Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Fryma e Shenjtë
Një lajmëtar dhe dëshmitar i Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit
A mund të mendoni për çaste kur e dinit se Ati Qiellor ishte i vetëdijshëm për ju ose kur ndiet mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit? Ndoshta ju kujtohet një rast kur po e dëgjonit profetin e gjallë dhe e dinit se ajo që po jepte mësim ai, ishte e vërtetë. Ose mund t’ju kujtohet që po lexonit shkrimet e shenjta dhe patët një ndjenjë të fuqishme që ju pushtoi. Ndoshta e keni dalluar një nxitje që ju bëri të shmangni diçka të rrezikshme, ose ndiet paqe apo ngushëllim gjatë një kohe të vështirë. Këto janë të gjitha shfaqje të Frymës së Shenjtë. Perëndia u shtrin dorën fëmijëve të Tij dhe komunikon me ta nëpërmjet ndikimit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ju merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë kur pagëzoheni si anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ati juaj i dashur Qiellor bën të mundur për ju që të gëzoni dashurinë, udhërrëfimin e drejtimin e Tij dhe nganjëherë korrigjimin e Tij, nëpërmjet lajmëtarit të Tij, Frymës së Shenjtë.
Pjesa 1
Fryma e Shenjtë Mund të Bëhet një Bekim i Paçmuar për Ju
Sa më shumë që mësoni rreth Frymës së Shenjtë, aq më shumë do të dëshironi t’i merrni dhe përjetoni shfaqjet e Frymës së Shenjtë. Nefitët tek tempulli në Begati kishin një dëshirë të çiltër që t’u jepej Fryma e Shenjtë (shihni tek 3 Nefi 19:8–9). Ka hapa që mund t’i ndërmerrni për ta shtuar dëshirën tuaj që të ndieni Frymën e Shenjtë ose Shpirtin e Zotit (shihni te 1 Nefi 13:37; 2 Nefi 31:12–13; Moroni 7:31–32; 8:26). Fakti që Fryma e Shenjtë ju dërgohet që t’ju dëshmojë dhe t’ju japë dëshmi për Perëndinë, Atin dhe Jezu Krishtin dhe ju frymëzon që t’i ndiqni Ata, është një bekim i paçmueshëm (shihni te 2 Nefi 31:18).
Gjëra për t’i menduar
-
Ju mund të shqyrtoni disa prej shkrimeve të shenjta që theksojnë disa mënyra se si Fryma e Shenjtë mund t’ju sjellë më pranë Perëndisë. Fryma e Shenjtë:
-
Jep dëshmi për Atin dhe Birin (shihni te Gjoni 15:26; 3 Nefi 11:32, 36).
-
Shenjtëron dhe pastron (shihni tek Alma 13:10–12; 3 Nefi 27:19–20; Moroni 6:4).
-
Zbulon dhe dëshmon për të vërtetën (shihni te 2 Nefi 32:4–5; Alma 5:46–47; Doktrina e Besëlidhje 8:2–3).
-
Ngushëllon (shihni te Gjoni 14:16–17, 26; Moroni 8:26; Doktrina e Besëlidhje 36:2).
-
Miraton dhe vulos si Shpirti i Shenjtë i Premtimit (shihni tek Efesianëve 1:13–14; Doktrina e Besëlidhje 88:3–4; 132:7).
-
-
Presidenti Uillford Udraf dëshmoi: “Nëse e keni Frymën e Shenjtë me [vete] … nuk ka dhuratë më të madhe, nuk ka bekim më të madh, nuk ka dëshmi më të madhe të dhënë ndonjë njeriu në tokë”. Një mënyrë e rëndësishme se si mund të përpiqeni ta ndieni Frymën e Shenjtë në mënyrë më të vazhdueshme, është kur e merrni me denjësi sakramentin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Merreni parasysh të bëni një listë të mënyrave se si Fryma e Shenjtë ka qenë një bekim për ju. Çfarë mund të bëni që të përgatiteni për të përjetuar shfaqje të tjera të Frymës së Shenjtë?
-
A e keni pyetur veten nëse e keni dëgjuar apo jo zërin e Shpirtit? Ju mund t’i lexoni këto fragmente të shkrimeve të shenjta që të shqyrtoni mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund t’ju shfaqet juve: 1 Mbretërve 19:11–12; Lluka 24:30–32; Galatasve 5:22–23; Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3; 11:11–14.
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Jeta e Presidentit Lorenco Snou u ruajt pasi miqtë e tij u udhërrëfyen nga Fryma e Shenjtë. Lexoni historinë që gjendet te Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou dhe diskutoni përse miqtë e tij ishin në gjendje t’i dallonin dhe ndiqnin mbresat nga Fryma e Shenjtë. Kur e keni përjetuar mbrojtjen dhe ndihmën hyjnore që u komunikua nëpërmjet nxitjeve dhe ndjenjave nga Fryma e Shenjtë?
Mësoni më shumë
-
Geri E. Stivenson, “Si Ju Ndihmon Fryma e Shenjtë?”, Liahona, maj 2017, f. 117–120
-
Kevin R. Duncan, “The Sacred Roles of the Holy Ghost”, Ensign, tetor 2014, f. 62–65
Pjesa 2
Fryma e Shenjtë do t’ju Ndihmojë të Dini të Vërtetën për të Gjitha Gjërat
Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij ta mësojnë të vërtetën rreth planit të Tij për lumturinë dhe shpëtimin e tyre. Presidenti Rasëll M. Nelson paralajmëroi se kundërshtari punon “për ta mjegulluar vijën ndërmjet asaj që është e vërtetë dhe asaj që nuk është e vërtetë. Vërshimi i informacionit që është në dispozicion në majë të gishtave, për ironi, e bën gjithnjë e më të vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë.” Perëndia dëshiron që ju ta kuptoni qartësisht të vërtetën dhe mënyrën se si ajo mund t’ju ndihmojë që të gjeni gëzim dhe të përgatiteni për jetën e përjetshme. Fryma e Shenjtë është lajmëtari i Zotit për ta dhënë mësim të vërtetën dhe për të dëshmuar për të vërtetën. Profeti Moroni dha mësim: “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5; theksimi i shtuar).
Gjëra për t’i menduar
-
Një mënyrë se si e mësoni të vërtetën nëpërmjet Shpirtit, është kur profetët dhe apostujt flasin nën ndikimin e Frymës së Shenjtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:3–4). Përse është e rëndësishme t’i dëgjoni dhe t’ua vini veshin mesazheve të dhëna nga profetët dhe apostujt? Zoti gjithashtu premton t’i forcojë fjalët tuaja me Frymën e Shenjtë kur jeni duke bërë punën e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 100:5–8).
-
Në bisedën e tij “E Vërteta e të Gjitha Gjërave”, Plaku Dejvid F. Evans foli për mënyra të rëndësishme se si ju mund ta gjeni të vërtetën vetë. Kur e keni ndjekur këtë model për ta kërkuar të vërtetën nga Fryma e Shenjtë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ju mund të diskutoni se si kanë ndikuar te ju të dëgjuarit ose të lexuarit e mesazheve të konferencës së përgjithshme. Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi se “shërbes[a] e Frymës së Shenjtë” do “t’ju ndihmojë për të dëgjuar atë që Zoti do t’ju vinte të dëgjonit” gjatë konferencës së përgjithshme. Cilat janë disa mënyra se si mund të përgatiteni për të mësuar nga Fryma e Shenjtë ndërsa i dëgjoni ose studioni mesazhet e konferencës së përgjithshme?
Mësoni më shumë
-
Matias Held, “Kërkimi i Njohurisë nëpërmjet Shpirtit”, Liahona, maj 2019, f. 31–33