Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19: Puna Misionare: ‘Të Arrijmë Çdo Zemër Njerëzore’


Kapitulli 19

Puna Misionare: “Të Arrijmë Çdo Zemër Njerëzore”

“Ka një mënyrë për të arritur çdo zemër njerëzore dhe është puna juaj që të gjeni udhën për te zemrat e atyre te të cilët jeni thirrur.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Lorenco Snou u pagëzua në Kirtland të Ohajos, ku studioi hebraisht në një klasë me Profetin Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës. Ai shpresonte që një ditë të ndiqte “arsimin mbi autorët klasikë, veçanërisht në greqishten e vjetër dhe në latinisht” në një kolegj në lindje të Shteteve të Bashkuara.1 Por ndërsa po punonte drejt këtij synimi, filloi të ndiente një tërheqje drejt një qëllimi tjetër. Më vonë ai kujton:

“Unë i mora [të vërtetat e ungjillit] me një zemër të hapur dhe isha i vendosur të mos ndalesha me kaq. … Fillova të isha pak i shqetësuar me veten nëse, pas marrjes së kësaj njohurie të mrekullueshme, do të ishte e përshtatshme për mua që të qëndroja pa dëshmuar rreth saj. Të rinjtë që ishin dërguar në misione, po ktheheshin dhe po dëshmonin për bekimet që u ishin dhënë … , dhe unë fillova të mendoj se, në vend që të përgatitesha për një kolegj apo universitet lindor, duhet të filloja dhe të ndaja dëshminë për njohuritë aq të plota që Zoti më kishte dhënë. Në të njëjtën kohë nuk doja të hiqja dorë nga shpresat për një arsimim, sepse po planifikoja për të prej një kohe të gjatë dhe për më tepër unë i kisha mundësinë dhe të hollat që ta plotësoja.”

Duke luftuar me ndjenjat e tij, ai i kërkoi këshillë një miku të besuar: “Unë i thashë atij se çfarë doja dhe ai tha: ‘Vëlla Snou, unë nuk do t’i jepja askujt tjetër një këshillë të tillë siç e ndiej se duhet të ta jap ty, në këto rrethana. Po të isha në vendin tënd, unë do të vazhdoja me qëllimet e mia dhe do të arsimohesha.’ Kjo ishte saktësisht gjëja që doja të më thoshte, dhe kjo më kënaqi. Unë isha i kënaqur për një kohë; por në stinën e dimrit, duke dëgjuar këta Pleq të rinj që dëshmonin për suksesin e tyre në predikimin e Ungjillit, fillova të mendoj edhe më shumë rreth tij. Zoti më kishte dhënë njohuri se Ai po vinte në tokë, dhe se kishte një përgatitje të nevojshme për t’u bërë: Ai më kishte dhënë të gjitha çka i kisha kërkuar, edhe më shumë; pasi pagëzimi që mora nga Fryma e Shenjtë dhe njohuria e përsosur, që m’u dha më pas, ishte më e vërtetë dhe bindëse sesa pagëzimi; dhe unë ndieva se ishte një përgjegjësi që qëndronte mbi mua. Kështu, i mbylla librat [dhe] i lashë mënjanë studimet e mia për latinisht dhe greqisht.2

Pasi mori këtë vendim, Lorenco Snou shërbeu në një mision në shtetin e Ohajos në 1837-ën. Ai shërbeu më vonë në misione të tjera – fillimisht në shtetet e Misurit, Ilinoisit, Kentakit e të Ohajos dhe pastaj në Angli, Itali, Ishujt Havai, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara dhe në shtetin e Uajomingut. Ndërsa ishte në Angli, ai i shkroi një letër emtës së tij, duke i shpjeguar përse qe i gatshëm të largohej nga shtëpia dhe të shërbente si misionar: “Mendimi që jam midis 6400 dhe 8000 kilometrave larg nga shtëpia e fëmijërisë dhe nga të gjithë miqtë e mi të hershëm e të dashur, shumë natyrshëm shtron pyetjen: Përse jam këtu? … Unë jam këtu sepse Perëndia ka folur dhe ka ngritur një Profet, me anë të të cilit ka rivendosur plotësinë e Ungjillit të përjetshëm, me të gjitha dhuratat, fuqitë, ordinancat dhe bekimet e tij; me një thirrje drejtuar të gjithë popujve, ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiellit është afër.’ Nën drejtimin dhe kujdesin hyjnor të Perëndisë, unë jam thirrur si një ambasador për të çuar këtë mesazh te kombet e tokës, që e kuptoj se më jep një përgjegjësi të madhe të cilën nuk mund ta kryej pa ndihmën e të Plotfuqishmit.”3

Presidenti Snou qe gjithmonë mirënjohës për vendimin që mori për t’i shërbyer Zotit si një misionar. Në shtator të 1901-shit, në moshën 87-vjeçare, ai tha: “Unë gëzohem edhe tani duke menduar rreth ditëve të punëve të mia misionare. Ndjenjat e prodhuara nga këto përvoja të pazakonta janë bërë pjesë e rëndësishme e vetë qenies sime.”4 [Shih sugjerimin 1 në faqen 242.]

Mësime të Lorenco Snout

Meqenëse kemi marrë plotësinë e ungjillit, duam t’i ndihmojmë të tjerët të gëzojnë të njëjtat bekime.

Kur një njeri merr njohuri, ai nxitet ta ndajë atë me të tjerët; kur një njeri bëhet i lumtur, shpirti që e rrethon atë, e mëson të përpiqet t’i bëjë të tjerët të lumtur. … A ka ndonjë rast të një njeriu që të bëhet i lumtur pa njohuri rreth ungjillit të Krishtit? … Edhe pse në botë [njerëzit] përpiqen të lumturojnë vetveten, përsëri ata nuk janë të suksesshëm në atë që përpiqen të realizojnë. Ata nuk mund të jenë të lumtur, veçse në një mënyrë, dhe ajo është duke përqafuar plotësinë e ungjillit, i cili na jep mësim që të mos presim gjersa të futemi në përjetësi përpara se të fillojmë ta bëjmë veten të lumtur, por na mëson të përpiqemi këtu që ta bëjmë veten dhe ata përreth nesh të gëzohen në bekimet e të Plotfuqishmit.

Atëherë, ky duhet të jetë qëllimi dhe shtysa jonë: të mësojmë ta bëjmë veten të dobishëm; të jemi shpëtimtarë të bashkëqenieve tona; të mësojmë si t’i shpëtojmë ata; t’u komunikojmë atyre një njohuri të parimeve që janë të nevojshme për t’i ngritur në të njëjtin nivel inteligjence që kemi ne.5

Shkoni dhe bëni miq midis individëve që keni përreth; ose zgjidhni një dhe përpiquni të frymëzoni ndjenjat e tij, besimin e tij, gjendjen e mendjen e tij, dhe përpiquni t’i ndriçoni ata dhe nëse janë mëkatarë, përpiquni t’i shpëtoni nga mëkatet e tyre dhe nxirrini nga robëria në të cilën janë vendosur, që të gëzojnë dritën dhe lirinë ku ju gëzoni, sepse në këtë mënyrë mund të bëni mirë nëpërmjet informacionit që Zoti ju ka dhënë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 242.]

Misionarët janë të gatshëm të bëjnë sakrifica për të ndihmuar të tjerët të arrijnë në njohurinë e së vërtetës.

Pa u stabilizuar ende mirë shenjtorët në këto lugina [në Juta], shërbëtorët e Zotit e drejtuan vëmendjen e tyre përsëri te puna e madhe misionare që ishte detyrë e Kishës.

Ne ishim në mes të varfërisë dhe duke u përpjekur ta bënim vendin të banueshëm, por nuk mund të shpërfillnim detyrimin që kishim për të përhapur Ungjillin jashtë vendit; sepse Zoti kishte dhënë urdhrin që ai duhej të predikohej në të gjithë botën. Është një nga faktet e shenjtërisë së kësaj pune që, mes gjithë përndjekjeve dhe persekutimeve të tyre, shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë përpjekur besnikërisht ta zbatojnë këtë urdhër të Zotit.

Në një konferencë të përgjithshme të Kishës mbajtur në tetor të 1849-ës – vetëm dy vjet pasi pionierët hyjnë në luginën [e Solt-Lejkut] – një numër Pleqsh u thirrën që të fillonin misione në pjesë të ndryshme të tokës. Katër nga Dymbëdhjetë Apostujt u caktuan të hapnin punën misionare. Apostulli Erastus Snou u thirr të shkonte në Skandinavi, Apostulli Xhon Tejlor në Francë, unë vetë në Itali dhe Apostulli Frenklin D. Riçards në Angli, ku ishte krijuar një mision tashmë. Në kushtet e varfra në të cilat gjendeshim atëherë, me familjet tona thuajse pa të holla, kjo ishte një detyrë e vështirë për ne; por Zoti pati thirrur, dhe ne ndiem se duhej të përgjigjeshim, pavarësisht nga sakrifica që kërkonte kjo.7

Ne ia kushtojmë kaq shumë jetën tonë punës, saqë duket sikur nuk kujdesemi për vetë jetën tonë, me qëllim që bota të mund të kuptojë se ka një Perëndi në botët e përjetshme; me qëllim që të mund të kuptojnë se Perëndia ka diçka për të bërë në kohën e tanishme me punët e fëmijëve të njerëzve. Bota ka një opinion në rritje se të qenët i pafe nuk është e gabuar. Edhe midis pjesëve të krishtera të familjes njerëzore, mijëra e dhjetëra mijëra nuk besojnë se Perëndia ka ndonjë lidhje me fëmijët e njerëzve, edhe pse nuk janë të gatshëm ta pranojnë ngaqë është jopopullore. Ne duhet të ecim përpara dhe të bëjmë sakrifica me qëllim që ai besim e njohuri të mund të vijnë te fëmijët e njerëzve.8

Kur ne thërrasim misionarët e rinj të shkojnë në kombet e tokës, ata mendojnë dhe meditojnë rreth idesë dhe, duke pas dëgjuar përvojën e atyre që kanë qenë në botë si misionarë, nuk është një ide shumë e pëlqyeshme për njerëzit që të mendojnë rreth provave dhe vështirësive përmes së cilave do t’u duhet të kalojnë. Por virtyti gjendet te gatishmëria e tyre për të filluar dhe për t’u bindur e ndjekur kërkesat.9

Ka gjëra rreth misionit që nuk janë tërësisht të këndshme për Pleqtë tanë të rinj. Ata e kuptojnë se duhet të sakrifikojnë kënaqësitë e shtëpisë, dhe e kuptojnë se po shkojnë midis njerëzish që jo gjithmonë do të jenë mirënjohës për ato që misionarët duhet t’u thonë; ndonjëherë, nga ana tjetër, ata ndiejnë se kanë në zotërim potencialin për jetën e përjetshme dhe se nëse mund të gjejnë një burrë apo grua të ndershme, Shpirti i Zotit do të veprojë te zemrat e tyre dhe ata ndoshta do ta marrin këtë mesazh të lavdishëm që misionarët duhet ta përhapin. Kjo u jep atyre kënaqësi dhe plotësim. Një gjë tjetër, ata shohin në këtë përvojë një shans për vete që të sigurojnë atë që do të jetë me vlerë të madhe për ta në detyrat e tyre të ardhshme. Është e çuditshme që midis mijëra letrave që kam marrë nga ata që janë thirrur të shkojnë në misione – kryesisht të rinj – unë mund të mendoj vetëm për një rast kur pati mospranim. Pse ndodh kjo? Është për shkak se ndjenja e dashurisë dhe e pavdekësisë, Shpirti i të Plotfuqishmit, është mbi këta Pleq të rinj, dhe ata kanë marrë zbulesa që i frymëzojnë të bëjnë atë që ndryshe asnjë shtysë nuk do të mund t’i nxiste ta bënin.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 242.]

Misionarët nuk duhet të harrojnë kurrë që janë ambasadorë të qiellit dhe që sjellin lajme të mira e të gëzuara.

Ne i dërgojmë Pleqtë tanë të predikojnë Ungjillin. Kush i dërgon ata? … Perëndia i Izraelit i dërgon. Ajo është vepra e Tij. Nuk ka njeri të vdekshëm që është aq shumë i interesuar për suksesin e një Plaku kur ai predikon Ungjillin, sa Zoti që e dërgoi të predikojë te njerëzit që janë fëmijët e Zotit. Ata janë fëmijët e Tij nga bota tjetër dhe erdhën këtu sepse Zoti donte që të vinin.11

Ne e ndiejmë se ju [misionarë] do të keni një sukses të madh sepse e ndiejmë dhe e dimë se ju jeni thirrur nga Perëndia. Urtësia e njeriut nuk do të kishte menduar kurrë për një punë të tillë si kjo. Unë befasohem kur mendoj për madhështinë e saj. Unë mund të them se kjo është pikërisht puna që nevojitet në këtë kohë, dhe jam i sigurt se ju do të merrni pjesë në këtë punë me gjithë shpirtin tuaj. Zhvilloni Shpirtin e Jezusit kur tha se nuk mund të bënte asgjë veç asaj që Ati i tij e urdhëroi të bënte [shih Gjoni 5:30].

Mos mendoni kurrë për vështirësitë dhe humbjet në dukje; mos u shqetësoni për interesat tuaja vetjake dhe suksesi juaj do të jetë i madh dhe i lavdishëm dhe e gjithë Kisha do t’i ndiejë efektet e punës tuaj.

Mos mendoni kurrë për mospërfilljen e disa prej atyre mes të cilëve do të punoni, dhe për zhgënjimet e vogla me të cilat do të ndesheni; Shpirti i Zotit do të jetë mbi ju, dhe ju do të nxisni shpirtrat e atyre të cilëve do t’u shërbeni, dhe do të mposhtni mospërfilljen e tyre; … ju do të jeni të kënaqur që keni plotësuar punën që jeni dërguar të kryeni. …

Juve ju është dhënë autoriteti më i plotë, por nuk duhet të flisni aspak rreth kësaj. Ju do ta zbuloni se nuk ka nevojë të flitet rreth tij; Shpirti i Zotit do ta vërtetojë atë dhe njerëzit do ta ndiejnë se e keni atë, dhe ky pohim dhe kjo ndjesi do të jetë autoriteti juaj.

Ju do të zbuloni disa që mendojnë se dinë më shumë sesa dini ju, por nëse do ta bëni detyrën tuaj siç sugjerohet, përpara se të largoheni prej tyre, ata do ta ndiejnë se ju keni pak më shumë nga sa kanë ata, dhe se i keni bekuar e ndihmuar ata. …

Përpiquni të bëheni miqësorë me ata te të cilët jeni dërguar. Përulësia që shfaqni dhe Shpirti i Zotit që qëndron mbi ju, do të tregojnë se jeni i kualifikuar për pozicionin që jeni thirrur të zini. Përpiquni të kuptoni mënyrën e të menduarit, të ndierit dhe të vepruarit që është e zakonshme te shumë njerëz dhe veproni siç duhet, me qëllim që ta bëni cilindo të lumtur dhe gjithçka të pranueshme. …

Ka një mënyrë për të arritur çdo zemër njerëzore dhe është puna juaj që të gjeni udhën për te zemrat e atyre te të cilët jeni thirrur. …

Unë ndiej t’ju them nga zemra, Perëndia ju bekoftë. Ju do të veçoheni përpara se të shkoni dhe ne do të lutemi për ju dhe do të interesohemi shumë për ju. Jini të duruar në zemër dhe të përulur. Kur shihni ata që mësoni, dy shtysa mund t’ju frymëzojnë; e para, që të mund të flisni mirë dhe të lini një përshtypje të mirë te dëgjuesit si folës; dhe, tjetra, do të shtrohet pyetja, përse jam unë këtu? Për të mbjellë potencialin e jetës së përjetshme në zemrat e atyre që janë dëgjues këtu; dhe lutja duhet të ngrihet në zemrën tuaj: “Oh Zot, qoftë kështu; le të kem fuqi nëpërmjet Shpirtit Tënd që të prek zemrat e këtyre njerëzve të Tu”. Kjo lutje shumë e shkurtër është gjithçka që i duhet të bëjë një plaku. Kjo është gjithçka që duhet të bëni. “A mund të them unë diçka që t’i shpëtoj këto shpirtra?” Kjo është ajo që Presidenca e Parë … dhe të gjithë vëllezërit tuaj duan që të bëni.12

Drejtojeni vëmendjen tuaj te përgatitja e parzmores suaj shpirtërore. Unë shoh se kur çështjet e mia të botës lihen të gjitha mënjanë, sytë e mi janë vetëm në gjëra shpirtërore. Lutuni, vëllezër, mendoni rreth përfitimeve nga agjërimi. … Mos e teproni me shaka [dhe] jini të kujdesshëm që të mos e trishtoni Shpirtin. Unë pashë kur isha në misionin tim, pas një apo dy javësh, se mund ta harroja shtëpinë dhe Shpirti i Perëndisë më mbështeti. Shpirti priret ndaj lirisë dhe gjendjes së gëzuar, por mos u harroni në gëzimin tuaj. … Vazhdoni të luteni që të mund të keni Shpirtin e Perëndisë mbi gjithë qenien tuaj.13

Pleqtë që punojnë në vresht, nuk duhet të harrojnë kurrë faktin që janë ambasadorë të qiellit, ata që sjellin lajme të mira dhe të gëzuara te njerëzit që nuk e njohin Zotin. …

Kur Profeti Jozef Smith dërgoi Pleqtë e parë në një vend të huaj, parashikoi se si do t’i prisnin njerëzit dhe u tha se, ndërsa relativisht pak do t’i prisnin si shërbëtorë të Perëndisë, shumica e njerëzve nuk do t’i pranonin dhe nuk do t’i kushtonin vëmendje mesazhit të tyre. Kjo ishte gjendja e shërbëtorëve të Perëndisë që nga fillimi i kohërave dhe duhet të jemi të kënaqur me rezultatet e punonjësve besnikë, edhe pse nëpërmjet nesh vetëm pak janë sjellë në njohurinë e së vërtetës. …

Unë shpresoj dhe lutem që asnjë Plak që punon, … nuk do ta harrojë aq shumë veten sa t’u dorëzohet tundimeve të botës. Ka vetëm një mënyrë të sigurt për t’i shmangur ato dhe ajo është të shmangësh të keqen, po, madje edhe vetë pamjen e së keqes. Tundimi në një formë apo një tjetër do t’u paraqitet atyre. Kjo është mënyra se si punon armiku i shpëtimit tonë; por është puna e Pleqve të Izraelit që t’i rezistojnë tundimit dhe, me qëllim që ta bëjnë këtë me sukses, ata duhet ta ruajnë veten të panjollë nga bota. … Duke qenë se do të zhvillojnë dhe ushqejnë frymën e duhur të misionit të tyre, dhe do të kuptojnë rëndësinë e thirrjes së tyre të lartë në Krishtin Jezus dhe do ta jetojnë atë thirrje, ata do të jenë në gjendje të qëndrojnë si udhëheqës dhe shpëtimtarë të njerëzve, duke pasqyruar në ta dritën e qiellit dhe do të jenë ndryshe nga të tjerët; por nëse shkojnë në tokën e armikut dhe pranojnë qëndrimet e botës, forca do t’u hiqet dhe do të bëhen si të tjerët, të përshtatshëm vetëm për t’u kthyer në shtëpi dhe do të brengosen njësoj si të tjerët që kanë rënë, dhe do të bëjnë që zemrat e të dashurve të vet të pikëllohen për shkak të gjendjes së tyre. … Por nëse vazhdimisht do t’i kërkojnë Zotit në përulësi, duke i pasur sytë vetëm te nderi dhe lavdia e Tij dhe duke dëshiruar në zemrën e tyre shpëtimin e shpirtrave të njerëzve, dhe duke bërë gjithçka që munden për të realizuar shpëtimin e tyre, ata do të kenë gëzim të papërshkrueshëm për shkak të punës që kanë bërë dhe më në fund do të bëhen pjesëmarrës me Atin dhe Birin në gjërat që janë tepër të mëdha dhe të lavdishme për vdekshmërinë që t’i kuptojë apo mendojë rreth tyre.14 [Shih sugjerimet 4 dhe 5 në faqen 242.]

Zemrat tona gëzohen ndërsa i ndihmojmë të tjerët të marrin plotësinë e ungjillit.

Ne ndiejmë se, për ta përmbushur këtë punë, shumë durim, besim, zell, këmbëngulje dhe përvuajtje do të duhej të përdorej dhe përjetohej; por në qytete … ku mijëra njerëz e morën së fundmi Ungjillin, në disa prej tyre u shpenzuan shumë muaj punë pa rezultate gjersa u bë e mundur të sigurohej vëmendja dhe bindja e duhur ndaj këtyre parimeve. … Në disa [raste] mund të na duhet të punojmë jo vetëm për muaj, por ndoshta për vite madje; por ne ndihemi të sigurt se, nëpërmjet besimit, lutjes, punëve dhe bekimeve të Zotit, në fund të fundit, do t’i kapërcejmë dhe do të triumfojmë mbi të gjitha këto vështirësi për nderin dhe lavdinë e Perëndisë; dhe përveç kësaj, ne vetë do të ndiejmë gëzim duke ditur se e kemi kryer detyrën tonë dhe i kemi pastruar rrobat tona nga gjaku i gjithë njerëzve.15

Në [një] rast, përpara se të vazhdoja për në Itali, vizitova Mançesterin, Maklesfildin, Birmingemin, Çeltenhamin, Londrën, Sauthemptonin dhe konferencat në jug [në Angli]. … Unë pata kënaqësinë të takohesha me shumë njerëz për të cilët unë kisha qenë mjeti për t’i sjellë në Kishë [tetë vjet më parë]; dhe nuk ka nevojë t’ju them se të takoheshe përsëri me këta njerëz ishte vërtet një gëzim që gjithnjë ka qenë e këndshme ta mendoje. Apostulli Gjon vërejti në kohën e tij: “Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit”. [1 Gjoni 3:14.] Kjo dashuri që Pleqtë ndiejnë për njerëzit e botës dhe dashuria që njerëzit ndiejnë për Pleqtë që u sjellin mesazhin e Ungjillit, është në vetvete një dëshmi e mjaftueshme për ta bindur zemrën e ndershme se burimi i saj është hyjnor dhe se Perëndia është me ne. Kjo ndjenjë e shenjtë dhe hyjnore, e zgjuar brenda nesh nga Fryma e Shenjtë, na ka shquar tashmë si komunitet prej pjesës tjetër të familjes njerëzore; dhe kjo është ndjesia që ende do të ndryshojë të gjithë botën dhe do t’i bindë njerëzit jobesimtarë se Perëndia nuk është vetëm Ati i të gjithë neve, por që ne jemi miqtë dhe shërbëtorët e Tij.16

Unë kam përkushtuar jetën time në shërbim të Zotit; gjithçka që kam dhe gjithçka që jam është vendosur në altarin e sakrificës, që unë të mund ta nderoj Atë, ta bëj me mirëpritje vullnetin e Tij dhe të përhap parimet e jetës midis fëmijëve të njerëzve. Kur mendoj për të kaluarën dhe vërej dorën e Zotit duke më drejtuar mrekullisht në udhën time, dhe duke më ndihmuar të përfitoj nga çdo gjë që lidhet me këto misione përtej pritshmërive të mia më të larta, unë ndihem veçanërisht i nxitur që të vrapoj drejt së ardhmes; nuk ka fjalë që mund të shprehin mirënjohjen e thellë të zemrës sime për bekimet e Tij. Atyre vëllezërve dhe shenjtorëve, bujaria e shpirtit të të cilëve dhe interesi i të cilëve për punën e Perëndisë u dukën veçanërisht në këto misione të tyre, le t’u jepen bekimet e Më Të Lartit me të njëjtën bujari, dhe kur në vitet e mëpasshme ata do të dëgjojnë zërin e ëmbël të mijërave dhe dhjetëra mijërave të atyre kombeve duke i thirrur lavde të Plotfuqishmit për dritën e zbulesës, atëherë zemrat e tyre gjithashtu do të ngazëllehen në njohurinë e gëzueshme se ata po ashtu patën një pjesë në realizimin e këtij shëlbimi të lavdishëm.17 [Shih sugjerimin 6 në faqet 242–243.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Lexoni faqet 233–234 dhe shqyrtoni përgjigjet e Lorenco Snout për pyetjen “Përse jam këtu?” Në cilat mënyra kjo pyetje mund të ndikojë te të gjithë anëtarët e Kishës në mundësitë tona për të ndarë ungjillin?

  2. Meditoni mbi këshillën e Presidentit Snou në pjesën që fillon në krye të faqes 235. Mendoni rreth asaj se si mund të ndiqet kjo këshillë për të ndihmuar dikë të jetë vërtet i lumtur.

  3. Presidenti Snou tregoi për sakrificat që ai dhe të tjerë bënë në mënyrë që të ndanin ungjillin (faqet 235–237). Çfarë shembujsh keni parë ju të njerëzve që bëjnë sakrifica për të ndarë ungjillin? Përse mendoni se njerëzit janë të gatshëm t’i bëjnë këto sakrifica?

  4. Si munden bindjet në faqet 237–238 ta ndihmojnë një misionar kohëplotë? Si mund ta ndihmojnë ato secilin prej nesh ndërsa ndajmë ungjillin? Në cilat mënyra mund t’i përdorim këto mësime për të ndihmuar dikë që ngurron të shërbejë në një mision?

  5. Ndërsa shihni përsëri këshillën e Presidentit Snou në faqet 238–240, mendoni rreth mënyrës se si zbatohet ajo në jetën e të gjithë anëtarëve të Kishës. Për shembull: Çfarë mendoni se do të thotë “mos u shqetësoni për interesat tuaja vetjake”? Cilat janë disa mënyra të ndryshme që mund të gjejmë për të “arritur çdo zemër njerëzore”?

  6. Lexoni paragrafin e fundit të kapitullit, në të cilin Presidenti Snou tregon për gëzimin e qëndrueshëm të punës misionare. Kur e keni përjetuar gëzimin e punës misionare? Pse ndonjëherë duhet të jemi të durueshëm para se të mund ta përjetojmë plotësisht këtë gëzim?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Alma 26:1–8, 35–37; DeB 12:7–8; 18:10–16; 84:88

Ndihmë për Mësimdhënien: “Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë në kapitull dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar” (nga faqja VII në këtë libër).

Shënime

  1. Journal and Letterbook, 1836–1845, Church History Library, f. 33; shih gjithashtu “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  2. “The Grand Destiny of Man”, f. 22.

  3. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 48.

  4. “Letter from President Snow”, Millennial Star, 12 shtator 1901, f. 595.

  5. Deseret News, 15 maj 1861, f. 82.

  6. Deseret News, 11 mars 1857, f. 3; në burimin origjinal faqja 3 është shënuar gabimisht si faqe 419.

  7. Në “Scandinavians at Saltair”, Deseret Evening News, 17 gusht 1901, f. 8.

  8. Në “Laid to Rest: The Remains of President John Taylor Consigned to the Grave”, Millennial Star, 29 gusht 1887, f. 549.

  9. Në “Report of the Funeral Services Held over the Remains of Daniel Wells Grant”, Millennial Star, 20 qershor 1895, f. 386.

  10. Në Conference Report, prill 1901, f. 2–3.

  11. Deseret Weekly, 12 maj 1894, f. 637.

  12. “Instructions to Missionaries”, Improvement Era, dhjetor 1899, f. 126–129; Lorenzo Snow e dha këtë këshillë për vëllezërit që ishin thirrur së fundi për të shërbyer si misionarë për Shoqatën e Përmirësimit Reciprok. Predikimi i tij u përfshi në Improvement Era me shpjegimin se ishte “plot me këshillë dhe informim të dobishëm për çdo punonjës të kauzës”.

  13. Në Journal History, 9 prill 1862, f. 4.

  14. “Letter from President Snow”, f. 595–596.

  15. “The Malta Mission”, Millennial Star, 5 qershor 1852, f. 237.

  16. “Letter from President Snow”, f. 595.

  17. “Address to the Saints in Great Britain”, Millennial Star, 1 dhjetor 1851, f. 365.

“Kur një njeri merr njohuri, ai nxitet ta ndajë atë me të tjerët; kur një njeri bëhet i lumtur, shpirti që e rrethon atë, e mëson të përpiqet t’i bëjë të tjerët të lumtur.”

“Mos u shqetësoni për interesat tuaja vetjake dhe suksesi juaj do të jetë i madh dhe i lavdishëm dhe e gjithë Kisha do t’i ndiejë efektet e punës tuaj.”