Biblioteka
Dhurata e Frymës së Shenjtë


“Dhurata e Frymës së Shenjtë”, Tema dhe Pyetje (2023)

dritë dielli duke çarë përmes reve

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Të pasurit e një anëtari të Kreut‑Perëndi si një shoqërues të vazhdueshëm

A i keni marrë parasysh ndonjëherë të gjitha mënyrat se si jeni bekuar nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë? Të gjithë fëmijët e Perëndisë mund ta përjetojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë që i udhërrëfen drejt Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Por dhurata e Frymës së Shenjtë rezervohet për ata të cilët, nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe pendimit, bëjnë besëlidhje me Jezu Krishtin nëpërmjet pagëzimit. Kjo dhuratë është premtimi që ju mund të gëzoni shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, një anëtari të Kreut‑Perëndi. Ajo nuk është një dhuratë e rëndomtë, nuk mund të shihet, por fuqia e saj është e pamohueshme kur ju zgjidhni ta merrni atë nëpërmjet të jetuarit të drejtë. Ata të cilët marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë, pastrohen nga mëkati, marrin zbulesë vetjake dhe gëzojnë bekimet e njohura si “dhuratat e Shpirtit”.

Çfarë Është Dhurata e Frymës së Shenjtë?

Ordinanca e priftërisë për konfirmimin vjen pasi një person është pagëzuar me anë të zhytjes në ujë. Ordinanca administrohet me anë të vënies së duarve nga dikush që mban Priftërinë Melkizedeke. Është gjatë kësaj ordinance që jepet dhurata e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është një anëtar i Kreut‑Perëndi dhe mund të jetë një shoqërues i vazhdueshëm për ata që përpiqen fort t’i zbatojnë urdhërimet dhe ta ftojnë Atë në jetën e tyre.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Fryma e Shenjtë

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Fryma e Shenjtë, Besëlidhjet dhe Ordinancat, Zbulesa Vetjake, Dhuratat e Shpirtit

Pjesa 1

“Merrni Frymën e Shenjtë”

grua duke marrë një bekim

Ndërkohë që dikush po konfirmohet një anëtar i Kishës, atij ose asaj i thuhet që të “m[arrë] Frymën e Shenjtë”. Dhurata e Frymës së Shenjtë nuk i jepet askujt me detyrim. Bëhet përgjegjësia e anëtarëve që ta ftojnë Frymën e Shenjtë të jetë me ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:33). Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Kur e marrim këtë ordinancë, secili prej nesh pranon një përgjegjësi të shenjtë e të vazhdueshme për të dëshiruar, kërkuar, punuar dhe jetuar në mënyrë të tillë që ne vërtet ‘ta marrim Frymën e Shenjtë’ dhe dhuratat e tij shpirtërore shoqëruese”.

Jezusi i shpjegoi Nikodemit, një nga krerët e judenjve, se “kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Kështu që përveç pagëzimit me ujë, Zoti dëshiron që ju të jeni të “lindur nga Fryma” (vargu 6). Kjo ndodh kur ju merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe përjetoni një “pagëzim [të] zjarrit dhe [të] Frymës së Shenjtë” (shihni te 2 Nefi 31:13–14). Zjarri është simbolikë e pastrimit. Kjo fuqi pastruese sjell një heqje të mëkateve (shihni te 2 Nefi 31:17; 3 Nefi 12:1–2). Pas pagëzimit, anëtarët e Kishës mund të përjetojnë pagëzimin e zjarrit gradualisht (shihni tek 3 Nefi 9:20) ose më drejtpërdrejt (shihni te Mosia 4:2–3).

Gjëra për t’i menduar

  • Kur Jezu Krishti i ringjallur u dha shërbesë njerëzve në Hemisferën Perëndimore, Ai u dha dymbëdhjetë dishepujve fuqinë për të dhënë Frymën e Shenjtë (shihni tek 3 Nefi 18:36–37). Njerëzve iu dha mësim për këtë dhuratë dhe “ata u lutën për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë” (3 Nefi 19:9). Si do t’i përshkruanit ndjenjat tuaja rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë?

  • Profeti Jozef Smith dha mësim: “Pagëzimi me ujë, pa pagëzimin me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë që e pason atë, është i kotë. Ata janë të lidhur në mënyrë të domosdoshme dhe të pandashme.” Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë domethënien e frazës “pagëzimin me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë”, shikoni “The Baptism of Fire” [“Pagëzimi me Zjarr”] (1:41). Nisur nga komentet e Plakut Dejvid A. Bednar në materialin filmik, si do ta shpjegonit kuptimin e frazës “pagëzimi me zjarr”?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Fryma e Shenjtë Mund të Jetë Shoqëruesi Ynë i Vazhdueshëm

të rinj duke mbajtur skejtborde

Presidenti Henri B. Ajring tha: “Na nevojitet shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë. Ne e dëshirojmë, prapëseprapë e dimë nga përvoja se nuk është e lehtë ta mbajmë atë. Ne të gjithë mendojmë, themi dhe bëjmë gjëra në jetën tonë të përditshme, të cilat mund ta fyejnë Shpirtin. Zoti na mësoi se Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm kur zemrat tona të jenë plot me dashuri hyjnore dhe kur virtyti t’i stolisë mendimet tona pa pushim (shihni te DeB 121:45).” Kur përpiqeni të kultivoni një shoqërim me Frymën e Shenjtë, ju do të keni ndjesi se çfarë gjërash nevojitet të ndryshojnë në jetën tuaj.

Gjëra për t’i menduar

  • Lutjet e sakramentit janë një kujtues i fuqishëm që Fryma e Shenjtë mund të jetë gjithmonë me ne (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Kur përgatiteni me denjësi për sakramentin dhe e merrni atë me denjësi, ju ftoni shoqërimin e Shpirtit. Si është bekuar jeta juaj nga përpjekja që të jeni të denjë për praninë e vazhdueshme të Tij?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Merrni parasysh të lexoni dhe të flisni rreth kësaj thënieje nga Presidenti Gordon B. Hinkli: “Mendoj se Mormoni e dinte shumë mirë nga vetë përvoja e tij të vërtetën e fjalëve të tij se ‘Ngushëllues[i] … mbush me shpresë dhe dashuri të pastër, dashuri kjo që zgjat nga zelli në lutje, derisa fundi do të vijë, kur të gjithë shenjtorët do të banojnë me Perëndinë’ (Moroni 8:26). Edhe pse ne nganjëherë mund të jemi të vetëm ndërkohë që jemi mes njerëzve të botës, nuk nevojitet që të jemi të vetëm, sepse Zoti na ka dhënë Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi ynë për të ecur me ne.” Mund të diskutoni përse profetit Mormoni i nevojiteshin bekimet që ai përshkroi. Kur ju ka dhënë Fryma e Shenjtë paqe dhe ju ka ndihmuar?

Mësoni më shumë

  • 3 Nefi 27:20; Doktrina e Besëlidhje 14:8; 20:77, 79; 121:45–46

  • Dejvid A. Bednar, “Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Liahona, prill 2006, f. 28–31; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 48–52

  • Dallin H. Oaks, “Always Have His Spirit”, Ensign, tetor 1996, f. 59–61

  • Gordon B. Hinckley, “The Gift of the Holy Ghost”, Liahona, janar 2005, f. 5–7

Pjesa 3

Si Mund ta Di Nëse po e Ndiej Frymën e Shenjtë?

burrë duke buzëqeshur

A jeni përpjekur ndonjëherë të komunikoni me dikë që flet një gjuhë që nuk e kuptoni? Mund të jetë po aq zhgënjyese kur dikush thotë se po e ndien Shpirtin, por nuk e dini vetë se si është kur e ndieni Shpirtin. Sidoqoftë nuk ka asgjë për të pasur turp, ngaqë ne të gjithë e ndiejmë Shpirtin në mënyra të ndryshme. Të mësuarit për ta dalluar dhe kuptuar se si komunikon me ju Fryma e Shenjtë, mund të kërkojë kohë dhe përpjekje. Profeti Elia mësoi se Shpirti mund të ngjasojë me një “zë, si një shushuritje e ëmbël” (shihni te 1 Mbretërve 19:11–12). Nganjëherë Fryma e Shenjtë shfaqet nëpërmjet ndjenjave të shpresës dhe gëzimit (shihni te Romakëve 15:13). Fryma e Shenjtë është një mënyrë e rëndësishme për të mësuar të vërtetën (shihni te Gjoni 14:26; Moroni 10:5).

Gjëra për t’i menduar

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri po përkthenin Librin e Mormonit kur mësuan se Fryma e Shenjtë nganjëherë mund të dallohet nëpërmjet një ndjenje “djegieje” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 9:8–9). Merrni parasysh të lexoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:1–2; 11:11–14 dhe të flisni së bashku rreth këtyre mënyrave të përbashkëta se si komunikon me ne Fryma e Shenjtë. Diskutoni se përse është e rëndësishme të mbani mend se një ndjesi djegieje nuk është e vetmja mënyrë se si mund ta ndieni Shpirtin.

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Dhuratës së Frymës së Shenjtë

Shënime

  1. Dejvid A. Bednar, “Merrni Frymën e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2010, f. 95.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 94.

  3. Henri B. Ajring, “Fryma e Shenjtë si Shoqëruesi Juaj”, Liahona, nëntor 2015, f. 104–107.

  4. Gordon B. Hinckley, “Living with Our Convictions”, Ensign, shtator 2001, f. 5.