Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9


“Kapitulli 9: Përballja me Besim me Stuhitë e Fatkeqësisë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 9”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 9

Përballja me Besim me Stuhitë e Fatkeqësisë

“Po të mos ishte për sfidat që duhen kapërcyer dhe problemet që duhen zgjidhur, ne do të mbeteshim pak a shumë siç jemi, me pak ose aspak përparim drejt synimit tonë për jetë të përjetshme.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Në vitin 1968, Presidenti Tomas S. Monson, asokohe anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, u caktua që të mbikëqyrte misionet e Kishës në Europë. Atë nëntor ai shkoi të vizitonte shenjtorët në Republikën Demokratike të Gjermanisë që ishte nën sundimin komunist. Ai e përshkroi atë kohë si një kohë frike, shtypjeje dhe mungese mundësish. Pavarësisht nga këto sprova, anëtarët e Kishës po ngulmonin me besim. “Gjeta mërzinë e dëshpërimit në fytyrat e shumë kalimtarëve, por një shprehje të ndritshme e të bukur dashurie që buronte nga anëtarët tanë”, – tha ai.

Mbledhja e parë e Presidentit Monson me këta shenjtorë ishte në një magazinë të vjetër në Gërlic. Ndërtesa ishte ende “me shenjat e predhave nga lufta”, – kujtoi ai, “por pjesa e brendshme pasqyronte përkujdesjen e udhëheqësve tanë për t’i sjellë shkëlqim dhe pastërti një strukture të shkretë dhe të ndotur”.

Gjatë mbledhjes, Presidenti Monson u prek ndërsa anëtarët kënduan himnin vijues për shpresë në kohën e tyre të vështirësisë:

Nëse udha është plot me sprova, mos u drobit!

Nëse ka mohim të dhimbshëm, mos u drobit!

Nëse tani është vajtuese,

Do t’ketë përshëndetje të gëzueshme,

Kur të korrat po korrim – mos u drobit!

Nga udha mos u drobit,

Cilado qoftë pjesa jote;

I pret një e ndritshme dit’

Të gjithë, të gjithë ata që nuk drobiten!

[“If the Way Be Full of Trial, Weary Not”, Deseret Sunday School Songs (1909), nr. 158]

Presidenti Monson më vonë tha: “[Unë] asnjëherë nuk kam dëgjuar të këndohet në këtë mënyrë. … Kam takuar disa bashkësi të cilat kanë treguar një dashuri më të madhe për ungjillin.”1 Përkushtimi i këtyre shenjtorëve, të cilët po duronin një fatkeqësi kaq të madhe, e përuli atë: “Ata kishin kaq pak. Zemra ime u mbush me pikëllim sepse ata nuk kishin patriark. Ata nuk kishin lagje ose kunje – vetëm degë. Nuk mund t’i merrnin bekimet e tempullit – as dhurimin, as vulosjen. Asnjë vizitor zyrtar nuk kishte ardhur nga zyrat qendrore të Kishës për një kohë të gjatë. Anëtarëve iu ndalohej të largoheshin nga vendi. Prapëseprapë ata mirëbesuan te Zoti me gjithë zemrën e tyre.”2

Ndërsa mbledhja vazhdoi, Presidenti Monson u ngrit për të folur. Lidhur me këtë përvojë disa vite më vonë, ai tha: “Me sytë e mbushur me lot dhe zërin e mbytur nga emocionet, u bëra një premtim njerëzve: ‘Nëse do të qëndroni të vërtetë dhe besnikë ndaj urdhërimeve të Perëndisë, çdo bekim që gëzon çdo anëtar i Kishës në çdo vend tjetër, do të jetë edhe bekimi juaj’. Pastaj e kuptova atë që thashë.”3

Atë natë, ndërsa Presidenti Monson shqyrtoi ndikimin e plotë të asaj që do të kërkohej që ky premtim të përmbushej, ai u ul në gjunjë dhe u përgjërua: “Atë Qiellor, jam në detyrën Tënde; kjo është kisha Jote. Kam thënë fjalë që nuk erdhën prej meje por prej Teje dhe Birit Tënd. Prandaj, a do ta përmbushësh premtimin në jetën e këtij populli fisnik?” Si përgjigje ndaj lutjes, i erdhën në mendje fjalët e një psalmi: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10).

Gradualisht, në harkun kohor të 20 viteve, premtimi u përmbush, përfshirë atë që Presidenti Monson e konsideroi si mrekullinë më të madhe: ndërtimi i një tempulli në Frajberg në vitin 1985, duke i vënë më në fund në dispozicion të këtyre shenjtorëve besnikë bekimet e tempullit.

Më pas, në vitin 1988, “u dha miratimi që misionarët kohëplotë të hynin në vend dhe që të rinjtë vendas të shërbenin kudo në botë. Më pas [në vitin 1989], ashtu si muri i Jerikos, u shemb Muri i Berlinit dhe u kthye liria, me gjithë përgjegjësitë e saj shoqëruese”4.

Presidenti Monson udhëtoi në Republikën Demokratike të Gjermanisë shumë herë për t’u dhënë shërbesë shenjtorëve atje. Së bashku, ata i përballuan sprovat me kurajë, besim dhe mbështetje te Perëndia. Dhe së bashku përjetuan mrekulli. Ndonëse udha ishte e gjatë dhe shpesh “vajtuese”, ata nuk u drobitën. Përfundimisht u bekuan me një “ditë [të] ndritshme” ndërsa u realizuan premtimet profetike. (Shih faqet 23–28 për një rrëfim më të hollësishëm.)

Tempulli i Frajbergut, Gjermani

Tempulli i Frajbergut, Gjermani

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Gjatë vuajtjeve dhe mundimeve, ngushëllimi ynë përfundimtar është ungjilli i Jezu Krishtit.

Jeta është një shkollë përvoje, një kohë prove. Ne mësojmë ndërsa mbajmë hidhërimet tona dhe jetojmë përmes [pikëllimeve] tona. …

Mund të hamendësohet fare mirë se askush nuk ka jetuar ndonjëherë plotësisht i lirë nga vuajtja dhe mundimi, as nuk ka pasur ndonjë periudhë në historinë njerëzore që nuk ka pasur pjesën e vet të plotë të trazirave, rrënimit dhe mjerimit.

Kur shtegu i jetës merr një drejtim mizor, vjen tundimi për të bërë pyetjen: “Përse mua?” Vetëfajësimi është një praktikë e zakonshme edhe kur mund të mos kemi pasur kontroll mbi vështirësinë tonë. Nganjëherë duket se nuk ka dritë në fund të tunelit, nuk ka agim që ta thyejë errësirën e natës. Ne ndihemi të rrethuar nga dhembja e zemrave të thyera, zhgënjimi i ëndrrave të shkatërruara dhe dëshpërimi i shpresave të zhdukura. Ne bashkohemi në shqiptimin e lutjes biblike: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad?” [Jeremia 8:22]. …

Të gjithë atyre që janë kaq të dëshpëruar, më lejoni t’u ofroj sigurinë që gjendet te psalmi: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” [Psalmeve 30:5].

Kurdoherë që priremi të ndihemi të rënduar nga fshikullimat e jetës, le të kujtojmë se të tjerë kanë kaluar nga e njëjta udhë, kanë duruar dhe më pas kanë dalë fitimtarë.

Duket se ka një furnizim pa fund me shqetësime për të gjithë. Problemi ynë është se shpesh presim zgjidhje të menjëhershme, duke harruar që shpesh kërkohet virtyti qiellor i durimit.

A ju tingëllojnë të njohura sfidat në vijim?

  • Fëmijë me aftësi të kufizuara

  • Vdekja e një njeriu të dashur

  • Shkurtimi në punë

  • Vjetrimi i aftësive profesionale të dikujt

  • Një bir ose bijë e pabindur

  • Sëmundja mendore dhe emocionale

  • Aksidentet

  • Shkurorëzimi

  • Keqtrajtimi

  • Borxhet e tepërta

Lista është e pafundme. Në botën e sotme ekziston nganjëherë prirja për t’u ndier i shkëputur, madje i veçuar, nga Dhënësi i çdo dhurate të mirë. Shqetësohemi se mos ecim të vetëm. Ju pyetni: “Si mundet ta përballojmë?” Gjëja që na sjell ngushëllimin përfundimtar, është ungjilli.

Nga shtrati i dhembjes, nga jastëku i lagur me lot, ne ngrihemi drejt qiellit nga ajo siguri hyjnore dhe ai premtim i çmuar: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” [Jozueut 1:5].5

2

Forcimi i themeleve tona të besimit do të na mbështetë në kohë sprovash.

Në vitin 1959, jo shumë kohë pasi fillova shërbimin tim si president i Misionit të Kanadasë, me [zyrat qendrore] në Toronto, Ontaria, Kanada, takova N. Eldon Tanerin, një kanadez i mirënjohur i cili vetëm disa muaj më vonë do të thirrej si [Ndihmës] i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pastaj në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe më vonë si këshilltar për katër Presidentë të Kishës.

Në kohën që e takova atë, Presidenti Taner ishte president i kompanisë së madhe Trans-Canada Pipelines, Ltd. dhe president i Kunjit të Kalgarit në Kanada. Ai në Kanada njihej si “Z. Integritet”. Gjatë atij takimi të parë, ne diskutuam, ndër çështje të tjera, për dimrin e ftohtë kanadez, ku stuhitë tërbohen, temperaturat mund të qëndrojnë për [javë të tëra] nën temperaturën e ngrirjes dhe ku erërat e akullta i ulin ato temperatura akoma më shumë. E pyeta Presidentin Taner se pse rrugët [dhe autostradat] në Kanadanë perëndimore [praktikisht] qëndronin të padëmtuara gjatë këtij të ftohti dimëror, duke … shfaqur [pak ose aspak] shenja plasaritjeje ose çarjesh, ndërsa sipërfaqet e rrugëve në shumë zona ku dimri është nuk ishte kaq i ftohtë dhe i ashpër shfaqnin plasaritje, çarje dhe gropa.

Ai tha: “Përgjigjja gjendet në thellësinë e bazamentit të materialeve [të shtrimit]. Në mënyrë që ato të qëndrojnë të forta dhe të mos çahen, është e nevojshme që shtresat e themelit të ndërtohen shumë thellë. Kur themelet nuk janë shumë të thella, sipërfaqet nuk mund t’i përballojnë temperaturat ekstreme.”

Me kalimin e viteve, kam menduar shpesh për këtë bashkëbisedim dhe për shpjegimin e Presidentit Taner, sepse në fjalët e tij gjej një zbatim kuptimplotë për jetën tonë. E thënë thjesht, nëse nuk kemi një themel të thellë besimi dhe një dëshmi [të fortë] për të vërtetën, [mund] të kemi vështirësi [për] t’i përball[uar] stuhitë e egra dhe erërat e akullta të [fatkqësive], të cilat pashmangshmërisht vijnë te secili prej nesh.

Vdekshmëria është një periudhë prove, një kohë për ta provuar veten të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor. Në mënyrë që ne të provohemi, duhet të përballemi me sfida dhe vështirësi. Ato mund të na thyejnë dhe sipërfaqja e shpirtit tonë mund të plasaritet dhe thërrmohet – që ndodh nëse themelet tona të besimit, dëshmitë tona të së vërtetës nuk janë të ngulitura thellë brenda nesh.

Nuk mund të mbështetemi te besimi dhe dëshmia e të tjerëve për shumë gjatë. Përfundimisht, duhet të kemi të vendosur thellë [dhe fort] vetë themelin tonë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’u qëndrojmë stuhive të jetës, të cilat do të vijnë. Të tilla stuhi vijnë në forma të ndryshme. Ne mund të përballemi me hidhërim dhe thyerje zemre nga një fëmijë i pabindur i cili zgjedh të largohet nga udha që të shpie në të vërtetat e përjetshme, për të ecur në shpatet rrëshqitëse të gabimit dhe zhgënjimit. Sëmundja mund të na godasë ne ose një [njeri] të dashur, duke sjellë vuajtje dhe ndonjëherë, vdekje. Aksidentet mund të lënë shenjat e tyre mizore përkujtuese ose mund të shkatërrojnë jetën. Vdekja u vjen të moshuarve ndërsa ecin me hapa të ngadaltë. [Thirrjet e saj dëgjohen] gjithashtu [nga] ata që mezi kanë mbërritur në gjysmën e rrugës gjatë udhëtimit të tyre të jetës dhe shpesh bën të heshtë e qeshura e fëmijëve të vegjël. …

Si mund ta ndërtojmë një themel aq të fortë, sa [t’u] bëjmë ballë peripecive [të tilla] të jetës? Si mund ta ruajmë besimin dhe dëshminë të cilat do të kërkohen në mënyrë që të [mund të] përjetojmë gëzimin e premtuar për besnikët? Përpjekje e vazhdueshme dhe e qëndrueshme është e nevojshme. Shumica nga ne kanë përjetuar frymëzime aq të forta që sjellin lot në sytë tanë dhe vendosmëri për të qëndruar gjithmonë besnik[ë]. Kam dëgjuar [pohimin]: “Nëse mund t’i mbaja këto ndjenja gjithmonë me vete, nuk do të kisha kurrë problem të bëja çfarë duhet”. Ndjenja të tillë, megjithatë, mund të jenë të përkohshme. Frymëzimi që ndiejmë [sot], … mund të zvogëlohet dhe zbehet ndërsa e hëna vjen dhe përballemi me rutinën e punës, … shkollës, me administrimin e shtëpisë dhe familjes tonë. Gjëra të tilla mund të na heqin mendjen lehtësisht nga gjërat e shenjta te [të zakonshmet], nga gjërat që na ngrenë shpirtërisht tek ato që, nëse i lejojmë, do të na [i] copëtojnë dëshmitë, themelet tona të forta.

Sigurisht, ne nuk jetojmë në një botë në të cilën përjetojmë vetëm anën shpirtërore, por ne mund t’i forcojmë themelet tona të besimit, dëshmitë tona të së vërtetës, në mënyrë që të mos ligështohemi dhe të mos dështojmë.6

3

Lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe shërbimi do të na ndihmojnë të ndërtojmë një themel të fortë besimi.

Si, mund të pyesni ju, mundet që ta fitojmë me [efektshmëri] më të madh[e] dhe ta [ru]ajmë themelin e nevojshëm për të mbijetuar shpirtërisht në botën në të cilën jetojmë? Më lejoni të ofroj tri udhëzime për të na ndihmuar në kërkimin tonë.

Së pari, forco[je]ni themelin tuaj nëpërmjet lutjes. “Lutja ësht’ dëshir’ e shpirtit, me zë o pa shprehur” (“Lutja Ësht’ Dëshir’ e Shpirtit”, Himne, nr. 83).

Ndërsa lutemi, le të komunikojmë me të vërtetë me Atin tonë në Qiell. Është e lehtë të lejojmë që lutjet tona të bëhen të përsëritshme, duke shprehur fjalë të menduara pak ose aspak. Kur kujto[jmë që] secili prej nesh është me të vërtetë një bir apo bijë shpirtërore e Perëndisë, nuk do ta kemi të vështirë t’i drejtohemi Atij në lutje. Ai na njeh; Ai na do; Ai do më të mirën për ne. Le të lutemi me sinqeritet dhe [domethënie], duke ofruar falënderimet tona dhe duke kërkuar ato gjëra që e ndiejmë se kemi nevojë. Le të dëgjojmë për përgjigjet e Tij, në mënyrë që t’i [dallojmë] ato kur vijnë. Ndërsa e bëjmë këtë, do të forcohemi dhe bekohemi. Do të [arrijmë ta] njohim Atë dhe dëshirat e Tij për jetën tonë. Duke [e] njohur Atë, … duke [mirëbesuar] te vullneti i Tij, themelet tona të besimit do të forcohen. Në qoftë se ndonjëri prej nesh ka qenë i ngadalshëm të dëgjojë këshillën për t’u lutur gjithmonë, nuk ka kohë më të mirë për të filluar sesa tani. …

Udhëzimi im i dytë: Le [t’i] studiojmë shkrimet e shenjta dhe të “mendoh[emi] për t[o] ditë e natë”, siç këshillohet nga Zoti në librin e Jozueut (1:8). …

[Kalimi i kohës] ditë për ditë për studimin e shkrimeve të shenjta, pa dyshim, do të na [i] forcojë themelet tona të besimit dhe dëshmitë tona [për të] vërtetë[n].

Rikujtoni me mua gëzimin që [përjetoi] Alma ndërsa po udhëtonte nga toka e Gideonit, në drejtim të jugut, për në tokën e Mantit dhe u takua me bijtë e Mosias. Alma nuk i kishte parë ata për njëfarë kohe dhe u mbush me gëzim kur zbuloi se ata ishin “akoma vëllezërit e tij në Zot; po, dhe ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë” (shih tek Alma 17:1–2).

burrë duke studiuar shkrimet e shenjta

“[Kalimi i kohës] ditë për ditë për studimin e shkrimeve të shenjta … do të na [i] forcojë themelet tona të besimit dhe dëshmitë tona [për të] vërtetë[n].”

[E ditshim gjithashtu fjalën e Perëndisë dhe e jetofshim jetën sipas saj].

Udhëzimi im i tretë për të ndërtuar një themel të fortë besimi dhe dëshmie përfshin shërbimin.

Një mëngjes, ndërsa po i jepja makinës për në zyrë, kalova [pranë] një dyqani pastrimi kimik i cili kishte një shënim në [xham]. Lexonte: “Është Shërbimi [ai] që ka Rëndësi”. Ai mesazh thjesht nuk më largohej nga mendja. Papritur e kuptova pse. Në fakt, është shërbimi [ai] që ka rëndësi – shërbimi i Zotit.

Në Librin e Mormonit, lexojmë për mbretin fisnik Beniamin. Me përulësinë e vërtetë të një udhëheqësi të frymëzuar, ai rrëfen dëshirën e tij për t’i shërbyer popullit dhe për ta udhëhequr atë në shtigjet e drejtësisë. Ai [më pas] u deklaroi atyre:

“Pasi ju thashë se kisha kaluar ditët e mia në shërbimin tuaj, unë nuk dua të mburrem, pasi kam qenë vetëm në shërbimin e Perëndisë.

Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:16–17).

Ky është shërbimi që ka rëndësi, shërbimi për të cilin të gjithë ne jemi thirrur: shërbimi për Zotin Jezu Krisht.

Përgjatë udhës së jetës suaj do të vëreni se nuk jeni i vetmi udhëtar. Ka edhe të tjerë të cilët kanë nevojë për [ndihmën tuaj]. Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxi[t]im, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. …

Ndërsa vendosim një themel të fortë për jetën tonë, le ta kujtojmë të gjithë premtimin e Tij të çmuar:

Frik’ mos ki, me ty jam; mos bjer n’dëshpërim,

Se jam Per’ndia yt dhe t’vij Un’ në ndihm’.

T’forcoj, të ndihmoj, t’bëj në këmb’ të qëndrosh, …

Mbështetur në krahun Tim t’drejt’ dhe plot forc’.

(“Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41)7

Kur e kërkojmë Atin tonë Qiellor nëpërmjet lutjes së zjarrtë, të sinqertë dhe nëpërmjet studimit të zellshëm, të përkushtuar të shkrimeve të shenjta, dëshmitë tona do të bëhen të forta dhe do të rrënjosen thellë. Ne do ta njohim vërtet dashurinë e Perëndisë për ne. Ne do ta kuptojmë vërtet se asnjëherë nuk ecim vetëm. Ju premtoj se një ditë ju do të qëndroni mënjanë dhe do ta hidhni vështrimin te kohët tuaja të vështira, dhe do ta kuptoni se Ai ishte gjithmonë përkrah jush.8

4

Ndërsa i drejtohemi Atit Qiellor në kohë sprovash, Ai do të na mbështetë dhe do të na ndihmojë të mësojmë dhe rritemi.

Ne priremi [t’i] shohim fatkeqësitë tona [vetjake] nëpërmjet prizmit të shtrembëruar të pesimizmit. Ne ndihemi të braktisur, zemërthyer dhe të vetmuar. Nëse e gjeni veten në një situatë të tillë, ju [përgjërohem] të ktheheni tek Ati juaj Qiellor me besim. Ai do t’ju ngrejë [moralisht] dhe udhërrëfejë. Ai jo gjithmonë do t’i largojë vuajtjet prej jush, por Ai do t’ju ngushëllojë dhe udhëheqë me dashuri nëpër çfarëdo stuhie me të cilën përballeni.9

[Zoti] do të na ndihmojë në kohë nevoje. Vështirësi vijnë në jetën tonë, probleme që nuk i parashikonim dhe të cilat nuk do t’i [zgjidhnim] kurrë. Asnjë prej nesh nuk është i imunizuar. Qëllimi i vdekshmërisë është që të mësojmë e të rritemi për të qenë më shumë si Ati ynë dhe shpesh ndodh pikërisht gjatë kohëve të vështira që ne mësojmë më shumë, pavarësisht sa i dhimbshëm mund të jetë ai mësim. Jeta jonë gjithashtu mund të mbushet me gëzim ndërsa ndjekim mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit.10

Ati ynë Qiellor, që na jep kaq shumë gjëra në të cilat të gjejmë [kënaqësi], gjithashtu e di se ne mësojmë, rritemi dhe bëhemi më të fortë teksa përballemi dhe u mbijetojmë sprovave që duhet të kalojmë. Ne e dimë se ka [raste] kur do të përjetojmë pikëllim zemërthyes, kur do të hidhërohemi dhe kur mund të vihemi në provë deri në maksimumin tonë. Megjithatë, vështirësi të tilla na lejojnë të ndryshojmë për më mirë, ta rindërtojmë jetën tonë në mënyrën siç na mëson Ati ynë Qiellor dhe të bëhemi diçka ndryshe nga ajo që ishim – më të mirë seç ishim, më mirëkuptues seç ishim, më të dhimbsur seç ishim, me dëshmi më të forta seç kishim më parë.

Ky duhet të jetë qëllimi ynë – të këmbëngulim e të [durojmë], po, por edhe të bëhemi më të përmirësuar shpirtërisht ndërsa e çajmë rrugën tonë përmes [kohës së mirë] dhe hidhërimit. Po të mos ishte për sfidat që duhen kapërcyer dhe problemet që duhen zgjidhur, ne do të mbeteshim pak a shumë siç jemi, me pak ose aspak përparim drejt synimit tonë për jetë të përjetshme. Poeti shprehu pak a shumë të njëjtin mendim [me] këto fjalë:

Trungu i mirë nuk rritet lehtë,

Sa më e fortë era, aq më të forta pemët.

Sa më larg qielli, aq më e madhe lartësia.

Sa më e dendur stuhia, aq më e madhe fuqia.

Prej shiut dhe dëborës, prej diellit e të ftohtit,

Rriten trungje të mirë te pemët e te njerëzit.

[Douglas Malloch, “Good Timber”, në Sterling W. Sill, Making the Most of Yourself (1971), f. 23]

Vetëm Mësuesi i njeh thellësitë e sprovave tona, dhembjen tonë dhe vuajtjen tonë. Vetëm Ai na ofron paqe të përjetshme në kohë fatkeqësie. Vetëm Ai i prek shpirtrat tanë të torturuar me fjalët e Tij ngushëlluese:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” [Mateu 11:28–30].

Qoftë nëse janë kohët më të mira apo më të këqijat, Ai është me ne. Ai ka premtuar se kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

Krishti duke i mbajtur dorën një burri

“Vetëm Mësuesi i njeh thellësitë e sprovave tona, dhembjen tonë dhe vuajtjen tonë. Vetëm Ai na ofron paqe të përjetshme në kohë fatkeqësie.”

Vëllezërit e motrat e mia, paçim një zotim ndaj Atit tonë Qiellor që të mos luhatet me vitet apo krizat e jetës sonë. Ne nuk duhet të na nevojitet të përjetojmë vështirësi që ta kujtojmë Atë, dhe nuk duhet të çohemi drejt përulësisë përpara se t’i japim Atij besimin dhe mirëbesimin tonë.

U përpjekshim përherë që të jemi pranë Atit tonë Qiellor. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i lutemi Atij dhe ta dëgjojmë Atë çdo ditë. Ne vërtet na duhet Ai çdo orë, qofshin ato orë me diell apo me shi. Qoftë premtimi i Tij motoja jonë përherë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” [Jozueut 1:5].

Me gjithë fuqinë e shpirtit tim, dëshmoj se Perëndia jeton dhe na do, se Biri i Tij i Vetëmlindur jetoi e vdiq për ne dhe se ungjilli i Jezu Krishtit është ajo dritë përshkuese që ndriçon nëpër errësirën e jetës sonë. Qoftë përherë kështu, unë lutem.11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson dha mësim se ungjilli na sjell ngushëllim në kohë vuajtjesh dhe mundimesh (shih pjesën 1). Si ju ka sjellë ngushëllim dhe forcë ungjilli gjatë një kohe të vështirë? Si mund ta ndiejmë dashurinë e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë në kohë sprovash?

  • Shqyrtojeni historinë e Presidentit Monson rreth Presidentit N. Eldon Taner te pjesa 2. Përse është e nevojshme përpjekja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme për t’i forcuar themelet tona të besimit? Përse sfidat dhe vështirësitë janë një pjesë e nevojshme e vdekshmërisë?

  • Shqyrtojini tri udhëzimet e Presidentit Monson për ndërtimin e një themeli të fortë besimi (shih te pjesa 3). Si e ka forcuar lutja besimin tuaj? Si e ka forcuar dëshminë tuaj studimi i shkrimeve të shenjta? Si e ka forcuar themelin tuaj shërbimi ndaj të tjerëve?

  • Ndërsa lexoni pjesën 4, cilat mësime ju hapin shpresë dhe forcë për sprovat që po përjetoni? Si ju ka ndihmuar Zoti gjatë kohëve të vështira? Çfarë duhet të bëjmë që të marrim ngushëllimin dhe forcën që ofron Zoti? Si jeni bërë më “të përmirësuar shpirtërisht” nga kohët e sprovës?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jakob [Bibël] 2:14–26; Zbulesa 21:1–4; 2 Nefi 31:19–20; Mosia 23:21–22; Alma 32:21, 26–43; Doktrina e Besëlidhje 121:7–9; 122:5–9

Ndihmë për Mësimdhënien

“Nxitini [pjesëtarët e familjes ose klasës] të shënojnë mbresa që i marrin nga Fryma e Shenjtë teksa e studiojnë ungjillin. … Nganjëherë Shpirti do t’iu mësojë atyre … gjëra që nuk thuhen kurrë me zë të lartë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 30).

Shënime

  1. Në Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 290, 291. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  2. Patience – A Heavenly Virtue”, Ensign, nëntor 1995, f. 61.

  3. Thanks Be to God”, Ensign, maj 1989, f. 51.

  4. Patience – A Heavenly Virtue”, f. 61.

  5. Look to God and Live”, Ensign, maj 1998, f. 52–53.

  6. Sa i Fortë Një Themel”, Liahona, nëntor 2006, f. 62, 67; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 88–89.

  7. Sa i Fortë Një Themel”, f. 67–69; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 89–91.

  8. Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 124.

  9. Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 90.

  10. Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi”, Liahona, nëntor 2012, f. 111.

  11. Nuk do të të Lë, as nuk do të të Braktis”, Liahona, nëntor 2013, f. 87.