Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18: Udhëheqja e Kishës dhe Shërbimi Vetëmohues


Kapitulli 18

Udhëheqja e Kishës dhe Shërbimi Vetëmohues

“Ne jemi shërbëtorët tuaj në mbretërinë e Zotit dhe dëshirojmë që ju dhe i gjithë njerëzimi të jeni të bekuar e të lumtur.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Nga tetori i 1840-ës deri në janar të 1843-shit, Lorenco Snou kryesoi Kishën në Londër, Angli, dhe në zonën përreth. Ai mbikëqyrte udhëheqësit e priftërisë atje, herë duke i mësuar ata personalisht dhe herë duke u shkruar letra për t’u dhënë këshillë. Pak përpara mbarimit të misionit të tij në Angli, ai u shkroi dy “Pleqve Kryesues të Degëve të Londrës”, që shërbenin thuajse siç shërbejnë presidentët e degëve sot. Në letrën e tij, ai tregonte për një përvojë që kishte pasur me udhëheqësin e një dege tjetër në zonë.

Plaku Snou e përshkruante këtë udhëheqës si “pa ndonjë të metë të dukshme”. Personi “po punonte fort për të plotësuar misionin e Kishës” dhe kishte aftësi të siguronte “që secili [të ishte] në vendin e tij, dhe duke bërë detyrën e tij”. Ai ishte i zellshëm, “[duke] punuar më fort se kushdo tjetër”. Por pavarësisht pamjes së jashtme besnike të këtij personi, dega zakonisht kishte probleme që dukej se përqendroheshin tek ai. Plaku Snou u përpoq për një kohë të përcaktonte burimin e problemeve dhe me butësi i kritikoi anëtarët e degës për mosmbështetje të udhëheqësit të tyre. Më pas, filloi të pyeste veten nëse udhëheqësi “mund të kishte një shpirt pune të fshehtë, të brendshëm që ai nuk e dinte, që nuk dukej hapur” por që çonte në një mënyrë te vështirësitë në degë. Plaku Snou tregoi:

“Prandaj u luta që Zoti të mund të më jepte një bekim mprehtësie për rastin. Lutja ime mori përgjigje; unë konstatova se vëllai pushtohej nga një lloj qëndrimi misterioz, i fshehtë në kërkim të lavdisë dhe nderit për vete, që e drejtonte në shumë prej sjelljeve të tij. Ai caktonte një vëlla për të plotësuar një detyrë por kishte një dëshirë të fshehtë që ta kishte nderin e asaj detyre vetë; nëse vëllai nuk do ta zbatonte detyrën, ai do ta qortonte fajtorin, jo sepse puna e Zotit në një masë bëhej e paefektshme apo se vëllai humbiste një bekim, por sepse personi po tregonte mungesë respekti duke mos iu bindur atij. Në [një] rast ku shumë njerëz u pagëzuan nga një vëlla, zemra e tij u gëzua aq shumë jo ngaqë personat u sollën në besëlidhje, por ngaqë ajo u bë nën mbikëqyrjen e tij, duke dëshiruar fshehtazi që asnjë person nën vartësi të tij të mos mund të merrte shumë nderim përveç nëse vetë emri i tij do të lidhej me këtë.”

Plaku Snou vërente se, nëse një anëtar i degës kishte sukses në një detyrë por nuk kishte ndjekur këshillën e udhëheqësit në çdo hollësi, udhëheqësi kishte “një qëndrim smire … të fshehur prapa një miratimi me fjalë”. Ai vazhdoi: “Ky qëndrim ishte i fshehur; rezultatet e të cilit nuk dukeshin hapur, por do të bëheshin të dukshme nëse gjendja nuk ndreqej; ishte një ligësi e brendshme që përfundimisht do t’ia shkatërronte vlerën atij. Ajo i sillte shqetësim të panevojshëm ndërsa drejtonte punët e thirrjes së tij; gjithashtu i krijonte një burim pakënaqësie të vazhdueshme në vetë mendjen e tij. I dëshiruar për të çuar përpara kauzën e Perëndisë, por gjithmonë në një mënyrë të tillë që vetë dora e tij të mund të dukej qartësisht në të gjitha gjërat. Ambicioz për të dhënë udhëzime të mira por i kujdesshëm për ta vënë emrin e vet të plotë në fund të tyre.”

Plaku Snou nuk e shkroi këtë letër për të ndëshkuar udhëheqësin vendor. Qëllimi i tij, që e shkroi, ishte të ndihmonte udhëheqësit e tjerë – në mënyrë që qëndrimi krenar që përshkroi “të mund të shihej, të njihej dhe të shmangej” ndër ta. Ai paralajmëroi se shumë njerëz “që besojnë sinqerisht se vetë janë tërësisht të lirë nga ky qëndrim i të kërkuarit nderim për vetveten, do të zbulonin me një shqyrtim të imët të motiveve që frymëzojnë sjelljen e tyre, për befasinë e tyre, se ky qëndrim po i nxiste që të kryenin shumë nga veprimet e tyre”.

Duke ndarë këtë paralajmërim, ai këshilloi: “Në mënyrë që të bëhemi si Perëndia dëshiron që të jemi, ne duhet të mësohemi të gëzohemi duke parë të tjerët po aq të bekuar sa vetë ne; të gëzohemi duke parë kauzën e Sionit të përparojë nga cilido mjet që Perëndia mund të dojë që ta bëjë atë; dhe të mos lejojmë smirën të hyjë në zemrat tona kur një personi më të dobët se ne, i është dhënë një nder më i madh; të jemi të kënaqur në lartësimin e një detyre më të vogël derisa të thirremi në një më të lartë; të jemi të kënaqur në bërjen e gjërave të vogla dhe të mos e kërkojmë nderin te bërja e më të mëdhave”. Ai e krahasoi Kishën me një ndërtesë madhështore, me shenjtorë të veçantë si pjesë të asaj ndërtese, duke thënë se ne duhet “të mos ndihemi kurrë tepër krenarë sa ndonjëherë të mos jemi të gatshëm të pritemi, të na jepet këndi i duhur, të na bëhen dhëmbëza, të na jepet formë e të lëmohemi për t’u vendosur në vendin që duhet të zëmë në ndërtesën shpirtërore”.

Plaku Snou e përfundon letrën me këto fjalë: “Nëse një plak kryesues do të kërkojë vetëm që të bëhet ashtu siç mundet dhe duhet që të jetë, duke e çliruar veten nga parimet egoiste; dhe do të veprojë gjithmonë për të mirën e njerëzve të tij, dhe do të jetë i përulur, dhe nuk do të kërkojë të bëjë shumë në pak kohë, ose të jetë tepër i madh gjersa të rritet, ai kurrë nuk do të dështojë në lartësimin siç duhet të detyrës së tij, as do t’i mungojë ndonjëherë fuqia e Perëndisë që të bëjë të realizohen qëllimet e Tij të urta”1. [Shih sugjerimin 1 në faqen 230.]

Mësime të Lorenco Snout

Zoti u ka dhënë udhëheqësve në Kishën e Tij një urdhërim të shenjtë: “Kulloti[ni] delet e mia”.

Le të mendojë çdo njeri që mban një thirrje zyrtare, të cilit Perëndia i ka dhënë priftërinë e tij të shenjtë dhe hyjnore, për atë që Shpëtimtari u tha Dymbëdhjetë Apostujve pikërisht përpara se të shkonte në praninë e Atit të tij – “Kulloti delet e mia”. [Gjoni 21:16–17.] Dhe vazhdoi ta thoshte këtë derisa apostujt e tij u ndien të pikëlluar që ai po vazhdonte t’u drejtohej në këtë mënyrë. Por Ai tha: – “Kulloti delet e mia”. Që do të thotë: “Shkoni përpara me gjithë zemrën tuaj, jini tërësisht të përkushtuar në punën Time. Këta njerëz në botë janë vëllezërit dhe motrat e mia. Unë ndiej shumë fort për ta. Kujdesuni për njerëzit e mi. Ushqejeni tufën time. Shkoni përpara dhe predikoni ungjillin. Unë do t’ju shpërblej për të gjitha sakrificat tuaja. Mos mendoni se mund të bëni një sakrificë tepër të madhe në përmbushjen e kësaj pune.” Ai u bëri thirrje me gjithë zemër që ta bënin këtë punë. Dhe tani unë ju bëj thirrje të gjithëve që mbajnë këtë priftëri, nëpunësve kryesues të kunjit dhe Peshkopëve, e Këshillit të Lartë që të shkojnë përpara dhe të ushqejnë tufën. Interesohuni për ta. … Punoni për ta, dhe mos i kufizoni mendimet dhe ndjenjat tuaja te vetekzaltimi juaj vetjak. Atëherë Perëndia do t’ju japë zbulesë pas zbulese, frymëzim pas frymëzimi dhe do t’ju japë mësim për mënyrën se si të merrni bekime për shenjtorët në çështje që lidhen me mirëqenien e tyre materiale dhe shpirtërore.2 [Shih sugjerimin 2 në faqen 230.]

Udhëheqësit dhe mësuesit janë thirrur të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe të shërbejnë me dashuri, jo të ekzaltojnë vetveten.

Përse është thirrur [një] njeri që të veprojë si president mbi një popull? A është kjo që të mund të arrijë një ndikim dhe pastaj ta përdorë atë ndikim drejtpërdrejt për fryrjen e vet? Jo, por përkundrazi, është thirrur që të veprojë në një pozicion të tillë mbi të njëjtat parime siç bëri Biri i Perëndisë kur iu dha priftëria, që ai duhet të bëjë sakrifica. Për veten? Jo, por në përfitim të njerëzve mbi të cilët kryeson. A do t’i kërkohej një udhëheqësi të Kishës ta ofronte veten mbi kryq, siç bëri Shpëtimtari? Jo, por që të bëhet shërbëtor i vëllezërve të tij, jo mjeshtri i tyre, dhe të punojë për përfitimin e mirëqenien e tyre. Jo ta ushtrojë ndikimin e fituar në këtë mënyrë për të përfituar për vete, familjen, të afërmit e miqtë e tij personalë, por duke i konsideruar të gjithë si vëllezër të tij që kanë të drejta të përbashkëta me atë vetë dhe, si rrjedhim, të përpiqet t’i bekojë dhe të përfitojnë të gjithë njerëzit njësoj sipas talenteve e meritës që mund të kenë, dhe pra duke vepruar kështu, të zhvillojë te vetja atë ndjenjë atërore që është gjithmonë në zemrën e Atit. …

… Le të kuptojnë ata që predikojnë mes shenjtorëve, se për çfarë iu dha Priftëria; le ta dinë dhe ta ndiejnë plotësisht se përse u caktuan të përmbushin një detyrë apo një tjetër, në lidhje me atë që duhet të veprojnë sipas vullnetit të Mësuesit tonë, shërbëtor i të gjithëve, që të mësojnë të kujdesen për nevojat e të gjithë njerëzve me po aq dashuri sa kujdesen për nevojat e veta. … Atëherë do ta kuptojnë domethënien e dy urdhërimeve të mëdha nga të cilat, tha Shpëtimtari, “varet … ligji dhe profetët”, domethënë, ta duam Zotin me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, dhe fqinjin tonë si veten [shih Mateu 22:37–40].3

Kërkojini Zotit në lutje përpara [mësimdhënies], dhe kjo do të thotë: I kërkoni Zotit që të mund të thoni diçka gjatë vërejtjeve tuaja që do të jenë me përfitim për ata të cilëve u drejtoheni. Mos u shqetësoni nëse do të jetë diçka që do ta shtojë apo jo vetë lavdinë tuaj, por thjesht kujtoni se jeni thirrur t’u flisni dëgjuesve, dhe se ata dëshirojnë të marrin diçka që do të jetë me përfitim për ta. Kjo mund të vijë vetëm nga Zoti. Mos u merakosni nëse … ata që ju dëgjojnë mund të thonë se folët shumë bukur. Mos mendoni aspak rreth kësaj, por hiqni çdo egoizëm që mund të jetë në mendjen tuaj në mënyrë që Zoti të mund t’ju tregojë diçka që do të jetë me përfitim për njerëzit.4 [Shih sugjerimin 3 në faqen 231.]

Udhëheqës të urtë i vlerësojnë talentet e të tjerëve dhe u japin njerëzve mundësi të shërbejnë.

Nga fakti që [një udhëheqës] është bërë i dashur për njerëzit dhe ka marrë famë ndër ta për integritetin moral e ndershmërinë, dhe gatishmërinë e tij për të punuar për interesat e Perëndisë dhe të njerëzve, i gatshëm të bëjë çfarëdo sakrifice që mund të kërkohet prej tij, ai ka besimin e tyre, dhe kur arrin të ketë një mirëbesim kaq të shenjtë, çfarë mund të bëjë atëherë me qëllim që të kënaqë mendjet e njerëzve, që janë pak a shumë të prirur të shohin gjithmonë përparim në çdo kohë? Le të thërrasë një njeri i tillë për ndihmë ata prej vëllezërve të tij që janë më të aftë, duke u lejuar të ndajnë përgjegjësitë e tij. Sepse do ta shihni, si diçka të përgjithshme, se talenti është ndarë ndër shumë njerëz dhe rrallë kombinohet në individë të vetëm; dhe ky talent ka nevojë vetëm për mundësi që të zhvillohet. Ai mund t’i thotë njërit: “Shiko, Vëlla Filan dhe filan, ju jeni më i përshtatshëm se unë për të plotësuar këtë apo atë pozicion ”; ose një tjetri: “Ju jeni njeriu më i përshtatshëm për këtë departament”; dhe kështu me radhë gjersa t’i zbulojë të gjitha talentet e paraqitura; dhe në vend që t’ia zvogëlojë opinionin publik për veten, një drejtim i tillë do t’ia rrisë atë.5 [Shih sugjerimin 4 në faqen 231.]

Mënyra e duhur për të udhëhequr është me anë të përulësisë, shembullit të mirë dhe përkushtimit ndaj mirëqenies së të tjerëve.

Rregulli autorit[ar] nuk është rregulli i duhur me anë të të cilit të qeverisësh shenjtorët, por më tepër të përpiqesh të administrosh në frymën e përulësisë, urtësisë dhe mirësisë, duke dhënë mësim nëpërmjet të qenit shembull i asaj që jep mësim se sa thjesht të thënët e ideve. Edhe pse një person duhet të japë mësim me gojëtarinë e një engjëlli, përsëri zakonet e mira, shembujt e mirë, veprat e mira të një personi, duke treguar vazhdimisht përkushtim për interesat e njerëzve, japin mësim me më shumë gojëtari, shumë më efektshëm.6

Nëse do të jeni po aq besnikë dhe të bashkuar sa janë besnikë dhe të bashkuar Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët, dhe do të na ndiqni ne ashtu siç ne ndjekim Krishtin, gjithçka do të shkojë mirë me ju. Ne jemi të vendosur të kryejmë detyrën tonë dhe t’i shërbejmë Zotit e të punojmë në dobi të njerëzve të Tij në mënyrë që puna e Tij të mund të përmbushet. Ne jemi shërbëtorët tuaj në mbretërinë e Zotit dhe dëshirojmë që ju dhe i gjithë njerëzimi të jeni të bekuar e të lumtur.

Zoti nuk ka zgjedhur të famshmit apo të mirarsimuarit e botës që të kryejnë punën e Tij në tokë. Nuk janë ata që janë trajnuar dhe arsimuar në kolegjet e seminaret fetare për mësimdhënie, por njerëzit e përulur dhe të përkushtuar ndaj kauzës së Tij, të cilët i ka zgjedhur që të trajtojnë punët e Kishës së Tij, njerëz të cilët duan të udhëhiqen dhe të drejtohen nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe që pashmangshmërisht do t’ia japin lavdinë Atij, duke e ditur se nga vetja nuk mund të bëjnë asgjë. Unë mund t’ju siguroj, vëllezër dhe motra, se nuk kisha ndonjë ambicie të merrja përgjegjësinë që tani qëndron mbi mua. Nëse do të mund t’i shpëtoja me nder, nuk do të gjendesha kurrë në pozicionin tim të tanishëm. Unë kurrë nuk e kërkova atë, as kam kërkuar ndonjëherë ndihmën e ndonjërit prej vëllezërve të mi që të mund ta arrija këtë pozicion, por Zoti ma zbuloi mua dhe vëllezërve të mi se ky ishte vullneti i Tij, dhe unë nuk kam prirje të shmang çfarëdo përgjegjësie, as të refuzoj të zë çfarëdo pozicioni që Zoti më kërkon që ta plotësoj.7

Unë do të përpiqem të jem i përkushtuar ndaj interesave tuaja dhe interesave të mbretërisë së Perëndisë. Unë do t’ju shërbej me njohurinë dhe kuptimin tim më të mirë, në lidhje me atë që do të çojë përpara interesat tuaja lidhur me interesat e të Plotfuqishmit. Unë do ta bëj këtë, duke qenë Zoti ndihmësi im.8 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Si mund të zbatohet te ne letra e Lorenco Snout drejtuar udhëheqësve në Angli (faqet 223, 225–226)? Për shembull, çfarë mund të rezultojë kur kemi një qëndrim në “kërkim të lavdisë dhe nderit për vete” në thirrjet tona në Kishë? Si mundemi ne t’i lartësojmë thirrjet tona pa lartësuar veten?

  2. Studioni pjesën që fillon në faqen 226. Në ç’mënyrë munden udhëheqësit të “ushqej[në] tufën” e Krishtit? Çfarë kanë bërë udhëheqësit e Kishës për t’ju “ushq[yer]” ju? Çfarë tiparesh të karakterit admironi te këta udhëheqës?

  3. Lexoni paralajmërimet e Presidentit Snou rreth ekzaltimit të vetvetes (faqet 227–228). Më pas rishikoni paragrafin e dytë të plotë në faqen 225. Përse duhet të shqyrtojmë shtysat tona ndërsa ofrojmë shërbim? Shqyrtoni me lutje shtysat tuaja për shërbimin në Kishë.

  4. Meditoni mbi paragrafin që fillon në fund të faqes 228. Si ndikohet një lagje apo degë kur udhëheqësit ndajnë disa përgjegjësi me anëtarë të tjerë? Çfarë rezultatesh keni parë kur anëtarë të Kishës me talente dhe përvoja të ndryshme kanë punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët?

  5. Presidenti Snou këshilloi: “Rregulli autorit[ar] nuk është rregulli i duhur me anë të të cilit të qeverisësh shenjtorët” (faqe 229). Cilat janë disa rezultate të mundshme të rregullit autoritar nga udhëheqës të Kishës? Po nga prindërit? Cilat janë disa rezultate të mundshme të udhëheqjes me prindërit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 6:24; 20:25–28; 23:5; Marku 10:42–45; Gjoni 13:13–17; 2 Nefi 26:29; 28:30–31; Mosia 2:11–19; 3 Nefi 27:27; DeB 46:7–11; 50:26; 121:34–46

Ndihmë për Mësimdhënien: “Pyetje të shkruara në dërrasë përpara se të fillojë mësimi do të ndihmojnë nxënësit të mendojnë rreth çështjeve madje përpara se mësimi të fillojë” (Teaching, No Greater Call, f. 93).

Shënime

  1. Letër nga Lorenzo Snow për William Lewzey dhe William Major, nëntor 1842, në Lorenzo Snow, Letterbook, 1839–1846, Church History Library.

  2. Deseret News, 14 janar 1880, f. 787.

  3. Deseret News, 13 qershor 1877, f. 290–291.

  4. Improvement Era, korrik 1899, f. 709.

  5. Deseret News, 13 qershor 1877, f. 290.

  6. “Address to the Saints in Great Britain”, Millennial Star, 1 dhjetor 1851, f. 362.

  7. Deseret Semi-Weekly News, 4 tetor 1898, f. 1.

  8. Në Conference Report, tetor 1898 f. 54.

Udhëheqësit besnikë të Kishës ndjekin paralajmërimin e Zotit drejtuar Pjetrit: “Kulloti delet e mia” (Gjoni 21:16–17).

“Sepse do ta shihni, si diçka të përgjithshme, se talenti është ndarë ndër shumë njerëz dhe rrallë kombinohet në individë të vetëm.”