“Kapitulli 6: Vdekja dhe Ringjallja”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 6”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 6
Vdekja dhe Ringjallja: Nga Agimi i Pashpresë te Mëngjesi i Hareshëm
“Përmes [pikëllimit] e vetmisë së humbjes së njerëzve të dashur, ka një siguri se jeta është e përjetshme. Zoti dhe Shpëtimtari ynë është dëshmia e gjallë që kjo është e vërtetë.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
Njëherë një vizitor e pyeti Presidentin Tomas S. Monson: “Çfarë duhet të shoh ndërsa jam në Solt-Lejk-Siti?” Ai dha disa sugjerime dhe më pas mendoi ta ftonte vizitorin të shpenzonte një ose dy orë te një nga varrezat e qytetit. Kudo ku Presidenti Monson udhëtonte, ai përpiqej të vizitonte një varrezë të qytezës ose qytetit. Ai i përshkruante vizita të tilla si “një kohë për meditim dhe reflektim mbi kuptimin e jetës dhe pashmangshmërinë e vdekjes”1.
Presidenti Monson ishte veçanërisht i vëmendshëm ndaj atyre që po vdisnin, shpesh duke i vizituar në ditët e fundit të jetës së tyre për t’u dhënë bekime dhe për t’i sjellë një masë paqeje dhe ngushëllimi. Që nga koha kur u thirr në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, ai foli në më shumë se 800 funerale. Çdo herë ai dëshmoi se për shkak të Ringjalljes së Shpëtimtarit, jeta vazhdon pas vdekjes.
Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2013, Presidenti Monson dëshmoi për jetën e përjetshme në një mënyrë shumë vetjake ndërsa foli për bashkëshorten e vet, Frensisin:
“Vëllezër e motra, gjashtë muaj më parë, ndërkohë që u takuam së bashku në konferencën tonë të përgjithshme, bashkëshortja ime e ëmbël, Frensisi, u shtrua në spital pasi kishte pësuar një rrëzim me pasoja shkatërruese vetëm pak ditë më parë. Në maj, pas disa javësh përpjekjeje me guxim për t’i mposhtur dëmtimet e saj, ajo kaloi në përjetësi. Humbja e saj ka qenë e thellë për mua. Ajo dhe unë u martuam në tempullin e Solt-Lejkut më 7 tetor 1948. Nesër do të kishte qenë përvjetori ynë i 65-të i martesës. Ajo ishte dashuria e jetës sime, njeriu im i besuar dhe shoqja ime më e ngushtë. Të them që më mungon, as nuk fillon ta përçojë thellësinë e ndjenjave të mia.
Kjo konferencë shënon 50 vite që kur u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam ndier asgjë veç mbështetjes së plotë dhe tërësore të shoqes sime të ëmbël. Të panumërta janë sakrificat që ajo bëri në mënyrë që unë të mund ta përmbushja thirrjen time. Asnjëherë nuk dëgjova një fjalë ankese nga ajo duke qenë se më kërkohej shpesh të kaloja ditë e ndonjëherë javë larg prej saj dhe fëmijëve tanë. Ajo ishte një engjëll, me të vërtetë. …
Ngushëllimi më i madh për mua gjatë kësaj kohe të dhimbsur të ndarjes, ka qenë dëshmia ime për ungjillin e Jezu Krishtit dhe njohuria që kam se e dashura ime, Frensisi, jeton ende. E di se ndarja jonë është e përkohshme. Ne u vulosëm në shtëpinë e Perëndisë nga dikush me autoritet për të lidhur në tokë e në qiell. E di se një ditë do të ribashkohemi dhe nuk do të ndahemi më kurrë. Kjo është njohuria që më mban.”2
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Për të kuptuar domethënien e vdekjes, ne duhet të vlerësojmë qëllimin e jetës.
Të gjithë ne filluam një udhëtim të mrekullueshëm dhe thelbësor kur u larguam nga bota e shpirtrave dhe hymë në këtë gjendje shpesh sfiduese të quajtur vdekshmëri. Qëllimet kryesore të ekzistencës sonë në tokë janë të marrim një trup prej mishi e kockash, të fitojmë përvojën që mund të vinte vetëm nëpërmjet ndarjes nga prindërit tanë qiellorë, dhe të shohim nëse do t’i zbatojmë urdhërimet. Në librin e Abrahamit, kapitulli tre, lexojmë: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” [Abraham 3:25].3
Plani i jetës dhe një shpjegim për kursin e saj të përjetshëm na vijnë nga [Mësuesi] i qiellit dhe tokës, madje Jezu Krishti, Zoti. Për të kuptuar domethënien e vdekjes, ne duhet të vlerësojmë qëllimin e jetës.
… Në këtë periudhë ungjillore, Zoti shpalli: “Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri” [Doktrina e Besëlidhje 93:21]. “Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë” [Doktrina e Besëlidhje 93:29].
Jeremia, profeti, sh[ënoi]: “Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: Para se unë të të formoja … të kam njohur; para se ti të dilje … të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve” [Jeremia 1:4–5].
Nga ajo botë e madhërishme e shpirtrave, ne hyjmë në fazën e madhe të jetës për të provuar veten [se jemi] të bindur ndaj të gjitha gjërave të urdhëruara nga Perëndia. Gjatë vdekshmërisë, ne rritemi nga foshnjëria e pafajshme, në fëmijërinë kureshtare dhe më pas në pjekurinë medituese. Ne përjetojmë gëzim dhe trishtim, përmbushje dhe zhgënjim, sukses dhe dështim. Ne shijojmë të ëmblën, por provojmë edhe të hidhurën. Kjo është [vdekshmëria].4
2
Vdekja është një pjesë thelbësore e përvojës sonë në vdekshmëri, por jeta është e për[hershme].
Midis gjithë fakteve të vdekshmërisë, asnjë nuk është aq i sigurt sa fundi i [saj]. Vdekja vjen tek të gjithë. … Ajo pashmangshmërisht paraqet një humbje të dhimbshme të miqve dhe veçanërisht në rini, një goditje dërrmuese ëndrrash të parealizuara, synimesh të papërmbushura dhe shpresash të humbura.
Ç’nuk ka menduar fort një qenie e vdekshme, e ndeshur me humbjen e një [njeriu] të dashur apo, në të vërtetë, duke qëndruar vetë në pragun e pafundësisë, rreth asaj se çfarë shtrihet përtej velit që ndan të dukshmen nga e padukshmja?
Shekuj përpara, burri Job – i bekuar aq gjatë me çdo dhuratë materiale, vetëm për ta gjetur veten të vrerosur rëndë nga gjithçka që mund t’i ndodhë një qenieje njerëzore – u ul me shoqëruesit e tij dhe shqiptoi pyetjen pa kohë e pa moshë: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” [Jobit 14:14.] Jobi tha atë që çdo burrë apo grua e gjallë e kishte [përsiatur].5
Megjithëse është e vështirë dhe e dhembshme, vdekja është pjesë thelbësore e përvojës sonë në vdekshmëri. Ne e filluam udhëtimin tonë të këtushëm duke u larguar nga ekzistenca jonë para lindjes dhe duke ardhur në këtë tokë. …
Jeta vazhdon. Rinia pason fëmijërinë dhe mosha e pjekurisë përherë vjen pa u kuptuar. Ndërsa kërkojmë e përsiatim për qëllimin dhe problemet e jetës, shpejt a vonë të gjithë gjendemi përballë pyetjes për jetëgjatësinë dhe për një jetë të përhershme tonën. Këto pyetje shpërfaqen më me ngulm atëherë kur njerëzit tanë të dashur na lënë ose kur përballemi me ndarjen [tonë] nga ata që i duam. …
Vëllezër dhe motra të mia, ne qeshim, ne vajtojmë, ne punojmë, ne luajmë, ne dashurojmë, ne jetojmë. Dhe pastaj ne vdesim. Vdekja është një trashëgimi universale e jona. Të gjithë duhet t’i kalojnë portat e saj. Vdekja merr të moshuarit, të lodhurit, të [drobiturit]. Ajo viziton të rinjtë në lule të shpresës dhe në pritje të së ardhmes së tyre. As fëmijët e vegjël nuk i shpëtojnë mbërthimit të saj. E thënë me fjalët e Apostullit Pal: “Është caktuar që njerëzit të vdesin [në njëfarë kohe]” [Hebrenjve 9:27].
Dhe të vdekurit do të mbeteshin të tillë po të mos ishte për një Njeri dhe për misionin e Tij, madje Jezusin e Nazaretit. …
Të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e dashur, ne do t’ua shndërronim pyetjen e Jobit në formë përgjigjeje: “Në qoftë se njeriu vdes, ai do të kthehet përsëri në jetë”. Ne e dimë, sepse kemi dritën e së vërtetës së zbuluar. …
Përmes lotëve e sprovave, përmes frikës dhe trishtimit, përmes [pikëllimit] dhe vetmisë nga humbja e njerëzve të dashur, ka siguri se jeta është e për[jetshme]. Zoti dhe Shpëtimtari ynë është dëshm[itari] i gjallë që kjo është e vërtetë.6
3
Kur të drejtët vdesin, shpirtrat e tyre shkojnë në parajsë.
Shumë vite më parë qëndrova pranë shtratit të një të riu, babait të dy fëmijëve, që ishte duke dhënë shpirt. Ai më kapi dorën, më pa në sy dhe me përgjërim më pyeti: “Peshkop, e di që po vdes. Më thuaj çfarë do të ndodhë me shpirtin tim kur të vdes?”
U luta për udhërrëfim qiellor para se të orvatesha që t’i përgjigjesha. Vëmendja m’u drejtua tek Libri i Mormonit, që ndodhej në komodinën pranë shtratit të tij. E mora librin në dorë dhe m’u hap si me porosi në kapitullin e 40‑të të Almës. Fillova të lexoja me zë të lartë:
“Tani, biri im, kam diçka tjetër për të thënë; pasi shoh se mendja të është shqetësuar në lidhje me ringjalljen e të vdekurve. …
Tani, në lidhje me gjendjen e shpirtit midis vdekjes dhe ringjalljes – Vër re, mua m’u bë e ditur nga një engjëll që shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, po, … çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.
Dhe atëherë do të ndodhë që shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat” [Alma 40:1, 11–12].
Miku im i ri në moshë i mbylli sytë, tha një faleminderit të çiltër dhe qetësisht kaloi në atë parajsë për të cilën kishim folur.7
4
Nëpërmjet Ringjalljes, Shpëtimtari e mposhti vdekjen për të gjithë.
[Pas kohës sonë në botën e shpirtrave] vjen dita e lavdishme e ringjalljes, kur shpirti dhe trupi do të ribashkohen, për të mos u ndarë më kurrë. “Unë jam ringjallja dhe jeta”, – i tha Krishti Martës që vajtonte. “Ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë” [Gjoni 11:25–26]. …
Ky premtim i jashtëzakonshëm u bë realitet kur Maria dhe Maria tjetër iu afruan varrit në kopsht – asaj varreze që kishte vetëm një të vdekur. Ia lëmë Llukës, mjekut, ta përshkruajë përvojën e tyre:
“Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri. … Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. … Kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. … Ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe … u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?” [Lluka 24:1–5.]
“Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” [Mateu 28:6].
Kjo është thirrja e fuqishme e krishterimit. Realiteti i Ringjalljes u jep të gjithëve paqen që ia tejkalon çdo zgjuarësie [shih Filipianëve 4:7]. … Kjo është një e vërtetë universale.
… Unë shpall dëshminë time vetjake se vdekja është mundur, fitorja ndaj varrit është arritur. U bëfshin realitet për të gjithë fjalët e shenjtëruara prej Atij që i përmbushi ato. Kujtojini. Gëzojini. Nderojini. Ai u ringjall.8
5
Siguria e Ringjalljes e bën çdo agim të pashpresë një mëngjes të gëzueshëm.
Shpesh vdekja vjen si një furacak. Është një armik që shfaqet papritur në mes të gostisë së jetës, duke i shuar dritat dhe harenë e saj. Vdekja e shtrin dorën e saj të rëndë tek ata që janë të dashur për ne, dhe me raste na lë të hutuar dhe të habitur. Në situata të caktuara, si në vuajtje dhe sëmundje të mëdha, vdekja vjen si një engjëll i mëshirës. Por, në pjesën më të madhe, ne e mendojmë atë si armikun e lumturisë njerëzore.
Errësira e vdekjes mund të zhduket përgjithmonë nëpërmjet dritës të së vërtetës së zbuluar. “Unë jam ringjallja dhe jeta”, – tha Mësuesi. “Ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë” [Gjoni 11:25–26].
Kjo siguri – po, madje ky pohim i shenjtë – për jetën përtej varrit mund të sjellë fare mirë paqen e premtuar nga Shpëtimtari kur Ai i siguroi dishepujt e Tij: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” [Gjoni 14:27].9
Realiteti i Ringjalljes u shpreh nga martiri Stefan ndërsa ngriti sytë lart dhe bërtiti: “Unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë”. (Veprat e Apostujve 7:56.)
Sauli, rrugës për në Damask, pati një vegim të Krishtit të ringjallur dhe ekzaltuar. Më vonë, tani si Pali, mbrojtës i së vërtetës dhe misionar sypatrembur në shërbim të Mësuesit, ai dha dëshmi për Zotin e ringjallur ndërsa u shpalli shenjtorëve në Korint:
“Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, … u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, … iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve. … Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m’u shfaq edhe mua.” (1 Korintasve 15:3–8.)
Në periudhën tonë ungjillore, e njëjta dëshmi u tha me guxim nga Profeti Jozef Smith, ndërsa ai dhe Sidni Rigdoni dëshmuan:
“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!
Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit –
Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë.” (DeB 76:22–24.)
Kjo është njohuria që na mban. Kjo është e vërteta që na ngushëllon. Kjo është siguria që i udhërrëfen ata që janë përkulur me pikëllim për të dalë nga hijet në dritë.
Një ndihmë e tillë nuk është vetëm për të moshuarit, të arsimuarit ose për ata pak që janë zgjedhur. Është në dispozicion të të gjithëve.
Disa vite më parë, gazetat e Solt-Lejk-Sitit botuan një nekrologji për një shoqe të ngushtë – një nënë dhe bashkëshorte që vdiq në lule të moshës. Vajta në morg dhe iu bashkova një morie njerëzish të mbledhur për t’i shprehur ngushëllim bashkëshortit të [dërrmuar] dhe fëmijëve pa nënë. Papritur fëmija më i vogël, Kelli, më njohu dhe më kapi nga dora. “Eja me mua”, – tha ajo, dhe më drejtoi tek arkivoli në të cilin prehej trupi i nënës së saj të dashur. … “Shumë herë mami më ka treguar për vdekjen dhe jetën me Atin Qiellor. Unë i përkas mamit dhe babit tim. Ne do të jemi sërish të gjithë së bashku.” Në mendje më erdhën fjalët e psalmistit: “Nga goja e të vegjëlve … ke vendosur lëvdimin”. (Psalmeve 8:2.)
Përmes syve të lagur me lot, pashë buzëqeshjen e bukur dhe të mbushur me besim të shoqes sime të vogël. Për të, duart e vockla të së cilës ende i kishin mbërthyer të miat, nuk do të kishte kurrë një agim të pashpresë. E mbështetur nga dëshmia e saj e pashtershme, duke e ditur se jeta vazhdon përtej varrit, ajo, babai i saj, vëllezërit e saj dhe motrat e saj dhe në të vërtetë të gjithë ata njerëz që e kanë këtë njohuri për të vërtetën hyjnore, mund t’i shpallin botës: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. (Psalmeve 30:5.)
Me gjithë fuqinë e shpirtit dëshmoj se Perëndia jeton, se Biri i Tij i Dashur është fryti i parë i Ringjalljes, se ungjilli i Jezu Krishtit është ajo dritë depërtuese që e bën çdo agim të pashpresë një mëngjes të hareshëm.10
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Presidenti Monson dha mësim se “për të kuptuar domethënien e vdekjes, ne duhet të vlerësojmë qëllimin e jetës” (pjesa 1). Si ju ndihmon të kuptuarit e qëllimit të jetës të kuptoni domethënien e vdekjes? Si ju ndihmon ta kuptoni jetën tuaj në vdekshmëri dijenia rreth ekzistencës në jetën para lindjes me Perëndinë?
-
Shqyrtojini mësimet e Presidentit Monson rreth vdekjes si një pjesë e nevojshme e përvojës sonë në vdekshmëri (shih pjesën 2). Përse është e dobishme të dimë se vdekja në tokë është pjesë e planit të Atit Qiellor për përparim tonë të përjetshëm?
-
Çfarë ndodh me shpirtrat e të drejtëve midis kohës së vdekjes dhe ringjalljes? (Shih te pjesa 3.)
-
Çfarë do të thotë të ringjallesh? (Shih te pjesa 4.) Si mund ta vëmë në zbatim këshillën e Presidentit Monson për t’i çmuar dhe nderuar fjalët Ai u ringjall?
-
Presidenti Monson dëshmoi se Ringjallja “e bën çdo agim të pashpresë një mëngjes të hareshëm” (pjesa 5). Si mund ta fitojmë ose ta forcojmë dëshminë për Ringjalljen? Si mund të na sjellë paqe dhe ngushëllim dëshmia për Ringjalljen?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Isaia 25:8; 1 Korintasve 15:51–58; 2 Nefi 9:6–15; Mosia 16:6–8; Alma 11:42–45; Doktrina e Besëlidhje 42:45–47
Ndihmë për Studimin
Merrni parasysh ta lexoni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të zbuloni ide të fuqishme.