Mësime të Presidentëve
Hyrje


“Hyrje”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Hyrje”, Mësime: Tomas S. Monson

Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar t’i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe të thelloni kuptimin tuaj mbi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Këta libra janë hartuar që të përdoren për studim vetjak dhe si burime për mësimdhënie. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime për mbrëmjen e shtëpisë, për të përgatitur mësime ose biseda të tjera, mësime shtesë në kishë dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth doktrinës së Kishës.

Ky libër paraqet mësimet e Presidentit Tomas S. Monson, i cili shërbeu si Presidenti i 16‑të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga 3 shkurti 2008 deri më 2 janar 2018.

Tomas S. Monson

Studimi Vetjak

Ndërsa i studioni mësimet e Presidentit Tomas S. Monson, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të përsiatni dhe t’i zbatoni mësimet e Presidentit Monson. Idetë vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:

  • Shkruajini mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.

  • Shenjojini ose theksojini fragmentet që dëshironi t’i mbani mend.

  • Lexojeni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht.

  • Bëjini vetes pyetje si këto: “Si e rritin mësimet e Presidentit Monson të kuptuarin e parimeve të ungjillit prej meje?” ose “Çfarë dëshiron Zoti që unë të mësoj nga këto mësime? Çfarë do Ai që unë të bëj?”

  • Pyeteni veten se si mund t’ju ndihmojnë mësimet në këtë libër lidhur me sfidat dhe shqetësimet vetjake.

  • Tregojuani atë që mësoni, pjesëtarëve të familjes dhe miqve.

Mësimdhënia nga Ky Libër

Orientimet e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër qoftë në shtëpi apo në kishë.

Përgatituni të Jepni Mësim

Studiojeni kapitullin që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Monson. Përzgjidhni me lutje mësimet që ndieni se do të jenë më të dobishme. Ju gjithashtu mund t’i nxitni ata të cilëve u jepni mësim, që ta studiojnë kapitullin.

Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Kërkojini Shpirtit që t’ju frymëzojë me ide rreth mënyrës se si t’i tregoni dhe si të diskutoni për mësimet e Presidentit Monson.

Nxitni Pjesëmarrjen

Marrja pjesë aktivisht në diskutimet për ungjillin, i ndihmon anëtarët të mësojnë dhe marrin zbulesë vetjake. Nxitini ata të shprehin mendimet dhe pyetjet e tyre ndërsa i diskutojnë mësimet e Presidentit Monson.

Pyetjet në fund të çdo kapitulli janë një burim i çmuar për të nxitur diskutimin. Mund të mendoni edhe për pyetje të tjera. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni të tjerëve të tregojnë përvoja vetjake që lidhen me mësimet.

Nxitni Zbatimin

Mësimet e Presidentit Monson janë më kuptimplote kur anëtarët i zbatojnë ato në jetën e tyre. Ndërsa i diskutoni mësimet e tij, flisni rreth mënyrave se si mund të zbatohen ato në përgjegjësitë në shtëpi, në Kishë dhe në mjedise të tjera. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të marrin parasysh pyetjen: “Çfarë do të bëj ndryshe për shkak të asaj që mësova nga Presidenti Monson?”

Përmbylleni Diskutimin

Përmblidhini shkurtimisht parimet që keni diskutuar ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve të tjerë ta bëjnë këtë. Dëshmoni për vërtetësinë e këtyre parimeve. Nëse dëshironi, mund t’i ftoni gjithashtu të tjerët të japin dëshmitë e tyre për këto parime.

Informacion rreth Materialeve Burimore

Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikimet dhe shkrimet e Presidentit Tomas S. Monson. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale, përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Ngaqë citimet e ruajnë besnikërinë ndaj burimeve të publikuara, mund të vëreni mospërputhje të vogla stilistike në tekst. Për shembull, përemra që lidhen me Hyjninë fillojnë me germë të vogël në disa citate dhe me të madhe në të tjera.

Presidenti Monson i përdorte shpesh termat burra, burrë dhe njerëzim për t’ju referuar të gjithë njerëzve, si meshkujve edhe femrave. Ai gjithashtu i përdorte shpesh përemrat ai, i/e tij dhe atë për t’ju referuar si burrave edhe grave. Këto konvencione gjuhësore qenë të zakonshme në kohën e tij.