Kapitulli 4
Të Forcuar nga Fuqia e Frymës së Shenjtë
“Vendosni që të jetoni përulësisht dhe në mënyrë të tillë që gjithmonë ta keni Shpirtin e Zotit si një mik tuajin.”
Nga Jeta e Lorenco Snout
Në bisedën e tij të parë në konferencë të përgjithshme si President i Kishës, Lorenco Snou na mësoi: “Ne mbështetemi te Shpirti i Zotit që të na ndihmojë dhe të na shfaqë herë pas here atë që është e nevojshme që ta përmbushim në rrethana të pazakonta, të cilat mund të na rrethojnë”1. Presidenti Snou mund të mos kishte qenë gjallë që ta bënte atë deklaratë nëse dy nga miqtë e tij nuk do të ishin mbështetur në Shpirtin e Zotit në një rrethanë të pazakontë 34 vite më përpara.
Në 1864-ën, Pleqtë Lorenco Snou dhe Ezra T. Benson, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkuan në një mision në Ishujt Havai. Ata shoqëroheshin nga tre misionarë të tjerë: Pleqtë Jozef F. Smith, Uilliam Klaf dhe Alma L. Smith. Kur anija e tyre u ankorua në brigjet e ishullit Maui, të gjithë përveç Jozef F. Smithit hipën në një barkë më të vogël për të shkuar në breg. Ndërsa ata po i afroheshin ishullit, valë të larta i goditën, duke bërë që timonieri të humbiste kontrollin e barkës. Barka u përmbys dhe të gjithë që ishin brenda u flakën në ujë. Shpejt çdonjëri doli në sipërfaqe përveç Plakut Snou. Një grup banorësh të ishullit u sulën për ta ndihmuar, duke marrë Uilliam Klafin dhe Alma L. Smithin në një barkë shpëtimi për të kërkuar mikun e tyre. Plaku Klaf tregoi:
“Gjëja e parë që pashë nga Vëllai Snou ishin flokët e tij që pluskonin mbi ujë rreth njërit skaj të barkës së përmbysur. Sapo e futëm në barkën tonë, ne i thamë varkëtarit të voziste për në breg me gjithë shpejtësinë e mundshme. Trupi i tij ishte i tendosur dhe jeta me sa dukej e shuar.
Vëllai A. L. Smith dhe unë qemë ulur përbri njëri-tjetrit. Ne e shtrimë Vëllain Snou mbi prehrin tonë dhe, gjatë rrugës për në breg, i dhamë ndihmë me shpejtësi dhe i kërkuam Zotit t’ia kursente jetën, që të mund të kthehej në familjen dhe shtëpinë e tij.
Kur mbërritëm në breg, e mbartëm atë për një copë rrugë te disa fuçi të mëdha që shtriheshin në plazhin me rërë. Ne e vendosëm atë me fytyrë poshtë në një nga fuçitë dhe e rrokullisëm prapa e para derisa ia dolëm t’ia nxirrnim ujin që pati gëlltitur. …
Pasi punuam për ta shpëtuar për një farë kohe, pa ndonjë shenjë kthimi në jetë, njerëzit që rrinin pranë, thanë se nuk mund të bëhej asgjë më shumë për të. Por ne nuk ndienim që të hiqnim dorë prej tij, dhe përsëri luteshim dhe punonim me të, me një siguri që Zoti do t’i dëgjonte dhe do t’u përgjigjej lutjeve tona.
Më në fund neve na erdhi në mendje që të vendosnim gojën tonë mbi të tijën dhe të bënim një përpjekje të frynim mushkëritë e tij, duke fryrë e duke nxjerrë me radhë ajrin, duke imituar, me sa mundeshim, procesin natyror të frymëmarrjes. Këtë ne e vazhduam derisa ia dolëm të frynim mushkëritë e tij. Pas pak, ne pamë një shenjë të zbehtë kthimi në jetë. Një lëvizje e lehtë e syve që, deri atëherë, qenë të hapur dhe si prej të vdekuri, si dhe një zhurmë e lehtë në grykë, qenë simptomat e para të jetës që rikthehej. Këto u bënë gjithnjë dhe më të dallueshme, gjersa ndërgjegjja u rikthye plotësisht.”
Duke rikujtuar këtë përvojë, Plaku Uilliam Klaf e dinte përse ai dhe Plaku Alma L. Smith qenë në gjendje të shpëtonin jetën e Plakut Snou. “Ne nuk bëmë vetëm atë që është e zakonshme në raste të tilla”, tha ai, “por gjithashtu atë që Shpirti dukej se na pëshpëriste.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 82.]
Mësime të Lorenco Snout
Nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë ne drejtohemi tek e gjithë e vërteta dhe forcohemi në besimin tonë.
[Ka] një bekim të caktuar që lidhet vetëm me bindjen ndaj ungjillit, që [është] dhurata e Frymës së Shenjtë. … Shpëtimtari, që padyshim dinte gjithçka rreth natyrës dhe karakterit të kësaj dhurate, tha se ajo do t’i drejtojë ata që e marrin, te çdo e vërtetë dhe do t’u kumtojë gjërat që do vijnë [shih Gjoni 16:13]. Dhurata e Frymës së Shenjtë duhet të jetë më e madhe se ai shpirt që buron nga Perëndia, duke mbushur pafundësinë e hapësirës dhe duke i dhënë dritë çdo njeriu që vjen në botë [shih DeB 84:46]; dhurata e Frymës së Shenjtë duhet të drejtojë te çdo e vërtetë dhe t’u tregojë atyre gjërat që do të vijnë.
Gjithashtu, duke folur për ndikimet e tij, Apostulli [Pal] thotë: “Fryma i jepet çdo njeriu që të përfitojë prej tij. Njërit i jepet besim.” [Shih 1 Korintasve 12:7, 9.] Jo një besim i zakonshëm, i rëndomtë, që disa njerëz e pretendojnë në ditët tona; por një besim që i aftëson ata që e kanë këtë besim të fortë, të jenë të prerë e të copëtuar, të flakur në gropën e luanëve, në furra zjarri dhe t’u nënshtrohen torturave të çdo lloji. Ky ishte lloji i besimit që Fryma e Shenjtë u dha atyre që e zotëronin, duke e aftësuar atë që e mbante që të qëndronte në mes të çdo vështirësie, të sfidonte çdo vështirësi dhe të jepte jetën, nëse ishte e nevojshme, për kauzën që mbështeste. Ka një fuqi frymëzuese e të gjithëfuqishme në këtë besim, dhënë nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që asnjë parim tjetër nuk mund ta përcjellë. Njërit i qe dhënë besim, një tjetri njohuri [shih 1 Korintasve 12:8], jo ajo që fitohet thjesht duke lexuar libra, por njohuri nga i Plotfuqishmi. Një parim vetëfrymëzues ishte tek ata, që ishte i prekshëm, që u jepte atyre njohuri për kauzën që patën përqafuar. Ata e dinin, nëpërmjet zbulesës nga Perëndia, se kauza së cilës i bindeshin, ishte e vërtetë, ajo u ishte zbuluar atyre në një mënyrë që nuk mund të vihej në dyshim, dhe ata e dinin vetë. Ata pastaj u vendosën … mbi shkëmbin e zbulesës.3
Pjetri duke u predikuar njerëzve tha: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.” [Veprat e Apostujve 2:38–39.] Kjo dhuratë e Frymës së Shenjtë është një parim i ndryshëm nga çdo gjë që ne shohim të shfaqet në botën sektare. Ai është një parim mençurie dhe zbulese. Ai është një parim që zbulon gjërat e kaluara, të tashme dhe që do të vijnë, dhe këto dhurata të Frymës së Shenjtë duhet të merreshin nëpërmjet bindjes ndaj kërkesave të ungjillit, siç shpallej në kohën e Pjetrit dhe siç shpallet nga Pleqtë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këto ditë. Ishte mbi këtë shkëmb ku besimi i tyre duhet të bazohet; nga ky burim ata duhet të marrin njohuri për doktrinën që kanë përqafuar, dhe neve na është thënë nga Shpëtimtari “se portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi ata”. [Shih 3 Nefi 11:39.] …
… Themeli mbi të cilin Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është ndërtuar është shkëmbi i zbulesës – shkëmbi mbi të cilin Jezusi tha se do të ndërtonte kishën e Tij, dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi të [shih Mateu 16:17–18]. Ne nuk e kemi marrë këtë njohuri nëpërmjet mishit dhe gjakut, ne nuk e kemi marrë këtë dëshmi nga njeriu, ne nuk e kemi marrë atë nëpërmjet leximit të Biblës … apo të Libri të Mormonit, por ne e kemi marrë atë nëpërmjet frymëzimit nga Fryma e Shenjtë, që na mëson gjërat e Perëndisë, gjëra të së kaluarës, të së tashmes e të së ardhmes dhe që jep mësim për gjërat e Perëndisë, duke i bërë ato të shfaqen qartë për ne. Ju nuk mund ta hiqni këtë njohuri prej nesh duke na burgosur apo me ndonjë lloj tjetër përndjekjeje. Ne do të qëndrojmë me të deri në vdekje.4 [Shih sugjerimin 2 në faqen 82.]
Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme e ka Frymën e Shenjtë si një mik që i jep këshillë.
Ka një mënyrë me anë të së cilës njerëzit mund ta mbajnë ndërgjegjen e tyre të pastër përpara Perëndisë e njeriut, dhe ajo është që të ruajnë brenda tyre Shpirtin e Perëndisë, që është shpirti i zbulesës te çdo burrë dhe grua. Fryma e Shenjtë do t’u zbulojë njerëzve, edhe në gjërat më të thjeshta, çfarë duhet të bëjnë, duke bërë sugjerime për ta. Ne duhet të përpiqemi të mësojmë natyrën e këtij Shpirti, që ne të mund të kuptojmë sugjerimet e tij dhe pastaj ne do të jemi gjithmonë në gjendje të veprojmë drejt. Ky është privilegji i madh i çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme. Ne e dimë se është e drejta jonë të kemi shfaqje të Shpirtit në çdo ditë të jetës sonë.
Njerëz vijnë tek unë shumë të ethshëm për këshillë mbi një çështje apo një tjetër. Ata nuk kanë nevojë të vijnë gjithmonë tek unë (në disa rrethana, sigurisht, do të ishte shumë e nevojshme), sepse Shpirti është brenda tyre për të bërë mirë dhe për të plotësuar synimet e Perëndisë. … Nuk është gjithmonë e nevojshme për ta që të vijnë te Presidenti i Kishës ose te Të Dymbëdhjetët, apo te Pleqtë e Izraelit, për t’u këshilluar; ata vetë mund të arrijnë çka u nevojitet; ka një mik që di saktësisht çfarë t’u thotë atyre. Që nga koha që marrim Ungjillin, zhytemi në ujërat e pagëzimit dhe na vendosen duart më pas për dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne kemi një mik, nëse nuk e largojmë nga vetja duke vepruar gabim. Ai mik është Shpirti i Shenjtë, Fryma e Shenjtë, që merr pjesë në gjërat e Perëndisë dhe na i shfaq neve. Ky është një mjet i madh që Zoti ka siguruar për ne, që të mund të njohim dritën dhe të mos zvarritemi vazhdimisht në errësirë.5 [Shih sugjerimin 5 në faqen 83.]
Fryma e Shenjtë mund të na sjellë lumturi dhe paqe të mendjes.
Zoti ka vendosur disa dëshira dhe ndjesi natyrore në gjirin tonë dhe kështu është me të gjithë njerëzimin, me të gjithë familjen njerëzore. Ka të rrënjosura dhe të ndërthurura në qenien e tyre disa dëshira dhe aftësi për gëzim, dëshira për disa gjëra në natyrën e tyre që janë përllogaritur të nxisin paqen dhe mirëqenien tonë, që u përgjigjen ndjenjave të tyre dhe nxisin lumturinë e tyre; por mënyrën se si arrihet kënaqësia e atyre aftësive e dëshirave, bota nuk e njeh dhe as e kupton; por Zoti e ka parë të përshtatshme të na vendosë në pozitën dhe në shtegun e të kuptuarit të atyre gjërave nëpërmjet të qenit besnik dhe të ecurit në dritën e Shpirtit të Shenjtë dhe të marrjes të së vërtetës.6
Është privilegji i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që të jetojnë në Ungjill në një mënyrë të tillë që do të ndihen të miratuar nga Perëndia. Sigurisht, ne bëjmë ndonjëherë gjëra për të cilat na vjen turp kur i mendojmë, por ne pendohemi për to në zemrën tonë dhe vendosim të mos i bëjmë përsëri. Ajo është e gjitha që Zoti kërkon prej nesh; dhe burrat e gratë që jetojnë kështu, jetojnë pa ndëshkim. Ata kanë drejtësi dhe gëzim në Frymën e Shenjtë.7
Nëse mbajmë dritën e Shpirtit brenda nesh, ne mund të ecim në ungjill në mënyrë të tillë që të mund të gëzojmë dukshëm paqe dhe lumturi në këtë botë; dhe ndërsa ecim përpara, duke u përpjekur për paqe dhe lumturi që gjenden në rrugën tonë, me kohë, ne do të kemi paqe të mendjes që nuk mund ta gëzojnë veçse ata që janë të mbushur me Shpirtin e Shenjtë.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 82.]
Ne kemi nevojë për ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa durojmë sprova, përmbushim detyrat tona dhe përgatitemi për lavdinë çelestiale.
Ka shumë gjëra të rëndësishme që kërkohen nga ne dhe shumë gjëra që ne mund t’i bëjmë, kur ndihmohemi nga Shpirti i Zotit, të cilat ndonjëherë mund të duken thuajse të pamundura për t’i kryer.9
Unë dëshiroj t’ju kujtoj vëllezër dhe motra të mia … që ne mbështetemi për informacionin dhe zgjuarsinë tonë te Shpirti i Perëndisë që, nëse është kultivuar siç duhet, mund të jetë në ne një shpirt frymëzimi, zbulese, për të bërë të shfaqet qartë në kuptimin tonë mendja dhe vullneti i Perëndisë, që na mëson detyrat e detyrimet tona dhe atë çka kërkohet prej nesh. … Ne kemi nevojë për ndihmë. Ne rrezikojmë të bëjmë atë që do të na çojë në shqetësim dhe në errësirë, dhe ato gjëra që nuk priren për të mirën tonë, por me ndihmën e atij ngushëlluesi që Zoti u ka premtuar shenjtorëve të tij, nëse jemi të kujdesshëm të mbajmë vesh pëshpëritjet e tij dhe të kuptojmë natyrën e gjuhës së tij, ne mund të shmangim shumë shqetësim dhe vështirësi serioze.10
Ne mbështetemi tërësisht në shpirtin e frymëzimit dhe unë nuk e di nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë kohë që nga koha kur Adami ishte në Kopshtin e Edenit, kur Shpirti i Perëndisë ishte më i nevojshëm se koha e tanishme. Shenjat e kohëve dhe qasja e shpejtë e ngjarjeve që do të sprovojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe ndershmërinë e tyre, kërkojnë që ne tani të kërkojmë me zell Shpirtin e Perëndisë dhe ndihmë Hyjnore, sepse me siguri do të nevojitet në ngjarjet që afrohen me shpejtësi tani. Ne e dimë se kemi pasur nevojë për të në të kaluarën. Ne mund të shohim lehtësisht se po të mos kishim pasur Shpirtin e Perëndisë që të na drejtonte nëpër shumë nga ngjarjet nëpër të cilat kemi kaluar, ne nuk do t’i gëzonim shpresat e tanishme për ekzaltim e lavdi, dhe rrethanat tona do të ishin shumë më pak të favorshme. Dhe nëse kemi pasur nevojë për Shpirtin e Shenjtë në të kaluarën, ne mund të kuptojmë vërtet se ai do të nevojitet në të ardhmen.11
Ne duhet të kuptojmë – dhe unë them se ne e kuptojmë përgjithësisht – se puna të cilën po bëjmë në këtë jetë nuk mund të bëhet për lavdinë e Perëndisë apo kënaqjen e vetes tonë thjesht me anë të vetë zgjuarsisë sonë natyrore. Ne mbështetemi vetëm te Shpirti i Zotit që të na ndihmojë dhe të na shfaqë herë pas here atë që është e nevojshme që ne ta përmbushim në rrethana të pazakonta, të cilat mund të na rrethojnë.12
Do të ishte vërtet thjesht marrëzi të presësh që shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në këto ditë, të pajtoheshin me ligjin çelestial, me ligjin që vjen nga Perëndia dhe me planet e tij për t’i lartësuar njerëzit në praninë e tij, pa u mbështetur ata nga një fuqi e mbinatyrshme [qiellore]. Ungjilli e premton këtë. Ungjilli premton dhuratën e Frymës së Shenjtë, që është hyjnore në natyrën e saj, dhe të cilën nuk e gëzon ndonjë kategori tjetër njerëzish, dhe që, siç na është thënë nga Shpëtimtari, do t’u prijë në çdo të vërtetë dhe t’i frymëzojë ata që e kanë dhe t’u japë një njohuri për Jezusin, një njohuri për Atin dhe për gjërat që kanë lidhje me botën çelestiale; që duhet t’i frymëzojë ata, që e kanë, me një njohuri të gjërave që do të vijnë dhe gjërat që ishin në të kaluarën; dhe t’i frymëzojë ata në një masë që duhet të gëzojnë dhurata mbinatyrore – dhuratën e gjuhëve dhe të profecisë, të vendosin duart mbi të sëmurët me anë të së cilës ata duhet të shërohen.
Atyre që e morën këtë ungjill, u ishin premtuar këto fuqi e dhurata mbinatyrore dhe një njohuri për veten, që ata të mund të mos mbështeteshin te ndonjë njeri apo grup njerëzish në lidhje me të vërtetën e besimit që ata kishin pranuar; por që ata do të merrnin njohuri nga Ati se besimi erdhi prej tij, se ungjilli erdhi prej tij dhe se shërbëtori i tij kishte të drejtën dhe autoritetin t’i administronte ato ordinanca, në mënyrë që asnjë erë doktrineje të mos i lëkundte ata apo t’i largonte nga shtegu në të cilin po ecnin; në mënyrë që ata të mund të ishin të përgatitur për lavdinë që do të zbulohej, dhe të bëheshin pjesëmarrës të saj; në mënyrë që të mund të duronin çdo sprovë apo pikëllim që do të ishte vullneti i Perëndisë që t’u sillej atyre, për t’i përgatitur ata më plotësisht për lavdinë çelestiale; në mënyrë që ata të mos ecnin në errësirë, por në dritën dhe fuqinë e Perëndisë dhe të ngriheshin mbi gjërat e botës, dhe të ishin eprorë ndaj gjërave përreth tyre, në mënyrë që ata të mund të ecnin të pavarur nën botën çelestiale dhe në dritën e Perëndisë e të qiellit, si njerëz të lirë, duke ndjekur atë drejtim që do të shënohej për ta me anë të Frymës së Shenjtë, atë drejtim me anë të të cilit ata mund ta lartësonin veten për njohurinë e fuqinë dhe kështu ta përgatisnin veten për të marrë lavdinë që Perëndia propozoi t’ua jepte atyre, dhe për të zënë vendin e ekzaltuar tek i cili Perëndia paracaktoi për t’i ngritur ata.13
Ne duhet të jetojmë në mënyrë të tillë që të dimë se drejtimi ynë në jetë është i pranueshëm për Perëndinë. Ne duhet të kuptojmë zërin dhe pëshpëritjet e Shpirtit të Shenjtë. Në ditën kur qielli nuk është errësuar nga retë, ne zbulojmë objektet përreth, bukurinë dhe qëllimin e tyre. Kështu ne bazohemi në Shpirtin e Perëndisë për dritë mbi parimet e së vërtetës dhe të shpëtimit. Asnjë i shpallur shenjtor i ditëve të mëvonshme nuk mund të gëzojë ndonjë masë të madhe lumturie përveçse duke jetuar kështu dhe kështu e vendos veten nën drejtim hyjnor.14 [Shih sugjerimin 4 në faqen 83.]
Kur ne jetojmë me përulësi, Fryma e Shenjtë na ndihmon në shtegun tonë përpara.
Vendosni që të jetoni përulësisht dhe në mënyrë të tillë që gjithmonë ta keni Shpirtin e Zotit si një mik tuajin, që t’ju bëjë sugjerime herë pas here si të nevojitet në rrethanat e pazakonta në të cilat mund të gjendeni. …
… Se sa gjatë mund të jetoj, unë nuk e di, dhe nuk shqetësohem për këtë. Unë vërtet dua, dhe kjo është diçka që ju duhet ta dëshironi, të kem atë përulësi dhe atë butësi, dhe atë thjeshtësi që të kem shpirtin e zbulesës. Është privilegji juaj, i secilit prej jush, të keni mjaft nga shpirti i zbulesës për të ditur saktësisht se çfarë është e përshtatshme që të bëni. Është privilegji juaj ta keni atë po aq sa është privilegji im të di se çfarë të bëj nesër, kur e nesërmja vjen, në interesin më të mirë të Kishës në përgjithësi.15
Ne duhet të përpiqemi, aq sa është e mundur, të harrojmë të gjitha gjërat e botës që na brengosin e zemërojnë, dhe ta përqendrojmë mendjen te Zoti, duke pasur mjaftueshëm nga Shpirti i Tij i Shenjtë që të mund të jemi në gjendje të marrim një njohuri dhe sugjerime të tilla, që do të na ndihmojnë në shtegun që kemi përpara.16 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.
Ndërsa rishikoni rrëfimin në faqet 73–75, mendoni rreth rasteve kur jeni bekuar sepse dikush tjetër ka ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë. Gjithashtu mendoni rreth rasteve kur ju keni ndjekur një nxitje për të ndihmuar dikë tjetër.
Lexoni pjesën që fillon në faqen 75. Çfarë mendoni ju se do të thotë të jesh “[vendosur] … mbi shkëmbin e zbulesës”? (Për disa shembuj, shih faqet 75–77.) Si mundet që zbulesa vetjake të na japë forcë për “të qëndr[uar] në mes të çdo vështirësie” dhe për “të sfid[uar] çdo vështirësi”?
Presidenti Snou tha se Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë “të gëzojmë … paqe dhe lumturi në këtë botë” (faqe 79). Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë të jeni të lumtur e të ndieni paqe? Cilat janë disa mënyra të tjera se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë? (Për disa shembuj, shih faqet 78–82.)
Ndërsa studioni pjesën që fillon në faqen 79, mendoni se si keni mësuar të njihni nxitjet nga Fryma e Shenjtë. Si mund ta ndihmoni një anëtar të familjes apo mik të njohë nxitjet e Shpirtit?
Ky kapitull përfshin dy referenca për Frymën e Shenjtë si një mik (faqet 78 dhe 81). Pse mendoni se ne kemi nevojë për përulësi dhe thjeshtësi për ta pasur Frymën e Shenjtë si mikun tonë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Lluka 12:12; Gjoni 14:26–27; Romakëve 14:17; 1 Korintasve 12:4–11; Galatasve 5:22–25; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 32:5