Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24: Mendime rreth Misionit të Jezu Krishtit


Kapitulli 24

Mendime rreth Misionit të Jezu Krishtit

“Ne të gjithë mbështetemi te Jezu Krishti, te ardhja e tij në botë për të hapur udhën me anë të së cilës mund të arrijmë paqe, lumturi dhe ekzaltim.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në tetor të 1872-shit, Presidenti Brigam Jang e caktoi Këshilltarin e tij të Parë, Presidentin Xhorxh A. Smith, që të udhëtonte nëpër pjesë të Europës dhe të Lindjes së Mesme. Në një letër drejtuar Presidentit Smith, Presidenti Jang dhe Këshilltari i tij i Dytë, Presidenti Daniel H. Uells, thoshin: “Ne dëshirojmë që ju të vëzhgoni nga afër se çfarë fillimesh ekzistojnë tani, ose se ku mund të hapen ato, për të bërë të njohur Ungjillin në vendet e ndryshme që do të vizitoni”. Udhëtimi do të përfundonte në Tokën e Shenjtë, ku Presidenti Smith do t’ia “dedikonte dhe shenjtëronte atë tokë Zotit”. Presidentët Jang dhe Uells shkruanin: “Ne lutemi që ju të mund të jeni i mbrojtur për të udhëtuar në paqe dhe siguri, që të mund të jeni i bekuar me bollëk me fjalët e urtësisë dhe të folurin rrjedhshëm në të gjitha bisedat lidhur me Ungjillin e Shenjtë, duke larguar paragjykimin dhe duke bërë përpjekje për të sjellë drejtësi midis njerëzve”1. Presidenti Smith mori me vete një grup të vogël shenjtorësh të ditëve të mëvonshme, përfshirë Plakun Lorenco Snou, që atëherë ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Motra e Plakut Snou, Eliza R. Snou, që po shërbente si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës në atë kohë, ishte gjithashtu pjesë e grupit.

Ndërsa Plaku Snou udhëtonte, ai shpesh shkruante letra duke përshkruar gjeografinë, ndërtesat, dhe zakonet e kushtet e njerëzve. Por kur ai dhe shokët e tij të misionit vizituan vendet në Tokën e Shenjtë, letrat e tij ndryshuan në ton. Mendimet e tij iu drejtuan Birit të Perëndisë, që, shekuj më parë, i kishte vizituar shpesh po ato vende. Për shembull, ai shkroi rreth përvojës së tij në shkurtin e 1873-shit, kur grupi iu afrua qytetit të Jerusalemit:

“Një orë udhëtim … do të na çojë në Jerusalem. Ne vazhdojmë dhe më në fund ngjitemi në një vend të ngritur [ose kodër] dhe vështrojmë ngultas mbi ‘Qytetin e Shenjtë’, Jerusalemin. Larg në të djathtë është Mali Sion, qyteti i Davidit. Larg nga e majta jonë, ai vend i lartë e mbresëlënës, që duket aq joprodhues, është Mali i Ullinjve, dikur vendi i parapëlqyer i Shpëtimtarit tonë, dhe vendi i fundit ku qëndroi përpara se të ngjitej në prani të Atit të Tij. Këto vende historike interesante, me gjithë asociacionet e tyre të shenjta, frymëzojnë mendime dhe imazhe që janë mbresëlënëse dhe solemne. Po, atje është Jerusalemi! Ku Jezusi jetoi dhe dha mësim, dhe u kryqëzua, ku Ai thirri: ‘U krye’, dhe përkuli kokën e Tij dhe vdiq! Ne, ngadalë dhe mendueshëm, udhëtojmë në shtegun gjarpërues poshtë kodrës, … gjersa arrijmë te qyteti.”2

Pasi kishte shkuar në lumin Jordan, Plaku Snou shkruante: “Ndërsa pimë nga ujërat e tij të ëmbla e freskuese dhe u lamë në përruan e tij të shenjtë, mendimet dhe imazhet tona u kthyen në ditët e fëmijërisë, kur qemë mësuar të lexonim Shkrimet e Shenjta, që përshkruanin ngjarjet e rëndësishme që ndodhën përreth këtij vendi – kalimin e izraelitëve kur shtrati i lumit u tha, kur priftërinjtë, duke mbajtur mbi supet e tyre arkën e shenjtë, u futën në lumin e rrjedhshëm; ndarja e ujërave nga Elia kur kaloi mbi shtratin e thatë dhe u mor lart në qiell nga rrafshina në anën tjetër prej një shakullime; dhe Eliseu, ndërsa u kthye, mori mantelin e Elias që i kishte rënë dhe rrahu ujërat, duke thënë: ‘Ku është Zoti, Perëndia i Elias?’ duke bërë kështu ndarjen për të tretën herë të lumit Jordan. Por një ngjarje tjetër me interes shumë më të thellë lidhet me këtë vend – pagëzimi i Shpëtimtarit tonë, përmendur në shkrimin e shenjtë që vijon – ‘Gjon Pagëzori, erdhi që të predikonte në shkretëtirën e Judesë, dhe Jezusi erdhi nga Galileja në Jordan për t’u pagëzuar prej tij’ [shih Mateu 3], dhe ne ishim tek ose pranë po atij vendi ku patën ndodhur të gjitha këto ngjarje të paharrueshme, duke qëndruar në shtratin e lumit, duke parë poshtë luginës së ngushtë dhe duke notuar në të njëjtin lumë që kishte dëshmuar heshturazi për këto ndodhi lartësuese.”3 [Shih sugjerimin 1 në faqet 291–292.]

Mësime të Lorenco Snout

Jezu Krishti erdhi në botë për të bërë vullnetin e Atit dhe për të përgatitur udhën për paqen, lumturinë dhe ekzaltimin tonë.

Ky ungjill i është sjellë botës në kohë të ndryshme. Ai njihej nga Profetët. Ata e kuptonin thjeshtë dhe qartë se Jezusi ishte qengji i therur qysh nga krijimi i botës [shih Zbulesa 13:8; Moisiu 7:47], dhe se në stinën e duhur ai do t’u shfaqej fëmijëve të njerëzve, për mëkatet e të cilëve do të vdiste, dhe do të kryqëzohej me qëllim që të përmbushte planin e shpëtimit.4

Kur Jezusi ishte shtrirë në grazhd, një fëmijë i pazoti, Ai nuk e dinte se ishte Biri i Perëndisë, dhe se më parë kishte krijuar tokën. Kur urdhri i Herodit u shpall, Ai nuk dinte gjë për të; Ai nuk kishte ndonjë fuqi për ta shpëtuar Veten; dhe [Jozefi e Maria] duhej ta merrnin Atë dhe [të arratiseshin] në Egjipt për ta mbrojtur nga pasojat e atij urdhri. … Ai u rrit në burrëri dhe gjatë përparimit të Tij, iu zbulua se kush ishte dhe për çfarë qëllimi ishte në botë. Atij iu bënë të njohura lavdia dhe fuqia që zotëronte përpara se të vinte në botë.5

Jezusi, ndërsa udhëtonte këtu në tokë, duke përmbushur misionin e Tij, u tregoi njerëzve se nuk i kryente mrekullitë që bënte midis tyre, me anë të fuqisë së Tij, as me anë të urtësisë së Tij; por Ai ishte atje me qëllim që të përmbushte vullnetin e Atit të Tij. Ai nuk erdhi për të kërkuar lavdinë e njerëzve dhe nderin e njerëzve, por për të kërkuar nderin dhe lavdinë e Atit të Tij që e dërgoi. Ai tha: “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit”. [Gjoni 5:43.]

Tani, veçoria e misionit të Tij dhe që e bëri të ndryshëm nga misionet e tjera, ishte kjo: Ai erdhi jo për të kërkuar lavdinë dhe nderin e njerëzve, por për të kërkuar nderin dhe lavdinë e Atit të Tij, dhe për të përmbushur veprën e Atit të Tij që e dërgoi. Këtu qëndron sekreti i mbarësisë së Tij; dhe këtu qëndron sekreti i mbarësisë së çdo individi që punon sipas të njëjtit parim.6

Një herë, Jezu Krishti, Biri i Perëndisë u vu në një situatë që kërkonte përpjekjen e Tij më të madhe për të përmbushur çka duhej për shpëtimin e miliona fëmijëve të Perëndisë. Kërkohej që përpjekja dhe vendosmëria më e madhe të ushtroheshin përpara se Biri i Perëndisë të mund të kalonte përmes përvojës së vështirë, sakrificës që ishte e nevojshme.7

Jezusi, Biri i Perëndisë, u dërgua në botë për të na mundësuar ju dhe mua të marrim këto bekime të jashtëzakonshme. Ai duhej të bënte një sakrificë të madhe. Ajo kërkonte gjithë fuqinë që kishte dhe të gjithë besimin që mund të thërriste për vete që të përmbushte atë që Ati kërkonte prej Tij. … Ai nuk dështoi, edhe pse sprova ishte aq e ashpër, saqë Ai djersiu pika të mëdha gjaku. … Ndjenjat e Tij duhet të kenë qenë të papërshkrueshme. Ai na tregon Vetë, siç do ta gjeni të shënuar në seksionin 19 të Librit të Doktrinës e Besëlidhjeve, që vuajtja e Tij ishte aq e madhe, saqë bëri që madje Ai “të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i] d[ilte] gjak nga çdo por dhe të vua[nte] si në trup e në shpirt - dhe të dëshiro[nte] që të mos e pi[nte] kupën e hidhur e të mpake[j]”. Por Ai vazhdimisht thoshte në zemrën e Tij: “O Atë, mos u bëftë vullneti im, por Yti”. [Shih DeB 19:15–19.]8

Ne të gjithë mbështetemi te Jezu Krishti, te ardhja e tij në botë për të hapur udhën me anë të së cilës mund të arrijmë paqe, lumturi dhe ekzaltim. Dhe po të mos e kishte përmbushur ai këtë punë, ne kurrë nuk do mund t’i arrinim këto bekime dhe privilegje që na garantohen në ungjill me ndërmjetësimin e Jezu Krishtit, sepse ai bëri punën e nevojshme. …

… Edhe pse sakrifikoi vetveten dhe bëri pjesën e tij të planit për shëlbimin e njerëzve, përsëri në qoftë se njerëzit nuk punojnë ta arrijnë atë bashkim midis atij dhe atyre, shpëtimi i tyre nuk do të përmbushet kurrë.9

Ne e kuptojmë plotësisht se Jezu Krishti ishte këtu në trup dhe se e mori atë trup, dhe tani banon në të si një person i përlëvduar, se ne kemi të drejtën e po këtij bekimi, po këtij ekzaltimi dhe po kësaj lavdie.10 [Shih sugjerimet 2 dhe 3 në faqen 292.]

Jezu Krishti e vizitoi tokën në ditët e mëvonshme, duke zbuluar të vërteta qiellore për shpëtimin tonë.

Ajo Qenie që banonte në Qiell, që mbretëroi atje përpara se bota të ishte, që krijoi tokën, dhe që, në meridianin e kohës erdhi poshtë për të përsosur dhe për të shpëtuar atë që kishte krijuar, u është shfaqur njerëzve në këtë periudhë kohe.11

Ne i dëshmojmë gjithë botës se e dimë, me anë të zbulesës hyjnore, madje me anë të shfaqjeve të Frymës së Shenjtë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, dhe se ai iu shfaq Jozef Smithit po aq personalisht sa edhe apostujve në lashtësi pasi u ringjall, dhe që ai i bëri të njohur[a] Jozef Smithit të vërtetat qiellore, që janë e vetmja mënyrë që njerëzimi mund të shpëtohet.12

Ishin dy burra që e panë Atë në Tempullin e Kirtlandit. … Biri i Perëndisë, që ishte vrarë nga judenjtë, iu shfaq atyre, dhe ata thanë: “veli u hoq nga sytë e mendjes sonë, dhe të kuptuarit tonë u hap, dhe ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës përpara nesh”. … Nën këmbët e Tij ishte ar i pastër. Fytyra e Tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit. Zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhës së shumë ujërave. Ishte zëri i Jehovës duke thënë: “Unë jam i pari dhe i fundit. Unë jam Ai që jeton. Unë jam Ai që u vra. Unë jam avokati juaj me Atin. Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur. Ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni. Ju keni ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim. Unë do ta pranoj këtë shtëpi, dhe do të derdh Shpirtin tim mbi ata që mbajnë urdhërimet e mia, dhe nuk do të lejojë që kjo shtëpi e shenjtë të ndotet.” [Shih DeB 110:1–8.] Ky ishte zëri i po atij personi që judenjtë nuk e pranuan dhe Ai u pa atje. Tani unë e di se këto gjëra janë të vërteta ashtu si Perëndia është i vërtetë. Por kombet e tokës nuk janë të vetëdijshëm për atë, që Jezusi, Biri i Perëndisë, ka ardhur dhe iu është shfaqur njerëzve, dhe i ka veshur me autoritet për të predikuar Ungjillin dhe për t’u premtuar Frymën e Shenjtë të gjithë atyre që do t’u besojnë e do t’u binden këtyre parimeve, dhe që ata do të marrin njohurinë se këto parime janë të vërteta.13 [Shih sugjerimin 4 në faqen 292.]

Shpëtimtari do të vijë përsëri dhe ne duhet ta përgatisim veten për ardhjen e Tij.

Ne kemi një dëshmi lidhur me Krishtin, se Ai po vjen në tokë për të mbretëruar.14

Jezusi do të vijë pas një kohe, dhe do të shfaqet midis nesh, ashtu siç u shfaq gjatë kohës kur ishte në tokë midis judenjve, dhe Ai do të hajë e pijë me ne dhe do të bisedojë me ne, dhe do të shpjegojë misteret e Mbretërisë, dhe do të na tregojë gjëra për të cilat nuk është e lejuar të flitet tani.15

Nëse jeni në një varg karrosh, gjersa të jeni ulur i qetë dhe të keni zënë vendin tuaj ai varg do t’ju çojë në vendin ku doni të shkoni; por nëse ju zbrisni nga karrot do të jetë e rrezikshme, dhe mund të duhet një kohë e gjatë përpara se një varg tjetër të kalojë. E njëjta gjë është me ne – nëse po jetojmë drejt, duke bërë punën tonë, atëherë ne po ecim drejt qëllimit tonë, dhe nëse i mbajmë besëlidhjet tona, ne po bëjmë punën e Perëndisë dhe po përmbushim qëllimet e Tij, dhe do të jemi të përgatitur për kohën kur Jezusi, Biri i Perëndisë, do të vijë në nder dhe lavdi, dhe do t’u japë të gjitha bekimet e parashikuara, dhe një mijë herë më shumë, të gjithë njerëzve që provojnë se janë besnikë. …

… Unë u them shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, nëse jeni të përgjumur, lexoni fjalët e Shpëtimtarit të thëna kur Ai qe në tokë në lidhje me dhjetë virgjëreshat, pesë prej të cilave ishin të mençura dhe morën vaj në llambat e tyre dhe kur Dhëndri erdhi vetëm gjysma ishte e përgatitur të dilte për ta takuar [shih Mateu 25:1–13; DeB 45:56–59]. Mos lejoni të jetë kështu me ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Le të përpiqemi të jemi besnikë ndaj besëlidhjeve të përjetshme që kemi bërë dhe të jemi të vërtetë me Perëndinë. Perëndia i bekoftë shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe derdhtë Shpirtin e Tij mbi ju. Qofshi besnikë ndaj Perëndisë tuaj, besnikë ndaj familjeve tuaja, dhe paçi sjellje të urtë në të gjitha gjërat dhe punofshi në dobi të mbretërisë së Perëndisë, dhe mos qofshim midis virgjëreshave budallaçka, por u gjendshim të denjë për të qenë midis atyre që do të kurorëzohen si mbretër e mbretëresha dhe do të mbretërojnë përmes përjetësisë.16 [Shih sugjerimet 5 dhe 6 në faqen 292.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Meditoni mbi fjalët e Presidentit Snou rreth përvojave që pati në Tokën e Shenjtë (faqe 286). Përse mendoni se mendimet dhe imazhet e tij u bënë “mbresëlënëse dhe solemne” kur ai ishte atje? Në çfarë mënyrash mund të zhvillojmë ndjenja të njëjta rreth Shpëtimtarit, edhe pa vizituar Tokën e Shenjtë?

  2. Studioni pjesën që fillon në faqen 287, mendoni rreth asaj që Jezu Krishti ka bërë për ju. Ndërsa meditoni për dëshirën e Shpëtimtarit “për të kërkuar nderin dhe lavdinë e Atit të Tij”, mendoni rreth asaj që ju duhet të bëni për të ndjekur vullnetin e Perëndisë.

  3. Në faqen 287, Presidenti Snou tregon “sekreti[n] [e] mbarësisë”. Si vepron te ne ky sekret?

  4. Lexoni pjesën që fillon në faqen 289. Si ndikon dëshmia juaj për Jezu Krishtin në jetën tuaj? Meditoni për mënyra të ndryshme si ne mund të bëjmë pjesën tonë për të ndarë dëshminë për Jezu Krishtin me botën. Për shembull, çfarë mund të bëjmë për të ndarë dëshminë tonë me familjen tonë? Po me ata të cilëve u shërbejmë si mësues shtëpie apo si mësuese vizitore? Po me fqinjët tanë? Po me njerëz me të cilët takohemi ditë për ditë?

  5. Në cilat mënyra mund ta përgatisim veten për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit? (Për disa shembuj, shih faqet 290–291). Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të përgatiten?

  6. Në çfarë mënyrash mësimet e Presidentit Snou kanë ndikuar te dëshmia juaj për Jezu Krishtin? Kërkoni mënyra për të ndarë dëshminë tuaj me anëtarë të familjes dhe me të tjerë.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Lluka 12:31–48; 2 Korintasve 8:9; 2 Nefi 2:7–8; 25:23, 26; Alma 7:11–13; DeB 35:2; Joseph Smith—Historia 1:17

Ndihmë për Mësimdhënien: “Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë në kapitull dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar” (nga faqja VII në këtë libër).

Shënime

  1. Letër nga Brigham Young dhe Daniel H. Wells drejtuar George A. Smith-it, në Correspondence of Palestine Tourists (1875), f. 1–2.

  2. Correspondence of Palestine Tourists, f. 205.

  3. Correspondence of Palestine Tourists, f. 236–237.

  4. Deseret News, 24 janar 1872, f. 597.

  5. Në Conference Report, prill 1901, f. 3.

  6. Deseret News, 8 dhjetor 1869, f. 517.

  7. Në Conference Report, tetor 1900, f. 2.

  8. Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 531.

  9. Deseret News, 11 mars 1857, f. 3; në burimin origjinal faqja 3 është shënuar gabimisht si faqe 419.

  10. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  11. Në Journal History, 5 prill 1884, f. 9.

  12. Deseret News: Semi-Weekly, 23 janar 1877, f. 1.

  13. Millennial Star, 18 prill 1887, f. 245.

  14. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  15. Në Conference Report, prill 1898, f. 13–14.

  16. Millennial Star, 18 prill 1887, f. 244–246.

“Ne i dëshmojmë gjithë botës se e dimë, me anë të zbulesës hyjnore, madje me anë të shfaqjeve të Frymës së Shenjtë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.”

Nga fundi i 1872-shit dhe fillimi e 1873-shit, Plaku Lorenco Snou dhe të tjerë udhëtuan në Tokën e Shenjtë.

Presidenti Snou i nxiste shenjtorët të ndiqnin shembullin e pesë virgjëreshave të mençura në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit me dhjetë virgjëreshat.