Kultura e Krishtit
Ne mundemi ta vlerësojmë më të mirën e kulturave tona tokësore individuale dhe të jemi pjesëmarrës të plotë në kulturën e përjetshme që vjen nga ungjilli i Jezu Krishtit.
Në ç’ botë madhështore jetojmë dhe e ndajmë me njëri‑tjetrin, shtëpi e një larmie të madhe njerëzish, gjuhësh, zakonesh dhe historish – shpërndarë në qindra shtete e mijëra grupe, secili i pasur në kulturë. Njerëzimi ka shumë për t’u krenuar e për të kremtuar. Por edhe pse sjellja e mësuar – ato gjëra ku ekspozohemi nga kulturat ku rritemi – mund të na shërbejë si forcë e madhe në jetë, në disa raste, ajo mund të bëhet edhe pengesë serioze.
Mund të duket sikur kultura është rrënjosur aq thellë në mendimin dhe sjelljen tonë, saqë është e pamundur të ndryshohet. Në fund të fundit, shumë nga ajo që ndiejmë na përcakton dhe nga ajo vjen një ndjesi identiteti. Mund të jetë një ndikim kaq i fortë saqë mund të mos shohim dot dobësitë apo të metat e krijuara nga njerëzit në vetë kulturën tonë, e cila çon në ngurrim për të flakur disa nga traditat e etërve tanë. Një përqendrim i tepruar mbi identitetin kulturor të dikujt mund të çojë në mospranimin e ideve, cilësive dhe sjelljeve të vlefshme – madje edhe ato të perëndishme.
Jo shumë vite përpara njoha një zotëri të mrekullueshëm i cili ndihmon të ilustrohet ky parim universal i miopisë kulturore. E takova për herë të parë në Singapor kur u caktova mësues shtëpie për familjen e tij. Profesor i shquar i sanskritishtes dhe tamilishtes, ai e kishte origjinën nga jugu i Indisë. Bashkëshortja e mrekullueshme dhe dy bijtë e tij ishin anëtarë të Kishës, por ai nuk i ishte bashkuar kurrë Kishës, as nuk i kishte dëgjuar shumë mësimet e ungjillit. Ishte i lumtur me mënyrën si po zhvilloheshin bashkëshortja dhe bijtë e tij dhe i mbështeste plotësisht në sipërmarrjet e tyre dhe përgjegjësitë në Kishë.
Kur i ofrova t’i jepja mësim parimet e ungjillit dhe t’i tregoja për bindjet tona, ai fillimisht nuk pranoi. M’u desh pak për ta kuptuar arsyen: ai ndiente se duke bërë këtë do të tradhtonte të shkuarën e vet, popullin e tij dhe historinë e tij! Për shkak të mënyrës së tij të të menduarit, ai do të mohonte gjithçka që ai ishte, gjithçka që familja e tij i pat mësuar të ishte, vetë trashëgiminë e tij indiane. Gjatë pak muajve pasues, ne mundëm të diskutonim rreth këtyre çështjeve. Isha i mahnitur (edhe pse jo i befasuar) nga mënyra se si ungjilli i Jezu Krishtit mundi t’ia hapte sytë ndaj një këndvështrimi të ndryshëm.
Në shumicën e kulturave njerëzore, gjenden si e mira edhe e keqja, ndërtuesja dhe shkatërruesja.
Shumë prej problemeve të botës sonë janë rezultat i drejtpërdrejtë i përplasjeve mes njerëzve me ide dhe zakone të ndryshme që burojnë nga kultura e tyre. Por praktikisht i gjithë konflikti dhe kaosi do të zbeheshin shpejt nëse bota do të pranonte vetëm kulturën origjinale të saj, atë që të gjithë ne e kishim jo shumë kohë më parë. Kjo kulturë daton që në ekzistencën tonë para lindjes. Ishte kultura e Adamit dhe Enokut. Ishte kultura e bazuar te mësimet e Shpëtimtarit në meridianin e kohës dhe është në dispozicion të të gjitha grave dhe burrave edhe një herë në kohën tonë. Ajo është e pashoqe. Është kultura më e madhe nga të gjitha dhe vjen nga plani i madh i lumturisë, krijuar nga Perëndia dhe lartësuar nga Krishti. Ajo na bashkon në vend që të na ndajë. Ajo shëron në vend që të lëndojë.
Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson se ka qëllim në jetë. Të qenit këtu nuk është thjesht një aksident apo gabim i madh kozmik! Ne ndodhemi këtu për një arsye.
Kjo kulturë është e rrënjosur në dëshminë se Ati ynë Qiellor ekziston, se Ai është i vërtetë dhe e do secilin prej nesh individualisht. Ne jemi “vepra [e Tij] dhe lavdia [e Tij]”1. Kjo kulturë e përkrah konceptin e vlerës së barabartë. Nuk ka dallime kaste apo klase. Ne jemi, në fund të fundit, vëllezër e motra, fëmijë shpirtërorë të prindërve tanë qiellorë – me kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk ka paragjykim apo mendësi “ne kundër atyre” në kulturën më të madhe nga të gjitha. Ne të gjithë jemi “ne”. Ne të gjithë jemi “ata”. Ne besojmë se jemi përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veten, njëri‑tjetrin, Kishën dhe botën tonë. Përgjegjësia dhe përgjegjshmëria janë faktorë të rëndësishëm në rritjen tonë.
Dashuria hyjnore, përkujdesja e vërtetë si e Krishtit, është themeli i kësaj kulture. Ne ndiejmë shqetësim të vërtetë për nevojat e bashkëqenieve tona, materiale e shpirtërore, dhe veprojmë sipas atyre ndjenjave. Kjo e davarit paragjykimin dhe urrejtjen.
Ne gëzojmë një kulturë zbulese, të përqendruar te fjala e Perëndisë ashtu siç merret nga profetët (dhe e vërtetueshme personalisht nga secili prej nesh nëpërmjet Frymës së Shenjtë). I gjithë njerëzimi mund ta dijë vullnetin dhe mendjen e Perëndisë.
Kjo kulturë mbështet parimin e lirisë së zgjedhjes. Aftësia për të zgjedhur është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin dhe lumturinë tonë. Zgjedhja me mençuri është thelbësore.
Ajo është një kulturë e të mësuarit dhe studimit. Ne kërkojmë dije dhe urtësi dhe më të mirën në të gjitha gjërat.
Ajo është një kulturë besimi dhe bindjeje. Besimi te Jezu Krishti është parimi i parë i kulturës sonë dhe bindja ndaj mësimeve dhe urdhërimeve të Tij është rezultati. Këto krijojnë vetëkontrollin.
Ajo është një kulturë lutjeje. Ne besojmë se Perëndia jo vetëm do të na dëgjojë, por gjithashtu do të na ndihmojë.
Ajo është kulturë besëlidhjesh e ordinancash, standardesh të larta morale, sakrifice, faljeje dhe pendimi dhe kujdesi për tempullin e trupit tonë. Të gjitha këto japin dëshmi për zotimin tonë ndaj Perëndisë.
Ajo është kulturë e qeverisur nga priftëria, autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë, fuqia e Perëndisë për të bekuar fëmijët e Tij. Ajo i ngre moralisht dhe u mundëson individëve që të jenë njerëz, udhëheqës, nëna, etër dhe shoqërues më të mirë – dhe shenjtëron shtëpinë.
Mrekullitë e vërteta janë me bollëk në këtë kulturë, më e vjetra e të gjithave, të bëra nga besimi në Jezu Krisht, fuqia e priftërisë, lutja, vetëpërmirësimi, kthimi i vërtetë në besim dhe falja.
Ajo është kulturë e punës misionare. Vlera e shpirtrave është e madhe.
Në kulturën e Krishtit, gratë janë ngritur në statusin e duhur e të përjetshëm të tyre. Ato nuk janë të nënshtruara ndaj burrave, si në shumë kultura në botën e sotme, por partnere të plota e të barabarta këtu dhe në botën që do vijë.
Kjo kulturë njeh shenjtërinë e familjes. Familja është njësia bazë e përjetësisë. Për përsosjen e familjes ia vlen çdo sakrificë sepse, siç është dhënë mësim, “asnjë sukses tjetër nuk mund ta kompensojë dështimin në shtëpi”2. Shtëpia është vendi ku bëhet puna jonë më e mirë dhe ku arrihet lumturia jonë më e madhe.
Në kulturën e Krishtit, ka perspektivë – dhe përqendrim e drejtim të përjetshëm. Kjo kulturë lidhet me gjërat që kanë vlerë të përhershme! Ajo vjen nga ungjilli i Jezu Krishtit, që është i përjetshëm dhe shpjegon “pse”, “çfarë” dhe “ku” të ekzistencës sonë. (Është gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese.) Ngaqë vjen nga zbatimi i mësimeve të Shpëtimtarit tonë, kjo kulturë ndihmon të sigurohet një balsam shërues, që botës sonë i duhet dëshpërimisht.
Çfarë bekimi është të jesh pjesë e kësaj mënyre jetese të madhe dhe fisnike! Që të jesh pjesë e kësaj, kulturës më të madhe nga të gjitha, kërkohet ndryshim. Profetët kanë dhënë mësim se është e nevojshme të lëmë pas çdo gjë nga kultura jonë e vjetër që nuk përputhet me kulturën e Krishtit. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të lëmë pas gjithçka. Profetët kanë theksuar gjithashtu se ne ftohemi, secili dhe të gjithë, që të sjellim besimin dhe talentet e njohuritë tona – gjithçka që është e mirë në jetët tona dhe kulturat tona individuale – me vete dhe ta lejojmë Kishën “t’i shtojë” asaj nëpërmjet mesazhit të ungjillit.3
Është vështirë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të jetë një shoqëri perëndimore apo një fenomen kulturor amerikan. Ajo është një kishë ndërkombëtare, ashtu siç ka pasur gjithmonë synim të ishte. Për më tepër, ajo është hyjnore. Anëtarët e rinj nga e gjithë bota sjellin pasuri, larmi dhe ngazëllim në familjen tonë që është gjithnjë në rritje. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo ende kremtojnë e nderojnë trashëgiminë dhe heronjtë e vet, por tani ata janë edhe pjesë e diçkaje shumë më madhështore. Kultura e Krishtit na ndihmon ta shohim veten siç jemi vërtet dhe kur e shohim me thjerrat e përjetësisë, të kalitura me drejtësi, ajo na shërben të rritim aftësinë për të përmbushur planin e madh të lumturisë.
Pra çfarë i ndodhi mikut tim? Atij iu dhanë mësimet dhe iu bashkua Kishës. Qysh atëherë familja e tij është vulosur për kohën dhe përjetësinë në Tempullin e Sidneit në Australi. Ai ka lënë pak – dhe ka fituar potencialin për gjithçka. Ai zbuloi se ende mund ta kremtojë historinë e tij, ende të krenohet për paraardhësit e tij, muzikën, kërcimin dhe letërsinë e tij, ushqimin e tij, tokën e tij dhe popullin e tij. Ai ka zbuluar se nuk ka asnjë problem që të përfshijë më të mirën e kulturës së tij vendase në kulturën më të madhe nga të gjitha. Ai zbuloi se sjellja e asaj që përputhet me të vërtetën dhe drejtësinë nga jeta e tij e vjetër në jetën e tij të re, shërben vetëm për ta përmirësuar shoqërimin e tij me shenjtorët dhe për të ndihmuar në bashkimin e të gjithëve në unitet në shoqërinë e qiellit.
Në të vërtetë, të gjithë mundemi ta vlerësojmë më të mirën e kulturave tona tokësore individuale dhe prapëseprapë të jemi pjesëmarrës në kulturën më të vjetër nga të gjitha – kulturën origjinale, më të epërme, të përjetshme që vjen nga ungjilli i Jezu Krishtit. Çfarë trashëgimie të mrekullueshme kemi të gjithë ne bashkë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.