Mësime të Presidentëve
Kapitulli 5: Destinacioni Madhor i Besnikut


Kapitulli 5

Destinacioni Madhor i Besnikut

“Është një kënaqësi e madhe të flasësh për gjërat e mëdha që Perëndia propozon t’u dhurojë bijve dhe bijave të Tij dhe që ne do t’i arrijmë nëse jemi besnikë.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në pranverën e 1840-ës, Lorenco Snou ishte në Navu të Ilinoisit, duke u përgatitur të nisej për një mision në Angli. Ai vizitoi shtëpinë e mikut të tij Henri G. Shervud dhe i kërkoi Vëllait Shervud të shpjegonte një pjesë nga shkrimet e shenjta. “Ndërsa dëgjoja me vëmendje shpjegimin e tij”, kujtonte më vonë Presidenti Snou, “Shpirti i Zoti qëndronte fuqishëm mbi mua – sytë e mendjes sime u hapën dhe unë, i habitur dhe i mrekulluar, pashë po aq qartë si diellin në mesditë, shtegun e Perëndisë dhe të njeriut. Unë shkrova dy vargëshin në vijim që shpreh zbulesën, siç m’u shfaq mua. …

Siç është njeriu tani, ishte Perëndia dikur:

Siç është Perëndia tani, mundet njeriu të jetë.”1

Duke ndierë se pati marrë “një komunikim të shenjtë” që duhej ta ruante me kujdes, Lorenco Snou nuk dha mësim për doktrinën publikisht derisa mësoi se Profeti Jozef Smith e pati dhënë mësim atë.2 Sapo mësoi se doktrina ishte një njohuri publike, ai dëshmoi për të shpesh.

Përveçse e bëri këtë të vërtetë një temë për shumë nga predikimet e tij, ai e përvetësoi atë si motiv të jetës së tij. Biri i tij LeRoi tha: “Kjo e vërtetë e zbuluar i bëri përshtypje Lorenco Snout ndoshta më shumë se gjithçka tjetër; ajo ndikoi aq thellë tek ai saqë u bë frymëzimi i jetës së tij dhe i dha atij kuptimin e përgjithshëm për vetë të ardhmen e tij të madhe dhe misionin e punën e fuqishme të Kishës”3. Ajo ishte “drita dhe udhëzuesi i përhershëm” i tij dhe “një yll i shkëlqyer, ndriçues përpara tij gjithë kohën – në zemrën e tij, në shpirtin e tij dhe në gjithë qenien e tij”4.

Në këtë kapitull Presidenti Snou jep mësim doktrinën që ne mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor. Në kapitullin 6, ai jep këshillë praktike se si ne mund ta zbatojmë këtë doktrinë në jetën tonë.

Mësime të Lorenco Snout

Ngaqë ne kemi shenjtëri brenda nesh, ne mund të bëhemi si Ati ynë në Qiell.

Ne u lindëm në shëmbëlltyrën e Perëndisë, Atit tonë; ai na krijoi të ngjashëm me veten e tij. Në përbërje të projektit tonë shpirtëror është natyra e hyjnisë; në lindjen tonë shpirtërore Ati ynë përcolli tek ne mundësitë, fuqitë dhe aftësitë që zotëronte ai vetë, aq sa zotëron një fëmijë në gjirin e nënës së tij, edhe pse në një gjendje të pazhvilluar, aftësitë, fuqitë dhe ndjenjat e prindit të tij.5

Unë besoj se ne jemi bij dhe bija të Perëndisë dhe se Ai na ka dhënë aftësinë për urtësi dhe njohuri pa fund, sepse Ai na ka dhënë neve një pjesë të Vetvetes. Na është treguar se qemë bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe ne gjejmë se ka një cilësi të dallueshme të pavdekësisë në shpirtin e njeriut. Ka një organizëm shpirtëror brenda këtij tabernakulli [trupit fizik], dhe ai organizëm shpirtëror ka një karakter hyjnor në vetvete, edhe pse ndoshta në një gjendje fëmijërore; por ai ka brenda tij aftësinë e përmirësimit dhe të përparimit si foshnja që ushqehet nga nëna e tij. Edhe pse foshnja mund të jetë shumë e paditur, përsëri ka mundësi tek ai që, duke kaluar përmes sprovave të ndryshme nga fëmijëria në pjekuri, të aftësohet për t’u ngritur në një epërsi që është vërtet e mrekullueshme, krahasuar me paditurinë e tij foshnjore.6

Ne kemi karakter hyjnor brenda vetes; ne kemi pavdekësi brenda vetes; shpirti ynë është i pavdekshëm; ai nuk mund të shkatërrohet; ai nuk mund të asgjësohet. Ne do të jetojmë nga gjithë përjetësia në të gjithë përjetësinë.7

Është një kënaqësi e madhe të flasësh për gjërat e mëdha që Perëndia propozon t’u dhurojë bijve dhe bijave të Tij dhe që ne do t’i arrijmë nëse jemi besnikë. … Udhëtimi ynë në këtë shteg të ekzaltimit do të na sjellë plotësinë e Zotit Jezu Krisht, për të qëndruar në praninë e Atit tonë, për të marrë plotësinë e Tij, për të pasur kënaqësinë e rritjes në pasardhësit tanë botë pa fund, për të gëzuar ato shoqërime të këndshme që kemi pasur në këtë jetë, për të pasur bijtë dhe bijat tona, bashkëshortët dhe bashkëshortet tona, të rrethuar me të gjithë gëzimin që qielli mund të dhurojë, trupat tanë të mbuluar me lavdi si të Shpëtimtarit, pa sëmundje e gjithë të këqijat e jetës, pa zhgënjime e shqetësime e sakrifica të pakëndshme që po bëjmë këtu.8

Ati ynë Qiellor ka marrë ekzaltim dhe lavdi nëpërmjet një rruge të vazhdueshme përparimi, dhe ai na tregon të njëjtin shteg, dhe duke qenë se ai është i mbuluar me fuqi, autoritet dhe lavdi, ai thotë: “Ejani dhe zotëroni po atë lavdi dhe lumturi që zotëroj unë”9.

Njerëzit e Perëndisë janë të çmuar në dritën e Tij; dashuria e Tij për ta do të vazhdojë gjithmonë, dhe në fuqinë, forcën dhe dashurinë e Tij, ata do të triumfojnë dhe do të mposhtin zaptuesin. Ata janë fëmijët e Tij, të bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe të përcaktuar për t’u bërë si Ai përmes bindjes ndaj ligjeve të Tij. …

… Ky është destinacioni i lartë i bijve të Perëndisë, ata që kapërcejnë, që janë të bindur ndaj urdhërimeve të Tij, që pastrojnë veten madje siç Ai është i pastër. Ata janë që të bëhen si Ai; ata do ta shohin Atë ashtu siç Ai është; ata do të vështrojnë fytyrën e Tij dhe do të mbretërojnë me Të në lavdinë e Tij, duke u bërë si Ai në çdo hollësi.10 [Shih sugjerimin 1 në faqen 93.]

Shkrimet e shenjta japin mësim për potencialin tonë hyjnor.

Zoti ka vendosur përpara nesh nxitës të llojit më madhështor. Në zbulesat që Perëndia na ka dhënë, ne gjejmë atë që mund të arrijë një person që do të udhëtojë në këtë shteg njohurie dhe që do të drejtohet nga Shpirti i Perëndisë. Unë nuk kisha qenë anëtar i kësaj Kishe për [një kohë të gjatë] kur m’u shfaq shumë qartë ajo që mund të arrijë një njeri nëpërmjet një bindjeje të vazhdueshme ndaj Ungjillit të Birit të Perëndisë. Ajo njohuri ka qenë si një yll i përhershëm përpara meje dhe ka bërë që unë të jem kërkues në përpjekjen për të bërë atë që ishte e drejtë dhe e pranueshme për Perëndinë. … Pas gjithë arsimimit që morëm për gjërat që lidhen me botët çelestiale, duket se ka disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme që janë aq shumë të kënaqur thjesht me njohurinë se puna është e vërtetë, saqë kur ju shkoni të flisni me ta për të ardhmen tonë të madhe ata duken të befasuar dhe mendojnë se ajo nuk lidhet posaçërisht me ta. Gjon Zbuluesi, në kapitullin e tretë të letrës së tij të parë, thotë:

“Tani jemi bij të Perëndisë”. [1 Gjoni 3:2.]

… Dhe ai vazhdon:

“Por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai.

Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër Perëndia.” [Shih 1 Gjoni 3:2–3.]

… Shpirti i Perëndisë na ka komunikuar se ka të vërteta të vendosura dhe solemne në shprehje të këtij lloji. Pali, duke u folur filipianëve, sugjeronte që ata të zhvillonin një ambicie që është shumë e huaj për njerëzit e kohës së sotme, edhe pse jo aq për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, veçanërisht ata që nuk janë të kënaqur të jenë thjesht fëmijë në njohurinë e gjërave që lidhen me Perëndinë. Ai thotë:

“Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,

i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë”. [Filipianëve 2:5–6.]

… Kjo [është] ajo që Pali na mësoi, dhe ai e kuptonte për çfarë po fliste. Ai qe kapur në qiellin e tretë dhe dëgjoi gjëra, na tregon, të cilat ishin të ndaluara për njeriun që t’i shqiptojë [shih 2 Korintasve 12:1–7]. … A do të ishte gabim që ne t’u kërkonim njerëzve këtu të kultivonin një ambicie të kësaj natyre? Ka një numër thëniesh në Bibël, veçanërisht në Dhiatën e Re, që duken të çuditshme për njerëzit që nuk zotërojnë Shpirtin e Zotit.

“Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat.” [Zbulesa 21:7.]

Çfarë lloj shprehjeje është ajo? Cili e beson atë? Nëse një atë do t’i thoshte birit të tij: “Biri im, ji besnik dhe ndiq këshillat e mia, dhe kur të arrish në moshë ti do të trashëgosh gjithçka që unë zotëroj”, do të kishte kuptim, apo jo? Nëse ati do të tregonte të vërtetën, ai bir do të ketë diçka që ta nxisë të jetë besnik. A donte Jezusi të na mashtronte kur Ai përdori këtë shprehje? Unë do t’ju siguroj se nuk ka mashtrim në gjuhë. Ai donte të thoshte saktësisht atë që tha. Përsëri, Jezusi tha:

“Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij”. [Zbulesa 3:21.]

Ajo është një thënie e mrekullueshme. A ka ndonjë të vërtetë në të? Ajo është e gjitha e vërtetë. Është Zoti i Gjithëfuqishëm që e tha atë. Neve na është treguar në shkrimet e shenjta nga Apostulli Pal:

“Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu”. [2 Korintasve 5:1.]

Unë e besoj atë. Dhe kur ai thotë se Jezusi “do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm” [Filipianëve 3:21], unë e besoj atë gjithashtu. A i besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme këto gjëra rreth të cilave po flas? Ju duhet, sigurisht, t’u besoni atyre. Dhe përsëri:

“Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;

Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;

Dhe ai që pranon Atin Tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij”. [DeB 84:36–38.]

A mundet dikush të mendojë për ndonjë gjë më shumë që mund të jepet? … Pali i kuptonte këto gjëra shumë mirë, sepse ai tha se ai “[rendte] drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus”. [Shih Filipianëve 3:14.]

Në këto vërejtje që kam bërë, ne mund të shohim diçka në lidhje me natyrën e kësaj thirrjeje të lartë në Krishtin Jezus. …

… Unë nuk e di se sa shumë ka këtu që kanë marrë një njohuri të vërtetë mbi këto gjëra në zemrat e tyre. Nëse keni, unë do t’ju tregoj se cilat do të jenë ndikimet e saj. Siç ka thënë Gjoni:

“Kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër Perëndia”. [Shih 1 Gjoni 3:3.]

… Perëndia ka treguar rezultatet e udhëtimit në këtë rrugë drejt lavdisë dhe ekzaltimit dhe premtimet janë të sigurta. Zoti e dinte saktësisht çfarë mund të bënte Ai. Ai e dinte se me çfarë materialesh duhej të vepronte dhe Ai e dinte saktë atë që thoshte. Nëse bëjmë pjesën që Ai na ka caktuar dhe ruajmë gjendjen tonë të dytë, ne do të jemi të sigurt që do t’i përmbushim këto premtime në çdo hollësi dhe më shumë sesa ju dhe unë ndoshta mund të kuptojmë.11 [Shih sugjerimin 2 në faqen 93.]

Ndërsa kujtojmë bekimet që Zoti ka përgatitur për ne, ne gjejmë gëzim mes andrallave dhe shqetësimeve të jetës.

Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme që mund t’i dëgjojë fjalët e mia, ka potencialin të dalë në mëngjesin e ringjalljes së parë dhe të jetë i përlëvduar, i ekzaltuar në praninë e Perëndisë, duke pasur privilegjin e të folurit me Atin tonë ashtu si ne flasim me atin tonë tokësor.12

Nuk mund t’u ofrohen njerëzve mundësi më të lavdishme sesa u janë ofruar shenjtorëve. Asnjë njeri i vdekshëm nuk mund të dëshironte gjë më të madhe ose që do të ishte përfundimisht më e kënaqshme. Çdo gjë që lidhet me paqen, lumturinë, lavdinë dhe ekzaltimin e përsosur iu është ofruar shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ne duhet ta kemi kuptimin e këtij potenciali dhe ta mbajmë si objektiv për t’u arritur. Ne nuk duhet t’i lëmë aspak mundësitë tona të zbehen duke bërë atë që nuk është e pranueshme përpara Zotit.13

Shpresat e mia në lidhje me jetën e ardhme janë të mëdha dhe të lavdishme në kulm, dhe unë përpiqem t’i mbaj këto perspektiva vazhdimisht të çelura; dhe kjo gjë është privilegji dhe detyra e çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme.14

Ne jo të gjithë i kuptojmë plotësisht bekimet dhe privilegjet që janë përgatitur në ungjill që ne t’i marrim. Ne nuk i kuptojmë plotësisht dhe nuk kemi para nesh një pamje të gjërave që na presin në botët e përjetshme, as vërtet gjërat që na presin në këtë jetë dhe që janë përllogaritur të nxisin paqen e lumturinë dhe t’u përgjigjen dëshirave të zemrës sonë. …

Ne shpesh, në morinë e andrallave përreth nesh, bëhemi harrestar dhe këto gjëra nuk janë përpara nesh, atëherë ne nuk kuptojmë që ungjilli është projektuar dhe përllogaritur në natyrën e vet që të na japë ato gjëra të cilat do të sjellin lavdi, nder dhe ekzaltim, që do të sjellin lumturi, paqe dhe lavdi. Ne jemi të prirur t’i harrojmë këto gjëra mes andrallave dhe shqetësimeve të jetës, dhe ne nuk e kuptojmë plotësisht se privilegji është yni, dhe se Zoti e ka vendosur brenda mundësisë sonë ta ndjekim atë ungjill përmes të cilit ne mund të kemi paqe brenda nesh vazhdimisht. …

Përse duhet mbajtur zi? Përse duhet të ngrysen shenjtorët? Përse duhet të qajnë apo të qahen? Nuk ka arsye; por është jeta ose vdekja e vendosur përpara nesh; principatat dhe fuqitë janë tonat nëse vazhdojmë të jemi besnikë; dhe dëshpërimi e dëbimi nëse shpërfillim ungjillin.

Çfarë mund të dëshirojmë më shumë nga sa përfshihet në besimin tonë? Nëse do të qëndrojmë të vendosur mbi shkëmb dhe do të ndjekim Shpirtin që është vendosur në gjirin tonë, ne do të veprojmë drejt në rrugën e detyrave tona, ne do të veprojmë drejt ndaj atyre që janë vendosur mbi ne, ne do të veprojmë drejt qoftë në dritë apo në errësirë.

Ku është njeriu që do t’i lërë mënjanë dhe do t’i flakë tej ato mundësi që përfshihen në ungjillin që ne kemi pranuar? Në të gjendet kënaqësi, gjendet gëzim, gjendet qëndrueshmëri, gjendet diçka mbi të cilën mbështeten këmbët tona, gjendet themeli i sigurt mbi të cilin ndërtohet dhe mbi të cilin ofrojmë për Perëndinë atë që kërkohet prej nesh.15

Le të mos lejojmë kurrë që mundësitë tona të zbehen; le të jenë ato të freskëta përpara nesh ditë e natë dhe unë ju siguroj se, nëse do ta bëjmë këtë, rritja jonë nga dita në ditë dhe nga viti në vit do të jetë e mrekullueshme.16

Ne të gjithë po synojmë lavdinë çelestiale, dhe madhështia e mundësive përpara nesh nuk mund të shprehet me gjuhë njerëzore. Nëse do të vazhdoni besnikë në punën ku jeni angazhuar, ju do të arrini në këtë lavdi dhe do të gëzoni përgjithmonë në praninë e Perëndisë dhe të Qengjit. Për këtë ia vlen të përpiqesh; për të ia vlen të sakrifikosh dhe i bekuar është burri apo gruaja që është besnik në arritjen e saj.17 [Shih sugjerimin 3 në faqen 93.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Presidenti Lorenco Snou shpesh na mësoi se ne jemi fëmijë të Perëndisë (faqet 86–88). Si mundet kjo e vërtetë të ndikojë mënyrën se si ndihemi ne për veten dhe të tjerët? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë të kujtojnë se janë bij dhe bija të Perëndisë?

  2. Cilat janë mendimet tuaja rreth shkrimeve të shenjta të cituara nga Presidenti Snou për të dhënë mësim rreth potencialit tonë hyjnor? (Shih faqet 88–91.)

  3. Lexoni pjesën që fillon në faqen 91. Si mundet që “andralla[t] dhe shqetësime[t] [e] jetës” të na çojnë te harrimi i bekimeve të përjetshme të ungjillit? Çfarë mund të bëjmë ne për ta mbajtur potencialin tonë “të freskët” dhe “si objektiv për t’u arritur”? Në çfarë mënyrash mundet që kujtimi i destinacionit tonë të ndikojë mënyrën se si jetojmë?

  4. Ndërsa e keni studiuar këtë kapitull, çfarë keni mësuar rreth Atit tuaj Qiellor? Çfarë keni mësuar rreth destinacionit tuaj si një bijë apo bir i Perëndisë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Romakëve 8:16–17; 1 Korintasve 2:9–10; Alma 5:15–16; Moroni 7:48; DeB 58:3–4; 78:17–22; 132:19–24

Ndihmë për Mësimdhënien: “Jepni dëshmi kurdoherë që Shpirti ju nxit ta bëni këtë, jo vetëm në fund të çdo mësimi. Krijoni mundësi për ata që u jepni mësim, që të japin dëshmitë e tyre” (Teaching, No Greater Call, f. 45).

Shënime

  1. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 46; shih gjithashtu “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  2. Shih Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 46–47; “Glory Awaiting the Saints”, Deseret Semi-Weekly News, 30 tetor 1894, f. 1.

  3. LeRoi C. Snow, “Devotion to a Divine Inspiration”, Improvement Era, qershor 1919, f. 656.

  4. LeRoi C. Snow, “Devotion to a Divine Inspiration”, f. 661.

  5. Deseret News, 24 janar 1872, f. 597.

  6. Në Conference Report, prill 1898, f. 63.

  7. Në “Anniversary Exercises”, Deseret Evening News, 7 prill 1899, f. 10.

  8. Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 530.

  9. Deseret News, 21 tetor 1857, f. 259.

  10. Deseret Semi-Weekly News, 4 tetor 1898, f. 1.

  11. “Glory Awaiting the Saints”, f. 1.

  12. Në Conference Report, tetor 1900, f. 4.

  13. Në Conference Report, tetor 1898, f. 3.

  14. Në Conference Report, tetor 1900, f. 4.

  15. Deseret News, 21 tetor 1857, f. 259.

  16. Në Conference Report, prill 1899, f. 2.

  17. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, Deseret Evening News, 9 korrik 1901, f. 1.

“Është një kënaqësi e madhe të flasësh për gjërat e mëdha që Perëndia propozon t’u dhurojë bijve dhe bijave të Tij.”

Ndërsa studiojmë shkrimet e shenjta, ne mësojmë për natyrën tonë hyjnore.

Në letrat e tij, Apostulli Pal dëshmoi për potencialin tonë për t’u bërë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.