Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: Profeti Jozef Smith


Kapitulli 23

Profeti Jozef Smith

“Unë e njihja Jozef Smithin të ishte burrë i ndershëm, burrë i së vërtetës, i nderit dhe besnikërisë, i gatshëm të sakrifikonte gjithçka që kishte, madje jetën e tij, si një dëshmi ndaj qiejve dhe botës që i pati dhënë dëshmi familjes njerëzore për të vërtetën.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

“Ndoshta ka pak burra që jetojnë tani, të cilët njiheshin aq mirë me Jozef Smithin, Profetin, siç njihesha unë”, tha Presidenti Lorenco Snou në 1900-ën. “Unë isha shpesh me të. E vizitoja atë në familje, ulesha në tavolinën e tij, shoqërohesha me të në rrethana të ndryshme dhe kisha biseda private me të për këshillë.”1

Përveç këtyre ndërveprimeve personale, Lorenco Snou ishte dëshmitar i Jozef Smithit në publik – në shërbesën e tij si mik i shenjtorëve dhe si Profet i Rivendosjes. Ai tregoi për një mbledhje ku mori pjesë Jozef Smithi në Tempullin e Navusë të ndërtuar pjesërisht. Profeti shkoi te podiumi, i shoqëruar nga një pastor i një feje tjetër. Pastori “ishe tepër solemn. Kur thuhej ndonjë gjë që krijonte gazmend apo të qeshura midis njerëzve, [ai] mbetej krejtësisht i qetë, pa shfaqur madje as ndryshimin më të vogël të pamjes.” Në të kundërt, Jozef Smithi “ndihej shumë mirë atë mëngjes” dhe bëri një koment që “shkaktoi ca të qeshura midis njerëzve” përpara se të fillonte mbledhja. “Pas hapjes së mbledhjes”, tregonte Lorenco, “Presidenti Smith u ngrit, dhe unë nuk e kam dëgjuar atë të flasë me fuqi më të madhe sesa në këtë rast. Njerëzit ishin të kënaqur, ai ishte mbushur me Shpirtin e Perëndisë dhe fliste me forcë dhe fjalë bindëse.”2

Megjithëse Presidenti Snou kishte mbresa nga përvojat që pati me Jozef Smithin, dëshmia e tij për misionin e Profetit nuk bazohej në ato përvoja. Ai herë pas here deklaronte se e pati marrë dëshminë e tij nga Fryma e Shenjtë. Ai tha: “As unë as ndonjë tjetër që e njihte atë [Jozef Smithin], nuk ka ndonjë arsye për ta vënë në dyshim për asnjë çast se Jozef Smithi ishte një njeri i së vërtetës dhe i nderit. Por kur unë dola të predikoja parimet e këtij Ungjilli, nuk u mbështeta kurrë tërësisht mbi ndonjë informacion që kisha marrë prej tij apo prej ndonjë njeriu tjetër; por unë besoja në fjalët e tij, që vinin siç erdhën tek unë si fjalë të së vërtetës, nga një njeri i frymëzuar i Perëndisë. … Shpirti i Perëndisë, Fryma e Shenjtë që të gjithë njerëzit mund ta marrin dhe ta gëzojnë, … vërteton të vërtetën e asaj që ai më pati treguar, dhe ajo m’u bë një njohuri e tillë që askush nuk mund as ta japë, as ta marrë.”3 [Shih sugjerimin 1 në faqen 282.]

Mësime të Lorenco Snout

Kur Jozef Smithi mori thirrjen e tij të shenjtë, ai ishte një i ri i pastër, i sinqertë, i ndershëm.

Jozef Smithi, të cilin Perëndia e zgjodhi për të themeluar këtë vepër, qe i varfër e i paarsimuar dhe nuk i përkiste ndonjë besimi të njohur të të krishterëve. Ai ishe thjesht një djalë i ndershëm, plot integritet moral, pa dijeni për dredhitë, dhelpëritë dhe fjalët e bukura false që përdoreshin nga politikanët dhe hipokritët fetarë për të plotësuar qëllimet e tyre. Si Moisiu i kohëve të lashta, ai ndihej i pazoti dhe i pakualifikuar për detyrën, që të dilte përpara si reformator fetar nga pozicioni më jopopullor – që të luftonte kundër pikëpamjeve dhe doktrinave fetare që ishin përreth për një kohë të gjatë, duke pasur miratimin dhe mbështetjen e njerëzve, më të plotësuarve në teori dhe bindje fetare; por Perëndia e kishte thirrur që të çlironte të varfërit dhe të ndershmit në zemër të të gjitha kombeve prej skllavërisë [robërisë së plotë] së tyre shpirtërore e materiale. Dhe Perëndia i kishte premtuar Jozef Smithit se kushdo duhej të merrte dhe t’i bindej mesazhit të tij – të pagëzohej për heqjen e mëkateve me qëllim të ndershëm – të mund të merrte zbulesa hyjnore, duhet të merrte Frymën e Shenjtë, të njëjtat bekime të Ungjillit që u ishin premtuar dhe ishin marrë nëpërmjet Ungjillit, kur u predikua nga Apostujt e lashtë. Dhe ky mesazh, ky premtim, duhej të përmbushej për këdo dhe kudo që do të kryhej nga Pleqtë, lajmëtarët e autorizuar të Perëndisë. Kështu tha Jozef Smithi, djaloshi i paarsimuar, i paditur, i çiltër, i thjeshtë dhe i ndershëm.4

Herën e parë që e pashë Profetin Jozef Smith, isha rreth tetëmbëdhjetë vjeç. Ishte rreth vitit 1832, në vjeshtën e atij viti. Ishte përhapur fjala se Profeti do të shkonte për të mbajtur një mbledhje në Hiram, konteja e Porteixhit në Ohajo, rreth tre kilometra nga shtëpia e babait tim. Duke pasur dëgjuar shumë histori rreth tij, kureshtja ime ishte ngritur shumë dhe mendova se duhet të përfitoja nga kjo mundësi që ta shihja dhe ta dëgjoja. Dhe kështu, së bashku me disa nga anëtarët e familjes së babait tim, unë shkova në Hiram. Kur arritëm atje njerëzit ishin tashmë të grumbulluar në një vend të mbuluar mbledhjesh; kishte rreth njëqind e pesëdhjetë apo dyqind njerëz të pranishëm. Mbledhja kishte filluar tashmë dhe Jozef Smithi po qëndronte te dera e shtëpisë së [Xhon] Xhonsonit, duke parë brenda vendit të mbuluar të mbledhjes dhe duke u folur njerëzve. Unë e shikoja nga afër për të vlerësuar pamjen, veshjen dhe mënyrën e sjelljes së tij ndërsa e dëgjoja të fliste. Vërejtjet e tij kufizoheshin kryesisht te përvojat e atij vetë, sidomos te vizita e engjëllit, duke dhënë një dëshmi të fortë dhe të fuqishme rreth këtyre shfaqjeve të mrekullueshme. Fillimisht dukej pak i pasigurt [ngurrues] dhe fliste me një zë pak si të ulët, por ndërsa vazhdoi ai u bë shumë i fortë dhe i fuqishëm dhe dukej se prekte të gjithë dëgjuesit me ndjesinë se ishte i ndershëm dhe i sinqertë. Kjo sigurisht ndikoi tek unë në këtë mënyrë dhe la mbresa që mbeten deri më sot.5

Ndërsa e vështroja [atë herë të parë] dhe e dëgjoja me vëmendje, unë mendova me vete se një burrë që ndante një dëshmi të tillë të mrekullueshme siç e ndau ai, dhe me një pamje si ajo e tija, vështirë se mund të jetë një profet i rremë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 282.]

Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Jozef ruajti ndershmërinë dhe karakterin e tij me moral të lartë.

Jozef Smithin, Profetin, me të cilin për disa vite unë njihesha aq nga afër sa njihesha me tim vëlla, unë e njoh të qe njeri me integritet moral, njeri i përkushtuar ndaj interesave të njerëzisë dhe kërkesave të Perëndisë gjatë gjithë jetës së vet. Nuk ka pasur kurrë një njeri që të kishte një nivel më të lartë integriteti moral dhe më shumë përkushtim ndaj interesave të njerëzisë sesa Profeti Jozef Smith.7

Unë e njihja Jozef Smithin të ishte burrë i ndershëm, burrë i së vërtetës, i nderit dhe besnikërisë, i gatshëm të sakrifikonte gjithçka që kishte, madje jetën e tij, si një dëshmi ndaj qiejve dhe botës që i pati dhënë dëshmi familjes njerëzore për të vërtetën.8

Unë e di që ai ishte një njeri i Perëndisë, plot me vendosmëri për të përmbushur thirrjen e tij – një njeri, integriteti moral i të cilit nuk mund të diskutohet, dhe që ishte i ndershëm në të gjitha përpjekjet e tij. Askush që e njihte aq nga afër siç e njihja unë, nuk mund të gjente ndonjë të metë tek ai, për sa i përket karakterit të tij moral. … Unë jap dëshmi për karakterin e mrekullueshëm të Vëllait Jozef Smith, për ndershmërinë e tij, besnikërinë e tij, përpikërinë e tij, bujarinë e tij dhe gatishmërinë për të bërë mirë, si njeri dhe si shërbëtor i Perëndisë.9 [Shih sugjerimin 2 në faqen 282.]

Pa hipokrizi, Jozef Smithi mund të merrte pjesë në argëtime të çiltra si dhe të jepte mësim me fuqinë e Perëndisë.

Unë kam marrë pjesë … rregullisht në mbledhjet në Tempull dhe dëgjoja Profetin të fliste mbi parimet më të mëdha. Ndonjëherë ishte i mbushur me Frymën e Shenjtë, duke folur si me zërin e një engjëlli me bori dhe i mbushur me fuqinë e Perëndisë, i gjithë trupi i tij shkëlqente dhe fytyra e tij ndrinte. …

Ndonjëherë fliste për gjëra që nuk ishin shumë të rëndësishme, dhe herë të tjera ai shpjegonte misteret e mbretërisë. Ndryshimi ishte aq i dukshëm saqë dukej sikur ishte bërë qenie qiellore duke u folur njerëzve që ishin mbi tokë, dhe atëherë kthehej përsëri në tema më të njohura. …

Jozef Smithi ishte gjithmonë i natyrshëm dhe në kulm i qetë, ai kurrë nuk u hutua apo u acarua nga njerëz apo gjëra përreth tij. Shumë shërbestarë e vizitonin dhe përpiqeshin ta kapnin kur nuk ishte i përgatitur, me shpresën që ta shihnin të bënte diçka që mund ta gjenin si të gabuar, por edhe kur nuk ishte me njerëz të tjerë, veprimet e tij ishin gjithmonë të njëjtat. Ai nuk ishte kurrë fajtor për hipokrizi. Ai mori pjesë në të gjitha sportet e shëndetshme dhe nuk mendonte se ishte e papërshtatshme të luante me top, të bënte një garë vrapi apo të merrte pjesë në çfarëdo sporti tjetër në mjedis të hapur. Një shërbestar, ndërsa ishte te shtëpia e Profetit, i rastisi të shihte jashtë dritares dhe pa Profetin të bënte mundje në kopsht me një mik. Ky dhe raste të tjera argëtimi të çiltër e bindën shërbestarin për ndershmërinë e Profetit dhe mungesën e plotë të hipokrizisë. …

Në një rast tjetër, Jozef Smithi merrte pjesë në një lojë me top me disa nga të rinjtë në Navu. Kur vëllai i tij Hajrëm e pa këtë, donte ta korrigjonte Profetin dhe madje e kritikoi ashpër, duke thënë se një sjellje e tillë nuk ishte e përshtatshme për një Profet të Zotit. Profeti iu përgjigj me një zë të butë: “Vëlla Hajrëm, të luajturit tim me djemtë në një sport të padëmshëm si ky nuk më dëmton mua në asnjë mënyrë, por përkundrazi kjo i bën ata të lumtur dhe i afron më shumë zemrat e tyre me timen”10. [Shih sugjerimin 3 në faqen 282.]

I forcuar nga Fryma e Shenjtë, Jozef Smithi u rrit në fuqi dhe ndikim shpirtëror.

Jozef Smithi, profeti i madh, nuk ishte një burrë i arsimuar kur Perëndia e zgjodhi atë dhe i bëri të njohur misionin e tij. Zoti u jep dhurata dhe njohuri shpirtërore të pamësuarve, dhe madhështia e mbretërisë u bëhet e njohur atyre me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, dhe ata gradualisht bëhen të mëdhenj në njohuri për gjërat e Perëndisë.11

Nga fundi i jetës së tij, Jozef Smithi u bë i zoti në ndikimin e tij te bashkëqeniet e tij. Ky fakt u soll shumë gjallërisht në vëmendjen time në kthimin tim nga një mision në Europë. Unë vura re dhe madje ia theksova atij se kishte ndryshuar shumë qysh prej herës së fundit që e kisha parë; që ishte bërë më i fortë dhe më i fuqishëm. Ai e pohoi këtë dhe tha se Zoti i kishte dhënë pjesë të tjera të Shpirtit të Tij.

Një ditë i mblodhi së bashku vëllezërit e Dymbëdhjetë Apostujve dhe Pleq të tjerë të shquar të Kishës për t’i caktuar në përgjegjësi dhe misione të ndryshme. Secili u ul dhe priste me shumë padurim të dëgjonte fjalën e Profetit lidhur me detyrat e veta të ardhshme. Ata ndienin se ishin në praninë e një personi të mrekullueshëm. Kur ishte në Kirtland Profeti nuk dukej të zotëronte atë forcë dhe fuqi, … por në vitet e mëvonshme ishte bërë aq i fortë në fuqinë e Zotit saqë njerëzit e ndienin atë. Kështu ishte në këtë rast. Pleqtë e kuptonin forcën e tij superiore. “Vëlla Brigam”, tha ai, “unë dua që ju të shkoni në lindje dhe të merreni me punët e Kishës në shtetet lindore, dhe Vëllai Kimball mund t’ju shoqërojë”. Duke iu drejtuar një tjetri, ai tha: “Ju drejtojeni vëmendjen te botimi i gazetës sonë”, dhe kështu e caktoi secilin në misionin e tij të veçantë; të gjithë ne e pranuam fjalën e tij si mendjen e Zotit. …

Profeti kishte fuqinë të linte mbresa në një mënyrë të shkëlqyer te të gjithë që i afroheshin. Kishte diçka rreth tij që shkonte në zemrat e tyre. Kështu ishte veçanërisht në rastin me vëllezërit kur merrnin prej tij funksionet e tyre për të dalë dhe predikuar Ungjillin. Frymëzimi që buronte prej tij, pushtonte shpirtrat e tyre dhe fjalët e tij depërtonin në pjesët më të thella të qenies së tyre. Ata e donin atë dhe besonin në të, dhe ishin gati të bënin gjithçka që ai udhëzonte për të ndihmuar që puna e Perëndisë të përparonte. Ai i mbushte ata me fuqinë e pranisë së tij dhe i ngazëllente me dëshminë e misionit të tij profetik. Ka shumë njerëz në botë që kanë një shpirt të jashtëzakonshëm miqësie dhe ngrohtësie që e ndien kushdo që takohet me ta. Unë kam takuar shumë njerëz të tillë, por deri tani kurrë nuk kam takuar një person tjetër në shoqërinë e të cilit të ndieja ndikimin e veçantë dhe të fuqishëm që ndieja kur isha në prani të Profetit Jozef Smith. Ishte në saje të pjesës së madhe të Shpirtit të Perëndisë që ai kishte, që thjesht shtrëngimi i dorës së tij do ta bënte një person të mbushej me këtë ndikim, dhe çdo person i ndjeshëm do ta dinte se po shtrëngonte dorën e një personi të jashtëzakonshëm.12 [Shih sugjerimin 4 në faqet 282–283.]

Secili prej nesh mund të fitojë një dëshmi që Jozef Smithi ishte një profet dhe se ungjilli u rivendos nëpërmjet tij.

Në integritetin moral të zemrës sime, duke dashur ndershmërisht të di të vërtetën, unë mora mesazhin [e Jozef Smithit] – unë iu binda kësaj forme doktrine dhe mora, në mënyrën më reale dhe të kënaqshme, një shfaqje të shenjtë – bekimin e premtuar – një njohuri të kësaj pune. A jam unë i vetmi dëshmitar? A është kjo përvoja e mijërave njerëzve të cilëve unë u drejtohem tani? A jeni ju gjithashtu dëshmitarë?13

Cila është natyra e dëshmisë sonë? Është kjo: ‘Se kjo është periudha ungjillore e plotësisë së kohërave; se engjëlli që Gjon Zbuluesi pa duke fluturuar në mes të qiellit me Ungjillin e përjetshëm për t’ua predikuar banorëve të dheut dhe çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli – se ai engjëll u shfaq dhe rivendosi Ungjillin në tokë, duke qenë Jozef Smithi mjeti me anë të të cilit u realizua rivendosja’ [shih Zbulesa 14:6].14

Jozef Smithi dëshmoi se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e vizituan atë dhe i dhanë atij autoritetin për të administruar ordinancat e shenjta të Ungjillit me anë të të cilave çdo burri apo gruaje me zemër të ndershme iu premtua Fryma e Shenjtë dhe një njohuri e përsosur e doktrinës.15

Jozef Smithi u autorizua të hapë një shteg dhe të bëjë një plan nëpërmjet të cilit njeriu mund të merrte një njohuri për këto gjëra, në mënyrë që ne të mos lihemi në vartësi të dëshmisë së Profetëve, apo dëshmisë së Apostujve të lashtë, apo të dëshmisë së Apostujve të sotëm, apo të Librit të Mormonit, apo të çfarëdo gjëje që ishte bërë apo ishte thënë në të kaluarën, por që ne të mund të dimë nga vetja. Kjo është një njohuri vetjake.16

Unë e di se Jozef Smithi ishte një Profet i vërtetë i Perëndisë së gjallë. Unë dëshmoj se ai e pa dhe foli me Perëndinë dhe me Birin e Tij, Jezu Krishtin. Zoti ma dha këtë dëshmi të gjallë dhe ajo është një ndjenjë e fortë në shpirtin tim qysh kur unë e mora. Tani unë ia jap atë të gjithë botës. Unë jo vetëm i dëshmoj të gjithë njerëzimit se Jozef Smithi ishte dërguar nga Perëndia dhe se puna që u krijua përmes tij, është puna e Perëndisë, por i paralajmëroj të gjitha kombet e tokës lidhur me parashikimet e bëra nga Profeti, dhe dëshmoj në mënyrën më solemne se unë e di se ato janë të vërteta.17 [Shih sugjerimet 5 dhe 6 në faqen 283.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Në mendjen tuaj, përfytyroni ngjarjen e përshkruar në faqen 275. Çfarë na tregon kjo ngjarje rreth Jozef Smithit?

  2. Shihni përshkrimet e Presidentit Snou për tiparet e Jozef Smithit (faqet 276–278). Në çfarë mënyrash mendoni se karakteri i Jozef Smithit e ndihmoi të jetë një mjet në duart e Zotit?

  3. Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni rreth kohës që Profeti Jozef kushtonte për “argëtime të çiltra”? (faqet 278–280). Si mund të sigurohemi ne që argëtimet tona ta forcojnë, në vend që ta dëmtojnë, aftësinë tonë për t’u mbushur me Frymën e Shenjtë?

  4. Në çfarë mënyrash Jozef Smithi “gradualisht [u bë i madh] në njohuri për gjërat e Perëndisë”? (Për disa shembuj, shih faqet 280–281. Çfarë mund të bëjmë ne për të ndjekur shembullin e Profetit ndërsa kërkojmë të rritemi shpirtërisht?

  5. Lexoni paragrafin e parë të plotë në faqen 281 sikur Presidenti Snou të jetë duke ju folur drejtpërdrejt juve. Si do t’u përgjigjeshit pyetjeve të tij?

  6. Studioni pjesën që fillon në faqen 281. Çfarë përvojash keni pasur në të cilat keni pasur nevojë të dini për veten tuaj se ungjilli është rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith? Çfarë këshille do t’i jepnit një anëtari të familjes apo miku që dëshiron të marrë këtë dëshmi?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: DeB 1:17; 5:9–10; 35:17–18; 135:3; Joseph Smith—Historia 1:1–26

Ndihmë për Mësimdhënien: “Kur një individ bën një pyetje, merrni parasysh të ftoni të tjerët që të përgjigjen në vend që të përgjigjeni ju vetë. Për shembull, ju mund të thoshit: ‘Kjo është një pyetje interesante. Çfarë mendon pjesa tjetër?’ ose ‘A mund të ndihmojë dikush për këtë pyetje?’” (Teaching, No Greater Call, f. 64).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1900, f. 61.

  2. “Reminiscences of the Prophet Joseph Smith”, Deseret Semi-Weekly News, 29 dhjetor 1899, f. 1.

  3. Deseret News: Semi-Weekly, 27 qershor 1882, f. 1.

  4. Deseret News: Semi-Weekly, 9 mars 1886, f. 1.

  5. “Reminiscences of the Prophet Joseph Smith”, f. 1.

  6. “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  7. Në Conference Report, prill 1898, f. 64.

  8. Millennial Star, 25 nëntor 1889, f. 738; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të tetorit të 1889-ës.

  9. Millennial Star, 27 qershor 1895, f. 402.

  10. “Reminiscences of the Prophet Joseph Smith”, f. 1.

  11. Në Journal History, 14 nëntor 1898, f. 4; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e Kunjit të Box Elder-it në nëntor të 1898-ës.

  12. “Reminiscences of the Prophet Joseph Smith”, f. 1.

  13. Deseret News: Semi-Weekly, 9 mars 1886, f. 1.

  14. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  15. Deseret News: Semi-Weekly, 9 mars 1886, f. 1.

  16. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  17. “Reminiscences of the Prophet Joseph Smith”, f. 1.

Profeti Jozef Smith ishte “një njeri i Perëndisë, plot me vendosmëri për të përmbushur thirrjen e tij”.

Jozef Smithit i pëlqenin “argëtime[t] [e] çiltra” me anëtarët e familjes dhe miqtë.