Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13


“Kapitulli 13: Të Qenit Vigjilentë për t’i Bërë Ballë Tundimit”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 13”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 13

Të Qenit Vigjilentë për t’i Bërë Ballë Tundimit

“Ne kemi fuqinë t’u bëjmë ballë tundimeve dhe aftësinë për të përcaktuar udhën që do të ndjekim, drejtimin në të cilin do të udhëtojmë.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Presidenti Tomas S. Monson shpesh ngriti një zë paralajmërimi rreth tundimeve të kundërshtarit. Kur jepte mësim mbi këtë temë, ai nganjëherë tregonte një histori nga një vizitë në ishujt e Tongës. Ndërkohë që ishte atje, ai shkoi në një shkollë të Kishës ku një mësues po u tregonte nxënësve një karrem peshkimi të quajtur maka‑feke:

“Vura re vëmendjen e plotë të fëmijëve ndaj mësuesit të tyre vendas”, – tha Presidenti Monson. “Libri i tij dhe librat e [nxënësve] qëndronin të mbyllur mbi banka. Në dorë ai mbante një karrem peshkimi paksa të çuditshëm të bërë prej një guri të rrumbullakët dhe guackash të mëdha. Mësova se ajo ishte një maka‑feke, një kurth për oktapodët. Në Tonga, mishi i oktapodit është një ushqim shumë i çmuar.

Mësuesi shpjegoi se peshkatarët e Tongës i afrohen një shkëmbi, duke vozitur varkat e tyre me një dorë dhe duke tundur maka‑feken anash me dorën tjetër. Oktapodi kërcen nga strofka e tij shkëmbore dhe e mbërthen karremin, duke e ngatërruar atë me një vakt aq të dëshiruar. Aq këmbëngulës është mbërthimi i oktapodit dhe kaq i fortë instinkti i tij për të mos e lënë t’i shpëtojë trofeu i çmuar, saqë peshkatarët e hedhin menjëherë në varkë.

Ishte një kalim i lehtë për mësuesin t’u vinte në dukje të rinjve të etur dhe të vëmendshëm se i ligu – madje Satani – ka krijuar të ashtuquajturat maka‑feke për të zënë në kurth personat që gënjehen lehtë dhe për të zotëruar fatin e tyre.”

Duke e zgjeruar mësimin e këtij mësuesi për jetën, Presidenti Monson vazhdoi:

“Sot jemi të rrethuar nga maka‑feke që i ligu i tund përpara nesh dhe me të cilat përpiqet të na joshë e më pas të na zërë në kurth. Kur mbërthehen, të tilla maka‑feke janë tepër të vështira – e ndonjëherë pothuajse të pamundura – për t’u lëshuar. Për të qenë të sigurt ne duhet t’i shohim ato ashtu siç janë në të vërtetë dhe më pas të jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për t’i shmangur ato.”1

Pamja
burrë që po zë një oktapod

“Sot jemi të rrethuar nga maka‑feke [karrema] që i ligu i tund përpara nesh. … Ne duhet t’i shohim ato ashtu siç janë në të vërtetë dhe më pas të jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për t’i shmangur ato.”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Perëndia na ka dhënë fuqi për t’i bërë ballë çdo tundimi.

Tundimi është një pjesë e jetës dhe do të përjetohet në një mënyrë ose një tjetër nga çdo udhëtar përgjatë vdekshmërisë. Sidoqoftë, Apostulli Pal, duke e pranuar këtë të vërtetë, na dha këtë siguri: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” [1 Korintasve10:13].2

Ka … një numër të pafund [kurthesh] të cilat i ligu i tund para nesh për të na larguar nga shtegu i drejtësisë. Megjithatë, Ati ynë Qiellor na ka dhënë jetën dhe bashkë me të edhe aftësinë për të menduar, arsyetuar dhe dashur. Ne kemi fuqinë t’u bëjmë ballë tundimeve dhe aftësinë për të përcaktuar udhën që do të ndjekim, drejtimin në të cilin do të udhëtojmë. Qëllimi ynë është mbretëria çelestiale e Perëndisë. Qëllimi ynë është të lëvizim në një kurs të padevijueshëm drejt atij drejtimi.

Të gjithë ata që ecin shtigjeve të jetës, Ati ynë Qiellor i paralajmëron: kini kujdes nga devijimet, grackat e kurthet … Mos u mashtroni. Ndaluni për t’u lutur. Dëgjoni atë zë të vogël e të ulët që u flet thellësive të shpirtrave tuaj [dhe u bën] ftesën e dashur të Mësuesit: “Eja e më ndiq” [Lluka 18:22]. Duke e bërë këtë, largohemi nga shkatërrimi, nga vdekja dhe gjejmë lumturi e jetë të përjetshme.3

2

Ati Qiellor ka siguruar mënyra për të na ndihmuar t’i bëjmë qëndresë tundimit.

[Kur përballeni me një tundim], ndihma mund t’ju vijë prej shumë burimesh. Një burim me vlerë është bekimi juaj patriarkal. Një bekim patriarkal … përmban kapituj nga libri juaj i mundësive të përjetshme. Lexojeni atë shpesh. Studiojeni atë me kujdes. Udhëhiquni prej porosive të tij. Jetoni që t’i meritoni premtimet e tij.4

Kur u konfirmuat anëtar i Kishës, ju morët të drejtën për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ai mund t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira. Kur sfidoheni ose tundoheni, s’ka nevojë të ndiheni vetëm. Kujtoni se lutja është pasaporta për fuqi shpirtërore.5

Për shkak se jemi botë por jo botës, është e nevojshme që ne të komunikojmë me Atin tonë Qiellor nëpërmjet lutjes. Ai dëshiron që ne të veprojmë kështu; Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona. Shpëtimtari na këshilloi ne, siç është shënuar tek 3 Nefi 18, për “[t’iu] lutur gjithnjë, që të mos biem në tundim pasi Satani dëshiron të na ketë ne. … Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim” [3 Nefi 18:18–19].6

Lutja është një mbrojtje ndaj tundimit. Pikërisht nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe të çiltër ne mund të marrim bekimet e nevojshme dhe ndihmën e kërkuar për të ecur përpara në udhëtimin ndonjëherë të vështirë dhe sprovues, të cilin e quajmë vdekshmëri.7

Zgjedhshim të ndërtojmë brenda vetes një besim të madh e të fuqishëm që do të jetë mbrojtja jonë më e efektshme kundër planeve të kundërshtarit tonë – një besim të vërtetë, atë lloj besimi që do të na mbajë e do ta përkrahë dëshirën tonë për të zgjedhur të drejtën.8

Shpesh jemi të rrethuar nga gjëra që na shkatërrojnë. Kur ju dhe unë shkojmë tek shtëpitë e shenjta të Perëndisë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi më shumë në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Në këtë faltore të shenjtë ne do të gjejmë paqe; ne do të përtërihemi dhe do të forcohemi.9

Mbusheni mendjen me të vërtetën. Ne nuk e gjejmë të vërtetën duke u përqendruar te gabimet. E vërteta gjendet me anë të kërkimit, studimit dhe të jetuarit të fjalës që Perëndia ka dhënë me zbulesë. Ne e përvetësojmë gabimin kur përzihemi me të. Ne e mësojmë të vërtetën kur shoqërohemi me të.

Shpëtimtari i botës udhëzoi: “Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” [Doktrina e Besëlidhje 88:118]. Ai shtoi: “Hetoni shkrimet; … ato janë këto që dëshmojnë për mua” [Gjoni 5:39].

Ai e fton secilin prej nesh: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” [Doktrina e Besëlidhje 19:23].10

3

Shkrimet e shenjta japin shembuj të atyre që i bënë qëndresë tundimit.

Jobi ishte një burrë “i ndershëm dhe i drejtë” që “kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes” [Jobit 1:1]. I prerë në sjelljen e tij, i begatë në pasurinë e tij, Jobi u përball me një provë që do të mund të kishte shkatërruar çdokënd. I zhveshur nga zotërimet e tij, i përbuzur nga miqtë, i prekur nga vuajtja, i lënduar nga humbja e familjes së tij, ai u nxit ta “mallkonte Perëndinë dhe të vdiste” [Jobit 2:9]. Ai i bëri ballë këtij tundimi dhe deklaroi nga thellësia e shpirtit të tij fisnik: “Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart” [Jobit 16:19]. “Unë e di që Shpëtimtari im jeton” [Jobit 19:25].11

Pamja
Njerëz duke i folur Jobit

Jobi qe “i zhveshur nga zotërimet e tij, i përbuzur nga miqtë, i prekur nga vuajtja [dhe] i lënduar nga humbja e familjes së tij”, por ai qëndroi besnik.

Profeti Jozef Smith u vu përballë tundimit. A mund ta imagjinoni vënien në lojë, përbuzjen, talljen që duhet ta kenë rrethuar atë kur deklaroi se kishte parë një vegim? Mendoj se kjo u bë thuajse e padurueshme për atë djalë. Pa dyshim që ai e dinte se do të ishte më e lehtë t’i tërhiqte deklaratat e tij në lidhje me vegimin dhe të vazhdonte me jetën e tij të zakonshme. Megjithatë, ai nuk u dorëzua. Këto janë fjalët e tij: “Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën; edhe pse urrehesha dhe përndiqesha, sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë. … Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” [Joseph Smith – Historia 1:25]. Jozef Smithi … u përball me tundimin dhe i bëri ballë atij.12

Kur [Jezusin e çuan] në shkretëtirë që të tundohej nga Satani, Ai ishte i pafuqishëm nga agjërimi. Satani po jepte maksimumin e joshjeve të veta me ofertat që i bëri. E para ishte për të kënaqur nevojat fizike të Shpëtimtarit, përfshirë urinë. Asaj Shpëtimtari iu përgjigj: “Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë’” [Mateu 4:4; shih edhe te Ligji i Përtërirë 8:3].

Më pas Satani i ofroi pushtet. Shpëtimtari iu përgjigj: “Është shkruar gjithashtu: Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd” [Mateu 4:7; shih edhe te Ligji i Përtërirë 6:16].

Më në fund Shpëtimtarit iu ofrua pasuria dhe lavdia e tokës. Përgjigjja e Tij qe: “Shporru Satan, sepse është shkruar: Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij” [Mateu 4:10; shih edhe te Ligji i Përtërirë 6:13].13

4

Zgjedhja e miqve të mirë do të na ndihmojë ta shmangim tundimin.

E rëndësishme për suksesin dhe lumturinë tuaj është këshilla: “Zgjidhini miqtë me kujdes”. Ne priremi të bëhemi si ata që admirojmë dhe zakonisht janë miqtë tanë. Ne duhet të shoqërohemi me ata të cilët, ashtu si ne, nuk po planifikojnë për komoditete të përkohshme, qëllime të cekëta ose ambicie të ngushta, por [që vlerësojnë] ato gjëra që kanë më shumë rëndësi, madje qëllimet e përjetshme.14

Disa vite më parë fola me një këshilluese të [Të Rejave], e cila më tregoi një përvojë që kishte pasur me një nga të rejat në klasën e saj. Kjo e re ishte tunduar kohë pas kohe që ta linte shtegun e së vërtetës dhe të ndiqte rrugën devijuese të mëkatit. Nëpërmjet këmbënguljes së vazhdueshme të disa prej shoqeve të saj në shkollë, së fundi ajo kishte rënë dakord që të ndiqte një rrugë të tillë devijuese. Ishte bërë plani: ajo do t’u thoshte prindërve se do të shkonte në mbrëmjen e saj të aktiviteteve për Të Rejat. Megjithatë, ajo planifikoi të ishte aty vetëm për aq kohë sa të vinin e ta merrnin shoqet e saj dhe ata me të cilët ato po takoheshin. Ata pastaj do të shkonin në një mbrëmje ku do të përdoreshin pije alkoolike dhe ku sjellja do të ishte në shkelje të plotë të atyre gjërave që kjo e re e dinte se ishin të drejta.

Mësuesja ishte lutur për frymëzim që t’i ndihmonte të gjitha vajzat e saj, por veçanërisht për këtë të re, që dukej kaq e pasigurt për zotimin e saj ndaj ungjillit. Mësuesja kishte marrë frymëzim atë natë që ta linte atë që kishte planifikuar paraprakisht dhe t’u fliste vajzave për të qëndruar të pastra moralisht. Kur ajo filloi të tregonte mendimet e ndjenjat e saj, e reja në fjalë e kontrollonte shpesh orën që të sigurohej se nuk po humbiste takimin me shoqet e saj.

Megjithatë, ndërsa diskutimi vazhdoi, zemra e saj u prek, ndërgjegjja e saj u zgjua dhe vendosmëria e saj u përtëri. Kur tingulli i përsëritur i borisë së automjetit e thirri, ajo e shpërfilli atë. Ajo mbeti gjatë të gjithë mbrëmjes në klasë me mësuesen e saj dhe vajzat e tjera. Tundimi për të devijuar nga udha e miratuar e Perëndisë, ishte shmangur. Satani ishte zmbrapsur. E reja qëndroi pasi të tjerat ishin larguar me qëllim që ta falënderonte mësuesen e saj për mësimin dhe t’i tregonte se si e kishte ndihmuar që të shmangte atë që mund të kishte pasur një rezultat tragjik. Lutja e një mësueseje kishte marrë përgjigje.

Mësova më tej se, për shkak se kishte marrë vendim që të mos shkonte me shoqërinë e saj atë natë – disa nga vajzat e djemtë më të pëlqyer në shkollë – ata e kishin shmangur të renë dhe, për shumë muaj, ajo nuk kishte miq në shkollë. Ata nuk mund ta pranonin se ajo nuk ishte e gatshme të bënte gjërat që ata bënë. Qe një periudhë jashtëzakonisht e vështirë dhe e vetmuar për të, por ajo mbeti e palëkundur dhe, përfundimisht, fitoi shoqëri që kishte standardet e saj. Tani, disa vite më vonë, ajo ka bërë një martesë në tempull dhe katër fëmijë të mrekullueshëm. Sa e ndryshme mund të kishte qenë jeta e saj. Vendimet tona përcaktojnë fatin tonë.15

Pamja
të reja

Zgjidhni miq “që [vlerësojnë ato] gjëra që kanë më shumë rëndësi, madje qëllimet e përjetshme”.

5

Ne duhet të jemi vigjilentë për t’i bërë ballë tundimit.

Kam vetëbesim që secili prej nesh ka si synimin e tij përfundimtar jetën e përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Është jetike, si rrjedhim, që ne të bëjmë zgjedhje gjatë gjithë jetës sonë që do të na çojnë drejt këtij synimi të madhërishëm. Ne e dimë, megjithatë, që kundërshtari zotohet që të na bëjë të dështojmë. Ai dhe ushtritë e tij janë të palodhur në përpjekjet e tyre që të na i shkatërrojnë dëshirat tona të drejta. Ata përfaqësojnë një kërcënim të rëndë dhe të vazhdueshëm ndaj shpëtimit tonë të përjetshëm, në qoftë se ne nuk jemi gjithashtu të palodhur në vendosmërinë dhe përpjekjet tona për ta arritur synimin tonë. Apostulli Pjetër na paralajmëron: “Rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” [1 Pjetër 5:8].

… Ju mund të tundoheni që t’i ulni standardet tuaja dhe të ndiqni turmën, me qëllim që të pranoheni nga ata që doni t’i keni miq. Ju lutem, jini të fortë dhe jini vigjilentë ndaj gjithçkaje që do t’ju grabiste bekimet e përjetësisë. Zgjedhjet që bëni këtu dhe tani, janë të rëndësishme përgjithmonë. …

Mungesa e respektit për urdhërimet ka hapur udhën për ato që unë i konsideroj të jenë plagët e kohës sonë. Ato përfshijnë plagën e lejueshmërisë, plagën e pornografisë, plagën e drogave, plagën e pamoralshmërisë dhe plagën e abortit, për të përmendur vetëm disa. Shkrimet e shenjta na tregojnë që kundërshtari është “krijuesi i të gjitha këtyre gjërave” [2 Nefi 26:22]. Ne e dimë që ai është “ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit” [Moisiu 4:4].

Unë ju lutem që të shmangni gjithçka që do t’ju bëjë ta humbisni lumturinë tuaj këtu në vdekshmëri dhe jetën e përjetshme në botën që vjen. Me mashtrimet dhe gënjeshtrat e tij, kundërshtari do t’ju drejtojë të zbritni nëpër një shpat rrëshqitës drejt shkatërrimit tuaj, në qoftë se e lejoni atë që ta bëjë këtë gjë. Ju ka të ngjarë të jeni në atë shpat rrëshqitës madje më përpara se ta kuptoni që nuk ka asnjë mënyrë për t’u ndalur. Ju i keni dëgjuar mesazhet e kundërshtarit. Ai me djallëzi thërret: “Vetëm këtë herë, s’ka rëndësi; gjithkush po e bën atë; mos jini të dalë nga moda; kohët kanë ndryshuar; nuk do të lëndojë askënd; jeta jote është e jotja për ta jetuar”. Kundërshtari na njeh dhe ai i njeh tundimet që do të jenë të vështira për ne për t’i shpërfillur. Sa jetike është që ne të ushtrojmë vigjilencë të vazhdueshme me qëllim që ta shmangim dorëzimin ndaj gënjeshtrave dhe tundimeve të tilla.16

Qëndrimi i zakonshëm i kohës sonë është lejueshmëria ndaj mëkatimit. Kudo përreth shohim yje të ekranit të filmave, heronj të fushës atletike – ata të cilët shumë të rinj janë të etur t’i kenë shembull – të cilët shpërfillin ligjet e Perëndisë dhe i justifikojnë praktika[t] mëkatare, pa ndonjë pasojë në dukje. Mos e besoni këtë! Ka një kohë kur bëhen llogaritë – madje një bilanc të librit të llogarive. … A jeni të përgatitur? A jeni të kënaqur me rezultatin tuaj?17

Ati ynë Qiellor na ka këshilluar të kërkojmë gjithçka “të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar” [Nenet e Besimit 1:13]. Çfarëdo gjëje që lexoni, dëgjoni, apo shihni lë një gjurmë tek ju.

Pornografia është veçanërisht e rrezikshme, varësiformuese. Eksplorimi kureshtar i pornografisë mund të bëhet një zakon kontrollues, që të çon në material më të turpshëm dhe në shkelje seksuale.

Mos kini frikë të dilni nga kinemaja, të fikni televizorin, apo të ndryshoni stacionin e radios nëse ajo që po paraqitet, nuk i përmbush standardet e Atit tuaj Qiellor. Me pak fjalë, nëse keni ndonjë dyshim nëse një film i caktuar, libër, apo formë tjetër zbavitjeje është e përshtatshme ose jo, mos e shihni atë, mos e lexoni atë, mos merrni pjesë.18

Kini kujdes të shkoni në vende ku ka mjedis të mirë, ku nuk do të përballeni me tundim.19

Ndërsa … udhëtojmë anembanë botës, shumë shpesh anëtarët e Kishës na pyetin: “Kë e konsideroni problemin më të madh me të cilin përballet Kisha?”

Zakonisht unë përgjigjem: “Sfida jonë madhore për anëtarësinë e Kishës është të jetojnë në botë pa qenë të botës”.

Do të doja të theksoja se, në këtë kohë që jetojmë, vërshimet e pamoralshmërisë, papërgjegjshmërisë dhe pandershmërisë përplasen pikërisht në dokun ku kemi lidhur anijen e jetës sonë. Nëse nuk i mbrojmë ato lidhje, nëse nuk i kemi rrethuar në thellësi themelet që t’u bëjnë qëndresë ndikimeve të tilla gërryese, do të jemi në vështirësi.20

Ne duhet të jemi të vëmendshëm në një botë në të cilën kultura është larguar shumë nga gjërat shpirtërore. Është e nevojshme që ne të refuzojmë çdo gjë që nuk përputhet me standardet tona, duke mos pranuar gjatë procesit që të dorëzojmë atë që dëshirojmë shumë: jetën e përjetshme në mbretërinë e Perëndisë. Herë pas here ne ende do të kemi vështirësi, por ato janë një pjesë e pashmangshme e përvojës sonë në vdekshmëri. Megjithatë, ne do të jemi shumë më të përgatitur për t’u marrë me to, për të mësuar prej tyre dhe për t’i kapërcyer ato, nëse kemi ungjillin që të jetë themeli i jetës sonë dhe dashurinë e Shpëtimtarit në zemrat tona. Profeti Isaia deklaroi: “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë” [Isaia 32:17].21

Unë lutem që zgjedhja jonë sot të jetë ajo e shërbimit ndaj Zotit në të vërtetë dhe drejtësi deri në fund, që Shpëtimtari ynë, Ndërmjetësi ynë, Zoti ynë Jezu Krishti, për të cilin dëshmoj… të jetë në krahun tonë dhe të na drejtojë gjatë gjithë jetës sonë dhe në përjetësi.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson theksoi që “ne kemi fuqinë t’u bëjmë ballë tundimeve” (pjesa 1). Si është kjo e vërtetë e dobishme për ju?

  • Merrini parasysh mënyrat e shumta që ka siguruar Ati Qiellor për të na ndihmuar t’i bëjmë ballë tundimit, sikurse nënvizohet te pjesa 2. Si ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë t’i bëni ballë tundimit? Si ju ka forcuar lutja kundër tundimit? Si ju ka mbrojtur nga tundimi mbushja e mendjes me të vërtetën, veçanërisht nga shkrimet e shenjta?

  • Rishikojini mësimet e Presidentit Monson rreth shembujve të Jobit, Jozef Smithit dhe Jezu Krishtit (shih te pjesa 3). Çfarë mund të mësojmë nga këto tregime për të na ndihmuar t’i bëjmë ballë tundimit?

  • Presidenti Monson dha mësim që zgjedhja e miqve të mirë do të na ndihmojë ta shmangim tundimin (shih te pjesa 4). Si ju kanë ndihmuar miqtë e mirë t’i bëni ballë tundimit?

  • Presidenti Monson paralajmëroi se “kundërshtari zotohet që të na bëjë të dështojmë” (pjesa 5). Cilat janë disa nga metodat e kundërshtarit për të na tunduar? Si mund të jemi vigjilentë për t’i dalluar dhe për t’u bërë ballë atyre? Ku e keni parë që dorëzimi ndaj tundimeve të vogla mund të çojë drejt tundimeve më të mëdha? Si mund të “jetojmë në botë pa qenë nga bota”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 6:9–13; Jakobi [Bibël] 1:1–16; 1 Nefi 15:23–25; 2 Nefi 28:20–22; Alma 13:28; Helamani 5:12; Doktrina e Besëlidhje 29:39–43; Moisiu 1:12–22

Ndihmë për Mësimdhënien

“Zbulesa shpesh vjen ‘rresht pas rreshti’ (2 Nefi 28:30), jo e tëra njëherësh. Kështu që është më e mira të fillohet përgatitja për të dhënë mësim të paktën një javë më parë. Teksa përsiatni se si parimet e ungjillit që po i jepni mësim, do t’i bekojnë anëtarët e klasës suaj, ide dhe mbresa do të vijnë gjatë jetës suaj të përditshme – teksa udhëtoni për në punë, bëni punët e shtëpisë ose ndërveproni me familjen dhe miqtë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).

Shënime

  1. Të Vërtetë Ndaj BesimitKonferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 30.

  2. Happiness—The Universal Quest”, Ensign, tetor 1993, f. 2.

  3. Të Vërtetë Ndaj Besimit”, f. 32.

  4. Bëhu Shembull”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 135.

  5. That We May Touch Heaven”, Ensign, nëntor 1990, f. 47.

  6. Qëndroni në Vende të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 84.

  7. Tre Qëllime Për T’ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 119–120.

  8. Zgjedhjet”, Liahona, maj 2016, f. 86.

  9. Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 93.

  10. Be Thou an Example”, Ensign, nëntor 2001, f 98. Në disa fjalime, Presidenti Monson ia ka njohur meritat për fjalinë e dytë në paragrafin e parë të këtij citimi Presidentit J. Ruben Klark të Riut (shih te “BYU 16-Stake Fireside”, 16 nëntor 1986, f. 11, Church History Library, Salt Lake City).

  11. Models to Follow”, Liahona, nëntor 2002, f. 60.

  12. Bëhu Shembull”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 135.

  13. The Master Bridge Builder”, Ensign, janar 2008, f. 6.

  14. Bëhu Shembull”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 135.

  15. Besoni, Binduni dhe Duroni”, Liahona, maj 2012, f. 128–129.

  16. Zbatoni Urdhërimet”, Liahona, nëntor 2015, f. 83–84.

  17. Bëhu Shembull”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 113–114.

  18. That We May Touch Heaven”, f. 46.

  19. That We May Touch Heaven”, f. 45–46.

  20. Seven Steps to Success with Aaronic Priesthood Youth”, Ensign, shkurt 1985, f. 22.

  21. Qëndroni në Vende të Shenjta”, f. 83–84.

  22. Teachings of Thomas S. Monson, pëmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 42. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

Shtyp në Letër