“Kapitulli 5: Liria e Zgjedhjes: Dhurata e Zgjedhjes”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 5”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 5
Liria e Zgjedhjes: Dhurata e Zgjedhjes
“Të gjitha zgjedhjet tona kanë pasoja, disa prej të cilave kanë pak ose aspak të bëjnë me shpëtimin tonë të përjetshëm [dhe] të tjerat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
“I jam kaq mirënjohës një Ati të dashur Qiellor për dhuratën e [T]ij të lirisë së zgjedhjes, ose të drejtën për të zgjedhur”, – tha Presidenti Monson.1 Mes mësimeve të tij të shumta rreth përdorimit të lirisë së zgjedhjes me mençuri, ai tregoi ndodhinë në vijim nga vetë jeta e tij:
“Mendimet kthehen te një ditë kur po më afrohej ditëlindja ime e tetëmbëdhjetë. Të gjithë ishim shumë të frikësuar. Po zhvillohej ende Lufta II Botërore dhe çdo i ri e dinte se duhej të bënte një zgjedhje. Nuk kishte shumë liri veprimi në zgjedhje: ai mund të zgjidhte që të shkonte në ushtri ose mund të zgjidhte që të shkonte në marinë. U regjistrova në marinë.
Dyzet e katër nga ne të rinjtë qëndruam atje në zyrën e rekrutimit. Nuk do ta harroj asnjëherë kur nënoficerët erdhën te ne dhe na paraqitën një zgjedhje. Ata thanë: ‘Tani, ju të rinj, duhet të bëni një zgjedhje të rëndësishme. Nga njëra anë, mund të jeni të mençur dhe të zgjidhni që t’i bashkoheni marinës së zakonshme. Mund të regjistroheni për katër vite. Do të merrni shkollimin më të mirë. Do t’ju jepet çdo mundësi sepse marina ju sheh si pjesë të sajën. Nëse zgjidhni të mos e ndiqni këtë drejtim, mund të shkoni te rezerva e flotës detare. Marina nuk ka dhe aq shumë interes për rezervën detare në atë pikë të luftës. Nuk do të shkolloheni. Do të dërgoheni me detyrë në det. Askush nuk e di se si do të jetë e ardhmja juaj.’
Më pas na kërkuan të nënshkruanim te vija e ndërprerë. U ktheva nga im atë dhe i thashë: ‘Çfarë duhet të bëj baba?’
Me një zë të mbytur nga emocionet, ai u përgjigj: ‘Nuk di asgjë për marinën’. Në këtë pozicion ishte çdo baba që ndodhej atje atë ditë.
Dyzet e dy nga dyzet e katër u regjistruan në marinën e zakonshme për katër vite. I dyzet e treti nuk mund ta kalonte testin e rregullt fizik të marinës, ndaj duhej të regjistrohej te rezervat.
Më pas ata erdhën tek unë dhe ju rrëfej se i drejtova një lutje qiellit, duke shpresuar tërë zell se Zoti do t’i përgjigjej. Dhe ashtu veproi. Më erdhi mendimi aq qartë sa sikur të kisha dëgjuar një zë: ‘Pyeti ata nënoficerë se cilën zgjodhën’.
E pyeta secilin prej atyre nënoficerëve veteranë: ‘A zgjodhët marinën e zakonshme apo zgjodhët rezervën?’
Secili prej tyre kishte zgjedhur rezervën.
U ktheva dhe thashë: ‘Me gjithë mençurinë dhe përvojën që keni, dua të jem në anën tuaj’.
Zgjodha rezervën, që do të thoshte se u regjistrova për periudhën e luftës, plus gjashtë muaj të tjerë. Lufta mbaroi dhe brenda një viti u lirova me nder nga shërbimi. Isha në gjendje të vazhdoja shkollimin tim. Kisha privilegjin të shërbeja në shumë pozicione të Kishës. Kush e di si do të kishte ndryshuar rrjedha e jetës sime nëse në atë çast nuk do ta kisha thirrur Atit tim Qiellor për udhërrëfim dhe drejtim në atë që mund të dukej se ishte një vendim i vogël!”2
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Kur erdhëm në tokë, sollëm me vete dhuratën e lirisë së zgjedhjes.
Ne e dimë se e kishim lirinë tonë të zgjedhjes përpara se kjo botë të krijohej dhe se Luciferi u përpoq të na e [hiqte]. Ai nuk kishte fare besim [te] parimi [i] lirisë së zgjedhjes apo [te] ne dhe argumentoi për shpëtimin me detyrim. Ai nguli këmbë që me [alternativën e tij për planin e Atit,] asnjë nuk do të humbiste, por duket se nuk pranonte – ose ndoshta nuk shqetësohej – që, përveç kësaj, askush nuk do ishte më i mençur, më i fortë, më i dhembshur apo diçka më mirënjohës, nëse do të ndiqej [alternativa e] tij.3
Kur erdhëm në tokë, ne sollëm me vete atë dhuratë të madhërishme nga Perëndia – madje lirinë tonë të zgjedhjes. Ne jemi të privilegjuar në mijëra mënyra për të zgjedhur për veten tonë. Këtu ne mësojmë nga mbikëqyrësi i rreptë i përvojës. Ne dallojmë të mirën nga e liga. Ne bëjmë dallimin mes të hidhurës e të ëmblës. Ne mësojmë se vendimet përcaktojnë fatin.4
Në fillim fare, pasi [Ati Qiellor] i kishte treguar Adamit pemët në Kopsht nga të cilat mund të hante lirisht, Ai më pas e drejtoi vëmendjen e Adamit te njëra pemë dhe e këshilloi atë që nuk duhej të hante nga fr[u]ti i saj. Ai më pas shtoi: “Megjithatë, ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty” [Moisiu 3:17].5
Profeti Lehi na thotë: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; dhe të gjitha gjërat u janë dhënë atyre të cilat janë të nevojshme për njeriun. Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit; pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” [2 Nefi 2:27]. … Brenda kufijve të çfarëdo rrethane në të cilën gjendemi, ne gjithmonë do të kemi të drejtën për të zgjedhur.6
2
Shpëtimtari ynë na fton ta ndjekim shembullin e Tij.
Jam i sigurt se e lamë Atin tonë … me një dëshirë mbizotëruese për t’u kthyer tek Ai, që të mund të fitonim ekzaltimin që Ai planifikoi për ne, dhe të cilin ne, vetë, e dëshironim kaq shumë. Megjithëse na mbetet ta gjejmë dhe ta ndjekim atë shteg që do të na drejtojë të kthehemi tek Ati ynë në Qiell, Ai nuk na dërgo[i] këtu pa drejtim dhe udhërrëfim. Përkundrazi, Ai na i ka dhënë mjetet që na nevojiten, dhe do të na vijë në ndihmë kur e kërkojmë ndihmën e Tij dhe përpiqemi që të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të duruar deri në fund dhe për të marrë jetë të përjetshme.
Për të na ndihmuar në udhërrëfim, ne kemi fjalët e Perëndisë dhe të Birit të Tij që gjenden në shkrimet tona të shenjta. Ne kemi këshillën dhe mësimet e profetëve të Perëndisë. Me një rëndësi të pashoqe, neve na është dhënë një shembull i përsosur për ta ndjekur – madje shembulli i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit – dhe jemi udhëzuar ta ndjekim atë shembull. Tha Shpëtimtari Vetë: … “Veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” [3 Nefi 27:21]. Ai shtroi pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Dhe pastaj Ai u përgjigj: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” [3 Nefi 27:27]. …
Ndërsa shohim te Jezusi si Shembulli ynë dhe ndërsa i ndjekim gjurmët e hapave të Tij, ne mund të kthehemi të sigurt tek Ati ynë Qiellor që të jetojmë me Të përgjithmonë. … Ne nuk kemi nevojë të ecim përgjatë brigjeve të Galilesë apo mes kodrave të Judesë për të ecur atje ku eci Jezusi. Të gjithë ne mund të ecim në shtegun ku eci Ai kur, me fjalët e Tij [që] na kumb[ojnë] në veshë, me shpirtin e Tij [që] na i mbush zemrat dhe mësimet e Tij [që] na e udhërrëf[ejnë] jetën, ne zgjedhim ta ndjekim Atë teksa udhëtojmë nëpër vdekshmëri.7
Kthejini zemrat tuaja dhe drejtojini mendimet tuaja tek Ai i cili shpalli: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” [Gjoni 14:6]. Fjala e Tij është një busull që nuk dështon për të përcaktuar në mënyrë të sigurt drejtimin e vërtetë përgjatë stuhive të jetës. Ai dha mësim për besimin, dashurinë, dashurinë hyjnore dhe shpresën. Ai foli për përkushtimin, kurajën, shembullin dhe besnikërinë. Jeta e Tij pasqyroi mësimet e Tij.
Pjetrit, Filipit, Mateut, Ai u tha: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”. Juve, zëri i Tij ftues, ju përsërit të njëjtën thirrje: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”. Duke e bërë këtë, [ju] nuk do bini pre e dinakërisë së të ligut dhe në kurthin e tundimit.8
3
Secili prej nesh mund të zgjedhë tani që të qëndrojë në shtegun që të çon te jeta e përjetshme.
Duke ngarë makinën për në shtëpi vite më parë, … vura re tre udhëtarë që udhëtonin me makina të rastit, secili prej tyre mbante një tabelë të bërë vetë që njoftonte vendmbërritjen e tij të dëshiruar. Njëra tabelë thoshte “Los‑Anxhelos”, ndërsa e dyta mbante emërtimin “Boisi”. Megjithatë, ishte tabela e tretë që jo vetëm që më tërhoqi vëmendjen, por gjithashtu më bëri të reflektoja dhe ta përsiatja mesazhin e saj. Udhëtari me makinë të rastit nuk kishte shkruar Los‑Anxhelos, Kaliforni, as Boisi, Ajdaho në tabelën prej kartoni që mbante lart. Përkundrazi, tabela e tij përbëhej nga vetëm një fjalë dhe thjesht thoshte “Kudo[qoftë]”.
Ja ku ishte një individ që kënaqej të udhëtonte në ç[farë]do drejtim, sipas tekës së shoferit që ndalonte për t’i bërë një udhëtim falas. Çfarë çmimi të madh duhej të paguante për një udhëtim të tillë! Pa plan. Pa objektiv. Pa synim. Rruga për kudo[qoftë] është rruga për askund dhe rruga për askund të çon në ëndrra të lëna në mëshirë të fatit, mundësi të humbura dhe jetë të papërmbushur.
… Unë dhe ju kemi dhuratën e dhënë nga Perëndia për të zgjedhur drejtimin nga duhet të shkojmë. … Gjithkush duhet të bëjë pyetjet: Ku po shkoj? Si kam ndërmend të shkoj atje? Dhe cili është fati im hyjnor?9
Thonë se porta e historisë lëviz në dy mentesha të vogla dhe po kështu edhe jeta e njerëzve. Zgjedhjet që bëjmë, përcaktojnë fatin tonë.
Jozueu i lashtësisë deklaroi: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, … sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” [Jozueut 24:15].10
Ne nuk mund të jemi asnjanës, nuk ka pozitë të ndërmjetme. Zoti e di këtë; Luciferi e di këtë. Për aq sa jetojmë mbi këtë tokë, Luciferi dhe shërbëtorët e Tij nuk do ta braktisin kurrë shpresën për të marrë shpirtrat tanë. …
Ne jemi rrethuar – madje nganjëherë bombarduar – prej mesazheve të kundërshtarit. Dëgjo[ji]ni disa prej tyre; ato pa dyshim janë të njohura për ju: “Vetëm një herë, s’ka rëndësi”. “Mos ki merak; askush nuk do [ta] marrë vesh.” “Mund ta ndërpresësh duhanpirjen ose pirjen e alkoolit, ose marrjen e drogave kur të duash.” “Të gjithë po e bëjnë, kështu që s’duhet të jetë dhe aq e keqe.” Gënjeshtrat janë pa fund.
Megjithëse në udhëtimin tonë do të hasim degëzime e kthesa në rrugë, ne thjesht nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e një devijimi prej të cilit mund të mos kthehemi kurrë. Luciferi, ai fyelltari magjik, i bie melodisë së tij gazmore dhe [i josh] njerëzit [që nuk dyshojnë,] larg sigurisë së shtegut të tyre të zgjedhur, larg këshillës së prindërve të dashur, larg mbrojtjes së mësimeve të Perëndisë. …
Ne lexojmë për të te 2 Nefi: “Të tjerë ai do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore” [2 Nefi 28:21]. “Të tjerët ai i lajkaton dhe u thotë se nuk ka ferr … derisa i kap ata me zinxhirët e tij të tmerrshëm” [2 Nefi 28:22]. “Dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr” [2 Nefi 28:21].
Kur përballemi me zgjedhje të rëndësishme, si e marrim vendimin? A i jepemi premtimit të kënaqësisë së çastit? Nxitjeve dhe pasioneve tona? Presionit të [bashkëmoshatarëve] tanë?
Le të mos jemi po aq të pavendosur sa Liza në veprën e përkryer artistike të Luis Kerollit “Liza në Botën e Çudirave”. Ju e mbani mend që ajo vjen në një udhëkryq me dy shtigje përpara vetes, secili shtrihej përpara, por në drejtime të kundërta. Asaj i del përpara macja Qeshirë (Buzëqeshëse), të cilën Liza e pyet: “Cilin shteg të ndjek?”
Macja i përgjigjet: “Kjo varet se ku dëshiron të shkosh. Nëse nuk e di se ku dëshiron të shkosh, nuk ka rëndësi se cilin shteg ndjek” [përshtatur nga Luis Keroll, Liza në Botën e Çudirave (1898), f. 89].
Ndryshe nga Liza, ne të gjithë e dimë se ku dëshirojmë të shkojmë, dhe ka rëndësi se në cilën rrugë shkojmë, sepse duke zgjedhur shtegun tonë, ne zgjedhim destinacionin tonë. …
Unë ju [përgjërohem] që, pikërisht këtu, pikërisht tani, të merrni një vendim për të mos u shmangur nga shtegu që do të na çojë tek qëllimi ynë: jeta e përjetshme me Atin tonë në Qiell. Gjatë atij shtegu të drejtë e të vërtetë ka qëllime të tjera: shërbimi misionar, martesa në tempull, veprimtaria në Kishë, studimi i shkrimeve të shenjta, lutja, puna në tempull. Ka qëllime të denja, të panumërta për t’u arritur ndërsa udhëtojmë përmes jetës. I [nevojshëm] është zotimi ynë për t’i arritur ato.11
Kurajë e madhe do të kërkohet kur qëndrojmë besnikë dhe të vërtetë në mes të shtytjeve gjithnjë e në rritje dhe ndikimeve tinëzare, nga të cilat rrethohemi dhe të cilat e shtrembërojnë të vërtetën, e shkatërrojnë të mirën e të hijshmen dhe përpiqen të zëvendësojnë [me] filozofitë e botës, të krijuara nga njerëzit. Nëse urdhërimet do të ishin shkruar nga njer[iu], atëherë për t’i ndryshuar ato nëpërmjet prirjes ose ligjshmërisë, apo nëpërmjet ndonjë mjeti tjetër, do të ishte privilegji i njeriut. Urdhërimet, sidoqoftë, u dhanë nga Perëndia. Duke përdorur lirinë tonë të zgjedhjes, ne mund t’i lëmë ato mënjanë. Megjithatë, ne nuk mund t’i ndryshojmë ato, ashtu sikurse nuk mund t’i ndryshojmë pasojat që vijnë nga mosbindja dhe shkelja e tyre.
Kuptofshim që lumturia jonë më e madhe në këtë jetë do të vijë kur ne i ndjekim urdhërimet e Perëndisë dhe iu bindemi ligjeve të Tij! Më pëlqejnë pa masë fjalët që gjenden tek Isaia kapitulli 32, vargu 17: “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë”. Paqe e tillë, siguri e tillë mund të vijnë vetëm nëpërmjet drejtësisë.12
E zgjedhshim përherë të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë! Teksa mendojmë për vendimet që marrim në jetën tonë çdo ditë – a të bëjmë këtë zgjedhje apo atë zgjedhje – nëse zgjedhim Krishtin, do të kemi bërë zgjedhjen e saktë.13
4
Ndërsa pendohemi për mëkatet tona, Zoti do të na falë.
Të gjitha zgjedhjet tona kanë pasoja, disa prej të cilave kanë pak ose aspak të bëjnë me shpëtimin tonë të përjetshëm [dhe] të tjerat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të.
Nëse vishni një këmishë të gjelbër apo blu [me mëngë të shkurtra] nuk sjell ndonjë ndryshim afatgjatë. Mirëpo, nëse vendosni të shtypni një buton në kompjuterin tuaj, që do t’ju çojë drejt pornografisë, mund të sjellë ndryshim tërësor në jetën tuaj. Ju do të keni hedhur thjesht një hap jashtë shtegut të drejtë e të sigurt. Nëse një shok ju vë nën presion për të pirë alkool apo për të provuar droga dhe ju i jepeni presionit, ju keni devijuar në një rrugë nga e cila ju mund të mos ktheheni. … Ne jemi [të gjithë] të tundueshëm. I mbajtshim sytë tanë, zemrat tona dhe vendosmërinë tonë të përqendruar tek ai qëllim që është i përjetshëm dhe i vlefshëm sa çfarëdo çmimi që mund të na duhet të paguajmë, pavarësisht sakrificës që duhet të bëjmë për ta arritur atë.
Asnjë tundim, asnjë presion, asnjë nxitje nuk mund të na mposhtë, përveç nëse e lejojmë këtë. … Apostulli Pal na ka siguruar: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” [1 Korintasve 10:13].
Ne të gjithë kemi bërë zgjedhje të gabuara. Nëse nuk i kemi korrigjuar tashmë këto zgjedhje, unë ju siguroj se ka një mënyrë për ta bërë këtë. Procesi quhet pendim. [Ju përgjërohem] që t’i korrigjoni gabimet tuaja. Shpëtimtari ynë vdiq për t’ju siguruar juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Megjithëse shtegu nuk është i lehtë, premtimi është i vërtetë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora” [Isaia 1:18]. “Dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” [Doktrina e Besëlidhje 58:42]. Mos e vini në rrezik jetën tuaj të përjetshme. Nëse keni mëkatuar, sa më shpejt të filloni rrugën e kthimit, aq më shpejt ju do të gjeni paqen dhe gëzimin e ëmbël që vijnë me mrekullinë e faljes.14
Një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për ne është gëzimi i të përpjekurit sërish, sepse asnjë dështim s’ka pse të jetë përfundimtar.15
5
Shpërblimi për jetë të përjetshme kërkon zgjedhje të urta dhe përpjekje të guximshme e të vazhdueshme.
Ati ynë Qiellor i ka dhënë secilit prej nesh fuqinë për të menduar, arsyetuar dhe vendosur. Me një fuqi të tillë, vetëdisiplina bëhet një domosdoshmëri.
Secili prej nesh ka përgjegjësinë për të zgjedhur. Ju mund të pyetni: “A janë vendimet vërtet kaq të rëndësishme?” Unë ju them, vendimet përcaktojnë fatin. Ju nuk mund të merrni vendime të përjetshme pa pasoja të përjetshme.
Më lejoni të tregoj një formulë të thjeshtë, nëpërmjet së cilës ju mund të matni zgjedhjet me të cilat përballeni. Është e kollajtë të kujtoni: “Ju nuk mund të keni të drejtë duke vepruar gabim; ju nuk mund t[a] keni gabim duke vepruar drejt”. …
… Kërkohet guxim për të menduar drejt, për të zgjedhur të drejtën dhe për të vepruar drejt, sepse një drejtim i tillë rrallë, në [do të jetë] ndonjëherë, do të jetë drejtimi më i lehtë për t’u ndjekur.16
Ju jeni nga një trashëgimi fisnike. Jeta e përjetshme në mbretërinë e Atit tonë është qëllimi juaj. Një qëllim i tillë nuk arrihet me një përpjekje të lavdishme, por është rezultat i një jete të drejtë, i një grumbullimi zgjedhjesh të mençura, madje i një besnikërie të qëllimit. Ashtu si me çdo gjë që vërtet vlen, shpërblimi i jetës së përjetshme kërkon përpjekje.
Shkrimet e shenjta janë të qarta:
“Kini … kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;
Ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar” [Ligji i Përtërirë 5:32–33].17
E ditshim se ku po shkojmë, qofshim të gatshëm të bëjmë përpjekjen e vazhdueshme që kërkohet për të shkuar atje, e shmangshim çdo devijim dhe qofshim të gatshëm të paguajmë shpesh çmimin e lartë të besimit dhe vendosmërisë për ta fituar garën e jetës!
Në fund të udhëtimit tonë në vdekshmëri, qofshim në gjendje t’u bëjmë jehonë fjalëve të Palit: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” [2 Timoteut 4:7]. Duke e bërë këtë, do të na jepet ajo “kurorë drejtësie” që nuk humbet kurrë dhe do të dëgjojmë lavdërimin nga Gjykatësi ynë i Përjetshëm: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” [Mateu 25:21].
Atëherë do ta kemi përmbushur udhëtimin tonë. Jo në një rrugë të mjegullt me tabelën “Kudo[qoftë]”, por në shtëpinë tonë qiellore – madje jetën e përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.18
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Përse është e nevojshme që të kemi lirinë e zgjedhjes në vdekshmëri? (Shih pjesën 1.) Çfarë keni mësuar nëpërmjet ushtrimit të lirisë suaj të zgjedhjes?
-
Presidenti Monson theksoi se Ati Qiellor ka siguruar ndihmën që ne ta ushtrojmë me urtësi lirinë tonë zgjedhjes (shih pjesën 2). Cilat janë disa nga “mjetet” që na ka dhënë Ati Qiellor për të na ndihmuar? Si ju kanë ndihmuar këto mjete për të bërë zgjedhje të mira? Si ju ka ndihmuar shembulli i Shpëtimtarit për ta ushtruar me urtësi lirinë tuaj të zgjedhjes?
-
Presidenti Monson dha mësim se “ne nuk mund të jemi asnjanës, nuk ka pozitë të ndërmjetme” (pjesa 3). Përse kundërshtari dëshiron që të jemi asnjanës? Cilat janë disa mënyra se si ai na tundon që ta keqpërdorim lirinë tonë të zgjedhjes? Si mund t’i dallojmë dhe t’u bëjmë qëndresë mesazheve të tij?
-
Shqyrtojini mësimet e Presidentit Monson rreth pendimit te pjesa 4. Si ju ka sjellë pendimi “paqe dhe gëzim”? Si e keni parë që “një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë … është gëzimi i të përpjekurit sërish”?
-
Presidenti Monson shpesh dha mësim se “vendimet përcaktojnë fatin” (pjesa 5). Çfarë këshillash jep ai që do të na ndihmojnë të marrim vendime që do të na drejtojnë te jeta e përjetshme? Si mund ta përmirësojmë vendosmërinë tonë për të bërë vazhdimisht zgjedhje të mira?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Jozueut 24:15; 2 Nefi 2:14–16, 26; 31:17–20; Helamani 14:30–31; Doktrina e Besëlidhje 58:26–28; 101:78; Moisiu 4:1–4
Ndihmë për Mësimdhënien
“Njerëzit ka më shumë mundësi të bëjnë ndryshime domethënëse në jetën e tyre kur ato ndryshime vijnë nga vetë ushtrimi i lirisë së tyre të zgjedhjes. Kur u jepni ftesa për të vepruar, sigurohuni që ta respektoni lirinë e zgjedhjes së atyre, të cilëve u jepni mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 35).