Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7: Besnikëria në Kohë Sprove: ‘Nga Vështirësitë në Dritën e Lavdishme të Diellit’


Kapitulli 7

Besnikëria në Kohë Sprove: “Nga Vështirësitë në Dritën e Lavdishme të Diellit”

“Çdo burrë dhe grua që i shërben Zotit, pavarësisht se sa besnik mund të jetë, ka çastet e veta të errëta; por nëse ka jetuar besnikërisht, drita do të shpërthejë mbi të dhe lehtësimi do t’i vijë.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në shkurt të 1846-ës shenjtorët e ditëve të mëvonshme u detyruan të lënë shtëpitë e tyre në Navu të Ilinoisit. Ndërsa përgatiteshin të bënin udhëtimin drejt perëndimit te toka e tyre e re e premtuar, ata ndoqën këshillën e Presidentit Brigam Jang për të krijuar vendbanime përgjatë rrugës. Ata jetuan në strehime të përkohshme dhe mbollën prodhime për shenjtorët që do të vinin pas tyre. Pasi kaluan një kohë të shkurtër në shtetin e Ajouas në vendbanimin e quajtur Gardën-Grouv [Kopshti i Korijes], Lorenco Snou dhe familja e tij shkoi në një vend që shenjtorët e quanin Maunt-Pisga [Mount Pisgah / Mali Pisga], gjithashtu në Ajoua. Ky vendbanim quhej sipas emrit të malit ku profeti Moisi pati parë vendin e premtuar të popullit të tij.

Disa muaj pas mbërritjes në Maunt-Pisga, Lorenco u thirr të kryesonte vendbanimin. “Në atë kohë”, kujtonte ai më vonë, “shenjtorët në Pisga ishin në një gjendje shumë të varfër, jo vetëm për ushqim dhe veshje, por gjithashtu për qe dhe qerre për të vazhduar udhëtimin e tyre. Disa familje ishin pa gjë fare dhe të varura nga mbështetja prej fqinjëve të tyre, të cilët, në shumicën e rasteve, ishin pak të përgatitur për ta ushtruar këtë virtyt. Por, përveç gjithë kësaj, një valë e gjerë sëmundjeje pllakosi vendbanimin, ndërsa nuk kishte njerëz mjaftueshëm të përgatitur për t’u shërbyer të sëmurëve; dhe vdekja pasonte sëmundjen, dhe baballarët, nënat, fëmijët, vëllezërit, motrat e miqtë më të dashur vdiqën dhe u varrosën me pak ceremoni dhe me varfëri për veshje të përshtatshme varrimi. Kështu hidhërimi dhe zija iu shtuan skamjes.”

Lorenco i njihte këto sprova personalisht. Ai dhe familja e tij përjetuan sëmundje, zhgënjime dhe pikëllim, përfshirë vdekjen e bijës së tij të sapolindur Leonora. Ai shkruante: “Leonora e vogël u sëmur dhe vdiq, dhe me dëshpërim të thellë e çuam trupin e saj në varrin e saj, që të mbetej vetëm, larg nga babai dhe nëna e saj që e lindën”.

Në këto rrethana, Lorenco i ndihmoi shenjtorët t’i përballonin sprovat e tyre me besim. Motra e tij, Eliza, shkroi: “Me një energji të paepur – një mendje praktike dhe një vendosmëri në qëllim, që kurrë nuk iu dorëzua zhgënjimit, ai e tregoi veten të aftë për një ngutësi që do t’i kishte tmerruar njerëzit me aftësi të zakonshme”. Ajo kujtonte: “Në radhë të parë ai vepronte për të frymëzuar dhe ndërthurur përpjekjet e njerëzve”. Ai i organizonte burrat në grupe pune. Disa shkonin në qytetet pranë për të fituar para për rezerva ushqimore dhe veshje. Të tjerë qëndronin në kamp, ku kujdeseshin për familjet aty, mbillnin të lashta dhe prodhonin e riparonin produkte që mund të përdoreshin në bashkësitë pranë.

Përveçse i ndihmoi shenjtorët që të punonin së bashku, Lorenco i nxiti ata të ushqeheshin shpirtërisht dhe të gëzonin argëtim të shëndetshëm. “Gjatë muajve të gjatë të dimrit”, tha ai, “unë përpiqesha t’i mbaja lart shpirtrat dhe kurajën e shenjtorëve në Pisga, jo vetëm duke organizuar mbledhje për adhurim dhe ushtrim fetar, në pjesë të ndryshme të vendbanimit, por gjithashtu duke siguruar furnizime dhe duke nxitur argëtime të përshtatshme të llojeve të ndryshme. …

Si shembull, do të përpiqem të përshkruaj një të tillë, që e sajova për argëtimin e sa më shumë vetëve që mund të grumbulloja normalisht në banesën e vogël të familjes time, që ishte një ndërtesë njëkatëshe, rreth katër metra e gjysmë me nëntë metra, e ndërtuar me trungje, me një çati dhe dysheme prej balte, në njërën anë me një oxhak me lartësi normale, bërë me plisa bari prerë nga gjiri i Tokës Mëmë. Posaçërisht për këtë rast, ne e mbuluam dyshemenë me një shtresë të hollë kashte të pastër dhe i mbuluam muret me çarçafë të bardhë, të hequr nga shtretërit tanë pa pupla.

Mënyra se si do ta ndriçonim përshtatshëm sallën tonë për ngjarjen e ardhshme ishte e një rëndësie të madhe dhe kërkoi shumë zotësi nga ana jonë. Por ia dolëm. Ne zgjodhëm rrepat më të mëdha dhe më të pastra nga gropa ku qenë groposur – boshatisëm brendësinë e rrepave dhe vendosëm qirinj të shkurtër në to, duke i vënë në distancë nga njëri-tjetri përreth mureve, duke varur të tjera në tavan, që ishte bërë me dhé dhe thupra kashte. Ato drita përcillnin një ndikim … shumë paqësor, të qetë, dhe drita që reflektohej prej lëvoreve të rrepave jepte një pamje shumë tërheqëse.

Gjatë veprimtarive të mbrëmjes, disa nga miqtë e mi, me shprehjet më të sinqerta të mundshme, më përgëzuan mua dhe familjen time për shijen dhe zotësinë e veçantë që treguam në ato zbukurime të pashoqe dhe të lira.”

Lorenco kujtonte që “orët kalonin gjallërisht dhe lumturisht”. Ai dhe miqtë e tij argëtonin njëri-tjetrin me fjalime, këngë dhe recitime. Ai tha: “Në fund, të gjithë dukeshin plotësisht të kënaqur dhe largoheshin duke u ndier aq të lumtur sikur të mos ishin pa shtëpi”1. [Shih sugjerimin 1 në faqen 118.]

Mësime të Lorenco Snout

Sprovat dhe vuajtjet na ndihmojnë të përmirësohemi shpirtërisht dhe të përgatitemi për lavdinë çelestiale.

Është e pamundur për ne që të arrijmë shpëtimin tonë dhe të përmbushim qëllimet e Perëndisë pa sprova apo pa sakrifica.2

Sprovat dhe vuajtjet kanë qenë përvoja e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Perëndia e përcaktoi që të ishte kështu. Unë besoj se në botën [paratokësore] të shpirtrave, kur na u propozua që të vinim në këtë kohë prove dhe të kalonim nëpër përvojën që po kalojmë tani, nuk qe krejtësisht e pëlqyeshme dhe e pranueshme; parashikimet nuk ishin shumë të këndshme në të gjitha drejtimet që mund të ishin dëshiruar. Përsëri nuk ka dyshim se ne e pamë dhe e kuptuam qartë në botën e shpirtrave se, me qëllim që të përmbushnim ekzaltimin dhe lavdinë tonë, kjo ishte një përvojë e nevojshme; dhe sado e papranueshme mund të na jetë dukur, ne ishim të gatshëm të pajtoheshim me vullnetin e Perëndisë dhe si pasojë ne jemi këtu.3

Zoti ka vendosur në zemrën e Tij se do të na provojë derisa të dijë atë që mund të bëjë me ne. Ai provoi Birin e Tij Jezusin. … Përpara se Ai [Shpëtimtari] të vinte në tokë, Ati e pati këqyrur drejtimin e Tij dhe e dinte se mund të mbështetej në Të kur shpëtimi i botëve do të qe në rrezik të rrënohej; dhe Ai nuk u zhgënjye. Kështu edhe në lidhje me ne. Ai do të na provojë dhe do të vazhdojë të na provojë me qëllim që të mund të na vendosë në pozitat më të larta në jetë dhe të vendosë mbi ne përgjegjësitë më të shenjta.4

Nëse ia dalim t’i kapërcejmë me besnikërinë dhe integritetin tonë të plotë sprovat e vështira që afrohen, ne mund të presim në mbarim të sprovave tona, një vërshim të madh e të fuqishëm të Shpirtit dhe fuqisë së Perëndisë – një bekim të madh mbi të gjithë ata që do të kenë qëndruar të vërtetë në besëlidhjet e tyre. …

Disa nga vëllezërit tanë kanë pyetur nëse pas kësaj kohe do të mund ta ndiejnë veten të denjë për shoqërim të plotë me Profetë e Shenjtorë të lashtësisë, që përballuan sprova e përndjekje; dhe me shenjtorë … që vuajtën në Kirtland, në Misuri e në Ilinois. Këta vëllezër, që i kanë bërë vetes këtë pyetje, kanë shprehur keqardhje që nuk i përjetuan ato kohë vuajtjeje. Nëse ndonjë nga këta është i pranishëm, unë do të them, për ngushëllimin e tyre, ju duhet të prisni veçse një kohë të shkurtër dhe do të keni mundësi të ngjashme, deri sa t’ju përmbushet kjo dëshirë. Ju dhe unë nuk mund të bëhemi të përsosur përveçse nëpërmjet vuajtjes: Jezusi nuk mundi [shih Hebrenjve 2:10]. Në lutjen dhe agoninë e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai paralajmëroi nevojën e procesit pastrues në jetën e atyre që ambicia i shtyn të sigurojnë lavdinë e një mbretërie çelestiale. Askush nuk duhet të përpiqet të shpëtojë duke shpresuar për ndonjë shkallë kompromisi.5

Nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përmes së cilës shenjtorët mund të bëjnë përmirësim shpirtëror dhe të jenë të përgatitur për një trashëgimi në mbretërinë çelestiale sesa nëpërmjet vuajtjes. Është procesi me të cilin njohuria rritet dhe paqja përfundimisht do të vendoset kudo. Është thënë se, nëse gjithçka përreth nesh do të qe paqësore dhe e begatë tani, ne do të bëheshim moskokëçarës. Do të ishte një gjendje ku do të gjendej gjithçka që do të dëshirohej nga një numër shumë i madh njerëzish; ata nuk do të përparonin drejt gjërave të përjetësisë.6

Qoftë individualisht apo kolektivisht, ne kemi vuajtur dhe do të na duhet të vuajmë përsëri, dhe përse? Sepse Zoti e kërkon atë nga ne për shenjtërimin tonë.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 118.]

Kur ne qëndrojmë besnikë gjatë sprovave dhe tundimeve, ne tregojmë se e duam Perëndinë më shumë sesa botën.

Midis sprovave tona janë tundimet, nëpërmjet të cilave na mundësohet të tregojmë se sa e vlerësojmë besimin tonë. Ju e dini mirë përvojën e Jobit lidhur me këtë. Atij iu dha një njohuri për ringjalljen dhe për Shëlbuesin, dhe ai e dinte se megjithëse duhej të vdiste, përsëri ai, në ditët e mëvonshme, do të shihte Shëlbuesin e tij mbi tokë [shih Jobi 19:25–26]. Tundimet ndaj të cilave u bë objekt treguan se ai i vlerësonte këto çështje qiellore mbi gjithçka tjetër. …

… Ngaqë Perëndia është Miku ynë, ne nuk trembemi. Neve mund të na duhet t’u nënshtrohemi shumë kushteve që janë të papërshtatshme. Me anë të tyre na jepet mundësia t’u tregojmë engjëjve se i duam gjërat e Perëndisë më shumë sesa gjërat e botës.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 118.]

Ndërsa qëndrojmë besnikë, Zoti na forcon për të kapërcyer tundimet dhe për të duruar sprovat.

Shumë nga ju mund të kenë sprova të rënda, që besimi juaj të mund të bëhet më i përsosur, mirëbesimi juaj të rritet, njohuria juaj për fuqitë e qiellit të rritet; dhe kjo, përpara se shëlbimi juaj të kryhet. Nëse lind një problem … ; nëse sprova vjen dhe ju detyroheni ta përjetoni atë; nëse Satani është i lirë të futet midis jush, me të gjithë fuqitë e tij joshëse të mashtrimeve dhe të dinakërisë tërheqëse; nëse përndjekja e fortë e pamëshirshme vjen kundër jush; – atëherë, në atë çast, ngrini kokën tuaj dhe gëzohuni që jeni vlerësuar i denjë për të vuajtur në këtë mënyrë me Jezusin, shenjtorët dhe profetët e shenjtë; dhe ta dini se periudha e shëlbimit tuaj është afruar.

Unë e ndiej të nevojshme, vëllezër dhe motra të mia, t’ju nxit me një shprehje të ndier nga zemra. Jini me humor të mirë – mos u shkurajoni; sepse me siguri shpejt vjen dita kur lotët tuaj do të thahen, zemrat tuaja ngushëllohen dhe ju do të ushqeheni me frytet e punëve tuaja. …

Jini të ndershëm, jini të virtytshëm, jini respektues, jini të bindur e të përulur, të guximshëm e trima, kultivoni thjeshtësinë, jini si Zoti; mbahuni tek e vërteta edhe pse përmes zjarrit apo shpatës, torturës apo vdekjes.9

Nga koha e marrjes së Ungjillit prej nesh e deri tani, Zoti herë pas here na ka dhënë sprova dhe vuajtje, nëse mund t’i quajmë ato si të tilla; dhe ndonjëherë këto sprova kanë qenë të asaj natyre që e kemi pasur shumë të vështirë t’i pranojmë pa murmuritje e ankesë. Dhe përsëri në kohë të tilla Zoti na bekoi e na dha mjaft nga Shpirti i Tij për të na aftësuar t’i kapërcenim tundimet dhe t’u qëndronim sprovave.10

Çdo burrë dhe grua që i shërben Zotit, pavarësisht se sa besnik mund të jetë, ka çastet e veta të errëta; por nëse ka jetuar besnikërisht, drita do të shpërthejë mbi të dhe lehtësimi do t’i vijë.11

Gjithçka që kërkohet prej nesh, për të na bërë përsosmërisht të sigurt në të gjitha rrethanat e trazuara apo të përndjekjes, është që të bëjmë vullnetin e Perëndisë, të jemi të ndershëm, besnikë dhe ta mbajmë veten të përkushtuar ndaj parimeve që kemi marrë; të sillemi mirë me njëri-tjetrin; të mos shkelim të drejtat e asnjë njeriu; të jetojmë sipas çdo fjale që del nga goja e Perëndisë, dhe Shpirti i tij i Shenjtë do të na ndihmojë dhe japë dorë në të gjitha rrethanat, dhe ne do të dalim nga e gjitha kjo të bekuar bollshëm në shtëpitë tona, në familjet tona, në tufat tona, në arat tona – dhe Perëndia do të na bekojë me çdo mënyrë. Ai do të na japë njohuri pas njohurie, inteligjencë pas inteligjence, urtësi pas urtësie.

E shtoftë Perëndia bekimin e tij mbi këtë popull. Qofshim besnikë ndaj vetes, besnikë ndaj të gjitha parimeve që kemi pranuar, duke u përpjekur për të bekuar jetën e të tjerëve me gjithë zemrën tonë, dhe Perëndia do të derdhë Shpirtin e tij mbi ne, dhe në fund ne do të jemi fitimtarë.12 [Shih sugjerimin 3 në faqen 118.]

Duke kujtuar kohët e vështira, ne shohim se sprovat tona na kanë ndihmuar t’i afrohemi më shumë Perëndisë.

Kur mendojmë atë që Zoti ka bërë për ne në të kaluarën, mjedisin tonë të tanishëm dhe shpresat tona të ardhme, themi se jemi popull i bekuar! Ndonjëherë kam menduar se një nga virtytet më të mëdha që shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të kenë, është mirënjohja ndaj Atit tonë Qiellor për atë që na ka dhënë dhe për shtegun nëpër të cilin na ka udhëhequr. Mundet që ajo ecje nëpër atë shteg të mos ketë qenë gjithmonë përvoja më e këndshme, por ne kemi zbuluar më pas se ato rrethana që ishin shumë të pakëndshme, shpesh kanë dalë më të leverdishmet për ne.13

Çdo sprovë nëpër të cilën kalon njeriu, nëse është besnik në atë sprovë dhe nderon Perëndinë e besimin që ka përqafuar, në fund të asaj sprove apo vuajtjeje ai individ është më afër Perëndisë, më afër lidhur me rritjen e besimit, urtësisë, njohurisë e fuqisë dhe si rezultat ka më shumë besim kur i bën thirrje Zotit për ato gjëra që dëshiron. Unë kam njohur individë që janë tronditur nga ideja e kalimit përmes provash të rënda, të cilët pasi kanë kapërcyer tundimin kanë thënë se mund t’i afrohen Zotit me më shumë besim dhe të kërkojmë për ato bekime që kanë dëshiruar. …

Ne kemi çdo arsye të gëzohemi dhe të jemi plot gëzim e kënaqësi, pavarësisht vështirësive që na rrethojnë. Dhe, sa kemi përparuar, sa njohuri kemi fituar dhe sa jemi në gjendje të kemi më shumë tani sesa një, dy apo pesë vjet më parë, dhe a jemi në gjendje të durojmë më shumë tani sesa disa vite përpara? Zoti na ka forcuar dhe na ka rritur në zhvillimin tonë. Si foshnja, kur rritet nuk e di se si mori forcë pak nga pak dhe mënyrën se si u rrit në shtat. Foshnja është më i madh këtë vit nga viti i kaluar. Po kështu në lidhje me përparimin tonë shpirtëror. Ne ndihemi më të fortë sot sesa një vit më parë.14

Sakrificat që keni bërë, vështirësitë që keni duruar dhe mungesat që keni vuajtur do të … harrohen dhe ju do të gëzoheni që fituat përvojën që ato ju dhanë. … Disa gjëra duhet t’i mësojmë nëpërmjet asaj që vuajmë dhe njohurisë së siguruar në atë mënyrë, edhe pse procesi mund të jetë i dhimbshëm, do të jetë me vlerë të madhe për ne në jetën tjetër. …

… Unë e di se jeta juaj nuk ka qenë e gjitha e lumtur; ju keni kaluar pa dyshim nëpër sprova dhe ndoshta keni pasur shumë fatkeqësi; por me integritet të vazhdueshëm ju do të dilni shpejt nga vështirësitë në dritën e lavdishme të diellit të botës çelestiale.15 [Shih sugjerimin 4 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Meditoni për tregimin në faqet 109, 111–113. Si qenë në gjendje shumë nga shenjtorët në këtë tregim të jenë të lumtur me gjithë vuajtjen e tyre? Çfarë mund të bëjmë ne për t’i nxitur njerëzit që po përjetojnë sprova?

  2. Studioni mësimet e Presidentit Snou mbi atë se përse ne duhet të kemi sprova (faqet 113–114). Çfarë mendoni se do të thotë të “përparo[jmë] drejt gjërave të përjetësisë”? Përse mendoni se shumë njerëz nuk do të “përparonin drejt gjërave të përjetësisë” pa sprova?

  3. Në çfarë mënyrash duhet t’u përgjigjemi sprovave dhe tundimeve? (Për disa shembuj, shihni faqet 115–118.) Si na ndihmon Zoti në kohë sprovash?

  4. Lexoni pjesën e fundit në këtë kapitull. Çfarë keni fituar ju nga sfidat që keni përjetuar?

  5. Kërkoni një ose dy thënie në këtë kapitull që ju japin shpresë. Çfarë vlerësoni te thëniet që keni zgjedhur? Shqyrtoni mënyrat se si mund t’ia tregoni këto të vërteta një anëtari familjeje apo miku që ka nevojë për inkurajim.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Ligji i Përtërirë 4:29–31; Psalmeve 46:1; Gjoni 16:33; Romakëve 8:35–39; 2 Korintasve 4:17–18; Mosia 23:21–22; 24:9–16; DeB 58:2–4

Ndihmë për Mësimdhënien: Merrni parasysh të kontaktoni disa pjesëmarrës që më përpara, duke u kërkuar të përgatiten të tregojnë përvoja që lidhen me këtë kapitull. Për shembull, përpara se të jepni mësim nga ky kapitull, mund të jetë e dobishme t’u kërkoni disa personave që të përgatiten të flasin për atë që kanë mësuar nga sprovat e tyre.

Shënime

  1. Shih Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 89–93.

  2. Millennial Star, 18 prill 1887, f. 245.

  3. Deseret Weekly, 4 nëntor 1893, f. 609.

  4. Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 532.

  5. Deseret News: Semi-Weekly, 9 shkurt 1886, f. 1.

  6. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  7. Deseret News, 28 tetor 1857, f. 270.

  8. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200.

  9. “Address to the Saints in Great Britain”, Millennial Star, 1 dhjetor 1851, f. 364.

  10. Deseret Weekly, 4 nëntor 1893, f. 609.

  11. Millennial Star, 24 gusht 1899, f. 531.

  12. Deseret News: Semi-Weekly, 2 dhjetor 1879, f. 1.

  13. Në Conference Report, prill 1899, f. 2.

  14. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200.

  15. Në “Old Folks Are at Saltair Today”, Deseret Evening News, 2 korrik 1901, f. 1; mesazh drejtuar një grupi anëtarësh të moshuar të Kishës; përgatitur nga Lorenzo Snow në moshën 88-vjeçare dhe lexuar nga biri i tij LeRoi.

Kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Navu të Ilinoisit, shumë gjetën gëzim mes vuajtjeve të tyre.

Një nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme, i cili u vendos në Maunt-Pisga, e bëri këtë vizatim në një revistë.

Në kohë sprovash, ne mund t’i drejtohemi Atit tonë në Qiell për ngushëllim e forcë.

Shtyp në Letër