Biblioteka
Besëlidhjet dhe Ordinancat


“Besëlidhjet dhe Ordinancat”, Tema dhe Pyetje (2023)

gra përpara tempullit

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Besëlidhjet dhe Ordinancat

Besëlidhjet dhe ordinancat thelbësore na ndihmojnë përgjatë shtegut të ekzaltimit dhe të jetës së përjetshme

Me teknologjinë e sotme ne mund të gjejmë me shpejtësi udhëzime dhe harta të hollësishme që na ndihmojnë të arrijmë kudo ku dëshirojmë të shkojmë. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është harta jonë dhe udhëzimi ynë i hollësishëm për të gjetur domethënie në këtë jetë si edhe jetë të përjetshme në botën që vjen. Kur zgjedhim që të ndjekim Krishtin dhe të jetojmë ungjillin, Perëndia na ofron besëlidhje dhe ordinanca të shenjta për shpëtimin dhe ekzaltimin, të cilat na lidhin me Të dhe na drejtojnë në shtegun që çon drejt jetës së përjetshme.

Çfarë Janë Besëlidhjet dhe Ordinancat?

Ordinancat janë veprime të shenjta, formale ose ceremoni që kryhen nëpërmjet autoritetit të priftërisë. Shpesh ordinancat lidhen me besëlidhje të caktuara, ose premtime të shenjta midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Kur bëjmë besëlidhje dhe marrim ordinanca, ne përparojmë në udhëtimin tonë shpirtëror për t’u kthyer te Perëndia. Ordinancat që janë thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin, përfshijnë pagëzimin, konfirmimin dhe marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë, shugurimin në Priftërinë Melkizedeke për meshkujt, dhurimin në tempull dhe vulosjen në tempull me një bashkëshort/e. Fëmijët që vdesin përpara moshës tetë vjeç, nuk kanë nevojë për ordinanca me qëllim që të shpëtohen në mbretërinë çelestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 137:10).

Vështrim i përgjithshëm i temës: Besëlidhja dhe Ordinancat

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Pagëzimi, Dhurata e Frymës së Shenjtë, Priftëria Melkizedeke, Dhurimi, Vulosja, Bërja si Jezu Krishti, Ordinancat me Mëkëmbës për të Vdekurit

Pjesa 1

Shtegu i Besëlidhjeve do t’Ju Çojë drejt Jetës së Përjetshme

çift përpara tempullit

Nëse e përfytyroni jetën tuaj si një udhëtim për t’u kthyer te Perëndia, bërja e besëlidhjeve dhe marrja e ordinancave është si ndjekja e shtyllave udhëzuese përgjatë shtegut që çon drejt jetës së përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 14:7). Këta janë hapa kyç në përpjekjen tuaj për të ardhur te Jezu Krishti, për ndihmën e të cilit keni nevojë që të përparoni në shteg (shihni te 2 Nefi 9:41). Në Kishë nganjëherë ne i referohemi këtij si “shtegu i besëlidhjeve”, që është një metaforë për të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Të shikuarit e ungjillit si një shteg nxjerr në pah rëndësinë e bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve dhe të marrjes së ordinancave teksa përparojmë drejt jetës së përjetshme me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Qëndrimi në shtegun e besëlidhjeve do t’ju japë siguri, paqe dhe gëzim afatgjatë. Do t’ju japë forcë në kohë të vështira. Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi: “Tani, secilit anëtar të Kishës unë i them, vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.”

Gjëra për t’i menduar

  • Shpëtimtari i ringjallur i ftoi njerëzit që të mblidheshin tek tempulli në Begati për të ardhur tek Ai (shihni tek 3 Nefi 11:14–17). Shikoni materialin filmik “Covenants and Ordinances” [“Besëlidhjet dhe Ordinancat”] (1:37), duke dëgjuar atë që Plaku Dejvid A. Bednar na mëson rreth mënyrës se si besëlidhjet dhe ordinancat na ndihmojnë të vijmë te Jezu Krishti. Çfarë bekimesh u vijnë atyre që i bëjnë me denjësi besëlidhjet me Perëndinë dhe i marrin ordinancat e Tij me denjësi?

  • Profeti Lehi shënoi një ëndërr në të cilën pa një shteg që çonte drejt pemës së jetës. Lexoni te 1 Nefi 8:19–24, 30. Çfarë mund të mësojmë nga ky fragment rreth rëndësisë së të qëndruarit në shtegun e besëlidhjeve? Çfarë përpjekjesh keni bërë në jetën tuaj që të qëndroni në shtegun e besëlidhjeve? Si ju ndihmon pendimi që të rrini të përqendruar në shtegun e Perëndisë?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë, bërësit e besëlidhjeve mund të fitojnë ndihmë hyjnore për t’u bërë mbajtës të besëlidhjeve. Shikoni materialin filmik “Shtegu i Besëlidhjeve” (2:30). Flisni për mënyrat se si t’i mbani besëlidhjet, siç vihen në dukje nga Plaku D. Tod Kristoferson në këtë material filmik. Cilat janë disa nga bekimet e ndjekjes së shtegut të besëlidhjeve?

  • Merreni parasysh t’i bëni anëtarët e grupit tuaj të studiojnë artikullin “Why Ordinances and Covenants Matter” [“Përse Kanë Rëndësi Ordinancat dhe Besëlidhjet”]. Ftoni anëtarë të grupit që të përcaktojnë rolin e rëndësishëm që luan shtëpia e Zotit në përpjekjet tona për ta ndjekur dhe për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Perëndia Ju Fton të Lidheni me Jezu Krishtin nëpërmjet Besëlidhjeve

një djalë i vogël duke mbajtur një fotografi

Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta ju lidh me Zotin Jezu Krisht (shihni te Doktrina e Besëlidhje 35:24). Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Hyrja në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë na lidh me Të në një mënyrë që e bën më të lehtë çdo gjë në lidhje me jetën. Ju lutem, mos më keqkuptoni: Nuk thashë se bërja e besëlidhjeve e bën jetën të lehtë. … Por marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij.”

Gjithçka në ungjillin e Jezu Krishtit është krijuar për t’ju përgatitur që ta ndiqni Atë dhe të bëheni më shumë si Ai. Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Besëlidhjet dhe ordinancat janë blloqe ndërtuese që na mundësojnë ta ndërtojmë jetën mbi ‘shkëmbin e Shëlbuesit Tonë’ [Helamani 5:12] dhe mbi Shlyerjen e Tij”. Kur përpiqeni të duroni deri në fund duke i mbajtur besëlidhjet tuaja, ju do të gëzoni shpëtimin dhe shëlbimin e ofruar nga Jezu Krishti (shihni tek Omni 1:26).

Gjëra për t’i menduar

  • Ndërkohë që ordinancat që marrim janë të ndryshme, të gjitha kanë një gjë të përbashkët – ato na ndihmojnë që të afrohemi më shumë te Jezu Krishti dhe sigurojnë qasje te fuqia e Tij. Disa ordinanca të priftërisë në Kishë na ndihmojnë të afrohemi më shumë te Jezu Krishti, por nuk konsiderohen thelbësore për shpëtimin dhe jetën e përjetshme (të tilla si vënia e emrit dhe bekimi i fëmijëve, përkushtimi i vajit ose përkushtimi i varreve).

    Ordinanca të tjera janë të nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë (pagëzimi, konfirmimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, shugurimi në Priftërinë Melkizedeke për meshkujt, dhurimi në tempull dhe vulosja në tempull me një bashkëshort/e). Si ju ndihmon të mësuarit rreth këtyre ordinancave thelbësore dhe besëlidhjeve që lidhen me to, që të matni përparimin tuaj në shtegun e besëlidhjeve?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Abrahami, profeti i Dhiatës së Vjetër, është shembull i dikujt që ishte besnik në bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë. Shikoni materialin filmik “Elder Nelson Talks about Covenants” [“Plaku Nelson Flet rreth Besëlidhjeve”] (4:45), duke dëgjuar për besëlidhjet që Perëndia ia premtoi Abrahamit. Cilat nga këto bekime të premtuara janë në dispozicion për anëtarët e Kishës sot? Si na ndihmojnë këto bekime të besëlidhjeve që ta kuptojmë më mirë planin plot dashuri të Atit Qiellor për fëmijët e Tij?

Mësoni më shumë