Biblioteka
Adhurimi i Perëndisë, Atit


“Adhurimi i Perëndisë, Atit”, Tema dhe Pyetje (2023)

burrë duke u lutur

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Adhurimi i Perëndisë, Atit

Demonstrimi i dashurisë sonë për Perëndinë dhe i zotimit tonë ndaj Tij

Kur Jezu Krishtin e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh, Ai u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37). Jezusi demonstroi në mënyrë të përsosur gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri se si ta duam Perëndinë, Atin. Ai bëri “vullnetin e Atit në të gjitha gjërat që nga fillimi” (3 Nefi 11:11). Kur ndaleni që të mendoni rreth asaj se sa shumë ka bërë Ati Qiellor për ju, do të zbuloni se shtohet dashuria juaj për Të dhe dëshira juaj për t’iu bindur Atij (shihni te Mosia 2:20–24). Adhurimi është një mënyrë e rëndësishme se si e shprehim mirënjohjen tonë për dashurinë e Atit dhe se si tregojmë që ne përpiqemi të afrohemi më shumë tek Ai.

Çfarë do të Thotë të Adhurosh Perëndinë, Atin?

Të adhurosh Perëndinë është t’i japim Atij dashurinë, bindjen, nderimin, shërbimin, lavdërimin, mirënjohjen dhe përkushtimin tonë. Ati Qiellor i urdhëron fëmijët e Tij të adhurojnë së bashku me besimtarë të tjerë dhe gjithashtu kur janë vetëm. Jo vetëm që përpjekjet tona plot adhurim tregojnë dashurinë tonë për Perëndinë dhe zotimin tonë ndaj Tij, por ato gjithashtu na japin forcë që të zbatojmë urdhërimet e Tij.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Adhurimi

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Perëndia Ati, Lutja, Sakramenti, Tempujt, Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Pjesa 1

Ne e Adhurojmë Perëndinë, Atin, në Emrin e Jezu Krishtit

burrë dhe grua duke u lutur

Perëndia, Ati, është Qenia më e Lartë e gjithësisë. Si i tillë, Ai krijoi një plan për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Tij. Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, në tokë që të bënte një flijim shlyes për ne të gjithë. Për të marrë bekimet e planit të Atit, ne duhet të besojmë tek Ai dhe të përpiqemi fort të bëjmë gjithçka që Ai na urdhëron.

Moisiu u urdhërua që të “adhuro[nte] Perëndinë, sepse vetëm atij do t’i shërbe[nte]” (Moisiu 1:15). Shekuj më pas, kur djalli erdhi për të tunduar Jezusin që ta adhuronte atë, Jezusi u përgjigj: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij” (shihni te Mateu 4:8–10). Që prej fillimit, Perëndia, Ati, i urdhëroi fëmijët e Tij që ta “bë[nin] gjithçka që bën[in], në emër të Birit” (Moisiu 5:8). Në kohën tonë, Jozef Smithi u urdhërua: “Në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh [Perëndisë]” (Doktrina e Besëlidhje 59:5).

Të pasurit e Atit Qiellor si përparësinë më të madhe në jetën tonë na ndihmon të afrohemi më shumë tek Ai. Perëndia i urdhëroi fëmijët e Izraelit: “Nuk do të ke[ni] perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Idhujtaria për të cilën flitet në shkrimet e shenjta, ndodh sot kurdoherë që u japim më shumë rëndësi gjërave ose njerëzve sesa Perëndisë dhe zbatimit të urdhërimeve të Tij (shihni tek Eksodi 20:4–5; Doktrina e Besëlidhje 1:15–16). Në dallim, kur i tregojmë Perëndisë se e duam Atë me gjithë zemrën tonë, siç na do Ai, ne ndihemi më pranë Tij dhe bëhemi më shumë si Ai. Mënyra më e rëndësishme se si mund ta adhurojmë Perëndinë, Atin, është që të vijmë te Biri i Tij, Jezu Krishti, nëpërmjet besimit e pendimit dhe të përpiqemi fort që të ecim në shtegun që çon drejt jetës së përjetshme (shihni te Gjoni 17:3). Ata që e bëjnë Atin Qiellor përqendrimin e vetëm të adhurimit të tyre, një ditë mund të bëhen si Ai (shihni te Doktrina e Besëlidhje 93:19–20).

Gjëra për t’i menduar

  • Zgjedhja për të besuar se Ati Qiellor ekziston dhe mirëbesimi tek urtësia dhe fuqia e Tij, janë thelbësore për t’iu afruar përulësisht Perëndisë në adhurim. Lexoni te Mosia 4:9–10. Kur ju ka nxitur besimi juaj te Perëndia që të kërkoni ndihmën dhe faljen e Tij? Përse është përpjekja për t’u penduar rregullisht dhe për t’i braktisur mëkatet një aspekt i rëndësishëm i adhurimit të vërtetë?

  • Gjatë kohës së Tij në tokë, Jezu Krishti na tregoi se si ta adhurojmë Atin Qiellor. Lexoni te Gjoni 5:19–20 dhe merrni parasysh se çfarë na mëson ky fragment rreth adhurimit. Cilat janë disa mënyra se si mësojmë rreth veprave të Atit dhe të Birit? Si do t’ju përgatitë një studim i veprës së Perëndisë, siç shënohet në shkrimet e shenjta, që ta adhuroni Atë?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Shikoni materialin filmik “I Am a Son of God” [“Unë Jam Një Bir i Perëndisë”] (6:30). Diskutoni se çfarë ndjeu çdo njeri kur mësoi rreth përvojës së shenjtë të Moisiut me Perëndinë. Si mund të na mbrojë nga tundimi vendosja e përparësisë më të lartë te dashuria për Perëndinë? Si mund të na përgatitin përpjekjet tona për të adhuruar Perëndinë që të përballemi me vështirësitë?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Ju Mund të Fitoni Forcë Shpirtërore Kur Bashkoheni me të Tjerë për të Adhuruar Perëndinë

njerëz në kishë

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen çdo javë në bashkësi vendore për t’u lutur, për të marrë sakramentin, për të kënduar himne, për të mësuar ungjillin dhe për ta forcuar shoqërimin e tyre me njëri‑tjetrin. Zoti i urdhëroi shenjtorët që të “shko[nin] në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofro[nin] sakramentet e t[yre] në [d]itën [e Tij] të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 59:9). Konferencat e përgjithshme, të zhvilluara dy herë në vit, janë ngjarje të rëndësishme ku udhëheqësit e Kishës japin udhëzim të frymëzuar për anëtarësinë mbarëbotërore të Kishës. Pjesëmarrja në shërbimet e organizuara të Kishës konsiderohet një mënyrë jetësore për ta adhuruar Perëndinë, Atin.

Përveç adhurimit në ditën e Shabatit, anëtarët e Kishës gjithashtu adhurojnë në tempull. Në shtëpinë e Zotit, anëtarët e Kishës marrin ordinancat e priftërisë që i përgatitin për jetën e përjetshme. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve që lidhen me ato ordinanca, na përgatitin që të komunikojmë me Perëndinë, që do të thotë se mund ta ndiejmë Shpirtin e Zotit dhe mund të marrim paqe, forcë e madje zbulesë vetjake.

Gjëra për t’i menduar

  • Libri i Mormonit përshkruan se si anëtarët e Kishës së Krishtit u mblodhën për të adhuruar së bashku. Lexoni te Moroni 6:5–9. Në çfarë mënyrash ishte modeli i tyre i adhurimit i ngjashëm me atë që bëjnë anëtarët e Kishës sot? Si do t’ia përshkruanit bekimet e adhurimit në ditën e Shabatit dikujt që dëshironi ta ftoni në Kishë?

  • Në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit në vitin 1836, Profeti Jozef Smith u lut “që gjithë njerëzit që do të hyjnë në pragun e shtëpisë së Zotit, të mund të ndiejnë fuqinë [e Perëndisë]” (Doktrina e Besëlidhje 109:13). Kur ju ka ndihmuar gjetja e kohës për të adhuruar në shtëpinë e Zotit që të përjetoni ndjenjën e fuqisë së Perëndisë?

  • Shqyrtoni mesazhin “Bekimet e Adhurimit” nga Peshkopi Din M. Dejvis, duke kërkuar se si adhurimi i çiltër mund t’ju ndihmojë të rriteni si dishepull i Jezu Krishtit. Ndërsa e lexoni bisedën, çfarë idesh ose mbresash patët rreth përpjekjeve tuaja vetjake për të adhuruar?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Jezu Krishti themeloi Kishën e Tij në kohën tonë për t’i bekuar ndjekësit e Tij. Presidenti Dallin H. Ouks diskutoi nevojën për një kishë në bisedën që dha në konferencën e përgjithshme të tetorit 2021. Shqyrtojeni së bashku bisedën “Nevoja për një Kishë”, duke kërkuar disa prej bekimeve që vijnë nga adhurimi me besimtarë të tjerë. Cilat janë disa arsye përse pjesëmarrja në shërbesat e adhurimit në Kishë është thelbësore për një rritje dhe përparim shpirtëror të personit?

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Adhurimi i Perëndisë Mund të Bëhet Pjesë e Jetës Suaj të Përditshme

grua përpara tempullit

Profeti Alma në Librin e Mormonit e predikoi ungjillin mes klasës më të varfër të njerëzve, të cilët ishin dëbuar nga shërbesat e adhurimit publik “për shkak të veshjeve të tyre të leckosura” (Alma 32:2; shihni edhe vargjet 1–12). Ai shpjegoi se adhurimi është shumë më tepër sesa frekuentimi i mbledhjeve: “Ju thatë se nuk mund ta adhuroni Perëndinë tuaj, pasi jeni dëbuar nga sinagogat tuaja. … Në qoftë se ju mendoni se nuk mund ta adhuroni Perëndinë, ju gaboni rëndë” (Alma 33:2). Përveç adhurimit të rregullt gjatë shërbesave të Shabatit në Kishë, ju mund të përjetoni një ndjenjë të adhurimit të Perëndisë në gjithçka që bëni. Ju mund të kultivoni një qëndrim plot adhurim kur drejtoheni tek Ati Qiellor në lutje (shihni tek Alma 32:3–11; 37:36) dhe kur shprehni mirënjohje për bekimet tuaja (shihni tek Alma 34:38). Të dëgjuarit e muzikës lartësuese mund t’ju përgatitë që të komunikoni me Perëndinë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:12).

Gjëra për t’i menduar

  • Gruaja samaritane te pusi hamendësonte se adhurimi mund të bëhej vetëm në vendndodhje të shenjta. Lexoni te Gjoni 4:19–26. Çfarë i mësoi Jezusi kësaj gruaje rreth adhurimit të vërtetë? Cilat janë disa mënyra se si ju mund të kultivoni një ndjenjë të adhurimit të Perëndisë në jetën tuaj?

  • Plaku D. Tod Kristoferson tregoi: “Është me domethënie të madhe për mua që unë mundem t’i afrohem nëpërmjet lutjes fronit të hirit në çdo çast e në çdo rrethanë, që Ati im Qiellor do ta dëgjojë kërkesën time, që Avokati im, Ai që nuk bëri mëkat, gjaku i të cilit u derdh, do të ndërhyjë për çështjen time”. Si ndikon drejtimi te Shpëtimtari në dëshirën tuaj për ta adhuruar Atin Qiellor?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Të dëgjuarit e muzikës së mirë mund të na ndihmojë që të zhvillojmë një dëshirë për të adhuruar Perëndinë. Tekstet lartësuese mund t’i kthejnë mendimet tona tek Ati Qiellor dhe bekimet që Ai i ka siguruar plot mëshirë. Bëni një listë këngësh që ju kanë ndihmuar ta ndieni dashurinë e Perëndisë. Diskutoni së bashku disa nga arsyet e mundshme përse Perëndia e konsideron “këng[ën] e të drejtëve” si një lutje (Doktrina e Besëlidhje 25:12).

Mësoni më shumë

Shënime

  1. Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Liahona, nëntor 2016, f. 93–95.

  2. Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24–26.

  3. D. Todd Christofferson, “I Know in Whom I Have Trusted”, Ensign, maj 1993, f. 83.