Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23


“Kapitulli 23:‘Bëhu Shembull për Besimtarët’”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 23”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 23

“Bëhu Shembull për Besimtarët”

“Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai, ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Fëmijëria e Presidentit Tomas S. Monson u hijeshua nga shembulli i mirë i prindërve, udhëheqësve dhe mësuesve të tij. Për udhëheqësit e tij kur ishte tek Të Rinjtë, Presidenti Monson tha: “Ne na këshillonin burra të urtë e të duruar që na jepnin mësim nga shkrimet e shenjta, madje burra që na njihnin mirë. … Ata ishin shembuj për ne. Jeta e tyre qe një pasqyrim i dëshmive të tyre.”1 Ai fliste shpesh për shembullin e mësuesve të tij në Shkollën e së Dielës, të cilët ndikuan tek ai “jo dhe aq [nga] ajo që thoshin, por nga ajo që ishin dhe mënyra se si e deshën Zotin”2.

Duke qenë se e kishte mësuar në rini rëndësinë e dhënies së një shembulli të mirë, Presidenti Monson e vazhdoi këtë gjatë gjithë jetës. Një incident i tillë ndodhi pasi ai u regjistrua në Rezervën e Flotës Detare të Shteteve të Bashkuara dhe shkoi në San-Diego të Kalifornisë për stërvitjen bazë. Vite më vonë, njëri nga miqtë e tij të flotës, i cili ishte gjithashtu anëtar i Kishës, i shkroi letrën vijuese rreth shembullit të tij gjatë asaj kohe:

“Sytë e aq shumë vetave prej nesh po të vëzhgonin. … Ishim në brigjet La Xhola duke bërë një festë në plazh për ne që ishim në detyrë. Po shërbehej birrë. … Ti ishe një lloj udhëheqësi i natyrshëm edhe atëherë mes nesh. Ata nuk të linin të qetë. … Mund të të shoh aq qartë tani me sytë e mendjes – ti djalë thatanik, i gjatë, me buzëqeshjen tënde dhe humorin me të cilin thoshe jo, që askush të mos fyhej, duke e larguar, duke përsëritur jo, jo. Çfarë do të të kishte gjetur po ta pije? Neve do të na kishte gjetur shumëçka, Tom, neve që po të vëzhgonim. Zoti mund të të kishte bërë gjithsesi një apostull po ta kishe pirë atë birrë, por çfarë do të na kishte bërë neve që e mbajmë mend atë çast në kohë aq shumë vjet më parë? Sa mirënjohës jam për ty, Presidenti Monson, për atë shembull, për njeriun e paepur që ishe kur ishe i ri në shërbim ushtarak dhe për atë që do të thotë për mua teksa ngre dorën në kënd të drejtë për të të mbështetur pa as edhe një rezervë të vetme.”3

Presidenti Monson në konferencë

“Ne duhet të jemi një shembull në sjelljet tona. Për mua kjo do të thotë të përpiqemi fort për të pasur në jetën tonë mirësi, mirënjohje, falje dhe vullnet të mirë.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Ndërsa jemi shembuj të mirë, do të jemi drita për botën.

Secili prej nesh erdhi në tokë duke iu dhënë Drita e Krishtit. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai, ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.4

Apostulli Pal i shkroi një letër shokut të tij të dashur, Timoteut, në të cilën ai dha këshilla të frymëzuara po aq të zbatueshme për ju dhe për mua sot sa ishin për Timoteun. Dëgjojini me kujdes fjalët e tij: “Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty”, “por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” [1 Timoteut 4:14, 12].5

[Të jetuarit sipas këtyre] gjashtë tipareve të një besimtari [të renditura nga Apostulli Pal] do të lejojë që dritat tona të shkëlqejnë. Le ta shohim secilin.

Po i përmend dy tiparet e para së bashku – të qenit një shembull në fjalë dhe në sjellje. Fjalët që përdorim, mund të lartësojnë e frymëzojnë, ose mund të dëmtojnë e poshtërojnë. Në botën e sotme ka një tepri të blasfemisë, me të cilën duket se rrethohemi pothuajse nga çdo anë. Është e vështirë ta shmangim dëgjimin e emrave të Hyjnisë [që] përdor[en] në mënyrë rastësore dhe të pamend. Komente të vrazhda duket se janë bërë një përbërës kryesor i televizionit, filmave, librave dhe muzikës. Të shkëmbyera lirshëm janë vërejtjet shpifëse dhe retorikat zemëruese. Le t’iu flasim të tjerëve me dashuri e respekt, duke e mbajtur të folurën tonë të pastër dhe duke i shmangur fjalët ose komentet që do të lëndonin ose fyenin. Ndjekshim shembullin e Shpëtimtarit, i cili foli me butësi dhe mirësi gjatë gjithë shërbesës së Tij.

Tipari tjetër i përmendur nga Pali është dashuria hyjnore, e cila është përcaktuar si “dashuria e pastër e Krishtit” [Moroni 7:47]. Kam besim se brenda sferës sonë të ndikimit ka njerëz që janë të vetmuar, njerëz që janë të sëmurë dhe njerëz që ndihen të shkurajuar. E jona është mundësia për t’i ndihmuar ata dhe për t’i ngritur shpirtrat e tyre. Shpëtimtari i solli shpresë të pashpresit dhe forcë të dobëtit. Ai shëroi të sëmurin; Ai e bëri të çalin të ecë, të verbrin të shohë, të shurdhin të dëgjojë. Ai madje e risolli të vdekurin në jetë. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Ai iu afrua me dashuri hyjnore çdo nevojtari. Teksa e ndjekim shembullin e Tij, ne do të bekojmë jetë, duke përfshirë vetë jetën tonë.

Më pas, ne duhet të jemi një shembull në sjelljet tona. Për mua kjo do të thotë të përpiqemi fort për të pasur në jetën tonë mirësi, mirënjohje, falje dhe vullnet të mirë. Këto cilësi do të na sigurojnë një shpirt që do ta prekë jetën e njerëzve përreth nesh. Ka qenë mundësia ime …gjatë viteve që të shoqërohem me individë të shumtë që e zotërojnë një shpirt të tillë. Ne përjetojmë një ndjenjë të veçantë kur jemi me ta, një ndjenjë që na bën të dëshirojmë të shoqërohemi me ta dhe ta ndjekim shembullin e tyre. Ata rrezatojnë Dritën e Krishtit dhe na ndihmojnë ta ndiejmë dashurinë e Tij për ne.

Për të ilustruar se si dallohet nga të tjerët drita që del prej një shpirti të dëlirë dhe të dashur, po ju tregoj një përvojë të shumë viteve më parë.

Në atë kohë, udhëheqës të Kishës u takuan me zyrtarë në Jerusalem që të binin dakord për një marrëveshje qiraje për tokën në të cilën do të ndërtohej Qendra e Kishës në Jerusalem. Me qëllim që të fitoheshin lejet e duhura, Kisha duhej të binte dakord që nuk do të ndërmerreshin përpjekje misionare nga anëtarët tanë që do të qëndronin në qendër. Pasi ishte bërë ajo marrëveshje, një nga zyrtarët izraelitë, i cili i njihte fare mirë Kishën dhe anëtarët e saj, vuri në dukje që ai e dinte se Kisha do ta nderonte marrëveshjen për të mos bërë punë misionare. “Por”, tha ai, duke iu drejtuar studentëve që do të qëndronin atje, “çfarë do të bëjmë lidhur me dritën që është në sytë e tyre?” [shih James E. Faust,“Dritë në Sytë e Tyre”, Liahona, nëntor 2005, f. 20, Konferenca e Përgjithshme tetor 2005, f. 28]. Ndrittë ajo dritë e veçantë brenda nesh përgjithmonë, që të mund të dallohet dhe vlerësohet nga të tjerët.

Të jemi një shembull i besimit do të thotë që ne mirëbesojmë në Zotin dhe në fjalën e Tij. Do të thotë që ne e zotërojmë dhe që ne e ushqejmë besimin, i cili do t’i udhëzojë mendimet tona dhe veprimet tona. Besimi te Zoti Jezu Krisht dhe tek Ati ynë Qiellor do të ndikojë në gjithçka që bëjmë. Në mes të konfuzionit të moshës sonë, konflikteve të ndërgjegjes dhe trazirave të jetës së përditshme, një besim i qëndrueshëm bëhet një spirancë për jetën tonë. Mbani mend që besimi dhe dyshimi nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën mendje në të njëjtën kohë, sepse njëri do ta largojë tjetrin. Unë ritheksoj atë që na është thënë në mënyrë të përsëritur – që, me qëllim që ta fitojmë dhe ta ruajmë besimin që na nevojitet, është thelbësore që ne t’i lexojmë, t’i studiojmë e t’i përsiatim shkrimet e shenjta. Bashkëbisedimi me Atin tonë Qiellor nëpërmjet lutjes është jetik. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i lëmë pas dore këto gjëra, sepse kundërshtari dhe pasuesit e tij po kërkojnë pa pushim për një të çarë në armaturën tonë, një ndërprerje në besnikërinë tonë. Tha Zoti: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” [Doktrina e Besëlidhje 90:24].

student duke studiuar te Qendra e Jerusalemit

“Çfarë do të bëjmë lidhur me dritën që është në sytë e tyre?”

Më së fundi, ne duhet të jemi të dëlirë, që do të thotë që ne jemi të pastër në trup, mendje dhe shpirt. Ne e dimë që trupi ynë është një tempull, për t’u trajtuar me nderim e respekt. Mendjet tona duhet të mbushen me mendime lartësuese e fisnikëruese dhe duhet të mbahen të çliruara nga ato gjëra që do t’i ndotin. Që të kemi Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne duhet të jemi të denjë. Vëllezër e motra, [dëlirësia] do të na sjellë paqe të mendjes dhe do të na kualifikojë që të marrim premtimet e Shpëtimtarit. “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” [Mateu 5:8].

Teksa japim provë që jemi shembuj në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi, ne do të kualifikohemi që të jemi drita për botën.6

2

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është shembulli ynë dhe forca jonë.

Shembulli ynë më i parë është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Lindja e Tij u parashikua nga profetët; engjëjt njoftuan lajmin e shërbesës së Tij tokësore. Ai “rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të” [Lluka 2:40].

I pagëzuar nga Gjoni në lumin që njihet me emrin Jordan, Ai filloi shërbesën e Tij zyrtare për njerëzit. Sofizmave të Satanit, Jezusi u ktheu shpinën. Detyrës së përcaktuar nga Ati i Tij, Ai i doli ballëhapur, i premtoi zemrën dhe i dha jetën e Vet. Dhe çfarë jete e pamëkat, vetmohuese, fisnike dhe hyjnore që ishte! Jezusi punoi. Jezusi deshi. Jezusi shërbeu. Jezusi dëshmoi. Çfarë shembulli më të shkëlqyer mund të përpiqeshim të arrinim? Le të fillojmë tani … të veprojmë kështu. Flaket tutje përgjithnjë vetvetja e vjetër dhe bashkë me të disfata, dëshpërimi dhe mosbesimi. Drejt një risie të jetës shkojmë – një jetë besimi, shprese, kuraje dhe gëzimi. Asnjë punë nuk duket shumë e madhe; asnjë përgjegjësi nuk rëndon tepër; asnjë detyrë nuk është barrë. Gjithçka bëhet e mundur.

Shumë vite më parë fola për dikë i cili e mori shembullin e tij nga Shpëtimtari, dikush që qëndroi i patundur dhe i vërtetë, i fortë dhe i denjë përmes stuhive të jetës. Ai me guxim i lartësoi thirrjet e tij në priftëri. Ai na ofron një shembull për secilin nga ne. Emri i tij ishte Tomas Majkëll Uilson, biri i Uilli dhe Xhuli Uilsonit nga Lafejeti në Alabamë.

Kur ishte veçse adoleshent dhe ai e familja e tij ende nuk ishin anëtarë të Kishës, u godit nga kanceri, i ndjekur nga terapia e dhimbshme radiologjike dhe më pas nga lehtësimi i bekuar. Kjo sëmundje bëri që familja e tij të ndërgjegjësohej se jeta është jo vetëm e çmuar, por gjithashtu mund të jetë e shkurtër. Ata filluan të vështronin për ndihmë nga besimi fetar gjatë kësaj kohe të fatkeqësisë. Më pas, ata u njohën me Kishën dhe, si përfundim, të gjithë, përveç babait, u pagëzuan. Pasi pranuan ungjillin, i riu Vëllai Uilson përmallohej për një mundësi që të bëhej misionar, edhe pse ishte më i madh se shumica e të rinjve kur ata fillojnë shërbesën e tyre misionare. Në moshën 23-vjeçare, ai mori një thirrje misioni që të shërbente në Misionin e Jutës, Solt‑Lejk‑Siti.

Shokët misionarë të [Plakut] Uilson e përshkruan besimin e tij si të padyshimtë, pa shmangie dhe të paepur. Ishte shembull për të gjithë. Sidoqoftë, pas 11 muajve shërbim misionar, sëmundja u rikthye. Kanceri i kockave tani kërkonte të hiqeshin pjesë të krahut dhe supit të tij. Megjithatë, ai ngulmonte në punën e tij misionare.

Kuraja dhe dëshira e etur e [Plakut] Uilson që të mbetej në misionin e tij, e preku aq shumë babanë e tij joanëtar, saqë ai filloi të kërkonte mësimet e Kishës dhe gjithashtu u bë anëtar.

Mësova se një kërkuese, të cilën [Plaku] Uilson e kishte mësuar, u pagëzua, por më pas dëshironte të konfirmohej nga [Plaku] Uilson, për të cilin kishte aq shumë respekt. Ajo, së bashku me disa të tjerë, udhëtoi dhe mbërriti në spital, pranë shtratit të [Plakut] Uilson. Atje, me pjesën e dorës që i kishte mbetur, të vendosur mbi kokën e saj, [Plaku] Uilson e konfirmoi anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

[Plaku] Uilson vazhdonte muaj pas muaji shërbesën e tij të çmueshme, por të dhimbshme, si misionar. U dhanë bekime; u ofruan lutje. Për arsye të shembullit të tij të përkushtimit, shokët e tij misionarë jetuan më pranë Perëndisë.

Gjendja fizike e [Plakut] Uilson u përkeqësua. Afrohej përfundimi dhe ai duhej të kthehej në shtëpi. Ai kërkoi që të shërbente vetëm një muaj shtesë dhe kërkesa iu pranua. Ai e vuri besimin tek Perëndia dhe Ai, të cilin Tomas Majkëll Uilsoni e besonte heshturazi, hapi dritaret e qiellit dhe e bekoi me bollëk. Prindërit, Uilli dhe Xhulia Uilson, dhe vëllai i tij Toni erdhën në Solt‑Lej‑Siti ta ndihmonin birin dhe vëllanë e tyre të kthehej në shtëpi, në Alabamë. Megjithatë, në saje të lutjeve dhe të dëshirës së madhe, kishte ende një bekim për t’u dhënë. Familja e tij më ftoi të shkoja me ta në tempullin e Xhordan‑Rivërit, ku ato ordinanca të shenjta që i lidhin familjet në përjetësi, si edhe [për kohën], u realizuan.

I dhashë lamtumirën familjes Uilson. Ende mund ta shoh [Plakun] Uilson kur më falënderoi që isha me të dhe me të dashurit e tij. Ai tha: “S’ka rëndësi se ç’na ndodh në këtë jetë, përderisa kemi ungjillin e Jezu Krishtit dhe e jetojmë atë. S’ka rëndësi a e predikoj ungjillin në këtë anë apo në anën tjetër të velit, përderisa unë mund ta predikoj.” Sa kurajë! Çfarë bindjeje! Çfarë dashurie! Familja e [Plakut] Uilson kreu udhëtimin e gjatë të kthimit në shtëpi, në Lafejet, ku [Plaku] Tomas Majkëll Uilson kaloi që këtej në përjetësi. Ai u varros atje me etiketën e misionarit në vendin e saj.7

3

Kur e bëjmë Krishtin thelbin e jetës sonë, do të kemi guximin për të qenë shembuj të mirë.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që jetojmë në një kohë kur ka nga ata që e përqeshin virtytin, që e tregtojnë pornografinë nën maskimin e artit ose kulturës, që bëjnë një sy qorr, një vesh shurdh e [kanë] një zemër [të ngurtë] ndaj mësimeve të Jezusit dhe kodit të njerëzisë. Shumë nga të rinjtë tanë tërhiqen në drejtimin e gabuar dhe joshen për të marrë pjesë në mëkatet e botës. Me dëshirim, individë të tillë kërkojnë forcën e atyre që kanë aftësinë të qëndrojnë të palëkundur për të vërtetën. Nëpërmjet të jetuarit me drejtësi dhe zgjatjes së dorës së ndihmës dhe zemrës mirëkuptuese, ju mund të shpëtoni, mund të mbroni. Sa i madh do të jetë atëherë gëzimi juaj. Sa i përjetshëm do të jetë bekimi që do të keni dhënë.8

Teksa bota zhvendoset gjithnjë e më larg prej parimeve dhe udhëzimeve që na janë dhënë nga një Atë i dashur Qiellor, ne do të dallohemi prej turmës ngaqë jemi të ndryshëm. Ne do të dallohemi ngaqë vishemi me thjeshtësi. Ne do të jemi të ndryshëm ngaqë nuk përdorim fjalë përdhosëse dhe ngaqë nuk përdorim lëndë që janë të dëmshme për trupat tanë. Ne do të jemi të ndryshëm ngaqë iu shmangemi humorit të shpëlarë dhe fjalëve zhvleftësuese. Ne do të jemi të ndryshëm kur vendosim të mos i mbushim mendjet tona me zgjedhjet e medias që janë të pamoralshme e poshtëruese dhe që do ta largojnë Shpirtin nga shtëpitë tona dhe jeta jonë. Ne sigurisht do të dallohemi kur bëjmë zgjedhje lidhur me moralshmërinë – zgjedhje që i mbështetin parimet dhe standardet e ungjillit. Ato gjëra që na bëjnë të ndryshëm nga shumica e botës, gjithashtu na sigurojnë atë dritë dhe atë shpirt që do të shkëlqejë në një botë gjithnjë e më shumë të zymtë.

Është shpesh e vështirë të jemi të ndryshëm dhe të qëndrojmë të vetëm në mes të një turme. Është e natyrshme të kemi frikë se çfarë mund të mendojnë ose thonë të tjerët. Ngushëlluese janë fjalët e psalmit: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?” [Psalmeve 27:1]. Kur e bëjmë Krishtin thelbin e jetës sonë, frika jonë do të zëvendësohet nga kuraja e bindjeve tona.9

Nuk ka pse të presim për një ngjarje kataklizmike, një dukuri dramatike në botën në të cilën jetojmë ose një ftesë të veçantë për të qenë shembull, madje një model për t’u ndjekur. Mundësitë tona gjenden para nesh këtu dhe tani. Por ato mbarojnë. Me gjasa ato do të gjenden në shtëpitë tona dhe në veprimet e përditshme të jetës sonë.10

4

Mundësitë për të qenë një dritë për të tjerët, na rrethojnë çdo ditë.

Jeta nuk është e përsosur për asnjërin prej nesh dhe me raste sfidat dhe vështirësitë që hasim, mund të bëhen rraskapitëse, duke shkaktuar që drita jonë të venitet. Megjithatë, me ndihmën nga Ati ynë Qiellor, të bashkuar me mbështetjen e njerëzve të tjerë, ne mund ta fitojmë sërish atë dritë që do ta ndriçojë vetë shtegun tonë edhe njëherë, dhe do të sigurojë dritën që mund t’iu nevojitet të tjerëve. …

Vëllezërit dhe motrat e mia, mundësitë tona për të shkëlqyer na rrethojnë çdo ditë, në çfarëdo rrethane që e gjejmë vetveten. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, e jona do të jetë mundësia për të qenë një dritë në jetën e njerëzve të tjerë, qofshin ata pjesëtarët e vetë familjes sonë dhe miqtë tanë, kolegët tanë të punës, thjesht njerëz të njohur apo krejtësisht të panjohur.

Secilit prej jush, unë i them se ju jeni një bir ose bijë e Atit tonë Qiellor. Ju keni ardhur nga prania e Tij që të jetoni në këtë tokë për një stinë, që të pasqyroni dashurinë dhe mësimet e Shpëtimtarit dhe që ta lini të shkëlqejë me guxim dritën tuaj për t’u parë nga të gjithë njerëzit. Kur ajo stinë në tokë të ketë mbaruar, nëse ju e keni bërë pjesën tuaj, juaji do të jetë bekimi i lavdishëm i kthimit për të jetuar me Të përgjithmonë.

Sa siguruese sërish janë fjalët e Shpëtimtarit: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” [Gjoni 8:12]. Për Të unë dëshmoj. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Ndërmjetësi ynë me Atin. Ai është Shembulli ynë dhe forca jonë. Ai është “drita që shkëlqen në errësirë” [Doktrina e Besëlidhje 6:21]. Që secili prej nesh … të mund të marrë zotim se do ta ndjekë Atë, duke u bërë kështu një dritë shkëlqyese për botën, është lutja ime.11

familje përpara tempullit

Rrezatojeni Dritën e Krishtit dhe ndihmojini [të tjerët] ta ndiejnë dashurinë e Tij.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Duke cituar Apostullin Pal, Presidenti Monson shtjelloi disa mënyra se si secili prej nesh duhet të jetë “një shembull për besimtarët” (pjesa 1). Çfarë do të thotë për ju që të jeni një shembull “në fjalë dhe në sjellje”? Si ka ndikuar dikush që ishte shembull i dashurisë hyjnore në jetën tuaj? Si mund të jemi shembuj besimi? Pse është e rëndësishme që të jemi shembuj dëlirësie?

  • Rishikojini mënyrat e shumta në të cilat Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na dha një shembull (shih te pjesa 2). Si ka ndikuar shembulli i Shpëtimtarit te ju? Merrni parasysh mënyra se si mund ta ndiqni më plotësisht shembullin e Tij.

  • Pse ndonjëherë është e vështirë të jesh shembull i mirë dhe të mbrosh atë që është e drejtë? (Shih te pjesa 3.) Me çfarë sfidash jeni përballur kur e keni bërë këtë? Si mund ta zhvillojmë guximin për të qenë shembuj të mirë? Si jua ka bekuar jetën shembulli i mirë i dikujt tjetër?

  • Presidenti Monson dha mësim se “mundësitë … për të shkëlqyer na rrethojnë çdo ditë” (pjesa 4). Në çfarë mënyrash mund të jemi një dritë për të tjerët? Kur ka qenë dikush tjetër një dritë për ju? Merrni parasysh atë që mund të bëni për të qenë “një dritë shkëlqyese për botën”.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 5:13–16; 2 Nefi 31:16–17; Alma 17:11; 3 Nefi 18:16; 27:2

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shembulli juaj ka një ndikim të fuqishëm në sjelljet e nxënësve. … Me fjalët tuaja dhe veprimet tuaja, tregojuni atyre që ju e doni ungjillin dhe që shqetësoheni rreth rritjes së tyre shpirtërore” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 15).