Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2


“Kapitulli 2: Shtrini Dorën për të Shpëtuar”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 2”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 2

Shtrini Dorën për të Shpëtuar

“Është lutja ime që ne të mund të kemi dëshirë për t’i shpëtuar anëtarët më pak aktivë dhe për t’i kthyer ata te gëzimi i ungjillit të Jezu Krishtit, që ata të mund të marrin pjesë me ne në gjithçka që shoqërimi i plotë ka për të ofruar.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Kur Presidenti Tomas S. Monson po shërbente si një peshkop në moshë të re, ai vazhdimisht ua shtrinte dorën e ndihmës anëtarëve të lagjes që kishin nevoja shpirtërore dhe materiale. Ai tregoi përvojën në vijim të bërjes së ftesës ndaj një të riu në lagjen e tij për t’u kthyer në aktivitetin në Kishë:

“Një të diel në mëngjes vura re se Riçardi, një prej priftërinjve tanë që vinte rrallë, po mungonte sërish në mbledhjen e priftërisë. E lashë kuorumin nën kujdesin e këshilluesit dhe shkova për vizitë në shtëpinë e Riçardit. E ëma më tha se ai po punonte në një garazh të lagjes që riparonte makina. I dhashë makinës për te garazhi në kërkim të Riçardit dhe pashë kudo, por nuk munda ta gjej. Papritur, pata [frymëzimin] se duhej të shikoja poshtë në gropën e vjetër të mekanikut, e cila ndodhej në anë të ndërtesës. Në errësirë mund të dalloja dy sy xixëllues. E dëgjova Riçardin të thoshte: ‘Më gjete, Peshkop! Po ngjitem.’ Kur unë dhe Riçardi biseduam, i tregova se sa shumë na kishte marrë malli dhe sa nevojë kishim për të. Arrita t’i marr një zotim se do të merrte pjesë në mbledhjet e tij.

“Aktiviteti i tij [në Kishë] u përmirësua rrënjësisht. Përfundimisht ai me familjen e vet u shpërngulën, por dy vjet më vonë mora një ftesë për të folur në lagjen e Riçardit përpara se ai të nisej në një mision. Në fjalët e tij atë ditë, Riçardi tha se pika e kthesës në jetën e tij ishte kur peshkopi e gjeti të fshehur në një gropë mekaniku dhe e ndihmoi të kthehej në aktivitet.”1

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Monson u bëri thirrje shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që t’ua shtrinin dorën e ndihmës me dashuri të tjerëve. “Shpëtimtari ishte gjithmonë e kudo duke punuar, duke mësuar, dëshmuar dhe shpëtuar të tjerët”, – dha mësim ai. “Kjo është sot edhe detyra jonë individuale.”2

Krishti duke mbajtur në krahë një qengj

Zoti Jezu Krisht shpalli: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Nevoja për të shpëtuar është e një rëndësie të përjetshme.

Ne jetojmë në një botë me luftë. Disa janë të natyrës politike, por të tjera sipas përkufizimit janë ekonomike. Megjithatë, beteja më e madhe nga të gjitha, është për shpirtrat e njerëzimit.

Kapiteni ynë, madje Zoti Jezu Krishti, shpalli:

“Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” [Doktrina e Besëlidhje 18:10].3

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, nevoja për t’i shpëtuar vëllezërit dhe motrat tona që, për njëfarë arsyeje, janë larguar nga shtegu i aktivitetit në Kishë, është me rëndësi të përjetshme. A njohim njerëz të tillë që dikur e përqafuan ungjillin? Nëse po, cila është përgjegjësia jonë për t’i shpëtuar ata?

Merrni parasysh të humburit mes njerëzve të moshuar, të ve dhe të sëmurë. Shumë shpesh ata gjenden në shkretëtirën fërgëlluese dhe të braktisur të izolimit të quajtur vetmi. Kur rinia largohet, kur shëndeti pakësohet, kur gjallëria venitet, kur drita e shpresës ndriçon gjithmonë e më zbehtë, ata mund të ndihmohen dhe të mbështeten nga dora që ndihmon dhe zemra që njeh dhembshuri.

Ka, sigurisht, të tjerë që kanë nevojë të shpëtohen. Disa [luftojnë] me mëkatin, ndërsa të tjerë enden në frikë apo plogështi ose padituri. Për çfarëdo arsye, ata e kanë izoluar vetveten nga aktiviteti në Kishë. Dhe pothuajse në mënyrë të sigurt ata do të mbeten të humbur, në qoftë se nuk zgjohet brenda nesh – anëtarëve aktivë të Kishës – një dëshirë për t’i ndihmuar dhe shpëtuar.4

2

Ne kemi përgjegjësinë për të shtrirë dorën dhe shpëtuar.

Në rrugëtimin përgjatë shtegut të jetës, ka viktima. Disa largohen nga shenjat e rrugëve që të çojnë për te jeta e përjetshme, vetëm që të zbulojnë se devijimi që zgjodhën, përfundimisht të çon në një rrugë pa krye. Indiferenca, shkujdesja, egoizmi dhe mëkati, të gjitha kanë një kosto të lartë në jetën njerëzore. Ka nga ata që, për arsye të pashpjegueshme, marshojnë drejt tingullit të një bateristi të ndryshëm dhe më vonë mësojnë se kanë rendur pas Fyelltarit Magjik të hidhërimit dhe vuajtjes.5

Ca kohë më parë mora një letër të shkruar nga një burrë i cili ishte larguar nga Kisha. Ajo është tipike për shumë prej anëtarëve tanë. Pasi përshkroi se si ishte bërë joaktiv, ai shkroi:

“Pata kaq shumë dhe tani kam kaq pak. Nuk jam i lumtur dhe ndihem sikur po dështoj në gjithçka. Ungjilli nuk është larguar kurrë nga zemra ime, edhe pse ai e ka lënë jetën time. Kërkoj lutjet tuaja.

Ju lutem, mos i harroni ata prej nesh që janë këtu jashtë – shenjtorët e humbur të ditëve të mëvonshme. E di se ku është Kisha, por nganjëherë mendoj se kam nevojë që dikush tjetër të ma tregojë udhën, të më nxisë, të ma largojë frikën dhe të më japë dëshmi.”

Teksa po e lexoja këtë letër, mendimet e mia u kthyen te një vizitë që bëra në një nga galeritë madhështore të artit të botës – në Muzeun e famshëm të Viktorias dhe Albertit në Londër në Angli. Atje, e vënë në kornizë në mënyrë elegante, është një kryevepër e pikturuar në vitin 1831 nga Xhozef Mallord Uilliam Tërnëri. Piktura paraqet re të zeza të ngarkuara rëndë dhe furinë e një deti të turbulluar, duke kumtuar rrezik dhe vdekje. Një dritë nga një anije e ngecur në cektinë, shkëlqen në largësi. Në plan të parë, e ngritur lart nga valët që janë duke u afruar me ujë të shkumbuar, është një varkë e madhe shpëtimi. Burrat tërheqin fuqishëm rremat, ndërkohë që varka e shpëtimit zhytet në stuhi. Në bregdet qëndron një grua dhe dy fëmijë, të lagur nga shiu dhe të fshikulluar nga era. Ata shohin me ankth drejt detit. Në mendjen time e shkurtova titullin e pikturës. Për mua ai u bë Drejt Shpëtimit.6

Përmes stuhive të jetës, rreziku rri i fshehur. Burra dhe gra, djem e vajza e gjejnë vetveten të ngecur në vështirësi dhe duke u përballur me shkatërrimin. Kush do t’ua rrëfejë udhën varkave të shpëtimit, duke lënë pas rehatitë e shtëpisë dhe familjen, dhe do të shkojë drejt shpëtimit?

Detyra jonë nuk është e pakapërcyeshme. Ne jemi duke bërë detyrën e Zotit; kemi të drejtë për ndihmën e Tij.

Gjatë shërbesës së Mësuesit, Ai thirri peshkatarë në Galile për t’i lënë rrjetat e tyre dhe për ta ndjekur Atë, duke shpallur: “Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” [Mateu 4:19]. U bashkofshim me radhët e peshkatarëve të burrave dhe grave, që ne të mund të japim çfarëdo ndihme që mundemi. …

Në një kuptim shumë real, ata njerëz të ngecur në detin e pështjelluar nga stuhia në pikturën e Tërnerit, janë si shumë prej anëtarëve tanë më pak aktivë që presin të shpëtohen nga ata që drejtojnë barkat e shpëtimit. Zemrat e tyre mezi e presin ndihmën. Nënat dhe baballarët luten për bijtë dhe bijat e tyre. Bashkëshortet i përgjërohen qiellit që bashkëshortët e tyre të mund të ndihmohen. Nganjëherë fëmijët luten për prindërit e tyre.

Është lutja ime që ne të mund të kemi dëshirë për t’i shpëtuar anëtarët më pak aktivë dhe për t’i kthyer ata te gëzimi i ungjillit të Jezu Krishtit, që ata të mund të marrin pjesë me ne në gjithçka që shoqërimi i plotë ka për të ofruar.7

pikturë e shpëtimit të një anijeje duke u mbytur

“Përmes stuhive të jetës, rreziku rri i fshehur. Burra dhe gra, djem e vajza e gjejnë vetveten të ngecur në vështirësi dhe duke u përballur me shkatërrimin. Kush do të … shkojë drejt shpëtimit?”

Ne kemi përgjegjësinë, madje detyrën solemne, që të ndihmojmë të gjithë ata jetën e të cilëve jemi thirrur që ta prekim. Detyra jonë është t’i udhërrëfejmë ata drejt mbretërisë çelestiale të Perëndisë. Kujtofshim përherë se manteli i udhëheqjes nuk është petku i rehatisë, por përkundrazi toga e përgjegjësisë! E shtrifshim dorën për t’i shpëtuar ata që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe për dashurinë tonë! [Shih te Doktrina e Besëlidhje 84:106.]

Ndërsa ia dalim mbanë, ndërsa e sjellim një grua apo burrë, vajzë apo djalë përsëri në aktivitet, ne do të jemi duke iu përgjigjur lutjes së zjarrtë të një bashkëshorteje apo motre apo nëne, do të jemi duke ndihmuar që të përmbushet dëshira më e madhe e një bashkëshorti apo vëllai apo babai. Ne do të jemi duke respektuar drejtimin e një Ati të dashur dhe do të jemi duke ndjekur shembullin e një Biri të bindur (shih te Gjoni 12:26; DeB 59:5). Dhe emrat tanë do të nderohen përgjithmonë nga ata të cilëve u vijmë në ndihmë.8

3

Shpëtimi kërkon dashuri dhe durim.

Kam [zbuluar] se dy arsye thelbësore konsiderohen gjerësisht për një kthim në aktivitet dhe për ndryshime të [qëndrimeve], zakoneve dhe veprimeve. Së pari, individët kthehen ngaqë dikush u ka treguar atyre mundësitë e tyre të përjetshme dhe i ka ndihmuar të vendosin t’i arrijnë ato. …

Së dyti, të tjerët kthehen ngaqë njerëz të dashur ose “bashkëqytetarë të shenjtorëve” e kanë ndjekur këshillimin e Shpëtimtarit, i kanë dashur të afërmit e tyre porsi vetveten dhe i kanë ndihmuar të tjerët t’i çojnë ëndrrat e tyre drejt përmbushjes dhe ambiciet e tyre drejt realizimit [shih tek Efesianëve 2:19; Mateu 22:39].

Katalizatori në këtë proces ka qenë – dhe do të vazhdojë të jetë – parimi i dashurisë.9

Kërkohet vazhdimisht virtyti qiellor i durimit [për të ndihmuar njerëzit që të bëhen aktivë në Kishë]. Si peshkop, një ditë ndjeva nxitjen për të marrë në telefon një burrë, bashkëshortja e të cilit qe disi aktive, ashtu si fëmijët. Ky burrë sidoqoftë, nuk ishte përgjigjur kurrë. Qe një ditë e nxehtë vere kur unë trokita në derën me xham të Harold G. Galaherit. Mund ta shihja vëllanë Galaher të ulur në karrigen e tij duke lexuar gazetën. “Kush është?” – pyeti ai, pa i ngritur sytë.

“Peshkopi yt”, – iu përgjigja. “Kam ardhur të njihemi dhe t’ju nxit të merrni pjesë me familjen tuaj në mbledhjet tona.”

“Jo, jam tepër i zënë”, – erdhi përgjigjja shpërfillëse. Ai asnjëherë nuk i ngriti sytë. E falënderova që më dëgjoi, dhe u largova nga pragu i derës.

Familja Galaher u shpërngul në Kaliforni pak pas kësaj. Vitet kaluan. Në atë kohë, si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, po punoja në zyrën time një ditë, kur sekretarja ime, më telefonoi duke thënë: “Njëfarë vëllai Galaher, i cili dikur jetonte në lagjen tënde, dëshiron të flasë me ty. Është këtu në zyrën time.”

Iu përgjigja: “Pyete a quhet Harold G. Galaher. …”

Ajo tha: “Ai është”.

I kërkova ta sillte në zyrën time. Ne bëmë një bisedë të këndshme së bashku në lidhje me familjen e tij. Ai më tha: “Kam ardhur të të kërkoj falje që nuk u ngrita nga karrigia ime dhe që të lashë te dera atë ditë vere shumë vite më parë”. E pyeta a ishte aktiv në Kishë. Me një buzëqeshje të lehtë, u përgjigj: “Tani jam këshilltar i dytë në peshkopatën e lagjes sime. Ftesa jote për të ardhur në kishë dhe përgjigjja ime negative, më përndoqi aq shumë saqë vendosa të bëj diçka lidhur me të.”

Unë dhe Haroldi u takuam së bashku disa herë përpara se ai të ndërronte jetë. Familja Galaher dhe fëmijët e tyre përmbushën shumë thirrje në Kishë.10

4

Anëtarët e lagjes dhe kunjit mund të punojnë së bashku për të shpëtuar.

Ne kemi doktrinat e së vërtetës. Ne kemi programet. Ne kemi njerëzit. Ne kemi fuqinë. Misioni ynë është më tepër sesa mbledhjet. Shërbimi ynë është të shpëtojmë shpirtrat.11

Një mëngjes [si peshkop i ri në moshë], kur u përgjigja në telefon, një zë tha: “Jam Plaku Spenser W. Kimball. Dua të të kërkoj një nder. Në lagjen tuaj, e fshehur larg pas një ndërtese të madhe në rrugën Fifth South, është një shtëpi e vogël që rimorkiohet. Atje jeton Margaret Bërdi, një vejushë nga fisi Navaho. Ajo mendon se nuk e duan, nuk kanë nevojë për të dhe ndihet e humbur. A mundeni ju dhe presidenca e Shoqatës së Ndihmës ta kërkoni atë, t’i shtrini asaj dorën e shoqërimit dhe t’i ofroni një mirëseardhje të veçantë?” Pikërisht atë gjë bëmë.

Një mrekulli pasoi. Margaret Bërdi lulëzoi në mjedisin e saj të sapogjetur. Dëshpërimi u zhduk. Vejusha në pikëllimin e saj ishte vizituar. Delja e humbur ishte gjetur. Secili që mori pjesë në dramën e thjeshtë njerëzore, u bë një person më i mirë.12

Me kalimin e viteve, ndërsa kam vizituar shumë kunje anekënd botës, ka pasur nga ato kunje ku udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve, nga nevoja ose në përgjigje të detyrës, ndaluan së ndenjuri me duar lidhur, i përveshën mëngët dhe, me ndihmën e Zotit, iu futën punës dhe sollën burra të çmuar për t’u kualifikuar për Priftërinë Melkizedeke dhe për të hyrë në tempullin e shenjtë me bashkëshortet dhe fëmijët e vet për dhurimet dhe vulosjet e tyre.

Do të përmend shkurtimisht [dy] shembuj:

Gjatë një vizite në kunjin e Millkrikut në Solt‑Lejk‑Siti disa vjet më parë, mësova se gjatë vitit pararendës mbi 100 vëllezër që ishin pleq të ardhshëm, ishin shuguruar pleq. E pyeta Presidentin Xhejms Kleg për sekretin e suksesit të tij. Ndonëse ishte shumë modest për t’i marrë meritat, njëri prej këshilltarëve të tij zbuloi faktin se Presidenti Kleg, duke e njohur sfidën, kishte ndërmarrë që ta merrte personalisht në telefon secilin prej pleqve të ardhshëm dhe të linte një takim vetjak me të. Gjatë takimit, Presidenti Kleg përmendte tempullin e Zotit, ordinancat dhe besëlidhjet shpëtuese që theksoheshin atje, dhe e mbyllte me këtë pyetje: “A nuk do të dëshiroje ta çoje bashkëshorten tënde të dashur dhe fëmijët e tu të çmuar në shtëpinë e Zotit, që të mund të jeni një familje përgjithmonë gjatë gjithë përjetësive?” Një ndërgjegjësim vijonte, ndiqej procesi i riaktivizimit dhe arrihej synimi.

Në vitin 1952, shumica e familjeve në lagjen Roz Park Thërd ishin anëtare, etërit ose bashkëshortët e të cilave mbanin vetëm Priftërinë Aarone, në vend që të mbanin Priftërinë Melkizedeke. Vëllai L. Brent Gouts u thirr për të shërbyer si peshkop. Ai ftoi një vëlla më pak aktiv në lagje, Ernest Skinerin, që t’i vinte në ndihmë për të aktivizuar 29 vëllezërit në moshë madhore të lagjes që mbanin detyrën e mësuesit në Priftërinë Aarone dhe për t’i ndihmuar këta burra dhe familjet e tyre që të shkonin në tempull. Duke qenë vetë një anëtar më pak aktiv, vëllai Skiner ngurroi në fillim, por në fund dha shenjë se do të bënte atë që mundej. Ai filloi të takohej vetë me mësuesit më pak aktivë në moshë madhore, duke u përpjekur t’i ndihmonte ata që të shihnin rolin e tyre si udhëheqës priftërie në shtëpitë e tyre dhe si bashkëshortë e etër për familjet e tyre. Ai shpejt rekrutoi disa nga vëllezërit më pak aktivë që t’i vinin në ndihmë për detyrën e tij. Një e nga një, ata u bënë sërish plotësisht aktivë dhe i çuan familjet e veta në tempull.13

njerëz që përqafohen dhe i japin dorën njëri‑tjetrit

“Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

5

Ne ua shtrijmë dorën të gjithëve me dashurinë e pastër të Krishtit.

Ndryshimi për mirë mund t’u vijë të gjithëve. Gjatë viteve [u] kemi bërë [thirrje] anëtarëve më pak aktivë, të fyerve, kritikuesve, shkelësve – [që] të kthehen. “[Kthehuni] dhe ushqeh[uni me bollëk] në [tryezën] e Zotit dhe shijo[jini] përsëri frytet e ëmbla dhe të [kënaqshme] të shoqërimit me shenjtorët” [deklaratë e Presidencës së Parë, në Ensign, mars 1986, f. 88].

Në ndërgjegjen e çdo njeriu gjendet ajo lloj ndjenje, ajo vendosmëri për ta flakur tutje personin e vjetër dhe për t’u ngritur në [lartësinë] e potencialit të vërtetë. [Me] këtë frymë, ne [e bëjmë edhe një herë] atë ftesë të [përzemërt]: Kthehuni. Ne ju afrohemi me dashurinë e pastër të Krishtit dhe shprehim dëshirën tonë për t’ju [ardhur në ndihmë] dhe mirëpritur në shoqërim të plotë. Atyre që janë të vrarë në shpirt ose [që hasin vështirësi e ndiejnë] frikë, u themi: “Na [lejoni] t’ju ngremë [moralisht], t’ju [mbushim me gëzim] dhe [t’jua] qetësojmë frikën”. Merreni [të mirëfilltë] ftesën e Zotit: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” [Mateu 11:28–30].14

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson përmendi shumë lloje sfidash që paraqesin nevojën për shpëtim (shih pjesën 1). Përse është e rëndësishme që ta shtrijmë dorën për t’i shpëtuar të tjerët? Si mund të “zgjo[jmë]” brenda vetes dëshirën “për t[ë] ndihmuar dhe shpëtuar”?

  • Rishikojeni historinë e Presidentit Monson rreth pikturës nga Xhozef Mallord Uilliam Tërnëri (shih pjesën 2). Si mund të ndihmojmë për t’i shpëtuar ata që kanë ngecur në stuhitë e jetës? Kur e keni përjetuar ose dëshmuar gëzimin e kthimit në aktivitetin në Kishë?

  • Përse janë dashuria dhe durimi thelbësor në përpjekjet tona për shpëtim? (Shih te pjesa 3.) Si e keni parë dashurinë të ndihmojë për ta sjellë dikë në aktivitetin në Kishë? Çfarë mund të mësojmë nga historia e Harold Galaherit?

  • Çfarë mund të na mësojnë ndodhitë te pjesa 4?

  • Përse është nganjëherë e vështirë për anëtarët që të kthehen në aktivitet në Kishë? Si mund t’i ndihmojmë ata që janë “të plagosur në shpirt”? (Pjesa 5.) Si mund të ndihmojmë për ta “qetës[uar] frikën” e atyre që kanë frikë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Ezekiel 34:16; Mateu 25:35–46; Lluka 15; Gjoni 10:1–16; Moroni 6:4–5; Doktrina e Besëlidhje 81:5; 84:106

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga të kuptuarit e ungjillit, ju do të [doni] ta zbat[oni] atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me botëkuptimin tuaj. Duke e bërë këtë do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19).

Shënime

  1. Sugar Beets and the Worth of a Soul”, Ensign, korrik 2009, f. 6–7. Shih faqen 10 për një citim nga një letër që ky i ri i shkroi Presidentit Monson 40 vjet më vonë.

  2. Të Angazhuar me Zell”, Liahona, nëntor 2004, f. 56; Konferenca e Përgjithshme, prill 2004, f. 81.

  3. Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 43.

  4. Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar”, Ensign ose Liahona, tetor 2013, f. 4.

  5. Heavenly Homes – Forever Families”, Ensign, qershor 1986, f. 5–6.

  6. Titulli i plotë i pikturës është Life-Boat and Manby Apparatus Going Off to a Stranded Vessel Making Signal (Blue Lights) of Distress [Varka e Shpëtimit dhe Grupi Njerëzor Duke Shkuar Drejt një Anijeje të Ngecur në Cektinë që Jep Sinjalin e Rrezikut (Dritat Blu)].

  7. Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar”, f. 4–5.

  8. Sugar Beets and the Worth of a Soul”, f. 7.

  9. Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar”, f. 5.

  10. Stand in Your Appointed Place”, Liahona, maj 2003, f. 57.

  11. Sugar Beets and the Worth of a Soul”, f. 5.

  12. The Paths Jesus Walked”, Ensign, shtator 1992, f. 5.

  13. Stand in Your Appointed Place”, f. 55–56.

  14. Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Liahona, maj 2008, f. 89–90.