“Rënia e Adamit dhe e Evës”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Rënia e Adamit dhe e Evës
Për shkak të shkeljes së Adamit dhe të Evës, mëkati dhe vdekja erdhën në botë
Ndërkohë që rrëfimi biblik për Adamin dhe Evën është i njohur nga shumë njerëz, ai shpesh keqkuptohet. Të vërtetat e shkrimeve të shenjta, të rivendosura në kohën tonë, na ndihmojnë t’i kuptojmë më mirë kushtet në Kopshtin e Edenit dhe zgjedhjen e bërë nga prindërit tanë të parë që pati si rezultat dëbimin e tyre nga kopshti. Ajo përvojë njihet si Rënia dhe solli pasoja që kanë ndikuar tek të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Rënia e Adamit dhe e Evës nuk ishte një e papritur për Atin Qiellor. Rënia është një pjesë e domosdoshme e planit të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Tij. Pasi ndodhi Rënia, Adami dhe Eva u bënë të vdekshëm dhe fituan aftësinë për të pasur fëmijë, por gjithashtu iu nënshtruan mëkatit dhe vdekjes.
Për shkak të Rënies, të gjitha gjërat e gjalla u nënshtrohen vështirësive, sëmundjes e vdekjes. Ky kundërshtim është pjesë e planit të Perëndisë për ne dhe jep ndihmesë në të mësuarit, rritjen dhe aftësinë tonë për të përjetuar gëzim. Për të na shëlbuar nga efektet e Rënies, Ati Qiellor siguroi një Shpëtimtar, Jezu Krishtin. Krishti ka fuqinë që ta shëlbojë botën dhe çdo njeri në të nga efektet e Rënies.
Pjesa 1
Adami dhe Eva e Ushtruan Lirinë e Zgjedhjes
Adami dhe Eva qenë fëmijët e parë të Perëndisë që erdhën në tokë. Ata jetuan në një gjendje pafajësie në Kopshtin e Edenit, që do të thotë se nuk kishin fëmijë dhe nuk përjetuan gëzim apo mjerim (shihni te 2 Nefi 2:23). Dy pemë në kopsht ishin veçanërisht të rëndësishme – pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes (shihni te Moisiu 3:9). Perëndia i urdhëroi Adamin dhe Evën që të mos e hanin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes (shihni te Moisiu 3:17). Po t’i bindeshin urdhërimit, ata mund të qëndronin në kopsht. Po të hanin nga fruta, ata do të përjetonin vdekjen.
Perëndia gjithashtu theksoi se ata kishin lirinë morale të zgjedhjes, ose fuqinë për të zgjedhur (shihni te Moisiu 3:16–17). Satani erdhi duke i tunduar Adamin dhe Evën që të hanin nga fruta. Ai u tha atyre se nuk do të vdisnin, por do të bëheshin të ditur sikurse Ati Qiellor (shihni te Moisiu 4:10–11). Kur Adami dhe Eva zgjodhën që të hanin nga fruta, sytë e tyre u hapën dhe ata fituan njohuri, por gjithashtu përjetuan vdekjen shpirtërore, duke u dëbuar përfundimisht nga prania e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:40–41). Ata gjithashtu u bënë të vdekshëm, të nënshtruar ndaj dhembjes, sëmundjes, vdekjes dhe përvojave të tjera të kësaj bote të rënë.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te 2 Nefi 2:15–16. Çfarë mësoni rreth lirisë së zgjedhjes duke i kuptuar më shumë rrethanat e Rënies? Çfarë mësoni rreth rëndësisë së nevojës sonë për të zgjedhur të mirën për veten tonë kundrejt të keqes? Vini re përdorimin e fjalës “joshej” nga Lehi në këto vargje. Në ç’mënyrë jemi ne sot të joshur si nga e mira ashtu edhe nga e keqja? Çfarë ju mëson kjo rreth nevojës sonë për një Shpëtimtar?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Presidenti Dallin H. Ouks ka thënë:
“Ati Lehi dha mësim se, po të mos kishte ndodhur Rënia, Adami dhe Eva ‘do të kishin qëndruar në një gjendje pafajësie, pa patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim’ (2 Nefi 2:23). Pa përvojën e kundërshtimit në vdekshmëri, ‘të gjitha gjërat është e nevojshme të jenë një bashkim në një’, në të cilin nuk do të kishte lumturi ose mjerim (vargu 11). …
‘Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim’ [vargu 25].”
Çfarë mësoni nga mësimet e Presidentit Ouks dhe Lehit në Librin e Mormonit rreth nevojës për kundërshtim?
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Liahona, nëntor 1993, f. 72–75
-
“Rënia e Adamit dhe Evës dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021), f. 32–38
Pjesa 2
Jezu Krishti i Mposhti Efektet e Rënies
Rënia e Adamit dhe e Evës krijoi një ndarje midis tyre dhe Perëndisë, e njohur si vdekja shpirtërore. Ngaqë trupat e tyre u bënë të vdekshëm, ata iu nënshtruan edhe vdekjes fizike dhe u vendosën në një gjendje kundërshtimi në këtë botë, ku do të ishte e mundur të mëkatohej. Vdekja fizike e shpirtërore dhe mëkati i mundshëm, të gjitha do t’i pengonin Adamin, Evën dhe pasardhësit e tyre që të ktheheshin në praninë e Perëndisë.
Prej dashurisë së Tij të pafundme për fëmijët e Vet, Ati Qiellor siguroi një Shpëtimtar, i cili bëri të mundur që Adami dhe Eva, dhe të gjithë ne, të pendoheshim për mëkatin. Jezusi do të paguante çmimin për mëkatet tona. Ai gjithashtu do të vuante dhembjet e çdo burri, gruaje dhe fëmije që do të jetonte ndonjëherë, përfshirë dhembjen për mëkatet, lëndimet, sëmundjet dhe humbjet tona. Ai do të vdiste dhe do të ringjallej në mënyrë që ne të mund të jetonim përsëri. Nëpërmjet dhuratës së pakrahasueshme të Jezu Krishtit, Perëndia bëri të mundur që ne të pendohemi për mëkatet, të mësojmë, të përparojmë dhe në fund të kthehemi për të jetuar me Të.
Pasi u larguan nga Kopshti i Edenit, Adami dhe Eva ishin të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit, përfshirë ofrimin e të parëlindurit të tufave të tyre ndaj Zotit si një flijim. Ata më vonë mësuan se qëllimi i këtij flijimi ishte që t’i ndihmonte për të kujtuar se Jezu Krishti do të jepte jetën e Tij si një flijim për ne të gjithë. (Shihni te Moisiu 5:4–8.)
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te Moisiu 5:11. Në këtë varg, Eva përmbledh atë që mësoi nga përvoja e tyre me Rënien. Ndërkohë që shpesh e shohim Rënien si një paraqitje të dhembjes e mundimit në tokë, ajo nuk i përmend veçanërisht këto gjëra. Si mendoni, përse Eva zgjodhi të fliste për Rënien në atë mënyrë? Çfarë mund të mësojmë nga Eva rreth qëllimeve të jetës sonë?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Për shkak se Jezu Krishti e mundi këtë botë të rënë dhe për shkak se Ai shleu për çdonjërin prej nesh, edhe ju mund ta mundni këtë botë të ngopur me mëkat, vetëdashëse dhe shpesh rraskapitëse.
Për shkak se Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e shëlboi çdonjërin prej nesh nga dobësia, gabimet e mëkati dhe për shkak se Ai përjetoi çdo dhembje, shqetësim dhe barrë që ju mund të keni pasur ndonjëherë, atëherë, ndërsa pendoheni vërtet dhe e kërkoni ndihmën e Tij, mund të ngriheni mbi këtë botë aktuale të pasigurt.”
Si mund ta mposhtim këtë botë të rënë në vdekshmëri? Kur e keni përjetuar ndihmën e Shpëtimtarit për ta mposhtur botën?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Lexoni si grup te Gjoni 3:16 dhe më pas ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë se çfarë mendojnë se do të thotë ky varg. Më pas lexoni vargun te Moisiu 5:9, që përshkruan rolin e Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë. Ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë atë që mësuan nga këto vargje rreth dashurisë së Perëndisë, dhuratës së flijimit dhe Ringjalljes të Krishtit, të cilat na lejojnë t’i mposhtim efektet e Rënies.
-
Lexoni si grup tek Alma 7:11–13, duke vënë në dukje secilën fjalë që përshkruan diçka që e përjetojmë në këtë botë të rënë. Për shembull, ju mund të vini re fjalët “tundime” dhe “sëmundjet”. Bëni një listë të këtyre fjalëve që t’i shohin anëtarët e grupit. Më pas lexojeni fragmentin përsëri, këtë herë duke u kushtuar vëmendje fjalëve që përshkruajnë atë që Krishti ka bërë për ne. Shkruajini këto fjalë në një listë të dytë në krah të listës së parë. Çfarë mësoni nga ky ushtrim për marrëdhënien midis Rënies së Adamit dhe të Evës dhe rolit të Jezu Krishtit si Shpëtimtari ynë?
Mësoni më shumë
-
Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Liahona, maj 2015, f. 104–106
-
Robert D. Hejls, “Plani i Shpëtimit: Një Thesar i Shenjtë Diturie për të na Udhërrëfyer Ne”, Liahona, tetor 2015, f. 32–39
Pjesa 3
Rënia e Adamit dhe e Evës Ishte Thelbësore për Planin e Perëndisë
Për shkak të Rënies së Adamit dhe të Evës, ne të gjithë kemi mundësinë që të marrim një trup fizik dhe të përjetojmë gëzimin dhe vështirësitë e jetës në vdekshmëri. Ne gjithashtu kemi mundësi çdo ditë që të ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes. Ngaqë veçohemi nga Perëndia pa ndonjë kujtesë për jetën tonë para lindjes, ne duhet të mësojmë e të rritemi nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe nëpërmjet përvojave tona vetjake.
Kjo e gjitha është thelbësore për planin e Perëndisë për lumturinë tonë të përjetshme. Për t’u kthyer tek Ai dhe për t’u bërë siç është Ai, ne duhet ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes që të zgjedhim të mirën kundrejt së keqes. Teksa kalojmë përmes këtij procesi të të mësuarit, ne bëjmë gabime. Por Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij bëjnë të mundur që ne t’i mposhtim mëkatet tona, të marrim falje dhe të bëhemi të pastër, duke na lejuar që një ditë të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të bëhemi si Ai.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te 2 Nefi 2:11, 15, duke i kushtuar vëmendje rolit të kundërshtimit në planin e Perëndisë. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth nevojës për kundërshtim? Si ndikon të kuptuarit e qëllimit të kundërshtimit te mënyra se si mendoni rreth sprovave tuaja?
-
Rënia solli në botë si vuajtje ashtu edhe gëzim. Lexoni te 1 Korintasve 15:21–22 dhe 2 Nefi 2:19–25, duke kërkuar bekimet që u vunë në dispozicion të të gjithë njerëzve pas Rënies. Çfarë mësoni nga këto shkrime të shenjta rreth qëllimit të jetës?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Nga shkrimet e shenjta bashkëkohore e dimë se si u ndien Adami dhe Eva rreth shkeljes së tyre. Lexoni si grup te Moisiu 5:10–11. Mund të jetë e efektshme të zgjidhni një mashkull që të lexojë vargun 10 dhe një femër që të lexojë vargun 11, duke i ndihmuar anëtarët e grupit që të përfytyrojë sikur po flasin Adami dhe Eva. Flisni me grupin për ndjenjat tuaja rreth këtyre vargjeve. Si mund t’i ketë ndihmuar ata besimi i Adamit dhe Evës te Jezu Krishti që ta shihnin shkeljen e tyre në mënyrën që e panë?
-
Çfarë ju sjell gëzim? Ftojini anëtarët e grupit të flasin për përgjigjet e tyre rreth kësaj pyetjeje. Më pas lexoni së bashku te 2 Nefi 2:25. Si mendoni, përse Lehi i mësoi birit të vet se “njerëzit janë, që të ata të mund të kenë gëzim”? Çfarë lidhje ka Rënia e Adamit dhe e Evës me gëzimin? Ftoni anëtarë të grupit që të japin idetë e tyre.
Mësoni më shumë
-
Zanafilla 2–4; 2 Nefi 2:15–26; 9:6–21; Mosia 3:11–16; Alma 12:21–35; 22:12–14; 42:2–15; Doktrina e Besëlidhje 29:34–44; Moisiu 3–5; 5:9–13
-
Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 72–75
-
Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Liahona, maj 2015, f. 104–106
-
“The Fulness of the Gospel: The Fall of Adam and Eve”, Ensign, qershor 2006, f. 48–49