Mësime të Presidentëve
Kapitulli 6: Të Bëhemi të Përsosur përpara Zotit: ‘Pak më të Mirë nga Dita në Ditë’


Kapitulli 6

Të Bëhemi të Përsosur përpara Zotit: “Pak më të Mirë nga Dita në Ditë”

“Mos prisni të bëheni të përsosur menjëherë. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Jini më i mirë sot nga sa ishit dje dhe jini më i mirë nesër nga sa jeni sot.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Presidenti Lorenco Snou një herë mori pjesë në një mbledhje priftërie në të cilën një përfaqësues i secilit kuorum të pleqve u ngrit dhe raportoi mbi punën që kishte bërë kuorumi i tij. Ndërsa Presidenti Snou dëgjonte këta të rinj, iu kujtua vetja shumë vite përpara. Kur u ngrit të fliste, ai tha:

“Unë dua të them diçka, nëse është e mundur, që ju nuk do ta harroni kurrë, dhe mendoj se ndoshta edhe unë.

Unë shoh, siç shoh thuajse gjithmonë kur Pleq të rinj janë bashkë, dhe në fakt kur Pleqtë në moshë të mesme janë bashkë, një lloj mungese gatishmërie për të folur përpara dëgjuesve. Unë e shoh këtë këtu këtë mëngjes te të rinjtë që janë ngritur për të shprehur veten dhe për të dhënë informacion lidhur me punën e veçantë që kanë qenë duke bërë.

Nuk do të jetë gabim, ndoshta, nëse do t’ju tregoja pak nga përvoja ime, kur fillova të flas në publik, madje përpara se të isha një Plak. Unë kujtoj herën e parë që u thirra për të dhënë dëshminë time … Ishte diçka që i trembesha shumë, sidoqoftë në të njëjtën kohë unë ndieva se ishte detyra ime të ngrihesha, por prita dhe prita. Njëri dha dëshminë, një tjetër dha dëshminë e tij, pastaj një tjetër dhe ata thuajse po mbaronin, por unë ende druhesha të ngrihesha. Unë nuk pata folur kurrë përpara një audience. … [Më në fund] vendosa se ishte koha për mua që të ngrihesha. Unë e bëra këtë. Mirë, sa gjatë mendoni ju se fola? Besoj rreth gjysmë minute – e pamundur të ketë qenë më shumë se një minutë. Ajo ishte përpjekja ime e parë; dhe e dyta, mendoj, ishte thuajse njësoj. Unë isha i druajtur, … por e ndava mendjen, plotësisht dhe vendosmërisht, që kurdoherë që të thirresha të kryeja një detyrë të kësaj natyre apo tjetër, unë do ta bëja pavarësisht se cili mund të ishte përfundimi. Ajo është pjesë e bazës së suksesit tim si Plak në Izrael.”

Presidenti Snou u tregoi të rinjve se jo shumë pas kësaj përvoje, ai mbajti mbledhjen e tij të parë si misionar me kohë të plotë. “Unë nuk i jam trembur kurrë ndonjë gjëje aq shumë në jetën time sa asaj mbledhjeje”, kujtoi ai. “Unë u luta gjithë ditën, u largova në vetmi dhe iu luta Zotit. Unë nuk pata folur kurrë më parë [në publik] përveç në ato mbledhje të dëshmive. Kisha frikë. Unë nuk mendoj se një njeri i është trembur ndonjëherë një rrethane pune më shumë se unë në atë kohë. Mbledhja u thirr dhe dhoma ishte mbushur plotësisht … Unë fillova të flas dhe mendoj se zura rreth treçerek ore.”1 Në një tregim tjetër për të njëjtën mbledhje, ai shënoi: “Kur qëndrova përpara atij kongregacioni, edhe pse nuk dija asnjë fjalë që mund të thosha, sapo hapa gojën për të folur, Fryma e Shenjtë qëndroi fuqishëm mbi mua, duke mbushur mendjen time me dritë dhe ide komunikimi, dhe gjuhë të përshtatshme me të cilën t’i shprehja ato. Njerëzit u mahnitën dhe kërkuan një mbledhje tjetër.”2

Presidenti Snou e ndau mësimin që donte që ta mësonin të rinjtë nga përvoja e tij: “Të dashur miq të mi të rinj, ka mundësi për ju që të bëheni të mëdhenj – pikërisht aq të mëdhenj sa ju doni që të jeni. Në fillim të jetës ju mund të keni për zemër gjëra shumë të vështira për t’u arritur, por ndoshta brenda mundësive tuaja. Në përpjekjet tuaja të para për të kënaqur dëshirat tuaja mund të dështoni, dhe përpjekjet tuaja të mëpasshme mund të mos japin atë që mund të quhet sukses. Por në masën që përpjekjet tuaja ishin përpjekje të sinqerta dhe në masën që dëshirat tuaja bazoheshin në drejtësi, përvoja që ju fitoni ndërsa ndiqni dëshirat e zemrës suaj duhet medoemos të jetë me dobi për ju, dhe gabimet tuaja madje, nëse bëni gabime, do të kthehen në favorin tuaj.”3

Kjo ishte një temë e parapëlqyer e Presidentit Snou. Ai shpesh u kujtonte shenjtorëve urdhrin e Zotit për të qenë të përsosur dhe i siguronte se nëpërmjet zellit të tyre dhe me ndihmën e Zotit, ata mund t’i bindeshin atij urdhri. Ai na mësoi: “Ne duhet të ndiejmë në zemrën tonë se Perëndia është Ati ynë dhe se ndërsa bëjmë gabime dhe jemi të dobët, sidoqoftë nëse jetojmë thuajse aq përsosmërisht sa mundemi, gjithçka do të jetë mirë për ne”4.

Mësime të Lorenco Snout

Me zell, durim dhe ndihmë hyjnore ne mund t’i bindemi urdhrit të Zotit për të qenë të përsosur.

“Dhe kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: ‘Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm’.” [Zanafilla 17:1.]

Në lidhje me këtë unë do të citoj një pjesë nga fjalët e Shpëtimtarit në predikimin e tij në Mal, siç e përmban vargu i fundit i kapitullit të 5-të të Mateut.

“Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.” [Mateu 5:48.] …

Ne mësojmë se Zoti iu shfaq Abrahamit dhe i bëri premtime shumë të mëdha, dhe se përpara se ai të ishte i përgatitur për t’i marrë ato, një kërkesë iu bë atij, që ai [Abrahami] duhet të bëhej i përsosur përpara Zotit. Dhe e njëjta kërkesë iu bë nga Shpëtimtari Dishepujve të tij, që ata duhet të bëheshin të përsosur, madje si Ai dhe Ati i Tij në Qiell ishin të përsosur. Unë besoj se kjo është një temë që u intereson shenjtorëve të ditëve të mëvonshme; dhe dua të ofroj disa vërejtje në formë sugjerimi, për t’u menduar me kujdes nga ata të cilëve u intereson.

Zoti ka për qëllim që t’u japë bekimet më të larta shenjtorëve të ditëve të mëvonshme; por, si Abrahami, ne duhet ta përgatisim veten për to, dhe për ta bërë këtë i njëjti ligj, që i qe dhënë atij nga Zoti, na është dhënë ne për ta zbatuar. Neve gjithashtu na kërkohet të arrijmë në një gjendje përsosmërie përpara Zotit; dhe Zoti në këtë rast, njësoj si në çdo rast tjetër, nuk ka bërë një kërkesë me të cilën nuk mund të pajtohesh, por nga ana tjetër, Ai ka vënë në përdorim të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mjete me anë të të cilave ata mund të përshtaten me urdhrin e Tij të shenjtë. Kur Zoti i bëri këtë kërkesë Abrahamit, Ai i dha atij mjetet me të cilat ai mund të aftësohej t’i bindej atij ligji dhe ta realizonte plotësisht kërkesën. Ai pati privilegjin e Shpirtit të Shenjtë, sepse na është thënë se ungjilli i qe predikuar Abrahamit dhe nëpërmjet këtij ungjilli ai mund të merrte atë ndihmë hyjnore që do ta aftësonte të kuptonte gjërat e Perëndisë, dhe pa të asnjë burrë nuk mund ta bëjë këtë; pa të asnjë njeri nuk mund të arrijë në një gjendje përsosmërie përpara Zotit.

Po kështu është me shenjtorët e ditëve të mëvonshme; ata nuk mund të arrijnë ndoshta te një moral dhe standard i tillë shpirtëror përveçse nëpërmjet një ndihme dhe mbështetjeje të mbinatyrshme [qiellore]. As nuk presim që shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të përshtaten ose mund t’i përshtaten menjëherë këtij ligji në të gjitha rrethanat. Kërkohet kohë; kërkohet shumë durim dhe disiplinë e mendjes dhe e zemrës që t’i bindesh këtij urdhërimi. Dhe megjithëse mund të dështojmë fillimisht në tentativat tona, përsëri kjo nuk duhet t’i shkurajojë shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga përpjekja për të ushtruar një vendosmëri për t’iu bindur kërkesës së madhe. Abrahami, edhe pse mund të ketë pasur besim për të shkuar përpara Zotit sipas këtij ligji hyjnor, përsëri pati raste kur besimi i tij u sprovua rreptësisht, por prapëseprapë ai nuk u shkurajua sepse ushtroi vendosmëri për t’u përshtatur me vullnetin e Perëndisë.

Ne mund të mendojmë se nuk mund ta përmbushim ligjin e përsosmërisë, se puna e përsosjes sonë është tepër e vështirë. Kjo mund të jetë e vërtetë pjesërisht, por përsëri mbetet fakti se ai është një urdhër nga i Plotfuqishmi për ne dhe ne nuk mund të mos e pranojmë. Kur përjetojmë kohë të vështira, atëherë është koha për ne që ta përdorim atë privilegj të madh për t’iu lutur Zotit për forcë dhe kuptim, zgjuarsi dhe hir me anë të të cilit ne mund të kapërcejmë dobësitë e mishit kundër të cilit duhet të bëjmë një luftë të vazhdueshme.5 [Shih sugjerimin 1 dhe 2 në faqen 107.]

Kur ne pajtohemi me një kërkesë nga Zoti, ne jemi të përsosur në atë veprim.

Abrahami u thirr që të linte fisin dhe vendin e tij [shih Abrahami 2:1–6]. Nëse ai nuk do të ishte pajtuar me këtë kërkesë, ai nuk do të ishte pranuar nga Zoti. Por ai u pajtua; dhe ndërsa po largohej nga shtëpia e tij, ai pa dyshim po largohej në bindje të këtij ligji hyjnor të përsosmërisë. Nëse do dështonte në këtë, ai sigurisht nuk do të mund t’u bindej kërkesave të të Plotfuqishmit. Dhe ndërsa po largohej nga shtëpia e babait, ndërsa po ia nënshtronte veten kësaj sprove, ai po bënte atë që ndërgjegjja e tij dhe Shpirti i Perëndisë e justifikonin që ta bënte; dhe askush nuk mund ta kishte bërë më mirë përderisa nuk po bënte asnjë gabim kur po kryente këtë punë.

Kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme morën ungjillin në kombet përreth botës dhe kur zëri i të Plotfuqishmit për ta ishte që të linin vendet e etërve të tyre, të linin fisin e tyre siç bëri Abrahami, kurdo që ata pajtoheshin me këtë kërkesë, atëherë ecnin në bindje ndaj këtij ligji dhe ata qenë aq të përsosur sa mund të jenë njerëzit në rrethanat dhe veprimin të cilin po kryenin, jo se ata qenë të përsosur në njohuri apo fuqi etj., por në ndjenjat e tyre, në integritetin, shtysat dhe vendosmërinë e tyre. Dhe ndërsa po kalonin oqeanin e madh, gjersa ata nuk mërmërisnin as ankoheshin, por u bindeshin këshillave që u ishin dhënë dhe në çdo rast silleshin në një mënyrë të përshtatshme, ata ishin aq të përsosur sa Perëndia u kërkoi të ishin.

Zoti synon që të na çojë lart në mbretërinë çelestiale. Ai e ka bërë të ditur nëpërmjet zbulesës së drejtpërdrejtë se ne jemi krijesat e Tij, të lindur në botët e përjetshme, se ne kemi ardhur në këtë tokë për qëllimin e veçantë që ta përgatitim veten për të marrë një plotësi të lavdisë së Atit tonë kur të kthehemi në praninë e Tij. Prandaj, ne duhet të kërkojmë aftësinë që ta mbajmë këtë ligj që të shenjtërojmë shtysat, dëshirat, ndjenjat dhe dashuritë tona, që ato të mund të jenë të pastra e të shenjta dhe vullneti ynë në të gjitha gjërat t’i nënshtrohet vullnetit të Perëndisë dhe të mos kemi fare vullnet tonin përveçse për të bërë vullnetin e Atit tonë. Një njeri i tillë është i përsosur në veprimin e tij dhe ka bekimin e Perëndisë në gjithçka që bën dhe kudo që shkon.

Por ne jemi subjekte të marrëzisë, të dobësisë së mishit dhe jemi pak a shumë të paditur, prandaj jemi të rrezikuar për të bërë gabime. Po, por kjo nuk është arsye që ne të mos ndihemi të dëshiruar për t’u pajtuar me këtë urdhërim të Perëndisë, veçanërisht duke parë se ai ka vendosur brenda mundësive tona mjetet e plotësimit të kësaj pune. Ky mendoj unë është kuptimi i fjalës përsosje, siç i është thënë Abrahamit nga Shpëtimtari ynë dhe nga Zoti.

Një person mund të jetë i përsosur në lidhje me disa gjëra dhe jo me të tjera. Një person që i bindet fjalës së urtësisë besnikërisht, është i përsosur për aq sa bëhet fjalë për atë ligj. Kur ne u penduam për mëkatet tona dhe u pagëzuam për faljen e tyre, ne qemë të përsosur për aq sa bëhet fjalë për atë çështje.6 [Shih sugjerimin 3 në faqen 107.]

Në vend që të shkurajohemi kur dështojmë, ne mund të pendohemi dhe t’i kërkojmë Perëndisë për forcë që të veprojmë më mirë.

Tani neve na është thënë nga Apostulli Gjon se “jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, ne do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai, Krishti”. [Shih 1 Gjoni 3:2–3.] Shenjtorët e ditëve të mëvonshme presin të arrijnë te kjo gjendje përsosjeje; ne presim të bëhemi si Ati dhe Perëndia ynë, fëmijë të fortë dhe të denjë për të jetuar në praninë e tij; ne presim që, kur Biri i Perëndisë do të shfaqet, ne do të marrim trupat tanë të ripërtërirë dhe të përlëvduar dhe se “këta trupa të përunjur do të ndryshohen dhe do të bëhen të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm”. [Shih Filipianëve 3:21.]

Këto janë pritshmëritë tona. Tani të gjithë të pranishmit le t’i bëjnë vetes këtë pyetje: A janë pritshmëritë tona në themele të mira? Me fjalë të tjera, a po kërkojmë ta pastrojmë veten? Si mundet një shenjtor i ditëve të mëvonshme të ndihet i justifikuar në vetvete pa u përpjekur ta pastrojë veten madje siç Perëndia është i pastër, pa u përpjekur që ta mbajë ndërgjegjen e tij të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve në çdo ditë të jetës së tij? Ne padyshim, shumë nga ne, shkojmë nga dita në ditë, nga java në javë dhe nga muaji në muaj, përpara Perëndisë, duke mos ndier ndonjë ndëshkim, duke u sjellë siç duhet dhe duke u përpjekur me zell dhe me gjithë butësinë që Shpirti i Perëndisë të diktojë drejtimin tonë të përditshëm; dhe përsëri mund të ketë ndonjë rast apo raste në jetën tonë, kur jemi përpjekur shumë dhe ndoshta kemi dështuar; edhe nëse është kështu, kjo nuk është arsye që të mos përpiqemi përsëri, dhe këtë gjithashtu ta bëjmë me energji dhe vendosmëri të dyfishuar për të plotësuar objektivin tonë.7

Zoti dëshiron që të tregojë shpirtbutësi ndaj fëmijëve të Tij në tokë, por Ai kërkon prej tyre pendim të vërtetë kur ata bëjnë shkelje ose dështojnë në ndonjë detyrë. Ai pret bindjen e tyre dhe që ata të përpiqen të lënë mënjanë të gjitha mëkatet, ta pastrojnë veten dhe të bëhen vërtet populli i Tij, shenjtorët e Tij, kështu që të mund të përgatiten për të ardhur në praninë e Tij, të bëhen si Ai në të gjitha gjërat dhe të mbretërojnë me Të në lavdinë e Tij. Për të përmbushur këtë ata duhet të ecin në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, duke e bërë jetën e tyre më të ndritur dhe më të mirë, duke qenë të mbushur me besim dhe dashuri hyjnore, që është dashuria e pastër e Krishtit, dhe duke marrë pjesë besnikërisht në çdo detyrë në Ungjill.8

Nëse mund të lexojmë me hollësi jetën e Abrahamit ose jetën e burrave të tjerë të mëdhenj dhe të shenjtë, do të zbulojmë pa dyshim se përpjekjet e tyre për të qenë të drejtë nuk u kurorëzuan kurdoherë me sukses. Prandaj, ne nuk duhet të shkurajohemi nëse do të dështojmë në një moment të dobët; por, në të kundërt, aty për aty të pendohemi për gabimin apo padrejtësinë që mund të kemi bërë dhe sa është e mundur ta korrigjojmë atë, dhe pastaj t’i kërkojmë Perëndisë për forcë të ripërtërirë për të vazhduar dhe për të vepruar më mirë.

Abrahami mund të shkonte përsosmërisht përpara Perëndisë ditë pas dite kur po linte shtëpinë e babait të tij, dhe ai dha prova të një mendjeje të lartë dhe të disiplinuar mirë në drejtimin që sugjeroi, kur barinjtë e tij u grindën me barinjtë e nipit të tij Lotit [shih Zanafilla 13:1–9]. Erdhi një kohë në jetën e Abrahamit gjithsesi, që duhet të ketë qenë shumë e vështirë; në fakt zor se mund të përfytyrohet diçka më e rëndë; ajo ishte kur Zoti e thirri atë të ofronte si flijim birin e tij të dashur dhe të vetëm, madje Isakun nëpërmjet të cilit Abrahami priste përmbushjen e premtimit të madh që iu bë nga Zoti; por përmes shfaqjes së gatishmërisë së duhur ai qe në gjendje ta kapërcente sprovën dhe të vërtetonte besimin dhe integritetin e tij ndaj Perëndisë [shih Zanafilla 22:1–14]. Zor se mund të supozohet që Abrahami e trashëgoi një gjendje të tillë të mendjes nga prindërit e tij idhujtarë; por është e pranueshme të besosh se nën bekimin e Perëndisë ai qe aftësuar ta fitojë atë, pasi kaloi nëpër një luftim të ngjashëm me mishin siç jemi ne, dhe pa dyshim duke u mposhtur herë-herë dhe pastaj duke fituar gjersa qe aftësuar t’i qëndronte një prove aq të ashpër.

“Kini në ju po atë ndjenjë”, thotë Apostulli Pal, “që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë”. [Shih Filipianëve 2:5–6.] Tani çdo njeri që ka këtë objektiv përpara tij do ta pastrojë veten siç Perëndia është i pastër dhe do të përpiqet të ecë përsosmërisht përpara Tij. Ne kemi marrëzitë tona të vogla dhe dobësitë tona; ne duhet të përpiqemi t’i kapërcejmë ato sa më shpejt që është e mundur dhe duhet ta rrënjosim këtë ndjenjë në zemrat e fëmijëve tanë, që frika nga Perëndia të rritet me ta qysh kur janë fare të rinj dhe që ata të mund të mësojnë të sillen siç duhet përpara Tij në të gjitha rrethanat.

Nëse bashkëshorti mund të jetojë një ditë pa grindje me bashkëshorten e tij ose pa trajtuar njeri në mënyrë të pakëndshme ose pa e brengosur Shpirtin e Perëndisë në ndonjë mënyrë, deri këtu kjo është mirë; ai është deri këtu i përsosur. Atëherë lejojeni atë të përpiqet të jetë po ashtu ditën tjetër. Por duke supozuar se ai do të dështojë në përpjekjen e tij të ditës tjetër, kjo nuk është arsye që ai nuk duhet të ketë sukses duke e bërë këtë ditën e tretë. …

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet ta kultivojnë këtë ambicie vazhdimisht që ishte aq qartësisht e paraqitur nga apostujt në kohët e vjetra. Ne duhet të përpiqemi të ecim çdo ditë në mënyrë që ndërgjegjja jonë të jetë e paqortueshme përpara kujtdo. Dhe Perëndia ka vendosur në Kishë disa mjete me anë të të cilave ne mund të ndihmohemi, domethënë, Apostuj dhe Profetë dhe Ungjilltarë etj., “për përsosjen e shenjtorëve” etj. [Shih Efesianëve 4:11–12.] Dhe ai gjithashtu na ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë që është një udhëzues i pagabueshëm, që qëndron si një engjëll i Perëndisë, në krahun tonë, duke na treguar çfarë të bëjmë dhe duke na dhënë forcë dhe ndihmë kur rrethana të vështira dalin në rrugën tonë. Ne nuk duhet ta lejojmë veten të shkurajohemi kurdo që zbulojmë dobësinë tonë. Zor se mund të gjejmë një rast në të gjithë shembujt e lavdishëm dhënë për ne nga profetët, të vjetër apo modernë, ku ata të lejonin Të Ligun t’i shkurajonte ata; por nga ana tjetër ata vazhdimisht përpiqeshin ta kapërcenin, të fitonin çmimin dhe kështu ta përgatisnin veten për një plotësi lavdie.9 [Shih sugjerimin 4 në faqet 107–108].

Me ndihmë hyjnore, ne mund të jetojmë përtej veprimeve të marra dhe kotësive të botës.

Kur ne ngulitim në mendjen tonë se vërtet kemi fuqi brenda vetes nëpërmjet ungjillit që kemi marrë, ne mposhtim pasionet tona, orekset tona dhe në të gjitha gjërat ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit tonë Qiellor, dhe, në vend që të jemi mjeti që përcjellë ndjenja të pakëndshme në rrethin tonë familjar dhe në ata me të cilët shoqërohemi, por ndihmojmë shumë për të krijuar pak qiell mbi tokë, atëherë mund të thuhet se gjysma e betejës është fituar. Një nga vështirësitë kryesore nga e cila vuajnë shumë vetë është se ne jemi shumë të prirur të harrojmë objektivin e madh të jetës, motivin për të cilin Ati ynë Qiellor na ka dërguar këtu në vdekshmëri, si dhe thirrjen e shenjtë në të cilën jemi thirrur; dhe kështu, në vend që të ngrihemi mbi gjërat kalimtare të përkohshme, ne tepër shpesh e lejojmë veten të biem në nivelin e botës pa përfituar nga ndihma hyjnore që Perëndia ka krijuar, që është e vetmja që mund të na aftësojë t’i kapërcejmë ato. Ne nuk jemi më të mirë se pjesa tjetër e botës nëse nuk kultivojmë ndjenjën e të qenit të përkryer, madje siç Ati ynë në qiell është i përsosur.

Kjo ishte këshilla e Shpëtimtarit për shenjtorët e kohëve të lashta, që ishin njerëz me dëshira të ngjashme dhe që ishin subjekte të të njëjtave tundime si ne vetë; dhe Ai e dinte nëse njerëzit mund të pajtoheshin me të apo jo; Zoti kurrë nuk ka kërkuar dhe as do të kërkojë Ai gjëra nga fëmijët e Tij, që është e pamundur për ta që t’i kryejnë. Pleqtë e Izraelit, të cilët presin të dalin përpara botës për të predikuar ungjillin e shpëtimit mes një brezi të padrejtë e të çoroditur, midis njerëzish që janë plot ligësi dhe korrupsion, duhet veçanërisht ta zhvillojnë këtë shpirt. Dhe jo vetëm ata, por secili, çdo i ri dhe e re që i përket kësaj Kishe që është i denjë të quhet shenjtor, duhet ta kultivojë këtë dëshirë për të jetuar sipas kësaj kërkese, që ndërgjegjja e tyre të mund të jetë e pastër përpara Perëndisë. Është një gjë e mrekullueshme që qoftë të rinjtë qoftë të vjetrit ta kenë këtë si objektiv të vetin; është veçanërisht e këndshme të shohësh të rinjtë dhe të rejat tona të vendosin që drita dhe inteligjenca e Perëndisë të mund të duket në pamjen e tyre, që ata të mund të kenë një kuptim të saktë të jetës dhe të jenë në gjendje të jetojnë mbi veprimet e marra e kotësitë e botës dhe gabimet e ligësitë e njeriut.10

Nuk ka nevojë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të shqetësohen mbi gjërat e kësaj bote. Ato të gjitha do të mbarojnë. Zemrat tona duhet të vendosen në gjërat e lartpërmendura; të përpiqemi për atë përsosjeje që ishte në Jezu Krishtin, që ishte përsosmërisht i bindur në të gjitha gjërat ndaj Atit dhe që kështu fitoi ekzaltimin e Tij të madh dhe u bë model për vëllezërit e Tij. Përse duhet të mërzitemi dhe të shqetësohemi për këto gjëra tokësore kur destinacioni ynë është aq i madh dhe i lavdishëm? Nëse do të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit, do të mbajmë urdhërimet e Tij, do t’i përngjajmë përsosmërisë së Tij dhe do të përpiqemi të arrijmë realitetet e përjetshme të mbretërisë së Tij qiellore, gjithçka do të jetë mirë me ne dhe ne do të triumfojmë e do të arrijmë fitoren në fund.11

Në të gjitha veprimet dhe sjelljet tuaja, gjithmonë duhet të jeni të vetëdijshëm se ju tani po përgatiteni dhe krijoni për vete një jetë që do të vazhdojë në përjetësi; mos veproni mbi asnjë parim për të cilin në qiell do të turpëroheshit ose nuk do ta donit si bazë veprimi, mos përdorni asnjë mjet për arritjen e një qëllimi që një ndërgjegje e ndriçuar çelestiale nuk do ta miratonte. Ndërsa ndjenjat dhe dëshirat ju shtyjnë te veprimi, le të sundojnë e drejtojnë gjithnjë parime të pastra, të ndershme, të shenjta dhe të virtytshme.12

Ne nuk mund të bëhemi të përsosur menjëherë, por ne mund të jemi pak më të mirë nga dita në ditë.

Fëmija rritet nga fëmijëria në djalëri dhe nga djalëria në burrëri, me një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme; por ai nuk mund ta dallojë mënyrën si ose kohën kur ndodh rritja. Ai nuk e kupton se po rritet; por duke zbatuar ligjet e shëndetit dhe duke qenë i kujdesshëm në rrugën e tij ai më në fund arrin në burrëri. Kështu ndodh edhe lidhur me vetë ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Ne rritemi dhe shumohemi. Ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë në moment; por pas një viti apo diçka e tillë ne zbulojmë se jemi, mund të thuhet, larg mbi kodër, duke iu afruar majës së malit. Ne ndiejmë se kemi besim në Zot; se urtësitë e Tij janë gjithmonë dobisjellëse; se jemi të lidhur me Të; se Ai është në të vërtetë Ati ynë dhe se Ai na drejton gjatë jetës.13

Mos prisni të bëheni të përsosur menjëherë. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Jini më i mirë sot nga sa ishit dje dhe jini më i mirë nesër nga sa jeni sot. Tundimet që ndoshta na mposhtin pjesërisht sot, le të mos na mposhtin po kaq nesër. Kështu vazhdoni të jeni pak më të mirë nga dita në ditë; dhe mos e lini jetën tuaj të konsumohet pa u bërë mirë të tjerëve si edhe vetes.14

Çdo ditë e sapokaluar ose çdo javë e sapokaluar duhet të jetë më e mira që kemi përjetuar ndonjëherë, që do të thotë, ne vetë duhet të përparojmë nga pak çdo ditë, në njohuri e urtësi dhe në aftësinë për të bërë mirë. Ndërsa rritemi në moshë ne duhet të jetojmë më afër Zotit çdo ditë pasuese.15 [Shih sugjerimin 5 në faqen 108.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Presidenti Snou pranoi se urdhri për të qenë i përsosur shkakton shqetësim për disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme (faqet 98–100). Ndërsa studioni këtë kapitull, kërkoni për këshillë që mund ta ngushëllojë dikë që është i shqetësuar nga urdhri për të qenë i përsosur.

  2. Në pjesën që fillon në faqen , fraza “mbështetjeje [e] mbinatyrshme” i referohet ndihmës nga Zoti. Në çfarë mënyrash Zoti na ndihmon të bëhemi të përsosur?

  3. Në faqen 100, shikoni komentet e Presidentit Snou rreth Abrahamit dhe pionierëve të hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i përsosur “në veprimin të cilin [ne po kryejmë]”? Meditoni për atë që mund të bëni për t’u bërë më i përsosur në “ndjenjat, … integritetin, shtysat dhe vendosmërinë” tuaj.

  4. Presidenti Snou tha: “Ne nuk duhet ta lejojmë veten të shkurajohemi kurdo që zbulojmë dobësinë tonë” (faqe 104). Si mund të ngrihemi mbi ndjenjat e shkurajimit? (Për disa shembuj, shih faqet 102–105.)

  5. Si ju ndihmon ju të dini se nuk duhet të “prisni të bëheni të përsosur menjëherë”? (Shih faqen 107.) Mendoni rreth mënyrave të veçanta si mund ta ndiqni këshillën e Presidentit Snou “[jini] pak më të mirë nga dita në ditë”.

  6. Shihni për një ose dy thënie në këtë kapitull që janë veçanërisht frymëzuese për ju. Çfarë mendoni rreth këtyre thënieve?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Nefi 3:7; 3 Nefi 12:48; Ethëri 12:27; Moroni 10:32–33; DeB 64:32–34; 67:13; 76:69–70

Ndihmë për Mësimdhënien: “Individët ndikohen kur kontributet e tyre njihen. Ju mund të bëni një përpjekje të posaçme për të falënderuar për komentet e çdo personi dhe, nëse është e mundur, i bëni komentet pjesë të diskutimeve të klasës” (Teaching, No Greater Call, f. 35–36).

Shënime

  1. Në “Anniversary Exercises”, Deseret Evening News, 7 prill 1899, f. 9.

  2. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 16.

  3. Në “Anniversary Exercises”, f. 9.

  4. Në “Impressive Funeral Services”, Woman’s Exponent, tetor 1901, f. 36.

  5. Deseret News: Semi-Weekly, 3 qershor 1879, f. 1.

  6. Deseret News: Semi-Weekly, 3 qershor 1879, f. 1.

  7. Deseret News: Semi-Weekly, 3 qershor 1879, f. 1.

  8. Deseret Semi-Weekly News, 4 tetor 1898, f. 1.

  9. Deseret News: Semi-Weekly, 3 qershor 1879, f. 1.

  10. Deseret News: Semi-Weekly, 3 qershor 1879, f. 1.

  11. Deseret Semi-Weekly News, 4 tetor 1898, f. 1.

  12. Millennial Star, 1 dhjetor 1851, f. 363.

  13. Në Conference Report, prill 1899, f. 2.

  14. Improvement Era, korrik 1901, f. 714.

  15. Improvement Era, korrik 1899, f. 709.

Në Predikimin në Mal, Shpëtimtari tha: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48).

Zoti e urdhëroi Abrahamin: “Ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm” (Zanafilla 17:1).

Ne duhet të përpiqemi ditë për ditë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me anëtarët e familjes.