Mësime të Presidentëve
Kapitulli 12: E Dhjeta, një Ligj për Mbrojtjen dhe Përparimin Tonë


Kapitulli 12

E Dhjeta, një Ligj për Mbrojtjen dhe Përparimin Tonë

“Ligji i së dhjetës është një nga më të rëndësishmit që i është zbuluar ndonjëherë njeriut. … Nëpërmjet bindjes ndaj këtij ligji shenjtorëve do t’u jepen bekimet e mbarësisë dhe të suksesit.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në fillimet e majit 1899, Presidenti Lorenco Snou ndieu një nxitje për të vizituar qytetin e Seint-Xhorxhit dhe vendbanime të tjera në Jutën jugore. Shpejt e shpejt, ai filloi të organizonte një grup njerëzish, përfshirë disa Autoritete të Përgjithshme, që të ndërmerrnin një udhëtim të gjatë me të.

Kur Presidenti Snou bëri përgatitjet për udhëtimin, nuk i tha njeriu përse po shkonin – ai nuk e dinte as vetë arsyen. “Kur u larguam nga Solt-Lejk-Siti”, tha ai më vonë, “ne nuk e dinim se për çfarë pikërisht po shkonim t’i vizitonim këto vendbanime jugore.”1 Por më 17 maj, shpejt pasi udhëtarët arritën në Seint-Xhorxh, vullneti i Zotit iu “shfaq qartë” profetit të Tij.2 Në një mbledhje mbajtur më 18 maj 1899, Presidenti Snou tha:

“Është fjala e Zotit për ju, vëllezër dhe motra të mia, që ju duhet të pajtoheni me atë që kërkohet nga ju si njerëz të cilët keni përpara jush këto perspektiva të lavdishme të ekzaltimit dhe të lavdisë. Çfarë është ajo? Përse, ajo është diçka që ju është përsëritur herë pas here derisa ndoshta jeni lodhur duke e dëgjuar … Fjala e Zotit për ju nuk është ndonjë gjë e re; është thjesht kjo: KOHA KA ARDHUR TANI PËR ÇDO SHENJTOR TË DITËVE TË MËVONSHME, QË SHPRESON TË JETË I PËRGATITUR PËR TË ARDHMEN DHE T’I MBAJË KËMBËT E VETA TË VENDOSURA MBI NJË THEMEL TË DUHUR, QË TË BËJË VULLNETIN E ZOTIT DHE TË PAGUAJË TË PLOTË TË DHJETËN E TIJ. Kjo është fjala e Zotit drejtuar juve, dhe do të jetë fjala e Zotit drejtuar çdo vendbanimi kudo në vendin e Sionit. Pasi të largohem nga ju dhe ju të filloni të mendoni mbi këtë, do ta shihni vetë se koha ka ardhur kur çdo njeri duhet të ngrihet dhe të paguajë të plotë të dhjetën e tij. Zoti na ka bekuar dhe ka pasur mëshirë për ne në të kaluarën; por po vijnë kohë kur Zoti kërkon që të ngrihemi dhe të bëjmë atë që ka urdhëruar dhe jo ta shtyjmë për më vonë. Atë që po ju them në këtë Kunj të Sionit, unë do t’ia them çdo Kunji të Sionit që është organizuar. Nuk ka burrë apo grua që e dëgjon tani këtë që po them, që do të ndihet i kënaqur nëse ai apo ajo nuk do të paguajë një të dhjetë të plotë.”3

Në 50 vitet e tij të mëparshme si Apostull, Presidenti Snou rrallë e pati përmendur ligjin e së dhjetës në predikimet e tij. Kjo ndryshoi në Seint-Xhorxh të Jutas, për shkak të zbulesës që mori. “Unë kurrë nuk pata një zbulesë më të përsosur”, tha ai më vonë, “sesa [zbulesa] që mora për këtë temë të së dhjetës”4. Nga Seint-Xhorxhi, ai dhe shokët e tij të udhëtimit shkuan qytet më qytet në Jutën jugore dhe gjatë rrugës së tyre për në shtëpi në Solt-Lejk-Siti, duke mbajtur 24 mbledhje. Presidenti Snou dha 26 predikime. Sa herë që foli, i këshilloi shenjtorët t’i bindeshin ligjit të së dhjetës.

Grupi u kthye në Solt-Lejk-Siti më 27 maj. Një reporter gazete vërejti: “Sot, Presidenti duket më i fortë dhe më aktiv sesa në ditën që u largua nga Solt-Lejku”. Duke iu përgjigjur një komenti se ai e pati “përballuar mrekullisht mirë udhëtimin”, profeti 85-vjeçar tha: “Po, kështu thonë të gjithë. … Udhëtimi më bëri mirë. Unë nuk jam ndier kurrë më mirë në jetën time. Unë ndiej se Zoti më mbështet në përgjigje të lutjeve të shenjtorëve.”5

Përveç komentimit mbi mirëqenien e tij personale, ai ndau ndjenjat e tij mbi besimin dhe drejtësinë e shenjtorëve në Jutën jugore. Ai tha se, ai dhe grupi i tij ishin pritur “me manifestimet më të sinqerta të gëzimit dhe të vlerësimit”6. Ai tha se kur i këshillonte shenjtorët t’i bindeshin ligjit të së dhjetës: “Shpirti i Zotit vinte te njerëzit dhe ata gëzoheshin pa masë, dhe në zemrat e tyre shpallnin se do ta zbatonin këtë parim në çdo imtësi dhe në frymën e ligjit të së dhjetës”7. Në përgjigje të një pyetjeje rreth gjendjes së përgjithshme të njerëzve, ai tha: “Ata po jetojnë në shtëpi të rehatshme, janë të veshur veçanërisht mirë dhe duket që kanë plot nga gjërat e mira të tokës për të ngrënë e për të pirë. Në Kunjin e Seint-Xhorxhit njerëzit po vuajnë nga [një] thatësirë e madhe, më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë në vend, por ata kanë besim se shpejt do të kenë shi.”8

Më 29 dhe 30 maj Presidenti Snou mbajti dy predikime mbi ligjin e së dhjetës, të parin drejtuar nëpunëseve të Shoqatës së Përmirësimit Reciprok të Të Rejave dhe pastaj nëpunësve të Shoqatës së Përmirësimit Reciprok të Të Rinjve.9 Në përfundim të bisedës së dytë, Plaku B. H. Roberts i Të Shtatëdhjetëve paraqiti vendimin e mëposhtëm, që u mbështet njëzëri nga të gjithë të pranishmit: “U vendos: ‘Që ne të pranojmë doktrinën e së dhjetës, siç paraqitet tani nga Presidenti Snou, si fjala dhe vullneti i tanishëm i Zotit për ne, dhe ne e pranojmë atë me gjithë zemrën tonë; ne do ta zbatojmë atë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që është brenda fuqisë sonë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të veprojnë po kështu”10. Më 2 korrik të gjithë Autoritetet e Përgjithshme dhe përfaqësues nga të gjitha kunjet e lagjet në Kishë morën pjesë në asamblenë solemne në Tempullin e Solt-Lejkut, duke agjëruar dhe duke u lutur në përgatitje për mbledhjen. Atje ata njëzëri pranuan të njëjtin vendim.11 Vetë Presidenti Snou ishte besnik ndaj këtij vendimi, duke dhënë mësim për ligjin e së dhjetës në shumë kunje dhe duke mbikëqyrur të njëjtën përpjekje nga udhëheqës të tjerë të Kishës.

Në muajt pas vizitës së Presidentit Snou në Jutën jugore, ai mori premtimin e përkushtimit të përtërirë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për t’iu bindur ligjit të së dhjetës. Ky lajm i dha “kënaqësinë dhe plotësinë më të madhe”12, sepse e dinte se nëpërmjet bindjes së vazhdueshme ndaj këtij ligji, “bekimet e të Plotfuqishmit [do t’i] jepeshin këtij populli dhe Kisha [do të] përparonte me një forcë e shpejtësi që nuk [e kishte] provuar kurrë më parë”13.

Presidenti Snou i pati siguruar në mënyrë të përsëritur shenjtorët se, kur t’i bindeshin ligjit të së dhjetës, ata do të bekoheshin individualisht, si materialisht edhe shpirtërisht.14 Ai premtim u përmbush pjesërisht në gusht të 1899-ës, kur populli i Seint-Xhorxhit gëzoi një lehtësim të përkohshëm nga thatësira; besimi i tyre u shpërblye me 7.44 centimetra reshje, më shumë nga sa ata kishin pasur në 13 muajt e mëparshëm të marrë së bashku.15 Presidenti Snou pati premtuar gjithashtu se zbatimi i ligjit të së dhjetës do të sillte bekime për të gjithë Kishën. Ai u ndie i sigurt se të dhjetat e besnikëve do ta çlironin Kishën nga borxhi i vet, që ishte shkaktuar kryesisht si rrjedhim i përndjekjes.16 Ky premtim u përmbush në 1906-ën, pesë vjet pasi vdiq. Në konferencën e përgjithshme të prillit të 1907-ës, Presidenti Jozef F. Smith njoftoi:

“Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e Kishës, besoj unë, kur ligji i së dhjetës u zbatua në mënyrë më të përgjithshme dhe më të ndershme sesa është zbatuar së fundi nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Të dhjetat e njerëzve gjatë vitit 1906, e kanë tejkaluar të dhjetën e çdo viti tjetër. Ky është një tregues i mirë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme po e kryejnë detyrën e tyre, se ata kanë besim në Ungjill, se janë të gatshëm t’i mbajnë urdhërimet e Perëndisë dhe se po e jetojnë ligjin e së dhjetës ndoshta më besnikërisht se kurrë më parë. Unë dua t’ju them diçka tjetër, dhe e bëj këtë për t’ju përgëzuar, dhe ajo është që ne, nëpërmjet bekimit të Zotit dhe besnikërisë së shenjtorëve në pagimin e së dhjetës së tyre, kemi qenë në gjendje t’i shlyejmë detyrimet tona të borxhit. Sot Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk ka borxh asnjë dollar që nuk mund ta paguajë menjëherë. Më në fund jemi në një pozicion që mund të paguajmë duke shmangur borxhin. Neve nuk na duhet më të marrim borxh, dhe nuk do të kemi nevojë për këtë nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme vazhdojnë të jetojnë fenë e tyre dhe të zbatojnë këtë ligj të së dhjetës.”17 [Shih sugjerimin 1 në faqen 170.]

Mësime të Lorenco Snout

Ligji i së dhjetës është i lehtë për t’u kuptuar dhe mund të zbatohet nga të gjithë.

Unë lutem me ju në emër të Zotit, dhe unë lutem që çdo burrë, grua dhe fëmijë … do ta paguajë një të dhjetën e të ardhurës së vet si një të dhjetë.18

[E dhjeta] nuk është një ligj i vështirë. … Nëse një burrë merr dhjetë dollarë, e dhjeta e tij është një dollar; nëse merr njëqind dollarë, e dhjeta e tij është dhjetë dollarë. … Është shumë e lehtë për ta kuptuar.19

[Një njeri mund të pyesë veten:] ‘Sa do të paguaj unë nga kjo e dhjetë? A nuk mund të mbaj një pjesë për vete? Zoti është shumë i pasur dhe besoj se nuk do të shqetësohet nëse mbaj pak për vete; dhe kështu pak mbahet për vete. Por ajo shumë pak që është mbajtur do ta shqetësojë atë njeri, nëse ndërgjegjja e tij është si ndërgjegjja e shumicës së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ajo do ta shqetësojë pak a shumë gjatë ditës dhe gjithashtu, kur të mendojë për të natën. Ai nuk e ka atë lumturi që e ka për privilegj që ta gëzojë – lumturia largohet prej tij.20

Një e dhjetë e pjesshme nuk është aspak e dhjetë, ashtu siç nuk është pagëzim zhytja vetëm e gjysmës së trupit të një personi në ujë.21

Nuk ka burrë apo grua që nuk mund të paguajë një të dhjetën e asaj që merr.22

Vëllezër dhe motra, ne duam që ta bëni këtë çështje një temë për lutje. … Në vend që të kemi ide të tilla të padenja siç kanë disa lidhur me paratë, ne duhet ta paguajmë të dhjetën tonë. … Ajo që Zoti kërkon nga ne është ta paguajmë të dhjetën tonë tani. Dhe Ai pret që çdo person në të ardhmen të paguajë të dhjetën e vet. Ne e dimë se çfarë është një e dhjeta; le t’ia paguajmë atë Zotit. Atëherë mund të shkojmë me ndershmëri te Peshkopi dhe t’i kërkojmë një rekomandim për të shkuar në tempull.23

Unë ju them në emër të Zotit Perëndi të Izraelit, nëse do ta paguani të dhjetën këtej e tutje, Zoti do t’ju falë për të gjithë [mospagimin e së dhjetës] në të kaluarën dhe bekimet e të Plotfuqishmit do të derdhen mbi këtë popull.24

Unë dua që këtë parim ta kemi aq të rrënjosur brenda zemrave tona sa të mos e harrojmë kurrë. Siç kam thënë më shumë se një herë, e di se Zoti do t’i falë shenjtorët e ditëve të mëvonshme për shkujdesjen e kaluar në pagimin e së dhjetës nëse do të pendohen tani dhe do të paguajnë një të dhjetë të ndërgjegjshme tani e në vazhdim.25 [Shih sugjerimin 2 në faqen 170.]

Kur paguajmë të dhjetën, kontribuojmë në punën e Kishës.

Kjo Kishë nuk mund të përparojë veçse nëse ka të ardhura, dhe këto të ardhura Perëndia i ka siguruar [me anë të ligjit të së dhjetës]. Tempujt tanë, në të cilët marrim bekimet më të larta që i janë dhënë ndonjëherë njeriut të vdekshëm, ndërtohen me anë të të ardhurave. Ne kurrë nuk mund t’i dërgojmë … Pleqtë jashtë në botë për të predikuar Ungjillin, siç po bëjmë tani, po të mos kishte të ardhura për ta bërë atë. … Pastaj ka mijëra gjëra të tjera që ndodhin vazhdimisht për të cilat kërkohen para. …

Nëse disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme nuk do ta paguanin të dhjetën, katër Tempujt tanë këtu [në 1899-ën] nuk do të ishin ndërtuar kurrë, dhe gjykimet e statutet e Perëndisë lidhur me ekzaltimin e lavdinë kurrë nuk do të mund të mbaheshin. Parimi i parë i veprimit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme është të shenjtërojnë vendin duke e mbajtur këtë ligj të së dhjetës dhe duke e vendosur veten në një pozicion ku mund të marrin ordinancat që lidhen me ekzaltimin dhe lavdinë e të vdekurve tanë.26 [Shih sugjerimin 3 në faqen 170.]

Zoti do të na bekojë materialisht dhe shpirtërisht kur i bindemi ligjit të së dhjetës.

Ligji i së dhjetës është një nga më të rëndësishmit që i është zbuluar ndonjëherë njeriut. … Nëpërmjet bindjes ndaj këtij ligji shenjtorëve do t’u jepen bekimet e mbarësisë dhe të suksesit.27

Nëse e mbajmë këtë ligj … vendi do të shenjtërohet dhe ne do të gjykohemi të denjë për të marrë bekimet e Zotit dhe për mbështetje e ndihmë në çështjet tona financiare dhe në çdo gjë që bëjmë, tokësore si edhe shpirtërore.28

Shpëtimi tokësor i kësaj Kishe … varet nga bindja ndaj këtij ligji.29

Varfëri ka midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, dhe gjithmonë do të ketë derisa t’i bindemi të paktën ligjit të së dhjetës.30

Unë besoj vërtet se, nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të pajtohen me këtë ligj, ne mund të kërkojmë çlirim nga çdo e keqe që mund të na vijë.31

Ai është një ligj i zbuluar posaçërisht për mbrojtjen dhe sigurinë tonë, gjithashtu për përparimin tonë në udhën e drejtësisë dhe të shenjtërisë; një ligj me anë të të cilit vendi ku banojmë mund të bëhet i shenjtëruar; një ligj me anë të të cilit Sioni mund të ndërtohet dhe të vendoset për të mos u mposhtur ose shkatërruar kurrë prej njerëzve të këqij dhe jobesimtarë.32

Ne kemi tempuj, dhe ne marrim bekime që lidhen me ta, madje ordinancat më të larta që i janë administruar ndonjëherë njeriut mbi tokë, për shkak të bindjes sonë ndaj këtij ligji.33

Ne nuk mund të jemi kurrë të përgatitur për të parë fytyrën e Perëndisë gjersa të jemi të ndërgjegjshëm në pagimin e së dhjetës dhe detyrimeve të tjera.34

Unë kam folur qartë, dhe them se ajo që ju kam thënë lidhur me të dhjetën, vjen prej Zotit. Veproni tani në përputhje me Shpirtin e Zotit dhe sytë tuaj do të hapen.35 [Shih sugjerimin 4 në faqen 170.]

Prindërit e mësuesit kanë një përgjegjësi të paguajnë të dhjetën dhe pastaj t’u mësojnë fëmijëve të bëjnë të njëjtën gjë.

Mësojuni [fëmijëve] të paguajnë të dhjetën e tyre ndërkohë që janë të rinj. Ju nëna, mësojuni fëmijëve tuaj që, kur të marrin ndonjë të hollë, duhet t’ia paguajnë një të dhjetën e saj Zotit, sado e vogël që mund të jetë ajo. Edukojini që ta paguajnë të dhjetën e tyre të plotë.36

Është mirë dhe e përshtatshme që … nëpunësit dhe mësuesit [në Kishë] duhet të fusin në zemrat dhe vetë shpirtrat e tyre frymën e këtij ligji, në mënyrë që të mund të kualifikohen plotësisht për të kumtuar të njëjtën gjë dhe për t’ia ngulitur brezit të ri rëndësinë dhe shenjtërinë e tij. Kërkohet nga ju, vëllezër dhe motra të mia, që jo vetëm t’i bindeni ligjit vetë, por t’ua mësoni atë të tjerëve, madje edhe brezit të ri, … dhe në përpjesëtim me aftësinë që keni për të marrë frymën e tij, do të jeni në gjendje ta thoni dhe ta jepni mësim atë. …

… Unë kërkoj këtë nga ju, jo vetëm që t’i bindeni atij, por t’ua mësoni fëmijëve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, dhe t’i bëni që ta mbajnë mend, në mënyrë që kur të hyjnë në vitet e përgjegjshmërisë, të mund të thuhet se u ishte dhënë mësim, dhe se e zbatuan qysh nga rinia e në vazhdim.37 [Shih sugjerimin 5 në faqen 170.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Rishikoni rrëfimin e Presidentit Snou për marrjen e zbulesës mbi të dhjetën (faqet 161, 163–165). Mendoni rreth gatishmërisë së tij për të udhëtuar në Seint-Xhorxh dhe gatishmërinë e njerëzve për t’iu bindur ligjit të së dhjetës. Çfarë mund të përfitojmë nga ky rrëfim?

  2. Në cilat mënyra e dhjeta “nuk është një ligj i vështirë”? (Për disa shembuj, shih faqet 165–166.) Përse disa njerëz mund të mendojnë se ligji i së dhjetës është i vështirë për t’iu bindur? Si mundet që mësimet e Presidentit Snou ta ndihmojnë dikë të fitojë një dëshmi për pagimin e së dhjetës?

  3. Studiojeni paragrafin e parë që fillon në faqen 167. Cilat janë disa bekime që ju dhe të dashurit tuaj keni marrë nëpërmjet ndërtesave dhe programeve të financuara nga e dhjeta? Përse është privilegj të paguash të dhjetën?

  4. Presidenti Snou dëshmoi se ne do të bekohemi kur i bindemi ligjit të së dhjetës (faqet 167–169). Cilat janë disa bekime që ligji i së dhjetës ka sjellë në jetën tuaj? Po në jetën e pjesëtarëve të familjes dhe të miqve tuaj?

  5. Mendoni rreth këshillës së Presidentit Snou për prindërit dhe mësuesit (faqe 169). Përse mendoni se është e rëndësishme për fëmijët që të paguajnë të dhjetën e tyre, “sado e vogël që mund të jetë ajo”? Cilat janë disa mënyra për t’u mësuar fëmijëve të paguajnë të dhjetat dhe ofertat?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Malakia 3:8–10; DeB 64:23; 119:1–7

Ndihmë për Mësimdhënien: “Kini kujdes të mos i jepni fund një diskutimi të mirë tepër shpejt në përpjekje për të paraqitur të gjithë materialin që keni përgatitur. Edhe pse është e rëndësishme ta pasqyroni materialin, është më e rëndësishme të ndihmoni nxënësit të ndiejnë ndikimin e Shpirtit, të zbërthejnë pyetjet e tyre, të rrisin kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe të forcojnë zotimin e tyre për të mbajtur urdhërimet” (Teaching, No Greater Call, f. 64).

Shënime

  1. Në “In Juab and Millard Stakes”, Deseret Evening News, 29 maj 1899, f. 5.

  2. Në “In Juab and Millard Stakes”, f. 5.

  3. Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 532–533; shih gjithashtu Deseret Evening News, 17 maj 1899, f. 2; Deseret Evening News, 18 maj 1899, f. 2. The Millennial Star thotë se Presidenti Snow e mbajti këtë bisedë më 8 maj, por burime të tjera bashkëkohëse tregojnë se e mbajti më 18 maj. Presidenti Snow gjithashtu foli rreth së dhjetës më 17 maj.

  4. Në “President Snow in Cache Valley”, Deseret Evening News, 7 gusht 1899, f. 1.

  5. Në “Pres. Snow Is Home Again”, Deseret Evening News, 27 maj 1899, f. 1. Kisha kishte 40 kunje në atë kohë.

  6. Në “Pres. Snow Is Home Again”, f. 1.

  7. Deseret Evening News, 24 qershor 1899, f. 3.

  8. Në “Pres. Snow Is Home Again”, f. 1.

  9. Shih “The Annual Conference of the Young Men’s and Young Ladies’ Mutual Improvement Associations”, Improvement Era, gusht 1899, f. 792–795; shih gjithashtu Ann M. Cannon, “President Lorenzo Snow’s Message on Tithing”, Young Woman’s Journal, prill 1924, f. 184–186.

  10. B. H. Roberts, cituar në “The Annual Conference of the Young Men’s and Young Ladies’ Mutual Improvement Associations”, f. 795.

  11. Shih B. H. Roberts, Comprehensive History of the Church, 6:359–360.

  12. Në Conference Report, tetor 1899, f. 28.

  13. Në “President Snow in Cache Valley”, Deseret Evening News, 7 gusht 1899, f. 2.

  14. Shih, për shembull, Deseret Evening News, 24 qershor 1899, f. 3. Transkriptime bashkëkohëse të bisedave të Presidentit Snow dhe artikuj gazetash bashkëkohëse rreth udhëtimeve të tij tregojnë se ndërsa u premtoi shenjtorëve që do të bekoheshin materialisht si dhe shpirtërisht ndërsa i bindeshin ligjit të së dhjetës, ai nuk premtoi konkretisht fundin e thatësirës në Jutën jugore.

  15. Shih Western Regional Climate Center (Qendra Klimaterike e Rajonit Perëndimor), http://www.wrcc.dri.edu/cgi-bin/cliMONtpre.pl?utstge.

  16. Shih, për shembull, “The Annual Conference of the Young Men’s and Young Ladies’ Mutual Improvement Associations”, f. 793.

  17. Në Conference Report, prill 1907, f. 7.

  18. Në Conference Report, tetor 1899, f. 28.

  19. Deseret Semi-Weekly News, 28 korrik 1899, f. 10.

  20. Në Conference Report, prill 1899, f. 51.

  21. Deseret Evening News, 24 qershor 1899, f. 3.

  22. Në “President Lorenzo Snow’s Message on Tithing”, f. 185; nga procesverbali i një mbledhjeje mbajtur në Sallën e Asamblesë në Salt Lake City më 29 maj 1899.

  23. Deseret Semi-Weekly News, 28 korrik 1899, f. 10.

  24. Në “President Snow in Cache Valley”, f. 2.

  25. Në Conference Report, tetor 1899, f. 28.

  26. Në Conference Report, tetor 1899, f. 27–28.

  27. Në “In Juab and Millard Stakes”, f. 5.

  28. Deseret Evening News, 24 qershor 1899, f. 3.

  29. Në “The Annual Conference of the Young Men’s and Young Ladies’ Mutual Improvement Associations”, f. 794.

  30. Deseret Semi-Weekly News, 28 korrik 1899, f. 10.

  31. Në “President Lorenzo Snow’s Message on Tithing”, f. 185.

  32. “Tithing”, Juvenile Instructor, prill 1901, f. 216.

  33. “Tithing”, f. 215

  34. Në “Conference of Granite Stake”, Deseret Evening News, 21 maj 1900, f. 2; nga një parafrazim i hollësishëm i një bisede që Presidenti Snow dha në konferencën e Kunjit të Granitit më 20 maj 1900.

  35. Deseret Semi-Weekly News, 28 korrik 1899, f. 10.

  36. Millennial Star, 31 gusht 1899, f. 546.

  37. “Tithing”, f. 215–216.

Tabernakulli i Seint-Xhorxhit. Në këtë ndërtesë, Presidenti Lorenco Snou mbajti të parën nga bisedat e tij të shumta mbi ligjin e së dhjetës.

Presidenti Snou i këshilloi prindërit dhe mësuesit t’u mësojnë fëmijëve të paguajnë të dhjetën.

Fondet e të dhjetave përdoren për të paguar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tempujve.