Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7


“Kapitulli 7: Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 7”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 7

Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim

“Le ta gëzojmë jetën ndërsa e jetojmë atë, të gjejmë gëzim në udhëtim dhe të ndajmë dashurinë tonë me miqtë dhe familjen.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Vitet e hershme të Tomas S. Monsonit ishin të mbushura me aventura. Në shkollë atij i pëlqente më së shumti të mësonte për natyrën dhe gjeografinë. Me miqtë dhe pjesëtarët e familjes, ai mësoi të peshkonte, të bënte gjueti, të notonte dhe të eksploronte botën përreth tij.

Si udhëheqës i Kishës, ai shpesh përdorte histori nga fëmijëria e tij për të dhënë mësim parimet e ungjillit. Duke reflektuar mbi një përvojë me një barkë lodër kur ishte në moshën 10‑vjeçare, ai dha mësimin në vijim rreth udhëtimit të jetës:

“Shokët e mi dhe unë merrnim biçakë në dorë dhe formonim barka të vogla e të kohës prej lodre nga druri i butë i një peme shelgu. Me një velë të pambuktë në formë trekëndore të vendosur, secili [e] lëshonte barkën e tij të papërpunuar mirë në një garë përgjatë ujërave të trazuara të lumit të Provos në Jut[ë]. Ne vraponim përgjatë bregut të lumit dhe i shihnim anijet e vockëla herë duke pluskuar fort në rrymën e shpe[jtë] dhe herë duke lundruar qetësisht ndërsa uji thellohej.

Gjatë një gare [në veçanti], ne vumë re se një barkë i drejtoi gjithë të tjerat drejt vijës së caktuar të përfundimit. Papritur, rryma e tërhoqi atë pranë një vorbulle të madhe dhe barka u anua dhe u përmbys. Ajo u tërhoq rreth e rrotull, pa mundur të çante [udhën] për t’u kthyer sërish në rrymën kryesore. Në fund ajo pati një ndalesë të parehatshme mes mbeturinave të anijeve e ngarkesave që e rrethuan, e ngecur mes tentakulave të myshkut të gjelbër që e shtrëngonte.

Barkat prej lodre të fëmijërisë nuk kishin bazament për qëndrueshmëri, as timon për të siguruar drejtim dhe asnjë burim fuqie. Fati i tyre qe në mënyrë të pashmangshme që të ndiqnin rrymën – shtegun me rezistencë më të pakët.

Ndryshe nga barkat prej lodre, neve na janë [dhënë cilësi] hyjnore që ta drejtojnë udhëtimin tonë. Ne hyjmë në vdekshmëri jo që të pluskojmë sipas rrymave të jetës që lëvizin, por me fuqi për të menduar, për të arsyetuar dhe për të pasur arritje.

Ati ynë Qiellor nuk na hodhi në udhëtimin tonë të përjetshëm pa na siguruar mjetet nëpërmjet të cilave ne mund të merrnim udhë[rrëfim] nga Ai për të siguruar kthimin tonë të sigurt. Po flas për lutjen. Po flas edhe për pëshpëritjet nga ai zë i qetë, i ulët; dhe nuk [anashkaloj] shkrimet e shenjta që përmbajnë fjalë[n] e Zotit dhe fjalët e profetëve – të cilat na janë siguruar për të na ndihmuar të arrijmë me sukses te vija e përfundimit.”1

Presidenti Monson dha mësim se gjetja e gëzimit në udhëtimin e jetës kërkon përpjekje të qëllimshme. Ai nxiti që ta mbushim çdo ditë me veprimtari të vlefshme që sjellin gëzim. “Ti nuk e gjen jetën e lumtur”, – tha ai. “Ti e bën atë të tillë.”2 Duke na dhënë një këndvështrim mbi atë se si ta shohim të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, ai dha mësim: “E shkuara është prapa – mësoni prej saj; e ardhmja është përpara – përgatituni për të; e tashmja është këtu – jetojeni atë”3.

djalosh duke luajtur me barkë lodre

“Barkat prej lodre të fëmijërisë nuk kishin bazament për qëndrueshmëri, as timon për të siguruar drejtim dhe asnjë burim fuqie. … Ndryshe nga barkat prej lodre, neve na janë [dhënë cilësi] hyjnore që ta drejtojnë udhëtimin tonë.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Të bërit e gjërave që kanë më tepër rëndësi, do të na ndihmojë të gjejmë gëzim.

Ndonjëherë ne i lëmë mendimet tona mbi të nesërmen të marrin shumë kohë nga e sotmja. Ëndërrimi për të kaluarën dhe etja për të ardhmen mund të japin ngushëllim, por nuk e zëvendësojnë të jetuarit në të sotmen. Kjo është dita e mundësisë sonë dhe ne duhet ta kapim atë. … Që ta jetojmë sa më plotësisht të sotmen, ne duhet të bëjmë atë që është më e rëndësishmja. Le të mos i shtyjmë ato gjëra që kanë më tepër rëndësi.4

Një herë apo një tjetër, ne të gjithë kemi dëgjuar ndonjë formulim të thënies së njohur: “Nuk ka asgjë që të jetë aq e vazhdueshme sa ndryshimi”.

Gjatë gjithë jetës sonë, ne duhet të përballemi me ndryshimin. Disa ndryshime janë të mirëpritura, disa jo. Ka ndryshime në jetën tonë, të cilat janë të befasishme, të tilla si vdekja e papritur e një njeriu të dashur, një sëmundje e paparashikuar, humbja e një [zotërimi] që e ruanim si thesar. Por shumica e ndryshimeve ndodhin pa u ndier dhe ngadalë. …

Ditë pas dite, minutë pas minute, sekondë pas sekonde, ne shk[ojmë] nga aty ku ishim, te këtu ku jemi tani. … Koha kurrë nuk qëndron në vend; ajo duhet të marshojë para në mënyrë të qëndrueshme dhe me marshimin vijnë ndryshimet.

K[jo] është [mundësia jonë e] vetm[e] dhe unik[e] në jetën e vdekshme – këtu [dhe] tani. Sa më gjatë jetojmë, aq më shumë e kuptojmë që jeta është e shkurtër. Mundësitë vijnë dhe pastaj ikin. Besoj se ndër mësimet më të mëdha që do të marrim në këtë udhëtim mbi tokë, janë mësimet që na ndihmojnë të dallojmë mes asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është. [Ju përgjërohem] që të mos [i] lini t’ju ikin gjërat më të rëndësishme, [teksa] planifik[oni] për atë të ardhme të rreme dhe [që nuk] ekzist[on], kur do keni kohë të bëni gjithçka që doni të bëni. Në vend të saj, gjeni gëzim në udhëtim – tani.

… [Më pëlqejnë] shumë shfaqje muzikore dhe një nga të p[arapëlqyerat] e mia është shkruar nga kompozitori amerikan Meredit Uillson dhe titullohet “Burri i Muzikës”. Profesori Harold Hill, një prej personazheve kryesorë në shfaqje, [shpreh] një paralajmërim që do [t’ua tregoj]. Thotë ai: “Mendoni e flisni pa fund për të nesërmet dhe do të zbuloni se keni humbur kohë kot me një të shkuar boshe” [Meredith Willson and Franklin Lacey, The Music Man (1957)].

Vëllezërit e motrat e mia, nuk ka për të pasur ndonjë të ardhme për t’u kujtuar nëse ne nuk bëjmë diçka sot.

… Shumë vite më parë, Artur Gordoni shkroi në një revistë kombëtare dhe po e citoj:

“Kur unë isha rreth trembëdhjetë [vjeç] dhe im vëlla dhjetë, babai na kishte premtuar të na çonte në cirk. Por gjatë drekës mori një telefonatë; duhej përkujdesja e tij për disa [çështje] urgjente në qendër të qytetit. Ne u mbërthyem nga zhgënjimi. Atëherë e dëgjuam atë të thoshte [në telefon]: ‘Jo, nuk do të zbres në qendër. Do t’i duhet të presë.’

Ku ai u kthye në tavolinë, mamaja buzëqeshi. ‘Besoj e di, cirku kthehet çdo vit’, [– tha ajo].

‘E di’, – tha babai. ‘Por fëmijëria nuk kthehet’” [Arthur Gordon, A Touch of Wonder (1974), f. 77–78].

Nëse keni fëmijë që janë rritur e kanë ikur nga shtëpia, ka shumë të ngjarë të keni ndjerë nganjëherë sëmbimin nga humbja e tyre dhe të keni pranuar se nuk e vlerësuat atë periudhë të jetës aq sa duhej. Natyrisht, nuk ka kthim pas, por vetëm ecje para. Në vend që të jetojmë në të shkuarën, ne duhet ta shfrytëzojmë të sotmen, këtu dhe tani, duke bërë gjithçka mundemi që të sigurojmë kujtime të këndshme në të ardhmen.

Nëse jeni akoma në procesin e rritjes së fëmijëve, [jini të vetëdijshëm] se gjurmët e vogla [të gishtave] që shfaqen pothuaj mbi çdo sipërfaqe të sapopastruar, lodrat e shpërndara nëpër shtëpi, stivat dhe pirgjet me rroba për t’u larë, hekurosur e palosur, do të zhduken të gjitha para se ta kuptoni dhe se ju – për habinë tuaj – do ta ndieni thellësisht mungesën e tyre.5

Koha është një dhuratë, një thesar për të mos u lënë mënjanë për të ardhmen, por për t’u përdorur me urtësi në të tashmen.6

2

Procesi i planifikimit, punës dhe krijimit ofron kënaqësi të qëndrueshme.

Plaku Mont J. Brau, [ish-Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë] tregon për një verë në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Randolf, Jutë, kur ai dhe vëllai i tij më i vogël, Maksi, vendosën të ndërtonin një shtëpi në pemë në një pemë të madhe në kopshtin prapa shtëpisë. Ata bënë plane për krijimin më të mrekullueshëm në jetën e tyre. Ata mblodhën materiale ndërtimi nga gjithë lagjja dhe i mbajtën ato deri te një pjesë e pemës, ku dy degë formonin një pozicion ideal për shtëpinë. Ishte e vështirë dhe ata ishin në ankth për ta përfunduar punën e tyre. Vizioni i shtëpisë së përfunduar në pemë u dha një shtysë të jashtëzakonshme që ta përfundonin projektin.

Ata punuan gjatë gjithë verës dhe më në fund në vjeshtë, pak përpara se të fillonte viti i ri shkollor, shtëpia e tyre u përfundua. Plaku Brau tha se ai nuk do të harronte kurrë ndjenjat e gëzimit dhe kënaqësisë që patën kur më në fund patën mundësinë t’i gëzoheshin frytit të punës së tyre. Ata u ulën te shtëpia në pemë, vështruan rreth e qark për disa minuta, zbritën nga pema dhe nuk u kthyen kurrë më aty. Projekti i përfunduar, sado i mrekullueshëm që ishte, nuk mundi t’i mbante të interesuar madje as edhe për një ditë. Me fjalë të tjera, procesi i planifikimit, mbledhjes, ndërtimit dhe punës – jo projekti i përfunduar – u falën atyre gëzimin dhe kënaqësinë e qëndrueshme që kishin provuar.7

Vizioni pa punë është ëndërrim me sy hapur. Puna pa vizion është angari. Vizioni, i shoqëruar nga puna, do të sigurojë suksesin tuaj.8

Perëndia na jep sfidën e lëndëve të para, jo lehtësinë e gjërave të përfunduara. Ai i lë pikturat të pangjyrosura dhe muzikën të pakënduar, dhe problemet të pazgjidhura, që ne të mund t’i njohim gëzimet dhe madhështitë e krijimit.9

3

Ne mund të marrim zemër edhe gjatë sfidave të jetës.

Asnjëri prej nesh nuk kalon nëpër këtë jetë pa probleme e sfida – dhe ndonjëherë ndodhin tragjedi dhe fatkeqësi. Mbi të gjitha, [e parë nga një këndvështrim i gjerë] ne jemi këtu për të mësuar e për t’u rritur nga ngjarje [të tilla] në jetën tonë. Ne e dimë se ka periudha kur do [të] vuajmë, kur do [të] brengosemi dhe kur do [të] hidhërohemi. Sidoqoftë, na është thënë: “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” [2 Nefi 2:25].

Si mund të kemi gëzim në jetën tonë, pavarësisht nga gjithçka me të cilën mund të përballemi? Përsëri nga shkrimet e shenjta: “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah” [Doktrina e Besëlidhje 68:6].

Historia e Kishës në këtë periudhë të plotësisë së kohëve është plot me përvoja të atyre që kanë luftuar dhe që përsëri kanë mbetur të qëndrueshëm, dhe kanë marrë zemër kur e kanë bërë ungjillin e Jezu Krishtit qendrën e jetës së tyre. Ky qëndrim është ai që do të na nxjerrë nga çfarëdo situate që do [të] ndeshim rrugës sonë. Kjo nuk do t’i largojë shqetësimet tona, por [përkundrazi] do të na aftësojë që t’i përball[ojmë] sfidat tona, t’u [bëjmë ballë tyre me] kurajë dhe të dalim fitimtarë.

Tepërt të shumtë për t’u përmendur janë shembujt e gjithë individëve që janë përballur me rrethana të vështira dhe përsëri kanë këmbëngulur dhe fituar për shkak se besimi i tyre tek ungjilli dhe Shpëtimtari u ka dhënë atyre forcën që u duhej. … Do [të doja t’ju tregoja] … një përvojë prekëse [nga vetë familja ime] që ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua.

fotografi e familjes Kondi

Nëna e Presidentit Monson, Gledis Kondi Monson dhe motrat e vëllezërit e saj. Gledisi është e dyta majtas.

[Stërgjyshërit] e mi nga nëna, Gibson dhe Sesilia Sharp Kondi jetuan në Klakmanan, Skoci. Familjet e tyre punonin në minierat e qymyrit. Ata ishin të kënaqur me jetën, rrethuar nga të afërm e miq dhe banonin në shtëpi mjaft të rehatshme në një tokë që e donin. Pastaj ata dëgjuan mesazhin e misionarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe [ata u kthyen në besim] deri në thellësi të shpirt[it] të tyre. Ata dëgjuan thirrjen për t’u mbledhur në Sion dhe e dinin se duhej t’i përgjigjeshin asaj thirrjeje.

Diku rreth vitit 1848, [i] shitën zotërimet e tyre dhe u përgatitën për udhëtimin e tyre të rrezikshëm përmes Oqeanit të madh Atlantik. Me pesë fëmijë të vegjël, ata hipën në një mjet lundrues me gjithë pasuritë e tyre materiale [të futura] në një sënduk të vogël. Ata udhëtuan 3 000 milje (4 800 km) përmes ujërave – tetë javë të gjata e të lodhshme mbi një det të rrezikshëm, duke parë [nga horizonti] e duke pritur [për tokën], me ushqime të cilësisë së ulët, ujë të cilësisë së ulët dhe asnjë ndihmë përtej asaj që ndodhej brenda gjatësisë e gjerësisë të asaj anijeje të vogël.

Në mes të kësaj situate sprovuese shpirtërore, një[ri] prej djemve të tyre të vegjël u sëmur. Nuk kishte doktorë as dyqane ku mund të blinin ilaçe për t’ia lehtësuar vuajtjen. Ata e vështronin, ata luteshin, ata pritën dhe ata qanë kur dita‑ditës gjendja e tij përkeqësohej. Kur sytë e tij u mbyllën [më në fund nga vdekja], zemrat e tyre u copëtuan. Për [t’ia shtuar edhe më shumë dhembjen], duheshin zbatuar edhe ligjet e detit. I mbështjellë me një [kanavacë] që rëndohej poshtë nga një hekur, trupi i vogël u varros në ujërat e oqeanit. Ndërsa lundruan më tej, vetëm ata prindër e dinin [goditjen dërrmuese që iu dha] zemra[ve të] plagosura [përshtatur nga Thomas A. Condie, “History of Gibson and Cecelia Sharp Condie” (1937); e pabotuar]. Gjithsesi, me … besim[in] që rridhte nga bindja e tyre e thellë për të vërtetën e dashurinë e tyre për Zotin, Gibsoni dhe Sesilia duruan. Ata u ngushëlluan nga fjalët e Zotit: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” [Gjoni 16:33].

Sa mirënjohës jam për paraardhësit që patën besim[in] t[a] linin atdheun e shtëpinë dhe të udhëtonin drejt Sionit, të [cilët] bënë sakrifica që unë mezi mund t’i përfytyroj. Falënderoj Atin tim Qiellor për shembullin e besimit, kurajës dhe vendosmërisë që Gibson dhe Sesilia Shap Kondi dhanë për mua dhe për gjithë pasardhësit e tyre. …

Nga shkrimet e shenja lexojmë: “Vini re, të drejtët, shenjtorët e të Shenjtit të Izraelit, ata që kanë besuar në [Të], ata që kanë duruar kryqet e botës … do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë … dhe gëzimi i tyre do të jetë i plotë përgjithnjë” [2 Nefi 9:18].

Unë ju dëshmoj që bekimet [që na janë premtuar neve], janë të pamatshme. Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështe[t]in dhe do t’i[u] sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe [i zbatojmë] urdhërimet. Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që të na mundë.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.10

4

Gëzimi i vërtetë vjen duke i dashur e duke u shërbyer të tjerëve.

Ta matësh mirësinë e jetës nëpërmjet ëndjeve dhe kënaqësive e sigurisë së saj do të thotë të zbatosh një standard të rremë. Jeta me bollëk nuk përbëhet nga një tepricë luksi. Nuk bëhet e kënaqshme me kënaqësi të ofruara nga reklamat, … duke e ngatërruar me gëzimin dhe lumturinë. …

Për të gjetur lumturi të vërtetë, ne duhet ta kërkojmë atë duke u përqendruar jashtë vetes sonë. Askush nuk e ka mësuar kuptimin e të jetuarit deri në momentin kur ia ka dorëzuar egoizmin e tij shërbimit ndaj bashkënjerëzve të vetë. Shërbimi ndaj të tjerëve është i ngjashëm me detyrën, përmbushja e së cilës sjell gëzim të vërtetë.11

Streset në jetën tonë vijnë pavarësisht nga rrethanat tona. Ne duhet të përballemi me to në mënyrën më të mirë të mundshme. Por ne nuk duhet t’i lejojmë ato të ndërhyjnë tek ajo që është më e rëndësishmja – dhe ajo që është më e rëndësishmja, përfshin pothuaj gjithmonë njerëzit përreth nesh. Shpesh ne pretendojmë se ata duhet ta dinë se sa shumë i duam. Por ne nuk duhet të supozojmë asnjëherë; ne duhet t’jua tregojmë. Shkroi Uilliam Shekspiri: “Ata që dashurinë s’e shprehin, nuk dashurojnë” [Two Gentlemen of Verona, akti 1, skena 2, rreshti 31]. Nuk do [të] kemi keqardhje kurrë për shprehjen e fjalëve dashamirëse apo për dashurinë e treguar. Përkundrazi, ne do [të] kemi keqardhje nëse gjëra të tilla lihen jashtë marrëdhënieve tona me ata që janë më të rëndësishmit për ne.

Dërgojani atë shënim mikut që e keni lënë pas dore; përqafojeni fëmijën tuaj; përqafojini prindërit tuaj; thoni më shpesh “Të dua”; shprehini gjithmonë falënderimet tuaja. Mos lejoni kurrë, që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta duash.12 Miqtë largohen, fëmijët rriten, të dashurit tanë ndërrojnë jetë. Është kaq e lehtë t’i marrësh si të mirëqenë të tjerët, derisa vjen ajo ditë kur ata dalin nga jeta jonë dhe ne mbetemi me ndjenjat “ah sikur” dhe “po sikur”. Shkrimtarja Heriet Biçer Stou tha: “Lotët më të hidhur që derdhen mbi varre, janë për fjalët e pathëna dhe veprimet e pakryera” [në Gorton Carruth and Eugene Erlich, përmb, The Harper Book of American Quotations (1988), f. 173].

Në vitet 1960, gjatë Luftës së Vietnamit, një anëtar i Kishës, Xhei Hesi, aviator, u rrëzua në Vietnamin Verior. Për dy vjet familja e tij nuk kishte asnjë ide nëse ai ishte i vdekur apo gjallë. Robëruesit e tij në Hanoi, përfundimisht e lejuan atë t’i shkruante familjes, por e kufizuan mesazhin e tij në më pak se 25 fjalë. Çfarë do t’i thoshim unë dhe ju familjeve tona nëse do të ndodheshim në të njëjtën situatë – pa i parë ata për më shumë se dy vjet dhe pa e ditur nëse do t’i shihnim më ndonjëherë? Duke dashur të jepte diçka që familja e tij ta kuptonte që vinte nga ai, dhe duke dashur gjithashtu t’u jepte këshillë të vlefshme, vëllai Hes shkroi – po e citoj: “Këto gjëra janë të rëndësishme: martesa në tempull, misioni, kolegji. Ecni përpara, vendosni qëllime, shkruani histori, bëni fotografi dy herë në vit” [letërkëmbim vetjak].

Le ta gëzojmë jetën ndërsa e jetojmë atë, të gjejmë gëzim në udhëtim dhe të ndajmë dashurinë tonë me miqtë dhe familjen. Një ditë secilit prej nesh do t’i mbarojnë të nesërmet.13

nënë duke përqafuar të birin

“Ne nuk do pendohemi kurrë për thënien e fjalëve dashamirëse apo për dashurinë e treguar.”

Marrshim vendim nga sot e tutje që t’i mbushim zemrat tona me dashuri! Bëfshim një përpjekje më tepër për të përfshirë në jetën tonë këdo që është i vetmuar ose i ligështuar, apo që po vuan në çfarëdo mënyre! E “bë[fshim] t’pik’lluarin të ndjehet mir’” [“A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?Himne, nr. 139]. Jetofshim në mënyrë të tillë që, [kur] thirrjet përfundimtare të dëgjohen, të mos kemi keqardhje [të mëdha], të mos keni punë të papërfunduara, por të jemi në gjendje të themi bashkë me Apostullin Pal: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” [2 Timoteut 4:7].14

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson theksoi nevojën për të bërë dallimin midis asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është e rëndësishme (shih pjesën 1). Si e bëni ju këtë? Si mund ta mposhtim prirjen për ta shtyrë bërjen e gjërave që kanë më tepër rëndësi? Cilat janë disa rreziqe të të “jet[uarit] në të shkuarën”? Çfarë mund të bëjmë për të “gje[tur] gëzim në udhëtim[in]” e jetës?

  • Shqyrtojeni historinë e Presidentit Monson rreth Plakut Mont J. Brau dhe vëllait të tij (shih pjesën 2). Përse mendoni se procesi i të punuarit drejt diçkaje mund të jetë aq i kënaqshëm sa rezultati? Si ju kanë sjellë gëzim puna, përpjekja dhe krijimi?

  • Përsiatini mësimet e Presidentit Monson rreth sfidave të jetës (shih te pjesa 3). Çfarë mund të mësojmë nga historia e tij rreth stërgjyshërve të tij? Si mund të gjejmë gëzim në jetën tonë pavarësisht nga fatkeqësitë me të cilat përballemi? Si ju ka ndihmuar besimi juaj te Shpëtimtari gjatë një kohe të vështirë?

  • Presidenti Monson dha mësim se për të gjetur lumturi të vërtetë, ne duhet t’u shërbejmë dhe t’i duam të tjerët (shih te pjesa 4). Kur e keni përjetuar gëzimin që vjen nga shërbimi ndaj të tjerëve? Shqyrtojini mënyrat për t’u shërbyer të tjerëve që përmendi Presidenti Monson te pjesa 4. Çfarë shërbimi ndiheni të frymëzuar të jepni?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 16:20–22; Hebrenjve 12:1–2; 1 Nefi 8:5–12; 11:25; Alma 27:16–18; Moisiu 5:10

Ndihmë për Mësimdhënien

“Për ta ftuar Shpirtin në mësimdhënien tuaj, nxitini të tjerët të ndajnë dëshminë e tyre vetjake për të vërtetën që po diskutoni. Thjesht kërkojuni anëtarëve të [familjes ose të] klasës të tregojnë ndjenjat ose përvojat e tyre rreth një parimi të ungjillit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 11).

Shënime

  1. Vrapimi i Jetës”, Liahona, maj 2012, f. 92.

  2. Faces and Attitudes”, New Era, shtator 1977, f. 49; theksimi i shtuar.

  3. Go For It!Ensign, maj 1989, f. 43.

  4. Treasure of Eternal Value”, Ensign, prill 2008, f. 7.

  5. Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 84, 86.

  6. Dedication Day”, Ensign, nëntor 2000, f. 66.

  7. In Search of Treasure”, Ensign, maj 2003, f. 21.

  8. Teachings of Thomas S. Monson, përmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 332. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  9. Teachings of Thomas S. Monson, f. 76.

  10. Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 89–90, 92.

  11. In Quest of the Abundant Life”, Ensign, mars 1988, f. 2, 5.

  12. Në disa biseda dhe artikuj të tjerë, Presidenti Monson ia dha autorësinë e deklaratës Barbara Xhonsonit: “Mos lejoni kurrë që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta duash” (shih “Quotable Quotes”, Reader’s Digest, janar 1997, f. 161; shih, për shembull, Thomas S. Monson, “Love at Home – Counsel from Our Prophet”, Ensign, gusht 2011, shënimi 2).

  13. Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, f. 85–86.

  14. May We So Live”, Ensign, gusht 2008, f. 9.