Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Të Mësuarit me Anë të Besimit


Kapitulli 1

Të Mësuarit me Anë të Besimit

“Le të vazhdojmë, vëllezër dhe motra, të punojmë në emrin e Zotit Perëndisë sonë; duke mbledhur urtësi dhe zgjuarsi dita-ditës, në mënyrë që çdo rrethanë që paraqitet, të mund të shërbejë për të mirën tonë.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Kur ishte i ri, Lorenco Snou nuk po i kryente detyrat e tij në fermën e familjes, ai ishte zakonisht duke lexuar – “i fshehur me librin e tij”, siç thoshin anëtarët e familjes. Sipas motrës së tij Eliza, ai qe “gjithmonë student, në shtëpi dhe po ashtu në shkollë”1. Dashuria e tij për të mësuar shtohej ndërsa ai rritej. Në fakt, ai thoshte se arsimimi qe “ylli udhëheqës” i rinisë së tij.2 Pas ndjekjes së shkollave publike, ai studioi në 1835-ën në Kolegjin e Oberlinit, një shkollë private në shtetin e Ohajos. Në vitin 1836, përpara se të bashkohej me Kishën, ai pranoi ftesën e Elizës për të shkuar në Kirtland të Ohajos, ku studioi hebraisht në një klasë ku ishte Profeti Jozef Smith dhe shumë nga Apostujt.

Pasi u pagëzua dhe u konfirmua, ai më në fund e drejtoi interesimin e tij më shumë tek “arsimimi që marrim nga Shpirti”3 sesa te “studimet e gjërave nga librat”4. Në këtë kërkim, ai nuk e humbi kurrë dëshirën e zjarrtë për të mësuar. Për shembull, kur ishte 80 vjeç dhe shërbente si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai qëndroi përpara shenjtorëve në konferencën e përgjithshme të tetorit të 1894-ës. Duke folur rreth bisedave të vëllezërve të tij me më pak përvojë dhënë më parë atë ditë, ai tha: “Disa ide që unë nuk i pata menduar kurrë më parë, u dhanë mësim dhe ato ishin shumë të dobishme”5. Gjashtë vite më pas, kur ishte President i Kishës, mori pjesë në një konferencë të drejtuar nga Shkolla e së Dielës. Pasi dëgjoi të tjerët që folën, më në fund ai doli në podium. Ai e filloi bisedën duke thënë: “Unë jam vërtet i kënaqur dhe i befasuar nga ato që pashë dhe dëgjova. … Vërtet mund të them se mësova; dhe nëse unë, një burrë tetëdhjetë e gjashtë vjeçar, mund të mësohet, unë nuk shoh arsye përse të rriturit në përgjithësi të mos mund të kenë dobi si dhe të kënaqen nga pjesëmarrja në mbledhjet tuaja.”6 [Shih sugjerimin 1 në faqen .]

Mësime të Lorenco Snout

Të mësuarit kërkon besim, përpjekje dhe këmbëngulje.

Në këtë themel feje, që ju dhe unë e kemi pranuar, ka diçka të madhe e të lavdishme dhe diçka të re për të mësuar çdo ditë, që është me vlerë të madhe. Dhe nuk është vetëm privilegj për ne, por është e nevojshme që ne t’i marrim këto gjëra dhe t’i grumbullojmë këto ide të reja.7

E gjithë ideja e mormonizmit është përmirësim – mendërisht, fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht. Asnjë arsimim i pjesshëm nuk mjafton për shenjtorin e ditëve të mëvonshme.8

Është me dobi të rrosh gjatë mbi tokë dhe të fitosh përvojën e njohurinë që vjen nga kjo: sepse Zoti na ka treguar se çfarëdo inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje, dhe sa më shumë njohuri e inteligjencë fiton një njeri në këtë jetë aq më e madhe është përparësia që ai do të ketë në botën që vjen [shih DeB 130:18–19].9

Ka disa njerëz që nuk mësojnë dhe që nuk përmirësohen aq shpejt sa munden, ngaqë sytë dhe zemrat e tyre nuk janë të përqendruara te Perëndia; ata nuk mendojnë seriozisht, as e kanë atë njohuri që mund ta kenë; ata humbasin shumë nga ajo që mund të kishin marrë ose mësuar. Ne duhet të fitojmë njohuri përpara se të fitojmë lumturi të përhershme; ne duhet t’i kemi të hapur mirë sytë për gjërat e Perëndisë.

Edhe pse ne tani mund të lëmë pas dore përmirësimin e kohës vetjake, përmirësimin e aftësive intelektuale, ne dikur do të jemi të detyruar që t’i përmirësojmë ato. Ne kemi kaq shumë punë për të bërë dhe, nëse dështojmë të mësojmë sot, do të kemi shumë më tepër për të bërë nesër.10

Duhet të ketë një aktivizim të mendjes, një përdorim të atyre talenteve që Perëndia na ka dhënë; ato duhet të ushtrohen. Pastaj, duke qenë të ndriçuar nga dhurata dhe fuqia e Frymës së Shenjtë, ne mund t’i marrim ato ide, atë inteligjencë dhe ato bekime që janë të nevojshme për të na përgatitur për të ardhmen, për ngjarjet që do të vijnë.

I njëjti parim do të zbatohet në të gjitha veprimet tona në lidhje me gjërat e Perëndisë. Ne duhet të bëjmë një përpjekje … Të qëndruarit kot, pa e vënë veten në veprim, nuk na sjell dobi; nëse ne qëndrojmë tërësisht asnjanës, asgjë nuk përmbushet. Çdo parim që zbulohet nga qiejt, është për dobinë tonë, për jetën tonë, për shpëtimin tonë dhe për lumturinë tonë.11

Ne [si anëtarë] mund të mendojmë, ndoshta, se nuk është e nevojshme të bëjmë përpjekje për të gjetur atë çfarë Perëndia kërkon nga ne; ose me fjalë të tjera të gjejmë parimet që Perëndia ka zbuluar, mbi të cilat ne mund të marrim bekime shumë të rëndësishme. Janë zbuluar, thjesht dhe qartë, parime që janë llogaritur të ekzaltojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe t’i ruajnë ata nga shumë shqetësime dhe probleme, por përsëri, nga mungesa e këmbënguljes nga ana jonë që t’i mësojmë dhe t’i zbatojmë ato parime, ne dështojmë të marrim bekimet që janë të lidhura me bindjen ndaj tyre.12

Le të vazhdojmë, vëllezër dhe motra, të punojmë në emrin e Zotit Perëndisë sonë; duke mbledhur urtësi dhe zgjuarsi dita-ditës, në mënyrë që çdo rrethanë që paraqitet, të mund të shërbejë për të mirën tonë dhe të rrisë besimin e zgjuarsinë tonë.13 [Shih sugjerimin 2 në faqen 45.]

Arsimimi që marrim nga Shpirti, meriton vëmendjen tonë kryesore.

Ka një lloj arsimimi që meriton vëmendjen kryesore nga të gjithë dhe me të cilin duhet të merren të gjithë – që është arsimimi që marrim nga Shpirti.14

Një njohuri e vogël shpirtërore është shumë më e vlefshme sesa thjesht opinione, nocione dhe ide, ose edhe argumente shumë të përpunuara; një njohuri e vogël shpirtërore është shumë e rëndësishme dhe nga më të vlerësuarat.15

Ne nuk duhet t’i lëmë pas dore përmirësimet tona shpirtërore ndërsa kërkojmë mirëqenie materiale. Është detyra jonë të bëjmë çdo përpjekje me qëllim përparimin tonë në parimet e dritës dhe njohurisë, si dhe të rritjes rreth nesh të bekimeve tokësore dhe komoditeteve të kësaj jete.16

Nëse mendjet tona janë tepër të njëanshme, duke i kushtuar më shumë vëmendje sigurimit të të mirave tokësore, duke shpërfillur pasurinë shpirtërore, ne nuk jemi kujdestarë të mençur.17 [Shih sugjerimin 3 në faqen 45.]

Ne përfitojmë nga dëgjimi i parimeve të ungjillit në mënyrë të përsëritur.

Ju i keni dëgjuar [disa parime] ndoshta me qindra herë dhe prapë duket se është e nevojshme se ato gjëra duhet të na mësohen në mënyrë të vazhdueshme. Përsëri, kjo është diçka si ajo që unë gjej në leximin e Librit të Doktrinës e Besëlidhjeve. Sa herë që lexoj një zbulesë në atë libër, unë marr një ide të re, edhe pse mund ta kem lexuar të njëjtën zbulesë shumë herë. Unë besoj se kjo është përvoja juaj gjithashtu; nëse jo, atëherë është shumë ndryshe nga imja.18

Me ne është ashtu siç është me fëmijët që mësojnë alfabetin. Mësuesi i thotë fëmijës: “Këtu është germa a; a do të përpiqesh dhe do ta mbash mend atë?” Fëmija përgjigjet: “Po, unë do të përpiqem ta mbaj mend”. Mësuesi kalon te germa tjetër dhe thotë: “Kjo është germa b; a do ta shohësh dhe të përpiqesh ta mbash mend?” “Oh, po”, thotë fëmija. Pastaj mësuesi rikthehet te germa a. “Cila germë është kjo?” Fëmija e ka harruar. Mësuesi edhe një herë i tregon fëmijës se ajo është germa a dhe kthehet te germa b, dhe zbulon se fëmija e ka harruar atë gjithashtu dhe përsëri duhet të mësohet mbi germën b. Kjo është në mëngjes. Pasdite fëmija thirret përsëri dhe pyetet, dhe mësuesi edhe një herë sheh se fëmija i ka harruar germat dhe duhet t’ia mësojë në mënyrë të përsëritur. Dhe kështu mësimi duhet të bëhet në mënyrë të përsëritur aq sa, nëse mësuesi nuk ka pasur shumë përvojë dhe nuk dinte çfarë të priste, ai me siguri do të shkurajohej. Kështu është edhe me shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Edhe pse ne mund të lodhemi nga dëgjimi i gjërave të përsëritura, ato duhet të jenë në mënyrë që ne të mund t’i mësojmë plotësisht. Ne duhet t’i mësojmë ato. Unë e di se shenjtorët e ditëve të mëvonshme më në fund do t’i mësojnë të gjitha ligjet e urdhërimet e Perëndisë dhe do të mësojnë t’i zbatojnë ato saktësisht. Por ne nuk kemi arritur ende tek ajo pikë.19 [Shih sugjerimin 4 në faqen 45.]

Kur mblidhemi për të mësuar ungjillin, edhe mësuesi edhe nxënësi kanë nevojë për drejtim nga Shpirti.

Kur [një mësues] qëndron përpara njerëzve, ai duhet ta bëjë duke kuptuar se ai qëndron përpara tyre me qëllim që t’u transmetojë njohuri, që ata të mund ta marrin të vërtetën në shpirtin e tyre dhe të ngrihen në drejtësi duke marrë më tepër dritë, duke përparuar në arsimimin e tyre në parimet e shenjtërisë.

Kjo nuk mund të bëhet përveçse me punë të mendjes, me një energji besimi dhe duke kërkuar me gjithë zemër Shpirtin e Zotit, Perëndisë sonë. Është po kështu për dëgjuesit; pa iu kushtuar vëmendje e veçantë asaj, që u kërkohet atyre herë pas here nga folësit, që u drejtohen njerëzve nga ky podium, dhe pa i vënë në punë njerëzit mendjet e tyre me gjithë fuqitë dhe me gjithë forcën e tyre në lutjet e tyre përpara Zotit, ata nuk do të marrin për vete atë të mirë dhe përfitim që duhet ta marrin.20

Ajo që unë dua nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme është që gjatë kësaj konference, ndërsa Pleqtë do të ngrihen të na flasin, besimi dhe lutjet tona të mund të jepen për secilin që flet, që ai të mund të thotë gjëra të tilla dhe që ne të mund të kemi shpirtin për të marrë gjëra të tilla të dobishme për të gjithë. Ky është privilegji dhe detyra jonë. Ne nuk kemi ardhur rastësisht në konferencë; ne kemi ardhur në këtë konferencë duke pritur të marrim diçka që do të jetë e dobishme për ne.21

Ju duhet t’i kërkoni Zotit t’i lejojë [folësit] të thonë diçka që ju doni ta dini, që ata të mund të sugjerojnë diçka për ju që do të jetë pak a shumë me dobi. Nëse keni ndonjë dëshirë për të ditur disa gjëra që nuk i kuptoni, lutuni që [folësit] të mund të thonë diçka që do të ndriçojë mendjen tuaj lidhur me atë që ju shqetëson, dhe ne do të kemi një Konferencë të madhe e të shkëlqyer, një më të mirë nga sa kemi pasur ndonjëherë më parë. E çuditshme siç mund të duket, Konferenca jonë e fundit gjithmonë duket si më e mira, dhe le të jetë kështu edhe kjo; dhe ju vëllezër dhe motra, i lini zemrat tuaja të ngrihen te Zoti dhe ushtroni besim ndërsa vëllezërit tanë ju flasin. Ne nuk do të zhgënjehemi dhe ju nuk do të shkoni në shtëpi, ju nuk do të largoheni nga kjo Konferencë pa ndier se jeni bekuar shumë dhe bollshëm.22

Unë mendoj se shumë nga dëgjuesit tani përpara meje kanë ardhur nga largësi të mëdha për t’u takuar me ne në këtë konferencë të përgjithshme; dhe se secili është nxitur për t’u mbledhur këtu nga shtysa të pastra – nga një dëshirë për të përmirësuar e përsosur veten në çështje që kanë lidhje me dobinë e tyre në mbretërinë e Perëndisë. Me qëllim që të mos zhgënjehemi në këtë, bëhet e nevojshme që të përgatisim zemrën tonë për të marrë dhe përfituar nga sugjerimet që mund të bëhen nga folësit gjatë zhvillimit të Konferencës, gjë që mund të nxitet nga Shpirti i Zotit. Unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj se ngritja jonë morale nuk varet aq shumë nga folësi sesa nga ne vetë.23

Kur ne mblidhemi … , bëhet privilegji ynë që të marrim udhëzim nga ata persona që na flasin dhe nëse nuk e bëjmë këtë, faji, në përgjithësi, është te ne.24

Unë kam vënë re te disa njerëz diçka që e konsideroj të jetë dobësi. Ata mblidhen, disa prej tyre, më shumë me qëllim që të kënaqen me oratorinë e folësit të tyre, me qëllim që të admirojnë stilin me të cilin ai mund t’u drejtohet atyre, ose ata mblidhen më shumë me qëllim që të shohin folësin ose të spekulojnë lidhur me karakterin e tij … sesa me qëllimin që të marrin udhëzime që do t’u bëjnë mirë dhe do t’i ngrenë moralisht në drejtësi. …

… Nëse nuk i ushtrojmë ato aftësi që na janë dhënë, dhe nuk marrim Shpirtin e Zotit, vetëm pak informacion do të merret nga folësit, edhe pse idetë mund të jenë përcjellë si të një vlere e dobie të madhe. Megjithëse idetë mund të jenë përcjellë me një stil gojëtarie shumë të ngathët, nëse njerëzit do të përpiqen, … ata shpejt do të mësojnë se kurrë nuk do të largohen nga mbledhja pa pasur përfituar mendja e tyre nga folësit.25

Nuk është gjithmonë ligjërata e gjatë që u siguron shenjtorëve të ditëve të mëvonshme atë që është më e dobishme; por në ligjëratat e ndryshme që jepen, ne mund të mbledhim ndonjë ide, ose befas mund të kuptojmë ndonjë parim që do të jetë i vlefshëm për ne më pas.26

Ne jemi mbledhur me qëllim që të adhurojmë Perëndinë dhe të zhvillojmë punën e nevojshme për të çuar përpara çështjen e së vërtetës mbi dhé. Hollësitë e udhëzimeve do të varen shumë nga gjendja e mendjes sonë. Ne duhet të largojmë nga mendja jonë punët laike dhe t’ia përkushtojmë vëmendjen qëllimit të kësaj Konference.27

Për informimin e njohurinë tonë shpirtërore ne jemi tërësisht të varur – ne ndihemi aq të varur – nga Zoti. Dhe në përpjesëtim me ushtrimin e besimit tonë ne marrim informacion, që përcillet nëpërmjet shërbëtorëve të Zotit. … Ai na flet nëpërmjet shërbëtorëve të tij, që na flasin në raste si ky, kur mblidhemi bashkë për të adhuruar Perëndinë tonë.28 [Shih sugjerimin 5 në faqen 46.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Shihni sërish faqet 37 dhe 39 që përshkruajnë disa nga përpjekjet e Presidentit Snou për të mësuar gjatë gjithë jetës. Çfarë e nxit një person të vazhdojë të mësojë gjatë gjithë jetës së tij apo të saj? Mendoni rreth vetë qasjes suaj ndaj të mësuarit dhe mendoni thellë mënyrat si mund të vazhdoni të mësoni gjatë gjithë jetës suaj.

  2. Studioni këshillën e Presidentit Snou rreth përpjekjes dhe këmbënguljes në të mësuarin e ungjillit (faqet 39–41). Në çfarë mënyrash ndryshon studimi juaj vetjak kur ju me të vërtet përpiqeni? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë që të përpiqen për të mësuar?

  3. Presidenti Snou i nxiti shenjtorët të ndjekin “arsimimi[n] që marrim nga Shpirti” (faqe 41). Çfarë do të thotë kjo për ju? Çfarë mund të pasojë kur arsimimi ynë përqendrohet me tepri te pasuria tokësore?

  4. Si lidhet shembulli i fëmijës që mëson alfabetin, (faqe 42) me përpjekjet tona për të mësuar ungjillin? Ndërsa keni studiuar fjalët e profetëve të lashtë dhe të ditëve të mëvonshme, cilat parime keni parë të përsëriten?

  5. Në çfarë mënyrash mund ta përgatisim zemrën tonë për të mësuar në orët mësimore dhe mbledhjet e Kishës? Si mund të përpiqemi për të mësuar, madje edhe kur thjesht po dëgjojmë një bisedë në një mbledhje sakramenti apo konferencë? (Për disa shembuj, shih faqet 42–45.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 9:28–29; 28:30; Mosia 2:9; DeB 50:13–22; 88:118, 122; 136:32–33

Ndihmë për Mësimdhënien: “Që të na ndihmojë të japim mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, Kisha ka prodhuar manuale mësimi dhe materiale të tjera. Është e paktë nevoja për material komentues ose materiale të tjera referimi” (Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching [1999], f. 52).

Shënime

  1. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 3.

  2. Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 28.

  3. Deseret News: Semi-Weekly, 31 mars 1868, f. 2.

  4. Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 28.

  5. “Glory Awaiting the Saints”, Deseret Semi-Weekly News, 30 tetor 1894, f. 1.

  6. “Tithing”, Juvenile Instructor, prill 1901, f. 214–215.

  7. Në Conference Report, prill 1898, f. 13.

  8. “‘Mormonism’ by Its Head”, The Land of Sunshine, tetor 1901, f. 257.

  9. Në “Old Folks Are at Saltair Today”, Deseret Evening News, 2 korrik 1901, f. 1; mesazh i përgatitur nga Lorenzo Snow dhe lexuar nga djali i tij LeRoi.

  10. Deseret News, 21 tetor 1857, f. 259.

  11. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  12. Deseret News: Semi-Weekly, 16 korrik 1878, f. 1.

  13. Deseret News: Semi-Weekly, 7 dhjetor 1869, f. 7.

  14. Deseret News: Semi-Weekly, 31 mars 1868, f. 2.

  15. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  16. Deseret News, 19 korrik 1865, f. 330.

  17. Deseret News, 19 korrik 1865, f. 330.

  18. Deseret Semi-Weekly News, 30 mars 1897, f. 1.

  19. Deseret Semi-Weekly News, 28 korrik 1899, f. 10; kursivet shtuar.

  20. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  21. Në Conference Report, tetor 1899, f. 2.

  22. Në Conference Report, tetor 1900, f. 5.

  23. Në Conference Report, tetor 1898, f. 1–2.

  24. Në Conference Report, prill 1898, f. 61.

  25. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  26. Në Conference Report, prill 1899, f. 2.

  27. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazë e hollësishme e një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  28. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Lorenco Snou kërkoi të mësonte “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118).

Ne duhet “të përgatisim zemrën tonë për të marrë dhe përfituar nga” mesazhet që jepen në konferencën e përgjithshme dhe në mbledhje të tjera.

“Arsimimi që marrim nga shpirti”, meriton “vëmendjen tonë kryesore.”