Mësime të Presidentëve
Kapitulli 10


“Kapitulli 10: Shkuarja Përpara me Shpresë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 10”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 10

Shkuarja Përpara me Shpresë

“Shpresa do ta mundë dëshpërimin.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Gjatë fëmijërisë së tij, Tom Monsoni dëshmoi se si familja e tij bënte shumë vepra mirësie që u jepnin shpresë njerëzve të tjerë në nevojë. Ai rrëfeu dy shembuj të pjesëtarëve të familjes që kujdeseshin për një fqinj të moshuar anglez që e njihnin me emrin “Bobi i Moshuar”:

“Kam shumë kujtime të bukura nga vitet e djalërisë sime. Pritja e darkës të së dielës ishte njëra prej tyre. Sapo ne fëmijët arrinim në pikën e të ashtuquajturës vdekje nga uria dhe uleshim me padurim në tryezë me aromën e mishit të pjekur të lopës që mbushte dhomën, Nëna më thoshte: ‘Tomi, përpara se të hamë, çoja këtë pjatë që kam përgatitur, Bobit të Moshuar teposhtë rrugës dhe kthehu me ngut’.

Nuk munda kurrë ta kuptoja pse nuk mund të hanim fillimisht dhe t’ia çonim më vonë pjatën e ushqimit atij. Nuk ia bëja kurrë fjalën dysh dhe vrapoja për te shtëpia e tij dhe më pas prisja me ankth ndërsa këmbët e moshuara të Bobit ta sillnin atë përfundimisht te dera. Më pas i dorëzoja pjatën e ushqimit. Ai më kthente pjatën të larë akull nga e diela e mëparshme dhe më pas më ofronte 10 qindarka si pagesë për shërbimet e mia.”

Tomi i refuzonte gjithnjë paratë dhe Bobi thoshte: “Djaloshi im, ti ke një nënë të mrekullueshme. Thuaji asaj që e falënderoj.”1 Pasi Tomi kthehej në shtëpi, darka e tij e së dielës gjithnjë kishte më shumë shije. Duke reflektuar mbi këtë përvojë, ai tha: “Nuk e kuptoja [në atë kohë që] po merrja mësimin më të fuqishëm e të rëndësishëm rreth përkujdesjes për ata që janë më pak fatlumë”2.

Presidenti Monson tregoi edhe se si dashuria dhe zemërgjerësia e gjyshit të vet i solli shpresë Bobit:

“Babai i nënës sime, gjyshi Tomas Kondi, më dha gjithashtu një mësim të fuqishëm që përfshinte të njëjtin Bob të Moshuar. … Ai qe i ve në të 80‑tat e tij kur shtëpia në të cilën kishte marrë një dhomë me qira do të shembej nga shteti. E dëgjova t’ia tregonte gjyshit tim hallin e tij ndërsa ne të tre qemë ulur në ndenjësen kolovitëse në verandën e gjyshit tim. Me një zë të përvajshëm, ai i tha gjyshit tim: ‘Z. Kondi, nuk di ç’të bëj. Nuk kam familje. Nuk kam asnjë vend ku të shkoj. Kam pak para.’ Unë pyeta veten se si do të përgjigjej gjyshi.

Ne vazhduam të lëkundeshim te ndenjësja kolovitëse. Më pas gjyshi futi duart në xhep dhe nxori prej tij një kuletë të vjetër lëkure nga e cila, në përgjigje të lypjeve të mia, kishte thyer shumë qindarka në njëshe dhe pesëshe për të më qerasur me ndonjë gjë të mirë. Këtë herë ai hoqi një çelës dhe ia zgjati Bobit të Moshuar.

Me butësi i tha: ‘Bob, ky është çelësi i asaj shtëpisë që kam në derën matanë. Merre. Futi gjërat e tua aty. Qëndro sa kohë të duash. Nuk do të kesh qira për të paguar dhe askush nuk do të të nxjerrë më jashtë.’

Të Moshuarit Bob iu mbushën sytë plot me lot, i rrodhën nëpër faqe dhe më pas iu zhdukën në mjekrën e tij të gjatë e të bardhë. Sytë e gjyshit ishin gjithashtu të njomur. Nuk thashë asnjë fjalë, por atë ditë krenaria për gjyshin tim kapi majat. Isha krenar që mbaja emrin e tij. Ndonëse isha veçse një djalosh, ai mësim pati një ndikim të fuqishëm në jetën time.”3

Pamja
Tomas Monsoni i vogël dhe i ati

Tomas Monsoni i vogël mësoi rreth ndihmës ndaj njerëzve të tjerë në nevojë nga familja e tij. Ai paraqitet këtu me krahun e hedhur rreth të atit, G. Spenser Monsonit dhe me gjyshin nga nëna, Tomas Kondin.

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Rrezet e shpresës mund t’i davaritin retë e dëshpërimit.

Disa vjet më parë, … kur isha president misioni, më caktuan privilegjin për të drejtuar veprimtaritë e misionarëve të çmuar. … Disa kishin probleme, disave u duhej shtysë; por njëri erdhi tek unë i dëshpëruar sa s’ka. Ai kishte marrë vendimin të largohej nga terreni i misionit kur ishte veçse në gjysmë të tij. I kishte bërë gati valixhet, kishte blerë biletën e kthimit. Erdhi të më jepte lamtumirën.

Folëm; e dëgjuam njëri‑tjetrin; u lutëm. … Ndërsa u ngritëm së gjunjëzuari në qetësinë e zyrës sime, misionari filloi të qante me dënesë. Duke e shtrënguar muskulin në krahun e tij të djathtë e të fortë, i zbrazi të gjitha: “Ky është problemi im. Gjatë gjithë kohës së shkollës fuqia e muskujve të mi më kualifikonte për çmime nderi në futbollin amerikan dhe në atletikë, por fuqia ime mendore shpërfillej. Presidenti Monson, më vjen turp nga dëftesa ime e shkollës. Aty thuhet se ‘me përpjekje’ e kam kapacitetin për të lexuar por në nivelin e klasës së katërt. Nuk mundem të lexoj as Librin e Mormonit. Si mundem atëherë ta kuptoj përmbajtjen e tij dhe t’ua mësoj të tjerëve të vërtetat e tij?”

Heshtja e dhomës u thye nga im bir nëntëvjeçar i cili, pa trokitur e hapi derën dhe i befasuar, tha duke kërkuar ndjesë: “Më falni. Doja thjesht ta vendosja këtë libër përsëri në raft.” Ai më zgjati librin. Titulli i librit qe: ‘A Child’s Story of the Book of Mormon’ [‘Historia e Librit të Mormonit për një Fëmijë’], nga Dr. Deta Petersen Nili. E hapa te parathënia e autores dhe lexova se ky libër qe shkruar me një fjalor të kontrolluar në mënyrë shkencore për nivelin e klasës së katërt. Një lutje e sinqertë nga një zemër e sinqertë kishte marrë përgjigje në mënyrë dramatike.

Misionari im e pranoi ftesën për ta lexuar librin. Gjysmë duke qarë, gjysmë duke qeshur, ai deklaroi: “Do të jetë mirë të lexoj diçka që mund ta kuptoj”. Retë e dëshpërimit u davaritën nga rrezja e shpresës. Ai e përfundoi misionin plot nder.4

Kur vlerat e vërteta dhe virtytet bazë rrethojnë familjet e shoqërisë, shpresa do ta mundë dëshpërimin dhe besimi do të triumfojë mbi dyshimin.

Vlera të tilla, kur mësohen dhe jetohen në familjet tona, do të jenë aq të mirëpritura sa shiu për tokën e tharë. Dashuria do të lindë; besnikëria ndaj variantit më të mirë të vetes do të rritet dhe virtytet e karakterit, integritetit dhe mirësisë do të kultivohen.5

Kur … i vendosni jetës suaj një kornizë besimi, do ta meritoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Do të keni “një ndriçim të përkryer të shpresës” (2 Nefi 31:20).6

2

Kemi përgjegjësi t’u japim shpresë e ndihmë atyre që janë në nevojë.

Një njeri që … e ndoqi [shembullin e Shpëtimtarit] qe Bojd Heçi nga Solt-Lejk-Siti i Jutës. I privuar nga përdorimi i këmbëve të tij, i përballur me sfidën e një jete të tërë i ulur në karrocë invalidi, Bojdi fare mirë mund të kishte parë së brendshmi dhe, nëpërmjet keqardhjes për veten, thjesht të kishte ekzistuar në vend që të jetonte. Megjithatë, Vëllai Heç nuk pa së brendshmi, por pa së jashtmi drejt jetës së të tjerëve dhe lart drejt qiellit të vetë Perëndisë dhe ylli i frymëzimit e udhërrëfeu atë drejt jo vetëm një mundësie, por drejt qindra mundësive të mirëfillta. Ai organizoi trupat e skautistëve të djemve me aftësi të kufizuara. U mësoi atyre si të ngrinin një kamp. U mësoi të notonin. U mësoi basketbollin. U mësoi atyre besimin. Disa djem qenë të shkurajuar dhe të mbushur me mëshirim ndaj vetes dhe dëshpërim. Atyre ai u zgjati pishtarin e shpresës. Përpara tyre gjendej shembulli i tij vetjak i mundimit dhe arritjes. Me një kurajë që ne nuk do ta njohim ose kuptojmë kurrë plotësisht, këta djem të shumë besimeve i mposhtën gjasat e pakapërcyeshme që kishin dhe e gjetën veten nga e para. Gjatë gjithë kësaj, Bojd Heçi jo vetëm që gjeti gëzim, por duke dhënë me vullnet të lirë dhe me vetëmohim nga vetja, ai gjeti Jezusin.7

Një pjesë e shoqërisë sonë, që me dëshpërim ka dëshirë për një shprehje të dashurisë së vërtetë, gjendet midis atyre që po u shtohen vitet e moshës dhe veçanërisht kur ata vuajnë nga brejtja e vetmisë. Era drithëruese e shpresave të vdekura dhe ëndrrave të shuara fëshfërin ndër radhët e të moshuarve dhe atyre që janë pranë fundit të jetës së tyre.

“Ajo që u nevojitet në vetminë e viteve të moshimit të tyre, është, pjesërisht të paktën, ajo që na nevojitej neve në vitet e pasigurta të rinisë sonë; një ndjesi përkatësie, një siguri se na donin dhe shërbesat dashamirëse nga zemra dhe duar të dashura; jo thjesht formalitet nga detyra, jo vetëm një vend në një ndërtesë, por një vend në zemrën dhe jetën e dikujt” [Richard L. Evans, Thoughts … for One Hundred Days (1966), f. 222].8

Pamja
Presidenti Monson dhe Telma Fecer

“Një pjesë e shoqërisë sonë, që me dëshpërim ka dëshirë për një shprehje të dashurisë së vërtetë, gjendet midis atyre që po u shtohen vitet e moshës dhe veçanërisht kur ata vuajnë nga brejtja e vetmisë.”

Ne kemi përgjegjësinë t’u ofrojmë ndihmë si dhe shpresë të uriturve, të pastrehëve dhe të shtypurve si në shtëpi, ashtu edhe jashtë. Një përkrahje e tillë po sigurohet për bekimin e të gjithëve. Në një mori qytetesh, ku nevoja e ka tejkaluar ndihmën, ka jetë që janë lartësuar, zemra që janë prekur dhe ngrysja nga dëshpërimi është shndërruar në buzëqeshje nga vetëbesimi, falë bujarisë së anëtarësisë së Kishës nëpërmjet pagesës së ofertave të tyre të agjërimit sikurse ka urdhëruar Zoti.9

E falënderoj Perëndinë për punën e mjekëve tanë që i lënë për ca kohë klinikat e tyre private dhe udhëtojnë drejt tokave të largëta për t’u dhënë shërbesë fëmijëve. Qiellza e ndarë dhe shformime të tjera që do ta linin një fëmijë të cenuar nga ana fizike dhe të dëmtuar nga ana psikologjike, po riparohen me mjeshtëri prej tyre. Dëshpërimi kthehet në shpresë. Mirënjohja zëvendëson pikëllimin. Këta fëmijë tani mund të shohin në pasqyrë dhe të mahniten nga mrekullia në vetë jetën e tyre. …

Në ishujt e largët të Paqësorit, qindra njerëz që qenë pothuajse të verbër, tani shohin për shkak se një misionar i tha kunatit të tij mjek: “Lëre klientelën tënde të pasur dhe rehatinë e shtëpisë sate luksoze dhe eja te këta fëmijë të veçantë të Perëndisë që kanë nevojë për zotësitë e tua sa më shpejt”. Oftalmologu u përgjigj pa asnjë ngurrim. Sot ai komenton qetësisht se kjo vizitë qe shërbimi më i mirë që ai ka dhënë, dhe paqja që i erdhi në zemër, qe bekimi më i madh i jetës së tij.10

3

Pendimi na sjell shpresë.

Pak kohë më parë, dëgjova dëshminë e një gruaje e cila, me burrin e saj, ishin larguar nga shtegu i sigurisë, duke i thyer urdhërimet dhe, ndërkohë, pothuajse duke e shkatërruar familjen e tyre. Kur secili prej tyre më së fundi mundi të shihte përmes mjegullës së errët të vartësisë dhe të kuptonte se sa e palumtur ishte bërë jeta e tyre, si edhe sa shumë po i lëndonin të afërmit e tyre, ata filluan të ndryshonin. Procesi i pendimit iu duk i ngadalshëm dhe, me raste, ishte i dhembshëm, por me ndihmën e udhëheqësve të priftërisë, së bashku me ndihmën nga familja dhe miqtë e tyre besnikë, ata e përshkuan udhën e tyre të kthimit.

Po ju jap një pjesë të dëshmisë së kësaj motre lidhur me fuqinë shëruese të pendimit: “Si shkon dikush nga të qenit një prej deleve të humbura dhe i mbërthyer nga [mëkati], deri te kjo paqe dhe lumturi që ndiejmë tani? Si ndodh kjo? Përgjigjja … është për shkak të një ungjilli të përsosur, një Biri të përkryer dhe flijimit të Tij për mua. … Atje ku kishte errësirë, tani ka dritë. Atje ku kishte dëshpërim e dhembje, ka gëzim e paqe. Ne jemi bekuar pafundësisht nga ndryshimi që mund të vijë vetëm nëpërmjet pendimit të mundësuar me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Shpëtimtari ynë vdiq për t’ju siguruar juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Pavarësisht nga fakti që shtegu është i vështirë, premtimi është i vërtetë. U tha Zoti atyre që pendohen:

“Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora” (Isaia 1:18).

“Dhe nuk do [t’i] kujtoj më [ato]” [Jeremia 31:34].11

4

Shpëtimtari është drita jonë e shpresës.

Ndërsa shohim botën rreth nesh, përballemi me probleme që janë serioze dhe që na shqetësojnë shumë. Duket sikur bota është zgjidhur nga moli i sigurisë dhe është zhvendosur nga limani i paqes.

Lejimi, imoraliteti, pornografia, pandershmëria dhe një mori të ligash të tjera bëjnë që shumë vetë të tronditen në një det mëkati dhe të dërrmohen në shkëmbinjtë e thepisur nënujorë të mundësive të humbura, bekimeve të çuara dëm dhe ëndrrave të shkatërruara.

Këshilla ime për të gjithë ne është të shohim tek fari i Zotit. Nuk ka mjegull aq të dendur, natë aq të errët, tufan aq të fortë, marinar aq të humbur, saqë drita e tij sinjalizuese të mos mund ta shpëtojë. Ai na sinjalizon gjatë stuhive të jetës. Fari i Zotit dërgon sinjale që dallohen lehtë dhe nuk dështojnë kurrë.

Unë i dua fjalët që gjenden tek Psalmi: “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, … unë i kërkoj ndihmë Zotit, … dhe kështu do të shpëtoj nga armiqtë e mi” [Psalmeve 18:2–3].

Zoti na do ne, vëllezërit dhe motrat e mia, dhe do të na bekojë kur i përgjërohemi Atij.12

Mësuesin mund ta gjeje mes të varfërve, të nënshtruarve, të shtypurve dhe të pikëlluarve. Ai u solli shpresë të pashpresëve, forcë të dobtëve dhe liri robërve. Ai dha mësim për një jetë më të mirë që do të vinte, madje jetën e përjetshme. Kjo njohuri i drejton përherë anëtarët e Kishës, sepse ne e kemi marrë të gjithë urdhëresën hyjnore: “Ndiqmë!” Kjo i rrëfeu udhën Pjetrit. I dha shtysë Palit. Kjo mund të vendosë fatin tonë vetjak. A mund ta marrim vendimin që ta ndjekim Shëlbuesin e botës në drejtësi dhe të vërtetë? Me ndihmën e tij, një djalë rebel mund të bëhet një burrë i bindur, një vajzë e pabindur mund ta hedhë mënjanë variantin e vjetër të vetes dhe t’ia nisë nga e para. Njëmend, ungjilli i Jezu Krishtit mund të ndryshojë jetë.13

Si një projektor i fortë i së vërtetës, ungjilli [i Jezu Krishtit] do ta drejtojë rrugëtimin tonë përgjatë shtigjeve të jetës. O, sa të bekuar jemi që e kemi këtë shpresë që nuk venitet kurrë e që gjithnjë ndriçon, dhe njohurinë e përjetshme që na përket dhe që e ndajmë me botën; që ungjilli është rivendosur në tokë, që Perëndia jeton dhe që Jezusi është Biri i Tij, vëllai ynë i madh, ndërmjetësi ynë me Atin, Zoti ynë dhe Shpëtimtari ynë.14

Ne kthehemi prapa në kohë që të mund të shkojmë përpara me shpresë. … Prapa, prapa tek Ai që eci nëpër shtigjet e pluhurosura të fshatrave që ne tani me nderim i quajmë Toka e Shenjtë, tek Ai që i bëri të verbërit të shihnin, të shurdhët të dëgjonin, të çalët të ecnin dhe të vdekurit të jetonin. Tek Ai që me butësi dhe dashuri na siguroi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Të vërtetat e tij të qëndrueshme mbizotërojnë në këto kohë ndryshimi. Ai [na] flet… sikurse u foli turmave që dyndeshin për tek Ai aq shumë vjet më parë.

A ju kujtohen fjalët e Tij? A ju vijnë ndër mend veprimet e Tij? A i pasqyroni mësimet e Tij në jetën tuaj? Fjalët e Tij dhe ato të Apostujve të Tij janë si rreze shprese që përshkojnë mërzinë e dëshpërimit.15

Zhvilloni një dëshirë të zemrës për ta njohur Zotin, për t’i kuptuar urdhërimet e Tij dhe për ta ndjekur Atë. Atëherë hijet e dëshpërimit largohen nga rrezet e shpresës, hidhërimi kthehet në gëzim dhe ndjenja e të qenit i humbur në turmën e jetës, zhduket me njohurinë e sigurt që Ati ynë Qiellor është i vetëdijshëm për secilin prej nesh.16

Pamja
Krishti duke ushqyer një qengj

“Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Shembulli dhe forca jonë. Ai është drita që shkëlqen në errësirë. Ai është Bariu i Mirë.”

Teksa e shqyrtojmë shtegun ku eci Jezusi, ne do të shohim se shtegu e çoi Atë nëpër shumë prej sfidave të njëjta që ne vetë do të hasim në jetë. … Sidoqoftë, ndërkohë që do ta gjejmë shtegun tonë plot keqardhje të hidhur, ne mund të gjejmë edhe lumturi të madhe. …

Teksa përpiqemi ta vëmë Krishtin në qendër të jetës sonë duke i mësuar fjalët e Tij, duke i ndjekur mësimet e Tij dhe duke ecur në shtegun e Tij, Ai ka premtuar se do ta ndajë me ne jetën e përjetshme të cilën Ai vdiq për ta fituar. Nuk ka qëllim më të lartë se ky, që ne duhet të zgjedhim t’i pranojmë mësimet e Tij dhe të bëhemi dishepujt e Tij e ta bëjmë punën e Tij gjatë gjithë jetës sonë. Asgjë tjetër, asnjë zgjedhje tjetër që bëjmë, nuk mund të na bëjë ata që mund të na bëjë Ai.17

Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Shembulli dhe forca jonë. Ai është drita që shkëlqen në errësirë. Ai është Bariu i Mirë. Ndonëse i angazhuar në shërbesën e Tij madhështore, Ai e përqafoi mundësinë për të hequr barrët, për të dhënë shpresë, për t’i ndrequr trupat dhe për ta rikthyer jetën. … Fjalët e Tij u bënë udhërrëfimi ynë: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” [Gjoni 16:33].18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson theksoi se “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (pjesa 1). Si e keni parë fuqinë e shpresës ta mundë dëshpërimin? Si mund të sjellim “një ndriçim të përkryer të shpresës” në jetën tonë?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia e Presidentit Monson rreth Bojd Heçit? (Shih te pjesa 2.) Kur ju ka ndihmuar dikush të keni shpresë në kohë nevoje? Përsiatni se si mund ta ndihmoni dikë që po lufton për të gjetur shpresë.

  • Pse pendimi na ndihmon të ndiejmë shpresë? (Shih te pjesa 3.) Çfarë ndjenjash keni kur mendoni rreth premtimit të Zotit për falje?

  • Si ju ka udhërrëfyer Zoti përmes mjegullës, errësirës ose stuhive? (Shih te pjesa 4.) Pse ndjekja e Shpëtimtarit na sjell shpresë? Si mund të gjejmë shpresë në kohë dëshpërimi dhe pikëllimi? Merrni parasysh atë që mund të bëni për ta vënë Krishtin në qendër të jetës suaj, sikurse këshillon Presidenti Monson.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Vajtimeve 3:25–26; Romakëve 15:13; Alma 13:28–29; 34:41; Ethëri 12:4, 32; Moroni 7:41

Ndihmë për Studimin

“Kur i përkushtoni kohë çdo ditë, për veten tuaj dhe me familjen tuaj, studimit të fjalës së Perëndisë, paqja do të mbizotërojë në jetën tuaj. Ajo paqe nuk do të vijë nga bota e jashtme. Do të vijë nga brenda shtëpisë suaj, nga brenda familjes suaj, nga brenda vetë zemrës suaj” (Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Liahona, nëntor 2014, f. 93).

Shënime

  1. Examples of Great Teachers”, Ensign, qershor 2007, f. 111.

  2. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 30. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  3. Examples of Great Teachers”, f. 111–112.

  4. Finishers Wanted”, Ensign, qershor 1989, f. 5.

  5. Dedication Day”, Ensign, nëntor 2000, f. 65.

  6. Come Listen to a Prophet’s Voice: Frame Your Life with Faith”, Friend, korrik 2006, f. 2.

  7. The Search for Jesus”, Ensign, dhjetor 1990, f. 5.

  8. Gifts”, Ensign, maj 1993, f. 61–62.

  9. Conference Is Here”, Ensign, maj 1990, f. 4.

  10. A Little Child Shall Lead Them”, Ensign, maj 1990, f. 54.

  11. Zbatoni Urdhërimet”, Liahona, nëntor 2015, f. 85.

  12. Një Fjalë në Mbyllje”, Liahona, maj 2010, f. 113.

  13. Kanarina me Ngjyrë Gri në Krahët e Tyre”, Liahona, qershor 2010, f. 4.

  14. Në Conference Report, tetor 1966, f. 11.

  15. Teachings of Thomas S. Monson, përmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 155. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  16. In Harm’s Way”, Ensign, maj 1998, f. 47.

  17. Sheshoje Shtegun e Këmbëve të Tua”, Liahona, nëntor 2014, f. 86–87, 88.

  18. Meeting Life’s Challenges”, Ensign, nëntor 1993, f. 71.

Shtyp në Letër