Kapitulli 15
Shërbim Besnik, Energjik në Mbretërinë e Perëndisë
“Duke e ditur se feja jonë është e vërtetë, ne duhet të jemi njerëzit më të përkushtuar në faqen e dheut ndaj kauzës që kemi përqafuar.”
Nga Jeta e Lorenco Snout
Nga fundi i 1851-shit, Presidenca e Parë botoi një letër në të cilën kërkonin që të gjithë anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve “të përfundonin punët e misioneve të tyre të ndryshme” dhe të ktheheshin në Solt-Lejk-Siti në prill të 1853-shit.1 Kështu misionit të Plakut Lorenco Snou në Itali po i afrohej fundit. Në shkurt të 1852-shit, ai e caktoi punën misionare aty nën udhëheqjen e Vëllait Xhon Daniel Malan, një i kthyer së fundi në besim, dhe udhëtoi me Plakun Xhabez Udard për në shtetin ishullor të Maltës. Nga Malta, Plaku Snou shpresonte të hipte në një anije për në Indi. Misionarët e parë në atë vend po punonin nën mbikëqyrjen e tij dhe ai ndieu një dëshirë të madhe për t’u bashkuar me ta. Prej andej planifikoi të “plotësonte lundrimin rreth globit”, duke u kthyer në shtëpi nga Oqeani Paqësor për në Shtetet e Bashkuara perëndimore.2
Planet e Plakut Snou ndryshuan kur ai dhe Plaku Udard arritën në Maltë. Ai mësoi se do të vonohej në ishull për disa javë pasi në Detin e Kuq ishte shkatërruar një anije me avull. Në vend që të ankohej për vonesën, vendosi të shkonte në punë. Në një letër që mban datën 10 mars 1852, shkruante: “Unë ndiej se shumë të mira do të vijnë nga mënyra me të cilën Zoti mund të drejtojë përdorimin e kohës që kam tani, ndërkohë që jam i rrethuar nga një popull interesant dhe në një fushë shumë interesante pune, ku një vepër e madhe do të përmbushet, duke u shtrirë te kombet në afërsi”. Ai njoftoi se pati kërkuar për Plakun Tomas Obrej, një misionar në Itali, “të vinte menjëherë dhe të sillte një furnizim të mirë me broshura dhe libra”. Ndërkohë që Plaku Snou nuk e dinte saktësisht se çfarë do të bënin ai dhe shokët e tij të misionit në Maltë, ai shprehu dëshirën për të krijuar një degë të Kishës atje. Ky veprim, tha ai, “do të thyente prangat shpirtërore të shumë kombeve, pasi maltezët në marrëdhëniet e tyre tregtare janë përhapur përgjatë brigjeve të Europës, Azisë dhe Afrikës”3.
Më 1 maj 1852, Plaku Snou dërgoi një letër ku raportonte për përparimin e punës në Maltë. Ai shkruante: “Njerëzit tani janë duke na vizituar vazhdimisht për të pyetur në lidhje me këtë ‘fe të çuditshme’; disa mbrëmje më parë, në banesën tonë private, patëm njëherësh zotërinj nga tetë kombe të ndryshme, që kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të qytetit për të diskutuar lidhur me doktrinat tona: midis tyre kishte njerëz nga Polonia dhe Greqia, të cilët tani po lexojnë me interes të madh veprat tona. Dy të rinj inteligjentë dhe energjikë, frytet e para të shërbesës sonë në këtë ishull, do të jenë në gjendje të ndihmojnë në çuarjen përpara të kauzës në të cilën jemi angazhuar; njërin nga të cilët e kemi shuguruar plak dhe është i aftë të flasë rrjedhshëm disa gjuhë.”4
Plaku Snou kurrë nuk e realizoi ëndrrën e tij që të shërbente në Indi dhe të lundronte rreth globit. Në vend të kësaj, ai ndoqi me zell vullnetin e Zotit gjatë qëndrimit të tij të papritur në Maltë, duke ndërtuar një themel për punën misionare atje. Kur më në fund mundi të hipte në një anije në maj të 1852-shit, ai shkoi nga perëndimi në vend që të shkonte nga lindja, në zbatim të udhëzimeve të udhëheqësve të tij për t’u kthyer në Solt-Lejk-Siti. Rreth dy muaj më vonë, Pleqtë Udard dhe Obrej organizuan një degë të Kishës në Maltë.5 [Shih sugjerimin 1 në faqen 199.]
Mësime të Lorenco Snout
Ngaqë kemi marrë plotësinë e ungjillit, ne shërbejmë si ambasadorë të Krishtit.
Ne i dëshmojmë të gjithë botës se e dimë, nëpërmjet zbulesës hyjnore, madje nëpërmjet shfaqjeve të Frymës së Shenjtë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, dhe se ai ia zbuloi veten Jozef Smithit po aq personalisht sa apostujve të tij në kohët e lashta pasi u ngrit nga varri, dhe që ai i bëri të njohura Jozef Smithit të vërtetat qiellore që janë e vetmja mënyrë nëpërmjet të cilave njerëzimi mund të shpëtohet. Kjo … përbën një pozitë shumë të rëndësishme dhe me përgjegjësi, duke ditur, siç e dimë, që Perëndia do të na mbajë përgjegjës për mënyrën se si e përdorim këtë mirëbesim të shenjtë që na ka dhënë.
Ne shfaqemi ashtu si apostujt e lashtë u shfaqën përpara botës, të cilët patën marrë nga Shëlbuesi i ringjallur thirrjen e tyre për të predikuar ungjillin e mbretërisë së Zotit tek të gjitha kombet, duke premtuar Dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet vënies së duarve mbi të gjithë njerëzit që u besuan fjalëve të tyre. Ndërsa ata, midis përndjekjes dhe kundërshtimit, për shkak të thirrjes dhe autorizimit të tyre, shpallnin me shumë siguri ungjillin të ishte fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që e besonin dhe i bindeshin, ne shpallim të njëjtat gjëra që shpallnin ata. Ashtu si ata predikonin, si thelbësore për shpëtimin, besimin në Zotin Jezu Krisht, pagëzimin për faljen e mëkateve dhe vendosjen e duarve, nga njerëz me autorizimin e duhur, për marrjen e Frymës së Shenjtë, ne predikojmë të njëjtat gjëra që predikonin ata. Ashtu sikurse ata me fuqinë e Frymës së Shenjtë u bënë dëshmitarë të Zotit Jezu Krisht dhe mbajtës besnikë të mesazhit të ungjillit të tij për të gjithë botën pagane, po ashtu, me dhe nëpërmjet të njëjtit Shpirt të Shenjtë, ne jemi bërë dëshmitarë të tij dhe, duke qenë të thirrur nga e njëjta thirrje hyjnore dhe e shenjtë, mbajmë rrjedhimisht të njëjtën pozitë.
Atëherë, duke mbajtur këtë pozitë, ne mbajmë të gjitha përgjegjësitë e ambasadorëve të Krishtit, ne bëhemi përgjegjës për veprimet tona vetjake dhe për mënyrën me të cilën ne i përdorim talentet e aftësitë që Zoti na ka dhënë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 199.]
Anëtarësia në Kishë është një thirrje për t’i ndihmuar të tjerët të marrin shpëtimin.
Kur Zoti thërret një individ ose grup individësh jashtë botës, nuk është gjithmonë me qëllim përfitimi për atë individ apo ata individë të veçantë. Qëllimi i Zotit nuk është thjesht shpëtimi i disa njerëzve që quhen shenjtorë të ditëve të mëvonshme … , por shpëtimi i të gjithë njerëzve, të gjallë e të vdekur. Kur Zoti e thirri Abrahamin, Ai i bëri disa premtime lidhur me lavdinë që duhej të vinte mbi të dhe pasardhësit e tij, dhe ne gjejmë këtë thënie të mrekullueshme në këto premtime: se në të dhe në farën e tij të gjitha kombet e tokës do të bekohen [shih Zanafilla 22:15–18; Abrahami 2:9–11]. … Plani i Zotit ishte të bekonte jo vetëm Abrahamin dhe pasardhësit e tij, por të gjitha familjet e tokës. …
… Kur Jezusi erdhi, Ai erdhi si një sakrificë jo thjesht për të ndihmuar Izraelin, apo pasardhësit e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, por të gjithë familjen njerëzore, që të gjithë njerëzit të mund të bekohen në Të, që të gjithë njerëzit të mund të shpëtohen në Të; dhe misioni i Tij ishte të bëheshin përgatitjet nëpërmjet të cilave e gjithë familja njerëzore të mund të merrte përfitimet e Ungjillit të përjetshëm, jo, siç them unë, vetëm Izraeli, por e gjithë raca njerëzore; dhe jo vetëm ata që banojnë në tokë, por gjithashtu ata në botën e shpirtrave. …
… Ne kemi të njëjtën Priftëri që kishte Jezusi, dhe ne duhet të veprojmë ashtu siç veproi Ai, të sakrifikojmë nga dëshirat e ndjenjat tona ashtu siç bëri Ai, ndoshta jo të martirizohemi për besimet tona siç bëri Ai, por ne duhet të bëjmë sakrifica me qëllim që të bëjmë të ndodhin qëllimet e Perëndisë dhe të jemi shpëtimtarë të botës, ose nuk do të jemi të denjë për këtë Priftëri të shenjtë. Perëndia synon të na bëjë shpëtimtarë jo vetëm të shumë njerëzve që tani banojnë në tokë, por të shumë njerëzve në botën e shpirtrave: Ai jo vetëm që do të na vendosë në një pozitë për të shpëtuar veten, por Ai do të na bëjë të aftë për të ndihmuar në shëlbimin e shumë filizave të të Plotfuqishmit.7 [Shih sugjerimin 3 në faqen 199.]
Çdo thirrje dhe përgjegjësi është e rëndësishme në punën e Zotit.
Tani çështja është, a e kuptojmë pozitën tonë, a e kuptojmë plotësisht natyrën e punës që kemi marrë përsipër të përmbushim? Unë ndonjëherë shtyhem të besoj se disa nga vëllezërit tanë, Pleq të Izraelit, janë tepër të gatshëm dhe plot me dëshirë për të shmangur detyrimet nën të cilat janë për shkak të besëlidhjeve të tyre, besimi që kishin dikur duket thuajse i shuar, dhe ata duket të jenë shtruar në kënaqësinë e qetë të një anëtarësie formale e pa vepra në Kishë.
Ka të tjerë që mendojnë se, ngaqë emrat e tyre nuk janë shumë gjerësisht të njohur, ngaqë ata ndoshta … nuk po ndikojnë te shumë njerëz, nuk ka shumë rëndësi se çfarë zakonesh përvetësojnë, apo çfarë lloj shembujsh japin për vëllezërit e tyre. Por atëherë, nëse do të mbanin pozita me përgjegjësi, të tilla si Presidenca e Kishës, apo Këshilltar (në Presidencën e Parë), ose nëse do t’i përkisnin Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ose nëse do të ishin Presidentë të Këshillit të Lartë, apo të Priftërinjve të Lartë apo të Të Shtatëdhjetëve, atëherë ata do ta konsideronin të rëndësishme mënyrën se si do të silleshin. Kështu ata manifestojnë një dobësi të madhe apo padituri të rëndë, llamba e tyre ose po shuhet ose ata nuk e kanë kuptuar kurrë pozitën që kanë zënë duke marrë përsipër përgjegjësitë e ungjillit.
Neve na është treguar në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit se mbretëria e qiellit është si një zot shtëpie që, kur do të udhëtonte në një vend të largët, ia dha pasuritë e tij shërbëtorëve të vet. Njërit i dha pesë talenta, një tjetri dy dhe një tjetri një. Ai që mori pesë talentat shkoi e bëri tregti, dhe bëri edhe pesë talenta të tjera, duke e dyfishuar sasinë që i qe mirëbesuar, dhe gjithashtu ai që kishte marrë dy talenta shkoi e fitoi edhe dy të tjera. Por ai që mori një talent, shkoi dhe e groposi në tokë dhe e fshehu denarin e zotit të tij. Ai pa dyshim mendonte se përgjegjësia e tij ishte aq e vogël saqë nuk mund të bënte shumë, dhe si rrjedhim nuk do ta ushtronte një talent me aq pak vlerë. [Shih Mateu 25:14–30.] A nuk i përshtatet drejtpërdrejt kjo gjendjes së disa prej pleqve tanë? Një plak thotë: “Unë jam thjesht një zdrukthëtar, apo rrobaqepës, ose ndoshta thjesht ndihmësmurator, prandaj nuk ka shumë rëndësi se si sillem, nëse i kryej apo nuk i kryej ndershmërisht detyrat e mia në fushën time të thjeshtë. Por do të ishte shumë ndryshe nëse do të veproja në një pozitë disi më me përgjegjësi e të shquar.”
Ndal, vëllai im; mos e lejo veten të mashtrohesh nga ndjenja të tilla joshëse. Është e vërtetë se mund të jeni thjesht një ndihmësmurator, por kujtoni që jeni një plak në Izrael, ju jeni një ambasador i Zotit Jezu Krisht dhe, nëse po e plotësoni detyrën tuaj, jeni në zotërim të asaj që bota nuk mund t’jua japë apo t’jua marrë; dhe mbaheni përgjegjës para Perëndisë për përdorimin e ndershëm të talentit për të cilin ju ka dhënë përgjegjësi, qoftë ai i madh apo i vogël.
Gjithsesi, ju ushtroni në një farë mase ndikim, madje edhe nëse është i vogël, ai ndikon te një apo te disa persona dhe për rezultatin e ndikimit që ushtroni, ju mbaheni pak a shumë përgjegjës. Prandaj, pavarësisht nëse e dini apo nuk e dini, keni marrë një rëndësi përpara Perëndisë dhe jeni një njeri që nuk mund të anashkalohet dhe nga kjo ju nuk mund të liroheni nëse dëshironi të mbështesni emrin që mbani.
Dhe cilat janë perspektivat e atij individi? Unë them se nëse ai nderon thirrjen e tij dhe gjendet besnik ndaj besimit që i është dhënë, perspektivat e tij për shpëtim dhe ekzaltim në mbretërinë e Perëndisë janë po aq të mira sa të çdo njeriu tjetër. Nëse ai e kupton pozitën e tij dhe jeton sipas saj, perspektivat e tij janë po aq të mira sa të kujtdo njeriu që ka jetuar ndonjëherë qysh nga koha e atit Adam deri në çastin e tanishëm; dhe është po aq e rëndësishme që të sillet si duhet sipas fushës së ndikimit në të cilën vepron, ashtu siç duhet të bëjë cilido individ, që mund të thirret të veprojë në një pozitë më të lartë; ose, me fjalë të tjera, të cilit mund t’i jetë dhënë përgjegjësi për një numër më të madh talentesh. …
… Zoti nuk kërkon aq shumë nga njeriu që zotëron veç një talent, sa kërkon nga ai që zotëron më shumë se një; por, sipas asaj që ai ka edhe do të kërkohet prej tij. Prandaj, le të nxiten të gjithë dhe të përpiqen të përmirësojnë talentet e ndryshme që zotërojnë; dhe ai që mund të ketë një talent le ta përdori atë dhe jo ta fshehë në tokë; që do të thotë, atij që mund t’i jetë dhënë pak aftësi, le të përmirësohet dhe të mos ankohet ngaqë natyra mund të mos ketë qenë aq bujare me të sa me vëllain e tij më fatlum. Le të jemi të gjithë të kënaqur me gjendjen tonë dhe, nëse nuk është aq e dëshirueshme sa do të donim, duhet të përpiqemi me zellin e duhur që ta përmirësojmë, duke u ndier gjithmonë mirënjohës për qenien tonë tokësore dhe më posaçërisht për Shpirtin e Perëndisë që kemi marrë nëpërmjet bindjes ndaj Ungjillit. …
Unë mbaj mend kur lexova një histori … të një njeriu që, për shkak të urtësisë dhe patriotizmit të tij, pati fituar famë të madhe, por për shkak të smirës qe caktuar në një pozitë që konsiderohej shumë poshtëruese. Duke marrë detyrat e tij, thuhet se bëri këtë vërejtje domethënëse: “Nëse detyra nuk më nderon mua, unë do ta nderoj detyrën”. Shumë vështirësi do të shmangeshin dhe gjendja e situata jonë do të ishte shumë më nxitëse nëse të gjithë do të nderonim detyrën në të cilën jemi thirrur të veprojmë. Na është thënë se vetë Zoti bëri veshje për prindërit tanë të parë, ose, me fjalë të tjera, në atë rast veproi si rrobaqepës; gjithashtu se Jezu Krishti ishte zdrukthëtar. Tani, Shpëtimtari duhet të ketë qenë një zdrukthëtar i nderuar dhe i ndershëm, përndryshe kurrë nuk do ta kishte merituar pozitën që zuri më pas. Nëse ne mund t’i bëjmë vëllezërit dhe motrat të shohin rëndësinë e të vepruarit ndershmërisht dhe besnikërisht në thirrjet e tyre përkatëse, shumë nga telashet dhe shqetësimet që përjetojmë tani do të shmangeshin dhe puna e Perëndisë do të vazhdonte me shpejtësi më të madhe, dhe të gjitha qëllimet e tij do të përmbusheshin më shpejt e vrullshëm; dhe për më tepër, si njerëz, ne do të ishim të përgatitur më mirë nga sa jemi tani për përhapjen e vullnetit të tij. …
Ju bekoftë Perëndia, vëllezër dhe motra të mia, dhe ju aftësoftë të veproni gjithmonë si kujdestarë të mençur për atë që ju është mirëbesuar.8 [Shih sugjerimin 4 në faqen 200.]
Kur i shërbejmë Perëndisë me besim, energji dhe gazmend, Ai na forcon dhe na ndihmon të kemi sukses.
Unë them, njerëzit le t’i shërbejnë me besnikëri e energji Perëndisë dhe të jenë gazmorë. … Ka periudha kur njerëzit gjenden në kushte ku është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të kenë një pamje gazmore. Por periudha të tilla janë shumë të pakta.9
Duke e ditur se feja jonë është e vërtetë, ne duhet të jemi njerëzit më të përkushtuar në faqen e dheut ndaj kauzës që kemi përqafuar. Duke e ditur atë që dimë, ose që duhet ta dimë, se ungjilli që kemi pranuar premton gjithçka që zemra jonë do apo dëshiron nëse jemi besnikë, ne duhet të jemi shumë besnikë, të përkushtuar, energjikë dhe ambiciozë për të plotësuar synimet dhe dëshirat e Zotit ndërkohë që Ai i zbulon ato herë pas here nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Ne nuk duhet të jemi të vakët apo shpërfillës në marrjen e detyrave tona, por me të gjithë forcën, fuqinë dhe shpirtin tonë duhet të përpiqemi të kuptojmë domethënien e thirrjes sonë dhe tiparet e punës në të cilën jemi angazhuar.
Kur Jezusi ishte në tokë, i urdhëroi dishepujt e Tij të dilnin dhe të predikonin ungjillin duke mos marrë as trasta, as bukë, pa u bërë merak për veten e tyre se çfarë do të hanin, ose çfarë do të pinin, ose çfarë do të vishnin, por thjesht të dilnin dhe të dëshmonin për ato gjëra që u ishin zbuluar. Duke bërë këtë ata i siguruan vetes bekimet e të Plotfuqishmit dhe suksesi i shoqëroi në të gjitha përpjekjet e tyre. Ata kishin shumë gjasa për të pasur sukses; asnjë fuqi nuk mund t’u zinte rrugën dhe t’i ndalonte në arritjen e suksesit më të sigurt, sepse ata dolën me fuqinë e të Plotfuqishmit për të kryer vullnetin e Tij, dhe ishte vepra e Tij që t’i mbronte e mbështeste dhe t’u jepte gjithçka që u nevojitej për suksesin. Nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Zotit ata i siguruan vetes bekimet e jetës me privilegjin e daljes në mëngjesin e ringjalljes së parë, dhe patën sigurimin se për shkak të punës së tyre asnjë fuqi në tokë nuk mund t’i kundërshtonte me sukses ata. Këto ishin lloji i perspektivave që do të kisha pëlqyer po të isha në pozitën e tyre a në çfarëdo pozite tjetër, sepse për mendjen e matur ideja e suksesit themelor në çfarëdo drejtim jep shumë kënaqësi.
Tani, nëse, në vend që të bënin siç ishin urdhëruar, apostujt do të mendonin se duke bërë diçka tjetër do të mund të arrinin të njëjtin qëllim, ata nuk do të kishin arritur aq sukses në punën e tyre, as do ta kishin atë siguri për sukses që ishte pa dyshim një burim kënaqësie dhe përmbushjeje e vazhdueshme për ta, madje gjatë të gjitha sprovave dhe përndjekjeve me të cilat u përballën.
… Nëse apostujt apo të shtatëdhjetët në ditët e Jezusit do të përfytyronin se mund t’i kishin përmbushur misionet që u ishin dhënë duke ndërtuar një arkë siç bëri Noeu, ose duke ndërtuar depo drithi e depozituar drithëra siç bëri Jozefi, ata do ta kishin shumë gabim.
Jozefi në vendin e Egjiptit u thirr për të kryer një kategori detyrash, që u kërkuan prej tij. Ai nuk ishte thirrur për të predikuar ungjillin pa marrë as trasta as bukë; por që të ndërtonte depo drithi dhe ta përdorte gjithë ndikimin e tij te Mbreti, fisnikët dhe populli i Egjiptit për të depozituar drithërat e tyre në mbrojtje nga një ditë urie. … Tani, të supozojmë që Jozefi kishte shkuar të punonte e të ndërtonte një arkë, ai nuk do të ishte pranuar nga Zoti, as nuk do kishte mundur të shpëtonte popullin e Egjiptit as shtëpinë e atit të vet. Kur Noeu u urdhërua të ndërtonte një arkë, po të supozojmë se kishte ndërtuar depo drithi, ai dhe shtëpia e tij nuk do të kishin shpëtuar. Kështu edhe në lidhje me ne, kur detyrat kërkohen nga ne, … çfarëdo që mund të na kërkohet të bëjmë brenda kufijve të mbretërisë së të Plotfuqishmit, ne duhet të ecim në frymën e këtyre kërkesave dhe t’i kryejmë ato nëse duam të fitojmë fuqi dhe ndikim te Perëndia ynë.10 [Shih sugjerimin 5 në faqen 200.]
Puna e Zotit ndonjëherë është e vështirë, por ajo sjell gëzim të madh.
Ne provojmë shumë gjëra, të shoqëruara me këtë punë, që nuk janë të pëlqyeshme, por ka një kënaqësi të madhe lidhur me të. Kur kujtojmë vendosmërinë tonë për t’ia përkushtuar veten kauzës së të vërtetës dhe mbajtjes së besëlidhjeve tona, ne ndiejmë gëzim të madh, sepse thelbi i thirrjeve tona është shumë serioz për ne, thelb pa të cilin nuk mund të mbajmë lart mbretërinë e Perëndisë.11
Ne duhet t’i ripërtërijmë besëlidhjet tona përpara Perëndisë dhe engjëjve të shenjtë, që ne, me Perëndinë si ndihmuesin tonë, do t’i shërbejmë atij më besnikërisht gjatë vitit që vjen sesa në të kaluarën, që jeta jonë publike e private, veprimet tona, fryma dhe ndikimi që ushtrojmë të mund të jenë sipas motos: “Mbretërinë e Perëndisë ose asgjë”. Unë besoj … se ne mund t’i përkushtohemi tërësisht shërbimit ndaj Perëndisë tonë në krijimin e Sionit të tij mbi tokë, duke punuar me zell për qëllimin e së vërtetës dhe të drejtësisë në tokë, derisa të bëhet e gëzueshme për ne që të jemi aq të angazhuar, sa të bëhet e zakonshme që t’i shërbejmë Perëndisë e të mbajmë urdhërimet e tij dhe të zbatojmë ligjin çelestial, dhe që të mund të gëzojmë aq shumë Shpirtin e Shenjtë në zemrat tona sa të mund të kapërcejmë botën e të vendosim ligjin çelestial në mendjen tonë dhe ta vendosim atë në sjelljen tonë; që të mund ta kuptojmë në atë mënyrë veten tonë e privilegjet tona sa të mund të arrijmë në këtë jetë një pjesë të konsiderueshme të bekimeve që lidhen me ligjin çelestial dhe të cilat janë për t’u gëzuar në lavdinë çelestiale.12 [Shih sugjerimin 6 në faqen 200.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.
Rishikoni rrëfimin në faqet 189 dhe 191. Çfarë fjalësh do të përdornit për të përshkruar qëndrimin e Lorenco Snout rreth shërbimit ndaj Zotit? Mendoni rreth asaj që mund të bëni për të ndjekur shembullin e tij.
Merrni parasysh pjesën që fillon në faqen 191. Përse mendoni se anëtarësia në Kishë sjell përgjegjësi të tilla të mëdha? Çfarë do të thotë për ju të jesh një ambasador i Krishtit?
Presidenti Snou na mësoi se thirrjet tona në Kishë janë mundësi për të “ndihmuar në shëlbimin” e fëmijëve të Perëndisë (faqet 192–193). Si mund të ndikojë ky kuptim në mënyrën se si shërbejmë në Kishë?
Presidenti Snou tha se duhet të shërbejmë me zell, pavarësisht se sa e vogël mund të duket përgjegjësia jonë (faqet 193–197). Kur keni parë dikë të nderojë një thirrje apo detyrë në dukje të vogël?
Lexoni pjesën që fillon në faqen 197. Në çfarë mënyrash besimi, energjia dhe gazmendi ndikojnë në shërbimin tonë?
Lexoni pjesën e fundit në kapitull (faqet 198–199). Kur keni përjetuar gëzimin e shërbimit në mbretërinë e Zotit? Si mund të gjejmë kënaqësi në shërbimin tonë edhe kur detyrat tona nuk janë të pëlqyeshme? Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që t’i shërbejnë Zotit besnikërisht?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmeve 100:2; 1 Korintasve 12:12–31; Jakobi 1:6–7; 2:3; Mosia 4:26–27; DeB 64:33–34; 72:3; 76:5–6; 107:99–100; 121:34–36