Mësime të Presidentëve
Kapitulli 12


“Kapitulli 12: Bindja e Vullnetshme ndaj Zotit”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 12”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 12

Bindja e Vullnetshme ndaj Zotit

“Prova më e madhe e kësaj jete është bindja.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Kur Presidenti Tomas S. Monson ishte djalosh, ai dhe familja e tij e kalonin një pjesë të verës në shtëpizën e tyre të verimit në Kanionin e Provos në Jutë. Njëri nga miqtë e tij më të mirë qe Deni Larseni, familja e të cilit kishte gjithashtu një shtëpizë verimi. Tomi dhe Deni peshkonin, mblidhnin guralecë, marshonin, bënin ngjitje në mal dhe iu gëzoheshin veprimtarive të tjera së bashku. Në një rast, Tomi mori një mësim me vlerë rreth bindjes. Ai dhe Deni donin të ndiznin një zjarr në mbrëmje me miqtë e tyre dhe u nevojitej ta pastronin barin e thatë nga një fushë. Pasi e shkulën për ca kohë barin dhe nuk bënë shumë përparim, Tomi pati një ide:

“Ajo që mendova se ishte zgjidhja e përsosur, erdhi në mendjen time tetëvjeçare. I thashë Denit: ‘Gjithçka na duhet është t’u vëmë zjarrin këtyre barërave të këqija. Ne thjesht do të djegim një sipërfaqe rrethore me barëra të këqija!’ Ai ra dakord me shpejtësi dhe unë vrapova në shtëpizën e verimit për të marrë disa shkrepëse.

… Deni dhe unë … ishim paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rreziqet e zjarrit. Sidoqoftë, e dija se ku i mbante shkrepëset familja ime dhe na duhej ta pastronim atë fushë. Pa u menduar dy herë, vrapova për te shtëpiza jonë dhe mora disa fije shkrepësesh, duke u siguruar që nuk po më shihte njeri. I fsheha shpejt në një nga xhepat e mi.

U ktheva me vrap te Deni, i emocionuar që në xhepin tim kisha zgjidhjen për problemin tonë. Më kujtohet që mendoja se zjarri do të digjej vetëm deri atje ku dëshironim dhe pastaj si me magji do të fikej vetë.

Fërkova një kunj shkrepëseje mbi një shkëmb dhe i vura flakën barit të përcëlluar të qershorit. U ndez sikur të ishte spërkatur me benzinë. Në fillim, Deni dhe unë u ngazëllyem teksa i shikonim barërat e këqija të zhdukeshin, por shpejt, u bë e dukshme se zjarri nuk do të fikej vetë. Na zuri paniku kur e kuptuam se nuk mund të bënim asgjë për ta ndalur. Flakët kërcënuese filluan ta përpinin barin e egër deri anës së malit, duke vënë në rrezik pemët e pishës dhe gjithçka tjetër në shtegun e tyre.

Në fund, nuk kishim asnjë mundësi përveçse të vraponim për ndihmë. Shpejt të gjithë burrat dhe gratë që gjendeshin në parkun Vivian, po turreshin para-prapa me trasta lecke me ujë, duke u ndeshur me flakët në orvatje për t’i fikur ato. Pas disa orësh, thëngjijtë e fundit të mbetur u fikën. Pemët shumëvjeçare ishin shpëtuar, sikurse shtëpitë që flakët do t’i kishin arritur në fund.”

Presidenti Monson vërejti: “Deni dhe unë morëm disa mësime të vështira, por të rëndësishme atë ditë – një pjesë e rëndësishme prej të cilëve ishte rëndësia e bindjes.”1

Pamja
djaloshi Tomas Monson që ka kapur një peshk

Tom Monsonit i pëlqente peshkimi dhe veprimtaritë e tjera në natyrë. Më vonë ai i përdori disa nga këto përvoja për të ilustruar parimet e ungjillit.

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë është udhërrëfyesi që nuk na lë kurrë në baltë gjatë vdekshmërisë.

Urdhërimet e Perëndisë nuk jepen për të na mërzitur ose që të bëhen pengesa ndaj lumturisë sonë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Ai që na krijoi dhe që na do, e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme. Ai na ka siguruar udhëzime të cilat, në qoftë se i ndjekim, do të na udhëheqin të sigurt përmes këtij udhëtimi shpesh të pabesë në vdekshmëri. Ne i mbajmë mend fjalët e një himni të shumënjohur: “Mbaj urdhërimet! Në këtë ka paqe dhe ka siguri” [“Mbaj Urdhërimet”, Himne, nr. 198].

Ati ynë Qiellor na do aq sa thotë: “Mos gënje; mos vidh; mos shkel kurorë; duaje të afërmin porsi veten; e kështu me radhë” [shih tek Eksodi 20:1–17; Mateu 22:39]. … Ai e kupton që, kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më përmbushëse dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej Tij. Por, ndërkohë që Ai na jep ligje dhe urdhërime, Ai gjithashtu na lejon të zgjedhim nëse i pranojmë ato ose i mohojmë ato. Vendimet tona në lidhje me këtë do ta përcaktojnë vendmbërritjen tonë.2

Pamja
Moisiu duke mbajtur [pllakat me] Dhjetë Urdhërimet

“Urdhërimet e Perëndisë nuk jepen për të na mërzitur ose që të bëhen pengesa ndaj lumturisë sonë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë.”

Gjatë gjithë epokave, burrat dhe gratë kanë kërkuar njohuri dhe kuptueshmëri lidhur me këtë ekzistencë në vdekshmëri dhe vendin e qëllimin e tyre në të, si dhe për udhën drejt paqes e lumturisë. Një kërkim i tillë ndërmerret nga secili prej nesh.

Kjo dituri dhe kuptueshmëri është në dispozicion të të gjithë njerëzimit. Ato përmbahen në të vërteta që janë të përjetshme. … Në një zbulesë dhënë përmes Profetit Jozef Smith në Kirtland, Ohajo, në majin e 1833-it, Zoti shpalli:

“Dhe e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë. …

Shpirti i së vërtetës është nga Perëndia. …

Dhe askush nuk e merr plotësinë, në qoftë se ai nuk i zbaton urdhërimet e tij.

Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat” [Doktrina e Besëlidhje 93:24, 26–28].

Ç’premtim i lavdishëm! “Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.”

Nuk ka nevojë që ju ose unë, në këtë periudhë të ndriçuar, kur plotësia e ungjillit është rivendosur, të lundrojmë detra të paeksploruar apo të udhëtojmë në rrugë të panjohura, në kërkim të së vërtetës. Një Atë i dashur Qiellor na e ka shënuar rrugën dhe na ka siguruar një hartë të pagabueshme – madje bindjen. Një dituri për të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet tona më të mëdha na vijnë kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë. …

Ka rregulla dhe ligje që ndihmojnë për të na siguruar mbrojtjen tonë fizike. Po njësoj, Zoti ka siguruar orientime dhe urdhërime që të ndihmojnë për të na siguruar mbrojtjen tonë shpirtërore, me qëllim që të mund të lundrojmë me sukses në këtë ekzistencë shpesh të pabesë në vdekshmëri dhe të kthehemi përfundimisht tek Ati ynë Qiellor.3

2

Profetët kanë dhënë shembuj bindjeje që ne t’i ndjekim.

Duke mësuar për të tjerë të cilët besuan tek Perëndia dhe ndoqën mësimet e Tij, ne dëgjojmë pëshpëritjen në shpirtin tonë: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” [Psalmeve 46:10]. Ndërsa me vendosmëri zbatuan urdhërimet e Tij [dhe mirëbesuan tek Ai], ata u bekuan. Kur ndjekim shembujt e tyre, ne gjithashtu do të bekohemi në mënyrë të ngjashme në kohën tonë. Secili bëhet një model për t’u ndjekur. …

“Një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij”, dikush që “eci me Perëndinë” [Zanafilla 6:9], ishte profeti Noe. … Noeu ia vuri veshin urdhërimit të Perëndisë për të ndërtuar një arkë, në mënyrë që ai dhe familja e tij t’i shpëtonin shkatërrimit. Ai ndoqi udhëzimin e Perëndisë për të mbledhur në arkë dy ose më shumë nga çdo krijesë e gjallë, në mënyrë që edhe ata të shpëtoheshin nga përmbytja.

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) na mësoi në konferencën e përgjithshme të më shumë se një çerek shekulli më parë: “Deri në atë kohë nuk kishte të dhëna për shi ose përmbytje. … Paralajmërimi [i Noeut] u konsiderua i paarsyeshëm… Sa marrëzi të ndërtoje një arkë në tokë të thatë me diellin që shndriste dhe jetën që shkonte përpara si zakonisht! Por koha mbaroi. … Përmbytjet erdhën. Të pabindurit … u mbytën. Mrekullia e arkës ndoqi pas besimin që u tregua në ndërtimin e saj” [në Conference Report, tetor 1952, f 48].

Noeu pati besimin e palëkundur për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Bëfshim edhe ne gjithmonë të njëjtën gjë. Kujtofshim se urtësia e Perëndisë shpesh duket si marrëzi për njerëzit; por mësimi më i madh që mund të mësojmë në vdekshmëri, është se, kur Perëndia flet dhe ne bindemi, do të jemi gjithnjë në rregull.4

Të gjithë profetët, të lashtë dhe modernë, e kanë ditur se bindja është thelbësore për shpëtimin tonë. … Një tregim për bindjen, i cili të trondit shpirtin, është ai për Abrahamin dhe Isakun. Sa e vështirë dhe e dhembshme duhet të ketë qenë për Abrahamin, në bindje ndaj urdhrit të Perëndisë, ta çonte Isakun e tij të dashur në vendin e moriahve për ta ofruar si flijim. A mund ta përfytyrojmë brengën e zemrës së Abrahamit teksa udhëtonte për në vendin e caktuar? Me siguri, vuajtja duhet t’ia ketë mbështjellë trupin dhe t’ia ketë torturuar mendjen teksa e lidhi Isakun, e shtriu mbi altar dhe mori thikën për ta therur. Me një besim të palëkundur dhe mirëbesim të plotë te Zoti, ai iu përgjigj urdhrit të Zotit. Sa i lavdishëm qe shqiptimi dhe me sa mirëpritje të gëzueshme erdhi: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke” [Zanafilla 22:12].

Abrahami ishte sprovuar e vënë në provë dhe për besnikërinë e bindjen e tij, Zoti i dha atij këtë premtim të lavdishëm: “Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim” [Zanafilla 22:18].

Edhe pse nuk na kërkohet ta vërtetojmë bindjen tonë në një mënyrë kaq dramatike dhe zemërkëputëse, bindja kërkohet edhe prej nesh.

Shpalli Presidenti Jozef F. Smith në tetor të vitit 1873: “Bindja është ligji i parë i qiellit” [“Discourse”, Deseret News, 12 nëntor 1873, f. 644].

Tha Presidenti Gordon B. Hinkli: “Lumturia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, paqja e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, përparimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, begatia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, si dhe shpëtimi i përjetshëm dhe ekzaltimi i këtij populli, qëndrojnë tek ecja me bindje ndaj këshillave të … Perëndisë” [“If Ye Be Willing and Obedient”, Ensign, dhjetor 1971, f. 125].5

Bindja është shenja dalluese e profetëve; ajo u ka siguruar atyre forcë dhe dituri përgjatë epokave. Është thelbësore që ta kuptojmë se ne, gjithashtu, kemi të drejtën për këtë burim force dhe diturie. Ajo është lehtësisht e gjindshme për secilin prej nesh sot teksa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.6

3

Ne marrim dituri, përgjigje dhe forcë kur u bindemi urdhërimeve të Zotit.

Përgjatë viteve, kam njohur individë të panumërt që kanë qenë veçanërisht besnikë dhe të bindur. Unë jam bekuar dhe frymëzuar prej tyre. Do të doja t’ju tregoja një histori për dy individë të tillë.

Valter Krauze ishte një anëtar i patundur i Kishës, i cili, me familjen e tij, jetoi në [Republikën Demokratike të Gjermanisë], pas Luftës II Botërore. Pavarësisht mundimeve që hasi për shkak të mungesës së lirisë në atë zonë të botës në atë kohë, vëllai Krauze ishte një burrë që e donte Zotin dhe i shërbente Atij. Ai e përmbushi me besnikëri dhe me ndërgjegje çdo detyrë që iu dha.

Burri tjetër, Johan Dendorfer, një hungarez, u kthye në besim në Kishë në Gjermani dhe u pagëzua atje në vitin 1911 në moshën 17‑vjeçare. Jo shumë kohë pas kësaj, ai u kthye në Hungari. Pas Luftës II Botërore, ai e gjeti veten praktikisht të burgosur në tokën e tij të lindjes, në qytetin e Debreçenit. Liria i ishte hequr edhe popullit në Hungari.

Vëllai Valter Krauze, që nuk e njihte vëllanë Dendorfer, mori detyrën të ishte mësuesi i tij i shtëpisë dhe ta vizitonte atë rregullisht. Vëllai Krauze i telefonoi shokut të tij të mësimit të shtëpisë dhe i tha: “Kemi marrë një detyrë për të vizituar vëllanë Johan Dendorfer. A do të ishe i disponueshëm të vije me mua këtë javë për ta parë atë dhe për t’i dhënë atij një mesazh nga ungjilli?” Dhe më pas ai shtoi: “Vëllai Dendorfer jeton në Hungari”.

Shoku i tij i trembur e pyeti: “Kur do të nisemi?”

“Nesër”, erdhi përgjigjja nga vëllai Krauze.

“Kur do të kthehemi në shtëpi?” pyeti shoku.

Vëllai Krauze iu përgjigj: “O, pas pothuaj një jave – nëse kthehemi”.

U nisën dy shokët e mësimit të shtëpisë për të vizituar vëllanë Dendorfer, duke udhëtuar me tren dhe autobus nga zona verilindore e Gjermanisë për në Debreçen të Hungarisë – një udhëtim i gjatë. Vëllai Dendorfer nuk kishte pasur mësues shtëpie që përpara luftës. Tani, kur i pa këta shërbëtorë të Zotit, ai u mbush me mirënjohje për ardhjen e tyre. Në fillim ai nuk pranoi t’ua shtrëngonte duart. Në vend të kësaj, ai shkoi në dhomën e tij të gjumit dhe nxori një kuti nga një dollap i vogël që kishte të dhjetën të cilën ai e kishte ruajtur për vite. Ai ua dha të dhjetën mësuesve të tij të shtëpisë dhe tha: “Tani jam në rregull me Zotin. Tani ndihem i denjë për të tokur duart me shërbëtorët e Zotit!” Vëllai Krauze më tregoi më vonë se ishte prekur përtej aftësisë për ta përshkruar prej mendimit se ky vëlla besnik, që nuk kishte pasur kontakt me Kishën për shumë vite, kishte hequr me bindje dhe në mënyrë të qëndrueshme 10 përqind të të ardhurave të tij të pakta me të cilat pagoi të dhjetën. Ai e kishte ruajtur atë, pa e ditur se kur ose nëse do të mund të kishte privilegjin ta paguante atë.

Vëllai Valter Krauze … shërbeu me besnikëri dhe bindje gjatë gjithë jetës së tij dhe ishte një frymëzim për mua dhe të gjithë ata që e njohën. Kur i kërkohej të përmbushte detyra, ai kurrë nuk e vinte në dyshim, kurrë nuk mërmëriste dhe kurrë nuk gjente justifikime.

Pamja
Tomas S. Monsoni me shenjtorë nga Gjermania Lindore

Nga e majta në të djathtë: Geri Shvendimani, Plaku Monson, Valter dhe Edit Krauzeja, Gotfrid dhe Gertraude Rihteri dhe Henri dhe Inge Burkhardti

Vëllezërit dhe motrat e mia, prova e madhe e kësaj jete është bindja. “Dhe ne do t’i provojmë me këtë”, tha Zoti, “për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” [Abraham 3:25]. …

Shpëtimtari shpalli: “Sepse të gjithë ata që dëshirojnë të kenë bekim nga dora ime, duhet t’i binden ligjit që u caktua për atë bekim dhe kushteve të tij, siç u ngritën që përpara krijimit të botës” [Doktrina e Besëlidhje 132:5].7

Duhet një frymë bindjeje nëse duam të kualifikohemi për bekime sot. Nuk mjafton thjesht të themi: “Nesër do veproj më mirë”. Zoti pret që ne të veprojmë më mirë sot. … Do të shpresoja që çdonjëri prej nesh të kishte një traditë bindjeje në jetën e tij, në jetën e saj, sepse të gjitha bekimet e Perëndisë bazohen te bindja ndaj urdhërimeve. Kur i jetojmë urdhërimet, ne do të gjejmë përgjigje ndaj lutjeve tona dhe do të marrim drejtim në jetën tonë.8

Dituria që kërkojmë, përgjigjet për të cilat jemi të dëshiruar, dhe forca që dëshirojmë sot për të përballuar sfidat e një bote të ndërlikuar dhe në ndryshim, mund të jenë tonat kur u bindemi me gatishmëri urdhërimeve të Zotit. Po i citoj edhe një herë fjalët e Zotit: “Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat” [Doktrina e Besëlidhje 93:28].9

4

Shpëtimtari ynë është shembulli më i madh i bindjes dhe na bën thirrje që ta ndjekim Atë.

Neve na është dhënë një shembull i përsosur për ta ndjekur – madje shembulli i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit – dhe jemi udhëzuar ta ndjekim atë shembull. Tha Shpëtimtari Vetë: “Eja e më ndiq” [Lluka 18:22]. “Veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” [3 Nefi 27:21]. Ai shtroi pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Dhe pastaj Ai u përgjigj: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27). “Shtegun shënoi, udhën tregoi” [“O, sa Urti dhe Dashuri”, Himne, nr 110.

Ndërsa shohim te Jezusi si Shembulli ynë dhe ndërsa i ndjekim gjurmët e hapave të Tij, ne mund të kthehemi të sigurt tek Ati ynë Qiellor që të jetojmë me Të përgjithmonë. Tha profeti Nefi: “Në qoftë se një njeri nuk duron deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë, ai nuk mund të shpëtohet” [2 Nefi 31:16]. …

Ne lexojmë te Fjalët e Urta paralajmërimin: “Sheshoje shtegun e këmbëve të tua” [Fjalët e Urta 4:26]. Teksa e bëjmë, ne do të kemi besimin, madje dëshirën, për të ecur në shtegun ku eci Jezusi. Ne nuk do të kemi asnjë dyshim që jemi në një shteg, të cilin Ati ynë do të donte ta ndiqnim. Shembulli i Shpëtimtarit jep një model për gjithçka që bëjmë, dhe fjalët e Tij japin një udhërrëfim të pagabueshëm. Shtegu i Tij do të na çojë të sigurt në shtëpi.10

Nuk ekziston shembull më i shkëlqyer për bindjen sesa ai i Shpëtimtarit tonë. Për Të Pali vërejti:

“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden” [Hebrenjve 5:8–9].

Shpëtimtari tregoi dashuri të sinqertë për Perëndinë duke jetuar jetë të përsosur, duke e nderuar misionin e shenjtë që ishte i Tiji. Kurrë nuk ishte Ai arrogant. Kurrë nuk ishte Ai i fryrë me krenari. Kurrë nuk ishte Ai i pabesë. Gjithmonë ishte Ai i përulur. Gjithmonë ishte Ai i sinqertë. Gjithmonë ishte Ai i bindur.

Edhe pse Atë e tundoi ai mjeshtër i mashtrimit, madje djalli; edhe pse fizikisht qe i dobësuar nga agjërimi për 40 ditë e 40 net dhe “në fund e mori uria”; përsëri kur i ligu i bëri Jezusit propozimet më joshëse e tunduese, Ai na dha një shembull hyjnor të bindjes duke mos pranuar të shmangej nga ajo që e dinte se ishte e drejtë [shih te Mateu 4:1–11].

Kur u përball me agoninë e Gjetsemanit, ku Ai duroi dhembje të tillë saqë “djersa e tij… i[u] bë si gjak i mpiksur që bie për tokë” [Lluka 22:44], Ai dha shembullin e Birit të bindur duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” [Lluka 22:42].

Sikurse Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt e Tij të hershëm, kështu ju udhëzon Ai ju dhe mua: “Ti ndiqmë” [Gjoni 21:22]. A jemi të gatshëm të bindemi?11

Ne, me Jezusin, mund të ecim në shtegun e bindjes. Nuk do të jetë gjithnjë e lehtë, por le të jetë motoja jonë trashëgimia që na u la nga Samueli: “Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve” [1 Samuelit 15:22]. Le të kujtojmë se rrjedhoja përfundimtare e mosbindjes është robëria dhe vdekja, ndërkohë që shpërblimi për bindjen është liria dhe jeta e përjetshme.12

A nuk e kemi urtësinë që t’i bindemi Atij që e njeh fillimin nga mbarimi – Zotit tonë … ? Shembulli i Tij e tregon udhën. Kur u përball me tundim, Ai iu shmang atij. Kur i ofruan botën, Ai e refuzoi. Kur i kërkuan jetën, Ai e dha.

“Eja, më ndiq”, Shpëtuesi tha.

Në gjurm’t e Tij le t’ecim pra,

Se veç kështu një mund t’jemi,

Me Birin e dashur t’Per’ndis’. …

Ne frone, sundime, mbret’ri,

Lavdi, lumt’ri do të kemi,

Po t’u bindemi përjet’sisht,

Fjal’ve të Tij: “Eja, më ndiq”.

(“Eja, Më Ndiq”, Himne, nr. 60.)

Tani është koha që ta marrim këtë vendim. Le ta ndjekim Atë.13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikojini bekimet e premtuara që mund të marrim kur u bindemi urdhërimeve (shih te pjesa 1). Në çfarë mënyrash na mban të mbrojtur bindja ndaj urdhërimeve? Si ju ka sjellë paqe bindja? Si ju ka ndihmuar bindja të jeni më i/e lumtur? Si ju ka ndihmuar bindja të merrni “të vërtetë e dritë”?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth bindjes nga shembujt që përmend Presidenti Monson te pjesa 2? Si mund të zhvillojmë një mirëbesim më të sigurt tek Ati Qiellor?

  • Presidenti Monson dha mësim se “prova e madhe e kësaj jete është bindja” (pjesa 3). Çfarë përshtypjesh keni për shembujt e Valter Krauzes dhe Johan Dendorferit? Reflektoni mbi ata që keni dëshmuar se kanë qenë të bindur në rrethana të vështira. Si ju kanë ndihmuar shembujt e tyre?

  • Presidenti Monson e theksoi shembullin që dha Shpëtimtari për bindjen dhe ftesën e Tij që ne ta ndjekim Atë (shih te pjesa 4). Në çfarë mënyrash mund ta pranojmë më plotësisht ftesën e Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jozueut 24:14–15; Mateu 7:21; Gjoni 7:17; 14:15; 1 Nefi 17:3; 2 Nefi 1:20; Mosia 2:41; Doktrina e Besëlidhje 130:20–21

Ndihmë për Studimin

“Për shkak se Jezu Krishti ishte përsosurisht i bindur dhe i nënshtruar ndaj Atit të Tij, Ai ‘rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve’ [Lluka 2:52]. A e kemi ne vendosmërinë për të bërë po kështu? Ashtu si Jezusi ‘mori hir pas hiri’ [Doktrina e Besëlidhje 93:12], ne duhet të kërkojmë me durim dhe vazhdimësi dritë e njohuri nga Perëndia në përpjekjet tona për ta mësuar ungjillin” (Tomas S. Monson, “Mësoni nga Unë”, Liahona, mars 2016, f. 6).

Shtyp në Letër