Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19


“Kapitulli 19: Ndikimi Afatgjatë i Mësuesve”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 19”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 19

Ndikimi Afatgjatë i Mësuesve

“Synimi bazë i mësimdhënies në Kishë është të ndihmojë që të ndodhin ndryshime me vlerë në jetën e djemve dhe vajzave, burrave dhe grave.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Në fjalimin e tij të parë në një konferencë të përgjithshme si Apostull, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Sa mirënjohës jam për mësuesit dhe udhëheqësit e mi në fëmijërinë dhe rininë time, në një lagje të përulur pionierësh”1. Gjatë gjithë jetës së tij, ai vazhdoi të shprehte mirënjohje për mësuesit e tij në Kishë, duke treguar vazhdimisht histori rreth ndikimit të tyre tek ai.

Presidenti Monson ishte po ashtu mirënjohës për mësuesit e tij në shkollë. “Mendoj se është zbavitës fakti që mësuesja ime e muzikës në shkollën fillore e kishte emrin Zj. Sharp [që do të thotë e mprehtë]”, – tha ai. “Ajo kishte kapacitetin t’u injektonte nxënësve së brendshmi një dashuri për muzikën.”2

Kur ishte student në universitet, ai pati një qasje të efektshme ndërsa mësonte nga mësuesit e tij: Ai përfytyroi se do t’i duhej ta jepte mësim materialin që po jepnin mësim ata, ndaj punoi për të zhvilluar të kuptuarit e koncepteve që do ta zgjeronin paraqitjen e tij.3

Presidenti Monson i udhëzoi anëtarët e Kishës se si të jepnin mësim me fuqi. “Ne jemi të gjithë mësues për disa gjëra”, – tha ai “dhe kemi detyrën të japim mësim me aftësitë më të mira që kemi.”4 Ai dha gjithashtu mësim se cilët janë objektivat e mësimdhënies së ungjillit:

“Synimi i mësimdhënies së ungjillit … nuk është që të ‘derdhë informacion’ në mendjet e anëtarëve të klasës. Synimi nuk është që të tregohet se sa shumë di mësuesi ose mësuesja, as nuk është që thjesht të shtohet njohuria rreth Kishës. Synimi bazë i mësimdhënies në Kishë është të ndihmojë që të ndodhin ndryshime me vlerë në jetën e djemve dhe vajzave, burrave dhe grave. Qëllimi është që të frymëzohet individi për të menduar, për të ndier dhe më pas për të bërë diçka që t’i jetojë parimet e ungjillit.5

Në lidhje me mësuesit: President Monson tha: “Nuk ka privilegj më fisnik, as detyrë aq shpërblyese”6. Ai e ilustroi këtë pikë me historinë vijuese:

“Disa kohë më parë më kapi veshi, … tre djem shumë të vegjël … duke diskutuar virtytet relative të etërve të tyre. Njëri tha: ‘Babi im është më i madh se babi yt’, së cilës një tjetër iu përgjigj: ‘Epo, babi im është më i zgjuar se babi yt’. Djali i tretë u kundërpërgjigj: ‘Babi im është doktor’; pastaj, duke u kthyer nga një djalë, ai thumboi me tallje: ‘Kurse babi yt është veçse një mësues’.

Thirrja e një nëne i dha fund bashkëbisedimit, por fjalët vazhduan të jehonin në veshët e mi. Veçse një mësues. Veçse një mësues. Veçse një mësues. Një ditë, secili nga ata vogëlushë do të arrijë ta dijë vlerën e vërtetë të mësuesve të frymëzuar dhe do ta pranojë me mirënjohje të sinqertë gjurmën e ngulitur që do të lënë mësues të tillë në jetën e tyre vetjake.

‘Një mësues/e’ si Henri Bruks Adamsi vërejti: ‘ndikon përjetësisht; ai [ose ajo] nuk mund ta dallojë kurrë ku ndalon ndikimi i vet.’”7 Presidenti Monson dha mësim se ky ndikim afatgjatë gjen zbatim për të gjithë mësuesit – prindërit në shtëpi, mësuesit në shkollë dhe mësuesit në kishë.

Pamja
një mësuese e Fillores duke ndihmuar një fëmijë

“Ndërtoni një urë drejt çdo të riu ose të reje.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Prindërit kanë një detyrim të shenjtë që t’u japin mësim fëmijëve të tyre dhe të japin një shembull të mirë.

Ndoshta mësuesja që ju dhe unë kujtojmë më mirë, është ajo që ndikoi më shumë te ne. Ajo mund të mos ketë përdorur një dërrasë të zezë as të kishte një diplomë universiteti, por mësimet e saj qenë të përhershme dhe shqetësimi i saj i çiltër. Po, po flas për nënën. Dhe në këtë, përfshij edhe babanë. Në realitet, çdo prind është një mësues.

Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei na kujtoi se “formimi i duhur në fëmijëri është detyrimi më i shenjtë i njeriut”, sepse fëmija vjen nga Ati i dëlirë dhe i ëmbël, “‘një krijesë e paprekur nga njolla e botës, e pandikuar nga padrejtësia e saj, e pangarkuar nga kënaqësitë e saj të zbrazëta, një qenie e sapoardhur nga burimi i dritës, me shkëlqimin e saj universal brenda vetes. Nëse fëmijëria është kështu, sa më e shenjtë se çdo detyrë tjetër është detyra për ta parë atë në zhvillimin e saj në aspektin largpamës.’” (Improvement Era, maj 1930, f. 480.) …

Koha për mësimdhënie ikën shpejt. Mundësitë janë të fundme. Prindi që e zvarrit përmbushjen e përgjegjësisë së tij si mësues, mund të fitojë një pikëpamje të hidhur për shprehjen e Uitierit, në vitet e radhshme: “Prej gjithë fjalëve të trishtuara, të dala nga gjuhë e penë, më të trishtuarat janë këto: ‘Sikur të kishte qenë’”. (John Greenleaf Whittier, “Maud Muller”.) …

Nëna dhe etër, a e kuptoni se ne po bëjmë kallëpin sipas të cilit do të marrë formë jeta e të vegjëlve tanë? Për t’u dhënë mësim fëmijëve tanë, ne duhet t’u rrimë pranë fëmijëve dhe vendi ku mund të afrohemi pranë fëmijëve tanë është në shtëpi. Ne kemi përgjegjësi të japim para tyre shembullin e duhur.

Mendoj se nuk kam lexuar kurrë një dënim publik më therës nga Zoti se ajo që gjendet në librin e Jakobit në Librin e Mormonit, në të cilin Zoti tha: “Vini re, ju keni … thyer zemrat e bashkëshorteve tuaja të buta dhe keni humbur besimin e fëmijëve tuaj, për shkak të shembujve tuaj të këqij para tyre”. (Jakobi [LiM] 2:35.) Nëse Zoti do të na jepte një dënim publik për dhënien e një shembulli të keq, a nuk është logjike të marrim me mend se ai do të na jepte miratimin e tij nëse u japim shembullin e duhur fëmijëve tanë? Dhe më tej mund të vështrojmë pas, siç bëri Gjoni, kur deklaroi: “ Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën”. (3 Gjon 1:4.)

Nëse ndonjë prind ka nevojë për më tepër frymëzim për ta filluar detyrën e mësimdhënies që i është dhënë nga Perëndia, le të kujtojë ai [ose ajo] që ndërthurja më e fuqishme e emocioneve në botë nuk shkaktohet nga ndonjë ngjarje madhore kozmike as nuk gjendet në novela apo libra me rrëfenja – por vetëm nga një prind që hedh vështrimin te një fëmijë që është duke fjetur. Ai fragment i lavdishëm biblik “krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë”, do të marrë kuptim të ri e të gjallë kur një prind e përsërit këtë përvojë. Shtëpia do të bëhet një strehë e quajtur qiell dhe prindërit e dashur do t’u mësojnë fëmijëve të tyre “të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit”. (DeB 68:28.)8

Ka nga ata që gjejnë kënaqësi kur shkatërrojnë besimin në vend që të ndërtojnë ura drejt një jete të mirë. … Duke qenë se nuk e kontrollojmë dot klasën, së paku mund të përgatitim nxënësin. Ju pyetni: “Si?” Unë përgjigjem: “Sigurojuni një udhërrëfyes për te lavdia e mbretërisë çelestiale të Perëndisë, madje një barometër për të bërë dallimin mes të vërtetës së Perëndisë dhe teorive të njerëzve”.

Disa vjet më parë, e mbajta në duar një udhërrëfyes të tillë. Ishte një vëllim shkrimesh të shenjta … që përmbante Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Libri qe një dhuratë nga një atë i dashur për një bijë të bukur në lulëzim që e zbatonte me kujdes këshillën e tij. Në faqen bosh në fillim të librit i ati kishte shkruar këto fjalë të frymëzuara:

“9 prill 1944

Maurinës sime të dashur:

Në mënyrë që të kesh një njësi të qëndrueshme matëse me anë të së cilës të gjykosh mes së vërtetës dhe gabimit të filozofive të njeriut dhe të rritesh kështu në shpirtshmëri sikurse rritesh në dije, të jap këtë libër të shenjtë që ta lexosh vazhdimisht dhe ta çmosh si thesar gjatë gjithë jetës sate.

Me dashuri, babai yt,

Harold B. Li”9

2

Mësuesit në kishë mund të kenë një ndikim të përhershëm.

Le të kthehemi te mësuesi/ja që takojmë zakonisht të dielave, mësuesi/ja në Kishë. Në një mjedis të tillë takohen të gjitha, historia e së shkuarës, shpresa për të tashmen dhe premtimi për të ardhmen. … Mësuesi/ja gjykohet nga nxënësit e vet, jo vetëm nga ajo që jep mësim dhe mënyra si e jep, por edhe nga mënyra si jeton.

Apostulli Pal i këshilloi romakët: “Ti … që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?

Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën?” (Romakëve 2:21–22.)

Pali, ai mësues i frymëzuar dhe dinamik, na jep një shembull të mirë.10

Përvoja ime kur isha i vogël, ishte të bija nën ndikimin e mësueses më të efektshme e të frymëzuar që na dëgjoi dhe na deshi. Emri i saj qe Lusi Gertsh. Në klasën tonë të Shkollës të së Dielës, ajo na mësoi në lidhje me Krijimin e botës, Rënien e Adamit dhe [flijimin] shlyes të Jezusit. Ajo solli në klasën e saj si të ftuar nderi Moisiun, Jozueun, Pjetrin, Thomanë, Palin dhe, sigurisht, Krishtin. Ndonëse ne nuk i pamë, ne mësuam t’i duam, t’i nderojmë dhe t’i kemi shembull ata.

Asnjëherë mësimdhënia e saj nuk qe aq dinamike as ndikimi i saj më i përhershëm, sa në një mëngjes të diele kur ajo na njoftoi vdekjen e nënës së një shoku të klasës. Billi mungoi atë mëngjes, por nuk e dinim arsyen e mungesës së tij.

Mësimi trajtonte temën: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” (Veprat e Apostujve 20:35.) Nga mesi i mësimit, mësuesja jonë mbylli manualin dhe hapi sytë tanë, veshët tanë dhe zemrat tona ndaj lavdisë së Perëndisë. Ajo pyeti: “Sa para kemi ne në fondin për mbrëmjen argëtuese të klasës sonë?”

Ditët e depresionit ekonomik nxitën një përgjigje ballëlartë: “Katër dollarë e shtatëdhjetë e pesë centë”.

Pastaj, gjithnjë me aq mirësi, ajo sugjeroi: “Familja e Billit është në gjendje të ngushtë dhe pikëllim të thellë. Ç’do të mendonit për mundësinë e një vizite këtë mëngjes te pjesëtarët e familjes dhe t’ua jepnim atyre fondin tuaj?”

Gjithmonë do ta kujtoj grupin e vogël tek përshkonte ato tri blloqe të qytetit, duke hyrë te shtëpia e Billit, duke përshëndetur atë, vëllanë, motrat dhe babanë e tij. Dukshëm, ajo që mungonte, ishte nëna e tij. Përherë do ta mbaj të vyer kujtimin e lotëve që ndriçonin në sytë e të gjithëve, kur zarfi i bardhë që përmbante fondin e çmuar të mbrëmjes sonë, kaloi nga dora e brishtë e mësueses sonë te dora nevojtare e një babai zemërpikëlluar.

E përshkuam thuajse duke u hedhur pupthi kthimin tonë në kishë. Zemrat i kishim më të lehta se ç’kishin qenë ndonjëherë; gëzimin më të plotë; kuptimin më të thellë. Një mësuese e frymëzuar nga Perëndia u kishte mësuar djemve dhe vajzave të saj një mësim të përjetshëm të së vërtetës hyjnore duke thënës se “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”.

Fare mirë ne mund të kemi parafrazuar fjalët e dishepujve rrugës për në Emaus: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur [ajo] na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Lluka 24:32.)

Lusi Gertshi e njihte çdonjërin prej nxënësve të saj. Ajo i merrte në telefon pa harruar asnjëherë ata që mungonin një të diel apo që thjesht nuk vinin. E dinim se ajo interesohej për ne. Asnjëri prej nesh nuk e ka harruar ndonjëherë atë apo mësimet që ajo dha.11

Pamja
Lusi Gertshi dhe klasa e saj e Fillores, përfshirë Tomas S. Monsonin

Lusi Gertshi (rreshti i pasmë, në mes) me klasën e saj të shkollës të së Dielës në vitin 1941. Tom Monsoni është në rreshtin e parë, i dyti nga e djathta. Ai e përshkroi atë si “mësuesja më e efektshme dhe e frymëzuar”.

Klasa në kishë i shton një përmasë jetike arsimimit të çdo fëmije dhe të riu ose të reje. Në këtë mjedis, çdo mësuese mund të sigurojë një qasje gjithnjë e në rritje tek ata që ia dëgjojnë mësimet dhe ndiejnë ndikimin e dëshmisë së saj. Në mbledhjet e Fillores, të Shkollës të së Dielës, të Të Rejave dhe atyre të Priftërisë Aarone, mësuesit e mirëpërgatitur, të thirrur nën frymëzimin e Zotit, mund ta prekin çdo fëmijë, çdo të ri dhe të re dhe t’i nxitin të gjithë “të kërko[jnë] … nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; [të] kërko[jnë] të mëso[jnë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” [Doktrina e Besëlidhje 88:118]. Një fjalë inkurajimi këtu dhe një mendim shpirtëror atje mund të ndikojë te një jetë e çmuar dhe të lërë një gjurmë të ngulitur te një shpirt i pavdekshëm. …

Mësuesi/ja i/e përulur dhe i/e frymëzuar në klasën e Kishës mund të rrënjosë te nxënësit e vet një dashuri për shkrimet e shenjta. … Mësuesi/ja mund të sjellë Apostujt e lashtësisë dhe Shpëtimtarin e botës, jo vetëm në klasë por edhe në zemrat, mendjet dhe shpirtrat e fëmijëve.12

3

Ne japim mësim jo vetëm me fjalë, por edhe me anë të mënyrës se si e jetojmë jetën.

Kush është mësuesi që e mbani mend më së miri nga fëmijëria juaj? Do të hamendësoja se me shumë gjasë ishte ai që jua dinte emrin, që ju mirëpriti në klasë, që interesohej për ju si person dhe që ju kishte vërtet për zemër. Kur një udhëheqës ecën në shtegun e vdekshmërisë me një të ri ose të re të çmuar përkrah, zhvillohet një lidhje zotimi midis të dyve që e mbron të riun ose të renë nga tundimet e mëkatit dhe e mban atë në ecje të patundur në shtegun që të çon përpara, lart dhe në mënyrë të palëkundur drejt jetës së përjetshme. Ndërtoni një urë drejt çdo të riu ose të reje.13

Trajtojini [nxënësit] me dinjitet dhe jepuni atyre më të mirën tuaj. Ju nuk po jepni mësim thjesht një temë, ju po i jepni trajtë natyrës njerëzore. Ju ndriçoni llambën e të mësuarit, që nxënësit tuaj ta kuptojnë më mirë misionin e tyre tokësor. Ju, nëpërmjet shpirtit tuaj, besimit tuaj dhe dashurisë suaj, do të bekoni breza që nuk kanë lindur ende. Mundësitë tuaja nuk janë të pangjashme me ato të Mësuesit Mjeshtër, madje Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.14

Shpeshherë nuk flitet kurrë për ndikimin e thellë që ka dikush në jetën e të tjerëve dhe me raste, pak dihet për të. E tillë qe përvoja e një mësueseje vajzash, madje vajza 12‑vjeçare … Ajo nuk kishte fëmijë vetë, ndonëse ajo dhe bashkëshorti i saj qenë shumë të dëshiruar për fëmijë. Dashuria e saj shprehej nëpërmjet përkushtimit ndaj vajzave të saj të veçanta teksa u mësonte atyre të vërteta të përjetshme dhe mësime për jetën. Më pas erdhi sëmundja, e ndjekur nga vdekja. Ajo ishte veçse njëzet e shtatë vjeç.

Çdo vit, në ditën e përkujtimores, vajzat e saj bënin një pelegrinazh lutjeje buzë varrit të mësueses së tyre. Fillimisht qenë shtatë, më pas katër, pastaj 2 dhe përfundimisht vetëm një që e vazhdoi vizitën e përvitshme, duke vendosur mbi varr gjithnjë një buqetë lulesh irisi, një simbol i një mirënjohjeje të ndier. Ky vit [1981] shënoi vizitën e saj të njëzet e pestë në vendin e prehjes të mësueses së saj. Sot ajo vetë është mësuese për vajzat. Nuk është çudi që ajo është kaq e suksesshme. Ajo i ngjan pasqyrimit të mësueses nga e cila i erdhi frymëzimi. Jeta që jetoi mësuesja, mësimet që ajo mësuese dha, nuk janë varrosur poshtë gurit që shenjon varrin e saj, por jetojnë në personalitetet që ajo ndihmoi të formësojë dhe në jetët që ajo pasuroi me aq vetëmohim. Më kujtohet një Mësues Mjeshtër tjetër, madje Zoti. Një herë, me gishtin e Tij, Ai shkroi një mesazh mbi rërë. (Shih te Gjoni 8:6.) Erërat e kohës i fshinë përgjithnjë fjalët që Ai shkroi, por jo jetën që Ai jetoi.15

Ne duhet të kujtojmë përherë se nuk japim mësim me fjalë; ne japim mësim edhe me anë të njeriut që jemi dhe mënyrës se si e jetojmë jetën.16

4

Jezu Krishti është shembulli ynë si mësues.

Është një mësues jeta e të cilit hedh hije mbi gjithë të tjerat. Ai na mësoi për jetën dhe vdekjen, për detyrën dhe fatin. Ai jetoi jo që t’i shërbenin por që të shërbente, jo që të merrte por që të jepte, jo që të shpëtonte jetën e Tij, por që ta flijonte atë për të tjerët. Ai përshkroi një dashuri më të mrekullueshme sesa epshi, një varfëri më të pasur sesa thesari. U tha për këtë Mësues se Ai dha mësim me autoritet dhe jo siç bënë skribët. Unë flas për Mësuesin Mjeshtër, madje Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e gjithë njerëzimit.

Kur mësues të përkushtuar i përgjigjen ftesës së Tij të butë “Mësoni nga unë”, ata bëhen pjesëmarrës në fuqinë e Tij hyjnore.17

Teksa u japim mësim të tjerëve, e ndjekshim shembullin e mësuesit të përsosur, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit. Ai i la gjurmët fizike në rërën në bregdet, mirëpo parimet e Tij mësimdhënëse i la në zemrat dhe në jetën e të gjithë njerëzve të cilëve Ai u dha mësim. Ai i udhëzoi dishepujt e Tij të asaj kohe dhe neve Ai na flet të njëjtat fjalë: “Ti ndiqmë” (Gjoni 21:22).

Shkofshim përpara në frymën e përgjigjes me bindje, që të mund të thuhet për secilin prej nesh sikurse u tha për Shëlbuesin: “Ti je një mësues i ardhur nga Perëndia” (Gjoni 3:2).18

Pamja
Jezu Krishti duke dhënë mësim

Jezu Krishti është “Mësuesi Mjeshtër”.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson dha mësim se prindërit kanë një detyrim të shenjtë që t’u japin mësim fëmijëve të tyre (shih te pjesa 1). Cilat janë disa gjëra të rëndësishme që mësuat nga nëna ose babai juaj? Nëse jeni prind, çfarë shpresoni se do të mësojnë fëmijët nga ju? Çfarë keni mësuar rreth mënyrës se si t’u jepni mësim fëmijëve? Pse dhënia e një shembulli të duhur është thelbësore për mësimdhënien ndaj fëmijëve? Si munden prindërit t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të krijojnë besim të fortë?

  • Shqyrtojeni historinë e Presidentit Monson rreth mësueses së tij të Shkollës të së Dielës (shih te pjesa 2). Çfarë mund të mësojmë nga kjo histori që të na ndihmojë të jemi mësues të mirë? Si mundemi ta japim mësim ungjillin me fuqi më të madhe – qoftë në shtëpi, në një klasë apo në një mjedis tjetër?

  • Shqyrtojini cilësitë e mësuesve të mirë që nënvizoi Presidenti Monson (shih te pjesa 3). Reflektoni për disa nga mësuesit tuaj që kanë qenë shembull i këtyre cilësive. Pse këta mësues patën ndikim në jetën tuaj? Si mësues, si mund të “ndërto[jmë] një urë” për ata të cilëve u japim mësim? Si mund ta “ndriço[jmë] llambën e të mësuarit”?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit si mësues? (Shih te pjesa 4.) Çfarë do të thotë të japësh mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit? Pse është e rëndësishme që të përqendrohemi te Shpëtimtari kur e japim mësim ungjillin?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Eksodi 4:10–12; 2 Nefi 33:1; Alma 17:2–3; 31:5; Doktrina e Besëlidhje 11:21; 42:12–14; 88:77–80

Ndihmë për Mësimdhënien

“Për të qenë një mësues si Krishti, ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të bëni, është të ndiqni shembullin e Shpëtimtarit për bindjen dhe ta jetoni ungjillin me të gjithë zemrën tuaj. … Nuk [ka pse] të jeni të përsosur, thjesht të përpiqeni me zell – dhe të kërkoni falje nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit kurdoherë që pengoheni” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 13).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1963, f. 14.

  2. Precious Children, a Gift from God”, Ensign, qershor 2000, f. 4.

  3. Shih Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 87. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  4. Examples of Great Teachers”, Ensign, qershor 2007, f. 106.

  5. Në Conference Report, tetor 1970, f. 107.

  6. Në Conference Report, tetor 1970, f. 108.

  7. Only a Teacher”, Ensign, janar 1990, f. 2; shih edhe The Education of Henry Adams (1918), f. 300.

  8. Only a Teacher”, f. 2–3, 5; për burimin e citimit nga Presidenti Mek-Kei, shih Mary Wilton, në Douglas Jerrold, Punch’s Complete Letter Writer (1845), f. 93.

  9. Only a Teacher”, f. 5–6.

  10. Only a Teacher”, f. 6–7.

  11. Examples of Great Teachers”, f. 108–109.

  12. Precious Children, a Gift from God”, f. 5.

  13. They Will Come”, Ensign, maj 1997, f. 46.

  14. Teachings of Thomas S. Monson, përmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 299. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  15. He Is Risen”, Ensign, nëntor 1981, f. 16–17.

  16. Examples of Great Teachers”, f. 112.

  17. Only a Teacher”, f. 7.

  18. Examples of Great Teachers”, f. 112.

Shtyp në Letër