetësisht “i përsosur [ose i plotë] me anë të vuajtjeve”21. Ndaj, ruhuni nga pëshpëritjet satanike [të cilat thonë] që nëse do të ishit një person më i mirë, ju do t’u shmangeshit këtyre sprovave.

Ju gjithashtu duhet t’i bëni ballë gënjeshtrës së ngjashme që vuajtjet tuaja sugjerojnë disi se ju jeni jashtë rrethit të të zgjedhurve të Perëndisë, të cilët duket se kalojnë nga një gjendje e bekuar në tjetrën. Në vend të kësaj, shiheni veten tuaj siç ju pa me siguri Gjon Zbuluesi në zbulesën e tij madhështore për ditët e mëvonshme. Sepse Gjoni pa “një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve, [të cilët] qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha, … [të cilët] thërrisnin me zë të madh, duke thënë, ‘Shpëtimi është i Perëndisë tonë’”22.

Kur pyeti: “Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?” Gjoni mori përgjigjen: “Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit”23.

Vëllezër dhe motra, vuajtja në drejtësi ju ndihmon që të kualifikoheni në vend që t’ju veçojë nga të zgjedhurit e Perëndisë. Dhe ajo i bën premtimet e tyre premtimet tuaja. Siç shpalli Gjoni, ju “nuk do të k[ini] më uri, as nuk do të k[ini] etje, as nuk do t’[ju] godasë më dielli, as kurrfarë vape. Sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’[ju] kullosë dhe do t’[ju] çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë … t[uaj].”24

“Dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim.”25

Unë ju dëshmoj se nëpërmjet mirësisë së jashtëzakonshme të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij të pafundme, ne mund të shpëtojmë nga agonitë e merituara të dështimeve tona morale dhe të mposhtim agonitë e pamerituara të fatkeqësive tona në vdekshmëri. Nën drejtimin e Tij, fati juaj hyjnor do të jetë i një madhështie të pakrahasueshme dhe i një gëzimi të papërshkrueshëm – një gëzim kaq i thellë dhe kaq i veçantë për ju, sa “hiri” juaj i veçantë do të bëhet i bukur “përtej gjithçkaje tokësore”26. Që ju të mund ta shijoni këtë lumturi tani dhe të mbusheni me të përgjithmonë, unë ju ftoj të bëni atë që bëri Alma: lëreni mendjen tuaj të përqendrohet te dhurata e mrekullueshme e Birit të Perëndisë siç është zbuluar nëpërmjet ungjillit të Tij në këtë, Kishën e Tij të vërtetë e të gjallë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.