Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21: Duke e Dashur Perëndinë Më Shumë Sesa Duam Botën


Kapitulli 21

Duke e Dashur Perëndinë Më Shumë Sesa Duam Botën

“Ne duhet të jetojmë sipas … një mënyre më të mirë jetese: ne duhet ta duam Perëndinë më shumë sesa duam botën.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Pak pasi Lorenco Snou u pagëzua dhe u konfirmua në Kirtland të Ohajos, një numër shenjtorësh të ditëve të mëvonshme, përfshirë disa udhëheqës të Kishës, u kthyen kundër Profetit Jozef Smith. Sipas Lorenco Snout, kjo braktisje u shkaktua nga spekulimi, ose me fjalë të tjera, nga rreziqe të mëdha biznesi me shpresë për t’u pasuruar shpejt. Të verbuar nga një dëshirë për gjërat materiale të botës, njerëzit u larguan nga bekimet e përjetshme të ungjillit.

Rreth 50 vjet më pas, Presidenti Snou, duke shërbyer si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli përpara një grupi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme në Logan të Jutas. Ai u tregoi atyre rreth vështirësisë që kishte dëshmuar në Kirtland dhe i paralajmëroi se shpejt do të përjetonin sprova të ngjashme. “Diçka po vjen shpejt që do të jetë një sprovë për ju, ndoshta një sprovë më e madhe nga sa mund të keni pasur ndonjëherë”, tha ai. “Sidoqoftë, gjithçka që ne kemi nevojë për të bërë tani është të shohim ku gjenden gabimet dhe dobësitë tona, nëse kemi ndonjë. Nëse kemi qenë jobesnikë në të shkuarën, le t’i përtërijmë besëlidhjet tona me Perëndinë dhe të vendosim, nëpërmjet agjërimit dhe lutjes, që të marrim falje të mëkateve tona, që Shpirti i të Plotfuqishmit të mund të qëndrojë mbi ne, që ndoshta të mund t’u shpëtojmë këtyre tundimeve të fuqishme që po afrohen. Tundime të mëdha po vijnë. Ju e shihni se cilat ishin rezultatet në Kirtland nga ky shpirt spekulimi. Prandaj, mbajeni parasysh.”1

Ngaqë paralajmërimi i Presidentit Snou vazhdon të jetë i vlefshëm sot për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në këtë kapitull është përfshirë shumë nga predikimi i tij për shenjtorët e Loganit. Ai tha: “Ndoshta disa fjalë lidhur me gjendjen tonë në atë kohë [në Kirtland] mund të rezultojnë të dobishme për ne në të ardhmen – mund të na japin disa mësime të dobishme”2. [Shih sugjerimin 1 në faqen 263.]

Mësime të Lorenco Snout

Kur njerëzit lejojnë frymën e botës të pushtojë mendjet dhe zemrat e tyre, ata i kthejnë shpinën parimeve të përjetshme.

Unë i kujtoj shumë qartë kohët e trazuara që u përjetuan në Kirtland … , ku banonte Profeti i Perëndisë, ku Vetë Perëndia, madje Jezusi, Biri i Perëndisë, u shfaq dhe tregoi Veten në lavdinë e Tij. Ai qëndroi mbi buzën e katedrës së Tempullit, të ndërtuar me anë të urdhërimit. Nën këmbët e Tij kishte një objekt të shtruar me ar të pastër, në ngjyrë qelibari. Flokët e Tij ishin të bardhë si dëbora e pastër. Pamja e fytyrës së Tij shkëlqente si dielli në fuqinë e tij. Zëri i Tij ishte si tingulli i rrjedhës së ujërave. [Shih DeB 110.] Kjo shfaqje e mrekullueshme ndodhi në tempullin që ishte ndërtuar për nder të Tij. Asaj kohe unë isha në Kirtland, ku kaluam përmes skenash që, ndonjëherë mendoj, po fillojmë t’i përsërisim tani. Rrethanat që ishin përreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme asaj kohe ishin të një natyre të veçantë; të paktën, ndikimet mbi njerëzit ishin të një karakteri të veçantë. … Në atë kohë një shpirt spekulimi përshkonte mendjet e njerëzve të këtij kombi. Kishte spekulime në para, spekulime bankare, spekulime me toka, spekulime në trojet e qytetit, spekulime në shumë fusha të tjera. Ai shpirt spekulimi erdhi nga bota dhe pushtoi zemrat e shenjtorëve si vala e fuqishme apo përroi buçitës dhe shumë e braktisën Kishën.3

Disa prej tyre [shenjtorët në Kirtland] filluan të spekulonin; ata e harruan fenë e tyre, i harruan parimet që iu ishin zbuluar, dhe shumë prej tyre pranuan filozofinë e asaj kohe dhe filluan të spekulonin. Vështirësi u krijuan – smirë dhe grindje – dhe Zoti, i pakënaqur prej tyre, solli shkatërrim mes tyre dhe ata, si vendbanim, u ndanë në grupe pa unitet.4

Pikërisht para kësaj braktisjeje të madhe Zoti kishte derdhur mbi popullin bekime të mrekullueshme. Dhuratat e Ungjillit – pasuritë e përjetësisë – qenë derdhur në një masë të madhe. Engjëj i kishin vizituar ata. Biri i Perëndisë, siç theksova më parë, pati folur me shërbëtorët e Tij. Bekimet që mori populli në përkushtimin e Tempullit, ishin të mrekullueshme. Gjatë asaj kohe të pasur për nga dhuratat e Perëndisë, unë vetë mora pjesë në takimet e ndryshme që u mbajtën në Tempull. Ne bënim mbledhje lutjesh dhe mbledhje dëshmish dhe ato dëshmi që mund të jepnin vëllezërit dhe motrat, ishin të mrekullueshme. Ata profetizonin, ata flisnin larmi gjuhësh dhe kishin interpretim gjuhësh në një masë të madhe. Këto bekime ishin thuajse te cilido njeri në Kirtland. Atëherë zemrat e tyre ishin të përkushtuara; ata ndienin sikur mund të sakrifikonin çdo gjë që kishin. Ata ndienin se po jetonin thuajse në prani të Perëndisë dhe ishte e natyrshme që duhet ta kishin atë ndjesi nën ndikime të tilla të mrekullueshme.

Të gjitha ato bekime dhe shumë të tjera që unë nuk kam kohë t’i përshkruaj, gëzoheshin nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme pikërisht para kohës kur ky shpirt i spekulimit filloi të përhapej në zemrat e njerëzve. Një person do të merrte me mend se, pasi kishin marrë këto shfaqje të habitshme, asnjë tundim nuk do të mund t’i mposhte shenjtorët. Por tundimi i mposhti dhe i shpërndau si të ishin në katër erërat.

Ndonëse mund të duket diçka e pazakontë, ky shpirt spekulimi u përhap në kuorumin e Të Dymbëdhjetë Apostujve dhe në kuorumin e Shtatë Presidentëve të Të Shtatëdhjetëve; vërtet, nuk kishte asnjë kuorum në Kishë që të mos ishte prekur pak a shumë nga ky shpirt spekulimi. Ndërsa ky shpirt u rrit, mungesa e unitetit pasoi. Vëllezërit dhe motrat filluan të shpifnin dhe të akuzonin njëri-tjetrin dhe të grindeshin me njëri-tjetrin, sepse interesat e tyre nuk përputheshin.

A është po kështu me shenjtorët e ditëve të mëvonshme të cilëve po u flas tani? Unë kam frikë se po vjen, por sa do t’ju prekë nuk më përket mua ta them. Sidoqoftë, ju do ta keni përvojën dhe ndoshta është shumë e nevojshme që ta keni.

… Gjysma e kuorumit të Apostujve, në ditët e Kirtlandit, ra nën këto ndikime të këqija. Ishte ky spekulim, kjo dashuri për ar – perëndia e botës – që prodhoi këtë ndikim shumë të trishtë. Dhe nëse ai pati këtë ndikim mbi ata që mbanin priftërinë më të lartë mbi tokë, si do të ndikonte mbi ne që, ndoshta, nuk e kemi marrë inteligjencën, informacionin dhe përvojën që kishin ata? …

Tani, ju jeni një grup i mirë njerëzish. … Perëndia ju do. Ai kënaqet me drejtësinë tuaj dhe nuk do të donte të shihte të përmbusheshin ngjarjet … që ndodhën në Kirtland. Nuk ka nevojë për këtë. Ne kemi në duart tona fuqinë për ta ruajtur veten nga ato gjëra që i mposhtën shenjtorët në Kirtland dhe përçanë gjysmën e Të Dymbëdhjetëve. Zoti nuk dëshiron që, në këto ditë të fundit, të duhet të dëshmohen përsëri këto ngjarje.5

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të jenë shumë të urtë dhe inteligjentë që të mos bien në kurthe të këtij lloji. Kjo nuk i sjell dobi askujt. Asnjë njeri nuk do të ketë dobi që t’i kthejë shpinën këtyre parimeve të mrekullueshme dhe atyre gjërave që janë marrë nga botët e përjetshme – as po t’u kthejmë shpinën këtyre gjërave dhe të hutohemi e t’u përkushtohemi gjërave pavlerë të botës. Kjo nuk do të na sjellë dobi. Për çfarëdo tundimi që mund të na ndikojë ose ndaj të cilit jemi ekspozuar tani, ne duhet t’i vëmë veshin historisë të së kaluarës dhe jo ta lejojmë veten të mposhtemi, ndryshe do të pendohemi shumë për këtë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 263.]

Ne kemi bërë besëlidhje që ta veçojmë veten nga fryma e botës dhe t’ia përkushtojmë veten mbretërisë së Perëndisë.

Perëndia i botës është paraja. Bota e adhuron këtë perëndi. Ajo është e Plotfuqishme për ta, edhe pse mund të mos duan ta pranojnë këtë. Tani, në drejtimin dhe kujdesin hyjnor të Perëndisë është caktuar që shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të tregojnë nëse kanë fituar aq shumë njohuri, urtësi dhe fuqi nga Perëndia që të mos mund të mposhten nga perëndia i botës. Ne duhet të arrijmë në atë pikë. Ne gjithashtu duhet të jetojmë sipas standardeve më fisnike; sipas një mënyre më të mirë jetese: ne duhet ta duam Perëndinë më shumë sesa duam botën, më shumë sesa duam arin apo argjendin, dhe ta duam fqinjin si veten tonë.7

Nëse … nuk i mbajmë besëlidhjet që kemi bërë, domethënë, ta përdorim kohën, talentin dhe aftësinë tonë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, si mundet logjikisht të vijmë në mëngjesin e ringjalljes së parë, të identifikuar me punën e madhe të shëlbimit? Nëse ne, me mënyrën, zakonet dhe sjelljet tona, imitojmë … botën, duke e identifikuar veten në këtë mënyrë me botën, a mendoni ju, vëllezër të mi, se Perëndia do të na japë bekimet që dëshirojmë të trashëgojmë? Unë ju them jo, nuk do të na i japë. … Ne duhet të ngremë drejtësinë e qiellit në veten tonë dhe të rrënjosim drejtësinë e Perëndisë në zemrën tonë. Zoti tha, nëpërmjet profetit Jeremia: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im”. [Jeremia 31:33.] Kjo është çka Zoti dëshiron të bëjë dhe do ta përmbushë këtë në ne nëse i bindemi vullnetit të tij.8

Unë e falënderoj Perëndinë që, në këto kohëra të korrupsionit dhe të ligësisë në botë, kemi burra dhe gra të shenjta e të drejta që mund t’ia përkushtojnë ato talente të larta, që Perëndia u ka dhënë, përlëvdimit dhe lavdisë së Tij. Dhe unë mund të them më tej, se ka mijëra burra dhe gra të virtytshme e të ndershme, të cilët Zoti i ka mbledhur nga kombet, që janë gjithashtu të gatshëm të përkushtojnë kohën dhe talentet e tyre për të ndihmuar në përmbushjen e punës së Perëndisë në interes të fëmijëve të Tij.9 [Shih sugjerimin 3 në faqen 263.]

Ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur kundërshtojmë t’i tregtojmë lavditë e përjetësisë për pasuritë e botës.

Ju mund të prisni … të ndeshni pengesa në udhën e jetës, të cilat do ta vënë në provë vendosmërinë tuaj deri në nivelet më të larta, dhe disa nga ju mund të tundohen të mënjanohen nga udha e së vërtetës dhe e nderit dhe, si Esau, të dëshirojnë të heqin dorë nga lavditë e përjetësisë për disa çaste kalimtare plotësimi dëshirash dhe qejfi [shih Zanafilla 25:29–34]; atëherë … shfrytëzojeni rastin që të ndiqni shembullin e Shpëtimtarit tonë kur iu ofrua lavdia e kësaj bote, në qoftë se do të bënte diçka të marrë; ai iu përgjigj tunduesit të tij: “Largohu prej meje, Satana”. [Shih Lluka 4:5–8.]10

Unë kuptoj duke menduar rreth jetës, se kjo botë është e shkurtër në krahasim me përjetësinë; që inteligjenca jonë, natyra hyjnore brenda nesh, kanë ekzistuar gjithmonë, nuk janë krijuar kurrë dhe gjithmonë do të ekzistojnë në gjithë përjetësinë [shih DeB 93:29]. Përpara këtyre fakteve, do të ishte mirë për ne si qenie inteligjente të kuptojmë se kjo jetë mbaron në pak ditë, pastaj vjen jeta që është e përjetshme; dhe, në përpjesëtim me atë se sa mirë i kemi mbajtur urdhërimet, ne kemi epërsi ndaj atyre njerëzve që nuk arritën t’i bënin ato përmirësime.11

Ungjilli bashkon zemrat e të gjithë mbështetësve të tij, ai nuk bën dallim, ai nuk njeh dallim midis të pasurve dhe të varfërve; ne jemi të gjithë të lidhur si një individ për të kryer detyrat që na takojnë. … Tani më lejoni të shtroj një pyetje: “Kush zotëron ndonjë gjë, i cili mundet realisht dhe vërtet ta quajë të vetën ndonjë nga gjërat e kësaj bote?” Unë nuk mendoj se zotëroj, unë jam thjesht një kujdestar mbi shumë pak gjëra, dhe përpara Perëndisë unë jam përgjegjës për përdorimin e tyre dhe mënyrat se si janë shfrytëzuar. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë marrë ligjin e ungjillit nëpërmjet zbulesave të Perëndisë dhe është shkruar aq thjesht sa të gjithë mund ta kuptojnë. Dhe nëse i pranojmë dhe i kuptojmë zotimet që bëmë kur hymë në këtë besëlidhje me anë të pagëzimit për heqjen e mëkateve, ne duhet përsëri të jemi të vetëdijshëm për faktin se ai ligj na urdhëron të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe se koha, talenti dhe aftësia jonë duhet të konsiderohen më pak të rëndësishme se punët e Mbretërisë së Perëndisë [shih Mateu 6:33; 3 Nefi 13:33]. Po të mos jetë kështu, si mund të presim në të ardhmen, kur kjo tokë do të jetë bërë shtëpia e Perëndisë dhe e Birit të tij, të trashëgojmë jetë të përjetshme dhe të jetojmë e mbretërojmë me Të?

Kush do të thotë se i pasuri, ose ata që zotërojnë shumë talente, kanë ndonjë shpresë apo të ardhme më të mirë për t’i trashëguar ato bekime sesa i varfri, ose ata që kanë vetëm një talent? Siç e kuptoj unë, njeriu që punon në dyqan, qoftë si rrobaqepës, zdrukthëtar, këpucar apo në ndonjë punë tjetër prodhuese, dhe që jeton sipas ligjit të Ungjillit dhe është i ndershëm e besnik në thirrjen e tij, ai njeri është po aq i përshtatshëm për të marrë këto dhe të gjitha bekimet e Besëlidhjes së Re e të Përjetshme sa çdo njeri tjetër; nëpërmjet besnikërisë së tij ai do të zotërojë frone, principata dhe pushtete, fëmijët e tij do të bëhen aq të panumërt sa yjet në kupën e qiellit apo rëra në breg të detit. Kush, pyes unë, ka ndonjë të ardhme më madhështore se kjo?12 [Shih sugjerimet 3 dhe 4 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Shqyrtoni tregimin në faqet 257–258. Çfarë ka te fryma e botës që i bën njerëzit të harrojnë fenë e tyre? Si mund të kujdesemi për nevojat tona materiale pa u mposhtur nga fryma e botës?

  2. Meditoni për pjesën që fillon në faqen 258. Si mundet dashuria për Perëndinë të na ndihmojë të shmangim mposhtjen nga fryma e botës?

  3. Presidenti Snou dha mësim se ne kemi bërë besëlidhje që ta “përdorim kohën, talentin dhe aftësinë tonë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë” (faqe 261). Mendoni rreth asaj që mund të bëni për ta mbajtur këtë besëlidhje.

  4. Shihni përsëri pjesën e fundit në kapitull. Në cilat mënyra të vërtetat e mëposhtme na ndihmojnë të mbajmë besëlidhjet tona? “Kjo botë është e shkurtër në krahasim me përjetësinë.” Askush nuk mundet “realisht dhe vërtet ta quajë të vetën ndonjë nga gjërat e kësaj bote”.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 6:19–24; Gjoni 17:15; 1 Gjoni 2:15–17; Jakobi 2:13–19; Mormoni 8:35–39; DeB 38:39; 63:47–48; 104:13–18

Ndihmë për Mësimdhënien: Diskutimet në grupe të vogla “i japin një numri të madh njerëzish mundësinë të marrin pjesë në mësim. Individët që janë zakonisht ngurrues për të marrë pjesë, mund të ndajnë ide në grupe të vogla që ata nuk do t’i shfaqnin përpara gjithë grupit” (Teaching, No Greater Call, f. 161).

Shënime

  1. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  2. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  3. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  4. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  5. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  6. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200.

  7. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  8. Deseret News: Semi-Weekly, 23 janar 1877, f. 1.

  9. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

  10. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 486.

  11. Brigham City Bugler, Supplement, 1 gusht 1891, f. 2.

  12. Deseret News: Semi-Weekly, 23 janar 1877, f. 1.

Edhe pas shfaqjeve të mëdha në Tempullin e Kirtlandit, shumë shenjtorë në Kirtland ranë në braktisje.

Si i riu pasanik që foli me Shpëtimtarin (shih Mateu 19:16–22), disa njerëz sot tundohen të largohen nga ata që janë në nevojë.