Biblioteka
Bekimet Patriarkale


“Bekimet Patriarkale”, Tema dhe Pyetje (2023)

burrë duke bekuar një grua

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Bekimet Patriarkale

Drejtim vetjak dhe i frymëzuar nga Ati Qiellor

Në Librin e Mormonit, profeti Lehi zbuloi një sferë të rrumbullakët, të bërë prej tunxhi, e cila kishte dy akrepa (shihni te 1 Nefi 16:10). Familja e tij zbuloi se kjo sferë ose busull, të cilën e quajtën “Liahona”, tregonte se ku duhej të udhëtonin në vendin e shkretë. Ajo punonte sipas besimit të tyre te Perëndia (shihni tek Alma 37:38–40). Një bekim patriarkal mund të funksionojë për ne ashtu si Liahona funksionoi për familjen e Lehit.

Presidenti Tomas S. Monson shpalli: “I njëjti Zot, i cili i siguroi një Liahonë Lehit, siguron për ju dhe mua sot një dhuratë të rrallë dhe të çmuar për t’i dhënë drejtim jetës sonë, për të shenjuar rreziqet për sigurinë tonë dhe për të skicuar udhën, madje një kalim të sigurt, jo drejt një toke të premtuar, por drejt shtëpisë sonë qiellore. Dhurata për të cilën e kam fjalën, njihet si bekimi juaj patriarkal.”

Ati Qiellor siguron udhërrëfim hyjnor për ne në shumë mënyra: nëpërmjet lutjes, shkrimeve të shenjta, fjalëve të profetëve të gjallë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Bekimi juaj patriarkal është një mjet tjetër i rëndësishëm që mund t’ju japë udhëzim shpirtëror, këshillë dhe sigurim teksa përballeni me pasiguritë dhe sfidat e jetës.

Çfarë Është një Bekim Patriarkal?

Një bekim patriarkal është një bekim i individualizuar priftërie që merret nga një patriark i shuguruar dhe i autorizuar nëpërmjet vënies së duarve. Në përgjithësi, ai përmban udhëzim dhe këshillë vetjake dhe të frymëzuar nga Ati Qiellor. Një bekim patriarkal gjithashtu përfshin një deklarim të linjës së prejardhjes së një personi në shtëpinë e Izraelit ose si një pasardhës i Abrahamit. Një bekim patriarkal transkriptohet ku një kopje i jepet anëtarit dhe një tjetër mbahet në dokumentet e Kishës. Çdo anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nxitet që të marrë një bekim patriarkal.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Bekimet Patriarkale

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Bekimi i Priftërisë, Zbulesa Vetjake, Besëlidhja e Abrahamit

Pjesa 1

Çfarë Është një Bekim Patriarkal?

i ri duke lexuar një letër

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mund të marrin bekime të priftërisë nëpërmjet vënies së duarve në shumë raste gjatë jetës së tyre. Anëtarët mund të kërkojnë bekime të priftërisë nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke në çdo kohë që iu nevojitet shërim ose dëshirojnë ngushëllim, urtësi dhe udhërrëfim hyjnor. Megjithatë, bekimet patriarkale janë të dallueshme nga këto bekime të priftërisë.

Patriarkët mbajnë një detyrë të pashoqe në priftëri dhe veçohen që t’u japin bekime të veçanta anëtarëve të denjë të Kishës. Një person duhet të jetë i përgatitur shpirtërisht dhe mjaft i pjekur për ta kuptuar rëndësinë e bekimit të tij ose të saj patriarkal, edhe pse nuk ka një kriter për moshën minimale ose maksimale. Një person zakonisht merr vetëm një bekim patriarkal gjatë jetës së vet. Bekimet patriarkale regjistrohen, transkriptohen dhe ruhen në dokumentet e Kishës. Ato janë të shenjta dhe nuk duhet të lexohen në publik ose të interpretohen nga të tjerët.

Gjëra për t’i menduar

  • Për ta kuptuar më mirë historinë e bekimeve patriarkale në Kishë, shqyrtoni në Church History Topics [Temat e Historisë së Kishës] artikullin “Patriarchal Blessings” [“Bekimet Patriarkale”], që gjendet te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Çfarë mësoni rreth bekimeve patriarkale nga ky artikull? Si mendoni, përse ato gjithmonë regjistrohen dhe ruhen në dokumentet e Kishës? Çfarë ju mëson kjo rreth vetë bekimit tuaj patriarkal dhe rëndësisë së tij?

  • Lexoni te Nenet e Besimit 1:6. Jozef Smithi dha mësim se termi “ungjilltarë” në Kishën e Jezu Krishtit i referohet detyrës së shuguruar në priftëri si patriark. Për më shumë informacion rreth kësaj, merrni parasysh të lexoni bisedën e Presidentit Bojd K. Paker “The Stake Patriarch” [“Patriarku i Kunjit”].

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Procesi i marrjes së një bekimi patriarkal mund të mos njihet nga të gjithë anëtarët e grupit. Ftojini ata të bëjnë pyetje rreth bekimeve patriarkale dhe renditini pyetjet që t’i shohë i tërë grupi nëse është e mundur. Më pas shqyrtoni materialin Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 18.17, në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], duke kërkuar përgjigje për pyetjet e anëtarëve të grupit. Çfarë ju mëson kjo veprimtari rreth bekimeve patriarkale?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Çfarë Është Deklarimi i Linjës së Prejardhjes në një Bekim Patriarkal?

bekimi patriarkal

Çdo bekim patriarkal përmban një deklarim të linjës së prejardhjes. Kur fëmijët e Perëndisë pagëzohen dhe bëhen anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ata trashëgojnë premtimet që Perëndia u bëri Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëse do të qëndrojnë të drejtë (shihni tek Abraham 2:9–11). Ndërkohë që një person mund të ketë prejardhje nga më shumë se një linjë familjare e shtëpisë së Izraelit, një fis specifik përcaktohet normalisht, duke pohuar se individi ka një lidhje familjare me Abrahamin. Nuk ka rëndësi nëse ky deklarim do të thotë që një person është një pasardhës i mirëfilltë me anë të gjakut ose nëpërmjet birësimit shpirtëror (shihni tek Abraham 2:10). Ky deklarim i linjës së prejardhjes tregon një linjë familjare nëpërmjet së cilës individi mund të trashëgojë bekimet e premtuara ndaj Abrahamit. Gjithashtu i kujton një personi besnik përgjegjësitë shpirtërore që ai ose ajo ka si një pasardhës i Abrahamit (shihni tek Abraham 2:11).

Gjëra për t’i menduar

  • Përse është e rëndësishme që të jeni pjesë e familjes së Abrahamit? Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Një nga arsyet e para pse ne marrim bekimin patriarkal, është që të na ndihmojë të kuptojmë më fort se cilët jemi ne si pasardhës të Abrahamit dhe të njohim përgjegjësinë që qëndron mbi ne”. Çfarë përgjegjësish keni si trashëgimtar i bekimeve që iu premtuan Abrahamit? Çfarë mësoni nga bekimi juaj patriarkal rreth talenteve dhe tipareve tuaja individuale që mund t’ju ndihmojnë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexojeni thënien vijuese me anëtarët e grupit tuaj. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Në kohën tonë, ne kemi privilegjin që të marrim bekime patriarkale dhe të mësojmë për lidhjen tonë me patriarkët e lashtë”. Ju mund t’i pyetni anëtarët e grupit se çfarë do të thotë për ta që të dinë se janë të lidhur si familje me Abrahamin dhe patriarkë të tjerë të lashtë.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Ati Qiellor do t’ju Ndihmojë që të Ndieni Dashurinë e Tij nëpërmjet Bekimit Tuaj Patriarkal

e re duke buzëqeshur

Një bekim patriarkal është shprehje e dashurisë së Atit Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij. Ai është provë se Ai na njeh personalisht. Kur e studioni me lutje bekimin tuaj patriarkal, do të keni ndjesinë se Ati juaj Qiellor është i vetëdijshëm për ju dhe ka një plan hyjnor për lumturinë tuaj. Marrja e një bekimi patriarkal është një dhuratë e çmuar.

Një bekim patriarkal mund të përmbajë paralajmërime, këshilla dhe premtime të pashoqe për ju. Ky bekim i frymëzuar mund të konsiderohet shkrim i shenjtë vetjak për marrësin dhe mund t’ju ndihmojë që të kuptoni potencialin dhe mundësitë tuaja. Ai gjithashtu mund të japë paqe dhe shpresë në kohë vështirësie dhe pasigurie. Dhe ndërkohë që një bekim patriarkal nuk jep hollësi për gjithçka që do të ndodhë në jetën tuaj, ai është një udhëzues i dobishëm për t’ju ndihmuar që të gjeni qëllim dhe të ndieni dashurinë e Perëndisë. Të gjitha bekimet dhe premtimet në bekimet patriarkale janë të kushtëzuara, mbi bazën e besnikërisë sonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21). Ngaqë bekimet patriarkale janë për ekzistencën tuaj të përjetshme, disa prej bekimeve tona të premtuara mund të mos përmbushen deri pas kësaj jete në vdekshmëri.

Gjëra për t’i menduar

  • Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “A e kuptoni rëndësinë e bekimit tuaj patriarkal? … Është i paçmuar. Është shkrim i shenjtë vetjak për ju. Ai shpall linjën tuaj të veçantë të prejardhjes. Ju kujton për lidhjen tuaj me të shkuarën. Dhe do t’ju ndihmojë të kuptoni potencialin tuaj të ardhshëm. Në kuptimin e mirëfilltë, ju mund t’i bëni kërkesë Zotit për plotësimin e atyre bekimeve nëpërmjet besnikërisë suaj.” Si ndiheni kur i merrni parasysh këto mësime?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Kujtojini anëtarët e grupit se nganjëherë mund të jetë e vështirë të dini se si ta interpretoni bekimin tuaj patriarkal. Disa fragmente ose fraza mund të kenë disa kuptime të mundshme. Lexoni këshillën nga Presidenti Dallin H. Ouks: “[Një bekim patriarkal] jepet nën frymëzimin nga Shpirti i Shenjtë dhe duhet të lexohet dhe interpretohet nën ndikimin e po atij Shpirti”. Si mund ta ftoni Shpirtin e Shenjtë teksa lexoni dhe interpretoni bekimin tuaj patriarkal? Si mund të ndryshojë gjatë gjithë jetës suaj kuptueshmëria juaj për fragmente në bekimin tuaj patriarkal?

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Bekimeve Patriarkale

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65.

  2. Boyd K. Packer, “The Stake Patriarch”, Liahona, nëntor 2002, f. 42–45.

  3. Dejvid A. Bednar, “Të Bëhesh Misionar”, Liahona, nëntor 2005, f. 47; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 66.

  4. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 10; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 5.

  5. Russell M. Nelson, “Thanks for the Covenant” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 nëntor 1988), f. 5, speeches.byu.edu.

  6. Dallin H. Oaks, cituar në Richard M. Romney, “Patriarchal Blessings—Insights from Prophets and Patriarchs” (artikull vetëm në formatin elektronik), Liahona, shkurt 2022, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].