Konferenca e Përgjithshme
Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


13:27

Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë

Të zbatosh drejtësinë do të thotë të veprosh ndershmërisht. Ne veprojmë ndershmërisht me Perëndinë duke ecur përulësisht me Të. Ne veprojmë ndershmërisht me të tjerët duke e dashur mëshirën.

Si pasues të Jezu Krishtit dhe si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne përpiqemi fort – dhe nxitemi të përpiqemi fort – që të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë.1 Ndoshta ju e keni pyetur veten, sikurse e kam pyetur unë: “A po bëj sa duhet?” “Çfarë tjetër duhet të bëj?” Ose “Si njeri me të meta, si mund të kualifikohem që të ‘jetoj… me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund’?”2

Profeti i Dhiatës së Vjetër, Mikea, e bëri pyetjen në këtë mënyrë: “Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë?”3 Mikea në mënyrë satirike pyeti veten nëse edhe ofrimet më të tepruara do të ishin të mjaftueshme për të dëmshpërblyer për mëkatin, duke thënë: “Do të pëlqej[ë] Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për … mëkatin e shpirtit tim?”4

Përgjigjja është “jo”. Veprimet e mira nuk janë të mjaftueshme. Shpëtimi nuk fitohet.5 As edhe flijimet e shumta që Mikea i dinte se ishin të pamundura, nuk mund ta shëlbojnë mëkatin më të vogël. Po të lihemi vetëm me mjetet tona, perspektiva e kthimit për të jetuar në praninë e Perëndisë është e pashpresë.6

Pa bekimet që vijnë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, ne kurrë nuk mund të bëjmë sa duhet ose të jemi vetë aq sa duhet. Lajmi i mirë, megjithatë, është se për shkak të Jezu Krishtit dhe nëpërmjet Tij ne mund të bëhemi sa duhet.7 Të gjithë njerëzit do të shpëtohen nga vdekja fizike me anë të hirit të Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit.8 Dhe po t’i kthejmë zemrat tona drejt Perëndisë, shpëtimi nga vdekja shpirtërore është në dispozicion për të gjithë “nëpërmjet Shlyerjes së [Jezu] Krishtit … me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”9. Ne mund të shëlbohemi nga mëkati për të qëndruar të pastër dhe të dëlirë përpara Perëndisë. Siç shpjegoi Mikea: “O njeri, [Perëndia] të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?”10

Drejtimi i Mikeas për t’i kthyer zemrat tona drejt Perëndisë dhe për t’u kualifikuar për shpëtimin përmban tri elemente të ndërlidhura. Të zbatosh drejtësinë do të thotë të veprosh ndershmërisht me Perëndinë dhe me njerëz të tjerë. Ne veprojmë ndershmërisht me Perëndinë duke ecur përulësisht me Të. Ne veprojmë ndershmërisht me të tjerët duke e dashur mëshirën. Të zbatosh drejtësinë është si rrjedhim një zbatim praktik i urdhërimit të parë dhe të dytë të madh, ta “dua[sh] Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde … [dhe ta] dua[sh] të afërmin tënd porsi vetveten”11.

zbatosh drejtësinë dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë është që të heqim dorë qëllimisht nga paudhësia, të ecim sipas statuteve të Tij dhe të mbetemi besnikë në mënyrë të mirëfilltë.12 Një njeri i drejtë largohet prej mëkatit dhe kthehet drejt Perëndisë, bën besëlidhje me Të dhe i mban ato besëlidhje. Një njeri i drejtë zgjedh t’iu bindet urdhërimeve të Perëndisë, pendohet kur nuk i zbaton ato, dhe vazhdon të përpiqet.

Kur Krishti i ringjallur vizitoi nefitët, Ai shpjegoi se ligji i Moisiut ishte zëvendësuar nga një ligj më i lartë. Ai i udhëzoi ata që të mos “ofroni[n] më … flijimet … dhe olokaustet”, por të ofronin “një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”. Ai gjithashtu premtoi: “Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë”13. Kur e marrim dhe e përdorim dhuratën e Frymës së Shenjtë pas pagëzimit, ne mund të gëzojmë shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë dhe mund të na mësohen të gjitha gjërat që duhet të bëjmë14, përfshirë mënyrën se si të ecim përulësisht me Perëndinë.

Flijimi i Jezu Krishtit për mëkatin dhe shpëtimi nga vdekja shpirtërore janë në dispozicion të të gjithë atyre që kanë një zemër të tillë të thyer dhe një shpirt të penduar.15 Një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar na nxitin të pendohemi me gëzim dhe të përpiqemi që të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti. Kur e bëjmë këtë, ne marrim fuqinë pastruese, shëruese dhe forcuese të Shpëtimtarit. Jo vetëm zbatojmë drejtësinë dhe ecim përulësisht me Perëndinë; ne mësojmë edhe të duam mëshirën siç e duan Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Perëndia gëzohet në mëshirën dhe nuk e kursen përdorimin e saj. Sipas fjalëve të Mikeas drejtuar Jehovës: “Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë, … do t[’i] vijë përsëri keq për ne” dhe “do të hedhë në fund të detit tërë mëkatet”16. Të duash mëshirën siç e do Perëndia, është e lidhur pandashmërisht me veprimin me drejtësi me të tjerët dhe moskeqtrajtimin e tyre.

Rëndësia e moskeqtrajtimit të të tjerëve theksohet në një anekdotë rreth Hilel Plakut, një studiuesi hebre, i cili jetoi në shekullin e parë përpara Krishtit. Njëri prej nxënësve të Hilelit qe i pezmatuar se sa e ndërlikuar ishte Tora – pesë librat e Moisiut me 613 urdhërimet e tyre dhe shkrimet shoqëruese të rabinëve. Nxënësi e sfidoi Hilelin që ta shpjegonte Torën duke përdorur vetëm kohën që Hileli mund të qëndronte me një këmbë. Hileli mund të mos ketë pasur baraspeshë të mirë, por e pranoi sfidën. Ai citoi nga Levitiku, duke thënë: “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde”17. Hileli më pas përfundoi: “Atë që është e urryer për ty, mos ia bëj të afërmit tënd. Ky është mesazhi më i rëndësishëm i Torës; pjesa tjetër është komente. Shko dhe studio.”18

Gjithmonë të vepruarit me ndershmëri me të tjerët është pjesë e dashjes së mëshirës. Merreni parasysh një bashkëbisedim që ma zuri veshi dekada më parë në repartin e urgjencës të spitalit “Xhon Hopkins” në Baltimorë, Merilend në Shtetet e Bashkuara. Një pacient, zoti Xhekson, ishte një burrë i sjellshëm, i këndshëm, i cili ishte i mirënjohur nga personeli i spitalit. Ishte shtruar më parë në spital shumë herë për t’u mjekuar nga sëmundje që lidheshin me alkoolin. Në këtë rast, zoti Xhekson u kthye në spital për simptoma që do të diagnostikoheshin si pezmatim i pankreasit i shkaktuar nga pirja e alkoolit.

Nga fundi i turnit të tij, doktori Kohen, një mjek që punonte shumë dhe i admiruar, e vizitoi zotin Xhekson dhe përcaktoi se shtrimi në spital ishte i nevojshëm. Dr. Koheni caktoi mjeken e radhës, doktoreshën Xhons, që ta shtronte zotin Xhekson dhe të mbikëqyrte mjekimin e tij.

Dr. Xhons kishte mbaruar një shkollë mjekësore me famë dhe sa po fillonte studimet e saj pasuniversitare. Ky trajnim tepër lodhës shpesh shoqërohej me kohë gjumi të pamjaftueshme, gjë që ndoshta luajti rol në përgjigjen negative të dr. Xhonsit. E ndeshur me pacientin e saj të pestë, të shtruar atë natë, ajo iu ankua me zë të lartë dr. Kohenit. E ndjeu se nuk ishte e drejtë që asaj do t’i duhej të kalonte shumë orë duke u kujdesur për zotin Xhekson ngaqë gjendja e tij e vështirë ishte, në fund të fundit, e vetëshkaktuar.

Përgjigjja këmbëngulëse e dr. Kohenit u shpreh pothuajse me një pëshpërimë. Ai tha: “Dr. Xhons, u bëre mjeke që të kujdesesh për njerëzit dhe që të punosh për t’i shëruar. Nuk u bëre mjeke që t’i gjykosh. Nëse nuk e kupton ndryshimin, nuk ke të drejtën të trajnohesh në këtë institucion.” Pas këtij korrigjimi, dr. Xhons plot zell u kujdes për zotin Xhekson gjatë shtrimit në spital.

Zoti Xhekson ka vdekur qysh atëherë. Si dr. Xhons dhe dr. Kohen kanë pasur karriera të shkëlqyera. Por në një çast vendimtar në trajnimin e saj, doktoreshës Xhons iu desh t’ia kujtonin që të zbatonte drejtësinë, të donte mëshirën dhe të kujdesej për zotin Xhekson pa qenë gjykuese.19

Përgjatë viteve kam përfituar duke e kujtuar këtë. Të dashurit e mëshirës do të thotë që ne jo thjesht e duam mëshirën që na jep Perëndia; ne gëzohemi që Perëndia u jep të njëjtën mëshirë të tjerëve. Dhe e ndjekim shembullin e Tij. “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë”20 dhe ne të gjithëve na nevojitet trajtim shpirtëror që të ndihmohemi dhe shërohemi. Zoti ka thënë: “Ju nuk duhet të çmoni një mish mbi një tjetër, ose një njeri nuk duhet të mendojë se është mbi një tjetër”21.

Jezu Krishti dha shembullin se çfarë do të thotë të zbatosh drejtësinë dhe ta duash mëshirën. Ai u shoqërua lirisht me mëkatarët, duke i trajtuar me nderim dhe respekt. Ai u dha mësim për gëzimin e zbatimit të urdhërimeve të Perëndisë dhe u përpoq të lartësonte në vend që t’i dënonte ata që po hasnin vështirësi. Ai i denoncoi ata që e kritikuan, sepse u dha shërbesë njerëzve që i shihnin si të padenjë.22 Një vetëdrejtësi e tillë e fyeu Atë dhe ende e fyen.23

Që të jetë si Krishti, një njeri zbaton drejtësinë, duke u sjellë me nderim ndaj Perëndisë si edhe njerëzve të tjerë. Një njeri i drejtë është i mirësjellshëm në fjalë e veprime dhe e kupton se dallimet në pikëpamje ose bindje nuk e pengojnë mirësinë dhe miqësinë e sinqertë. Individët që zbatojnë drejtësinë, “nuk do të ken[ë] një mendje për të dëmtuar njëri‑tjetrin, por për të jetuar në paqe”24 me njëri‑tjetrin.

Që të jetë si Krishti, një njeri e do mëshirën. Njerëzit që e duan mëshirën, nuk janë gjykues; ata shfaqin dhembshuri për të tjerët, veçanërisht për ata që janë më pak fatlumë; ata janë të hirshëm, dashamirës dhe nderues. Këta njerëz e trajtojnë këdo me dashuri e mirëkuptim, pavarësisht nga tiparet të tilla si raca, gjinia, përkatësia fetare, orientimi seksual, gjendja shoqëroro‑ekonomike dhe dallimet fisnore, klanore apo kombëtare. Këto zëvendësohen nga dashuria si e Krishtit.

Që të jetë si Krishti, një njeri zgjedh Perëndinë25, ecën përulësisht me Të, përpiqet ta kënaqë Atë dhe i mban besëlidhjet me Të. Njerëzit që ecin përulësisht me Perëndinë, mbajnë mend atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë për ta.

A po bëj sa duhet? Çfarë tjetër duhet të bëj? Veprimi që ndërmarrim në përgjigje ndaj këtyre pyetjeve, është thelbësor për lumturinë tonë në këtë jetë dhe në përjetësitë. Shpëtimtari nuk dëshiron që ne ta kujtojmë shpëtimin si të mirëqenë. Edhe pasi të kemi bërë besëlidhje të shenjta, ka mundësi që ne të “humbas[im] hirin dhe të largohe[mi] nga Perëndia i gjallë”. Prandaj ne duhet të “je[mi të] vëmendsh[ëm] dhe të lute[mi] gjithmonë” që ta shmangim rënien “në tundim”26.

Por në të njëjtën kohë, Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti nuk duan që ne të jemi të paralizuar nga pasiguria e vazhdueshme gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri, duke pyetur veten nëse kemi bërë sa duhet që të shpëtohemi dhe ekzaltohemi. Ata sigurisht nuk duan që ne të mundohemi nga gabimet për të cilat jemi penduar, duke menduar për to si plagë që nuk shërohen kurrë27, ose që të jemi jashtëzakonisht të shqetësuar se mund të pengohemi sërish.

Ne mund ta vlerësojmë vetë përparimin tonë. Ne mund ta dimë “se kursi i jetës [që po] ndjekim, është në përputhje me vullnetin e Perëndisë”28 kur zbatojmë drejtësinë, e duam mëshirën dhe ecim përulësisht me Perëndinë tonë. Ne përvetësojmë tiparet e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në karakterin tonë dhe e duam njëri‑tjetrin.

Kur i bëni këto gjëra, ju do të ndiqni shtegun e besëlidhjeve dhe do të kualifikoheni që të “jeto[ni] me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund”29. Shpirtrat tuaj do të mbushen me lavdinë e Perëndisë dhe me dritën e jetës së përhershme.30 Ju do të mbusheni me gëzim të paimagjinueshëm.31 Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, dhe se Ai plot dashuri e gëzim e shtrin mëshirën e Tij për të gjithë njerëzit. A nuk ju pëlqen shumë kjo? Në emrin e Jezu Krishtit, amen.