Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: ‘Për Perëndinë Çdo Gjë Është e Mundur’


Kapitulli 14

“Për Perëndinë Çdo Gjë Është e Mundur”

“Natyra e këtyre kërkesave ndaj nesh [është] e tillë që asnjë person nuk mund të pajtohet me to, pa ndihmë nga i Plotfuqishmi. … Ai e ka premtuar këtë ndihmë.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Presidenti Lorenco Snou ishte punëtor, që ndiqte këshillën e vet të përsëritur shpesh: “Ne duhet të përpiqemi vetë. … Të qëndruarit kot pa e vënë veten në veprim është pa dobi.”1 Por ai e pranonte se, në dëshirën e tij për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë, përpjekjet e veta nuk do të mjaftonin kurrë pa hirin e Perëndisë – ose “ndihmën e mbinatyrshme”2 siç e quante shpesh atë. Prandaj, ndërsa i nxiste anëtarët e Kishës që të punonin fort në “zhvillimin e parimeve [të drejta]”, njëkohësisht deklaronte se “ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të kuptojmë dhe të mbajmë mend se shpëtimi vjen nëpërmjet hirit të Perëndisë”3. Ai dëshmoi se Perëndia do t’i shtojë forcën e Tij përpjekjeve tona: “Aty ku Zoti na vendos, aty duhet të qëndrojmë; kur na kërkon që të nxisim veten për të mbështetur këto parime të shenjta, atë duhet të bëjmë; kjo është e gjitha rreth së cilës duhet të shqetësohemi; për të tjerat do të kujdeset Ati ynë Qiellor”4.

Motra e Presidentit Snou, Eliza, vërejti se ai jetoi besnik ndaj kësaj mësimdhënieje. Ajo e përshkroi atë si një burrë që kishte “mirëbesim të patundur në fuqinë dhe hirin ndihmues [të Perëndisë]”. Ajo tha se ai “e dinte në cilin besonte” dhe prandaj qe në gjendje të duronte “çdo vështirësi, çdo kundërshtim” dhe “të kapërcente çdo pengesë”5.

Lorenco Snou e tregoi mirëbesimin e tij në fuqinë ndihmuese të Perëndisë kur udhëtoi për të shërbyer në mision në 1840-ën në Angli. Në udhëtimin 42-ditor përmes Oqeanit Atlantik, ai dhe bashkudhëtarët e tij vuajtën mes tre shtrëngatash të mëdha. Ai më vonë tregonte se këto ishin “shtrëngata të tmerrshme – shtrëngata të cilat ata që ishin mësuar me oqeanin, i quanin shumë të rrezikshme”. Ai vuri re një ndryshim midis reagimit të tij ndaj shtrëngatave dhe reagimit të disa udhëtarëve të tjerë: “Në një numër rastesh, për të thënë më të paktën, skena ishte frikshëm tmerruese. Unë nuk u befasova që burra, gra e fëmijë, të cilët nuk qenë mësuar të besonin në Perëndi, shqetësoheshin dhe vuanin nga frika e qanin. Besimi im ishte tek Ai që krijoi detet dhe përcaktoi kufijtë e tyre. Unë isha me porosi të Tij – unë e dija se isha dërguar në këtë mision nga autoriteti që njeh Ai dhe, edhe pse forcat e natyrës tërboheshin dhe anija lëkundej e dridhej mes valëve të fuqishme, Ai po drejtonte anijen dhe jeta ime ishte e sigurt nën kujdesin e Tij.”6

Shumë vite më vonë, kur Lorenco Snou u bë President i Kishës, ai përsëri gjeti ngushëllim në njohurinë e tij se Zoti po drejtonte anijen. Në një mbledhje mbajtur më 13 shtator 1898, Kuorumi i Të Dymbëdhjetë Apostujve njëzëri shprehu angazhimin për ta mbështetur atë si President të Kishës. Një procesverbal i mbledhjes bën të njohur se ai atëherë u ngrit dhe tha se “nuk kishte vlerë që të paraqiste justifikime si paaftësi etj., për të mos marrë përsipër përgjegjësitë e pafund që kishte pozicioni. … Ai ndiente se i takonte të bënte më të mirën që mundej dhe të mbështetej te Zoti.”7 [Shih sugjerimin 1 në faqen 187.]

Mësime të Lorenco Snout

Me ndihmën e Perëndisë, mund të bëjmë çdo gjë që kërkohet prej nesh.

Unë dëshiroj të flas në një mënyrë që do të jetë për lartësimin dhe përmirësimin tonë reciprok në ato gjëra që lidhen me shpëtimin tonë. Për këtë qëllim dëshiroj besimin dhe lutjet e të gjithë atyre që besojnë në shikimin te Zoti për udhëzim dhe inteligjencë.

Ne duhet të kuptojmë marrëdhënien që kemi me Zotin, Perëndinë tonë, dhe pozitën e veçantë që zëmë. Për të përmbushur siç duhet detyrimet që kemi, ne kërkojmë ndihmë të mbinatyrshme. …

… Jezusi i tha [një] të riu, i cili erdhi tek ai dhe donte të dinte se çfarë duhej të bënte që të trashëgonte jetë të përjetshme, që të “zbatonte urdhërimet”. I riu u përgjigj se i kishte mbajtur këto urdhërime për të cilat bëhej fjalë që nga rinia e tij dhe në vazhdim. Shpëtimtari, duke e parë atë, pa se kishte ende diçka që mungonte. I riu e pati mbajtur ligjin moral, ligjin që i ishte dhënë Moisiut, dhe për këtë Jezusi e deshi atë, por pa se kishte një gjë që mungonte. Ai ishte një burrë i pasur dhe kishte ndikim në botë për shkak të pasurisë së tij të madhe. Jezusi e dinte se, përpara se të mund ta lartësonte atë, apo këdo njeri tjetër në botën çelestiale, ishte e nevojshme që ai duhej të ishte i nënshtruar në të gjitha gjërat, dhe ta shihte bindjen ndaj ligjit çelestial si më të rëndësishmen. Jezusi e dinte se çfarë kërkohej nga çdo njeri për të fituar kurorën çelestiale – që asgjë nuk duhej të ishte më e dashur se bindja ndaj kërkesave të qiellit. Shpëtimtari pa te ky i ri një kapje pas diçkaje që nuk ishte në përputhje me ligjin e mbretërisë çelestiale. Ai pa, ndoshta, një prirje tek ai që të mbahej te ndjenjat e tij, tek ajo që ishte e rrezikshme për të, dhe që do ta bënte bindjen ndaj urdhërimeve të parehatshme apo të pamundur, prandaj i tha se duhej të shkonte dhe të shiste gjithçka që kishte dhe “t’ua jepte të varfërve dhe ta ndiqte atë”.

Ky urdhërim e bëri të riun të ndihej i mërzitur dhe i trishtuar. Ai i shihte pasuritë si një objekt të mrekullueshëm në jetë, gjersa i sillnin atij ndikim në botë dhe të gjitha gjërat që ishin të dëshirueshme, gjersa i siguronin atij bekimet dhe gëzimet e jetës, dhe si mjete për ta ngritur atë në pozita të larta në shoqëri. Ai nuk mund ta mendonte idenë e arritjes së bekimeve, gëzimeve e privilegjeve në jetën e një njeriu dhe të gjërave të tilla siç i donte ai natyrisht, pa pasurinë e tij. Por ungjilli kishte fuqinë të siguronte çdo gjë që ishte e nevojshme për të plotësuar nevojat e kërkesat e njeriut dhe për ta bërë atë të lumtur. Pasuritë nuk qenë planifikuar për ta bërë këtë; dhe Zoti donte që ai të hiqte dorë nga këto ide dhe t’i largonte ato nga mendja dhe ndjenjat e tij, në mënyrë që të mund t’i siguronte të gjitha gjërat atij si shërbëtor i tij. Ai donte që ky njeri të ishte tërësisht i përkushtuar në shërbim të tij, të shkonte në punën e tij me qëllim të plotë të zemrës dhe të ndiqte nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, dhe ta përgatiste veten për lavdinë çelestiale. Por ky i ri nuk ishte i gatshëm; ishte një sakrificë tepër e madhe. Dhe Shpëtimtari tha mbi këtë rast: “Sa me vështirësi do të hyjnë ata që kanë pasuri në mbretërinë e qiejve. Është më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

Dishepujt “u habitën tej mase” me këtë, “duke thënë midis tyre: ‘Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?’” Ata menduan se asnjë njeri nuk mund të kishte pasuri dhe të shpëtohej në mbretërinë e Perëndisë. Kjo ishte ideja që morën nga vërejtjet e Shpëtimtarit. Por Jezusi iu përgjigj: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por jo për Perëndinë, pasi për Perëndinë çdo gjë është e mundur”. [Shih Mateu 19:16–26; shih gjithashtu Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 19:26, shënim në fund të faqes a, dhe të Markut 10:27, shënim në fund të faqes a.]8 [Shih sugjerimin 2 në faqen 187.]

Perëndia ka premtuar të na ndihmojë në përpjekjet tona vetjake për ta jetuar ungjillin.

Ne, të vetëm, kurrsesi nuk mund t’u bindemi të gjitha urdhërimeve që Perëndia ka dhënë për ne. Vetë Jezusi nuk mund ta përmbushte veprën e Tij pa ndihmë hyjnore nga Ati i Tij. Ai tha në një rast: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar”. [Gjoni 5:30.] Gjersa ishte e nevojshme për Atë, Zotin tonë, të kishte ndihmë hyjnore, edhe ne do ta gjejmë aq më tepër të rëndësishme të marrim ndihmën e Tij. Dhe në çdo rrethanë e kusht përreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, ndërkohë që kryejnë detyrat e tyre, ata kanë të drejtë për ndihmë të mbinatyrshme nga Shpirti i Shenjtë, që t’i ndihmojë në kushtet e ndryshme që i rrethojnë dhe në detyrat që u kërkohet të kryejnë.

… Unë nuk mund të përfytyroj ndonjë gjë që është kaq shumë e rëndësishme sa puna për të arritur vetë ekzaltimin dhe lavdinë personale. Kjo pa dyshim është një qëllim i madh për të cilin erdhëm në botë. … Asnjë burrë apo grua nuk duhet të shkurajohet kur ndien se nuk mund të plotësojë atë që do të donte të plotësonte, por ne të gjithë duhet të bëjmë atë që mundemi për kryerjen e punës së madhe për të cilën jemi këtu.9

Natyra e fesë që kemi pranuar, kërkon një drejtim të caktuar sjelljeje që asnjë fe tjetër që njohim nuk ua kërkon anëtarëve të saj; dhe natyra e këtyre kërkesave ndaj nesh [është] e tillë që asnjë person nuk mund të pajtohet me to, pa ndihmë nga i Plotfuqishmi. Është e nevojshme që të kuptojmë, të paktën pjesërisht, bekimet e mëdha dhe të rëndësishme që duhet të marrim përfundimisht duke u pajtuar me kërkesat e fesë apo të ungjillit që kemi pranuar. Sakrificat që kërkohen prej nesh janë të një natyre që asnjë burrë apo grua nuk mund t’i bëjë pa u ndihmuar nga një fuqi e mbinatyrshme; dhe Zoti, duke propozuar këto kushte, kurrë nuk synoi që njerëzve të tij t’u kërkohej të pajtoheshin me to pa ndihmë të mbinatyrshme, dhe madje nga ajo lloj ndihme, që nuk është predikuar nga ndonjë kategori tjetër njerëzish fetarë. Ai e ka premtuar këtë ndihmë. …

Këto kërkesa … janë dhënë në çdo epokë e periudhë kur Perëndia i ftoi njerëzit t’i shërbenin dhe të merrnin ligjet e tij. Ato u dhanë në ditët e Izraelit, në fillimin e këtij populli. Ato iu kërkuan Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Ato iu kërkuan Moisiut dhe popullit që ai nxori nga skllavëria egjiptiane. Ato u kërkuan nga të gjithë profetët që ekzistuan që nga ditët e Adamit deri në periudhën e tanishme të kohës. Ato u kërkuan nga apostujt që e morën autoritetin e tyre nëpërmjet vendosjes së duarve prej Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë së gjallë, dhe nga anëtarët e fesë të cilën apostujt e shpallën dhe e dhanë mësim për njerëzit në kohën e tyre, dhe asnjë burrë apo grup burrash apo klasë njerëzish nga koha e Adamit deri në kohën e tanishme nuk mund të pajtohet me këto kërkesa, përveç njerëzve të Perëndisë, kur iu dhurua fuqi nga lart, fuqi e cila mund të jepet vetëm nga Zoti Perëndia ynë.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 187.]

Kur marrim pjesë në punën e Perëndisë, kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë.

Çfarëdo që mund të ndërmerrni për çuarjen më tej të interesave të Sionit, ju duhet të mbështeteni te Zoti për suksesin e saj.11

Mendja e një njeriu duhet të jetë vetëm te lavdia e Perëndisë në çdo gjë që ai fillon të kryejë. Ne duhet të kemi parasysh se vetë nuk mund të bëjmë asgjë. Ne jemi fëmijë të Perëndisë. Ne jemi në errësirë, [veç nëse] Perëndia ndriçon kuptimin tonë. Ne jemi të pafuqishëm, [veç nëse] Perëndia na ndihmon. Puna që duhet të bëjmë këtu është e asaj natyre që nuk mund ta bëjmë veç në kemi ndihmën e të Plotfuqishmit. … Në këtë është shqetësimi i madh me njerëzit e botës, dhe aq më shumë me Pleqtë e Izraelit; ne harrojmë se po punojmë për Perëndinë; harrojmë se jemi këtu me qëllim që të realizojmë disa qëllime që i kemi premtuar Zotit se do t’i kryejmë. Është një punë e lavdishme kjo në të cilën jemi angazhuar. Është puna e të Plotfuqishmit; dhe Ai ka përzgjedhur burrat dhe gratë të cilët i njeh nga përvoja e kaluar se do t’i realizojnë qëllimet e Tij.12

Kjo punë në të cilën ju dhe unë jemi angazhuar mund të përparojë dhe të çohet më tej vetëm nëpërmjet bekimeve të Perëndisë mbi përpjekjet tona besnike e të ndershme dhe vendosmërinë tonë për të përmbushur punët për të cilat kemi ardhur në këtë ekzistencë. Kur shohim prapa përvojat nëpër të cilat kemi kaluar, ne e kuptojmë me lehtësi se mbarësia jonë ka qenë në varësi të përpjekjeve tona të ndershme për të përmbushur punën e Perëndisë, për të punuar në interes të njerëzve dhe për ta çliruar sa më shumë veten nga egoizmi. Meqë ka qenë po kështu në të kaluarën, ne mund të besojmë plotësisht se përparimi ynë i ardhshëm do të varet nga vendosmëria jonë për të bërë vullnetin e Perëndisë në të gjitha rrethanat dhe nga ndihma që Ai do të na japë.13 [Shih sugjerimin 4 në faqen 187.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Rishikoni rrëfimin në faqet 181–182. Përse mendoni se njerëzit që besojnë në Perëndi reagojnë ndaj sprovave aq ndryshe nga njerëzit që nuk besojnë në Perëndi?

  2. Meditoni mbi historinë e Shpëtimtarit dhe të riut pasanik (faqet –184). Cilat janë disa gjëra mbi të cilat njerëzit vendosin zemrën e tyre që mund t’i bëjnë të “ikin të trishtuar”? Përse kemi nevojë që t’i “largo[jmë]” gjëra të tilla nga jeta jonë përpara se të mund të marrim bekimet më të mëdha të Zotit?

  3. Presidenti Snou na mësoi se madje Shpëtimtari kishte nevojë për “ndihmë hyjnore” për të “përmbush[ur] veprën e Tij” (faqe 184). Si mund t’i përdorni fjalët e Presidentit Snou për të ndihmuar dikë që ndihet i mangët në plotësimin e kërkesave të të jetuarit sipas ungjillit?

  4. Studioni pjesën e fundit të këtij kapitulli (faqet 186–187). Përse mendoni se ne ndonjëherë nuk i kërkojmë Perëndisë ndihmën e Tij? Mendoni rreth asaj që mund të bëni për ta marrë më shumë ndihmën e Tij në jetën tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Filipianëve 4:13; 2 Nefi 10:23–24; 25:23; Jakobi 4:6–7; Mosia 24:8–22; Nenet e Besimit 1:3

Ndihmë për Mësimdhënien: “Caktoni pjesëmarrës të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht ose në grupe të vogla). Kërkojuni atyre të kërkojnë mësime në kapitull që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini ata të ndajnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre me pjesën tjetër të grupit” (faqe VII në këtë libër).

Shënime

  1. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  2. Deseret News, 14 janar 1880, f. 786.

  3. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  4. Deseret News, 28 tetor 1857, f. 270.

  5. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 116–117.

  6. Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 49.

  7. Në Journal History, 13 shtator 1898, f. 4.

  8. Deseret News, 14 janar 1880, f. 786.

  9. Në Conference Report, prill 1898, f. 12.

  10. Deseret News, 14 janar 1880, f. 786.

  11. Improvement Era, korrik 1899, f. 708.

  12. Deseret Weekly, 12 maj 1894, f. 638.

  13. Në Conference Report, prill 1901, f. 1.

Përpara se të shëronte një njeri të verbër, Shpëtimtari tha: “Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar” (Gjoni 9:4).

“Puna në të cilën ju dhe unë jemi angazhuar mund të përparojë dhe të çohet më tej vetëm nëpërmjet bekimeve të Perëndisë mbi përpjekjet tona besnike e të ndershme.”