Biblioteka
Mrekullitë


“Mrekullitë”, Tema dhe Pyetje (2023)

Pamja
Jezu Krishti shëron burrin

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Mrekullitë

Shfaqjet e fuqisë dhe të dashurisë së Perëndisë

Cilat janë disa nga arsyet përse besoni se Perëndia është real dhe se Ai është i vetëdijshëm për ju? A mund të mendoni për raste kur e dinit se Ai po demonstronte dashurinë e Tij për ju? Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Lutuni që të keni sy të shihni dorën e Perëndisë në jetën tuaj dhe në botën përreth jush”. Mrekullitë përfaqësojnë çaste kur Perëndia vepron me fuqinë e Tij në emër të fëmijëve të Tij.

Në shkrimet e shenjta mësojmë për mrekulli të fuqishme që Jehova i Madh i kreu për popullin e Tij në Dhiatën e Vjetër. Ne gjithashtu mësojmë për mrekullitë e kryera nga Jezu Krishti gjatë jetës së Tij në vdekshmëri në Dhiatën e Re dhe si Zoti i ringjallur në Librin e Mormonit. Por mrekullia më e madhe nga të gjitha ishte Shlyerja e Tij, kur Ai e shëlboi botën nga mëkati dhe u ringjall së vdekuri. Sot ne mund t’i shohim veprat dhe mrekullitë e Tij, si të mëdha ashtu edhe të vogla, në vetë jetën tonë dhe mund të mësojmë se “Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij” (Psalmeve 145:9).

Çfarë Është një Mrekulli?

Një mrekulli është një shfaqje e fuqisë hyjnore. Mrekullitë janë një pjesë e rëndësishme e veprës së Jezu Krishtit, si në kohët e lashta ashtu edhe sot.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Mrekullitë

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit, Lutja, Besimi te Jezu Krishti, Bekimet e Priftërisë

Pjesa 1

Jezu Krishti Është një Perëndi Mrekullish

Pamja
Jezu Krishti fashit stuhinë

Mrekullitë kanë qenë gjithmonë pjesë e veprës së Perëndisë mes fëmijëve të Tij. Dhiata e Vjetër dhe e Re përfshin shumë tregime për Jezu Krishtin duke demonstruar fuqinë hyjnore në emër të fëmijëve të Atit Qiellor. Ndjekësit e Jezu Krishtit sot vënë në dukje se dora e Perëndisë vazhdon të shfaqet në mënyra të mrekullueshme në Kishën e Tij dhe në jetën e individëve dhe familjeve. Perëndia shpalli: “Pasi vini re, unë jam Perëndia; dhe unë jam një Perëndi mrekullish; dhe unë do t’i tregoj botës se unë jam i njëjti dje, sot dhe përgjithnjë; dhe unë nuk veproj mes fëmijëve të njerëzve, veçse sipas besimit të tyre” (2 Nefi 27:23).

Gjëra për t’i menduar

  • Kur dy prej dishepujve të Gjon Pagëzorit e pyetën Jezusin: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”, Jezusi u citoi shembuj që tregojnë se cili ishte Ai (shihni te Mateu 11:3–6). Përse këta shembuj provuan se kush ishte Ai? Gjithashtu merrni parasysh se çfarë tha Jezusi te Gjoni 5:36. Cili ishte qëllimi i “vepra[ve]” që bëri Jezusi?

  • Plaku Ronald A. Rasband dha mësim: “Zoti bën mrekulli për të na kujtuar për fuqinë e Tij, dashurinë e Tij për ne, ndihmën e Tij nga qiejt te përvoja jonë në vdekshmëri dhe dëshirën e Tij për të na dhënë mësim rreth asaj që ka më shumë vlerë”. Cilat janë disa nga mrekullitë tuaja të parapëlqyera për të cilat keni lexuar në shkrimet e shenjta? Çfarë ju kanë mësuar këto mrekulli rreth Perëndisë?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Ftoni anëtarë të grupit që secili të zgjedhë njërin nga tregimet vijuese të mrekullive të Shpëtimtarit nga Dhiata e Re. Përcaktoni “kush, çfarë, ku, kur dhe përse” lidhur me mrekullinë e përshkruar në fragmentin e përzgjedhur. Diskutoni ngjashmëritë dhe ndryshimet midis këtyre ngjarjeve. Si mund të përdoren këto tregime për ta forcuar besimin e njerëzve që njihni?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Mrekullitë Vijnë nëpërmjet Besimit te Jezu Krishti

Pamja
Jezu Krishti shëron gruan

Në Dhiatën e Re, Jezusi u premtoi dishepujve të Tij se “shenja [të mrekullueshme] do t’i përcjellin ata që do të besojnë” (Marku 16:17–18). Në ditët e mëvonshme, Ai tha: “Si rrjedhim, siç u thashë apostujve të mi, unë ju them juve përsëri se çdo shpirt që beson në fjalët tuaja dhe pagëzohet me ujë për heqjen e mëkateve, do të marrë Frymën e Shenjtë. Dhe … shenja[t] do t’i ndjekin ata që besojnë” (Doktrina e Besëlidhje 84:64–65). Për ata që besojnë te Perëndia dhe Jezu Krishti, mrekullitë janë një mundësi shumë reale, por ata duhet të kenë besim fillimisht (shihni tek Ethëri 12:12–18).

Por ne nuk duhet të kërkojmë mrekulli si një mënyrë për ta ngritur ose provuar besimin tonë. Zoti i tha Jozef Smithit: “Besimi nuk vjen me anë të shenjave, por shenjat i ndjekin ata që besojnë. Po, shenja vijnë nëpërmjet besimit, jo nëpërmjet vullnetit të njerëzve dhe as siç u pëlqen atyre, por nëpërmjet vullnetit të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 63:9–10). Profeti Moroni shkroi: “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6). Një dëshmi që fillon me dëshmimin e një mrekullie, nuk do të zgjatë nëse nuk ushqehet me besim dhe bindje të vazhdueshme.

Disa mrekulli ndodhin qetësisht, të tilla si kur një person fiton një dëshmi për të vërtetën e Perëndisë, përjeton një ndryshim të madh të zemrës, fiton falje nga Zoti ose bekohet me paqe dhe forcë gjatë një kohe të vështirë (shihni tek Alma 37:6–7).

Gjëra për t’i menduar

  • Merrni parasysh se çfarë i tha engjëlli Maries: “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37). A jeni përballur ndonjëherë me diçka që dukej e pamundur për t’u përmbushur apo zgjidhur? Si mund t’ju përgatitë studimi i tregimeve nga shkrimet e shenjta për mrekullitë e kryera nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, që të ktheheni tek Ai dhe të mirëbesoni te dashuria, mëshira dhe vullneti i Tij?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Hauard W. Hanter foli për shumë mrekulli mahnitëse, të kryera nga Jezu Krishti. Pastaj ai tha:

    “Është më mbresëlënëse të dëshmosh dikë që është i shurdhët që të arrijë të dëgjojë sërish. Por sigurisht ai bekim i madh nuk është më befasues sesa ndërthurja mrekulluese e kockave, lëkurës dhe nervave që i lejon veshët tanë të marrin botën e bukur të tingullit. A nuk duhet të qëndrojmë të mahnitur nga bekimi i të dëgjuarit dhe a nuk duhet t’i japim lavdi Perëndisë për atë mrekulli, po ashtu siç bëjmë kur dëgjimi rivendoset pasi kishte humbur?

    A nuk është njësoj për kthimin e shikimit të dikujt apo shqiptimin e të folurit tonë, apo madje atë mrekulli, më të madhërishmen e të gjithave – rivendosjen e jetës? Krijimet origjinale të Atit përbëjnë një botë të mbushur vërtet me mahnitje. A nuk janë mrekullitë më të mëdha fakti që në radhë të parë kemi jetë dhe gjymtyrë, shikim e të folur?”

    Si mund ta rritë ky këndvështrim për mrekullitë e shumta në jetën tonë mirënjohjen tonë për Perëndinë e mrekullive?

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Kërkoni dhe Prisni Mrekulli në Jetën Tuaj

Pamja
burrë duke ecur në plazh

Gjithmonë do të ketë mrekulli për aq kohë sa ka njerëz me besim (shihni te Moroni 7:27–29). Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar se ne duhet të “kërko[jmë] dhe pr[esim] mrekulli”. “Zoti do t’ju bekojë me mrekulli nëse besoni tek Ai, ‘pa dyshuar asgjë’ [Mormoni 9:21]. Bëjeni punën shpirtërore që nevojitet për të kërkuar mrekulli. Kërkojini Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të ushtroni atë lloj besimi.”

Mrekullitë janë përreth nesh çdo ditë. Plaku Ronald A. Rasband shpjegoi: “Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, më shumë nga sa mund ta përfytyroni. Ato mund të duken të vogla krahasuar me ngritjen e të vdekurve nga Jezusi. Por nuk është madhështia ajo që e dallon një mrekulli, por vetëm fakti që vjen nga Perëndia.”

Gjëra për t’i menduar

  • Merrni parasysh këshillën e Presidentit Nelson. Çfarë do të thotë që të “kërkoni” mrekulli në jetën tuaj? Cila është “pun[a] shpirtërore” që ju nevojitet të bëni që të “kërk[oni] mrekulli”? Si mund të bekoheni duke kërkuar mënyra se si Perëndia po punon në jetën tuaj?

  • Lexoni te Mormoni 9:7–21. Nëse Perëndia është i pandryshueshëm dhe u dha vegime, bekime e zbulesa fëmijëve të Tij në lashtësi, çfarë domethënie ka kjo për ju? Kë njihni që mund të përfitonte nga të kuptuarit më mirë të fjalisë: “Perëndia nuk ka pushuar së qeni një Perëndi mrekullish”? (Mormoni 9:15.)

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë për një rast kur dëshmuan dorën e Perëndisë duke kryer një bekim ose mrekulli në vetë jetën e tyre, si të jetë e përshtatshme. Diskutoni mënyrat e ndryshme se si ndodhën këto mrekulli dhe qëllimet e ndryshme për të cilat shërbyen.

Mësoni më shumë

Shtyp në Letër