“Kapitulli 4: Lutja: Pasaporta për Paqen dhe Forcën Shpirtërore”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 4”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 4
Lutja: Pasaporta për Paqen dhe Forcën Shpirtërore
“Pikërisht nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe të çiltër ne mund të marrim bekimet e nevojshme dhe ndihmën e kërkuar për të ecur përpara në udhëtimin ndonjëherë të vështirë dhe sprovues, të cilin e quajmë vdekshmëri.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
Presidenti Monson tha: “Komunik[imi] me Atin tim në Qiell nëpërmjet lutjes … është një marrëdhënie që unë e mbaj gjallë – do të isha i humbur pa atë marrëdhënie”1. Kur u thirr që të ishte peshkop në moshën 22‑vjeçare, ai nuk u ndie në nivelin e duhur, u ndje i frikësuar dhe i mbingarkuar nga përgjegjësia.2 Duke kujtuar mbështetjen e vet te lutja gjatë asaj kohe, ai më vonë tha:
“Çdo peshkop ka nevojë për një korije të shenjtë tek e cila të mund të tërhiqet për të medituar dhe për t’u lutur për udhërrëfim. Korija ime ishte godina e vjetër kishtare e lagjes sonë. Nuk mund t’i numëroj rastet kur në një natë të errët, në një orë të vonë, merrja rrugën e qëndroja në këtë ndërtesë ku isha bekuar, konfirmuar, shuguruar, kisha marrë mësime dhe përfundimisht isha thirrur për të kryesuar. Godina kishtare ndriçohej dobët nga drita e rrugës përballë; nuk dëgjohej asnjë tingull, asnjë njeri që të shqetësonte. Me duart e vendosura mbi foltore gjunjëzohesha dhe i shprehja Atij që ishte lart, ndjenjat e mia, shqetësimet e mia, problemet e mia.”3
Një vit gjatë shërbesës së Presidentit Monson si peshkop, artikujt me përdorim të gjerë në depon e peshkopëve ishin të pakta për shkak të një thatësire. Për shkak të shqetësimit të sinqertë për më shumë se 80 vejushat në lagjen e tij, Presidenti Monson iu drejtua Atit Qiellor në lutje. Lidhur me këtë përvojë, ai tha:
“Lutja ime atë natë është e shenjtë për mua. U përgjërova se këto vejusha ishin gratë më të mira që njihja në vdekshmëri, se nevojat e tyre ishin të thjeshta e të matura, se ato nuk kishin burime mbi të cilat mund të mbështeteshin. Të nesërmen në mëngjes mora një telefonatë nga një anëtar i lagjes, pronar i një biznesi prodhimesh. ‘Peshkop’, – tha ai, ‘do të doja të dërgoja një kamion gjysmërimorkio me portokaj, qitro dhe banane për depon e peshkopëve që t’u jepen njerëzve në nevojë. A mund ta organizoni këtë?’ A mund ta organizoja! Depoja u vu në gatishmëri. Më pas u telefonua çdo peshkop dhe e gjithë ngarkesa u shpërnda. Peshkopi Xhesi M. Druri, ai pionier dhe magazinier i dashur për mirëqenien, tha se nuk kishte dëshmuar asnjëherë një ditë të tillë më parë.”4
Presidenti Monson shpesh dha dëshmi se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Ai dha mësim se përgjigjet vijnë në shumë mënyra, si mrekulli, si udhërrëfim vetjak, si nxitje, si forcë për të duruar sprovat dhe si shërbim nga njerëz të tjerë. “Me ritmin e furishëm të jetës sot, gjeni vend për lutjen”, – këshilloi ai. “Detyra jonë është më e madhe se vetja jonë. Kemi nevojë për ndihmën hyjnore të Perëndisë. Unë dëshmoj se ndihma e Tij është veç një lutje larg.”5
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Ndërsa lutemi dhe dëgjojmë, Ati ynë Qiellor do të na ndihmojë në udhëtimin tonë në vdekshmëri.
Ai që vë re rënien e një harabeli, sigurisht e dëgjon përgjërimin e zemrës sonë. Kujtoni premtimin: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” [Jakob [Bibël] 1:5].
Atyre [prej jush] të cilët po ndeshen me sfida dhe vështirësi, të mëdha e të vogla, lutja është furnizuesja e forcës shpirtërore; ajo është pasaporta drejt paqes. Lutja është mjeti me anë të së cilës i qasemi Atit tonë në Qiell, [i cili] na do. I flisni Atij në lutje dhe pastaj dëgjoni përgjigjen. Mrekulli janë kryer përmes lutjes.6
Udhëtimi ynë në të ardhmen nuk do të jetë një autostradë e shtruar nga këtu deri në përjetësi. Përkundrazi, do të ketë degëzime dhe kthesa në rrugë, pa folur për gungat e paparashikuara. Ne duhet t’i lutemi çdo ditë një Ati të dashur Qiellor, që dëshiron sukses në jetë për secilin prej ne.7
Ati ynë Qiellor … do të na ndihmojë nëse duam t’i japim Atij në jetën tonë një mundësi për ta bërë atë.
Më kujtohet përvoja e disa viteve më parë. Një grup miqsh po kalëronin me kuaj të fortë të racës Morgan në një shteg kur mbërritën në një lirishtë që shtrihej në një livadh të harlisur me bar me një burim të vogël e të kulluar që gjarpëronte përmes tij. Asnjë dre nuk mund të dëshironte një shtëpi më të mirë. Megjithatë, kishte një rrezik që fshihej. Dreri dinak mund të zbulonte edhe lëvizjen më të vogël në shkurret përreth; ai mund të dëgjonte kërcitjen e një degëze dhe të dallonte aromën e njeriut. Ai është i pambrojtur vetëm nga njëri drejtim – mbi kokë. Në një pemë të fortë, gjuetarët kishin ngritur një platformë lart mbi vendin joshës. Ndonëse në shumë vende kjo gjë nuk është e ligjshme, gjuetari e kap prenë e tij ndërsa afrohet të hajë dhe të pijë. Asnjë degëz nuk do të thyhej, asnjë lëvizje nuk do ta shqetësonte, asnjë aromë nuk do ta zbulonte vendndodhjen e gjahtarit. Përse? Dreri i mahnitshëm, me shqisat tejet të zhvilluara për të paralajmëruar për rrezikun e afërt, nuk e ka aftësinë për të parë direkt lart dhe si rrjedhojë ta zbulojë armikun. Dreri gjendet në një pozitë të keqe. Njeriu nuk është aq i kufizuar. Siguria e tij më e madhe gjendet tek aftësia e tij dhe dëshira e tij për të parë lart – për të “[parë] te Perëndia dhe [për të] jet[uar]” [Alma 37:47].8
Forco[je]ni themelin tuaj nëpërmjet lutjes. … Ndërsa lutemi, le të komunikojmë me të vërtetë me Atin tonë në Qiell. Është e lehtë të lejojmë që lutjet tona të bëhen të përsëritshme, duke shprehur fjalë të menduara pak ose aspak. Kur kujto[jmë që] secili prej nesh është me të vërtetë një bir apo bijë shpirtërore e Perëndisë, nuk do ta kemi të vështirë t’i drejtohemi Atij në lutje. Ai na njeh; Ai na do; Ai do më të mirën për ne. Le të lutemi me sinqeritet dhe [domethënie], duke ofruar falënderimet tona dhe duke kërkuar ato gjëra që e ndiejmë se kemi nevojë. Le të dëgjojmë për përgjigjet e Tij, në mënyrë që t’i [dallojmë] ato kur vijnë. Ndërsa e bëjmë këtë, do të forcohemi dhe bekohemi. Do të [arrijmë ta] njohim Atë dhe dëshirat e Tij për jetën tonë. Duke [e] njohur Atë, … duke [mirëbesuar] te vullneti i Tij, themelet tona të besimit do të forcohen. Në qoftë se ndonjëri prej nesh ka qenë i ngadalshëm t[a] dëgjojë këshillën për t’u lutur gjithmonë, nuk ka kohë më të mirë për të filluar sesa tani. Uiliam Kauperi deklaroi: “Satani dridhet kur e shikon shenjtorin më të dobët në gjunjët e tij” (në William Neil, përmb., Concise Dictionary of Religious Quotations [1974], f. 144).9
Ne mësojmë të lutemi duke u lutur. Një njeri mund t’i kushtojë orë të panumërta shqyrtimit të përvojave të të tjerëve, por asgjë nuk depërton në zemrën njerëzore siç depërton një lutje vetjake e zjarrtë dhe përgjigja e saj e dërguar nga qielli.
I tillë ishte shembulli i djaloshit Samuel. E tillë ishte përvoja e Nefit të ri në moshë. E tillë ishte lutja me ndikim të madh e të riut Jozef Smith. I tillë mund të jetë bekimi i një personi që lutet.10
Nëse nuk keni një marrëdhënie [komunikimi në lutje] me Atin tuaj në Qiell, unë ju [nxit] të pun[oni] në drejtim të këtij qëllimi. Ndërsa e bëni këtë, ju do të keni të drejtën e frymëzimit dhe udhë[rrëfimit të Tij] në jetën tuaj – nevoja për secilin prej nesh, nëse duam të mbijetojmë shpirtërisht gjatë udhëtimit tonë këtu në tokë. [Një] frymëzim dhe udhë[rrëfim i] tillë janë dhurata që Ai na i jep bujarisht në qoftë se i kërkojmë ato. Çfarë thesare[sh] të mëdha [që janë]!11
2
Nëpërmjet lutjes familjare, ne marrim bekime dhe përkrahjen e nevojshme.
Një gjykatës të njohur amerikan e pyetën se çfarë mund të bënim ne si qytetarë të shteteve të botës për të reduktuar krimin e mosbindjen ndaj ligjit dhe për të sjellë paqe e kënaqësi në jetën tonë dhe në kombet tona. Ai u përgjigj me kujdes: “Unë do të sugjeroja një rikthim te praktika e dikurshme e lutjes familjare”.
Si popull, a nuk jemi ne mirënjohës që lutja familjare nuk është një praktikë e tejkaluar për ne? Nuk ka pamje më të bukur në gjithë këtë botë se të shohësh një familje që lutet së bashku. …
Zoti udhëzoi që ne të bëjmë lutje familjare kur tha: “Lutjuni Atit në familjet tuaja, gjithnjë në emrin tim, që bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj të jenë të bekuar” [3 Nefi 18:21].12
Zoti udhëz[oi]: “Lutu gjithmonë e unë do të derdh Shpirtin tim mbi ty dhe i madh do të jetë bekimi yt” [Doktrina e Besëlidhje 19:38]. Ndoshta nuk ka pasur kurrë një kohë kur të ke[m]i pasur më shumë nevojë të lutemi dhe t’i mësojmë pjesëtarët e familjes tonë të luten. Lutja është një mbrojtje ndaj tundimit. Pikërisht nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe të çiltër ne mund të marrim bekimet e nevojshme dhe ndihmën e kërkuar për të ecur përpara në udhëtimin ndonjëherë të vështirë dhe sprovues, të cilin e quajmë vdekshmëri.
Ne mund t’u mësojmë rëndësinë e lutjes fëmijëve dhe [nipërve e mbesave tona], si me fjalë ashtu edhe me shembull. Po [ju tregoj] një [mësim mbi mësimdhënien] me anë të shembullit, që [përshkruhet] në letrën që një nënë më ka dërguar në lidhje me lutjen. “I dashur President Monson: Ndonjëherë pyes veten nëse sjell ndonjë ndryshim në jetën e fëmijëve të mi. Veçanërisht si një nënë e vetme që punon në dy punë për të përballuar jetesën, ndonjëherë kthehem në shtëpi ku më pret rrëmuja, por kurrë nuk e humbas shpresën.”
Letra e saj vazhdon ndërsa ajo përshkruan se si ajo dhe fëmijët e saj po shikonin konferencën e përgjithshme, ku unë po flisja rreth lutjes. Djali i saj [bëri komentin]: “Mami, ti tashmë na e ke mësuar këtë”. Ajo e pyeti: ‘Çfarë do të thuash?’ I biri iu përgjigj: ‘Në fakt, ti na ke mësuar dhe treguar si të lutemi, por një natë unë erdha në dhomën tënde për të të pyetur për diçka dhe të gjeta në gjunjë duke iu lutur Atit Qiellor. Në qoftë se Ai është i rëndësishëm për ty, do të jetë i rëndësishëm edhe për mua.’ Letra përfundonte: “Besoj se kurrë nuk e di se ç’ndikim do të ke[sh] derisa një fëmijë të shikon ty vetë duke bërë atë që je përpjekur t’ia mësosh atij”13.
Le të mos [i] lëmë pas dore lutje[t] ton[a] familjare. Ajo është parandaluese efikase e mëkatit dhe prandaj është siguruese e dobishme gëzimi dhe lumturie. [Ajo] thënie e vjetër është ende e vërtetë: “Familja që lutet bashkë, qëndron bashkë”. Duke dhënë shembullin e lutjes për fëmijët tanë, ne do t’i ndihmojmë gjithashtu ata të fillojnë themelet e tyre të thella të besimit dhe dëshmisë për të cilat do të kenë nevojë gjatë gjithë jetës së tyre.14
3
Ne kemi nevojë të lutemi dhe më pas kemi nevojë të veprojmë.
Shumë vite më parë, në një detyrë në Tahiti, po flisja me presidentin tonë të misionit, Presidentin Rajmond Baudin, rreth popullit tahitian. Ata njihen si disa nga detarët më të shkëlqyer në të gjithë botën. Vëllai Baudini, i cili flet frëngjisht dhe tahitianisht por pak anglisht, po përpiqej të më përshkruante sekretin e suksesit të kapitenëve detarë tahitianë. Ai tha: “Ata janë të mahnitshëm. Koha mund të jetë e tmerrshme, anijet mund të kenë rrjedhje, mund të mos kenë ndihmë për lundrimin përveç ndjenjave të brendshme dhe yjeve në qiell, por ata luten dhe shkojnë.” Ai e përsëriti atë frazë tri herë. Ka një mësim në atë pohim. Ne kemi nevojë të lutemi dhe më pas kemi nevojë të veprojmë. Të dyja janë të rëndësishme. …
Nëse do t’ju pyesja se cili nga të gjitha fragmentet në Librin e Mormonit është më i lexuari, supozoj se do të jetë rrëfimi që gjendet te 1 Nefi lidhur me Nefin, vëllezërit e tij, atin e tij dhe urdhërimin për të marrë nga Labani fletët prej tunxhi. Kjo ndoshta ndodh ngaqë shumica prej nesh, herë‑herës, zotohemi ta lexojmë sërish Librin e Mormonit. Zakonisht e fillojmë me 1 Nefin. Në të vërtetë, fragmentet që gjenden aty, portretizojnë bukur nevojën për t’u lutur dhe më pas për të shkuar dhe për të bërë. Nefi tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” [1 Nefi 3:7].
Ne e mbajmë mend urdhërimin. Ne e mbajmë mend përgjigjen. Ne e mbajmë mend rezultatin.
Në ditën tonë dhe kohën tonë, ka shumë shembuj lidhur me përvojat e atyre që luten dhe më pas shkojnë dhe bëjnë. Po ju tregoj një ndodhi prekëse të një familjeje të mirë që jetonte në qytetin e bukur të Përthit në Australi. Në vitin 1957, katër muaj përpara përkushtimit të Tempullit në Zelandën e Re, Donald Kamingsi, babai, ishte presidenti i distriktit në Përth. Ai me bashkëshorten dhe familjen e vet ishin të vendosur të merrnin pjesë në përkushtimin e tempullit, edhe pse ishin ngushtë nga ana ekonomike. Ata filluan të luteshin, të punonin dhe të kursenin. Ata shitën të vetmen makinë që kishin dhe së bashku mblodhën çdo qindarkë që mundën, por një javë përpara nisjes së tyre të planifikuar, u mungonin ende 200 paundë. Nëpërmjet dy dhuratave të papritura prej 100 paundësh secila, ata e përmbushën synimin e tyre pikërisht në kohë. Për shkak se vëllai Kamings nuk mund të merrte leje nga puna për udhëtimin, ai vendosi ta linte punën.
Ata udhëtuan me tren përmes kontinentit të gjerë australian, mbërritën në Sidnei, ku u bashkuan me anëtarë të tjerë që gjithashtu po udhëtonin për në Zelandën e Re. Vëllai Kamings dhe familja e tij ishin mes australianëve të parë që do të pagëzoheshin për të vdekurit në tempullin e Zelandës së Re. Ata ishin ndër të parët që do të merrnin dhurimin në tempullin e Zelandës së Re nga Përthi i largët i Australisë. Ata u lutën, ata u përgatitën dhe më pas shkuan.15
4
Asnjë shqetësim i yni nuk është tepër i vogël ose i parëndësishëm.
Shumë vite më parë, kur shërbeva si peshkop, u njoftova se Meri Uatsoni, një anëtare e lagjes sime, ishte paciente në një spital rajonal. Kur shkova ta vizitoja, zbulova se ishte në një dhomë të madhe me kaq shumë shtretër sa ishte e vështirë ta dalloja. Kur e identifikova shtratin e saj dhe iu afrova, i thashë: “Përshëndetje, Meri”.
Ajo u përgjigj: “Përshëndetje, Peshkop”.
Vura re se një paciente në shtratin ngjitur me Meri Uatsonin e mbuloi fytyrën me çarçaf.
I dhashë Meri Uatsonit një bekim, i dhashë dorën dhe i thashë “Mirupafshim”, por nuk mund të largohesha nga ana e saj. Dukej sikur një dorë e padukshme po më qëndronte mbi shpatull dhe brenda shpirtit ndjeva sikur po dëgjoja këto fjalë: “Shko te shtrati pranë ku zonja trupvogël mbuloi fytyrën kur hyre”. E bëra këtë. Kam mësuar në jetën time që të mos e shtyj asnjëherë një nxitje.
Iu afrova anës së shtratit të pacientes tjetër, e preka lehtë në shpatull dhe me kujdes tërhoqa çarçafin që mbulonte fytyrën e saj. Dhe çfarë vura re! Edhe ajo qe anëtare e lagjes sime. Nuk e dija që ishte paciente në spital. Emri i saj qe Kethlin Mek‑Ki. Kur sytë e saj ndeshën të mitë, ajo thirri mes lotësh: “Oh, peshkop, kur hytë nga ajo derë, mendova se kishit ardhur të më takonit mua dhe të më bekonit në përgjigje të lutjeve të mia. Po lumturohesha përbrenda duke menduar që ju e dinit se isha këtu, por kur ndaluat tek shtrati tjetër, zemra më theri dhe e dija se nuk kishit ardhur të më takonit mua.”
I thashë Kethlin Mek‑Kisë: “Nuk ka rëndësi që nuk e dija se ishe këtu. Megjithatë, ka rëndësi që Ati ynë Qiellor e dinte dhe se ishe lutur në heshtje për një bekim priftërie. Ishte Ai që më nxiti të ndërhyja në privatësinë tënde.”
U dha një bekim, një lutje mori përgjigje. I dhashë një puthje në ballë dhe u largova nga spitali me mirënjohje në zemër për nxitjet e Shpirtit.16
Qëllimet e Zotit shpesh përmbushen kur ia vëmë veshin udhë[rrëfimit] të Shpirtit. Besoj se sa më shumë veprojmë sipas frymëzimit dhe [mbresave] që na vijnë, aq më shumë Zoti do të na i [mirë]besojë [detyrat] e Tij. …
… Vëllezërit e motrat e mia, Ati ynë Qiellor është në dijeni të nevojave tona dhe do të na ndihmojë kur i thërrasim për ndihmë. Unë besoj se asnjë shqetësim i yni nuk është tepër i vogël ose i parëndësishëm. Zoti është i shqetësuar edhe për hollësitë e jetës sonë.17
5
Lutja na mbështet gjatë sprovave.
Kur barrët e jetës bëhen të rënda, kur sprovat na e vënë në provë besimin, kur dhembja, hidhërimi dhe dëshpërimi bëjnë që drita e shpresës të regëtijë dhe të ndriçojë pak, komunikimi me Atin tonë Qiellor ofron paqe.18
Do të ketë raste kur ju do të ecni nëpër një shteg të mbushur me gjemba dhe të shënuar nga vështirësia. Mund të ketë raste kur ju ndiheni të shkëputur – madje të veçuar – nga Dhënësi i çdo dhurate të mirë. Shqetësoheni se ecni vetëm. Frika e zëvendëson besimin.
Kur e gjeni veten në rrethana të tilla, ju lutem që të kujtoni lutjen. … Apostulli Pal këshilloi:
“Ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë. …
Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” [Filipianëve 4:6–7].
Ç’premtim i lavdishëm! Paqja është ajo që kërkojmë, të cilën e dëshir[ojmë me zjarr].
Ne nuk u vendosëm në këtë tokë për të ecur vetëm. Ç’burim i mahnitshëm fuqie, force dhe ngushëllimi është i gjindshëm për secilin prej nesh. Ai që na njeh më mirë sesa ne e njohim veten tonë, Ai që ka një këndvështrim më të gjerë dhe që e [di] mbarimin që nga fillimi, na ka siguruar se do të jetë atje për ne për të na dhënë ndihmë, në qoftë se ne thjesht ia kërkojmë. Ne kemi premtimin: “Lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” [Doktrina e Besëlidhje 90:24].
Kur lutjet tona ngjiten drejt qiellit, le të mos harrojmë fjalët që na u mësuan nga Shpëtimtari. Kur u ndodh përballë agonisë torturuese të Gjetsemanit dhe kryqit, Ai iu lut Atit: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” [Lluka 22:42]. E vështirë siç mund të jetë nganjëherë, është gjithashtu përgjegjësia jonë që të kemi [mirë]besim tek Ati ynë Qiellor se Ai e di më mirë se si, kur dhe në çfarë mënyre të na e sigurojë ndihmën që kërkojmë.19
Komunikimi me Atin tonë në Qiell – përfshirë lutjet tona ndaj Tij dhe frymëzimin e Tij ndaj nesh – është i nevojshëm në mënyrë që ne t’i përballojmë stuhitë dhe sprovat e jetës. Zoti na fton: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni” [Doktrina e Besëlidhje 88:63]. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do ta ndiejmë Shpirtin e Tij në jetën tonë, duke na dhënë dëshirën dhe kurajën për të qëndruar të fortë dhe të qëndrueshëm në drejtësi.20
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Presidenti Monson dha mësim se lutja është “furnizuesja e forcës shpirtërore” dhe “pasaporta drejt paqes” (pjesa 1). Cilat janë disa raste kur lutja iu ka forcuar? Cilat janë disa raste kur lutja iu ka sjellë paqe? Si mund t’i bëjmë më domethënëse lutjet tona?
-
Rishikojini bekimet e shumta që Presidenti Monson tha se vijnë nga bërja e lutjes familjare (shih pjesën 2). Si është bekuar familja juaj nga të luturit së bashku? Cilat janë disa mënyra për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë rreth fuqisë së lutjes? Çfarë mund të mësojmë nga historia e Presidentit Monson rreth lutjes së nënës?
-
Çfarë mund të na mësojë rreth lutjes historia e Presidentit Monson për kapitenët detarë tahitianë? (Shih te pjesa 3.) Çfarë pret Ati Qiellor nga ne kur e kërkojmë ndihmën e Tij? Çfarë keni mësuar për mënyrat se si Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve?
-
Presidenti Monson theksoi se “Ati … Qiellor është në dijeni të nevojave tona dhe do të na ndihmojë kur i thërrasim për ndihmë” (pjesa 4). Cilat përvoja ju kanë treguar se Ati Qiellor është në dijeni të nevojave tuaja? Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të fitoni një dëshmi se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve?
-
Presidenti Monson dha mësim se Ati Qiellor do të na mbështetë përgjatë sprovave ndërsa e kërkojmë ndihmën e Tij në lutje (shih pjesën 5). Si jeni ndier të mbështetur përgjatë sprovave ndërsa jeni lutur? Si e keni parë Perëndinë ta përmbushë premtimin e Tij se ndërsa luteni përherë të “gjith[a] gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”? (Doktrina e Besëlidhje 90:24.)
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Mateu 6:5–13; 21:22; Gjoni 17:1–26; Jakob [Bibël] 5:16; 2 Nefi 32:8–9; Enos 1:1–9; Alma 33:3–11; Doktrina e Besëlidhje 9:7–9; 121:1–8
Ndihmë për Studimin
Ndërsa lexoni, nënvizojini dhe shenjojini fjalët ose frazat që janë domethënëse për ju. Shtojini referencat në shkrimet e shenjta që lidhen me mësimet e Presidentit Monson (shih Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 23).