Mësime të Presidentëve
Hyrje


Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar të thelloni kuptueshmërinë tuaj për ungjillin e rivendosur dhe për t’ju afruar Zotit nëpërmjet mësimeve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Vëllimet në këtë seri janë hartuar që të përdoren si për studim personal, ashtu edhe për udhëzim të dielave. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.

Ky libër paraqet mësime të Presidentit Lorenco Snou, që shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që nga 13 shtatori 1898 deri më 10 tetor 1901.

Studim Personal

Kur të studioni mësimet e Presidentit Lorenco Snou, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të kuptoni mësimet e Presidentit Snou dhe t’i zbatoni ato në jetën tuaj. Ndërsa i studioni këto mësime, mund të dëshironi të mendoni për mënyra se si mund t’i ndani ato me pjesëtarë të familjes dhe miq. Kjo do ta forcojë kuptueshmërinë tuaj të asaj që lexoni.

Mësimdhënia nga Ky Libër

Ky libër është hartuar për përdorim në shtëpi dhe në mbledhjet e Kishës. Orientimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër.

Përgatituni të Jepni Mësim

Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studioni plot lutje kapitullin që ju është caktuar, që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Snou. Ju do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur fjalët e tij t’ju kenë ndikuar personalisht (shih DeB 11:21).

Nëse po jepni një mësim për Priftërinë Melkizedeke ose Shoqatën e Ndihmës, ju nuk duhet ta lini mënjanë këtë libër apo të përgatisni mësime nga materiale të tjera. Përzgjidhni me lutje nga kapitulli ato mësime që ju ndieni se do të jenë më të dobishme për ata që u mësoni. Disa kapituj përmbajnë më shumë material sesa do të jeni në gjendje të diskutoni gjatë orës së mësimit.

Nxitini pjesëmarrësit ta studiojnë kapitullin përpara mësimit dhe ta sjellin librin me vete. Kur e bëjnë këtë, ata do të përgatiten më mirë për të marrë pjesë në diskutime dhe për të lartësuar njëri-tjetrin.

Paraqitja e Kapitullit

Ndërsa paraqitni kapitullin dhe gjatë gjithë mësimit, përpiquni të krijoni një atmosferë ku Shpirti të mund të prekë zemrat dhe mendjet e atyre që u jepni mësim. Për ta nisur mësimin, ndihmoni ata që u jepni mësim që të përqendrohen te mësimet e kapitullit. Shqyrtoni idetë që vijojnë:

  • Lexoni dhe diskutoni seksionin me titull “Nga Jeta e Lorenco Snout” në fillim të kapitullit.

  • Diskutoni një figurë ose shkrim të shenjtë nga kapitulli.

  • Këndoni një himn që lidhet me kapitullin.

  • Ndani shkurt një përvojë personale mbi temën.

Udhëheqja e një Diskutimi mbi Mësimet e Presidentit Snou

Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftoni të tjerët të ndajnë mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë personale. Lejoni të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni të trajtoni të gjitha mësimet. Për të nxitur diskutimin, përdorni pyetjet e çdo kapitulli. Shënimet nëpër secilin kapitull u referohen atyre pyetjeve. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja posaçërisht për ata që po u jepni mësim.

Alternativat vijuese mund t’ju japin ide të tjera:

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre personal i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni disa pjesëmarrës gjatë javës dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të ndarë se çfarë kanë mësuar.

  • Caktoni pjesëmarrës të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht ose në grupe të vogla). Kërkojuni atyre të kërkojnë mësime në kapitull që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini ata të ndajnë mendimet dhe perceptimet e tyre me pjesën tjetër të grupit.

  • Lexoni së bashku një përzgjedhje të deklarimeve të Presidentit Snou nga kapitulli. Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë shembuj nga shkrimet e shenjta ose nga përvoja e tyre që ilustrojnë atë që dha mësim Presidenti Snou.

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar.

Nxitni Tregimin dhe Zbatimin

Mësimet e Presidentit Snou do të jenë shumë kuptimplote për pjesëmarrësit që ua tregojnë ato të tjerëve dhe i zbatojnë në jetën e tyre. Shqyrtoni idetë që vijojnë:

  • Pyetini pjesëmarrësit si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Snou në përgjegjësitë e tyre si prindër apo si mësues shtëpie ose mësuese vizitore.

  • Nxitini pjesëmarrësit të ndajnë disa nga mësimet e Presidentit Snou me anëtarët e familjes dhe me miqtë.

  • Ftojini pjesëmarrësit të zbatojnë atë që kanë mësuar, dhe të ndajnë përvojat e tyre në fillimin e orës tjetër mësimore.

Përfundimi i Diskutimit

Përmblidhni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Jepni dëshmi për mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të ndajnë dëshmitë e tyre.

Informacion mbi Burimet e Cituara në Këtë Libër

Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikime, shkrime të botuara, letra dhe ditarë të Presidentit Lorenco Snou. Në të gjitha citimet nga letrat dhe ditarët e tij, pikësimi, drejtshkrimi, përdorimi i germave të mëdha dhe ndarja në paragrafë janë standardizuar. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Për këto arsye, mund të vini re mospërputhje të vogla në tekst. Për shembull, fjala ungjill është me germë të vogël në disa citime dhe me të madhe në të tjera.

Gjithashtu, Presidenti Snou përdori shpesh terma të tilla si burra, burrë apo njerëzimi për t’iu referuar të gjithë njerëzve, si meshkuj edhe femra. Ai shpesh përdori përemrat ai, i tij dhe atë për t’iu referuar të dyja gjinive. Kjo qe e zakonshme në gjuhën e kohës së tij. Me gjithë ndryshimet mes këtyre shprehjeve gjuhësore dhe përdorimit të tanishëm, mësimet e Presidentit Snou zbatohen si për gratë edhe për burrat.