Mësime të Presidentëve
Kapitulli 20


“Kapitulli 20: Shërbimi ndaj Fëmijëve të Perëndisë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 20”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 20

Shërbimi ndaj Fëmijëve të Perëndisë

“Ka zemra për t’u dhënë gëzim. Ka fjalë të dashura për t’u thënë. Ka dhurata për t’u dhënë. Ka vepra për t’u kryer. Ka shpirtra për t’u shpëtuar.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Plaku Uilliam R. Uolker, i cili qe një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, përshkroi mënyrën se si Presidenti Tomas S. Monson ia përkushtoi jetën e tij shërbimit ndaj të tjerëve:

“E tërë shërbesa e tij është e mbushur me vizita nëpër shtëpi; vënien e duarve mbi koka dhe dhënien e bekimeve; bërjen e telefonatave të papritura për të ngushëlluar dhe inkurajuar; dërgimin e letrave të inkurajimit, përgëzimit dhe vlerësimit; vizita në spitale e qendra përkujdesjeje; dhe gjetjen e kohës për të shkuar në varrime dhe ceremoni funeralesh pavarësisht nga një plan shumë i ngjeshur ditor.

Ashtu siç do të bënte Shpëtimtari, Tomas Monsoni ka shkuar duke bërë mirë (shih Veprat e Apostujve 10:38), duke bekuar dhe dashur të tjerët; kjo ka qenë forca shtytëse në jetën e tij.”1

Duke kujtuar një vizitë te një mik i moshuar që ishte në prag të vdekjes, Presidenti Monson rrëfeu:

“Mora një telefonatë nga mbesa e një miku të vjetër. Ajo më pyeti: ‘E mban mend Frensis Bremsin që ishte mësuesi yt i Shkollës të së Dielës?’ I thashë se e mbaja mend. Ajo vazhdoi: ‘Ai tani është 105 vjeç’. Jeton në një azil të vogël, por takohet me të gjithë familjen çdo të diel, ku u zhvillon edhe një mësim të Shkollës të së Dielës.’ Mbesa tha se të dielën e kaluar, vëllai Brems e lajmëroi familjen e vet: ‘Të dashurit e mi, unë do të vdes këtë javë. A do t’i telefononi Tomi Monsonit, ju lutem dhe t’ia thoni këtë. Ai do të dijë se ç’duhet të bëjë.’”2

Presidenti Monson e vizitoi Frensis Bremsin mbrëmjen që pasoi. ‘Nuk e kisha parë për shumë kohë’, – tha ai. Nuk mund t’i flisja, sepse e kishte humbur dëgjimin. Nuk mund t’i shkruaja një mesazh që ta lexonte, sepse e kishte humbur shikimin. M’u tha se familja komunikonte me të duke ia marrë gishtin e dorës së djathtë e duke shkruar me gisht në pëllëmbën e dorës së tij të majtë emrin e personit që kishte ardhur për vizitë. Çfarëdo mesazhi duhej të jepej në po këtë mënyrë. E ndoqa procedurën duke ia marrë gishtin dhe duke germëzuar T-O-M-I M-O-N-S-O-N, emrin me të cilin ai më kishte njohur ngaherë. Vëllai Brems u gëzua dhe m’i mori duart dhe i vendosi në kokën e tij. E dija se dëshira e tij ishte të merrte një bekim priftërie. Shoferi që më kishte çuar te qendra e përkujdesjes, u bashkua me mua ndërsa vendosëm duart në kokën e vëllait Brems dhe i dhamë bekimin e dëshiruar. Pas kësaj, nga sytë e tij të verbër rrodhën lotë. Ai na i shtrëngoi duart në shenjë mirënjohjeje. Edhe pse nuk e kishte dëgjuar bekimin që i dhamë, Shpirti ishte i fortë dhe besoj se ai u frymëzua që të dinte se ne i kishim dhënë bekimin që i nevojitej. Ky burrë i ëmbël … ishte i mbyllur natë e ditë në një dhomë të vogël në një qendër përkujdesjeje. Dhe prapëseprapë, buzëqeshja në fytyrën e tij dhe fjalët që ai tha, më prekën në zemër. ‘Faleminderit’, – tha ai. ‘Ati im Qiellor ka qenë shumë i mirë me mua.’3

Brenda asaj jave, tamam ashtu siç kishte thënë, vëllai Brems ndërroi jetë. Më telefonuan për të më njoftuar dhe më pas u takova me familjen teksa po bëheshin përgatitjet për funeralin. Sa mirënjohës jam që përgjigjja për të dhënë shërbim nuk u vonua.”4

Pamja
Jezu Krishti duke shëruar njerëz

“Megjithëse [Jezu Krishti] erdhi në tokë si Biri i Perëndisë, Ai u shërbeu me përulësi atyre që ishin pranë Tij.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Ne e konsiderojmë Shpëtimtarin si shembullin tonë të shërbimit.

Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj shërbimi nga shërbëtorët e Zotit dhe nga Jezusi Vetë. … Ai bëri që lypësit e çalë të ecnin dhe të verbrit të shihnin. Ai i pastroi lebrosët dhe e shëroi shërbëtorin e centurionit. Ai ia riktheu të vesë nga Naini birin e saj të vdekur. … Ai e ngriti Llazarin nga varri. Ai e fali gruan e kapur në shkelje kurore. Ai shleu për mëkatet e të gjithëve ne. Ai vdiq që ne të mund të jetojmë përjetësisht. Ndërsa e jetojmë jetën tonë të përditshme, zbulojmë mundësi të panumërta për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.5

Si një projektor shkëlqyes i mirësisë është jeta e Jezusit ndërsa Ai kryente shërbesë mes njerëzve. “Unë jam midis jush porsi ai që shërben” [Lluka 22:27], deklaroi Jezusi. …

Me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë Mësuesi na mësoi t’i duam të afërmit tanë si veten [shih te Lluka 10:30–37; Mateu 22:39]. Me përgjigjen e Tij ndaj të riut pasanik, Ai na mësoi të zhvishemi nga egoizmi ynë [shih te Mateu 19:16–24; Marku 10:17–25; Lluka 18:18–25]. Me ushqyerjen e 5 000 vetave, Ai na mësoi të shohim nevojat e të tjerëve [shih te Mateu 14:15–21; Marku 6:31–44; Lluka 9:10–17; Gjoni 6:5–13]. Dhe me Predikimin në Mal, Ai na mësoi të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë [shih te Mateu 6:33].

Në Botën e Re, Zoti i ringjallur shpalli: “Ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” [3 Nefi 27:21]. …

Ne i bekojmë të tjerët kur shërbejmë në hijen e “Jezusi[t] prej Nazareti … i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë” [Veprat e Apostujve 10:38]. Zoti na bekoftë që të gjejmë gëzim në shërbimin e Atit tonë në Qiell teksa u shërbejmë fëmijëve të Tij në tokë.6

Ne e konsiderojmë Shpëtimtarin si shembullin tonë të shërbimit. Megjithëse Ai erdhi në tokë si Biri i Perëndisë, Ai u shërbeu me përulësi atyre që ishin pranë Tij.7

Le të jemi të gatshëm dhe të denjë për të shërbyer. Le të ndjekim hapat e Mësuesit në përmbushjen e detyrës sonë. Ndërsa unë dhe ju ecim në shtegun ku eci Jezusi, do të zbulojmë se Ai është më shumë se foshnja në Bethlehem, më shumë se i biri i marangozit, më shumë se mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ne do të arrijmë ta njohim Atë si Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin tonë dhe Shëlbuesin tonë. Kur thirrja e detyrës i erdhi Atij, Ai u përgjigj: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” [Moisiu 4:2]. Secili prej nesh veproftë kështu!8

2

Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë dhe Ai mbështetet tek ne për t’u shërbyer dhe për t’i ngritur moralisht fëmijët e Tij.

Apostulli Pal këshilloi: “Me dashuri t’i shërbeni njëri‑tjetrit” [Galatasve 5:13]. Kujtoni me mua fjalët e njohura të Mbretit Beniamin në Librin e Mormonit: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” [Mosia 2:17]. …

Unë kam besim se është qëllimi i çdo anëtari të Kishës që t’u shërbejë dhe t’i ndihmojë ata njerëz në nevojë. Në pagëzim ne besëlidhim që të “mba[jmë] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” [Mosia 18:8]. Sa herë jeni prekur në zemër kur keni dëshmuar nevojën e një tjetri? Sa shpesh keni pasur ndër mend të ishit ai që jep ndihmë? Dhe përsëri sa shpesh ka ndërhyrë jetesa e përditshme dhe ju ua keni lënë të tjerëve të ndihmojnë, duke menduar se “oh, me siguri dikush do të kujdeset për atë nevojë”.

Ne rrëmbehemi kaq shumë në angazhimet e jetës sonë. Megjithatë, nëse do të ktheheshim pas dhe do ta vështronim mirë atë që po bëjmë, mund të zbulonim se jemi përfshirë thellësisht në gjëra të parëndësishme. Me fjalë të tjera, tepër shpesh ne e kalojmë shumicën e kohës sonë duke u kujdesur për gjëra që thuajse nuk kanë fare rëndësi në skemën e madhe të gjërave, duke lënë pas dore ato kauza më të rëndësishme. …

Vëllezërit e motrat e mia, ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.9

“Kur njerëzit tanë të dashur janë sëmurë, ka një lidhje të natyrshme mes miqve që bëhet gjithnjë e më e fortë.”10

Ka mundësi për të shërbyer që janë të hapura për çdokënd. Të verbrit dhe ata me aftësi të kufizuara kanë nevojë për miqësi; të moshuarit janë të uritur për shoqëri; të rinjtë kanë nevojë për udhërrëfim mirëkuptues; të talentuarit janë të dëshiruar për inkurajim. Këto dobi nuk mund të dhurohen duke [dhënë para]. Shërbimi vetjak është i drejtpërdrejtë dhe njerëzor.11

Ndoshta kur të jemi përballë Krijuesit tonë, ne nuk do të na pyesin: “Sa punë me pozitë ke pasur?”, por në vend të kësaj: “Sa njerëz ke ndihmuar?” Në të vërtetë, nuk mund ta duash kurrë Zotin derisa t’i shërbesh Atij duke u shërbyer njerëzve të Tij.12

Pamja
një grua dhe një e moshuar duke u përqafuar

“Ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, inkurajimin tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, dashamirësinë tonë.”

Nga të gjitha bekimet që kam pasur në jetë, një nga ato më të ëmblat është ndjenja që më jep Zoti kur unë e di se Ai i është përgjigjur lutjes së një personi tjetër nëpërmjet meje. Ndërsa e duam Zotin, ndërsa e duam të afërmin tonë, ne zbulojmë se Ati ynë Qiellor do t’u përgjigjet lutjeve të të tjerëve nëpërmjet shërbesës sonë.13

3

“A kam ndihmuar dikë në nevojë?”

[Një] himn i njohur na mëson:

Mundësi shërbimi ka gjat’ udhës son’,

Kudo ndodhen mund’si rreth nesh.

Mos i lër të shkojn’ duke thën’: “E bëj më von’”,

Por shko dhe sot t’u shërbesh.

[“A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?Himne, nr. 139]

Le t’i bëjmë vetes pyetjet: “A kam bër’ sot në bot’ un’ ndonjë të mir’? Kam ndihmuar dikë në nevoj’?” Çfarë formule për lumturi! Çfarë recete për kënaqësi, për paqe të brendshme – të frymëzosh mirënjohje në një tjetër qenie njerëzore.

Mundësitë tona për të dhënë nga vetja janë me të vërtetë pa fund, por ato gjithashtu humbasin. Ka zemra për t’u dhënë gëzim. Ka fjalë të dashura për t’u thënë. Ka dhurata për t’u dhënë. Ka vepra për t’u kryer. Ka shpirtra për t’u shpëtuar. … Ne mund t’i thajmë lotët e vajtuesve. Mund t’i ngushëllojmë ata që janë në prag të vdekjes, duke u folur mbi premtimin për jetën e përjetshme. Nëse ngremë një dorë që varet poshtë, nëse i sjellim paqe një shpirti të munduar, nëse japim sikurse bëri Mësuesi, ne mund të bëhemi një yll orientues për ndonjë detar të humbur duke i treguar udhën. …

Marrshim vendim nga sot e tutje që t’i mbushim zemrat tona me dashuri! Bëfshim një përpjekje më tepër për të përfshirë në jetën tonë këdo që është i vetmuar ose i ligështuar, apo që po vuan në çfarëdo mënyre! E “bë[fshim] t’pik’lluarin të ndjehet mir’” [“A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?Himne, nr. 139].14

Njëqind vjet më vonë nuk do të ketë rëndësi se çfarë tipi veture ngamë, në çfarë lloj shtëpie jetuam, sa para patëm në llogarinë bankare, as si dukeshin veshjet tona. Por bota mund të jetë paksa më e mirë për shkak se ne qemë të rëndësishëm në jetën e një djali ose vajze.15

Shpesh vepra të vogla shërbimi janë gjithçka që kërkohet për të frymëzuar dhe bekuar dikë: një pyetje mbi familjen e dikujt, fjalë të shpejta inkurajimi, një kompliment i sinqertë, një shënim i vogël falënderimi, një telefonatë e shkurtër. Nëse jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm dhe nëse veprojmë sipas nxitjeve që na vijnë, ne mund të përmbushim mjaft vepra mirësie.16

Me raste, shkurajimi mund ta errësojë shtegun e udhës suaj; pezmatimi mund të jetë një shoqërues i vazhdueshëm. Në veshët tanë mund të tingëllojë sofizmi i Satanit teksa pëshpërit: “Nuk mund ta shpëtosh botën; përpjekjet e tua të vogla janë të pakuptimta. Nuk ke kohë të shqetësohesh për të tjerët.” Duke i mirëbesuar Zotit, le ta kthejmë kokën [larg] nga këto ide të rreme dhe të sigurohemi që këmbët tona të ngulen me vendosmëri në shtegun e shërbimit dhe që zemrat e shpirtrat tanë të përkushtohen për ta ndjekur shembullin e Zotit. Në çaste kur drita e vendosmërisë zbehet dhe kur zemra na mpaket, mund të gjejmë ngushëllim nga premtimi i Tij: “Mos u lodhni së bëri mirë. … Nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” [Doktrina e Besëlidhje 64:33].17

Do të shpresoja që të mos e humbasim objektivin real të mundësive tona të vyera për të shërbyer. Ai objektiv, ai synim i përjetshëm, është i njëjti që u tha nga Zoti dhe që gjendet te Perla me Vlerë të Madhe: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” [Moisiu 1:39].

E kujtofshim përherë që manteli i anëtarësisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk është një pelerinë ngushëllimi, por një veshje ceremoniale përgjegjësie. Detyra jonë, përveç shpëtimit të vetvetes, është t’u rrëfejmë udhën të tjerëve drejt mbretërisë çelestiale të Perëndisë. …

Çfarë lloj shërbimi kërkon qielli? “Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit” [Doktrina e Besëlidhje 64:34].18

4

Kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit.

Të gjithëve atyre që shkojnë përpara në shërbimin e [Shpëtimtarit], Ai u jep këtë siguri: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” [Doktrina e Besëlidhje 84:88].19

Kur zemrat tona janë në harmoni me mësimet [e Shpëtimtarit], ne zbulojmë afërsinë e pagabueshme të ndihmës së Tij hyjnore. Ne jemi në punën e Zotit dhe, kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. … Ndihma që ju nevojitet, mund të mos vijë pikërisht siç e përfytyroni, por do të vijë.20

Nëse ndonjë vëlla ose motër, ndihet i papërgatitur, madje i paaftë që t’i përgjigjet një thirrjeje për të shërbyer, për të sakrifikuar, për të bekuar jetën e të tjerëve, kujtoni të vërtetën: “Atë që Perëndia e thërret, Perëndia e kualifikon”. Ai që vë re rënien e harabelit, nuk do ta braktisë nevojën [për ndihmë] të shërbëtorit.21

5

Teksa u shërbejmë të tjerëve, do të njihemi me Shpëtimtarin.

Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij: “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë: por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” [Lluka 9:24].

… Ata që jetojnë vetëm për vete, vyshken dhe në mënyrë figurative e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim të të tjerëve, rriten e lulëzojnë – dhe si rrjedhojë e shpëtojnë jetën e tyre.

Në Konferencën e Përgjithshme të tetorit 1963 – konferenca ku unë u mbështeta si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve – Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei bëri këtë deklaratë: “Lumturia më e madhe e njeriut vjen kur e humbet veten për të mirën e të tjerëve” [në Conference Report, tetor 1963, f. 8].22

Pamja
të rinj e të reja dhe të rritur në moshë madhore duke shërbyer së bashku

“Ata që e humbasin veten në shërbim të të tjerëve, … si rrjedhojë e shpëtojnë jetën e tyre.”

Pata një përvojë me një mikun tim të dashur, Luis Mek‑Donaldin. Luisi nuk u martua kurrë. Për shkak të një sëmundjeje gjymtuese, ai nuk kishte njohur qoftë edhe një ditë pa dhembje ose ditë të shumta pa vetmi. Një ditë dimri, kur i shkova për vizitë, ai erdhi me ngadalë te dera pasi i rashë ziles. Hyra në shtëpinë e tij të mirëmbajtur, temperatura në të gjitha dhomat përveçse te njëra, në kuzhinë, ishte [e ulët] 4.5 gradë celsius. Arsyeja? Para të pamjaftueshme për të ngrohur ndonjë dhomë tjetër. Mureve u nevojitej letër muri, tavani duhej të ulej, raftet duhej të mbusheshin me ushqime.

Nevojat e Luisit më shqetësuan. U këshillova me peshkopin e tij dhe ndodhi një mrekulli dashurie, e nxitur nga dëshmia. Anëtarët e lagjes, veçanërisht të rinjtë e të rejat në moshë madhore, u organizuan dhe filloi puna e dashurisë.

Një muaj më vonë, miku im Luisi më mori në telefon dhe më pyeti a mund të shkoja e të shihja se ç’i kishte ndodhur. Shkova dhe vura re vërtet një mrekulli. Trotuarët që kishin lëvizur vendit nga rrënjët e pemëve të mëdha të plepit, qenë zëvendësuar, veranda e shtëpisë qe rindërtuar, ishte vënë një derë e re me një dorezë me shkëlqim, tavanët qenë ulur, muret qenë veshur me letra muri, mobiliet e drurit qenë lyer, çatia qe zëvendësuar dhe raftet qenë mbushur me ushqime. Shtëpia nuk ishte më e ftohtë dhe jomikpritëse nga pamja. Tani dukej se pëshpëriste një mirëseardhje të ngrohtë.

Luisi e ruajti të ma tregonte në fund krenarinë dhe gëzimin e tij: atje në shtratin e vet një jorgan me kuadrate që mbante stemën e klanit të familjes së tij Mek‑Donald. Ajo qe bërë me përkujdesje plot dashuri nga gratë e Shoqatës së Ndihmës. Përpara se të largohesha, zbulova se çdo javë Të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore sillnin darkën e ngrohtë dhe bënin një mbrëmje të shtëpisë. Ngrohtësia e kishte zëvendësuar të ftohtin, riparimet e kishin shndërruar vjetrimin nga vitet, por, në mënyrë më domethënëse, shpresa e kishte davaritur dëshpërimin dhe tani dashuria mbretëronte triumfuese.

Të gjithë ata që morën pjesë në këtë dramë prekëse të jetës reale, kishin zbuluar një vlerësim të ri dhe vetjak për mësimdhënien e Mësuesit: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” [Veprat e Apostujve 20:35].23

Perëndia i bekoftë të gjithë ata që mundohen të jenë rojtarët e vëllezërve të tyre, që dhurojnë për të lehtësuar vuajtjen, që përpiqen me gjithçka të mirë që kanë brenda vetes për ta bërë botën më të mirë. A e keni vënë re se këta njerëz kanë një buzëqeshje më të shndritshme? Hapat e tyre janë më të sigurt. Ata duket se kanë një aureolë gëzimi dhe kënaqësie, madje përkushtimi rreth vetes, sepse dikush nuk mund të përfshihet në dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve pa u bekuar bollshëm edhe vetë.24

Çdo anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në ujërat e pagëzimit, ka besëlidhur të qëndrojë si dëshmitar/e i/e Perëndisë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9) dhe ka shprehur një gatishmëri që “të mba[jë] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” (Mosia 18:8).

Duke e përmbushur këtë besëlidhje në jetë, ne do të njihemi me Atë që deklaroi: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë”. (3 Nefi 11:10.) Ky është Jezusi që kërkojmë. Ky është vëllai të cilin e duam. Ky është Krishti, Zoti, të cilit i shërbejmë. Unë dëshmoj se Ai jeton, pasi flas si dikush që e ka gjetur Atë.25

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikojni mënyrat e shumta në të cilat Shpëtimtari na dha një shembull shërbimi (shih te pjesa 1). Çfarë mund të mësojmë nga përkushtimi i Tij mbi shërbimin ndaj të tjerëve? Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e Tij të shërbimit në jetën tonë të përditshme?

  • Në çfarë kuptimi jemi në shërbimin e Perëndisë kur u shërbejmë të tjerëve? (Shih te pjesa 2.) Pse është e rëndësishme të dimë se “ne jemi duart e Zotit këtu në tokë”? Kur u është përgjigjur Zoti lutjeve tuaja nëpërmjet një personi tjetër? Si mund të vendosim përparësi në jetën tonë që të mund t’i kushtojmë kohë shërbimit?

  • Rishikojini mënyrat në të cilat Presidenti Monson na inkurajoi që të japim nga vetja (shih te pjesa 3). Kur ka sjellë dikush një ndryshim në jetën tuaj duke ju shërbyer në një nga këto mënyra? Ku e keni parë që “vepra të vogla shërbimi” i ngrenë moralisht dhe i bekojnë të tjerët? Si mund të bëhemi më të vetëdijshëm ndaj nevojave të të tjerëve?

  • Si i ka lartësuar Zoti përpjekjet tuaja kur i keni shërbyer Atij? (Shih te pjesa 4 dhe Doktrina e Besëlidhje 84:88.)

  • Presidenti Monson dha mësim se kur u shërbejmë të tjerëve, ne do të “rrite[mi] e lulëzoj[m]ë (pjesa 5). Si ju ka ndihmuar të rriteni shërbimi ndaj të tjerëve? Në çfarë mënyrash të tjera jeni bekuar ndërsa u keni shërbyer të tjerëve? Si mendoni, përse “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”? (Veprat e Apostujve 20:35.) Si ju ka sjellë më pranë Shpëtimtarit shërbimi ndaj të tjerëve?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jozueut 22:5; Mateu 25:31–46; Gjoni 13:34–35; Mosia 5:13; Doktrina e Besëlidhje 4:2–6; 58:26–28; 81:5

Ndihmë për Studimin

“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele dhe lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatim, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (Henri B. Ajring, “Shërbeni me Shpirtin”, Liahona, nëntor 2010, f. 60).

Shënime

  1. William R. Walker, “Follow the Prophet”, Ensign, prill 2014, f. 41.

  2. The Bridge Builder”, Liahona, nëntor 2003, f. 69.

  3. Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”, Liahona, nëntor 2013, f. 86.

  4. The Bridge Builder”, f. 69.

  5. Three Gates to Open” takim shpirtëror në universitetin “Brigam Jang”, 14 nëntor 2006), f. 5, speeches.byu.edu.

  6. The Savior’s Call to Serve”, Ensign, gusht 2012, f. 4–5.

  7. The Bridge Builder”, f. 68.

  8. Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Liahona, maj 2012, f. 69.

  9. Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?”, Liahona, nëntor 2009, f. 85–86.

  10. Letërkëmbim vetjak, 15 shtator 1982.

  11. Teachings of Thomas S. Monson, përmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 283. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  12. Faces and Attitudes”, New Era, shtator 1977, f. 50.

  13. How Do We Show Our Love?”, Ensign, janar 1998, f. 6.

  14. May We So Live”, Ensign, gusht 2008, f. 7, 9.

  15. In Quest of the Abundant Life”, Ensign, mars 1988, f. 5.

  16. Tre Qëllime Për T’ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 120–121.

  17. Finding Peace”, Liahona, mars 2004, f. 5.

  18. The Savior’s Call to Serve”, f. 4.

  19. The Service That Counts”, Ensign, nëntor 1989, f. 45.

  20. Three Gates to Open”, f. 5–6.

  21. Tears, Trials, Trust, Testimony”, Ensign, shtator 1997, f. 5.

  22. Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?”, f. 85

  23. Three Gates to Open”, f. 5.

  24. Our Brothers’ Keepers”, Ensign, qershor 1998, f. 39.

  25. The Search for Jesus”, Ensign, dhjetor 1990, f. 5.

Shtyp në Letër