Mësime të Presidentëve
Jeta dhe Shërbesa e Lorenco Snout


Jeta dhe Shërbesa e Lorenco Snout

Në 1835-ën, kur ishte 21 vjeç, Lorenco Snou një ditë u largua me kalin e tij nga shtëpia e prindërve të tij, ai u drejtua për në Kolegjin e Oberlinit në Oberlin të Ohajos. Ai nuk e dinte se në këtë udhëtim të shkurtër, ai do të kishte një përvojë që do të ndryshonte drejtimin e jetës së tij.

Duke kalëruar rrugës për në qytetin e tij të lindjes Mantua të Ohajos, ai u takua me një burrë që ishte gjithashtu kaluar. Ky burrë, i quajtur Dejvid W. Paten, ishte shuguruar së fundi si Apostull i Zotit Jezu Krisht. Ai po kthehej te shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Kirtland të Ohajos, pasi kishte shërbyer një mision. Të dy burrat udhëtuan së bashku për rreth 50 kilometra. Lorenco Snou kujtonte më vonë:

“Biseda jonë u kthye te feja dhe filozofia dhe, duke qenë i ri dhe i mirë-arsimuar, unë priresha të mos i çmoja opinionet e tij, sidomos kur nuk fliste gjithmonë me gramatikën e duhur; por kur ai vazhdoi me mënyrën e tij të sinqertë dhe të përulur t’i shpjegonte mendjes sime planin e shpëtimit, unë dukesha i paaftë ta kundërshtoja njohurinë se ai ishte një njeri i Perëndisë dhe se dëshmia e tij ishte e vërtetë”1.

Lorenco Snou nuk ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur takoi Plakun Paten, por ai ishte njohur me disa mësime të Kishës. Në fakt, Profeti Jozef Smith e pati vizituar shtëpinë e familjes Snou, dhe nëna e Lorencos dhe motrat Leonora dhe Eliza ishin pagëzuar dhe konfirmuar anëtare të Kishës. Sidoqoftë, Lorenco, siç tha, kishte qenë “duke bërë gjëra të tjera” në atë kohë dhe këto lloj gjërash “kishin dalë tërësisht nga mendja [e tij]”2. Kjo filloi të ndryshojë kur ai bisedoi me Plakun Paten. Duke përmendur përvojën, ai tha: “Kjo ishte pika kritike e jetës sime”3. Ai e përshkroi se si u ndie gjatë bisedës:

“Unë u ndieva i pikëlluar në zemër. Këtë ai e nuhati qartazi, pasi thuajse gjëja e fundit që më tha pasi dha dëshminë e tij, ishte se unë duhej të shkoja te Zoti, përpara se të shkoja në shtrat, dhe ta pyesja atë vetë. Unë e bëra këtë, me përfundimin se qysh prej ditës që e takova këtë Apostull të madh, të gjitha qëllimet e mia janë bërë më të mëdha dhe më të mira.

Sinqeriteti absolut, serioziteti dhe fuqia shpirtërore”4 e Plakut Paten patën një ndikim të gjatë te një i ri që një ditë do të shërbente vetë si Apostull. Dhe ajo bisedë e qetë çoi në përvoja të tjera që do ta përgatisnin Lorenco Snoun të bëhej President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, zëdhënësi i Perëndisë në tokë.

Rritur në një Shtëpi Besimi dhe Pune të Vështirë

Dy familje të forta, të pasura në besim dhe traditë fetare, u bashkuan kur Oliver Snou u martua me Rozeta Leonora Petiboun më 6 maj 1800. Dhëndri dhe nusja ishin pasardhës të disa prej kolonëve më të hershëm europianë në Shtetet e Bashkuara – grup puritanësh anglezë që themeluan koloninë e Plimuthit në Masaçusets, që kaluan Oqeanin Atlantik në vitet 1600 për t’u shpëtuar përndjekjeve fetare. Oliveri dhe Rozeta i kaluan vitet e pakta të para të jetës së tyre martesore në shtetin e Masaçusetsit, ku lindën bijat e tyre: Leonora Abigeil dhe Eliza Roksi. Pastaj lëvizën për në Mantua të Ohajos, që ishte atëherë një nga kolonitë më perëndimore në Shtetet e Bashkuara. Ata ishin familja e njëmbëdhjetë që hyri në rajon. Në Mantua, familjes i lindën dy motra të tjera Amanda Persi dhe Melisa. Lorenco, fëmija i pestë dhe biri i parë për Oliverin e Rozetën, lindi në Mantua më 3 prill 1814. Atij më vonë iu bashkuan edhe dy vëllezër më të vegjël: Lucius Augustus dhe Samuel Piërs.5

Përmes traditave të familjeve të tyre, Oliveri dhe Rozeta u mësuan fëmijëve të tyre rëndësinë e besimit, punës së vështirë dhe arsimit. Ndërsa u tregonin historitë e vështirësive që kishin përballuar për të krijuar shtëpinë e tyre, fëmijët e tyre mësuan të kapërcenin shkurajimin dhe të vlerësonin bekimet e Perëndisë në jetën e tyre. Eliza shkruante: “Ne mund të themi vërtet për prindërit tanë se integriteti i tyre moral ishte i panjollë dhe ata ishin të ndershëm në të gjitha marrëdhëniet shoqërore dhe marrëveshjet e biznesit në jetë; dhe me kujdes i stërvitën fëmijët e tyre me zakonet e punës së vështirë, kursimit dhe moralit të rreptë”6. Lorenco shprehte mirënjohje që ata e kishin trajtuar gjithmonë me “kujdes dhe butësi”7.

Ndërsa Lorenco u rrit, ai punoi me zell në aktivitete fizike dhe intelektuale. Babai i tij ishte shpesh larg shtëpisë, duke i shërbyer komunitetit “në punë publike”. Në mungesë të Oliverit, Lorenco, si djali më i madh, ishte përgjegjës për fermën – një përgjegjësi që ai e merrte seriozisht dhe e kryente me sukses. Kur Lorenco nuk punonte, ai zakonisht ishte duke lexuar. “Libri i tij”, tha Eliza, “ishte shoku i tij i përhershëm”8.

Duke kujtuar personalitetin në zhvillim të Lorencos, Eliza vërejti: “Që nga fëmijëria e hershme [ai] demonstroi energjinë dhe vendosmërinë që janë parë gjatë gjithë jetës së tij”9.

Kapërcimi i Ambicieve Rinore

Oliver dhe Rozeta Snou nxisnin studimin e ndershëm rreth fesë. Ata i lejonin fëmijët e tyre të mësonin rreth kishave të ndryshme, duke e hapur shtëpinë e tyre për “njerëzit e mirë dhe inteligjentë të të gjitha besimeve”. Me gjithë këtë nxitje, Lorenco “i përkushtonte pak apo aspak vëmendje temës së fesë, të paktën jo aq sa të vendoste parapëlqimin për ndonjë sekt të veçantë”10. Ëndrra e tij qe të ishte komandant ushtarak dhe ëndrra e tij ishte më e fortë se ndikimet e tjera në jetën e tij, “jo sepse atij i pëlqente lufta”, shkruante historiani Orson F. Uitni, por sepse i “pëlqente ideja që të fitonte nder në karrierën ushtarake”11. Por ai shpejt e zëvendësoi këtë dëshirë me një tjetër. Ai u largua nga shtëpia dhe u regjistrua në Kolegjin e Oberlinit aty pranë, në mënyrë që të ndiqte një “arsimim kolegji”12.

Ndërsa studionte në Oberlin, Lorenco zhvilloi një interes të ri për fenë. Ende i ndikuar nga biseda e tij me Plakun Paten, ai jo vetëm meditonte doktrinat e ungjillit të rivendosur por i ndante ato me të tjerë në Oberlin – madje edhe me ata që po studionin të bëheshin pastorë. Në një letër drejtuar motrës së tij Eliza, që ishte bashkuar me shenjtorët në Kirtland, ai shkruante: “Të garantoj që midis pastorëve dhe atyre që studiojnë të bëhen pastorë unë kam pasur shumë sukses në mbrojtjen e mormonizmit. Është e vërtetë se nuk kam bindur shumë njerëz që t’i bashkohen Kishës, pasi as vetë nuk i jam bashkuar, por prapë disa prej tyre thuajse i kam bërë të thonë se panë një [urtësi] në doktrinat tuaja. Të heqësh paragjykimin e fortë kundër mormonizmit nga mendja e një studenti të Oberlinit është një gjë që nuk bëhet lehtë.”

Në po këtë letër, Lorenco iu përgjigj një ftese që kishte marrë nga Eliza. Ajo e kishte rregulluar që ai të qëndronte me të në Kirtland dhe të studionte hebraisht në një klasë ku ishin Profeti Jozef Smith dhe disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai tha: “Unë gëzohem të mësoj se ti ke kaq shumë lumturi në Kirtland; edhe pse tani nuk më intereson të transferohem aty ku je ti; sidoqoftë nëse mundësitë e të mësuarit atje do të ishin të njëjta, mendoj se thuajse do të doja të përpiqesha të vija atje. Sepse, të paktën, do të ishte shumë interesante për mua dhe ndoshta do të kisha përfitim nga dëgjimi i atyre doktrinave të predikuara, të cilat për kaq kohë jam përpjekur t’i mbroj dhe t’i mbështes këtu në Oberlin.”

Edhe pse Lorencos i bënin përshtypje doktrinat e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ai ngurronte t’i bashkohej Kishës. Por ishte i interesuar. Në letrën e tij drejtuar Elizës, ai i bëri disa pyetje rreth Kishës. Ai thoshte se studentëve në Oberlin, që po përgatiteshin të bëheshin pastorë, u kërkohej t’i “përkushtonin shtatë vite ose më shumë studimit të vështirë përpara se të lejoheshin t’u tregonin njerëzve jo besimtarë se ka një Perëndi në Qiell, si një jurist që duhet të ketë disa kualifikime përpara se të ketë leje për të folur”. Në të kundërt, ai i thoshte motrës: “Mendoj se, kur predikojnë doktrinat tuaja, njerëzit tuaj varen më shumë te ndihma hyjnore sesa në atë që mund të mësosh në kolegj”. Ai shprehte një dëshirë për të kuptuar se si funksionon Shpirti, duke pyetur nëse Fryma e Shenjtë mund t’u jepet njerëzve “në këtë epokë të botës”. Nëse njerëzit mund ta marrin Frymën e Shenjtë, pyeste ai, “a ia jep Perëndia atë gjithmonë me anë të një personi të dytë?”13 Me fjalë të tjera, ai donte të dinte nëse autoriteti i priftërisë ishte i nevojshëm me qëllim marrjen e Frymës së Shenjtë.

Lorenco i vlerësonte miqësitë dhe arsimin që kishte marrë në Kolegjin e Oberlinit, por u zhgënjye së tepërmi me mësimet fetare atje. Përfundimisht e la kolegjin dhe pranoi ftesën e motrës së tij për të studiuar hebraisht në Kirtland. Ai tha se mori pjesë në klasën e hebraishtes vetëm sepse në këtë mënyrë mund të përgatitej të merrte pjesë në një kolegj në lindje të Shteteve të Bashkuara.14 Përsëri, Eliza shënonte se përveç mësimit të hebraishtes, “ai mësoi rreth shumë gjërave të tjera dhe zemra e tij u mbush plot me besim në Ungjillin e përjetshëm”15. Shpejt gjeti përgjigjet për pyetjet që kishte bërë në Kolegjin e Oberlinit, dhe në qershor 1836 ai u pagëzua nga Plaku Xhon Bointon, një nga anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në këtë periudhë ungjillore. Ai u konfirmua gjithashtu anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Rreth dy javë më vonë një mik e pyeti: “Vëlla Snou, a e keni marrë Frymën e Shenjtë qysh kur u pagëzuat?” Ai kujtoi: “Ajo pyetje thuajse më mbushi me hutim dhe zhgënjim. Çështja ishte se, ndërsa i pata marrë ndoshta të gjitha çka më duheshin, unë nuk pata marrë atë që doja të merrja” – që do të thotë se, edhe pse ishte konfirmuar, ai nuk kishte marrë një zbulesë të posaçme nga Fryma e Shenjtë. “Unë u ndjeva i pakënaqur”, tha ai, “jo me atë që pata bërë, por me veten. Ndërsa ndihesha në atë mënyrë, unë shkova në një vend ku më pëlqente t’i lutesha Zotit.” Ai u gjunjëzua për t’u lutur dhe menjëherë mori një përgjigje për lutjet e tij. “Ajo kurrë nuk do të hiqet nga kujtesa ime për sa kohë që kujtesa ime do të vazhdojë”, tha ai më vonë. “… Unë mora një njohuri të përsosur se kishte një Perëndi, se Jezusi, që vdiq mbi Kalvari, ishte Biri i Tij, dhe se Jozefi, Profeti, kishte marrë autoritetin që pohonte se e kishte. Kënaqësia dhe lavdia e marrjes së asaj dëshmie nuk mund të përshkruhen! Unë u ktheva në shtëpinë time. Unë mund t’i dëshmoja tani botës se e dija, nga një njohuri e sigurt, se Ungjilli i Birit të Perëndisë ishte rivendosur dhe se Jozefi ishte Profet i Perëndisë, i autorizuar të fliste në emër të Tij.”16

I forcuar nga kjo përvojë, Lorenco u përgatit të ishte një misionar. Siç tha motra e tij Eliza, kthimi i tij në besim e çoi në një ndryshim të dëshirave të tija dhe “krijoi mundësi të reja përpara tij”. Ajo vërejti: “Në vend të famës tokësore ushtarake, ai tani u fut në fushën e betejës për t’u bërë kampion me ushtritë e qiellit”17.

Përballimi i Sfidave si Misionar Kohëplotë

Lorenco Snou filloi shërbimin e tij misionar në shtetin e Ohajos në pranverën e 1837-ës. Si vendimi i tij për t’u bashkuar me Kishën, edhe vendimi i tij për të shërbyer si misionar kohëplotë i kërkuan të ndryshonte pikëpamjet dhe planet e tij. Ai shkroi në ditarin e tij: “Në vitin 1837, hoqa tërësisht dorë nga idetë e mia të parapëlqyera”18. Ai hoqi dorë nga plani i tij për të ndjekur një “arsimim mbi veprat antike në greqisht dhe latinisht” në një kolegj në lindje të Shteteve të Bashkuara.19 Ai gjithashtu pranoi të udhëtonte pa trastë apo qese – me fjalë të tjera, të shkonte pa para, duke u mbështetur në mirësinë e të tjerëve për të siguruar ushqim apo strehë. Kjo ishte veçanërisht e vështirë për të, sepse në rininë e tij ai gjithmonë kishte ndier se ishte e rëndësishme ta paguante udhën e vet, duke përdorur paratë që ati i tij i kishte fituar me ndihmën e tij në fermën e familjes. Ai thotë: “Unë nuk isha mësuar të mbështetesha tek askush për ushqim apo strehë. Nëse do të udhëtoja në çfarëdo largësie, im atë do të sigurohej që unë të nisesha me plot para për shpenzimet e mia. Dhe tani, të shkoja dhe të kërkoja për diçka për të ngrënë dhe për një vend për të vënë kokën, ishte shumë e vështirë për mua, duke qenë aq ndryshe nga përvoja ime e mëparshme.”20 Ai “vendosi ta bënte”, por vetëm sepse kishte marrë “një njohuri të sigurt se Perëndia e kërkonte këtë”21.

Disa ungjë, emta, kushërinj dhe miq të Plakut Snou morën pjesë në mbledhjet e para që drejtoi si misionar. Duke kujtuar herën e parë që predikoi, ai tha: “Unë isha shumë i druajtur atëherë, dhe … ishte diçka shumë e vështirë për mua të ngrihesha atje dhe të predikoja për të afërmit e mi dhe fqinjët që kishin ardhur. Mbaj mend se u luta thuajse gjithë ditën para mbrëmjes që duhej të flisja. U largova më vete dhe i kërkova Zotit të më jepte diçka që të thosha. Më vonë, emta ime më tha se ajo pothuajse u drodh kur më pa gati për të folur, por unë e hapa gojën, dhe nuk e di se çfarë thashë, por emta tha se fola mirë për rreth treçerek ore.”22 Duke ndier mirënjohje ai kujtonte: “Unë besoja dhe ndieja një siguri se Shpirti i frymëzimit do të më nxiste dhe do të më jepte fjalët. Unë kisha kërkuar me lutje dhe agjërim – unë e pata përulur veten përpara Zotit, duke i kërkuar Atij në lutje të fuqishme të më jepte fuqinë dhe frymëzimin e Priftërisë së shenjtë; dhe kur qëndrova përpara atij kongregacioni, edhe pse nuk dija asnjë fjalë që mund të thosha, sapo hapa gojën për të folur, Fryma e Shenjtë erdhi fuqishëm te unë, duke ma mbushur mendjen me dritë dhe ide komunikimi e gjuhë të përshtatshme që mund ta përdorja për t’i thënë ato.”23 Deri në kohën kur u largua nga zona, ai pati pagëzuar dhe konfirmuar ungjin, emtën, disa kushërinj dhe disa miq.24

Pasi ndau ungjillin me familjen dhe miqtë e tij, Plaku Snou vazhdoi punët e tij misionare në qytete të tjera të mëdha e të vogla, duke shërbyer për rreth një vit. Ai shkroi: “Ndërsa isha në këtë mision, unë udhëtova në pjesë të ndryshme të Shtetit të Ohajos dhe gjatë kësaj kohe pagëzova shumë persona që kanë mbetur besnikë ndaj së vërtetës”25.

Lorenco Snou kishte qenë në shtëpi për pak kohë, që nga koha e këtij misioni të parë, kur ndieu dëshirën për të predikuar përsëri ungjillin. “Ndjenja e thirrjes time si misionar ishte kaq e fortë në mendjen time”, tha ai, “saqë doja të kthehesha përsëri të punoja në të”26. Këtë herë ai predikoi ungjillin në shtetet e Misurit, Kentakit dhe Ilinoisit dhe përsëri në Ohajo.

Disa njerëz ishin armiqësorë ndaj Plakut Snou dhe mesazhit që ai ndante. Për shembull, ai tregonte për një përvojë që kishte pasur në Kentaki kur një grup njerëzish qenë mbledhur në shtëpinë e dikujt për ta dëgjuar të predikonte. Pasi predikoi, ai mësoi se disa nga njerëzit po planifikonin ta sulmonin sapo të nisej. Ai kujtonte se “ndërsa gjithë njerëzit po përplaseshin me njëri-tjetrin” në shtëpi, njëri prej burrave “aksidentalisht e vuri dorën e vet në kontakt me një nga xhepat nën mesin e palltos sime, gjë që e bëri të ndihej befas i shqetësuar”. Duke ndier diçka të fortë në xhepin e Plakut Snou, ai menjëherë paralajmëroi miqtë e tij se misionari ishte i armatosur me pistoletë. Plaku Snou shkroi më vonë: “Kjo mjaftoi që – dikush, që donte të ishte bandit, të hiqte dorë nga planet e tij djallëzore”. Disi argëtueshëm, Plaku Snou shtoi: “Pistoleta e supozuar që shkaktoi alarmin e tyre dhe mbrojtjen time, ishte Bibla ime e xhepit, një dhuratë e çmuar për mua nga Patriarku i dashur, Ati Jozef Smith [Plaku]”27.

Njerëz të tjerë e mirëpritën Plakun Snou dhe përqafuan mesazhin që ndau. Në një vendbanim të Misurit ai u dha mësim pesë personave që ishin pagëzuar në mes të dimrit. Plaku Snou dhe të tjerë duhej të çanin akullin e një lumi në mënyrë që ai të mund të kryente ordinancën. Me gjithë të ftohtët, disa nga të kthyerit “dolën nga uji, duke duartrokitur dhe duke i drejtuar lëvdata Perëndisë”28.

Dy misionet e para të Plakut Snou mbuluan një periudhë nga pranvera e 1837-ës deri në maj të 1840-ës. Pjesë nga letrat e tij përshkruajnë këtë kohë në shërbim të Zotit: “Unë e kalova pjesën tjetër të dimrit [të 1838-ës–1839-ës] në udhëtim dhe duke predikuar, … me shkallë të ndryshme suksesi dhe trajtimi – ndonjëherë njerëzit më pranonin në mënyrën më të njerëzishme dhe dëgjonin mesazhin tim me interes të madh, dhe, herë të tjera, njerëzit shanin dhe më ofendonin; por asnjëherë nuk u trajtova më keq se Jezusi, të cilin deklaroj që e ndjek”29. “Kur tani shoh prapa përvojat që isha thirrur të kaloja, … habitem dhe befasohem shumë.”30 “Zoti ishte me mua, dhe isha shumë i bekuar ndërsa kryerja punët e mia të vështira.”31

Misioni në Angli

Në fillimet e majit të 1840-ës, Lorenco Snou u bashkua me shenjtorët në Navu të Ilinoisit, por nuk qëndroi gjatë atje. Ai u thirr të kalonte Oqeanin Atlantik dhe të shërbente një mision në Angli dhe u largua nga Navuja po atë muaj. Përpara se të largohej, gjeti kohë të vizitonte familjet e disa prej nëntë apostujve që tashmë ishin duke shërbyer në Angli.

Kur vizitoi familjen e Brigam Jangut, pa se shtëpia e tyre e vogël me trungje nuk kishte mbushje për mbylljen e të çarave midis trungjeve, duke i lënë “të ekspozuar ndaj erës dhe stuhive”. Motra Jang ishte e lodhur pasi sapo ishte kthyer nga një kërkim i pafrytshëm për lopën e familjes që siguronte qumështin. Me gjithë rrethanat e saj të vështira, ajo i tha Plakut Snou: “Ju e shihni gjendjen time, por thuaji atij [bashkëshortit tim] të mos shqetësohet, apo mërzitet aspak për mua – unë dua që ai të qëndrojë në fushën e punës gjersa ta ketë plotësuar me nder misionin e tij”. I ndikuar nga “gjendja e varfërisë ekstreme” të Motrës Jang, Plaku Snou donte ta ndihmonte: “Unë kisha vetëm pak para – të pamjaftueshme për të bërë një të dhjetën e largësisë për në zonën e punës, pa ndonjë mënyrë për të gjetur pjesën tjetër të parave që duheshin, dhe atëherë isha një natë përpara nisjes. Unë nxora nga xhepi një pjesë të shumës së vogël që kisha, … por ajo kundërshtoi ta pranonte; ndërsa unë ngulmoja me forcë që ta merrte, dhe ajo i kundërshtonte vazhdimisht paratë – pjesërisht me qëllim dhe pjesërisht padashur, paratë ranë me zhurmë në dysheme nëpër të çarat midis dërrasave të liruara, që e zgjidhën diskutimin dhe, duke i thënë mirupafshim, unë e lashë atë t’i merrte ato me nge.”32

Nga Ilinoisi, Plaku Snou udhëtoi për në Nju-Jork, ku mori një anije për të lundruar përmes Oqeanit Atlantik. Në udhëtimin 42-ditor në det, anija kaloi përmes tri stuhive shumë të forta. Rrethuar nga pasagjerë të tmerruar që qanin, Plaku Snou qëndroi i qetë, duke besuar se Perëndia do ta mbronte. Kur anija u fut në dok në Liverpul të Anglisë, zemra e Plakut Snou ishte “plot me mirënjohjen më të madhe ndaj Atij që ruan dhe mbështet ata njerëz të cilët i thërret dhe i dërgon përpara si shërbestarë për shpëtimin e kombeve të tokës”33.

Pasi shërbeu si misionar në Angli për rreth katër muaj, Plaku Snou mori një përgjegjësi shtesë. Ai u caktua të shërbente si president i konferencës së Londrës, një thirrje e ngjashme me presidentin e distriktit sot. Ai vazhdoi të predikonte ungjillin dhe gjithashtu të mbikëqyrte punën e udhëheqësve të priftërisë, të tillë si presidentë të degëve, në zonë. Ndërsa shërbente në këtë pozicion udhëheqës, shpesh i raportonte Plakut Parli P. Prat, anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe president i misionit. Ai shkruante për shumë persona që po “kërkonin udhën e shpëtimit”, ai gjithashtu shkruante për një dhomë “aq të mbushur sa nuk i nxinte të gjithë” në mbledhjen e së dielës dhe për “kënaqësinë e pagëzimit [të të kthyerve] në vathën e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”. Entuziast dhe optimist rreth punës, ai thoshte: “Edhe pse rrethuar me ligësi egoiste të të gjitha llojeve, Sioni fillon të dalë befas dhe, unë besoj, pa kaluar shumë do të bëhet një llambë ndriçuese në këtë qytet”34.

Konferenca e Londrës përjetoi një rritje të rëndësishme me Plakun Snou si president. Ndërsa Plaku Snou kënaqej me këtë sukses, ai gjithashtu luftonte me përgjegjësitë e udhëheqjes. Në një letër drejtuar Plakut Hiber C. Kimball të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ai pohoi se këto sfida e kishin bërë që t’i “përballonte përgjegjësitë e udhëheqjes në një mënyrë ndryshe nga sa i kishte përballuar ndonjëherë më parë”35. Ai i tregoi Plakut Kimball: “Ju dhe Plaku [Uillford] Udraf thatë se kjo duhet të ishte një shkollë përvoje, që tashmë ka qenë fakt. … Qysh kur kam ardhur këtu, diçka e re ka ndodhur vazhdimisht midis shenjtorëve. Pa mbaruar një gjë, një tjetër do të dilte.” Ai tregoi një të vërtetë që e pati mësuar shpejt në përgjegjësitë e tij të reja: “Unë nuk mund t’i përballoj vështirësitë, [veç nëse] Perëndia më ndihmon shumë fort”36. Ai shprehu një ndjenjë të ngjashme në një letër drejtuar Plakut Xhorxh A. Smith të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve: “Ajo pak që kam bërë nuk është bërë nga unë, por është bërë nga Perëndia. Një gjë që e kam mësuar plotësisht në përvojën time ndërsa përpiqesha të lartësoja detyrën time si mësues në Izrael, qe që nga vetja nuk di asgjë, as nuk mund të bëj ndonjë gjë; gjithashtu e shoh qartë se asnjë shenjtor nuk mund të ketë sukses veçse nëse është i bindur ndaj udhëzimeve dhe këshillës së atyre njerëzve që janë thirrur të kryesojnë në Kishë. Unë jam i sigurt se, për aq kohë sa do t’i mbaj ligjet e tij, Zoti Perëndi do të më mbështesë dhe ndihmojë në detyrën time. … Për sa kohë do të eci i përulur përpara tij, ai do të më falë fuqi të jap dhe të marr këshillë në drejtësi dhe në shpirtin e zbulesës.”37

Përveç predikimit të ungjillit dhe shërbimit si president i konferencës së Londrës, Plaku Snou shkroi një trakt fetar, apo broshurë, për të ndihmuar misionarët të shpjegonin ungjillin e rivendosur. Ky trakt, i quajtur The Only Way to Be Saved [E Vetmja Mënyrë për t’u Shpëtuar], më vonë u përkthye në disa gjuhë dhe u përdor gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të.

Plaku Snou shërbeu në Angli deri në janar të 1843-shit. Përpara se të largohej, ai përmbushi një detyrë që pati marrë nga Presidenti Brigam Jang. Në anën e një faqeje të ditarit të tij, ai shkroi të vetmen përmendje të kësaj detyre: “Iu dhanë dy Libra të Mormonit Mbretëreshës Viktoria dhe Princit Albert sipas kërkesës së Presidentit B. Jang”38.

Kur Plaku Snou u largua nga Anglia, ai udhëhoqi një grup shenjtorësh britanikë të ditëve të mëvonshme të emigronin në Navu. Ai shkruante në ditarin e tij: “Unë isha përgjegjës për një kompani me dyqind e pesëdhjetë vetë, shumë prej të cilëve ishin miq të mi të afërm që ishin futur në besëlidhje si rezultat i mësimdhënies sime. Situata që ishte tani, duke u kthyer përmes oqeanit i rrethuar nga miq, ishte shumë për t’u pasur zili në krahasim me udhëtimin e vetmuar që bëra dy vjet e gjysmë më parë.”39 Përvojat e Plakut Snou në anijen Suanton treguan aftësitë e tij udhëheqëse dhe besimin e tij në Perëndi. Tregimi i mëposhtëm është marrë nga ditari i tij:

“Unë i mblodha [shenjtorët] dhe me pëlqimin e të gjithëve i organizova në divizione dhe grupe brenda tyre, duke caktuar udhëheqësit e duhur te secili, dhe vendosa rregulla për drejtimin e kompanisë. Unë zbulova se gjendeshin disa Priftërinj të Lartë dhe rreth tridhjetë Pleq midis nesh, dhe duke ditur dëshirën e natyrshme që shumë Pleq kanë për të bërë qoftë edhe diçka të vogël me anë të së cilës të mund të përmirësojnë pak emrin e tyre, dhe nëse nuk mund ta bëjnë në një mënyrë do të përpiqen në një mënyrë tjetër, prandaj vendosa se do të ishte më mirë nëse e përcaktoja vetë se si duhej të vepronin; si rezultat emërova sa më shumë që munda në një detyrë apo në një tjetër dhe i bëra të gjithë përgjegjës për përmbushjen e tyre. Gjatë javës, e gjithë kompania mblidhej çdo mbrëmje [për] lutje. Ne kishim njerëz që predikonin dy herë në javë; mbledhje të dielave dhe marrjen e sakramentit.

Kapiteni ynë, me të cilin doja të zhvilloja miqësi të mirë, dukej shumë jo miqësor dhe i rezervuar. … Unë mund ta vija re lehtësisht që ai kishte paragjykime kundër nesh. – Ne kishim rreth dy javë në det, gjatë të cilave nuk ndodhi ndonjë gjë shumë serioze nga ç’ndodh zakonisht në det, kur ndodhi ngjarja vijuese.

Kujdestari i kapitenit, një i ri gjerman, pësoi një aksident që i kërcënoi jetën. Duke qenë një i ri shumë i moralshëm, i matur dhe i qëndrueshëm, duke pas qenë me kapitenin [në] disa udhëtime, ai kishte arritur të fitonte dashurinë e kapitenit, të oficerëve dhe të ekuipazhit; shenjtorët gjithashtu ishin bërë shumë të afërt me të. Për shkak të këtij rreziku të vdekjes së tij … u krijua një ndjenjë e madhe dëshpërimi dhe brenge në gjithë anijen.

Atij i dilte gjak nga goja, shoqëruar me spazma të rënda, humbje ndjenjash dhe dridhje të pakontrolluara. Më në fund, pasi kishin provuar pa asnjë rezultat disa mjete shërimi, të gjitha shpresat për jetën e tij mbaruan. Marinarëve, përpara se të shkonin nëpër shtretërit e tyre, iu kërkua nga kapiteni t’i shkonin në kabinë një nga një për t’i shprehur lamtumirën atij; që sipas rrethanave u bë pa shpresën më të vogël për ta parë të gjallë mëngjesin tjetër. Shumë sy ishin të përlotur ndërsa ata ktheheshin nga kabina.

Motra Martin [një nga shenjtoret e ditëve të mëvonshme në anije] ndërsa ishte ulur vetëm në anë të shtratit të tij, i shprehu dëshirën e saj që unë të mund të thirresha t’i administroja një bekim priftërie dhe ndoshta ai, sidoqoftë, mund të shërohej. Ai me gëzim ra dakord për këtë. Unë isha i përgjumur në shtratin tim kur erdhi mesazhi, ndërkohë që ora ishte rreth dymbëdhjetë e natës. U ngrita menjëherë dhe shkova te kabina, [dhe] gjatë rrugës pashë zëvendëskomandantin e anijes, që sapo kishte shkuar për ta parë. Sapo më kaloi mua, ai takoi një Vëlla me emrin Steins dhe i tha se Z. Snou po shkonte për të vendosur duart mbi kujdestarin. ‘Por’, tha (me zë të dëshpëruar), ‘është krejt pa dobi; tani gjithçka ka mbaruar për shokun e gjorë.’ ‘Oh’, tha Plaku Steins, ‘Zoti mund ta shërojë atë nëpërmjet vënies së duarve’. ‘… A mendoni kështu?’ ia ktheu marinari në pafajësinë e zemrës së tij.

Ndërsa eca më tej takova kapitenin te dera e kabinës, i cili dukej se kishte qarë. ‘Gëzohem që keni ardhur, Z. Snou’, tha ai, ‘edhe pse është pa dobi, sepse kujdestari do të vdesë shpejt.’ Unë u futa në dhomën e tij dhe iu ula pranë shtratit. Frymëmarrja e tij ishte shumë e shkurtër dhe dukej si një person që po vdiste. Ai nuk mund të fliste me zë të lartë, por më dha të kuptoja se donte [që] unë të administroja një bekim priftërie për të. Mësuam që kishte një bashkëshorte dhe dy fëmijë në Hamburg të Gjermanisë, të cilët vareshin prej tij për jetesën e tyre. Ai dukej tepër i shqetësuar për ta.

Vendosa duart mbi kokën e tij dhe pa mbaruar dhënien e bekimit priftëror, ai u ngrit në pozicion ndenjur, përplasi [rrahu] së bashku duart e veta, duke i thirrur lavde Zotit që ishte shëruar; shumë shpejt pas kësaj që ndodhi, u ngrit nga shtrati i tij [dhe] doli nga kabina dhe ecte nëpër kuvertë.

Mëngjesin tjetër gjithkush u habit që e pa kujdestarin gjallë, dhe ata u çuditën që e shihnin të aftë të merrej me punën e tij si zakonisht. Çdonjëri prej marinarëve pretendonte se kjo qe një mrekulli; shenjtorët e dinin që ishte ashtu, gëzoheshin dhe lavdëronin Zotin; kapiteni besoi fort në këtë e u ndie thellësisht mirënjohës, dhe paskëtaj zemra e tij u lidh me ne. Ai na ofroi çdo lehtësi dhe favor të veçantë që varej prej tij për të na e dhënë, dhe vazhdimisht shqetësohej për nevojat dhe mungesat tona; mori pjesë në të gjitha mbledhjet tona, bleu dhe lexoi librat tanë. Marinarët bënë gjithashtu të njëjtën gjë dhe kur u ndava prej tyre në Nju-Orlins [Luiziana], më bënë një premtim se do të pagëzoheshin. Rreth një vit më vonë, mora një letër nga kryemarinari, që më tregonte se ata … e kishin përmbushur premtimin e tyre. Kapiteni gjithashtu deklaroi synimin e tij për të marrë ungjillin në një të ardhme dhe të jetuarit me shenjtorët. Kujdestari u pagëzua kur arritëm në Nju-Orlins; dhe duke u ndarë nga ai, më bëri dhuratë një Bibël, të cilën e mbaj tani.”40

Plaku Snou shkroi: “Disa nga marinarët qanë kur u larguam përfundimisht nga anija Suanton. Në fakt, të gjithë ne kishim ndjenja shumë solemne.”41 Nga Nju-Orlinsi, Plaku Snou dhe shokët e tij shenjtorë hipën në një traget dhe u ngjitën nëpër lumin Misisipi. Ata arritën në Navu më 12 prill 1843.

Devotshmëri e Vazhdueshme ndaj Punës së Zotit

Pasi shërbeu si misionar kohëplotë për pothuaj shtatë vjet, Lorenco Snou pa mundësitë e veta për ndryshim të shërbimit për një kohë. Në dimrin e 1843–1844-ës, grupi që administronte financat e një shkolle vendore, i ofroi atij një punë si mësues. Ai e pranoi ofertën, edhe pse e dinte se shumë nga studentët “ishin krenarë për aftësinë e tyre për të rrahur mësuesit e rrënuar shkollat”. Ai vendosi që mënyra për të fituar respektin e studentëve ishte të tregonte respekt për ta. Motra e tij Eliza kujtonte: “Ai iu foli atyre djemve sikur të ishin zotërinjtë më të respektuar. … Ai punoi veçanërisht shumë për t’u lënë mbresa me ndjenjën që interesohej për ta” dhe dëshirën e tij për “t’i ndihmuar të vazhdonin me studimet e tyre. … Në këtë mënyrë, me bujari dhe bindje, ndjenjat e tyre u zbutën – ai fitoi mirëbesimin e tyre dhe me durim e përpjekje të vazhdueshme, të rinjtë e potershëm u shndërruan në studentë të respektuar; dhe shumë përpara mbarimit të semestrit, me një përparim befasues, ata mësuan të studionin shumë.”42

Në 1844-ën ai mori një detyrë të re në Kishë. Ai u caktua të udhëtonte në Ohajo dhe të mbikëqyrte një fushatë për zgjedhjen e Jozef Smithit si president të Shteteve të Bashkuara. Profeti qe zhgënjyer me mënyrën se si ishin trajtuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe u pati shkruar një letër kandidatëve aktualë për president që të përcaktonin qëndrimin e tyre ndaj Kishës. I pakënaqur me përgjigjet e tyre, ai pati vendosur të kandidonte vetë për president.

Kuorumi i Të Dymbëdhjetë Apostujve caktoi Lorenco Snoun dhe të tjerë të “formonin një organizatë politike kudo në shtetin e Ohajos për përkrahjen e Jozefit për Presidencën”43. Duke bërë këtë, ata i bënë të ditur publikut mënyrat se si ishin shkelur të drejtat kushtetuese të shenjtorëve. Lorenco tha se pati “një periudhë shumë interesante”44. Disa njerëz e kundërshtuan fuqishëm kandidaturën e Profetit, ndërsa të tjerë ndienin se Jozef Smithi mund ta udhëhiqte kombin drejt suksesit dhe mbarësisë.

“Gjatë kohës së këtyre pikëpamjeve të kundërta”, kujtonte Lorenco Snou, “përparimi im befas u mbyll nga një raportim i sigurt për masakrën e Profetit dhe të vëllait të tij Hajrëm”45. Ai u kthye në Navu “me zemër të brengosur”46.

Edhe gjatë kësaj kohe tragjike, shenjtorët punuan me zell për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Siç vërejti më vonë Lorenco: “Nën drejtimin e të Plotfuqishmit, mbretëria përparoi”47. Ata vazhduan të predikonin ungjillin e të forconin njëri-tjetrin, dhe punuan së bashku për të përfunduar ndërtimin e një tempulli në qytetin e tyre.

Kur Lorenco Snou u mblodh me shenjtorët në Navu, ai pati vendosur që të mos martohej kurrë, duke zgjedhur në vend të kësaj t’ia përkushtonte jetën e vet predikimit të ungjillit. Motra e tij Eliza më vonë vërejti: “Gjithçka dëshironte ishte që t’ia kushtonte shërbesës kohën e tij, talentet e tij, gjithçka që kishte dhe që mund të bënte”. Ai ndiente se jeta familjare disi do ta “ulte dobinë e tij” në punën e Zotit.48

Pikëpamjet e Lorencos mbi martesën dhe familjen filluan të ndryshonin në 1843-shin kur foli vetëm për vetëm me Profetin Jozef Smith mbi brigjet e lumit Misisipi. Profeti dëshmoi për zbulesën që pati marrë lidhur me martesën me më shumë se një grua. Ai i tha Lorencos: “Zoti do të hapë udhën tënde që ta pranosh dhe t’i bindesh ligjit të Martesës Çelestiale”49. Me këtë këshillë, Lorenco filloi të kuptonte se martesa ishte një urdhërim i Zotit dhe një pjesë thelbësore e planit të lumturisë të Atit Qiellor.

Në 1845-ën, Lorenco Snou lidhi martesë me më shumë se një grua, siç praktikohej atëherë në Kishë, duke u martuar me Sharlot Skuajërs dhe me Meri Edëlain Godard. Ai më vonë u vulos me gra të tjera. Besnikëria e dashuria e tij ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve u bë pjesë e besnikërisë dhe dashurisë së tij ndaj punës së Zotit.

Shenjtorët vazhduan të ngrenë mbretërinë e Perëndisë në Navu, por përndjekja vazhdoi gjithashtu. Në shkurt të 1846-ës, në dimrin e ftohtë, bandat i detyruan që t’i braktisnin shtëpitë e tyre dhe tempullin e tyre. Ata filluan një udhëtim të gjatë nga perëndimi drejt një shtëpie të re.

Duke Ndihmuar Shenjtorët të Mblidhen në Luginën e Solt-Lejkut

Edhe pse Lorenco Snou dhe familja e tij u larguan nga Navuja me pjesën tjetër të shenjtorëve, ata nuk arritën në luginën e Solt-Lejkut veçse pas më shumë se një viti pas kompanisë së parë të pionierëve. Sikurse shumë nga pionierët e hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ata qëndruan në vendbanime të përkohshme përgjatë udhëtimit. Lorenco dhe familja e tij qëndruan për një kohë të shkurtër në një vendbanim në Ajoua të quajtur Gardën-Grouv, ku ndërtuan kasolle me trungje për shenjtorët që do të vinin pas tyre. Prej andej, u transferuan në një vendbanim që quhej Maunt-Pisga [Mount Pisgah / Mali Pisga], po ashtu në Ajoua.

Në Maunt-Pisga, Lorenco punoi me familjen e tij dhe shenjtorët e tjerë, përsëri duke siguruar për nevojat e tyre dhe për nevojat e atyre që do të vinin pas tyre rrugës për në Luginën e Solt-Lejkut. Ata ndërtuan shtëpi me trungje dhe madje mbollën e u kujdesën për të lashta, duke ditur se me gjasa të tjerë do t’i korrnin frytet. Gjatë një pjese të kohës së tyre në Maunt-Pisga, Lorenco u thirr të kryesonte një vendbanim. Ndërsa mjerimi, sëmundja dhe vdekja pllakosën njerëzit, përfshirë familjen e tij, ai punoi me zell për t’i ndihmuar njerëzit të gjenin shpresë, të forconin njëri-tjetrin dhe të qëndronin të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit.50

Në pranverën e 1848-ës, Presidenti Brigam Jang e udhëzoi Lorenco Snoun të largohej nga Maunt-Pisga dhe të udhëtonte për në luginën e Solt-Lejkut. Lorencos iu dha përsëri një pozicion udhëheqës, këtë herë si drejtues i kompanive të pionierëve. Grupet arritën në luginën e Solt-Lejkut në shtator të 1848-ës.

Shërbimi si Anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve

Më 12 shkurt 1849, Lorenco Snou mori një mesazh se duhej të merrte pjesë në një mbledhje të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai menjëherë ndërpreu atë që po bënte dhe shkoi në mbledhje, që ndërkohë ishte në sesion. Gjatë rrugës, pyeste veten përse ishte thirrur përpara Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ai qe hutuar – a ishte akuzuar për ndonjë veprim të gabuar? Duke e ditur se kishte qenë besnik në kryerjen e detyrës së tij, e largoi atë shqetësim. Por nuk mund ta përfytyronte se çfarë e priste. Kur arriti, u befasua kur mësoi se ishte thirrur që të shërbente si anëtar i kuorumit. Në po atë mbledhje, ai dhe tre të tjerë – Plaku Çarls C. Riç, Plaku Frenklin D. Riçards dhe Plaku Erastus Snou, një kushëri i largët i Lorencos – u shuguruan Apostuj.51

Shugurimi i Lorenco Snout në shërbesën si Apostull përcaktoi karakteristikat e pjesës tjetër të jetës së tij. Thirrja e tij si një nga “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit” (DeB 107:23) ndikoi në gjithçka që bëri. Ai më vonë shprehu ndjenjat e tij rreth përgjegjësive personale të një Apostulli:

“Së pari, një Apostull duhet të zotërojë një njohuri Hyjnore, me anë të zbulesës prej Perëndisë, se Jezusi jeton – që Ai është Biri i Perëndisë së gjallë.

Së dyti, ai duhet të jetë shenjtërisht i autorizuar të premtojë Frymën e Shenjtë; një parim Hyjnor që zbulon gjërat e Perëndisë, duke bërë të njohur vullnetin dhe qëllimet e Tij, duke udhëhequr te çdo e vërtetë, dhe duke treguar gjërat që do të vijnë, siç është shpallur nga Shpëtimtari.

Së treti, atij i është dhënë autoritet nga fuqia e Perëndisë që të administrojë ordinancat e shenjta të Ungjillit, që i konfirmohen çdo personi me anë të dëshmisë Hyjnore. Mijëra njerëz që tani banojnë në këto lugina malore, që i morën këto ordinanca si rezultat i predikimit tim, janë dëshmi e gjallë e së vërtetës së kësaj deklarate.”52

Përveç përgjegjësisë individuale të thirrjes së tij, Plaku Snou kishte një bindje për atë se çfarë do të thoshte të ishe anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve: “Ne, Të Dymbëdhjetët, jemi të vendosur të heqim dorë nga gjithçka që do të na e largonte vëmendjen nga shtegu i detyrës, që të mund të jemi sikurse Presidenca [e Parë] është një, dhe të jemi të bashkuar nga parimi i dashurisë që lidh Birin e Perëndisë me Atin”53.

Me këtë kuptim të thirrjes së tij personale dhe të misionit të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Plaku Lorenco Snou ia kushtoi jetën e tij ndihmës për të ngritur mbretërinë e Perëndisë mbi tokë. Ai iu përgjigj thirrjes për të shërbyer në shumë mënyra të ndryshme dhe në shumë vende të ndryshme.

Misioni Italian

Gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit të 1849-ës, Plaku Snou u thirr për të themeluar një mision në Itali. Edhe pse nuk e njihte vendin, kulturat dhe gjuhët e tij, ai nuk ngurroi ta pranonte thirrjen. Në më pak se dy javë pas konferencës, ai qe gati të nisej, pasi pati bërë më të mirën për të siguruar ndihmë për bashkëshortet dhe fëmijët gjatë mungesës së tij.

Ndërsa ai dhe misionarë të tjerë udhëtonin për në lindje të Shteteve të Bashkuara, ku do të hipnin në një anije për të kapërcyer Oqeanin Atlantik, mendimet e tij u përqendruan te familja e tij dhe te njerëzit të cilëve shpejt do t’u shërbente. Në një letër drejtuar motrës së tij Eliza, ai shkruante: “Shumë ndjenja të kundërta më pushtuan mendjen. … Ne po shpejtonim larg e më larg magnetit të fuqishëm – SHTËPISË! Por ne e dinim se puna që po bënim, ishte të çonim dritë tek ata që qëndronin në errësirë dhe në Luginën e Hijes së Vdekjes, dhe mendjet tona u mbushën me dashuri, dhe lotët tanë u fshinë.”54

Plaku Snou dhe shokët e tij të misionit mbërritën në Gjenova të Italisë, në korrik 1850. Ata mund ta kuptonin se puna e Zotit do të përparonte ngadalë. Plaku Snou shkruante: “Unë jam një i huaj, i vetëm në këtë qytet të madh, 12.875 kilometra larg familjes sime të dashur, i rrethuar nga një popull, me mënyrat dhe sjelljet e të cilit nuk njihem. Unë kam ardhur të ndriçoj mendjet e tyre, dhe t’i udhëzoj në parimet e drejtësisë; por nuk shoh mjete të mundshme për ta përmbushur këtë qëllim. Duket sikur nuk ka mundësi që kjo të ndodhë.” I shqetësuar rreth “veprimeve të pamenda, … ligësisë, errësirës së madhe dhe paragjykimit” të popullit të cilit ishte thirrur që t’i shërbente, ai shkruante: “Unë i kërkoj Atit tim Qiellor që ta shohë me mëshirë këtë popull. O Zot, lejoji ata të bëhen objekt i dhembshurisë Tënde, që të mos vdesin. Fali mëkatet e tyre dhe lejomë që të njihem ndër ta, që ata të mund të të njohin Ty, dhe të dinë se Ti më ke dërguar që të themeloj Mbretërinë Tënde. … A ke Ti disa të zgjedhur midis këtij populli tek i cili unë jam dërguar? Më udhëhiq tek ata, dhe emri Yt do të ketë lavdi nëpërmjet Jezusit Birit Tënd.”55

Plaku Snou i gjeti këta “të zgjedhur” midis një grupi njerëzish të quajtur valdensianë. Valdensianët jetonin në një luginë malore në rajonin e Piemontit, pikërisht në jug të kufirit italo-zviceran dhe në lindje të kufirit italo-francez. Paraardhësit e tyre qenë përndjekur dhe përzënë nga një vend në tjetrin për shkak se besonin tek autoriteti i Apostujve të lashtë dhe donin që të ndiqnin mësimet e Apostujve më tepër se të bashkoheshin me kishat e kohës.

Në një letër drejtuar Presidentit Brigam Jang, Plaku Snou shkruante se valdensianët kishin vuajtur ndër shekuj nga “padituria dhe egërsia” dhe “kishin qëndruar të patundur, gati si shkëmbi i rrahur nga dallgët në një oqean të stuhishëm”. Por pikërisht para se shenjtorët e ditëve të mëvonshme të arrinin në Itali, valdensianët filluan të gëzonin “një periudhë qetësie të thellë”, dhe dukej se kishin më shumë liri fetare se të tjerët në Itali. “Kështu”, vërejti ai, “udha qe hapur vetëm një periudhë të shkurtër para fillimit të misionit, dhe asnjë pjesë tjetër e Italisë nuk qeveriset nga ligje të tilla të favorshme.”

Duke dashur të mësojë më shumë rreth këtij populli, Plaku Snou shkoi në një bibliotekë për të gjetur një libër rreth tyre. Ai kujtonte: “Bibliotekari që pyeta, më tha se kishte një vepër me përshkrimin që kërkoja, por atë sapo e kishin marrë. Ai nuk pati mbaruar mirë fjalinë kur një zonjë hyri me librin. ‘Oh’, tha ai, ‘kjo është një rastësi e mrekullueshme, ky zotëri sapo pyeti për këtë libër.’ Shpejt u binda se ky popull ishte i denjë për të qenë populli i parë në Itali që t’i jepej mësim rreth Ungjillit.”56

Plaku Snou dhe shokët e tij ishin të etur të predikonin ungjillin në rajonin e Piemontit, por ata ndienin se duhej të vepronin me kujdes, duke zhvilluar miqësi dhe duke u treguar njerëzve se mund t’u besohej. Kur ndien se patën krijuar marrëdhënie të mira me njerëzit, ata u ngjitën në një mal pranë, i kënduan “lëvdata Perëndisë në qiell” dhe ofruan një lutje, duke e dedikuar vendin e Italisë për punë misionare. Ata gjithashtu shprehën përkushtimin e tyre personal ndaj punës, dhe Plaku Snou administroi bekime priftërie për shokët e tij të misionit për t’i ndihmuar në përgjegjësitë e tyre. I frymëzuar nga përvoja e tyre në mal, Plaku Snou e quajti vendin Mali Brigam.57

Edhe pas kësaj përvoje, thuajse dy muaj kaluan përpara se dikush të shprehte dëshirën për t’u bashkuar me Kishën. Më 27 tetor 1850, misionarët u gëzuan të shihnin më në fund pagëzimin dhe konfirmimin e parë në Itali.58 Plaku Snou më vonë raportoi: “Puna këtu është e ngadalshme dhe e lodhshme. … Sidoqoftë, Kisha është themeluar. Pema është mbjellë dhe po i shtrin rrënjët e saj.”59

Një natë Plaku Snou pa një ëndërr që e ndihmoi të kuptonte natyrën e misionit të tij në Itali. Në ëndërr, ai po peshkonte me miqtë e tij. “Ne u gëzuam të vinim re peshkun e madh e të bukur në sipërfaqen e ujit, gjithandej, në një largësi të madhe”, tha ai. “Ne pamë shumë persona që hidhnin rrjetat dhe fijet e tyre të peshkimit; por ata dukeshin të ishin të gjithë të palëvizshëm; ndërsa, ne ishim në lëvizje të vazhdueshme. Ndërsa kaloja njërin prej tyre, zbulova se një peshk ishte kapur te grepi im, dhe mendova se kjo mund, ndoshta, të turbullonte ndjenjat e këtij personi, sikur t’i ishte hequr prej duarsh; sidoqoftë, ne vazhduam dhe erdhëm në breg. Atëherë, unë tërhoqa fijen time dhe u befasova e u brengosa shumë kur pashë sa i vogël ishte peshku im. M’u duk shumë e çuditshme që, mes një turme aq të madhe peshqish të fisëm dhe me pamje superiore, të bëja një kapje aq të vogël. Por i gjithë zhgënjimi im u zhduk kur zbulova se cilësitë e tij ishin të një natyre shumë të jashtëzakonshme.”60

Ëndrra e Plakut Snou ishte profetike. Ai nuk pa një numër të madh të kthyerish në besim në Itali dhe, siç vërejti më vonë një misionar tjetër, ata që pranuan ungjillin “nuk ishin të pasurit dhe fisnikët”61. Sidoqoftë, Plaku Snou dhe shokët e tij të misionit ishin mjete në duart e Zotit në sjelljen e njerëzve të mirë e besnikë në mbretërinë e Perëndisë – njerëz që shprehën mirënjohje që kishin “filluar të ecnin në udhën e një jete të re dhe të përjetshme”62. Dhe si rezultat i udhëheqjes së Plakut Snou, Libri i Mormonit u përkthye në italisht.

Thuajse një shekull e gjysmë më vonë, një tjetër Apostull, Plaku Xhejms E. Faust, foli rreth burrave dhe grave që u bashkuan me Kishën në saje të punës së Plakut Snou dhe shokëve të tij të misionit: “Disa ishin në kompanitë e para të karrocave të dorës që erdhën në luginën e Solt-Lejkut. … Shumë nga pasardhësit e tyre u kujdesën për vreshtat e kishës së saporivendosur dhe sot po japin ndihmesa të jashtëzakonshme për kishën në mbarë botën, duke besuar, siç besonin paraardhësit e tyre, se Apostujt mbajnë çelësat që nuk ndryshken kurrë.”63

Duke Ngritur Kishën

Plaku Snou më vonë shërbeu në misione të tjera, duke lartësuar thirrjen e tij si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për të punuar “nën drejtimin e Presidencës së [Parë të] Kishës … për të ngritur kishën dhe për të rregulluar të gjitha punët e saj në të gjitha kombet” (DeB 107:33).

Në 1853-shin, Presidenti Brigam Jang e thirri Lorenco Snoun për të udhëhequr një grup familjesh në një vendbanim në kontenë e Boks-Elderit në Jutan veriore. Vendbanimi ekzistues ishte i vogël, i paorganizuar dhe duke u dobësuar. Plaku Snou menjëherë shkoi për të punuar, duke organizuar njerëzit në përputhje me ligjin e përkushtimit siç ishte dhënë mësim nga Profeti Jozef Smith. Njerëzit krijuan një qytet të lulëzuar, që Plaku Snou e quajti Brigam-Siti në nderim të Presidentit Jang. Duke punuar së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin, qytetarët ngritën një sistem shkollash, fabrika, një sistem ujitjeje, një organizatë për blerje dhe shitje mallrash dhe madje një shoqatë teatrale. Megjithëse nuk e jetuan plotësinë e ligjit të përkushtimit, ata u drejtuan nga parimet e tij, dhe treguan se çfarë mund të realizojë një komunitet me bashkëpunim dhe punë të vështirë. “Nuk kishte njerëz dembelë në Brigam-Siti”, shkroi bija e Presidentit Snou, Lesli. “Ishte një kohë veprimtarie dhe mbarësie që ndoshta nuk ishte parë kurrë në historinë e ndonjë vendbanimi tjetër në shtet”64.

Plaku Snou dhe familja e tij jetuan në Brigam-Siti për shumë vite. Ai i kryesoi shenjtorët atje, duke u larguar herë pas here për të shërbyer në misione të shkurtra gjetkë. Në 1864-ën, u largua për rreth tre muaj, duke shërbyer në një mision të shkurtër në Ishujt Havai. Ai shkoi me Plakun Ezra T. Benson, që ishte gjithashtu anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dhe Pleqtë Jozef F. Smith, Alma Smith dhe Uilliam W. Klaf.65 Në 1872–1873-shin, Plaku Snou dhe të tjerë shoqëruan Presidentin Xhorxh A. Smith, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, në një turne nëntëmujor nëpër pjesë të Europës dhe të Lindjes së Mesme, përfshirë një vizitë në Tokën e Shenjtë. Ata shkuan me kërkesë të Presidentit Brigam Jang, që shpresonte se ndikimi i tyre i drejtë do të ndihmonte të përgatiteshin kombe të tjera për të marrë ungjillin e rivendosur.66 Në 1885-ën, Plaku Snou u thirr për të vizituar disa grupe indianësh të Amerikës në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara dhe në shtetin e Uajomingut. Duke filluar në gusht dhe duke mbaruar në tetor, ai themeloi atje misione dhe organizoi udhëheqësit e Kishës për të ndihmuar ata që ishin pagëzuar dhe konfirmuar.

Puna e Tempullit

Presidenti Hiber J. Grant, Presidenti i shtatë i Kishës, vërejti se Presidenti Lorenco Snou “për vite ia kushtoi jetën e tij punës në Tempull”67. Kjo dashuri për punën në tempull filloi në ditët e hershme të kthimit në besim të Presidentit Snou dhe u thellua gjatë shërbimit të tij si Apostull. Ai mori pjesë në mbledhjet në Tempullin e Kirtlandit shpejt pasi u pagëzua dhe konfirmua. Më vonë, ai me entuziazëm pranoi një thirrje për të mbledhur dhurimet për të ndërtuar tempullin në Navu. Sapo u ndërtua Tempulli i Navusë, ai shërbeu si punonjës tempulli atje, duke ndihmuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme të merrnin indaumentin dhe ordinancat e vulosjes përpara eksodit të tyre drejt Perëndimit. Përgjegjësitë e tija në tempull vazhduan dhe u zgjeruan kur u thirr të shërbente si Apostull. Ai foli në shërbimet e dedikimit në Tempullin e Loganit në Juta. Pasi Presidenti Uillford Udraf dedikoi Tempullin e Mantit në Juta, Presidenti Snou lexoi lutjen e dedikimit në seancat e ditëve në vazhdim. Kur guri i fundit u vendos në majën më të lartë të Tempullit të Solt-Lejkut, ai udhëhoqi një kongregacion të madh në thirrjen 3 herë “Hosana, Hosana, Hosana Perëndisë dhe Qengjit. Amen, Amen dhe Amen.” Pasi u dedikua Tempulli i Solt-Lejkut, ai shërbeu si presidenti i parë i tempullit atje.

Në datëlindjen e 80-të të Presidentit Snou, një gazetë vendore përfshiu këtë vlerësim nderues: “Në pjesën e mëvonshme të jetës së tij, [ai është] ende i zënë dhe energjik në kauzën e madhe së cilës i ka dhënë vitet e tij të mëparshme, ai është duke vazhduar brenda hapësirave të shenjta të Tempullit punët e lavdishme të cilave ai dhe shokët e tij i kanë kushtuar veten – punë të një rëndësie të tillë të madhe për këtë botë që është vrerosur me mëkat dhe vdekje”68.

Duke u Shërbyer Individëve

Kur Presidenti Snou udhëtonte nga një vend në tjetrin, duke u dhënë mësim grupeve të mëdha të njerëzve, ai gjente kohë për t’u shërbyer individëve dhe familjeve. Për shembull, në mars të 1891-shit, kur shërbente si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ai po fliste në një konferencë në Brigam-Siti. Në mes të fjalës së tij, një shënim u vendos në katedër. Një dëshmitar okular tha se ai “e ndali bisedën e tij, lexoi shënimin dhe pastaj u shpjegoi Shenjtorëve se ishte një thirrje për të vizituar disa njerëz që ishin në një dëshpërim të madh”. Ai kërkoi falje dhe u largua nga katedra.

Shënimi ishte nga një banor i Brigam-Sitit i quajtur Xhejkob Xhensen. Ai thoshte se bija e Xhejkobit, Ela, kishte vdekur atë ditë pas një lufte disa javore me skarlatinë. Vëllai Xhensen e pati shkruar shënimin thjesht për ta informuar Presidentin Snou për vdekjen dhe që t’i kërkonte atij të planifikonte për funeralin. Por Presidenti Snou donte ta vizitonte menjëherë familjen, edhe pse kjo kërkoi që ta ndërpriste shpejt bisedën dhe të largohej nga mbledhja ku kryesonte. Përpara se të largohej nga mbledhja, Presidenti i kërkoi Raxher Klausonit, që atëherë ishte president i Kunjit të Boks-Elderit, që ta shoqëronte.

Xhejkob Xhenseni kujtonte çfarë ndodhi kur Presidenti Snou dhe Presidenti Klauson arritën te shtëpia e tij:

“Pasi qëndruan në anë të shtratit të Elës për një a dy minuta, Presidenti Snou kërkoi nëse kishim vaj të përkushtuar në shtëpi. Unë u befasova shumë, por i thashë po dhe ia prura. Ai ia dorëzoi shishen e vajit Vëllait Klauson dhe i kërkoi ta vajoste Elën. [Presidenti Snou] atëherë ishte personi që vulosi vajosjen dhe dha bekimin.

Gjatë administrimit të bekimit mua më bënë veçanërisht përshtypje disa nga fjalët që përdori dhe mund t’i kujtoj mirë ato tani. Ai tha: ‘E dashur Ela, unë të urdhëroj ty, në emër të Zotit, Jezu Krishtit, të rikthehesh dhe të jetosh, misioni yt nuk ka mbaruar. Ti do të jetosh ende për të kryer një mision të madh.’

Ai tha se ajo duhej ende të jetonte për të ndërtuar një familje të madhe dhe për të qenë një ngushëlluese për prindërit dhe miqtë e saj. Unë i kujtoj mirë këto fjalë. …

… Pasi Presidenti Snou pati përfunduar bekimin, u kthye nga bashkëshortja ime dhe unë dhe tha: ‘Tani mos mbani më zi apo të hidhëroheni. Do të jetë në rregull. Vëllai Klauson dhe unë jemi të zënë dhe duhet të ikim, ne nuk mund të qëndrojmë, por ju duhet të jeni të durueshëm dhe të prisni, dhe mos mbani zi, sepse gjithçka do të jetë në rregull.’ …

Ela mbeti në atë gjendje për më shumë se një orë pasi Presidenti Snou i administroi bekimin, gjë që përbënte më shumë se tre orë gjithsej pasi kishte ndërruar jetë. Ne po qëndronim ulur atje duke vështruar anës së shtratit, nëna e saj dhe unë, kur krejt papritur ajo hapi sytë. Ajo kërkoi rreth dhomës, na pa ne ulur atje, por përsëri kërkonte për dikë tjetër, dhe e para gjë që tha qe: ‘Ku është ai? Ku është ai?’ Ne pyetëm: ‘Cili? Ku është, kush?’ ‘Pse, Vëllai Snou’, u përgjigj ajo. ‘Ai më thirri të kthehem’.”69

Kur Ela qe në botën e shpirtrave, ajo pati ndier një paqe dhe lumturi të tillë që nuk donte të rikthehej. Por ajo iu bind zërit të Presidentit Snou. Nga ajo ditë, ajo ngushëlloi anëtarët e familjes dhe miqtë, duke i ndihmuar që të kuptonin atë që ata nuk kishin nevojë të mbanin zi për të dashurit e tyre që kishin ndërruar jetë. 70 Më vonë ajo u martua, pati tetë fëmijë dhe shërbeu besnikërisht në thirrjet e saj në Kishë.71

Duke Udhëhequr Kishën si Profet, Shikues dhe Zbulues i Zotit

Më 2 shtator 1898, Presidenti Uillford Udraf u largua nga kjo jetë pasi shërbeu si President i Kishës për më shumë se nëntë vjet. Presidenti Lorenco Snou, që atëherë shërbente si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ishte në Brigam-Siti kur mori vesh lajmin. Ai hipi në një tren për në Solt-Lejk-Siti sa më shpejt që mundi, duke ditur se përgjegjësia e udhëheqjes së Kishës tani qëndronte mbi Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve.

Duke u ndier jo aq i përshtatshëm, por gati të ndiqte vullnetin e Zotit, Presidenti Snou shkoi në Tempullin e Solt-Lejkut dhe u lut. Në përgjigje të lutjes së tij, ai u vizitua nga Vetë Zoti. Presidenti Snou më vonë dëshmoi se ai “në të vërtetë e pa Shpëtimtarin … në Tempull, dhe foli me Të ballë për ballë”. Zoti i tha të vazhdonte menjëherë me riorganizimin e Presidencës së Parë, jo të priste siç ishte vepruar kur Presidentë të mëparshëm të Kishës patën vdekur.72 Presidenti Snou u mbështet nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve si President i Kishës më 13 shtator 1898, datë pas së cilës filloi të shërbente si President. Ai u mbështet nga anëtarësia e përgjithshme e Kishës më 9 tetor dhe u veçua si Presidenti i pestë i Kishës më 10 tetor.

Nga shembulli i Presidentit Snou dhe nga zbulesat që mori, shenjtorët e ditëve të mëvonshme arritën ta njihnin atë si profetin e tyre. Ata nga fetë e tjera arritën ta respektonin gjithashtu si një njeri të vërtetë të Perëndisë.

Ndërveprime me Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme

Presidenti Snou shpesh kryesoi në konferenca kunji kur ishte President i Kishës. Kur takohej me shenjtorët, ai shprehte dashurinë dhe respektin e tij për ta. Fjalët dhe veprimet e tij tregonin se ndërsa e njihte shenjtërinë e thirrjes së tij, ai nuk e konsideronte veten më të mirë se njerëzit të cilëve u shërbente.

Në një konferencë kunji, Presidenti Snou mori pjesë në një seancë të veçantë për fëmijët e kunjit. Fëmijët u ftuan të formonin një rresht të organizuar në mënyrë që të mund t’i afroheshin profetit një nga një dhe të shtrëngonin dorën me të. Përpara se ta bënin këtë, ai u ngrit dhe tha: “Kur unë të shtrëngoj dorën me ju, dua që t’i ngrini sytë drejt fytyrës sime, në mënyrë që gjithmonë të më mbani mend. Tani unë nuk jam më i mirë nga shumë njerëz të tjerë, por Zoti ka vënë përgjegjësi të mëdha mbi mua. Qysh kur Zoti e bëri Veten të njohur te unë, në mënyrë të përsosur, jam përpjekur të kryej çdo detyrë që më është ngarkuar. Është për shkak të pozitës së lartë që unë mbaj, që dua të më mbani mend, mbani mend se keni shtrënguar dorën me Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit. Unë shpresoj që nuk do të harroni asnjëherë të luteni për mua dhe për këshilltarët e mi, Presidentët Kenon dhe Smith dhe për Apostujt.”73

Biri i Presidentit Snou, LeRoi ndau tregimin e mëposhtëm nga një konferencë kunji në Riçfild të Jutas: “Presidenti Lorenco Snou dhe Frensis M. Liman [i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve] ishin të pranishëm në një konferencë kunji në Riçfild. Pas këngës së hapjes presidenti i kunjit pyeti Vëllain Liman se cilin do të thërriste për të bërë lutjen. Vëllai Liman tha: ‘Kërkoji Presidentit Snou’, në kuptimin që pyet Presidentin Snou se cili duhet të bëjë lutjen. Në vend të kësaj, gjithsesi, presidenti i kunjit i kërkoi Presidentit Snou që të bënte lutjen. Presidenti Snou me mirësjellje u përgjigj dhe përpara se të fillonte lutjen shprehu kënaqësinë e tij që ishte thirrur dhe tha se ishte bërë një kohë e gjatë qysh kur i qe dhënë kjo kënaqësi. U tha se bëri një lutje hapjeje të mrekullueshme.”74

Ndërveprime me Ata të Feve të Tjera

Ndikimi i Presidentit Snou shtrihej përtej shokëve të tij shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Kur njerëzit e feve të tjera e takonin atë, ata krijonin respekt për të dhe Kishën që ai përfaqësonte. Reverend W. D. Kornell, shërbestar në një kishë tjetër, vizitoi Solt-Lejk-Sitin dhe pati rastin të kalonte kohë me Presidentin Snou. Ai shkroi:

“Unë u shoqërova për në praninë e tij mbresëlënëse nga sekretari i tij i dashur dhe me përvojë, dhe u gjenda duke shtrënguar dorën me një nga burrat më të këndshëm dhe të dashur që kisha takuar ndonjëherë – një burrë i cili ka aftësinë e veçantë ta çlirojë një person menjëherë nga çdo shqetësim në praninë e tij – një mjeshtër në artin e bashkëbisedimit, me një gjeni të rrallë, që e mundëson atë t’ju bëjë të ndieni një mirëseardhje çlodhëse në praninë e tij.

Presidenti Snou është një burrë i kulturuar, në mendje, shpirt dhe trup. Fjalët e tij janë shumë të mira, diplomatike, miqësore e prej dijetari. Lëvizjet e tij tregojnë elegancën e shkollave fine ku ka studiuar. Cilësia bazë e shpirtit të tij është aq miqësore sa e një fëmije. Ju i prezantoheni atij. Jeni i kënaqur me të. Bisedoni me të, e pëlqeni atë. Nëse takoheni me të gjatë, do e doni atë.” Duke iu drejtuar lexuesve të tij, që kishin dukshëm ide paragjykuese rreth Kishës, Reverend Kornell komentonte: “Dhe përsëri, ai është një ‘Mormon’! Epo, nëse ‘Mormonizmi’ arrin ndonjëherë të krijojë një burrë të vrazhdë, brutal nga Presidenti Snou, ai ka vërtet shumë për të bërë. Nëse ‘Mormonizmi’ ka qenë një forcë formimi që i ka dhënë botës një burrë të qetë në shpirt, aq të disiplinuar siç është ai, dhe të kompletuar në intelekt, sigurisht duhet të ketë diçka te ‘Mormonizmi’ që është e mirë në fund të fundit.”75

Një shërbestar tjetër, Reverend Prentis, gjithashtu shkroi për një takim me Presidentin Snou: “Fytyra që tregon se Princi i Paqes mbretëron në shpirtin e tij, është dëshmia e tij më e mirë. Herë pas here në një jetë kushtuar studimit të njerëzve, unë kam gjetur një dëshmi të tillë. E tillë ishte fytyra që pashë sot. … Unë prisja të gjeja inteligjencë, vullnet të mirë, dinjitet, qetësi mendimi e sjelljesh dhe forcë të përvijuara në fytyrën e Presidentit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme; por kur iu prezantova Lorenco Snout, për një çast u befasova. … Fytyra e tij ishte fuqi paqeje; prania e tij lutje për paqe. Në thellësitë e qeta të syve të tij nuk ishte vetëm ‘shtëpia e lutjes së qetë’, por banesa e forcës shpirtërore. Ndërsa foli për ‘një fjalë profetike më të vërtetuar’ dhe sigurinë e shpresës që ishte e tija, dhe besimin e qëndrueshëm që pati pushtuar sprovat e vështirësitë e një jete tragjike, unë vëreja emocionet që përshkonin fytyrën e tij dhe studioja me vëmendje të shtangur hijet delikate të shprehjes, që flisnin aq qartë për mënyrën se si punonte shpirti i tij; dhe më erdhi ndjenja më e çuditshme, që unë po ‘qëndroja mbi një terren të shenjtë’: se ky burrë nuk vepronte nga shtysa normale të politikës, të interesit, apo përshtatjes, por ai ‘vepronte ndryshe nga njerëzit e tjerë’. … Nëse Kisha Mormone mund të paraqesë të tillë dëshmitarë, do nevojitet vetëm pak aftësia e shkrimtarit të mirë apo gojëtaria e predikuesit të madh.”76

Zbulesa mbi Të Dhjetën

Presidenti Lorenco Snou është ndoshta më i mirënjohur për një zbulesë që mori mbi ligjin e së dhjetës. Në maj të 1899-ës, ai ndieu shtysën të udhëtonte në Seint-Xhorxh të Jutas, me udhëheqës të tjerë të Kishës. Edhe pse nuk e dinte se përse duhej të shkonin, ai dhe vëllezërit e tij iu përgjigjën nxitjes shpejt dhe brenda dy javësh ata ishin në Seint-Xhorxh. Më 17 maj, pasi arritën në Seint-Xhorxh, Presidenti Snou mori një zbulesë se duhej të predikonte ligjin e së dhjetës. Ditën tjetër bëri deklaratën vijuese për shenjtorët: “Fjala e Zotit për ju nuk është ndonjë gjë e re; është thjesht kjo: TANI KA ARDHUR KOHA PËR ÇDO SHENJTOR TË DITËVE TË MËVONSHME, I CILI SHPRESON TË JETË I PËRGATITUR PËR TË ARDHMEN DHE T’I MBAJË KËMBËT E VETA TË VENDOSURA MBI NJË THEMEL TË DUHUR, QË TË BËJË VULLNETIN E ZOTIT DHE TË PAGUAJË TË PLOTË TË DHJETËN E TIJ. Kjo është fjala e Zotit drejtuar juve, dhe do të jetë fjala e Zotit drejtuar çdo vendbanimi kudo në vendin e Sionit.”77

Pasi dha këtë mesazh në Seint-Xhorxh, Presidenti Snou dhe shokët e tij të udhëtimit ndanë të njëjtin mesazh në qytetet e Jutas jugore dhe në komunitete të tjera midis Seint-Xhorxhit dhe Solt-Lejk-Sitit. Në kohën që u kthyen më 27 maj, ata patën mbajtur 24 mbledhje në të cilat Presidenti Snou pati mbajtur 26 fjalime dhe pati shtrënguar dorën me 4.417 fëmijë. Ata udhëtuan 676 kilometra me tren dhe 494 kilometra me kuaj e qerre.78 Përvoja e mbushi Presidentin Snou me energji dhe ai kishte dëshirë për të vazhduar të predikonte ligjin e së dhjetës kudo në Kishë. “Jam aq i kënaqur me rezultatin e kësaj vizite”, tha ai, “që do të dëshiroja të udhëtoja në të gjitha kunjet në Sion, në të ardhmen e afërt.”79 Ai kryesoi në shumë konferenca kunjesh, ku u premtoi shenjtorëve se bindja ndaj këtij ligji do t’i përgatiste anëtarët e Kishës që të merrnin bekime materiale dhe shpirtërore.80 Ai gjithashtu premtoi se bindja ndaj ligjit të së dhjetës do t’i lejonte anëtarët e Kishës që të çliroheshin nga borxhi.81

Kudo në Kishë, anëtarët iu përgjigjën këshillës së Presidentit Snou me përkushtim të përtërirë. Në 1904-ën, historiani Orson F. Uitni, që më vonë do të shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, shkroi: “Ndikimi i veprimit ishte i menjëhershëm. Të dhjetat dhe ofertat derdheshin me një gatishmëri dhe bujari të panjohur për vite, dhe në shumë drejtime gjendja e Kishës u përmirësua dhe potenciali i saj për të ardhmen dukej më i mirë. Që më parë, njerëzit e kishin dashur dhe kishin besim te Presidenti Snou dhe tani këto ndjenja të mira ishin rritur dhe intensifikuar.”82 Presidenti Hiber J. Grant, që ishte anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve kur Presidenti Snou mori zbulesën mbi të dhjetën, më vonë deklaroi: “Lorenco Snou erdhi në presidencën e Kishës kur ishte tetëdhjetë e pesë vjeç, dhe ajo që përmbushi gjatë tre viteve të tjera të jetës së tij është thjesht e mahnitshme ta mendosh. … Në tre vite të shkurtra ky burrë, që bota e konsideronte tepër të moshuar për të bërë ndonjë gjë të dobishme, ky burrë që nuk ishte marrë me çështje financiare, që për vite ia pati kushtuar jetën e tij punës në tempull, u mor me problemet e financave të Kishës së Krishtit, nën frymëzimin e Perëndisë së gjallë, dhe në ato tre vite ndryshoi gjithçka, financiarisht, nga errësira në dritë.”83

Ndarja e Dëshmisë në Ditët e Fundit të Shërbesës së Tij

Më 1 janar 1901, Presidenti Snou mori pjesë në një mbledhje të posaçme në Tabernakullin e Solt-Lejkut për të mirëpritur shekullin e 20-të. Njerëz nga të gjitha fetë ishin ftuar të merrnin pjesë. Presidenti Snou pati përgatitur një mesazh për ngjarjen, por ai nuk ishte në gjendje ta lexonte vetë ngaqë kishte një ftohje të rëndë. Pas një himni hapjeje, një lutje hapjeje dhe një kënge të kënduar nga Kori i Tabernakullit, biri i Presidentit Snou, LeRoi u ngrit dhe lexoi mesazhin, të titulluar “Përshëndetje Botës nga Presidenti Lorenco Snou”.84 Fjalët e mbylljes së mesazhit tregonin ndjenjat e Presidentit Snou rreth punës së Zotit:

“Në vitin e tetëdhjetë e shtatë të moshës sime në tokë, unë ndihem plot me një dëshirë të fortë për të mirën e njerëzimit. … Unë ngre duart e mia dhe ftoj bekimet e qiellit mbi banorët e tokës. Le të buzëqeshë nga lart mbi ju drita e diellit. Le të vijnë lirisht thesaret e dheut dhe frutat e tokës për të mirën tuaj. Le të përzërë drita e së vërtetës errësirën nga shpirti juaj. Le të rritet drejtësia dhe të pakësohet forca e ligësisë. … Le të triumfojë drejtësia dhe të asgjësohet korrupsioni. Qofshin të zakonshme midis njerëzve virtyti dhe dëlirësia e nderi, derisa e keqja të kapërcehet dhe toka të jetë pastruar nga poshtërsia. Le të shkojnë këto ndjenja, si zëri i ‘Mormonëve’ në malet e Jutas, tek e gjithë bota, dhe le ta dinë të gjithë popujt se urimi dhe misioni ynë janë për bekimin dhe shpëtimin e të gjithë racës njerëzore. … U lëvdoftë Perëndia në fitoren që po vjen mbi mëkatin e dhimbjen dhe varfërinë e vdekjen. Paçi të gjithë paqe!”85

Më 6 tetor 1901, Presidenti Lorenco Snou u ngrit t’u fliste shokëve të tij shenjtorë në seancën e mbylljes së konferencës së përgjithshme. Ai kishte qenë shumë sëmurë për disa ditë dhe kur arriti te katedra, tha: “Vëllezër dhe motra të mia të dashura, është shumë e mrekullueshme për mua që duhet të përpiqem t’ju flas këtë pasdite”. Ai ndau një mesazh të shkurtër rreth udhëheqjes në Kishë. Pastaj tha fjalët e fundit që anëtarësia e përgjithshme e Kishës do të dëgjonte prej tij: “Perëndia ju bekoftë. Amen”86.

Katër ditë më vonë, Presidenti Snou vdiq nga pneumonia. Pas funeralit në Tabernakullin e Solt-Lejkut, trupi i tij u varros në një varrezë në Brigam-Sitin e tij të dashur.

Shënime

  1. Lorenzo Snow, në Lycurgus A. Wilson, Life of David W. Patten, the First Apostolic Martyr (1900), f. v.

  2. Lorenzo Snow, “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  3. Lorenzo Snow, në Life of David W. Patten, the First Apostolic Martyr, f. v.

  4. Lorenzo Snow, në Life of David W. Patten, the First Apostolic Martyr, f. v.

  5. Shih Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 1–2.

  6. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 2.

  7. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, Church History Library, f. 18.

  8. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 2–3.

  9. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 3.

  10. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 2, 3.

  11. Orson F. Whitney, History of Utah, 4 vëllime (1892–1904), 4:223.

  12. Shih Biography and Family Record of Lorenco Snow, f. 4.

  13. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 57–62.

  14. Shih Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 32.

  15. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 6.

  16. Lorenzo Snow, “The Grand Destiny of Man”, f. 22. Për më shumë informacion rreth kthimit në besim të Lorenzo Snow-t, shih kapitullin 3.

  17. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 6.

  18. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 33.

  19. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 33; shih gjithashtu “The Grand Destiny of Man”, f. 22.

  20. Lorenzo Snow, “The Grand Destiny of Man”, f. 22.

  21. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 15.

  22. Lorenzo Snow, “The Grand Destiny of Man”, f. 22.

  23. Lorenco Snow, në Biography and Family Record of Lorenco Snow, f. 16.

  24. Shih Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 16, 19.

  25. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 19.

  26. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 30.

  27. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 37–38.

  28. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Oliver Snow-t, cituar në një letër nga Eliza R. Snow drejtuar Isaac Streator-it, më 22 shkurt 1839, Church History Library.

  29. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 37.

  30. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Oliver Snow-t, cituar në një letër nga Eliza R. Snow drejtuar Isaac Streator-it, më 22 shkurt 1839.

  31. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 19.

  32. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 47.

  33. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 50–51. Për më shumë informacion rreth udhëtimit për në Angli, shih kapitullin 14.

  34. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 58–59.

  35. Letër nga Lorenco Snow drejtuar Heber C. Kimball-it, më 22 tetor 1841, në Lorenzo Snow, Letterbook, 1839–1846, Church History Library.

  36. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Heber C. Kimball-it, më 22 tetor 1841, në Lorenzo Snow, Letterbook, 1839–1846.

  37. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar George A. Smith-it, më 20 janar 1842, në Lorenzo Snow, Letterbook, 1839–1846.

  38. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 45.

  39. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 65–66.

  40. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 72–83.

  41. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 91.

  42. Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 74–75; shih gjithashtu faqen 73.

  43. Lorenzo Snow, Journal and Letterbook, 1836–1845, f. 49.

  44. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 79.

  45. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 79.

  46. Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 79, 82.

  47. Lorenzo Snow, në “Laid to Rest: The Remains of President John Taylor Consigned to the Grave”, Millennial Star, 29 gusht 1887, f. 549. Për më shumë informacion mbi komentet e Lorenzo Snow-t rreth martirizimit të Joseph Smith-it, shih kapitullin 23.

  48. Shih Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 84.

  49. Joseph Smith, cituar nga Lorenzo Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 70.

  50. Për më shumë informacion mbi përvojën në Mount Pisgah, shih kapitullin 7.

  51. Shih Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 94–95.

  52. Lorenzo Snow, “Address of Apostle Lorenzo Snow”, Millennial Star, 15 shkurt 1886, f. 110.

  53. Lorenzo Snow, Deseret News, 14 janar 1857, f. 355.

  54. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Eliza R. Snow-t, në The Italian Mission (1851), f. 5.

  55. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Franklin D. Richards-it, në The Italian Mission f. 8–10.

  56. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 10–11.

  57. Shih letër nga Lorenzo Snow drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 15–17.

  58. Shih letër nga Lorenzo Snow drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 17.

  59. Letër nga Lorenzo Snow drejtuar Franklin D. Richards-it, në The Italian Mission, f. 20.

  60. Shih letër nga Lorenzo Snow drejtuar Orson Hyde-it, në The Italian Mission, f. 23.

  61. Letër nga Jabez Woodard drejtuar Lorenzo Snow-t, në The Italian Mission, f. 26.

  62. Cituar në një letër të Jabez Woodard-it për Lorenzo Snow-n, në The Italian Mission, f. 26.

  63. Në Conference Report, tetor 1994, f. 97, ose Ensign, nëntor 1994, f. 74.

  64. Leslie Woodruff Snow, “President Lorenzo Snow, as the Silver Grays of Today Remember Him”, Young Woman’s Journal, shtator 1903, f. 391.

  65. Për më shumë informacion mbi përvojën e Plakut Snow në Ishujt Havai, shih kapitullin 4.

  66. Për më shumë informacion mbi përvojën e Plakut Snow në Tokën e Shenjtë, shih kapitullin 24.

  67. Heber J. Grant, në Conference Report, qershor 1919, f. 10.

  68. Deseret Evening News, 3 prill 1894, f. 4.

  69. Jakob Jensen, cituar në LeRoi C. Snow, “Raised from the Dead”, Improvement Era, shtator 1929, f. 884–886.

  70. Shih LeRoi C. Snow, “Raised from the Dead,” f. 886; LeRoi C. Snow, “Raised from the Dead (Conclusion)”, Improvement Era, tetor 1929, f. 975–979.

  71. Shih LeRoi C. Snow, “Raised from the Dead (Conclusion)”, f. 980.

  72. Shih LeRoi C. Snow, “An Experience of My Father’s”, Improvement Era, shtator 1933, f. 677; shih gjithashtu korrespondencën midis Plakut John A. Widtsoe dhe Noah S. Pond, bashkëshort i Alice Armeda Snow Young Pond, 30 tetor 1945 dhe 12 nëntor 1946, Church History Library. Presidenti Brigham Young priti më shumë se tre vjet pas martirizimit të Profetit Joseph Smith përpara se të riorganizonte Presidencën e Parë; Presidenti John Taylor priti më shumë se tre vjet pas vdekjes së Presidentit Young; Presidenti Woodruff priti thuajse dy vjet pas vdekjes së Presidentit Taylor. Për më shumë informacion mbi shfaqjen hyjnore që Presidenti Snow mori në tempull, shih kapitullin 20.

  73. Lorenzo Snow, në “President Snow in Cache Valley”, Deseret Evening News, 7 gusht 1899, f. 1.

  74. Biographical Notes on Lorenzo Snow, përmblodhi LeRoi C. Snow, Church History Library, f. 2.

  75. W. D. Cornell, cituar në “Mormonism in Salt Lake”, Millennial Star, 14 shtator 1899, f. 579.

  76. Reverend Prentis, cituar në Nephi Anderson, “Life and Character Sketch of Lorenzo Snow”, Improvement Era, qershor 1899, f. 569–570.

  77. Lorenzo Snow, Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 533; shih gjithashtu Deseret Evening News, 17 maj 1899, f. 2; Deseret Evening News, 18 maj 1899, f. 2. Millennial Star thotë se Presidenti Snow e mbajti këtë fjalim më 8 maj, por burime të tjera bashkëkohëse tregojnë se e mbajti më 18 maj. Presidenti Snow gjithashtu foli rreth të dhjetës më 17 maj. Për një tregim më të plotë të zbulesës mbi të dhjetën, shih kapitullin 12.

  78. Shih “Pres. Snow Is Home Again”, Deseret Evening News, 27 maj 1899, f. 1.

  79. Lorenzo Snow, në “Pres. Snow Is Home Again”, f. 1.

  80. Shih, për shembull, Deseret Evening News, 24 qershor 1899, f. 3.

  81. Shih, për shembull, Improvement Era, gusht 1899, f. 793.

  82. Orson F. Whitney, History of Utah, 4:226.

  83. Heber J. Grant, në Conference Report, qershor 1919, f. 10.

  84. Shih “Special New Century Services”, Deseret Evening News, 1 janar 1901, f. 5.

  85. Lorenzo Snow, “Greeting to the World by President Lorenzo Snow”, Deseret Evening News, 1 janar 1901, f. 5.

  86. Lorenzo Snow, në Conference Report, tetor 1901, f. 60, 62.

Babai i Lorenco Snout, Oliver Snou

Lorenco Snou u pagëzua dhe konfirmua në Kirtland të Ohajos, në qershor të 1836-ës, dy muaj pasi Tempulli i Kirtlandit, paraqitur këtu, qe përkushtuar.

Plaku Lorenco Snou

Shumë shenjtorë të hershëm emigruan nga Europa për t’u bashkuar me shenjtorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anijen Suanton, një burrë i plagosur rëndë u shërua menjëherë pas administrimit të një bekimi priftërie nga Plaku Lorenco Snou.

Lorenco Snou shërbeu si drejtues i kompanive të pionierëve që arritën në luginën e Solt-Lejkut në 1848-ën.

Çizme, këpucë, pajime kuajsh dhe kapele prodhoheshin në këtë ndërtesë në Brigam-Siti të Jutas.

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në 1898-ën. Reshti sipër, nga e majta në të djathtë: Anton H. Land, Xhon W. Tejlor, Xhon Henri Smith, Hiber J. Grant, Brigam Jang i Riu, Xhorxh Tisdejl, Raxher Kloson, Meriner W. Merill. Rreshti i mesit: Fransis M. Liman, Xhorxh Q. Kenon, Lorenco Snou, Jozef F. Smith, Frenklin D. Riçards. Rreshti poshtë: Matias F. Kauli, Abraham O. Udraf.