Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Të Bërit e Akteve të Mira për të Ndihmuar të Tjerët


Kapitulli 22

Të Bërit e Akteve të Mira për të Ndihmuar të Tjerët

“Zhvilloni te vetja një qëndrim të dashurisë hyjnore; jini të gatshëm për të bërë për të tjerët më shumë nga sa do të prisnit prej tyre, nëse rrethanat do të ktheheshin në të kundërt.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Lorenco Snou dhe familja e tij ishin pjesë e eksodit fillestar të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nga Navuja e Ilinoisit. Me një grup familjesh të tjera, ata shkuan në perëndim në shtetin e Ajouas në shkurt të 1846-ës. Kushtet e motit e bënë të vështirë udhëtimin e tyre – çdo ditë ata luftuan mes shiut, borës dhe baltës.

Një ditë, ndërsa familja Snou udhëtonte, një anëtar i grupit të udhëtimit u kërkoi atyre ndihmë. Lorenco Snou shkroi në ditarin e tij se një burrë “kërkoi që ta lejoja ta vendoste sëndukun në qerren time, tha se nuk mund të siguronte që të mbahej askund tjetër”. Qerrja ishte “tërësisht plot dhe me aq gjëra sa mendonim se mund t’i nxinte”, kujtonte Lorenco, por “përsëri unë i thashë atij ta fuste brenda dhe të vinte me ne”.

Natën tjetër familja përjetoi atë që Lorenco e quajti “një ngjarje shumë e pakëndshme”: një bosht në qerren e tyre u thye. Ai tregoi: “Në atë kohë, po binte një shi i madh dhe [ishte] shumë ftohtë. Ne menjëherë hapëm tendën tonë [dhe] bëmë një zjarr të mirë me dru arre amerikane. … Uji dhe balta ishin shumë të thella dhe nuk mund të shkonim te qerrja pa u llapashitur. … Ne ishim tashmë rreth 24 kilometra nga kampi dhe 14 apo 16 kilometra nga shtëpia e parë, dhe asnjë nga ne nuk ishte mekanik, mundësia e riparimit të qerres sonë nuk ishte shumë inkurajuese.”

Papritur, lehtësimi erdhi nga njeriu që patën ndihmuar një ditë më parë. “Unë po vajtoja për fatkeqësinë time”, tha Lorenco, “kur ai erdhi tek unë dhe më tha se puna e tij ishte të bënte qerre dhe mundej ta riparonte shumë lehtë qerren time. … Sapo lejonte moti, vëllai Uillson (emri i personit të lartpërmendur) shkonte të punonte dhe bëri një bosht shumë më të mirë se ai që unë theva. Sapo na u riparua qerrja, ne u larguam nga ai vend, pasi kishim qëndruar disa ditë për shkak të shiut dhe baltës.”

Për Lorenco Snoun, kjo përvojë përforcoi një mësim të vlefshëm rreth shërbimit dhe shoqërisë. Ai shkroi në ditarin e tij: “Dhënia e një favori shpesh çon në fitimin e një tjetri”1. [Shih sugjerimin 1 në faqen 272.]

Mësime të Lorenco Snout

Ne jemi fëmijë të të njëjtit Atë Qiellor dhe jemi dërguar në botë për t’i bërë të mira njëri-tjetrit.

Ne jemi fëmijë të të njëjtit Atë në botët çelestiale. … Nëse do ta njihnim njëri-tjetrin siç duhet, … ne do të ndiheshim më dashamirës nga sa jemi ndaj njerëzve të tjerë, dhe do të kishte një dëshirë nga çdo individ që të studionte me mendjen e vet si të mund të bënte gjëra të mira për vëllezërit e tij, si të mund t’u lehtësonte brengat dhe t’i ngrinte ata te e vërteta, si [ata të mund] të largonin errësirën nga mendjet e tyre. Nëse e kuptojmë njëri-tjetrin dhe marrëdhënien reale që kemi mes njëri-tjetrit, ne do të ndiheshim ndryshe nga si ndihemi tani; por kjo njohuri mund të fitohet vetëm kur fitojmë Shpirtin e jetës, dhe kur dëshirojmë të lartësojmë njëri-tjetrin në drejtësi.2

Ne jemi dërguar në botë për t’u bërë mirë të tjerëve; dhe duke u bërë mirë të tjerëve ne i bëjmë mirë vetes. Ne duhet ta kemi gjithmonë në mendjen tonë këtë, bashkëshorti në lidhje me bashkëshorten e tij, bashkëshortja në lidhje me bashkëshortin e saj, fëmijët në lidhje me prindërit e tyre, dhe prindërit në lidhje me fëmijët e tyre. Ka gjithmonë mundësi për t’i bërë mirë njëri-tjetrit.3

Unë i lutem Perëndisë, në emër të Jezusit, që ju dhe unë të mund të përpiqemi çdo ditë të jemi pak më shumë besnikë, që të mund të përpiqemi të jemi pak më të mirë sot sesa dje, që të mund të përpiqemi dhe të kemi pak më shumë dashuri dhe dhembshuri ndaj fqinjëve tanë, ndërsa na është thënë se nga kjo varet ligji dhe profetët, “ta duam Zotin, Perëndinë tonë, me gjithë fuqinë, me gjithë mendjen dhe me gjithë forcën tonë, dhe të duam të afërmin tonë porsi vetveten”. [Shih Mateu 22:37–40.] “T’u bëjmë të tjerëve, gjithçka, që dëshirojmë të na bëjnë ata”. Kjo është sipas ligjit dhe profetëve. [Shih Mateu 7:12.] Këto janë parime që nevojitet t’i mësojmë dhe duhet t’i mësojmë. … Ne duhet të jemi miq kudo dhe me këdo. Nuk ka shenjtor të ditëve të mëvonshme që urren botën: por ne jemi miq ndaj botës, ne jemi të detyruar të jemi, gjersa bëhet fjalë për ta. Ne duhet të mësojmë të shprehim dashurinë tonë hyjnore dhe mundin tonë në dobi të të gjithë njerëzimit. Ky është misioni i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme – jo thjesht ta kufizojmë dashurinë tonë hyjnore te vetja jonë, por ta shtrijmë jashtë, gjersa duhet domosdo të shtrihet tek i gjithë njerëzimi.4

Jini të ndershëm, të drejtë dhe të mëshirshëm, duke ushtruar një frymë fisnikërie dhe perëndishmërie në gjithë synimet e vendimet tuaja – në të gjitha veprimet e sjelljet tuaja. Zhvilloni te vetja një qëndrim të dashurisë hyjnore; jini të gatshëm për të bërë për të tjerët më shumë nga sa do të prisnit prej tyre, nëse rrethanat do të ktheheshin në të kundërt. Kini dëshirën të jini të mrekullueshëm, jo në opinionin e njerëzve me mendje si të botës, por në sytë e Perëndisë, dhe të jeni të mrekullueshëm në këtë kuptim, “Duaje Zotin, Perëndinë tonë, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde, dhe të afërmin tënd si vetveten”. Ju duhet ta doni njerëzimin sepse ata janë vëllezërit tuaj, fëmijë të Perëndisë. Lutuni me zell për këtë shpirt bamirësie, këtë shtrirje mendimi e ndjenjash, dhe për fuqinë e aftësinë për të punuar me zell në dobi të mbretërisë së Mesias.5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 272.]

Lumturia jonë rritet kur ndihmojmë të tjerët të gjejnë lumturi.

Ne duhet të kemi brenda vetes një dëshirë të fortë për t’u bërë mirë të tjerëve. Kurrë të mos mendojmë aq shumë rreth vetes. E mira do të vijë te ne normalisht nëse i mbajmë mendjet tona të përqendruara tek ata përtej vetes sonë dhe përpiqemi t’i bëjmë të tjerët më të lumtur dhe t’i sjellim pak më afër Zotit. … Kur e shihni veten pak të zymtë, shihni përreth jush dhe gjeni dikë që është në një gjendje më të vështirë se ju; shkoni tek ai dhe zbuloni se cili është shqetësimi, pastaj përpiquni ta largoni atë me urtësinë që Zoti ju ka dhënë; dhe gjëja e parë që do të mësoni: trishtimi juaj ka ikur, ju ndieni dritë, Shpirti i Zotit është mbi ju, dhe çdo gjë duket e ndriçuar.6 [Shih sugjerimin 3 në faqen 272.]

Kur kërkojmë së pari të kënaqim mungesat dhe nevojat e të tjerëve, ne përmirësojmë më shpejt vetveten.

Një nga gjërat më të mira që një i ri apo e re mund të mbajë parasysh, në përpjekjen për të qenë i/e mrekullueshëm/me, është të ndihmojë edhe të tjerët të jenë të mrekullueshëm; dhe të mos i dhimbset të shpenzojë pak kohë për të përmirësuar të tjerët. Mënyra më e mirë për të përmirësuar veten është ta ushtrojmë veten në bërjen mirë të tjerëve. Mbajeni këtë në mendje vazhdimisht.7

Në ndjekjen e çfarëdo lloj studimi, një njeri duhet të vazhdojë të punojë, dhe pasi ka mbaruar me një drejtim, duhet të kalojë përmes një tjetri, dhe të vazhdojë të punojë me qëllim që ta bëjë veten të aftë t’i fitojë ato, dhe ai nuk do t’i fitojë kurrë aq mirë sa do të arrinte nëpërmjet ndarjes me të tjerët të informacionit që po mëson. Lëreni të shkojë të punojë e të mbledhë miqtë e tij dhe të përpiqet t’u japë atyre të njëjtën njohuri që ka marrë vetë, dhe atëherë ai fillon ta gjejë veten të ndriçuar për sa i përket atyre gjërave, të cilat nuk do t’i kishte njohur kurrë, veçse nëpërmjet ndjekjes së këtij drejtimi mësimdhënës dhe ndarjes së dijeve që zotëronte me të tjerët. Cilido që ka qenë mësues shkolle do të më kuptojë mirë mbi këtë pikë. …

Le të kujtojë një njeri se ka të tjerë që janë në padituri dhe që nuk kanë përparuar aq shumë në njohuri, urtësi dhe inteligjencë, dhe le ta ndajë atë njohuri, inteligjencë dhe fuqi me miqtë dhe vëllezërit e tij, duke qenë se ka përparuar më larg se ta, dhe duke vepruar në këtë mënyrë ai shpejt do të zbulojë se mendja e tij do të zgjerohet, dhe se drita e njohuria që pati fituar, do të rriten dhe shumëfishohen më shpejt. …

Nëse doni të siguroni miqësinë dhe dashurinë e miqve tuaj, shkoni të punoni dhe t’i ngushëlloni me atë dritë që keni marrë, duke kujtuar se ato bekime erdhën nga Perëndia dhe se duke bërë këtë ju po bëni atë që çdo njeri duhet të bëjë. …

Tani një individ me qëllim që të sigurojë bekimet më të larta dhe më të mëdha për veten, me qëllim që të sigurojë miratimin e të Plotfuqishmit dhe me qëllim që vazhdimisht të përmirësohet në gjërat që kanë lidhje me drejtësinë, duhet t’i bëjë të gjitha këto gjëra aq mirë sa mundet. Le të shkojë të punojë dhe të jetë i gatshëm të sakrifikojë në dobi të miqve të tij. Nëse do që ta ngrejë veten, parimi më i mirë me të cilin mund ta bëjë këtë, është të ngrejë miqtë e tij. …

… Le të ndriçohen mendjet tuaja që të kuptoni dhe të kujdeseni për interesin e miqve tuaj që janë përreth jush, dhe atje ku jeni në gjendje për t’u sjellë dobi miqve tuaj veproni kështu, dhe duke vepruar kështu do të shihni se ato gjëra që ju nevojiten, do t’ju vijnë në dorë më shpejt sesa po të punonit tërësisht për t’i arritur ato për vete pa menduar për interesat e miqve tuaj. Unë e di se ky është një parim i dobishëm dhe i rëndësishëm.8 [Shih sugjerimin 4 në faqen 272.]

Kur sakrifikojmë për të mirën e të tjerëve, ne fitojmë cilësi qiellore.

Ne duhet thjesht të ndiejmë … se ka njerëz të tjerë pranë nesh; ne duhet të vështrojmë në zemrat dhe ndjenjat e të tjerëve, dhe të bëhemi më hyjnorë sesa jemi tani.

… Ne do të duhet të sakrifikojmë veten për të mirën e atyre me të cilët shoqërohemi. Ne e shohim këtë te Shpëtimtari dhe te vëllai Jozef, dhe ne e shohim atë te Presidenti ynë [Brigam Jang]. Jezusi, Jozef Smithi dhe vëllai Brigam kanë qenë gjithmonë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka që kishin për të mirën e njerëzve; kjo është ajo që i jep vëllait Brigam fuqi me Perëndinë dhe fuqi me njerëzit, është ndjenja e vetëmohimit që ai shfaq gjithë kohën. Kështu është me të tjerët; pikërisht në masën e gatishmërisë për të sakrifikuar për të tjerët, ata përmirësojnë perëndishmërinë e tyre, dhe bekimet e botëve të përjetshme janë mbi ta, dhe janë ata që do të sigurojnë jo vetëm të drejtat e kësaj bote, por do të sigurojnë bekimet e përjetësisë. Pikërisht në masën që ju … sakrifikoni për njëri-tjetrin, pikërisht në atë masë ju do të përparoni në gjërat e Perëndisë. Tani nëse doni të fitoni cilësi qiellore brenda vetes dhe të futeni në qiell, ju duhet të ndiqni atë drejtim që ndjekin engjëjt që janë në qiell. Nëse doni të dini në ç’mënyrë duhet të rriteni, do t’jua tregoj unë, është me anë të marrjes së perëndishmërisë brenda jush.

… Individët mund të gëzojnë parajsën përreth tyre në të gjitha vendet. Ne duhet të punojmë fort dhe ta bëjmë këtë; ne duhet të punojmë fort dhe të vendosim parajsën mbi këtë tokë, pavarësisht ligësisë që ekziston përreth nesh, të këqijave që janë përreth nesh, dhe pavarësisht poshtërsisë që ekziston, përsëri ne duhet të punojmë fort dhe të vendosim parajsën mbi këtë tokë.

Një person nuk mund ta gëzojë kurrë parajsën gjersa të mësojë si ta fitojë atë dhe të veprojë sipas parimeve të saj. Tani mendoni rreth disa individëve dhe kthehuni e mendoni për rrethanat ku gjendeshin ata 20 vite përpara, … kur kishin një masë gëzimi, paqeje, lumturie në atë kohë edhe pse gjërat ishin të mundimshme. Tani, ata mund të kenë siguruar kushte të rehatshme dhe para të mjaftueshme për të kënaqur dëshirat dhe nevojat e tyre fizike, por nëse nuk kanë siguruar miq, apo ndjenjat e mira të vëllezërve të tyre, ata nuk janë të lumtur dhe kjo edhe më shumë nga sa ishte 20 vite përpara.

… Ju bekoftë Zoti vëllezër dhe motra, dhe mendofshi për këto gjëra, dhe le ta duam njëri-tjetrin dhe të jetojmë në mënyrë që të mund të ekzaltohemi aq sa Zoti do të na japë urtësi e aftësi, dhe të fitojmë besim te njëri-tjetri.9 [Shih sugjerimin 5 në faqet 272–273.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Shihni përsëri tregimin në faqet 265 dhe 267. Kur keni parë se “dhënia e një favori shpesh çon në fitimin e një tjetri”?

  2. Presidenti Snou na kujtoi se jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë (faqet 267–268). Si duhet të ndikojë kjo njohuri te veprimet tona ndaj njëri-tjetrit? Çfarë mundësish ofron Shoqata e Ndihmës për gratë që të bëjnë mirë për të tjerët? Çfarë mundësish ofron një kuorum priftërie për burrat që të bëjnë mirë për të tjerët?

  3. Meditoni paragrafin e fundit në faqen 268. Përse lumturia jonë rritet kur ndihmojmë të tjerët të gjejnë lumturi? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta mësojnë këtë të vërtetë?

  4. Përse mendoni se rritemi në urtësi kur i ndajmë njohuritë tona me të tjerët? (Për disa shembuj, shihni faqet 269–271. Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë treguar të vërtetën e këtij parimi?

  5. Studioni pjesën në fillim të faqes 271. Përse mendoni se veprime të thjeshta shërbimi kanë fuqi të na afrojnë më shumë me parajsën? Ndërsa meditoni mesazhet në këtë kapitull, mendoni rreth mënyrave si mund ta bëni shtëpinë tuaj një vend më parajsor.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 25:31–45; Lluka 6:36–38; Mosia 2:17; 4:14–27; DeB 81:5; 82:3

Ndihmë për Mësimdhënien: “Është më mirë të përzgjedhësh vetëm disa ide të mira dhe të arrish diskutim të mirë – dhe të mësuar të mirë – sesa të jesh plot nxitim, në përpjekjen për të dhënë mësim çdo fjalë në manual. … Një atmosferë pa nxitim është tërësisht thelbësore nëse doni të keni Shpirtin e Zotit të pranishëm në orën tuaj mësimore” (Jeffrey R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 91).

Shënime

  1. Journal of Lorenzo Snow, 1841–1847, Church History Library, f. 39–42.

  2. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  3. Në Conference Report, prill 1899, f. 2.

  4. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

  5. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 486–487.

  6. Në Conference Report, prill 1899, f. 2–3.

  7. Improvement Era, korrik 1901, f. 714.

  8. Deseret News, 11 mars 1857, f. 3; në burimin origjinal faqja 3 është shënuar gabimisht si faqe 419.

  9. Deseret News, 11 mars 1857, f. 4.

Duke udhëtuar nëpër shtetin e Ajouas, familja Snou u ndihmua nga dikush që ata e patën ndihmuar një ditë më parë.

“Le të ndriçohen mendjet tuaja që të kuptoni dhe të kujdeseni për interesin e miqve tuaj që janë përreth jush.”