“Hiri”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Hiri
Dhurata e Perëndisë e dashurisë, mëshirës dhe ndihmës
Perëndia ju do dhe kujdeset për ju dhe secilin prej fëmijëve të Tij. Ai plot mëshirë na jep ndihmë e mbështetje hyjnore, të cilave shkrimet e shenjta u referohen si “hiri”. Hiri i Perëndisë është bërë i mundur për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ne të gjithë bëjmë gabime gjatë përpjekjeve tona për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, prandaj nuk e meritojmë ose fitojmë dhuratën e hirit. Përkundrazi, hiri jepet lirisht nga Ati Qiellor, duke bërë të mundur që ne të marrim bekime të çmuara. Kur përpiqeni fort ta rritni besimin tuaj te Jezu Krishti, ju do të dalloni shembuj të panumërt të hirit dhe vullnetit të Tij të mirë në jetën tuaj.
Pjesa 1
Kërkojeni Hirin e Perëndisë në Jetën Tuaj dhe do ta Ndieni Dashurinë e Tij të Pamasë
Kur besoni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, ju filloni të kuptoni se sa shumë kanë bërë Ata për ju, thjesht ngaqë ju duan. Ne marrim shumë bekime nga Perëndia, pavarësisht nëse e dallojmë apo jo burimin hyjnor. Bekime të tjera ruhen për ata që kërkojnë t’i zbatojnë urdhërimet e Atit Qiellor, pendohen për mëkatet dhe me përulësi kthehen tek Ai në lutje të sinqertë duke kërkuar atë që u nevojitet. Prapëseprapë asnjëri prej nesh nuk mund ta fitojë ndihmën dhe udhërrëfimin e Perëndisë (shihni te Romakëve 3:23–24; Mosia 2:20–21). Të gjitha bekimet hyjnore jepen nëpërmjet hirit të Perëndisë.
Të kuptuarit e hirit hyjnor mund t’ju japë vetëbesim që të kërkoni ndihmën e Perëndisë çdo ditë, sepse Ai është i mëshirshëm dhe i gatshëm që të ushtrojë fuqi hyjnore në emrin tuaj (shihni te Hebrenjve 4:14–16; Moroni 8:3). Jeta në vdekshmëri e Jezu Krishtit është një shembull i rritjes shpirtërisht dhe i marrjes së plotësisë së bekimeve nëpërmjet hirit të Atit Qiellor (shihni te Doktrina e Besëlidhje 93:12–13). Jezu Krishti ju fton të vini tek Ai dhe Perëndia, Ati, dhe të merrni hirin e Tyre me qëllim që të mund të bekoheni dhe të përlëvdoheni plotësisht sikurse Ata (shihni te Doktrina e Besëlidhje 93:19–20).
Gjëra për t’i menduar
-
Nefi shpalli: “Shpirti im kënaqet në hirin e [Zotit]” (2 Nefi 11: 5). Çfarë domethënieje ka hiri i Perëndisë për ju? Si mendoni, përse Nefi përdori fjalën kënaqet për të përshkruar ndjenjat e tij rreth hirit të Perëndisë?
-
Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Një … pjesë përbërëse e hirit të Perëndisë është çelja e dritareve të qiellit, nëpërmjet së cilave Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë”. Çfarë hapash mund të ndërmerrni për të marrë bekimet e fuqisë dhe forcës hyjnore që Perëndia është gati t’jua japë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ftoni anëtarë të grupit tuaj që të lexojnë tek Ethëri 12:27. Diskutoni shembuj të dobësive që zakonisht përjetohen nga fëmijët e Perëndisë. Flisni rreth ndryshimit të mundshëm që mund t’i vijë një personi nëpërmjet fuqisë hyjnore të hirit të Perëndisë. Ftojini pjesëmarrësit që të kujtojnë raste kur e kanë ndier fuqinë e hirit të Perëndisë. Ftojini të tregojnë përvoja si të jetë e përshtatshme.
Mësoni më shumë
-
1 Korintasve 2:9; 2 Korintasve 12:9–10; Ethëri 12:41; Moroni 10:32–33
-
Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 107–110.
-
Brad Wilcox, “His Grace Is Sufficient”, Ensign, shtator 2013, f. 35–37.
-
“His Grace: Change Is Possible through Christ” [“Hiri i Tij: Ndryshimi Është i Mundur Nëpërmjet Krishtit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Pjesa 2
Ju Shpëtoheni nëpërmjet Hirit të Jezu Krishtit
Profeti Lehi shpjegoi se “nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8). Shfaqja më e madhe e dashurisë së Perëndisë është Shlyerja e Jezu Krishtit, përfshirë Ringjalljen e Tij. Për shkak të atij flijimi, të ofruar nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, Ai na shpëton nga mbërthimi i përhershëm i vdekjes dhe hap udhën për secilin prej nesh që të pendohemi për mëkatet tona dhe të gjejmë falje.
Perëndia nuk do ta detyrojë asnjërin që të marrë hirin e Tij dhe të kthehet në praninë e Tij. Prandaj Ai na kërkon që të “pajtoh[em]i me vullnetin e Perëndisë dhe jo me vullnetin e djallit dhe të mishit; … është vetëm dhe nëpërmjet hirit të Perëndisë që [ne] shpëto[hem]i” (2 Nefi 10:24). Si pasues të përulur, ne vijmë te Jezu Krishti nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit, marrjes së Frymës së Shenjtë dhe përpjekjes fort për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Duke e bërë këtë gjë, ne tregojmë dëshirën tonë për të bërë gjithçka mundemi ndërkohë që e kuptojmë se hiri i Tij është gjëja na shpëtoi ne (shihni te 2 Nefi 25:23).
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te 2 Nefi 25:23 dhe merrni parasysh idenë vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf:
“Ne nuk shpëtohemi ‘për shkak të’ gjithçkaje që ne mund të bëjmë. A e ka bërë ndonjëri prej nesh gjithçka që ne mund të bëjmë? …
Jam i sigurt që Nefi e dinte se hiri i Shpëtimtarit na lejon dhe na aftëson ta mposhtim mëkatin. Kjo është arsyeja përse Nefi punoi me kaq zell për t’i bindur fëmijët dhe vëllezërit e tij që ‘të beso[nin] në Krisht[in] dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë’ [2 Nefi 25:23].
Pas gjithçkaje, ajo është gjëja që ne mund të bëjmë! Dhe ajo është detyra jonë në vdekshmëri!”
Përse është e rëndësishme që ta shohim hirin si një dhuratë në vend të diçkaje që fitohet?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shikoni bisedën e Plakut Diter F. Uhtdorf rreth hirit në materialin filmik “Saved by Grace” [“Të Shpëtuar nëpërmjet Hirit”] (1:41). Flisni së bashku rreth rëndësisë së përgjegjshmërisë vetjake në planin e Perëndisë për shpëtimin tonë. Pse kemi nevojë të pendohemi nëse shpëtohemi nëpërmjet hirit të Perëndisë?
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Oaks, “Have You Been Saved?”, Ensign, maj 1998, f. 55–57
Pjesa 3
Hiri Ju Jep Forcë për t’i Dashur Perëndinë dhe të Tjerët dhe për t’u Shërbyer Atyre
Bible Dictionary [Fjalori Biblik] thotë: “Është … me anë të hirit të Zotit që individët, nëpërmjet besimit në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimit për mëkatet e tyre, marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira, që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i mbanin nëse liheshin në vetë mjetet e tyre” (“Hir”).
Si ndjekës i Jezu Krishtit, ju mund të merrni ndihmë hyjnore për t’u shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve si Apostulli Pal, i cili vëzhgoi: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Kur thirremi që të shërbejmë në mbretërinë e Perëndisë, Ai na kualifikon duke dhënë hir për të përmbushur veprën e Tij (shihni tek Alma 26:11–13). Dhurata e hirit gjithashtu u jep individëve forcë shtesë për t’u përballur me sfidat e jetës (shihni te Mosia 24:14–15; Alma 31:30–35, 38).
Gjëra për t’i menduar
-
Përfytyroni sikur po thyeni një degë të vogël te një pemë ose shkurre. Merreni parasysh se çfarë do t’i ndodhte degës pasi të veçohej nga burimi i saj. Lexoni te Gjoni 15:1–11. Çfarë donte Jezusi që të kuptonin dishepujt e Tij rreth fuqisë që Ai ua ofron fëmijëve të Perëndisë? Si mund t’ju ndihmojë ky parim që të kuptoni më mirë se si hiri mund t’ju forcojë në përpjekjen tuaj për t’u dhënë shërbesë të tjerëve?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shikoni materialin filmik “The Atonement Enables Us” [“Shlyerja Na Aftëson”] (2:18). Flisni së bashku rreth ndikimit që ka hiri i Perëndisë mbi përpjekjet tona për të kryer vepra të mira. Përse është e rëndësishme të lutemi për hirin e Zotit kur kërkojmë t’u shërbejmë dhe t’u japim shërbesë të tjerëve?
Mësoni më shumë
-
2 Korintasve 9:8; Jakobi [LiM] 4:7; Doktrina e Besëlidhje 50:40–44
-
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.