“Kapitulli 16: Tempulli – Një Burim Fuqie dhe Bekimesh”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 16”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 16
Tempulli – Një Burim Fuqie dhe Bekimesh
“Ndodh në [tempujt] që qielli e toka takohen dhe Ati ynë Qiellor u jep fëmijëve të Tij bekimet e Tij më të mëdha.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
Gjatë gjithë shërbimit të tij si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, si këshilltar në Presidencën e Parë dhe si President i Kishës, Tomas S. Monsoni synoi t’i shtrinte bekimet e tempullit tek anëtarët e Kishës në mbarë botën. Ndërtimi i tempujve u shtua ndjeshëm gjatë këtyre viteve, sikurse e përmblodhi Presidenti Monson në konferencën e përgjithshme të prillit 2016:
“Kur u bëra anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1963, ishin 12 tempuj në funksionim në të gjithë Kishën. Me përkushtimin e Tempullit të Provo-Siti‑Sentërit [në vitin 2016], tani janë 150 tempuj në funksionim në mbarë botën. Sa mirënjohës jemi për bekimet që marrim në këto shtëpi të shenjta!”1
Tempujt qenë të rëndësishëm për Presidentin Monson edhe në mënyra vetjake. Ai tha: “Në vetë familjen time, disa nga përvojat tona më të shenjta e më të çmuara kanë ndodhur kur jemi mbledhur së bashku në tempull për të kryer ordinanca vulosëse për paraardhësit tanë të vdekur”2. Kryerja e këtyre vulosjeve e “forcoi dashurinë që kemi për njëri‑tjetrin dhe detyrimin që kemi për të jetuar të denjë për trashëgiminë tonë”3.
Kur Presidenti Monson po shërbente si peshkop, një nga anëtaret e lagjes së tij qe Augusta Shnaider, një vejushë nga zona e Alsasë‑Lorenës në Europë. Një ditë ajo i dha atij një thesar që e kishte për zemër: një copëz të bukur shajaku në të cilën kishte kapur medaljet që i shoqi kishte marrë kur kishte qenë anëtar i forcave franceze në Luftën I Botërore. Peshkopi Monson sugjeroi që ajo t’ia jepte medaljet një pjesëtari të familjes, por ajo qe e palëkundur në dëshirën që t’i kishte ai ato. “Dhurata është juaja”, – i tha ajo, “sepse ju keni shpirtin e një francezi.” Augusta Shnaider vdiq shpejt paskëtaj dhe shpesh ai bluante në mendje dhuratën dhe fjalët e saj.
Shumë vjet më vonë, Presidenti Monson pati përshtypjen që t’i merrte me vete medaljet kur e shoqëroi Presidentin Ezra Taft Benson për të përkushtuar Tempullin e Frankfurtit në Gjermani. “Në një sesion përkushtimi për frëngjishtfolësit, tempulli qe i mbushur plot”, – tha ai. “Pashë nga shënimet e mia të drejtimit të mbledhjes që sesioni përfshinte anëtarë nga zona e Alsasë‑Lorenës.
“Duke folur, vërejta se organisti e kishte mbiemrin Shnaider. Prandaj e lidha ndodhinë e shoqërimit tim me Augusta Shnaiderin, më pas iu afrova organos dhe i tregova organistit medaljet së bashku me porosinë që, meqë mbiemri i tij ishte Shnaider, ai kishte një përgjegjësi [që] të kërkonte [mb]iemrin Shnaider në veprimtaritë e tij gjenealogjike. Shpirti i Zotit e [vërtetoi] në zemrat tona që ky ishte një sesion i veçantë. Vëllai Shnaider e pati të vështirë të përgatitej të luante në organo [numrin] e mbylljes për shërbimin [përkushtues], aq shumë u prek nga Shpirti që ne ndiem në tempull.
Unë e kuptova që dhurata e çmuar – madje monedhat e [gruas së ve], sepse ishte gjithçka që kishte Augusta Shnaider– u vendos në duart e dikujt që do të siguro[hej] se shumë njerëz me shpirt francez mund të merrnin tani bekimet që sigurojnë tempujt e shenjtë, si për të gjallët dhe për ata që kanë kaluar përtej vdekshmërisë.”4
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Ia vlen çdo përpjekje për t’i marrë ordinancat shpëtuese.
Tempujt janë më shumë se gurë dhe llaç. Ata janë të mbushur me besim e agjërim. Ata janë ndërtuar nga sprovat e dëshmitë. Ata janë shenjtëruar nga sakrifica dhe shërbimi.
Tempulli i parë që u ndërtua në këtë periudhë ungjillore, ishte tempulli në Kirtland të Ohajos. Shenjtorët në atë kohë ishin të varfëruar dhe [megjithatë] Zoti kishte urdhëruar që një tempull të ndërtohej, kështu që ata e ndërtuan atë. Shkroi Plaku Hiber C. Kimball për përvojën: “Vetëm Zoti i di skenat e varfërisë, vuajtjes dhe ankthit përmes të cilave kaluam për ta përmbushur atë” [në Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball (1945), f. 67]. Dhe pastaj, pasi gjithë kjo ishte përmbushur me përpikëri, shenjtorët u detyruan të braktisnin Ohajon dhe tempullin e tyre të dashur. Ata përfundimisht gjetën strehim – ndonëse do të ishte i përkohshëm – në brigjet e lumit Misisipi në shtetin e Ilinoisit. Ata e quajtën ngulimin e tyre Navu dhe, të gatshëm të jepnin përsëri gjithçka e me besimin e tyre të pacënuar, ata i ngritën një tempull tjetër Perëndisë së tyre. Përndjekjet u tërbuan kundër tyre, megjithatë, dhe me Tempullin e Navusë që mezi kishin përfunduar, ata u përzunë sërish nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar strehim në një vend të shkretë.
Beteja dhe sakrifica filluan sërish ndërsa ata punuan për 40 vjet, që të ngrinin tempullin e Solt‑Lejkut. …
Njëfarë shkallë sakrifice është shoqëruar gjithmonë me ndërtimin e tempujve dhe me pjesëmarrjen në tempull. Janë të panumërt ata që kanë punuar dhe janë përpjekur për të siguruar, për vete dhe për familjet e tyre, bekimet që gjenden në tempujt e Perëndisë.5
Më lejoni të ndaj me ju historinë e Tihi e Tararaina Mou Tam-[it] dhe 10 fëmijëve të tyre. E gjithë familja, përveç një bije, u bashkua me Kishën nga fillimi i viteve 1960 kur misionarët shkuan në ishullin e tyre, që ndodhet rreth 160 kilometra në jug të Tahitit. Shpejt ata filluan të dëshirojnë bekimet e një familjeje të përjetshme të vulosur në tempull.
Në atë kohë, tempulli më i afërt për familjen Mou Tam ishte Tempulli i Hamiltonit në Zelandën e Re, 4 000 kilometra në jugperëndim, i arritshëm vetëm nëpërmjet udhëtimit të shtrenjtë me aeroplan. Familja e madhe Mou Tam, që mezi siguronte një jetesë të varfër në një plantacion të vogël, nuk kishte pará për udhëtimin me aeroplan, as nuk kishte ndonjë mundësi për punësim në ishullin e tyre në Paqësor. Kështu, Vëllai Mou Tam dhe djali i tij Zherardi, morën vendimin e vështirë që të udhëtonin 4 800 kilometra për të punuar në Kaledoninë e Re, ku një tjetër bir qe punësuar tashmë.
Tre burrat e familjes Mou Tam punuan për katër vite [që të kursenin] mjaftueshëm para sa ta çonin familjen në tempullin e Zelandës së Re. Të gjithë që qenë anëtarë, shkuan, përveç një bije, që po priste një fëmijë. Ata u vulosën për kohën dhe përjetësinë, një përvojë e papërshkrueshme dhe e gëzueshme.
Vëllai Mou Tam u kthye nga tempulli drejtpërdrejt në Kaledoninë e Re, ku punoi edhe për dy vite të tjera që të paguante për udhëtimin e bijës së vetme që nuk kishte qenë në tempull me ata – një bijë e martuar dhe fëmija e bashkëshorti i saj.
Në vitet e tyre më tej, Vëllai dhe Motra Mou Tam dëshiruan të shërbenin në tempull. Gjatë asaj kohe, Tempulli i Papitit në Tahiti u ndërtua e u përkushtua dhe Vëllai e Motra Mou Tam shërbyen katër misione atje.6
Përse kaq shumë njerëz janë të gatshëm të japin kaq shumë me qëllim që të marrin bekimet e tempullit? Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që të marrin ato bekime. Nuk ka kurrë shumë kilometra për të udhëtuar, shumë pengesa për të kapërcyer apo shumë shqetësime për të duruar. Ata e kuptojnë se ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe të na jepen bekime dhe fuqi që nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje. …
Nëse keni qenë në tempull për vete dhe nëse jetoni relativisht afër një tempulli, sakrifica që mund t’ju duhet të bëni, është që të lini mënjanë kohë, në jetën tuaj të angazhuar, për ta vizituar tempullin rregullisht. Ka shumë për t’u bërë në tempujt tanë në emër të atyre që presin përtej velit. Ndërsa e bëjmë punën për ta, ne e dimë se kemi kryer atë që ata nuk mund ta bëjnë për vete.7
2
Tempulli na jep qëllim për jetën tonë dhe i sjell paqe shpirtit tonë.
Në tempull jepet mësim plani i çmuar i Perëndisë. Pikërisht në tempull bëhen besëlidhjet e përjetshme. Tempulli na lartëson, na ekzalton, qëndron si fanar që ta shohin të gjithë dhe na orienton drejt lavdisë çelestiale. Ai është shtëpia e Perëndisë. Gjithçka që ndodh brenda mureve të tempullit, është lartësuese dhe fisnikëruese. …
Kur ne e … duam tempullin, jeta jonë do të [pasqyrojë] besimin tonë. Kur shkojmë te shtëpia e shenjtë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Tempulli na jep qëllim për jetën tonë. Ai sjell paqe në shpirtin tonë – jo paqen që japin njerëzit, por paqen e premtuar nga Biri i Perëndisë.8
Asnjë person nuk mund të shkojë në tempull për veten ose për dikë tjetër pa mësuar diçka. Ndërsa mësojmë, ne arrijmë të dimë dhe kur arrijmë të dimë, arrijmë të bëjmë dhe ai është qëllimi ynë, t’i shërbejmë Atit tonë Qiellor dhe të ndihmojmë të tjerët përgjatë udhës.9
Teksa hyjmë përmes dyerve të tempullit, ne lëmë pas shpërqendrimet dhe pështjellimin e botës. Brenda kësaj shenjtëroreje të shenjtë, ne gjejmë bukuri dhe rregull. Gjendet prehje për shpirtrat tanë dhe një pushim prej halleve të jetës sonë.
Teksa e frekuentojmë tempullin, mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje, që do ta kapërcejnë çdo ndjenjë tjetër, e cila mund të lindë brenda zemrës njerëzore. Ne do ta rrokim mirë domethënien e vërtetë të fjalëve të Shpëtimtarit, kur Ai tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: … zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” [Gjoni 14:27].
Një paqe e tillë mund ta përshkojë cilëndo zemër – zemrat që janë të shqetësuara, zemrat që janë të rënduara me hidhërim, zemrat që ndiejnë pështjellim, zemrat që përgjërohen për ndihmë.10
3
Kur bëjmë histori familjare dhe shërbejmë në tempull, ne bëhemi shpëtimtarë në malin e Sionit.
Një shërbim i madh bëhet kur ne kryejmë ordinanca mëkëmbëse për ata që kanë kaluar përtej velit. Në shumë raste, ne nuk i njohim ata për të cilët kryejmë punën. Ne nuk presim falënderime, as kemi sigurinë se ata do ta pranojnë atë që ne ofrojmë. Sidoqoftë, ne shërbejmë dhe në këtë proces arrijmë atë që nuk arrihet me asnjë përpjekje tjetër: ne bëhemi në kuptimin e vërtetë të fjalës [shpëtimtarë] në Malin Sion. Ashtu si Shpëtimtari ynë dha jetën e Tij si një sakrificë mëkëmbëse për ne, në një masë disi të vogël, ne bëjmë të njëjtën gjë kur kryejmë punë [me mëkëmbës] në tempull për ata që nuk kanë mjete të shkojnë përpara, po të mos bëhet diçka për ta nga ata prej nesh këtu mbi tokë.11
Zoti nuk ka treguar kurrë … se puna e Tij është e kufizuar vetëm në vdekshmëri. Përkundrazi, puna e Tij përqafon përjetësinë. Unë besoj se Ai po e përshpejton punën e Tij në botën e shpirtrave. Besoj gjithashtu se, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij atje, Zoti po përgatit shumë shpirtra për të marrë ungjillin. Puna jonë është që t’i kërkojmë të vdekurit tanë e më pas të shkojmë në tempull e të kryejmë ordinancat e shenjta që do t’u sjellin atyre përtej velit të njëjtat mundësi që kemi ne. …
Zoti pret nga ju dhe unë që ta kryejmë mirë punën tonë për historinë familjare. Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë nëse duam ta kryejmë mirë punën tonë, është të kemi Shpirtin e Atit tonë Qiellor me vete. Kur jetojmë me aq drejtësi sa e dimë se duhet të jetojmë, Ai do të na hapë udhën për përmbushjen e bekimeve që i kërkojmë me kaq zjarr e zell.
Ne do të bëjmë gabime, por asnjëri prej nesh nuk mund të bëhet mjeshtër në punën për historinë familjare pa qenë së pari një fillestar. Prandaj, ne duhet të kridhemi në këtë punë dhe duhet të përgatitemi për të ngjitur kodra vështirësish. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por Zoti jua ka caktuar juve e ma ka caktuar edhe mua.
Ndërsa kryeni punën për historinë familjare, do ta gjeni veten duke hasur pengesa dhe do të thoni me vete: “Nuk kam ç’të bëj tjetër”. Kur të arrini në atë pikë, uluni në gjunjë dhe kërkojini Zotit t’ua hapë udhën dhe Ai do ta hapë udhën për ju. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë.
Ati Qiellor i do fëmijët e Tij në botën e shpirtrave po aq sa ju do ju dhe mua. … Ka miliona e miliona fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Krishtit përpara se të vdisnin e të shkonin në botën e shpirtrave. Por tani atyre u është mësuar ungjilli dhe po presin ditën kur ju dhe unë të bëjmë kërkimet e nevojshme për të hapur udhën, në mënyrë që të shkojmë në shtëpinë e Zotit e të kryejmë për ta punën që ata nuk mund ta kryejnë vetë.12
Drita e Krishtit do të shkëlqejë mbi të gjithë – madje edhe mbi ata që e kanë kaluar cakun. Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918), kur foli mbi punën për të vdekurit, daklaroi: “Nëpërmjet përpjekjeve tona në emër të tyre, zinxhirët e robërimit do të bien nga ata dhe errësira që i rrethon do të hiqet, që drita të mund të ndriçojë mbi ta dhe ata të dëgjojnë në botën e shpirtrave për punën që është bërë për ta nga fëmijët e tyre këtu, dhe ata do të gëzohen bashkë me ju për kryerjen prej jush të këtyre detyrave” [Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 247].13
4
Në tempull marrim bekimet kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë.
Sa larg është qielli? Unë dëshmoj se në tempujt e shenjtë nuk është aspak larg – pasi vetëm në këto vende të shenjta qielli dhe toka takohen dhe Ati ynë Qiellor u jep fëmijëve të Tij bekimet e Tij më të mëdha.14
Juve që jeni të denjë dhe të aftë të shkoni në tempull, unë do t’ju këshilloja të shkoni shpesh. Tempulli është një vend ku ne mund të gjejmë paqe. Atje ne marrim një përkushtim të përtëritur ndaj ungjillit dhe një vendosmëri të përforcuar për të mbajtur urdhërimet.
Çfarë privilegji është të jesh në gjendje të shkosh në tempull, ku ne mund të provojmë ndikimin shenjtërues të Shpirtit të Zotit.15
Nëse nuk keni qenë ende në tempull, ose nëse keni qenë por aktualisht nuk kualifikoheni për një rekomandim, nuk ka synim më të rëndësishëm për ju drejt të cilit të punoni, sesa të jeni të denjë për të shkuar në tempull. Sakrifica juaj mund të jetë që ta përshta[t]ni jetën me atë çfarë kërkohet për të marrë një rekomandim tempulli, ndoshta duke braktisur zakone të pasura prej kohësh, të cilat ju shkualifikojnë. Mund të jetë pasja e besimit dhe e disiplinës së kërkuar për të paguar të dhjetën tuaj. Çfarëdo që të jetë, kualifikohuni për të hyrë në tempullin e Perëndisë. Siguroni një rekomandim tempulli dhe konsiderojeni atë si një zotërim të çmuar, sepse i tillë është.
Deri sa të keni hyrë në Shtëpinë e Zotit dhe të keni marrë të gjitha bekimet që ju presin ju atje, ju nuk keni marrë gjithçka që Kisha ka për të ofruar. Bekimet tepër të rëndësishme dhe kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë janë ato bekime që i marrim në tempujt e Perëndisë. …
Unë i shpreh mirënjohjen time të përjetshme Atit tim Qiellor … për të gjithë tempujt tanë, kudo që janë. Secili qëndron si një fanar për botën, një shprehje e dëshmisë sonë se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, jeton, se Ai dëshiron të na bekojë dhe, vërtet, të bekojë bijtë e bijat e Tij të të gjithë brezave. Secili prej tempujve tanë është një shprehje e dëshmisë sonë se jeta përtej varrit është po aq reale dhe e sigurt sa është jeta jonë këtu në tokë. Unë dëshmoj kështu.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, le të bëjmë çfarëdo sakrificash të nevojshme për të shkuar në tempull dhe për të pasur shpirtin e tempullit në zemrat dhe shtëpitë tona. Le të ndjekim gjurmët e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, që bëri sakrificën më të lartë për ne, që ne të mund të kemi jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Atit tonë Qiellor.16
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Presidenti Monson dha mësim se “njëfarë shkallë sakrifice është shoqëruar gjithmonë me ndërtimin e tempujve dhe me pjesëmarrjen në tempull” (shih te pjesa 1). Cilat janë përshtypjet tuaja ndërsa rishikoni tregimet e Presidentit Monson rreth sakrificës së lidhur me tempujt? Si mund t’i gëzojmë më plotësisht bekimet e tempullit?
-
Shqyrtojini bekimet e shumta të tempujve, sikurse përvijohen te pjesa 2. Si mund të na ndihmojë frekuentimi i tempullit për t’i duruar sprovat tona? Si mund të na ndihmojë kjo për ta mposhtur tundimin? Si ju ka ndihmuar frekuentimi i tempullit të gjeni paqe në kohë telashesh? Çfarë keni kuptuar me ndihmën e tempullit rreth qëllimit të jetës?
-
Çfarë do të thotë të jemi “shpëtimtarë në Malin e Sionit”? (pjesa 3; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 128:5–18; 138:47–48, 53–54, 57–58). Çfarë ndjenjash keni kur merrni ordinanca tempulli për ata që kanë vdekur? Si ju ka ndihmuar historia familjare dhe shërbimi në tempull që t’ju kthehet zemra te pjesëtarët e familjes suaj, edhe të vdekur edhe të gjallë? Në çfarë mënyrash jeni bekuar si rezultat i bërjes së punës për historinë familjare?
-
Presidenti Monson theksoi se në tempull, ne marrim “bekimet kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë” (pjesa 4). Në çfarë mënyrash ju ka bekuar ju dhe familjen tuaj marrja e ordinancave të tempullit dhe pjesëmarrja në to? Përse është e rëndësishme që ne të shkojmë në tempull shpesh, atje ku është e mundur? Si mund ta rritim ndikimin e tempullit në vetë jetën tonë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
2 Samuelit 7:4–6; Mateu 21:12–13; 2 Nefi 5:16; Doktrina e Besëlidhje 97:12–17; 109:1–26; 110:7–8
Ndihmë për Studimin
“Të vepruarit sipas asaj që keni mësuar, do t’ju sjellë një kuptim të ri dhe të qëndrueshëm (shih te Gjoni 7:17)” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19). Merrni parasysh të pyesni veten se si mund t’i zbatoni mësimet e ungjillit në shtëpi, në punë dhe në përgjegjësitë tuaja në Kishë.