Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Shoqata e Ndihmës: Dashuri Hyjnore e Vërtetë dhe Fe e Pastër


Kapitulli 13

Shoqata e Ndihmës: Dashuri Hyjnore e Vërtetë dhe Fe e Pastër

“Asnjë institucion nuk është themeluar ndonjëherë me një qëllim më fisnik. Baza e tij është dashuria hyjnore e vërtetë, që është dashuria e pastër e Krishtit.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në verën e 1901-shit, presidenca e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës organizoi një aktivitet njëditor për motrat e Shoqatës së Ndihmës në Luginën e Solt-Lejkut. Presidenti Lorenco Snou mori ftesë për të marrë pjesë dhe për t’i folur grupit. Ai e filloi bisedën e tij duke thënë: “Unë e vlerësoj privilegjin e të qenit në gjendje për të kaluar një apo dy orë me ju këtë pasdite, dhe besoj se ju të gjitha jeni të gëzuara sot. Çlodhja dhe argëtimi i përshtatshëm janë gjëra të mira, dhe unë gëzohem t’ju shoh ju motra të kënaqeni në pak pushim dhe çlodhje, sepse ju që punoni aq shumë çdo ditë në shtëpitë tuaja dhe në Shoqatën e Ndihmës sigurisht e meritoni të gjithë gëzimin që mund të keni.”

Presidenti Snou, motra e të cilit Eliza R. Snou pati shërbyer si presidente e dytë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shprehu mirënjohjen për punën e Shoqatës së Ndihmës. Duke folur për gratë e Kishës, ai tha: “Është e vështirë të përfytyrosh çfarë do të kishte bërë kisha, ose çfarë përparimi do të kishte pasur puna e Zotit, pa gratë”. Për të cituar një shembull, ai iu referua programit misionar të Kishës në atë kohë, në të cilin burra të martuar shpesh u thirrën për të shërbyer misione kohëplota: “Kur ne burrat e kishës jemi larguar në misione jashtë vendit, misionet e grave të kishës në shtëpi kanë qenë në përgjithësi jo më pak të lodhshme sesa tonat larg shtëpive; dhe duke përjetuar sprova e sakrifica ato kanë treguar një durim, qëndresë dhe pavarësi që ka qenë vërtet frymëzuese. Faleminderit Perëndisë për gratë e kësaj Kishe! Kështu ndihem unë sot ndërsa bashkohem në këtë mbledhje.”1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 177.]

Mësime të Lorenco Snout

Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës janë shembull i dashurisë hyjnore të vërtetë dhe i besimit të pastër.

Shoqata e Ndihmës u organizua … nga Profeti Jozef Smith, nën frymëzimin e Zotit. … Sot ajo është organizuar si një nga forcat më të fuqishme për mirë në Kishë. …

Misioni i Shoqatës së Ndihmës është të ndihmojë të pikëlluarit, t’u shërbejë të sëmurëve e të dobëtve, të ushqejë të varfërit, të veshi të zhveshurit dhe të bekojë të gjithë bijtë e bijat e Perëndisë. Asnjë institucion nuk është themeluar ndonjëherë me një qëllim më fisnik. Baza e tij është dashuria hyjnore e vërtetë, që është dashuria e pastër e Krishtit [shih Moroni 7:47], dhe ai shpirt është manifestuar në të gjitha shërbesat e Shoqatës midis njerëzve. Apostulli Jakob tha se “feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota”. [Jakobi [Bibël] 1:27.] Duke e pranuar këtë si të vërtetë, anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kanë dhënë pa dyshim në jetën e tyre shembullin e fesë së pastër dhe të panjollë; sepse ato u kanë shërbyer atyre në pikëllim, kanë treguar me veprimet e tyre dashurinë për jetimët e të vejat, dhe e kanë ruajtur veten të pastër nga bota. Unë mund të dëshmoj se nuk ka gra më të pastra dhe më respektuese ndaj Perëndisë në botë nga ato që gjenden brenda anëtarësisë së Shoqatës së Ndihmës.2 [Shih sugjerimin 2 në faqen 178.]

Motrat e Shoqatës së Ndihmës punojnë me mbajtësit e priftërisë për të çuar përpara interesat e mbretërisë së Perëndisë.

Ka qenë gjithmonë një burim kënaqësie për mua të vërej se me sa besnikëri i keni mbështetur ju motra të Shoqatës së Ndihmës shërbëtorët e Zotit në të gjitha rrethanat. Ju gjithmonë jeni gjendur në krah të Priftërisë, gati për të forcuar krahët e tyre dhe për të bërë pjesën tuaj që të ndihmoni për të çuar përpara interesat e mbretërisë së Perëndisë; dhe siç keni marrë pjesë në këto punë, po kështu ju me siguri do të merrni pjesë në triumfin e veprës dhe në ekzaltimin e lavdinë që Zoti do t’u japë fëmijëve të Tij besnikë.

… Një Peshkop i urtë do t’i vlerësojë punët e Shoqatës së Ndihmës në lagjen e tij. Çfarë mund të bëjë një Peshkop pa një Shoqatë Ndihme? Unë do t’u thosha të gjithë Peshkopëve në Kishë, nxitini motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe mbështetini ato në punën e tyre të dashurisë hyjnore e të bujarisë, dhe ato do të jenë një bekim për ju dhe për njerëzit.3 [Shih sugjerimin 3 në faqen 178.]

Është mirë të kesh ndikimin e Shoqatës së Ndihmës në çdo shtëpi.

Unë do t’i këshilloja vëllezërit që t’i nxisnin bashkëshortet e tyre të [marrin pjesë në] shoqatë … ; sepse do të jetë një gjë e mirë ta kemi ndikimin e kësaj organizate në çdo shtëpi. Unë kërkoj nga ju, motra të mia, që ta çoni këtë ndikim kudo që shkoni, në vizitat tuaja në shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Zoti jua ka shfaqur qartësisht natyrën e marrëdhënies suaj me Të dhe çfarë pritet nga ju si bashkëshorte dhe nëna. Mësojuani këto gjëra atyre që vizitoni, veçanërisht zonjave të reja. …

Ju, motra të mia, si anëtare të Shoqatës së Ndihmës dhe si nëna të Izraelit, duhet ta përdorni gjithë ndikimin tuaj … në favor të mëmësisë dhe besnikërisë së pastër ndaj besëlidhjes së martesës.4 [Shih sugjerimin 4 në faqen 178.]

Ndërkohë që Kisha rritet, motrat e Shoqatës së Ndihmës do të kenë mundësi më të mëdha për të shërbyer.

Nuk është e nevojshme për mua të përmend me hollësira se çfarë ka bërë Shoqata e Ndihmës në të kaluarën; puna e saj e shkëlqyer është e njohur në të gjithë Sionin dhe në shumë pjesë të botës. Mjafton të thuash se ajo ka qenë e vërtetë në misionin e saj dhe se lista e saj e arritjeve është më e shkëlqyer se e çdo organizate tjetër bamirëse. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë krenarë për të dhe për arritjet e saj, dhe i janë mirënjohës Atit tonë në Qiell që frymëzoi shërbëtorin e Tij, Profetin, të krijonte një institucion të tillë. E ardhmja e Shoqatës ka gjasa të jetë më madhështore. Ndërsa Kisha rritet, dobishmëria e Shoqatës së Ndihmës do të rritet në përputhje me të dhe ajo do të jetë edhe më e fuqishme për të bërë të mirën nga sa ka qenë në të kaluarën. Nëse të gjitha motrat do të mblidhen së bashku për të mbështetur shoqatën, ajo do të përmbushë një punë të madhe dhe do të jetë një bekim i vazhdueshëm për Kishën. Do të ishte kënaqësi të shihje gratë e moshës mesatare po aq të interesuara në këtë institucion sa të moshuarat, dhe duke u bërë të tilla ato do të zbulojnë se kjo do t’u forcojë besimin, do t’u japë ide më të gjera për jetën e përgjegjësitë e saj dhe do t’i përmirësojë rrënjësisht përgjatë rrugës së përparimit e përsosjes.5

Qysh nga fillimi i punës së tyre, bekimi i Perëndisë u është dhënë [grave të Kishës], dhe unë kam vërejtur me shumë admirim e kënaqësi dhe interes të thellë përparimin e tyre. … Ato kanë qenë habitshëm të suksesshme dhe është e mrekullueshme se si Perëndia i ka bekuar dhe ka derdhur Shpirtin e Tij mbi to. Ato janë bërë, gati mund ta them me respekt, si engjëj që qëndrojnë në praninë e njerëzve të botës.6 [Shih sugjerimin 5 në faqen 178.]

Motrat e Shoqatës së Ndihmës, që besojnë në Perëndi dhe i shërbejnë Atij, do të bekohen në këtë jetë e në përjetësi.

Kjo është ajo që duam të rrënjosim në zemrat e motrave – se duhet të jenë të dobishme në vetë pozicionin e tyre dhe të mos shkurajohen për shkak të vështirësive në udhë, por të besojnë në Perëndi e të shohin tek Ai dhe bekimet e Tij të mrekullueshme, që ju premtoj se do të derdhen mbi ju. Kjo do të jetë përvoja juaj. … Më lejoni ta përsëris prapë, mos u shkurajoni, por shkoni përpara dhe bëni mirë, ushtroni besim, dhe me çdo mundësi që paraqitet kërkoni ta përmirësoni atë të mirë që keni bërë. Ne duam që të ushtroni të gjitha talentet që Perëndia ju ka dhuruar. Dhe duhet thënë kjo rreth aftësive në lidhje me perspektivat tuaja për sukses. Kur një person fillon të udhëtojë në një shteg që Zoti e ka shënuar dhe nëpërmjet të cilit bën mirë në interes të Tij, ai është i sigurt që do të ketë sukses. Ai është saktësisht atje ku Perëndia do që ai të jetë, dhe atje është vendi ku ju mundeni, me të drejtën më të madhe, t’i kërkoni Perëndisë për bekimin e Tij.7

Unë nxitem të them, Perëndia i bekoftë drejtueset dhe anëtaret e Shoqatës së Ndihmës. Ju po kryeni një mision madhështor dhe unë do t’ju këshilloja të mos lodheni së bëri mirë [shih DeB 64:33]. Ne të gjithë po përpiqemi të fitojmë lavdinë çelestiale dhe madhështia e perspektivave përpara nesh nuk mund të shprehet në gjuhë njerëzore. Nëse do të vazhdoni të jeni besnikë në punën në të cilën jeni angazhuar, ju do të arrini në atë lavdi dhe do të gëzoheni përgjithmonë në praninë e Perëndisë dhe të Qengjit. Për këtë ia vlen të përpiqesh; për këtë ia vlen të sakrifikosh, dhe i bekuar është burri apo gruaja që është besnike në arritjen e vet. Perëndia ju bekoftë të gjithëve.8 [Shih sugjerimin 6 në faqen .]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Presidenti Snou deklaroi se do të ishte e vështirë të përfytyroje përparimin e punës së Zotit pa gratë e Kishës (faqe 173). Në cilat mënyra kontribuojnë gratë në punën e Zotit sot?

  2. Meditoni mbi fjalët e Presidentit Snou rreth misionit të Shoqatës së Ndihmës (faqe 174). Mendoni për një rast kur motrat e Shoqatës së Ndihmës e përmbushën këtë mision duke ju ndihmuar ju ose familjen tuaj. Si kanë ndikuar veprime të tilla në jetën tuaj?

  3. Rishikoni pjesën që fillon në fund të faqes 174. Në cilat mënyra motrat e Shoqatës së Ndihmës i “ç[ojnë] përpara interesat e mbretërisë së Perëndisë”? Çfarë shembujsh keni dëshmuar të të punuarit së bashku të motrave të Shoqatës së Ndihmës dhe mbajtësve të priftërisë?

  4. Meditoni për lutjen e Presidentit Snou drejtuar motrave të Shoqatës së Ndihmës që të ushtrojnë ndikimin e tyre “në favor të mëmësisë dhe besnikërisë së pastër ndaj besëlidhjes së martesës” (faqe 175). Përse nevojitet ky ndikim sot në botë? Në cilat mënyra munden motrat e Shoqatës së Ndihmës të ndihmojnë të rejat që të përgatiten për martesën në tempull dhe mëmësinë?

  5. Presidenti Snou tha: “Ndërsa Kisha rritet, dobishmëria e [Shoqatës së Ndihmës] do të rritet në përputhje me të dhe ajo do të jetë edhe më e fuqishme për të bërë të mirën nga sa ka qenë në të kaluarën” (faqe 176). Në botën e sotme, çfarë mund të bëjnë motrat e Shoqatës së Ndihmës për ta rritur ndikimin e tyre për mirë?

  6. Studioni pjesën që fillon në faqen 177. Meditoni rreth mënyrave si jeni udhëhequr për të qenë “ku Perëndia do që [ju] të [jeni]”. Si ju ka ndihmuar Perëndia në këto përpjekje?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Isaia 1:17; Mateu 25:34–40; Mosia 4:26–27; Alma 1:29–30; Moroni 7:44–48

Ndihmë për Mësimdhënien: “Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, sigurohuni të përdorni metoda të ndryshme mësimdhënieje nga një mësim te tjetri. Kjo mund kuptojë përdorimin e diçkaje po aq të thjeshtë sa një poster plot ngjyra ose skicë muri në një mësim dhe një listë pyetjesh në tabelë në tjetrin” (Teaching, No Greater Call, f. 89).

Shënime

  1. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, Deseret Evening News, 9 korrik 1901, f. 1.

  2. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, f. 1.

  3. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, f. 1.

  4. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, f. 1.

  5. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, f. 1.

  6. Young Woman’s Journal, shtator 1895, f. 577–578.

  7. Young Woman’s Journal, shtator 1895, f. 578.

  8. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, f. 1.

Qysh nga kohët e hershme të Kishës, motrat e Shoqatës së Ndihmës kanë punuar së bashku dhe kanë forcuar njëra-tjetrën në aspektin material dhe shpirtëror.

“Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kanë dhënë pa dyshim në jetën e tyre shembullin e fesë së pastër dhe të panjollë.”