“Gjykimi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Gjykimi
Përgatitja për t’u takuar me Perëndinë
A e keni marrë parasysh ndonjëherë se si të kuptuarit e qëllimit të jetës dhe të besuarit në jetën pas vdekjes ndikojnë te zgjedhjet dhe sjellja juaj? Si ndikohet jeta juaj ngaqë keni njohuri për planin e Atit Qiellor? Në botën para lindjes, Jehova shpjegoi se ne do të vinim në tokë që të testoheshim dhe të provoheshim “për të parë nëse [ne] do tʼi bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do t[ë na] urdhërojë” (Abraham 3:25). Prapëseprapë askush nuk është gjithmonë i bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij që të vuante dhe të vdiste për ne. Nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe pendimit për mëkatet tona, ne mund të marrim mëshirën, hirin dhe faljen e Perëndisë. Mesazhi i ungjillit të Jezu Krishtit është që ne mund të shëlbohemi dhe shenjtërohemi për shkak të dashurisë dhe flijimit shlyes të Tij dhe mund të gjendemi të denjë për të qëndruar me vetëbesim përpara Perëndisë në ditën e gjykimit.
Pjesa 1
Një Ditë Ju do të Qëndroni përpara Perëndisë për t’u Gjykuar
Në shkrimet e shenjta na mësohet se pas Ringjalljes, secili prej fëmijëve të Perëndisë do të qëndrojë përpara Tij në ditën e gjykimit (shihni te 2 Nefi 9:12–13, 15, 20–22). Një anal i jetës suaj do të paraqitet kur “librat [të] hap[e]n” në atë ditë (shihni te Zbulesa 20:12–13; Doktrina e Besëlidhje 128:6–7). Ne do të mbahemi përgjegjës për mendimet, fjalët dhe veprimet tona (shihni te Mosia 4:30; Alma 12:14). Ngaqë Perëndia i kupton rrethanat e shumta dhe të vështira me të cilat përballet çdo person në këtë jetë, Ai do të sigurojë që fëmijët e Tij të gjykohen në bazë të veprave të tyre dhe “sipas dëshirës së zemrave të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 137:9). Ky Gjykim Përfundimtar do të përcaktojë mbretërinë e lavdisë që zgjedhjet tona na kanë përgatitur për ta trashëguar në përjetësi – mbretërinë çelestiale, terrestriale ose telestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:20–32).
Ati Qiellor do të administrojë gjykim hyjnor nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit (shihni te Gjoni 5:21–30). Zoti gjithashtu ka shpallur se disa prej shërbëtorëve të Tij do ta ndihmojnë Atë si gjykatës të fëmijëve të Perëndisë (shihni te Mateu 19:28; 1 Nefi 12:9–10; Mormoni 3:18–20).
Gjëra për t’i menduar
-
Përveç shërbimit si Gjykatës, Jezu Krishti do të shërbejë edhe si Avokati ynë përpara Perëndisë, Atit. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5, duke mbajtur në mendje se një avokat është “dikush që mbron çështjen e dikujt tjetër” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Advocate” [“Avokat”]). Çfarë e kualifikon Jezu Krishtin që t’i lutet Atit në emrin tuaj si Avokati juaj? Çfarë ju ndihmon ky fragment të ndieni rreth Jezu Krishtit?
-
Të menduarit rreth Gjykimit Përfundimtar mund t’ju bëjë të ndiheni plot ankth ose shkurajim. Lexoni tek Enosi 1:27 dhe Moroni 10:34 dhe merrni parasysh përse disa veta do të përjetojnë paqe dhe gëzim në atë ditë. Plaku Gerit W. Gong na kujtoi: “Sipas dashurisë hyjnore dhe ligjit hyjnor, ne jemi përgjegjës për zgjedhjet tona dhe pasojat e tyre. Por dashuria shlyese e Shpëtimtarit është ‘[e] pafund[me] dhe [e] përjetsh[me]’. Kur jemi gati për të ardhur në shtëpi, madje edhe kur jemi ‘ende larg’, Perëndia është gati të na mirëpresë me dhembshuri të madhe, duke na ofruar me gëzim më të mirën që Ai ka.” Si mund t’ju ndihmojnë të kujtuarit dhe të përqendruarit te dashuria dhe dhembshuria e Zotit që të përgatiteni për Gjykimin Përfundimtar? Përse është gjithashtu e rëndësishme të kujtoni se jeni përgjegjës për vetë zgjedhjet tuaja dhe pasojat e tyre? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:78.)
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Jezu Krishti është Ndërmjetësi i Madh për të gjithë fëmijët e Perëndisë (shihni te 2 Nefi 2:26–28). Shikoni si grup materialin filmik “The Mediator” [“Ndërmjetësi”] (10:44). Ky material filmik bazohet te një mesazh i dhënë nga Presidenti Bojd K. Paker. Diskutoni se çfarë analogjie na jep mësim Presidenti Paker rreth Jezu Krishtit dhe misionit të Tij për të përmbushur kërkesat si të drejtësisë ashtu edhe të mëshirës. Si na ndihmon ky mesazh që ta kuptojmë më mirë rolin e Jezu Krishtit si Gjykatësi (shihni te Moroni 10:34) dhe Avokati ynë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:5)?
Mësoni më shumë
-
Alma 12:12–15; 3 Nefi 27:23–26; Mormoni 3:20; 9:12–14; Nenet e Besimit 1:2
-
Xhejms R. Rasband, “Sigurimi i një Gjykimi të Drejtë”, Liahona, maj 2020, f. 12–14
Pjesa 2
Ungjilli i Jezu Krishtit ju Përgatit që të Takoni Perëndinë
Në ditën e gjykimit, ne do të marrim një trashëgim në një mbretëri lavdie. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Mbretëria e lavdisë që marrim në Gjykimin Përfundimtar, përcaktohet nga ligjet me të cilat zgjedhim të pajtohemi në planin plot dashuri të Atit tonë Qiellor [shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:22–24]. Në atë plan ka mbretëri të shumta kështu që të gjithë fëmijëve të Tij mund t’u caktohet një mbretëri ku ata mund të ‘qëndroj[n]ë’.”
Plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit përmban çdo ligj që na nevojitet ta ndjekim në këtë jetë për të trashëguar mbretërinë çelestiale. Kur zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin dhe të jetojmë sipas ungjillit të Tij, ne po përgatitemi që të qëndrojmë të panjollë përpara Perëndisë te shufra e gjykimit (shihni te 2 Nefi 9:13–15; 3 Nefi 27:20–21).
Gjëra për t’i menduar
-
Pendimi është një pjesë thelbësore e përgatitjes për Gjykimin Përfundimtar. Lexoni tek Alma 34:31–35. Përse është thelbësore që të mos e shtyjmë pendimin? Çfarë ndieni se do t’ju ndihmojë “që të përgatiten[i] të takohen[i] me Perëndinë”?
-
Zoti ka krijuar standarde për të ndihmuar që të matet gatishmëria shpirtërore e një personi për pagëzim, shugurim në priftëri, shërbim në një thirrje ose pjesëmarrje në ordinancat e tempullit. Kur ju ka ndihmuar mundësia për t’u takuar me një udhëheqës të priftërisë që t’i rritni përpjekjet tuaja vetjake për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit? Përse është e përshtatshme ta konsideroni çdo ditë si një ditë gjykimi?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shqyrtimi i jetës suaj është një mënyrë e rëndësishme për t’u përgatitur për Gjykimin Përfundimtar. Ftojini anëtarët e grupit tuaj që të lexojnë tek Alma 5:14–26 dhe të përcaktojnë pyetjet që mund të na ndihmojnë të marrim parasysh qëndrimin tonë shpirtëror përpara Zotit. Diskutoni disa nga mënyrat se si Alma i ftoi njerëzit e tij që të përgatiteshin për kohën kur ata do të takoheshin me Perëndinë. Në çfarë mënyrash do të na ndihmojë Shpëtimtari teksa ne përpiqemi fort për t’u përgatitur që të takohemi me Perëndinë?
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Liahona, nëntor 2000, f. 32–34
Pjesa 3
Shpëtimtari ju Udhëzon të Gjykoni me Drejtësi
Ne marrim vendime çdo ditë bazuar në gjykimin tonë më të mirë. Kur vendosim midis së drejtës dhe së gabuarës ose së mirës dhe së ligës, na nevojitet Fryma e Shenjtë për t’i udhërrëfyer vendimet tona (shihni te Doktrina e Besëlidhje 11:12). Nganjëherë ne duhet të marrim vendime rreth njerëzve të tjerë dhe rolit që ata luajnë në jetën tonë, të tilla si zgjedhja e miqve tanë apo bashkëshortit ose bashkëshortes sonë. Në raste të tilla, duhet të kujtojmë udhëzimin e Zotit për të “mos gjyk[uar] padrejtësisht, që ju të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë” (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Mateu 7:2, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).
Kritika, fjalët e ashpra dhe mendimet e pakëndshme nuk janë kurrë të përshtatshme. “Shiko të jesh i mëshirshëm ndaj vëllezërve të tu, vepro me drejtësi, gjyko drejt dhe bëj të mira vazhdimisht” (Alma 41:14). Në çaste kur gjykimi nevojitet në ndërveprimet tona me të tjerët, ne duhet të përpiqemi që të demonstrojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe dashuri për njerëzit e tjerë (shihni te Mateu 22:37–39).
Gjëra për t’i menduar
-
Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi: “Ka dy lloje gjykimesh: gjykimet përfundimtare, të cilat jemi të ndaluar t’i bëjmë, dhe gjykimet e ndërmjetme, të cilat jemi të udhëzuar t’i bëjmë, por sipas parimeve të drejta”. Cilat janë disa prej “parimeve të drejta” që mund t’ju ndihmojnë për të shmangur të gjykuarit gabimisht të të tjerëve ose të gjykuarit padrejtësisht?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Paraqitni ose lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:
“Ne [shpresojmë që] vëllezërit tanë do të jenë të kujdesshëm ndaj ndjenjave të njëri-tjetrit dhe do të jetojnë me dashuri, duke nderuar njëri-tjetrin më shumë se veten, ashtu siç kërkohet nga Zoti. …
Nëse do ta shkulni nga gjiri juaj gjithë të folurin dashakeqës, të folurin pas shpine dhe mendimet e ndjenjat zemërngushta: përuluni dhe kultivoni çdo parim virtyti dhe dashurie, atëherë bekimet e Jehov[ës] do të qëndrojnë mbi ju dhe ju ende do të shihni ditë të mira e të lavdishme; paqja do të jetë brenda portave tuaja dhe mirëqenia brenda kufijve tuaj.”
Diskutoni se si përpjekjet tona për t’u përmbajtur nga gjykimi i padrejtë dhe dënimi i të tjerëve mund të sjellin paqe dhe bekime. Kur jeni ndier të bekuar për përpjekjen fort që të gjykoni drejtësisht?
Mësoni më shumë
-
Levitiku 19:15–18; Mateu 7:1–8 (përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith‑it të vargut 1, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta); Gjoni 7:24
-
Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 98–101
-
Dallin H. Oaks, “Judge Not and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 6–13
-
Gregori A. Shvicer, “Të Zhvillojmë Gjykimin e Mirë e të Mos Gjykojmë të Tjerët”, Liahona, maj 2010, f. 103–105