Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18


“Kapitulli 18: Lumturia në Martesë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 18”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 18

Lumturia në Martesë

“Zgjidhni një shoqe apo shok me kujdes dhe me lutje dhe kur të jeni martuar, jini fortësisht besnikë ndaj njëri‑tjetrit.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Kur Presidenti Tomas S. Monson ishte i ri, ai u befasua kur mësoi për një lidhje të afërt mes familjes së tij dhe familjes së vajzës me të cilën po dilte në takime, Frensis Beverli Xhonsonit, me të cilën u martua më vonë. Ai tregonte:

“Babai i babait tim erdhi nga Suedia dhe gruaja e tij nga Anglia. … U martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut dhe ai shkroi në ditarin e tij: ‘Sot është dita më e lumtur e jetës [s]ime. E dashura ime dhe unë u martuam për kohën dhe përjetësinë në tempullin e shenjtë.’

Tri ditë më vonë, më 23 prill 1898, ai shkroi: ‘Mora trenin në stacionin perëndimor të Rio‑Grandes, për të shkuar së fundi në Skandinavi, ku jam thirrur si misionar’. Ai u nis për në Suedi, duke lënë nusen e tij prej vetëm tre ditësh.

Ditari i tij, i shkruar me laps, më mbërriti nga një xhaxha i cili, në njëfarë mënyre, më zgjodhi mua për të marrë ditarin e babait të tij. Shënimi më i shpeshtë në ditar ishte: ‘Këmbët i kam të lagura’. Por shënimi më i bukur thoshte: ‘Sot shkuam në shtëpinë Janson [që më vonë u ndryshua në Xhonson]. U takuam me Motrën Janson. Ajo na shtroi një darkë të këndshme. Ajo gatuan mirë.’ Pastaj ai tha: ‘Fëmijët të gjithë kënduan, ose i ranë harmonikës, ose kërcyen pak dhe pastaj ajo pagoi të dhjetën e saj. Pesë krona për Zotin, një për shokun tim, Plakun Ipson dhe një për mua.’ Pastaj ishin renditur emrat e fëmijëve.

Kur i lexova ata në ditar, aty ishte dhe emri i babait të gruas sime, si një nga pjesëtarët e asaj familjeje, njëri që ndoshta këndoi një këngë, njëri që u bë baba i një vajze të vetme, vajzës me të cilën u martova.”

Presidenti Monson e ritregoi përvojën vijuese kur shkoi për të marrë Frensisin për takimin e tyre të parë:

“Që ditën e parë që e pashë Frensisin, e dija se kisha gjetur vajzën e duhur. Zoti na afroi më vonë dhe unë i kërkova asaj të dilte në takim me mua. Shkova në shtëpinë e saj që ta thërrisja. Ajo më paraqiti dhe babai i saj tha: ‘Monson’ – ky është një [mbi]emër suedez, apo jo?’

Unë thashë: ‘Po’.

Ai tha: ‘Mirë’.

Pastaj ai shkoi në një dhomë tjetër dhe solli një fotografi të dy misionarëve, me kapele cilindrike dhe kopjet e tyre të Librit të Mormonit.

‘A e ke gjë këtë Monson’, – tha ai, ‘Elias Monson?’

I thashë: ‘Po, ai është vëllai i gjyshit tim. Edhe ai ka qenë misionar në Suedi.’

Kur e dëgjoi këtë, babai i Frensisit filloi të qante. Ndërkohë që familja e tij jetonte ende në Suedi, ata kishin pasur vizita të shumta nga Plaku Elias Monson. Babai i Frensisit ‘më puthi në faqe’, kujtonte më vonë Presidenti Monson dhe ‘pastaj nëna e saj qau dhe më puthi në faqen tjetër. Pashë përreth për Frensisin. Ajo tha: ‘Po shkoj të marr xhaketën’.”1

Tomi dhe Frensisi u martuan në tetor të vitit 1948. Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2008, konferenca e parë e Presidentit Monson si President i Kishës, ai tha këto fjalë mirënjohjeje për Motrën Monson dhe jetën e saj të mbushur me shërbim dhe përkrahje:

“E falënderoj Atin tim në Qiell për shoqen time të ëmbël, Frensisin. Këtë tetor ajo dhe unë do të festojmë 60 vite të mrekullueshme martese. Megjithëse shërbimi im në Kishë filloi në një moshë të re, ajo asnjëherë nuk është ankuar kur jam larguar nga shtëpia për të marrë pjesë në mbledhje apo për të përmbushur një detyrë. Për shumë vite, detyra ime si anëtar i Të Dymbëdhjetëve më ka çuar shpesh larg Solt‑Lejkut – ndonjëherë për pesë javë radhazi – duke e lënë atë vetëm për t’u kujdesur për fëmijët tanë të vegjël dhe për shtëpinë tonë. Duke filluar që kur u thirra si peshkop në moshën 22-vjeçare, ne rrallë kemi pasur luksin të ulemi bashkë gjatë një shërbese në Kishë. Nuk mund të kisha pasur një shoqe më besnike, të dashur dhe mirëkuptuese.”2

Pas shumë vjetësh me sfida shëndetësore, Motra Monson vdiq më 17 maj 2013. Pak muaj më vonë, në një mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Presidenti Monson e përshkroi me dashuri rëndësinë që ajo pati për të: “Ajo ishte një bijë besnike e Atit tonë Qiellor, shoqja ime e dashur dhe mikesha ime më e afërt. Më merr malli për të më shumë se ç’mund ta shprehin fjalët.”3

Tomas S. dhe Frensis Monson

“Miku ose mikja jonë më i/e shtrenjtë është bashkëpjesëmarrësi/ja ynë/jonë në martesë.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Lumturia gëlon kur ekziston respekti i çiltër mes bashkëshortit dhe bashkëshortes.

Miku ose mikja jonë më i/e shtrenjtë është bashkëpjesëmarrësi/ja ynë/jonë në martesë. Kjo botë e vjetër do të ishte shumë më mirë sot nëse dashamirësia dhe nderimi do të ishin përditë një pasqyrim i mirënjohjes sonë për bashkëshorten, për bashkëshortin.4

Lumturia gëlon kur ekziston respekti i çiltër për njëri‑tjetrin. Bashkëshortet afrohen më shumë me bashkëshortët dhe bashkëshortët kanë më tepër vlerësim për bashkëshortet e tyre dhe fëmijët janë të lumtur, ashtu siç duhet të jenë.5

Njerëzit që martohen me shpresën se do të formojnë një bashkëpjesëmarrje të qëndrueshme, duhet të kenë disa zotësi dhe qëndrime të caktuara mendore. Ata duhet të jenë të zotë për t’u përshtatur me njëri‑tjetrin. U nevojitet kapaciteti për t’i zgjidhur problemet e përbashkëta. U nevojitet gatishmëria për të dhënë dhe marrë në kërkim të harmonisë. Atyre u nevojitet vetëmohimi i llojit më të lartë, me mendimin për partnerin e vet që u zë vendin dëshirave të vetes.6

Presidenti Hauard W. Hanter tha këtë rreth martesës: “Të jesh i martuar lumturisht dhe suksesshëm është në përgjithësi jo aq shumë çështje e martesës me personin e duhur sa është të jesh personi i duhur”. Mua më pëlqen kjo. “Përpjekja e vetëdijshme për të bërë pjesën tënde është elementi më madhor që ndihmon suksesin” [The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 130].7

Përherë do ta mbaj mend një vizitë në shtëpinë e Presidentit Hju B. Braun [i Presidencës së Parë]. Ishte dita e diplomimit në Universitetin “Brigam Jang”. Ai duhej të drejtonte ceremoninë e dhënies së diplomave dhe unë duhej të mbaja fjalimin hyrës. Shkova me makinë te shtëpia e Presidentit Braun dhe e shoqërova atë te makina ime. Megjithatë, përpara se të niseshim me makinë, ai më tha: “Prit vetëm pak minuta. Bashkëshortja ime, Zina, do të dalë në dritaren e përparme.”

Hodha vështrimin te dritarja, vura re se qe hapur perdja dhe e pashë Zina Braunin të ulur në karrocën e saj të invalidit, duke tundur me ngrohtësi një shami të bardhë përballë vështrimit të bashkëshortit të saj të buzëqeshur. Presidenti Braun futi dorën në xhepin e xhaketës së tij, nxori një shami të bardhë dhe filloi ta tundte atë butësisht, duke e gëzuar gruan e vet. Më pas u larguam ngadalë nga buza e trotuarit dhe filluam udhëtimin tonë drejt Provos.

“Cila është domethënia e tundjes së shamisë së bardhë?”, – e pyeta.

Ai u përgjigj: “Zina dhe unë e kemi bërë zakon atë që nga fillimi i martesës. Ai është njëfarë simboli mes nesh që gjithçka do të jetë mirë gjatë ditës derisa të jemi bashkë në mbrëmje.”8

2

Në martesë, bashkëshorti dhe bashkëshortja ecin krah për krah si një bir dhe një bijë e Perëndisë.

Vëllezër, le t’i trajtojmë bashkëshortet me dinjitet dhe respekt. Ato janë shoqet tona të përjetshme. Motra, nderojini bashkëshortët tuaj. Ata kanë nevojë të dëgjojnë një fjalë të mirë. Ata kanë nevojë për një buzëqeshje miqësore. Ata kanë nevojë për një shprehje të ngrohtë të dashurisë së vërtetë.9

Më kanë pëlqyer gjithnjë fjalët e cituara vazhdimisht nga Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei… : “Gruaja u krijua nga burri, jo nga këmbët e tij që të merrej nëpër këmbë, por nga brinja e tij për të qenë e barabartë me të, nën krahun e tij për t’u mbrojtur dhe pranë zemrës së tij për t’u dashur”.

Por mendimi që gjithmonë më prek në shpirt është këshilla e thjeshtë dhe e urtë: “Burrat duhet të kenë kujdes të mos i bëjnë gratë të lotojnë, pasi Perëndia i numëron lotët e tyre”10.

Në martesë asnjëri nga bashkëpjesëmarrësit nuk është më i lartë as më i ulët se tjetri. Ju ecni krah për krah si një bir dhe një bijë e Perëndisë.11

çift jashtë tempullit

“Në martesë asnjëri nga bashkëpjesëmarrësit nuk është më i lartë as më i ulët se tjetri.”

3

Të kujtuarit e besëlidhjeve të martesës mund të na ndihmojë në kohë stresi martesor.

Nëse ndonjë nga ju ka vështirësi në martesën e vet, unë e nxis të bëjë gjithçka që mundet për të bërë çfarëdo ndreqjeje të nevojshme, që të mund të jetë po aq i/e lumtur siç ishte kur martesa e vet filloi. Ne që jemi martuar në Shtëpinë e Zotit e bëjmë këtë për kohën dhe për gjithë përjetësinë dhe pastaj ne duhet të bëjmë përpjekjen e nevojshme për ta bërë atë të tillë. Unë e kuptoj se ka situata ku martesat nuk mund të shpëtohen, por unë ndiej fort se në shumicën e tyre ato mund të [shpëtohen] dhe duhet të [shpëtohen]. Mos lejoni që martesa juaj të shkojë në pikën ku është në rrezik.12

Shumë vite përpara në lagjen ku unë kryesoja si peshkop, jetonte një çift që shpesh pati mosmarrëveshje shumë serioze, të nxehta. Dua të them mosmarrëveshje me plot kuptimin e fjalës. Secili prej të dyve ishte i sigurt për pozicionin e tij apo të saj. Asnjëra palë nuk do t’i bënte lëshim tjetrës. Kur nuk ishin duke u grindur, ata ruanin atë që do [të] quhej një armëpushim i vështirë.

Një mëngjes në orën 2:00 mora një telefonatë nga çifti. Ata donin të flisnin me mua dhe donin të flisnin pikërisht në atë kohë. Mezi u ngrita nga shtrati, u vesha dhe shkova te shtëpia e tyre. Ata qëndronin në anët e kundërta të dhomës, pa i folur njëri‑tjetrit. Bashkëshortja komunikonte me bashkëshortin duke më folur mua. Ai i përgjigjej asaj duke më folur mua. Mendova: “Si vallë do ta bashkojmë këtë çift?”

U luta për frymëzim dhe më lindi mendimi që t’u bëj një pyetje. U thashë: “Sa kohë ka qysh kur keni qenë në tempull dhe dëshmuat një vulosje në tempull?” Ata pranuan se pati qenë një kohë shumë e gjatë. Përveç kësaj, ata ishin njerëz të denjë që kishin rekomandime tempulli dhe që shkonin në tempull dhe bënin punë ordinancash për të tjerë.

Unë u thashë: “A do të vini me mua në tempull të mërkurën në mëngjes në orën 8:00? Ne do të dëshmojmë atje një ceremoni vulosjeje.”

Në një zë ata pyetën: “Ceremoni e kujt?”

Unë u përgjigja: “Unë nuk e di. Do të jetë për cilindo që do të martohet atë mëngjes.”

Të mërkurën tjetër në orën e caktuar ne u takuam në Tempullin e Solt-Lejkut. Të tre shkuam në një nga dhomat e mrekullueshme të vulosjes, pa njohur asnjë shpirt në dhomë përveç Plakut ElRej L. Kristiansen, atëherë një Ndihmës në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, një pozitë autoriteti të përgjithshëm që ekzistonte në atë kohë. Plaku Kristiansen kishte planifikuar të kryente një ceremoni vulosjeje për një nuse dhe një dhëndër në atë dhomë atë mëngjes. Jam i sigurt që nusja dhe familja e saj mendonin: “Këta duhet të jenë miq të dhëndrit”, dhe që familja e dhëndrit mendonte: “Këta duhet të jenë miq të nuses”. Çifti im qe ulur në një stol të vogël me rreth gjashtëdhjetë centimetra hapësirë midis tyre.

Plaku Kristiansen filloi duke dhënë këshillë për çiftin që po martohej dhe ai e bëri këtë me një mënyrë aq të mrekullueshme. Ai përmendi se si një bashkëshort duhet ta dojë bashkëshorten e tij, se si ai duhet ta trajtojë atë me respekt dhe mirësjellje, duke e nderuar atë si zemra e shtëpisë. Pastaj ai i foli nuses mbi mënyrën se si ajo duhej të nderojë bashkëshortin e saj si kreu i shtëpisë dhe të jetë mbështetje për të me çdo mënyrë.

Unë vura re që, ndërsa Plaku Kristiansen i fliste nuses dhe dhëndrit, çifti im u afrua pak më shumë pranë njëri-tjetrit. Shpejt ata ishin ulur krejt pranë njëri-tjetrit. Ajo që më kënaqi mua, është se ata patën lëvizur të dy me thuajse të njëjtën masë. Në fund të ceremonisë, pjesëtarët e çiftit tim qenë ulur aq pranë njëri-tjetrit sikur ata të ishin të porsamartuarit. Secili po buzëqeshte.

Ne u larguam nga tempulli atë ditë dhe asnjëri nuk e mori vesh kush ishim dhe pse patëm ardhur, por miqtë e mi qenë kapur për dore teksa dolën nga dera ballore. Mosmarrëveshjet e tyre qenë lënë mënjanë. Mua nuk m’u desh të thoshja asnjë fjalë. Ju e shihni, ata kujtuan ditën e vetë martesës së tyre dhe të besëlidhjeve që patën bërë në Shtëpinë e Perëndisë. Ata qenë zotuar të fillonin përsëri dhe të përpiqeshin më fort këtej e tutje.13

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, [ne duhet të tregojmë nderim për] besëlidhjet e shenjta … dhe besnikëria ndaj tyre është një kërkesë për lumturinë. Po, po flas për besëlidhjen e pagëzimit, besëlidhjen e priftërisë dhe besëlidhjen e martesës.14

dhoma e vulosjes në Tempullin e Romës në Itali

“Ne që jemi martuar në Shtëpinë e Zotit e bëjmë këtë për kohën dhe për gjithë përjetësinë dhe pastaj ne duhet të bëjmë përpjekjen e nevojshme për ta bërë atë të tillë.”

4

Një martesë e suksesshme kërkon zotim.

Kur isha i vogël, më pëlqente të shkoja në shtëpinë e gjyshes sime … në Solt-Lejk-Siti. Gjyshja ishte gjithmonë shumë e lumtur të na shihte dhe të na merrte pranë vetes. Të ulur në prehrin e saj ne dëgjonim ndërsa ajo lexonte.

Djali i saj më i vogël, xhaxhai im, Rei dhe gruaja e tij jetonin në të njëjtën shtëpi pasi gjyshja ime vdiq. Gjatë një vizite për të takuar xhaxhanë tim Rein … vitin e kaluar, para se ai të vdiste, vura re se anët e tubit të oxhakut dukeshin të vogla krahasuar me madhësinë e tyre kur unë ngjitesha lart nëpër të vite më parë. Veranda e rehatshme ishte e njëjtë, atmosfera e qetë dhe paqësore e pandryshuar. Në murin e kuzhinës ishte varur një shprehje që tezja ime e kishte qëndisur vite më parë. Ajo mbartte një botë të tërë zbatimi praktik: “Zgjidh dashurinë tënde; duaje zgjedhjen tënde”. Shpesh një gjë e tillë do të kërkojë kompromis, falje, ndoshta dhe ndjesë. Ne gjithmonë duhet të jemi të zotuar për suksesin e martesës sonë.15

Unë besoj se detyra më dëshpëruese dhe shkurajuese që kam çdo javë, është trajtimi i anulimeve të vulosjeve. Secila ka qenë paraprirë nga një martesë e gëzueshme në Shtëpinë e Zotit, kur një çift i dashuruar po fillonte një jetë të re së bashku dhe duke pritur me padurim të kalonin pjesën tjetër të përjetësisë me njëri-tjetrin. Dhe pastaj muajt dhe vitet kalojnë dhe, për një arsye apo një tjetër, dashuria vdes. Mund të jetë rezultat problemesh financiare, mungesë komunikimi, natyrash të pakontrolluara, ndërhyrjesh nga familjarët e njëri-tjetrit, ngatërresa në mëkat. Ka lloj‑lloj shkaqesh të mundshme. Në shumicën e rasteve nuk është e thënë që ndarja të jetë përfundimi. …

Zgjidhni një shoqe apo shok me kujdes dhe me lutje dhe, kur të jeni martuar, jini fortësisht besnikë ndaj njëri-tjetrit. … Zotimi në martesë është absolutisht thelbësor.16

Le të mos shkurajohemi nga tregimet e shumta … të mospajtimit dhe nganjëherë mizorisë mes shokëve të jetës, dhe të marrim me mend se virtyti është zhdukur dhe llamba e dashurisë nuk ndriçon më. Dy nga miqtë e mi më të dashur nuk janë mirë me shëndet dhe të pafuqishëm. Ata nuk janë vetëm. Shokët e tyre besnikë të jetës u japin shërbesë atyre me dashuri të dhembshur. Miku im, Presi, i cili rrallëherë largohet nga gruaja e tij, tha për të: “Kristina është më e dobët por ende e bukur. Sa shumë e dua atë!” Çfarë dedikimi fisnik për besnikërinë, për dashurinë, për martesën!17

Kuptoni që ju nuk do të jeni në gjendje të parashikoni çdo sfidë që mund të dalë, por jini të sigurt që thuajse çdo gjë mund të zgjidhet nëse jeni të shkathët dhe nëse ju jeni të zotuar që martesa juaj tё funksionojë. … Nëse jeni zotuar për suksesin e martesës suaj, nuk ka gjë në këtë jetë që t’ju sjellë lumturi më të madhe.”18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson pohoi se në martesë: “lumturia gëlon kur ekziston respekti i çiltër për njëri-tjetrin” (pjesa 1). Çfarë mund të na mësojnë historia e Presidentit dhe Motrës Braun? Cilët janë disa çelësa që një bashkëshort dhe një bashkëshorte të mësojnë të përshtaten me njëri-tjetrin? Cilët janë disa çelësat për të mësuar se si t’i zgjidhim problemet? Pse është “vetëmohimi i llojit më të lartë” i nevojshëm në martesë?

  • Presidenti Monson dha mësim: “Në martesë asnjëri nga bashkëpjesëmarrësit nuk është më i lartë as më i ulët se tjetri” (shih pjesën 2). Si mund ta zbatojnë bashkëshortët këtë parim në martesën e tyre? Cilat janë pasojat kur njëri bashkëshort ndihet më i lartë ose më i ulët? Nëse jeni i/e martuar, merrni parasysh atë që mund të bëni për ta shfaqur në mënyrë më të plotë dashurinë tuaj për bashkëshortin/en tuaj.

  • Si mund të ndihmojë këshilla e Presidentit Monson te pjesa 3 në kohë stresi martesor? Si e forcon një martesë bërja, mbajtja e besëlidhjeve martesore dhe mendimi thellë për to? Cilat janë disa mënyra të tjera për ta forcuar një martesë?

  • Si mund t’i tregojnë bashkëshortët dhe bashkëshortet besnikëri njëri-tjetrit? (Shih te pjesa 4.) Si mund ta përmirësojnë komunikimin e tyre? Çfarë keni mësuar rreth mënyrës se si një bashkëshort dhe bashkëshorte mund të gjejnë lumturi më të madhe së bashku?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Zanafilla 2:21–24; Mateu 19:3–6; 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 42:22; 49:15–16; 132:18–19

Ndihmë për Studimin

“Studimi i ungjillit është më efektiv kur ju mësoheni nga Fryma e Shenjtë. Gjithmonë, fillojeni studimin tuaj të ungjillit duke u lutur që Fryma e Shenjtë t’ju ndihmojë të mësoni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18).

Shënime

  1. Të Bekuar Me Bollëk”, Liahona, maj 2008, f. 111. Vëllai i gjyshit të Presidentit Monson, Elias Monsoni, shërbeu në Misionin e Suedisë nga viti 1906 deri në vitin 1908. Gjyshi i Presidentit Monson, Nels (Nils) Monson e kishte njohur familjen Janson disa vjet më parë, pasi shërbeu në Misionin e Skandinavisë nga viti 1898 deri në vitin 1900.

  2. Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 89.

  3. Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 121.

  4. An Attitude of Gratitude”, Ensign, maj 1992, f. 60.

  5. An Example of the Believers”, Ensign, nëntor 1992, f. 98.

  6. An Example of the Believers”, f. 98.

  7. Fuqia e Priftërisë”, Liahona, maj 2011, f. 68.

  8. Windows”, Ensign, nëntor 1989, f. 67.

  9. Të Bekuar me Bollëk”, f. 112.

  10. The Lighthouse of the Lord”, Ensign, nëntor 1990, f. 95.

  11. Fuqia e Priftërisë”, f. 68.

  12. Fuqia e Priftërisë”, f. 69.

  13. Fuqia e Priftërisë”, f. 68–69.

  14. Happiness—The Universal Quest”, Ensign, tetor 1993, f. 4.

  15. Shenjat Dalluese të një Shtëpie të Lumtur”, Liahona, tetor 2001, f. 6.

  16. Fuqia e Priftërisë”, f. 68.

  17. Hallmarks of a Happy Home”, Ensign, nëntor 1988, f. 71.

  18. Fuqia e Priftërisë”, f. 67.