Kapitulli 10
“Ejani në Tempuj”
“Mundësitë që Perëndia ka çelur para syve tanë, janë të mrekullueshme dhe madhështore; imagjinata nuk mund t’i përfytyrojë ato. Ejani në Tempuj dhe do t’ju tregojmë.”
Nga Jeta e Lorenco Snout
Shpejt pas pagëzimit dhe konfirmimit të vet, Lorenco Snou filloi të marrë pjesë në mbledhje në Tempullin e Kirtlandit. Atje, me Profetin Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, ai mori bekime të mëdha shpirtërore. Në ditarin e tij ai shkruante: “Atje, me profetin Jozef, ne patëm dhuratën e profecisë – dhuratën e gjuhëve – interpretimin e gjuhëve – vegime dhe ëndrra të mrekullueshme u rrëfyen – këndimi i koreve qiellore u dëgjua dhe shfaqje të mrekullueshme të fuqisë shëruese, nëpërmjet ushtrimit të priftërisë nga Pleqtë, u dëshmuan. Në shumë raste, të sëmurët u shëruan – të shurdhët arritën të dëgjonin – të verbrit të shihnin dhe sakatët të ecnin. Ishte shfaqje e qartë se një ndikim i shenjtë e hyjnor – një atmosferë shpirtërore, përshkonte atë ndërtesë hyjnore.”1
Lorenco Snou e donte Tempullin e Kirtlandit, duke ditur se “Biri i Perëndisë, në lavdinë e Tij, e pati nderuar me praninë e Tij mbretërore”. Prandaj, u mahnit kur qëndroi për herë të parë në një foltore atje për të dhënë mësim. “Nuk ka fjalë që të përshkruajnë ndjenjat e mia”, tha ai, “kur, për herë të parë, unë u ngrita te një nga ato foltore për t’iu drejtuar një audience – një foltore prapa së cilës, vetëm pak kohë përpara, qëndroi ky Personazh i shenjtë me – ‘flokët e tij të bardhë si dëborë e pastër, sytë e tij si flakë zjarri’ – ku gjithashtu Moisiu, Eliasi dhe Elija erdhën dhe i dorëzuan çelësat e periudhave të tyre ungjillore Jozef Smithit.” [Shih DeB 110.]2
Shumë vite më vonë, më 6 prill 1892, Presidenti Lorenco Snou u ngrit përpara një mbledhjeje tjetër, këtë herë përpara Tempullit të Solt-Lejk-Sitit thuajse të përfunduar. Rreth 40.000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme qenë grumbulluar brenda rrethimit të Tempëll Skuerit [Sheshit të Tempullit] dhe rreth 10.000 të tjerë “qenë majë ndërtesave dhe vendeve pranë nga ku mund të shihnin”3. Masa ishte mbledhur për një ceremoni në të cilën guri kulmor do të vendosej në majën më të lartë të tempullit. Më vonë atë ditë, statuja e engjëllit Moroni do të vendosej mbi gurin kulmor. I caktuar nga Presidenca e Parë, Presidenti Snou, që ishte atëherë President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duhej të udhëhiqte shenjtorët në Thirrjen Hosana të përkushtimit [Hosana Shout]. Pasi i shpjegoi Thirrjen Hosana masës së mbledhur, ai shprehu dashurinë dhe entuziazmin e tij për punën në tempull.
“Fjalët e thirrjes, Hosana”, tha ai, “që do të shqiptohen gjatë ose pas vendosjes së gurit bazë sot, u paraqitën nga Presidenti Jozef Smith në Tempullin e Kirtlandit dhe u përdorën në atë mbledhje solemne ku fuqia e Perëndisë u duk dhe vegimi i të Plotfuqishmit iu shfaq vëllezërve. Kjo nuk është një deklaratë e zakonshme, por është – dhe ne dëshirojmë që ajo të kuptohet qartë – një thirrje e shenjtë dhe përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme si ky i tanishmi përpara nesh. Ne dëshirojmë që gjithashtu të kuptohet qartë se duam që vëllezërit e motrat jo vetëm t’i shqiptojnë fjalët, por që zemrat e tyre të jenë plot me mirënjohje ndaj Perëndisë së qiellit, që ka përmbushur, nëpërmjet lirisë tonë të zgjedhjes, këtë punë të madhe dhe të jashtëzakonshme. Si sot tridhjetë e nëntë vjet më parë guri i themelit – guri i qoshes – i këtij Tempulli u vendos, dhe duke menduar e reflektuar mbi bekimet e mrekullueshme që Perëndia na ka dhënë neve, popullit të Tij, gjatë këtyre 39 viteve që kanë kaluar qysh nga ajo kohë, ne dëshirojmë që shenjtorët ta ndiejnë, kur të shpallin këtë thirrje, se ajo del nga zemra e tyre. Le të jenë zemrat tuaja të mbushura me mirënjohje.” Ai demonstroi Thirrjen Hosana dhe pastaj tha: “Tani kur të shkojmë përpara Tempullit dhe kjo thirrje të thuhet, ne duam që çdo burrë dhe çdo grua t’i thërrasë këto fjalë me gjithë forcën e zërit të vet, në mënyrë që çdo shtëpi në këtë qytet të mund të dridhet, njerëzit në çdo pjesë të këtij qyteti ta dëgjojnë atë dhe ajo të arrijë te botët e përjetshme”4.
Tregimi i mëposhtëm i ceremonisë së gurit kulmor demonstron nderimin dhe gëzimin e shenjtorëve gjatë ngjarjes:
“Pikërisht ndërsa erdhi ora e mesditës, Presidenti Uillford Udraf doli përpara platformës, ku mund të shihej plotësisht nga masa e grumbulluar, të cilët po prisnin solemnisht. Emocioni përshkoi zemrat e njerëzve ndërsa ai fliste:
‘Vëmendje, të gjithë ju shtëpia e Izraelit, dhe ju kombe të tokës! Tani ne do të vendosim gurin kulmor të Tempullit të Perëndisë sonë, themeli i të cilit u vendos dhe u përkushtua nga Profeti, Shikuesi dhe Zbuluesi Brigam Jang.’
Presidenti Udraf pastaj shtypi një buton elektrik dhe guri kulmor i Tempullit lëvizi i sigurt në pozicionin e vet. Ajo që ndodhi më pas, është përtej fuqisë së fjalëve për ta përshkruar. Presidenti i nderuar i Të Dymbëdhjetëve, Apostulli Lorenco Snou, doli përpara dhe udhëhoqi dyzet mijë shenjtorë të thërrisnin së bashku:
‘Hosana! Hosana! Hosana! Perëndisë dhe Qengjit. Amen, amen dhe amen!
Hosana! Hosana! Hosana! Perëndisë dhe Qengjit. Amen, amen dhe amen!
Hosana! Hosana! Hosana! Perëndisë dhe Qengjit. Amen, amen dhe amen!’
Çdo thirrje u shoqërua nga valëvitja e shamive të dorës. … Sytë e mijërave njerëzve u përlotën ndërsa u mbushën me gëzim. Toka dukej sikur dridhej për shkak të lartësisë së zërit që i dërgonte jehonat e tij në kodrat përreth. Në histori nuk është shënuar një spektakël më i madh apo më madhështor nga kjo ceremoni e vendosjes së gurit kulmor të Tempullit. Hosanatë zor se patën reshtur kur kongregacioni i madh shpërtheu në himnin e lavdishëm e frymëzues: ‘Ky Shpirti i Per’ndis’ si një zjarr ja po digjet’.”5
Presidenti Udraf përkushtoi Tempullin e Solt-Lejkut saktësisht një vit më vonë, më 6 prill 1893, pasi shenjtorët patën punuar 40 vjet për ta përfunduar. Presidenti Lorenco Snou u thirr për të shërbyer si presidenti i parë i këtij tempulli dhe e përmbushi këtë thirrje deri sa u bë President i Kishës në shtator të 1898-ës. Një portret i Presidentit Snou varet sot në Tempullin e Solt-Lejkut, në kujtim të besnikërisë së tij ndaj asaj që ai e quante “vepra e madhe që ne po përmbushim” në shtëpinë e Zotit6. [Shih sugjerimin 1 në faqen 149.]
Mësime të Lorenco Snout
Në tempuj ne mësojmë për bekimet e mrekullueshme që Perëndia ka përgatitur për besnikët.
Mundësitë që Perëndia ka çelur para syve tanë, janë të mrekullueshme dhe madhështore; imagjinata nuk mund t’i përfytyrojë ato. Ejani në Tempuj dhe do t’ju tregojmë. Shumë prej jush, mendoj, kanë qenë atje dhe kanë dëgjuar për gjërat e mrekullueshme që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë dhe vazhdojnë besnikë deri në fund. …
… Ai ka përgatitur për shenjtorët e ditëve të mëvonshme çdo gjë që ata mund të duan apo përfytyrojnë, me qëllim që të bëjë të ndodhë lumturia e tyre e plotë gjatë gjithë përjetësive të pafundme.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 149]
Nëpërmjet ordinancave të tempullit ne krijojmë lidhje të shenjta që mund t’i mbajnë familjet të bashkuara për kohën dhe përjetësinë.
Mendoni për premtimet që ju janë bërë në ceremoninë e bukur dhe të lavdishme që përdoret në besëlidhjen e martesës në Tempull. Kur dy shenjtorë të ditëve të mëvonshme lidhen së bashku në martesë, u bëhen premtime që lidhen me fëmijët e tyre, ato premtime arrijnë në përjetësi.8
Ne kemi marrë shumë urtësi dhe njohuri për gjëra të cilat e habisin botën kur ne flasim për to. Ne kemi mësuar se, në tempuj, jemi në gjendje të formojmë lidhje që nuk prishen nga vdekja, por që arrijnë në përjetësi; lidhje të shenjta që i lidhin familjet së bashku për kohën dhe përjetësinë.9 [Shih sugjerimin 3 në faqen .]
Në tempuj ne marrim ordinancat e ekzaltimit në emër të paraardhësve tanë të vdekur.
Çdo bir dhe bijë e Perëndisë do të ketë mundësinë e nevojshme për ekzaltim dhe lavdi. … Ka vetëm një mënyrë me të cilën ekzaltimi dhe lavdia mund të arrihen. Ne duhet të pagëzohemi për heqjen e mëkateve dhe të vendosen duart mbi ne për marrjen e Frymës së Shenjtë. Këto dhe ordinanca të tjera janë absolutisht të nevojshme për ekzaltim dhe lavdi; dhe atje ku njerëzit kanë jetuar kur Ungjilli ishte i paarritshëm, këto gjëra mund të kryhen me përkujdesjen e miqve të tyre. Ne kemi ardhur në botë tani me qëllim që t’i bëjmë këto gjëra – të paktën, është një nga qëllimet kryesore të ardhjes sonë. Ne e theksojmë shumë rëndësinë e kësaj pune.10
Ne nuk kemi ardhur në këtë botë rastësisht. Ne kemi ardhur për një qëllim të veçantë dhe padyshim ishte nëpërmjet disa përgatitjeve në jetën tjetër ku banonim që ne erdhëm në këtë jetë. Mirë, në Tempuj ne po përmbushim një punë të madhe në interes të paraardhësve tanë. Herë pas here kemi marrë shfaqje të rëndësishme që Perëndia e ka miratuar këtë punë që po kryejmë në Tempujt tanë. Shfaqjet më të jashtëzakonshme janë përjetuar nga individë që po punojnë për linjën e paraardhësve të tyre. Është një punë e madhe kjo që po përmbushim. Me mijëra njerëz janë pagëzuar për të vdekurit e tyre gjatë kryerjes së punëve tona në tempuj. …
Tani, në Tempujt tanë ne lejojmë njerëz që të vijnë, pasi kanë gjurmuar paraardhësit e tyre, pavarësisht sa larg më parë, dhe që të pagëzohen për babanë, gjyshin e stërgjyshin etj. të tyre të vdekur, aq larg sa mund të arrijnë te linja e tyre. Pastaj ne i lejojmë të vulosin bashkëshortet me bashkëshortët e tyre, përgjatë gjithë linjës së paraardhësve, deri aq larg sa mund të zbulojnë për të. Marrim rastin e një të riu të virtytshëm që jetoi para se Ungjilli t’u paraqitej fëmijëve të njerëzve. … Ai u martua me një bashkëshorte dhe krijoi një familje; por kurrë nuk pati privilegjin të merrte Ungjillin, siç e keni ju dhe unë. Gjithsesi, ai i mësoi familjes parimet morale dhe qe i dashur e bujar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Çfarë mund të bënte më shumë ai? Ai nuk mund të ndëshkohet ngaqë nuk e mori Ungjillin; sepse nuk kishte Ungjill për të marrë. Ai nuk duhet ta humbasë bashkëshorten e tij ngaqë, kur u martua me të, nuk mund të shkonte në Tempull dhe të vulosej me të për kohën dhe përjetësinë. Ai veproi sipas njohurisë më të mirë që pati, dhe ajo u martua me të për kohën, sipas zakonit të vendit. Ne e respektojmë atë martesë, të bërë solemne sipas ligjeve të vendit të tij. … Ne i vulosim fëmijët te prindërit e tyre dhe bashkëshortet te bashkëshortët e tyre përgjatë gjithë linjës.11
Shpëtimtari tha në një rast: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë”, dhe Ai vazhdoi dhe tha këtë shprehje të shkëlqyer: “Dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë”. [Gjoni 5:25.] Unë besoj se shumica do ta marrë të vërtetën. Ata do ta dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë; ata do ta dëgjojnë zërin e Priftërisë së Birit të Perëndisë dhe do ta marrin të vërtetën dhe do të jetojnë. Këta vëllezër e motra që po punojnë me aq zell në tempuj, do të kenë nderin e të qenit, në një kuptim, shpëtimtarë të të afërmve dhe miqve të tyre për të cilët i administruan këto ordinanca.12 [Shih sugjerimin 4 në faqen .]
Ne duhet të përpiqemi të kryejmë punën në tempull dhe atë të historisë së familjes, edhe nëse kërkon sakrificë nga ana jonë.
Tani, duhet të ketë një synim në mendjen e çdo burri dhe gruaje që të vijë në Tempujt tanë dhe të kryejë këtë punë. Ajo është një punë e madhe, dhe e rëndësishme gjithashtu. Kur të kthehemi në jetën tjetër dhe të gjejmë miqtë tanë të vdekur që jetojnë atje, nëse nuk kemi kryer punën që është e nevojshme për ekzaltimin dhe lavdinë e tyre, ne nuk do të ndihemi fort të lumtur dhe nuk do të jetë një takim shumë i këndshëm.
Nuk duhet të presim që mundësitë të jenë gjithmonë të kënaqshme dhe të këndshme; por duhet të përpiqemi madje edhe nëse kërkohet pak sakrificë nga ana jonë, për ta vënë veten në pozitën që ta kryejmë këtë punë. … Ne duam ethshëm që vëllezërit dhe motrat të mos e shpërfillin këtë punë të rëndësishme. A e dini se cila do të jetë puna kryesore gjatë një mijë viteve të [Mijëvjeçarit]? Do të jetë ajo që po përpiqemi t’i nxisim shenjtorët e ditëve të mëvonshme të kryejnë në kohën e tanishme. Tempujt do të ndërtohen kudo në këtë tokë dhe vëllezërit e motrat do të shkojnë në to dhe ndoshta do të punojnë ditë e natë me qëllim që të përshpejtojnë punën dhe të përmbushin punët e nevojshme përpara se Biri i Njeriut të mund ta paraqesë mbretërinë e Tij tek Ati i Tij. Kjo punë duhet të përmbushet përpara se Biri i Njeriut të mund të vijë dhe të marrë mbretërinë e Tij për t’ia paraqitur Atit të Tij.13 [Shih sugjerimin 5 në faqen 149.]
Kur hyjmë në tempull me një zemër të pastër, Zoti na bekon sipas asaj që Ai e di se është më e mira për ne.
Ne ndiejmë kur futemi në këta tempuj se gëzojmë Shpirtin e Zotit më plotësisht se në çfarëdo vendi tjetër. Ato janë ndërtesat e Zotit dhe brenda mureve të tyre kryhet puna e Tij më e rëndësishme. …
… Unë jam i kënaqur që, kur njerëzit shkojnë brenda këtyre tempujve, ata nuk [largohen] pa u ndier më mirë dhe me një vendosmëri në mendjet e tyre për të vepruar pak më mirë nga sa kanë vepruar. Kjo është ndjesia që ne duam që shenjtorët të marrin. …
… Jini besnikë, vëllezër dhe motra, dhe ngulmues; ejani në tempull dhe bëni punën tuaj aty, dhe do të gëzoheni, dhe do të jeni të përgatitur më mirë për t’u rezistuar gjërave të pakëndshme të botës.14
Ata që [futen] në Tempull me një zemër të pastër dhe me një shpirt të penduar, nuk [do të] dalin prej tij pa marrë bekime të veçanta, edhe pse këto bekime në disa raste, ose ndoshta në shumë raste mund të jenë të ndryshme nga ajo që disa mund të presin. … Disa nga shenjtorët mund të jenë duke kërkuar për shfaqje të engjëjve shërbyes … ose presin të shohin fytyrën e Perëndisë. Mund të mos jetë me dobi për ju të ndani shfaqje të tilla. Zoti e di se çfarë është më e mira për çdo individ dhe do t’i përshtatë dhuratat e Tij për krijimin e të mirës më të madhe për ata që i marrin ato. Mund të parashikohet me siguri se çdo shenjtor besnik që futet në atë Shtëpi, do të marrë një bekim që do t’i japë shumë kënaqësi. Përpara se ata që futen në Tempull të [largohen] prej tij, [do të] ngrihet diçka në zemrën e tyre dhe një kuptim që [do të] jetë i dobishëm për ta në jetën e tyre të ardhshme. Ata [e kanë] këtë të drejtë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme.15 [Shih sugjerimin 6 në faqen 149.]
Sugjerime për Studim dhe MësimdhënieNdërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII
.
Lexoni tregimin e ceremonisë së gurit kulmor për Tempullin e Solt-Lejkut (faqet 141–143). Nëse keni marrë pjesë në një përkushtim tempulli, mendoni se si jeni ndier në atë kohë. Çfarë i shprehim Zotit, kur marrim pjesë në një Thirrje Hosana?
Rilexoni ftesën e Presidentit Snou: “Ejani në Tempuj” (faqe 144). Mendoni se si mund ta pranoni këtë ftesë dhe për mënyrën se si mund t’ua drejtoni këtë ftesë anëtarëve të familjes dhe miqve.
Ndërsa studioni pjesën e dytë në faqen 144, meditoni për bekimet që mund të vijnë nëpërmjet marrjes së ordinancave të tempullit dhe bërjes së besëlidhjeve të tempullit. Si kanë ndikuar këto bekime mbi ju dhe familjen tuaj?
Lexoni paragrafin që fillon në fund të faqes 145. Në çfarë mënyrash veprojmë ne si “shpëtimtarë të të afërmve dhe miqve [tanë]” kur kryejmë këtë punë? Çfarë burimesh ka siguruar Kisha për të na ndihmuar?
Çfarë mund të bëjmë për t’i dhënë punës në tempull dhe punës së historisë familjare vëmendjen dhe kohën që ato meritojnë? (Përsërisni paragrafin që fillon në krye të faqes 147.)
Cilat janë disa bekime shpirtërore e vetjake që mund të marrim kur marrim pjesën në punën në tempull? (Për disa shembuj, shih faqen 148.)
Shkrime të Shenjta Përkatëse: DeB 97:15–17; 109:1–23; 128:15–18; 132:19; 138:57–59