Mësime të Presidentëve
Kapitulli 16: ‘Që Ne të Mund të Bëhemi Një’


Kapitulli 16

“Që Ne të Mund të Bëhemi Një”

“Zëri i të Plotfuqishmit na nxori nga mesi i rrëmujës … për të formuar një grup dhe një vëllazëri të dashur, në të cilën ne duhet ta duam njëri-tjetrin ashtu siç duam veten.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Përpara se shenjtorët të detyroheshin të largoheshin nga Navuja, Vëllezërit udhëheqës të Kishës u mblodhën në tempull. Ata bënë besëlidhje që nuk do t’i “ndërprisnin kurrë përpjekjet [e tyre], me të gjitha mjetet dhe ndikimet brenda mundësive [të tyre], derisa të gjithë shenjtorët që ishin detyruar të largoheshin nga Navuja, të vendoseshin në një vendgrumbullim të shenjtorëve”1. I vendosur për ta mbajtur këtë besëlidhje, Presidenti Brigam Jang krijoi Fondin e Përhershëm të Emigrimit në 1849-ën. Sipas këtij programi, Kisha u jepte pará hua shenjtorëve që emigronin, me marrëveshjen që njerëzit do t’i rikthenin huat pasi të arrinin në Juta dhe të gjenin punë.

Presidenti Jang thirri Plakun Lorenco Snou dhe të tjerë për të siguruar fonde për këtë përpjekje. Ishte e vështirë për Plakun Snou t’u kërkonte shenjtorëve dhurime – ata ishin të varfër vetë, duke qenë të dëbuar nga vendi në vend përpara se të vendoseshin në Luginën e Solt-Lejkut. Ai shkruante në ditarin e tij: “Në kryerjen e misionit për të kërkuar pará nga shenjtorët që, pasi ishin grabitur e plaçkitur, kishin bërë një udhëtim prej më shumë se 1.600 kilometrash, dhe sapo qenë vendosur në një zonë pa ujë, të pabanuar të ‘Shkretëtirës së madhe Amerikane’, unë e gjeta veten pjesë të një detyre të vështirë. Me shumë pak përjashtime, njerëzit kishin shumë pak, ose asgjë që të mund ta kursenin.” Sidoqoftë, kudo që Plaku Snou shkoi, njerëzit dhanë gjithçka që mundeshin. Ai tregoi: “Përpjekjet dhe gatishmëria, që u manifestua kudo, për të nxjerrë një pjesë nga shuma e pakët që kishin – ndjenja e bujarisë dhe madhështia e shpirtit, që unë e ndesha kudo në mes të varfërisë, përshëndetjet entuziaste që mora edhe aty ku skamja ishte gjendja më e zakonshme e njerëzve, ma mbushën zemrën me një gëzim të jashtëzakonshëm. Një burrë këmbënguli që të merrja lopën e tij të vetme, duke thënë se Zoti e kishte shpëtuar, dhe e kishte bekuar gjatë largimit nga vendi mëmë dhe ardhjes në një vend paqeje; dhe me dhënien e lopës së tij të vetme ndieu se do të bënte vetëm atë që kërkonte detyra dhe atë që do të priste nga të tjerët, po të kthehej situata në të kundërtën.”

Pas mbledhjes së dhurimeve në Jutën veriore, Plaku Snou vërejti: “Zemrat e shenjtorëve u hapën, dhe, duke pasur parasysh rrethanat e tyre, ata dhanë bujarisht e plot, dhe sigurisht me gëzim”2.

Edhe pse njerëzit kishin pak për të dhënë individualisht, përpjekjet e tyre të bashkuara bekuan shumë jetë. Fondi i Përhershëm i Emigrimit u zgjerua përtej qëllimit të tij fillestar, duke ndihmuar jo vetëm anëtarët e Kishës që kishin qenë në Navu. Ai vazhdoi për 38 vjet, duke ndihmuar dhjetëra mijëra të kthyer në besim nga shumë vende të mblidheshin me shokët e tyre shenjtorë. [Shih sugjerimin 1 në faqet 209–210.]

Mësime të Lorenco Snout

Kur jemi të bashkuar në ungjill, Zoti nëpërmjet nesh i tregon botës tiparet e Tij.

Jezusi iu lut Atit të tij që ata njerëz që Ati ia kishte dhënë Jezusit nga bota të mund të ishin një ashtu si ai dhe Ati ishin një, dhe thotë: ‘Unë lutem që t’u jepni të njëjtën dashuri që keni për mua, që unë të mund të jem në ta dhe ti në mua, që të gjithë të mund të jemi një’. Ka diçka shumë të rëndësishme në këtë, dhe ne duhet ta ushtrojmë veten derisa të bëhemi si Ati dhe Biri, një në të gjitha gjërat.3

Nga vargjet që lexova [Gjoni 17:19–21], u tregua rëndësia dhe nevoja që Apostujt të jenë të bashkuar, në mënyrë që qëllimet e Zotit të kenë ndikim në botë. Sepse nëse Apostujt dhe ata që u besonin atyre nuk do të ishin të bashkuar, bota nuk mund të besonte në misionin dhe qëllimet e Shpëtimtarit. Prandaj Jezusi iu lut Atit që të gjithë ata, që Ati i pati dhënë, të mund të ishin një ashtu siç Ai dhe Ati ishin një, që bota të mund të besonte se Ati e pati dërguar Atë. Në fakt kjo është ajo që Zoti planifikoi të ndodhte nëpërmjet Izraelit duke i nxjerrë ata nga skllavëria egjiptiane; Ai donte të krijonte prej tyre një popull të bashkuar, një komb të veçantë, komb të një populli të cilin Perëndia mund ta nderonte dhe ta respektonte me qëllim që bota të mund të besonte, dhe që ata të mund të merrnin bekimet që Ai donte t’u jepte atyre, duke qenë se në racën njerëzore të gjithë janë fëmijë të Perëndisë; dhe nëse Izraeli do t’i kishte plotësuar kërkesat e Tij, bota, pa dyshim, do të përfitonte shumë nga ai veprim dhe qëllimet e Perëndisë do të realizoheshin më plotësisht. Zoti donte të shfaqte karakterin e Tij dhe karakterin e qiejve dhe nëpërmjet Izraelit donte t’ia tregonte dashurinë e bekimet e Tij të gjithë familjes njerëzore; por Izraeli ishte i pabindur dhe nuk deshi ta dëgjonte zërin e Tij. …

Nëse kemi përçarje midis nesh; nëse jemi të përçarë qoftë shpirtërisht apo materialisht, ne kurrë nuk mund të jemi populli që Perëndia synon të bëhemi, as mundemi ndonjëherë të bëhemi mjete në duart e Tij për ta bërë botën të besojë se Priftëria e shenjtë është rivendosur dhe se kemi Ungjillin e përjetshëm. Me qëllim që të realizojmë qëllimet e Perëndisë, ne duhet të bëjmë siç bëri Jezusi – të përputhim vullnetin tonë individual me vullnetin e Perëndisë, jo vetëm në një gjë, por në të gjitha gjërat, dhe të jetojmë në mënyrë të tillë që vullneti i Perëndisë të jetë në ne.4 [Shih sugjerimin 2 në faqen 210.]

Uniteti është thelbësor në Kishë dhe në familjet tona.

Duhet të ketë unitet më të madh midis nesh nga ai që gjejmë sot. Ka një unitet të përsosur në kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. A duhet të ketë një unitet të përsosur në atë kuorum? Me shumë siguri, secili do të thoshte Po, një unitet të përsosur në kuorumin e Të Dymbëdhjetë Apostujve. … Dhe ka një unitet të përsosur edhe në Presidencën e Parë, dhe a nuk duhet të ketë? Secili do të thotë, sigurisht, atje duhet të ketë. Dhe a duhet të ketë një unitet të përsosur në shtatë presidentët e Të Shtatëdhjetëve? Atje me shumë siguri duhet të ketë; ne të gjithë themi Po. A duhet të ketë një unitet të përsosur në Këshillat e Lartë të Kunjave të ndryshme të Sionit? Sigurisht duhet të ketë, dhe ka një mënyrë për ta plotësuar atë unitet. Dhe me të njëjtën mënyrë në organizatat dhe kuorumet e tjera të ndryshme. A duhet të ketë një unitet të përsosur në presidencat e Kunjave? Sigurisht, dhe nëse do të isha president i një Kunji, unë nuk do të pushoja asnjë ditë apo natë gjersa të kisha unitet me këshilltarët e mi. A duhet të ketë unitet midis Peshkopit dhe Këshilltarëve të tij? Me shumë siguri duhet të ketë.

Mirë, çfarë është më e rëndësishme? A nuk duhet të ketë unitet në familje? … Me shumë siguri duhet të ketë. Dhe përse duhet çdo burrë të jetë i kënaqur, përse çdo bashkëshort dhe baba i një familjeje duhet të çlodhet i kënaqur derisa të krijojë unitet të përsosur, që do të thotë, aq sa një unitet i përsosur mund të realizohet? Dhe në këtë çështje babai duhet ta bëjë veten po aq të përsosur sa mundet të bëhet një burrë i përsosur në këtë jetë përpara familjes së tij. Dhe bashkëshortja duhet ta bëjë veten po aq të përsosur sa mundet një grua të bëhet në këtë jetë. Dhe pastaj ata janë të përgatitur t’i bëjnë fëmijët e tyre po aq të përsosur sa fëmijët janë të gatshëm dhe të aftë që të bëhen të përsosur. Edhe babai edhe nëna duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Bashkëshortja kurrë nuk duhet të flasë pa respekt për bashkëshortin e saj në prani të fëmijëve. Nëse mendon se bashkëshorti i saj ka vepruar gabim (ai mund të ketë vepruar), ajo kurrë nuk duhet të flasë për të në prani të fëmijëve. Ajo duhet ta marrë atë jashtë pranisë së fëmijëve dhe atje t’i tregojë gabimet e tij, në një mënyrë të pëlqyeshme, por kurrë në prani të fëmijëve të flasë pa respekt për babanë. Dhe babai po ashtu. Ai nuk ka të drejtë të flasë pa respekt për bashkëshorten e tij në prani të fëmijëve. Dhe unë lutem që Perëndia do t’i japë bashkëshortit dhe bashkëshortes dëshirën e mirëkuptimin për ta ndrequr veten në çështje të tilla. Unë e di se shumë nga vështirësitë që paraqiten tani, dhe mungesa e respektit që gjejmë në lidhje me Priftërinë, midis të rinjve, vjen nga ky fakt, që ka pasur vështirësi në shtëpi dhe ka pasur shprehje të mungesës së respektit në praninë e tyre, për babanë nga nëna, ose për nënën nga babai. Tani unë e di se këto gjëra janë kështu.5 [Shih sugjerimin 3 në faqen 210.]

Ne bëhemi të bashkuar kur e ndihmojmë njëri-tjetrin për të arritur paqe dhe lumturi.

Ne flasim shumë në lidhje me parimin e të dashurit të fqinjëve tanë po aq shumë sa duam vetveten; flasim rreth tij dhe ndonjëherë mendojmë rreth tij, por sa bëjmë ne vërtet në frymën e këtyre gjërave dhe sa e shohim që vështirësia gjendet brenda nesh? Duhet të kuptojmë se duhet të veprojmë në bazë të disa parimeve me anë të të cilave mund të bashkohemi tok si një popull, për të bashkuar ndjenjat tona së toku që ne të mund të bëhemi një, dhe kjo nuk mund të realizohet kurrë pa u bërë disa gjëra, dhe gjëra që kërkojnë një përpjekje të jashtëzakonshme nga ana jonë.

Si do të përpiqeshit të punonit për t’u bashkuar së toku? Si do të përpiqej një njeri që të punonte për t’u bashkuar me fqinjin e tij? Nëse dy persona, të cilët nuk ishin njohur asnjëherë, do të ishin shoqëruar së bashku, si do të punonin për të fituar miqësinë e njëri-tjetrit, dhembshurinë dhe dashurinë e njëri-tjetrit? Përse diçka do të duhet të bëhet, dhe jo vetëm nga njëri prej personave, por do të duhet të bëhet si nga njëri ashtu edhe nga tjetri. Nuk do të ishte e përshtatshme që njëri ta bënte vetëm punën e nevojshme; nuk do të shkonte që njëri të ishte i përshtatshëm për ato ndjenja dhe ta bënte punën i vetëm, por me qëllim që të bëhen një në ndjenjat dhe dashurinë e tyre – veprimi i të dyve do të ishte i nevojshëm. …

… Diçka duhet të bëhet nga [secila] palë me qëllim që të fitohet miqësia e njëri-tjetrit dhe të bashkohemi tok si një komunitet. …

… Le të ndriçohen mendjet tuaja në mënyrë që të kuptoni e të kujdeseni për shqetësimet e miqve tuaj që janë përreth jush, dhe aty ku jeni në gjendje t’u sillni dobi miqve tuaj bëjeni atë, dhe duke e bërë atë ju do të shihni se ato gjëra që ju nevojiten do t’ju vijnë në dorë më shpejt sesa po të punoni tërësisht ju për t’i arritur ato për vete pa menduar për shqetësimet e miqve tuaj. Unë e di se ky është një parim i mirë dhe i rëndësishëm. …

… Është e nevojshme të dimë se është detyra jonë të mësojmë t’u sigurojmë paqen dhe lumturinë atyre që janë përreth nesh dhe kurrë të mos e lejojmë veten të dëmtojmë ndjenjat dhe të drejtat e fqinjëve tanë. Le të shkojë një njeri e të dëmtojë të drejtat e një vëllai, dhe sa kohë do t’i duhet për ta shkatërruar atë ndjenjë mirëbesimi që ekzistonte më parë midis tyre? Dhe kur ato ndjenja të jenë shkatërruar, sa kohë do të duhet për ta krijuar atë ndjenjë që dikur ekzistonte midis tyre? Do të duhet një kohë e gjatë. Kjo është ajo ku duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë; unë e ndiej se është kështu; në të gjithë mendimin, në të gjitha lëvizjet tona dhe në meditimin tonë vetjak ne duhet ta lejojmë mendjen tonë të mendojë rreth shqetësimeve të të gjithë njerëzve përreth nesh; dhe të mbajmë parasysh se ata kanë të drejta dhe privilegje ashtu si edhe ne; ne duhet ta besojmë fort këtë në mendjen tonë.

Tani mendoni për një njeri që vazhdimisht kujdeset për interesat e njerëzve përreth tij dhe lejojeni të dëshirojë që të jepen bekime për të gjitha gjërat që u përkasin vëllezërve të tij, dhe në këtë mënyrë ai do të krijojë lumturi te vetja dhe përreth tij. Lejojeni një njeri që të marrë drejtimin e kundërt dhe në vend të bekimit të të tjerëve dhe të të punuarit në dobi të tyre, të kërkojë për gabime dhe t’i rrëzojë, a do të bëjë ai të njëjtin përmirësim? Me siguri që jo.

… Nëse ndiejmë se është detyra jonë të shkojmë të punojmë me më shumë ambicie se deri tani për të siguruar mirëbesim, ne do ta bëjmë po të jetë në fuqinë tonë për të dhënë bekime dhe favore të botës për të siguruar miqësinë e atyre përreth nesh. Në këtë mënyrë dhe në asnjë tjetër mund të lidhemi së toku dhe ta tregojmë që kemi një ndjenjë bujare dhe vëllazërore. – Ne duhet ta tregojmë këtë ndjenjë me anë të veprave tona … në vend të [thjesht] shtrëngimit të dorës një personi e thënies Perëndia të bekoftë njeri i mirë e ditën tjetër, [duke] mos menduar fare për çka kemi thënë më parë, por [duke] dëmtuar ndjenjat e tij.6

Kur një njeri nuk është i gatshëm të sakrifikojë në dobi të vëllezërve të tij, dhe kur e di që po cenon ndjenjat e vëllezërve të tij, … ai njeri nuk është i drejtë përpara Zotit, dhe ku është dashuria e atij personi për vëllain e tij?

Kur një vëlla nuk është i gatshëm të vuajë për vëllain e tij, si mund të jetë e mundshme për të që të shfaqë se ka dashuri për vëllain e tij? Unë ju them se është budallallëku dhe dobësia jonë që nuk duam të ndihmojmë vëllezërit tanë, por nëse ata shkelin mbi të drejtat tona ne menjëherë kundërpërgjigjemi, dhe nëse na shkelin me këmbë menjëherë kërcejmë mbi ta. … Kur shoh një vëlla që është ofenduar, dhe pastaj kthehet e kërcen mbi ofenduesin, atëherë them se sa larg është ai vëlla nga rruga e detyrës, dhe unë i them atij se duhet të mësojë ta kontrollojë veten ose nuk do të shpëtohet kurrë në mbretërinë e Perëndisë.7

Unë do të lexoj disa paragrafë në Librin e Doktrina e Besëlidhjeve:

“Dishepujt e mi, në ditët e lashta, kërkuan rast kundër njëri-tjetrit dhe nuk e falën njëri-tjetrin në zemrat e tyre; dhe për këtë ligësi ata u brengosën dhe u ndëshkuan rreptësisht.

Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.” [DeB 64:8–9.] …

Ndërsa po lexoj këtu, ka një gjë që dishepujt e Shpëtimtarit nuk e përmbushën – ata nuk ia dolën të krijonin atë bashkim shpirti e ndjenje që duhet të kishin pasur, dhe Zoti i ndëshkoi për të. Zoti kërkon që njerëzit ta falin njëri-tjetrin, madje shtatëdhjetë herë shtatë. Dhe edhe nëse personi nuk kërkon falje, ne duhet ta falim. … Atij që nuk fal vëllain e tij, na është thënë, tek ai mbetet mëkati më i madh – që do të thotë, ai është mëkatues më i madh se personi që e ka ofenduar atë. Zoti kërkon nga ne që ta duam fqinjin tonë ashtu siç duam vetveten – një gjë shumë e vështirë në shumë rrethana; por do të na duhet ta arrijmë atë nivel përsosjeje, dhe ne do ta arrijmë atë.8 [Shih sugjerimin 4 në faqen 210.]

Ndërkohë që bëhemi të bashkuar në ungjill, ne rritemi në dritë e inteligjencë, dhe përgatitemi të banojmë në praninë e Perëndisë.

Ne duhet të bashkohemi së toku dhe të veprojmë si Davidi dhe Jonathani duke pasur një zemër [shih 1 Samuelit 18:1] dhe më mirë të këputet krahu nga trupi ynë sesa të plagosim njëri-tjetrin. Çfarë populli i fuqishëm do të ishim nëse do të ishim në këtë gjendje, dhe ne duhet ta arrijmë këtë gjendje, sado pak ndjenja miqësie që mund të ndiejmë në kohën e tanishme. Unë thjesht mund t’ju them se dita do të vijë kur duhet të bëhemi të bashkuar në këtë udhë nëse duam të jemi në prani të Perëndisë ndonjëherë. Ne do të na duhet të mësojmë t’i duam fqinjët tanë ashtu siç duam veten tonë. Ne duhet të arrijmë në atë nivel, sado larg të jemi prej tij në kohën e tanishme, nuk ka rëndësi, duhet t’i mësojmë këto parime dhe t’i fusim në zemrën tonë. Tani këtë unë mund ta shoh qartë, dhe kjo është arsyeja përse flas rreth këtyre çështjeve në stilin që po flas, sepse dua që t’i mbjell në mendjet e shenjtorëve, dhe t’i kenë këto gjëra mes ndjenjave të tyre të përditshme.9

Zëri i të Plotfuqishmit na nxori nga mesi i rrëmujës, që është Babilonia, për të formuar një grup dhe një vëllazëri të dashur, në të cilën ne duhet ta duam njëri-tjetrin ashtu siç duam veten. Kur largohemi nga ky qëllim, Shpirti i Perëndisë tërhiqet jashtë nesh në të njëjtën masë sa të largimit tonë. Por nëse vazhdojmë t’i përmbushim ato besëlidhje që kemi bërë kur pranuam Ungjillin, ka një rritje përkatëse të dritës e inteligjencës, dhe ka një përgatitje të fuqishme për atë që do të vijë. Dhe për shkak të besnikërisë sonë dhe të bindjes sonë ndaj besëlidhjeve që kemi bërë, themeli mbi të cilin qëndrojmë bëhet si kolonat e qiellit – i patundur.10 [Shih sugjerimin 5 në faqen 210.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Rishikoni përvojën e Lorenco Snout me Fondin e Përhershëm të Emigrimit (faqet 201 dhe 203). Sot në Kishë, çfarë mundësish kemi për të dhënë pará apo të mira për të ndihmuar të tjerët? Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojnë këto përpjekje për t’u bërë një?

  2. Meditoni mbi mësimet e Presidentit Snou rreth arsyes përse Zoti do që të jemi të bashkuar (faqet 203–204). Përse mendoni se njerëzit e tjerë do të kenë më shumë gjasa të fitojnë dëshmi për Zotin dhe Kishën e Tij të rivendosur kur të shohin se jemi të bashkuar? Si mund të ndryshojnë ndjenjat e tyre nëse shohin se jemi të përçarë?

  3. Merrni parasysh pjesën që fillon në fund të faqes 204. Si zbatohet kjo këshillë në shtëpitë tona? Shqyrtoni çfarë mund të bëni për të nxitur më shumë unitet në marrëdhëniet tuaja familjare.

  4. Si mund të përjetojmë unitet në Shoqatën tonë të Ndihmës apo kuorumin e pleqve, edhe kur kemi interesa dhe ide të ndryshme? (Për disa shembuj, shih faqet 205–208.) Në çfarë mënyrash keni përfituar nga uniteti në familjen tuaj? Në çfarë mënyrash keni përfituar nga uniteti në Kishë? Po në komunitet?

  5. Përse mendoni se dashuria për njëri-tjetrin mund të na bëjë një “popull [të] fuqishëm”? Si ndikon dashuria për të tjerët në mënyrën se si jetojmë? Ndërsa meditoni apo diskutoni këto pyetje, rishikoni dy paragrafët e fundit në kapitull (faqe 209).

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmeve 133; Gjoni 13:34–35; Romakëve 12:5; Mosia 18:21; 4 Nefi 1:15–17; DeB 51:9; Moisiu 7:18

Ndihmë për Mësimdhënien: “Fuqia kurorëzuese, bindëse, kthyese në besim e mësimdhënies së ungjillit duket kur një mësues i frymëzuar thotë: ‘Unë e di nga fuqia e Frymës së Shenjtë, nga zbulesat e Shpirtit të Shenjtë në shpirtin tim, se doktrinat që kam dhënë mësim janë të vërteta’” (Bruce R. McConkie, cituar në Teaching, No Greater Call, f. 43).

Shënime

  1. Cituar në Brigham Young, Heber C. Kimball, dhe Willard Richards, “Important from Salt Lake City”, Millennial Star, 15 prill 1850, f. 120; shih gjithashtu Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 107.

  2. Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 108.

  3. Deseret News, 14 janar 1857, f. 355.

  4. Deseret News: Semi-Weekly, 23 janar 1883, f. 1.

  5. Në Conference Report, tetor 1897, f. 32–33.

  6. Deseret News, 11 mars 1857, f. 3–4; në burimin origjinal, faqja 3 është shënuar gabimisht si faqe 419.

  7. Deseret News, 14 janar 1857, f. 355.

  8. Në Conference Report, prill 1898, f. 61, 63.

  9. Deseret News, 11 mars 1857, f. 4.

  10. Deseret Semi-Weekly News, 4 qershor 1889, f. 4.

Përpara se shenjtorët të largoheshin nga Navuja, udhëheqësit e priftërisë bënë besëlidhje për t’i ndihmuar të gjithë shenjtorët që donin t’i bashkoheshin emigrimit.

“A nuk duhet të ketë unitet në familje? … Me shumë siguri duhet të ketë.”