“Lutja”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Lutja
Komunikim i sinqertë, i përzemërt me Atin Qiellor
Ndoshta mund të mendoni për çaste në jetën tuaj kur kishit nevojë për ndihmë ose udhërrëfim hyjnor. Ndoshta ju humbi diçka, patët një pyetje të rëndësishme apo përjetuat një nevojë të ngutshme për të dalë nga situata. Dhe nganjëherë thjesht mund të keni kërkuar forcë apo kurajë vetëm që të vazhdonit të ecnit përpara. Lutja është veprimi i kthimit te Perëndia me sinqeritet dhe i të treguarit Atij për ndjenjat, mendimet dhe nevojat tuaja. Mrekullia e lutjes është se kur i drejtoheni Atit Qiellor, Ai ju dëgjon (shihni te Jeremia 29:12–13). Pavarësisht se kush jeni, pavarësisht nga gabimet apo papërsosuritë tuaja, Ati Qiellor dëshiron që ju të komunikoni me Të nëpërmjet lutjes. Dashuria e përsosur e Perëndisë ju siguron që ju mund t’i thoni Atij gjithçka dhe Ai do të dëgjojë.
Pjesa 1
Perëndia i Fton Fëmijët e Tij që të Luten Gjithmonë
Jezu Krishti u mësoi ndjekësve të Tij që t’i luteshin Perëndisë, Atit (shihni te Mateu 6:5–13; 3 Nefi 17:11–20). Ati Qiellor na urdhëron të “lut[emi] gjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 19:38), sepse Ai na do dhe dëshiron të na bekojë. Ai dëshiron që ne të krijojmë një model të kthimit tek Ai çdo ditë në lutje. Ai gjithashtu dëshiron që ne të vazhdojmë të lutemi në zemrat tona gjatë gjithë ditës (shihni te Mosia 24:11–12; 3 Nefi 20:1). Kur i lutemi Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit (shihni tek 3 Nefi 18:19; 19:6), ne tregojmë besimin tonë te Shpëtimtari ynë dhe gatishmërinë tonë për ta ndjekur Atë. Si rrjedhim, ne e përdorim plot nderim emrin e Zotit kur e mbyllim një lutje, duke thënë: “Në emrin e Jezu Krishtit, amen”.
Ngaqë lutja është mënyra se si i drejtohemi Perëndisë, Atit, ne përpiqemi të përdorim fjalë që demonstrojnë sinqeritet dhe nderim. Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi: “Profeti Jozef Smith tha: ‘Është diçka e shkëlqyer të kërkosh prej duarve të Perëndisë ose të vish në praninë e Tij’. … Gjuha e veçantë e lutjes na kujton për madhështinë e atij privilegji.” Me shenjtërinë e lutjes në mendje, ne duhet të përdorim “përemrat nga shkrimet e shenjta kur i drejtohemi Perëndisë – Ti, Ty, Teje, Tënd dhe Tënde” si të jetë e përshtatshme.
Gjëra për t’i menduar
-
Zoti i tha Jozef Smithit: “Lutu gjithmonë që të mund të dalësh fitues; po, që ti të mund të mposhtësh Satanin dhe që ti të mund t’u shpëtosh duarve të shërbëtorëve të Satanit që vërtet përkrahin veprën e tij” (Doktrina e Besëlidhje 10:5). Çfarë do të thotë të lutemi gjithmonë? Cilat janë disa arsye përse secilit prej nesh i nevojitet mbrojtja shpirtërore e Atit Qiellor?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë shembuj të lutjes. Lexoni me të tjerët te 2 Nefi 4:30–35 dhe Alma 34:17–27, duke kërkuar udhërrëfim rreth kohës kur duhet të lutemi dhe për çfarë duhet të lutemi. Si mund të ndikojë te mënyra se si zgjedhim të lutemi, modeli i lutjes që gjendet në këto fragmente?
Mësoni më shumë
-
Psalmeve 55:17; Mateu 7:7–11; 2 Nefi 32:8–9; Alma 37:36–37; 3 Nefi 18:15, 18–19; Doktrina e Besëlidhje 19:28
-
M. Rasëll Ballard, “Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë”, Liahona, nëntor 2020, f. 77–79
-
Dejvid A. Bednar, “Lutuni Kurdoherë”, Liahona, nëntor 2008, f. 41–44
Pjesa 2
Lutja e Sinqertë do t’ju Afrojë më Shumë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti
Nganjëherë kur lutemi, mund ta gjejmë veten duke përdorur të njëjtat fjalë ose fraza herë pas here. A mund të përfytyroni sikur të përdorni një gjuhë rutinë ose të pakuptimtë sa herë që takoheni me miqtë ose pjesëtarë të familjes? Përpjekjet tona për të komunikuar sinqerisht me njerëz të tjerë duhet të na kujtojnë se si të flasim me Atin Qiellor në lutje. Perëndia dëshiron që lutjet tona të jenë të sinqerta. Në Librin e Mormonit, profeti Enos e “derdh[i] te Perëndia tërë shpirtin” e tij në lutje duke kërkuar bekime (Enosi 1:9). Në mënyrë të ngjashme, ne kthehemi te Perëndia për bekime të veçanta si për veten tonë ashtu edhe për të tjerët.
Si formë adhurimi, lutja ka fuqinë për të na afruar pranë Atit Qiellor (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:62–64). Kur lutja e sinqertë ndërthuret me agjërimin, ne mund të marrim shpirtin e zbulesës dhe zemrat tona mund të pastrohen dhe të shenjtërohen (shihni tek Alma 17:3; Helamani 3:35).
Gjëra për t’i menduar
-
Apostulli Pal u mësoi shenjtorëve që të “lut[eshin] pa pushim” dhe “për çdo gjë [të] falënderoni[n]” (1 Thesalonikasve 5:17–18). Çfarë do të thotë për ju që të “lut[e]ni pa pushim”? Përse shprehja e mirënjohjes është një pjesë e rëndësishme e lutjes? Çfarë mund të bënit me qëllim që ta bëni lutjen e sinqertë një pjesë më të madhe të përpjekjeve tuaja për t’u afruar tek Ati Qiellor?
-
Ati Qiellor e dëgjon çdo lutje të sinqertë dhe i përgjigjet asaj. Disa lutje bëhen në heshtje; të tjera bëhen me zë. Lexoni shembujt vijues të lutjes së bërë me zë: Mateu 26:39–44; Gjoni 17:1; 2 Nefi 4:24; Enosi 1:4; Joseph Smith – Historia 1:14. Cila ka qenë përvoja juaj e bërjes së lutjes me zë? Çfarë keni parë të dobishme te lutja me zë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Lexoni ose shikoni bisedën “Dëshira e Sinqertë e Shpirtit” nga Motra Karol F. Mek‑Konki. Në këtë mesazh, Motra Mek‑Konki tha: “Me besim ne lutemi, dëgjojmë dhe bindemi që ne të mund të mësojmë të bëhemi një me Atin dhe Birin”. Diskutoni se çfarë mësoi çdo njëri nga ky mesazh. Si mund të konsiderohet lutja kohë e shpenzuar me Atin Qiellor?
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Lypni, Kërkoni, Trokisni”, Liahona, nëntor 2009, f. 81–84
-
Dejvid A. Bednar, “Kërkoni me Besim”, Liahona, maj 2008, f. 94–97
-
Neil L. Andersen, “I Hear Him through Sincere Prayer and Reflection”, Inspiration (ditar në internet), 27 dhjetor 2021, ChurchofJesusChrist.org
Pjesa 3
Ati Qiellor i Dëgjon dhe u Përgjigjet Lutjeve Tuaja
A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse lutjet tuaja dëgjohen nga Perëndia? Ati Qiellor gjithmonë i dëgjon lutjet tona të sinqerta dhe u përgjigjet atyre me fjalët: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7). Por Zoti u përgjigjet lutjeve tona sipas vullnetit dhe kohës së Tij (shihni te Mosia 7:33; Doktrina e Besëlidhje 64:31–32).
“Lutja është akti me anë të të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në bashkërendim me njëri‑tjetrin. Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshohet vullneti i Perëndisë, por të sigurojmë për veten dhe për të tjerët bekime që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, por që kanë si kusht kërkimin tonë për to.”
Gjëra për t’i menduar
-
Cilat janë dëshirat më të mëdha të zemrës suaj? Si mund t’u japë formë dëshirave dhe lutjeve tuaja përpjekja për ta përputhur vullnetin tuaj me vullnetin e Perëndisë?
-
Ati Qiellor shpesh u përgjigjet lutjeve tona nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nganjëherë lutjet tona marrin përgjigje kur lexojmë dhe studiojmë shkrimet e shenjta. Perëndia gjithashtu vepron nëpërmjet njerëzve të tjerë për të siguruar ndihmën ose përgjigjet që ne kërkojmë. Lexoni fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta për të marrë parasysh disa nga mënyrat se si komunikimi nga Perëndia mund t’ju vijë nëpërmjet Frymës së Shenjtë: 1 Mbretërve 19:12; Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 11:11–14. Kur e keni dalluar se Perëndia i dëgjoi lutjet tuaja?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Me grupin tuaj, renditni disa nga mënyrat se si mund ta përdorim teknologjinë për të komunikuar me të tjerët. Diskutoni pyetjen: “Përse nganjëherë na duket e vështirë të komunikojmë në mënyrë të efektshme me Atin tonë Qiellor?” Lexoni së bashku tek 3 Nefi 14:7–11. Çfarë mësimi dha Jezu Krishti rreth gatishmërisë së Atit Qiellor për t’iu përgjigjur lutjeve tona?
Mësoni më shumë
-
Thomas S. Monson, “Come unto Him in Prayer and Faith”, Ensign, mars 2009, f. 5–9
-
“Prayer” [“Lutja”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Richard G. Scott, “Learning to Recognize Answers to Prayer”, Ensign, nëntor 1989, f. 30–32
-
Xhejms B. Martino, “Kthehuni tek Ai dhe Përgjigjet Do Të Vijnë”, Liahona, nëntor 2015, f. 58–60
-
“Are You Really There?” [“A Je Ti Atje?”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]