“Pagëzimi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Pagëzimi
“Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5).
Kur keni ndier në jetën tuaj keqardhjen që vjen pasi bëni një gabim të rëndë ose kryeni një mëkat? Mesazhi kyç i ungjillit të rivendosur është që nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, pendimit të sinqertë dhe pagëzimit me anë të zhytjes nëpërmjet dikujt që mban autoritetin, ne mund të marrim falje dhe një heqje të mëkateve tona. Pagëzimi simbolizon rilindjen, fillimin e një jete të re. Ai është hapi i parë në shtegun për t’u bërë anëtar i Kishës së Tij dhe për t’u përgatitur për të marrë ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që gjenden në shtëpinë e Zotit. Kur pagëzoheni, ju i dëshmoni Perëndisë, Atit, se jeni “të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit” (2 Nefi 31:13). Ai premtim i rëndësishëm ripërtërihet çdo herë që e merrni sakramentin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77).
Pjesa 1
Jezu Krishti i Fton të Gjithë që ta Ndjekin Atë dhe të Pagëzohen
Edhe pse Jezu Krishti ishte i shenjtë dhe pa mëkat, Ai erdhi te Gjon Pagëzori dhe u pagëzua që të “përmbush[te] çdo drejtësi” (shihni te Mateu 3:13–17; Hebrenjve 4:15; 2 Nefi 31:5–7). Perëndia i ka urdhëruar të gjithë fëmijët e Tij që ta ndjekin shembullin e Jezu Krishtit dhe të pagëzohen me qëllim që të mund të marrin heqje të mëkateve të tyre dhe të trashëgojnë jetë të përjetshme (shihni te 2 Nefi 31:13, 17–18). Ne përgatitemi për pagëzim kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi për mëkatet tona, pendim i cili shfaqet nëpërmjet një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar (shihni te Moroni 6:1–3; Doktrina e Besëlidhje 20:37).
Perëndia ka urdhëruar që pagëzimi të kryhet nëpërmjet dikujt që mban autoritetin e priftërisë (shihni tek 3 Nefi 11:21–28; Doktrina e Besëlidhje 20:72–74; 22:1–4, përfshirë hyrjen historike). Në maj të vitit 1829, ordinanca e pagëzimit dhe autoriteti për të pagëzuar iu rivendosën Profetit Jozef Smith nëpërmjet lajmëtarit qiellor, Gjon Pagëzorit (shihni te Joseph Smith – Historia 1:68–73).
Gjatë gjithë historisë, shumë prej fëmijëve të Perëndisë jetuan dhe vdiqën pa e mësuar ungjillin e Jezu Krishtit ose pa e marrë pagëzimin e kryer nën autoritetin e priftërisë së Tij. Ngaqë çdo shpirt është i çmuar në sytë e Perëndisë, plani i Tij u jep këtyre njerëzve të vdekur një mundësi për ta mësuar ungjillin në botën e shpirtrave (Doktrina e Besëlidhje 138:30–37). Anëtarët e Kishës sot përpiqen fort që të kërkojnë emrat e paraardhësve të vdekur, të cilët nuk i morën ordinancat e nevojshme të ungjillit në këtë jetë, dhe ata pagëzohen me mëkëmbës në emër të tyre në tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:16–18).
Gjëra për t’i menduar
-
Profeti Nefi shkroi rreth arsyes përse u pagëzua Jezu Krishti. Studioni vargjet te 2 Nefi 31:4–13. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth qëllimit të pagëzimit të Zotit? Çfarë do të thotë që pagëzimi juaj është një dëshmi ndaj “Atit se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit”? (2 Nefi 31:13.)
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 20:37 duke kërkuar mënyrat e rëndësishme se si një person duhet të përgatitet për pagëzimin. Si mund t’i japë udhëzim ky fragment një anëtari të Kishës që ishte pagëzuar në një moshë më të vogël?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Doktrina e rivendosur e pagëzimit për të vdekurit ishte një bekim i pamasë për Jozef Smithin dhe shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme sikurse është për ne sot. Shikoni materialin filmik “Glad Tidings: The History of Baptisms for the Dead” [“Lajme të Mira: Historia e Pagëzimeve për të Vdekurit”] (6:55) dhe merrni parasysh se si mund të ishit ndier po të ishit njëri nga shenjtorët e hershëm që mësuan rreth doktrinës së pagëzimit për të vdekurit. Çfarë ju mëson kjo doktrinë rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin?
Mësoni më shumë
-
1 Korintasve 15:29; Alma 7:14–16; Doktrina e Besëlidhje 18:41–42; Nenet e Besimit 1:4
-
“Pagëzimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë”, Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 93–104
-
Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Liahona, maj 2016, f. 59–62
-
“Jesus Christ Teaches Repentance and Baptism” [“Jezu Krishti Jep Mësim rreth Pendimit dhe Pagëzimit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Pagëzimi Ju Përgatit për Jetën e Përjetshme
Pagëzimi simbolizon vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ky simbolizëm i rëndësishëm na ndihmon të shohim ngjashmërinë me vetë rilindjen tonë shpirtërore kur pagëzohemi. Ngaqë Jezu Krishti u ngrit së vdekuri në një jetë të re, ne gjithashtu duhet “të ecim në risinë e jetës” kur dalim nga ujërat e pagëzimit (Romakëve 6:4; shihni edhe vargjet 3–11).
Shkrimet e shenjta gjithashtu e krahasojnë pagëzimin dhe ndryshimin shpirtëror që u vjen ndjekësve të përulur të Jezu Krishtit, me lindjen (shihni te Gjoni 3:1–8). Ashtu si një foshnjë lindet nga uji, gjaku dhe shpirti, të gjithë që pagëzohen dhe që përpiqen fort për ta ndjekur Jezu Krishtin, linden sërish nëpërmjet ujit dhe Shpirtit dhe “pastrohen me anë të gjakut, madje gjakut të [Krishtit]” (Moisiu 6:59). Si rrjedhim, është e dobishme të merrni parasysh se si rilindja shpirtërore, ose të qenit të “lind[ur] rishtas”, na siguron një nisje të pastër në jetë (shihni te Mosia 5:7; 27:25–26).
Zoti na mëson se pagëzimi me ujë e paraprin pagëzimin me zjarr. Kjo i referohet dhuratës së Frymës së Shenjtë, i cili na pastron dhe na dëlirëson si zjarri (shihni te Veprat e Apostujve 1:5; 2 Nefi 31:13). Pagëzimi me zjarr sjell heqje të mëkateve (shihni te 2 Nefi 31:17; 3 Nefi 9:19–20; Doktrina e Besëlidhje 39:6).
Gjëra për t’i menduar
-
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim:
“Ne jemi qenie të papërsosura njerëzore duke u përpjekur të jetojmë në vdekshmëri në përputhje me planin e përsosur të Atit Qiellor për përparimin e përjetshëm. Kërkesat e planit të Tij janë të lavdishme, të mëshirshme dhe të rrepta. Nganjëherë mund të jemi të mbushur me vendosmëri dhe herë të tjera mund të ndihemi krejtësisht të papërshtatshëm. Mund të pyetim veten nëse mund ta përmbushim ndonjëherë shpirtërisht urdhërimin që të qëndrojmë pa njollë para Tij në ditën e fundit.
Me ndihmën e Zotit dhe nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij që të na ‘mësojë çdo gjë’ [Gjoni 14:26], me të vërtetë ne mund të bekohemi që t’i kuptojmë përgjegjësitë tona shpirtërore. Ordinancat i ftojnë qëllimin dhe fuqinë shpirtërore në jetën tonë, ndërkohë që përpiqemi të lindemi sërish dhe të bëhemi burra e gra të Krishtit. Dobësitë tona mund të forcohen dhe kufizimet tona mund të kapërcehen.”
Cili është roli ynë në bërjen të “lind[ur] rishtas”? Çfarë bekimesh mund t’i vijnë dikujt që përpiqet fort që të jetë i “lind[ur] rishtas”?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Merreni parasysh të shihni “Jesus Teaches of Being Born Again” [“Jezusi Jep Mësim për të Qenit të Lindur Rishtas”] (6:03), duke i ftuar anëtarët e grupit që të dëgjojnë për parimet që Jezu Krishti ia dha mësim Nikodemit. Si e përdori Jezusi simbolikën e lindjes fizike për ta ndihmuar Nikodemin që të kuptonte më mirë se si të përgatitej për mbretërinë e Perëndisë?
Mësoni më shumë
-
Dejvid A. Bednar, “Duhet të Lindni Sërish”, Liahona, maj 2007, f. 19–23
-
D. Tod Kristoferson, “I Lindur Përsëri”, Liahona, maj 2008, f. 76–79
Pjesa 3
Fëmijët e Vegjël Nuk Kanë Nevojë për Pagëzim
Jezu Krishti dha mësim se fëmijët e vegjël janë të pamëkatë përpara Perëndisë (shihni te Mateu 18:3; Marku 2:17; Moroni 8:8). Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë për pagëzim. Prindërit kanë përgjegjësinë për t’u mësuar fëmijëve të tyre për rëndësinë e besimit te Jezu Krishti, të pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Fëmijët duhet të pagëzohen në moshën tetëvjeçare, që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si mosha e përgjegjshmërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:71; 29:46–47; 68:27). “Të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10).
Disa individë kanë aftësi të kufizuara që nuk i lejojnë të jenë të përgjegjshëm. Atyre nuk iu nevojitet pendimi ose pagëzimi, por shpëtohen në mbretërinë çelestiale (shihni te Moroni 8:22; Doktrina e Besëlidhje 29:49–50; 137:10). Udhëheqësit e Kishës kanë sqaruar se “ordinancat nuk duhet të ndalohen [prej individëve me aftësi të kufizuara] nëse personi është i denjë, dëshiron t’i marrë ato dhe tregon një shkallë të mjaftueshme përgjegjësie dhe përgjegjshmërie”.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni tek 3 Nefi 17:21–24 dhe Doktrina e Besëlidhje 29:46–48. Çfarë gjeni në këto fragmente që vënë në dukje se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndihen rreth fëmijëve të vegjël?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Presidenti Brigam Jang shpalli: “Foshnjat janë të pastra, nuk kanë as hidhërim të zemrës as mëkate për t’u penduar dhe për t’u falur, dhe si rrjedhojë janë të paaftë që të pagëzohen për heqjen e mëkateve”. Me grupin tuaj lexoni vargjet te Moroni 8:4–15, 19–24. Si mund t’ju ndihmojë ky fragment që t’u shpjegoni të tjerëve disa nga arsyet përse foshnjat nuk kanë nevojë për pagëzim?
Mësoni më shumë
-
Shein M. Bouen, “Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Liahona, nëntor 2012, f. 15–17