Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24


“Kapitulli 24: Shpirti që Ndiejmë në Kohë Krishtlindjeje”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 24”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 24

Shpirti që Ndiejmë në Kohë Krishtlindjeje

“Nëpërmjet dhënies e jo marrjes, ndodh që Shpirti i Krishtit hyn në jetën tonë.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Një përvojë në djalërinë e tij gjatë një shfaqjeje për Krishtlindje i la një përshtypje të çmuar Presidentit Monson. Më vonë ai shpjegoi:

“Në shtëpi në një cep të futur, kam një bastun të vogël të zi me një dorezë të larë me imitim argjendi. Dikur ai i përkiste një familjari të largët. Pse e mbaj atë për një periudhë që po kap më shumë se 70 vjet? Ka një arsye të veçantë.

Shikoni, kur isha djalë i vogël mora pjesë në një shfaqje për Krishtlindje në lagjen tonë. Kisha privilegjin të isha njëri nga tre Dijetarët. Me një shami rreth kokës, me mbulesën e pianos së mamit të hedhur mbi supe dhe me bastunin e zi në dorë, thashë vargjet që më kishin caktuar:

‘Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar’ (Mateu 2:2).

Nuk më kujtohen të gjitha fjalët e thëna në atë shfaqje, por më kujtohen qartë ndjenjat e zemrës sime ndërsa të tre ne ‘dijetarët’ vështruam lart dhe pamë yllin, përshkuam gjithë skenën, e gjetëm Marinë me Jezusin e vogël, më pas ramë përmbys dhe e adhuruam dhe hapëm thesaret tona dhe u dhuruam ar, temjan dhe mirrë.

Më pëlqente veçanërisht fakti që nuk u kthyem tek i ligu Herod për ta tradhtuar Jezusin foshnjë, por iu bindëm Perëndisë dhe u larguam nga një rrugë tjetër.

Vitet ikën fluturimthi, ngjarjet e një jete të ngarkuar zënë vendet e tyre në korridorët e shenjtëruar të kujtesës, por bastuni i Krishtlindjes vazhdon të mbetet në atë vend të veçantë në shtëpinë time; dhe në zemrën time ai është një zotim ndaj Krishtit.”1

Pamja
dijetarë dhe deve

“Disa dijetarë … arritën në Jerusalem duke thënë: ‘Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar’” (Mateu 2:2).

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Ati ynë Qiellor na si dhuratë Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Me lindjen e foshnjës në Bethlehem, erdhi një dhurim i madh, një fuqi më e fortë se ajo e armëve, një pasuri më jetëgjatë se monedhat e Çezarit. Ky fëmijë do të ishte Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve, Mesia i premtuar – madje Jezu Krishti, Biri i Perëndisë.2

Në prag të lindjes së Tij, zëri i Zotit i erdhi Nefit duke thënë: “Ngrije kokën dhe mos e humb kurajën, pasi vër re, koha është afër dhe në këtë natë shenja do të jepet dhe nesër unë do të vij në këtë botë, për t’i treguar botës se unë do të përmbush çdo gjë që kam bërë të thuhet nga goja e profetëve të mi të shenjtë” [3 Nefi 1:13].

Çfarë deklaruan profetët e shenjtë të lashtësisë? Isaia, më shumë se 700 vjet përpara lindjes së Krishtit, profetizoi: “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” [Isaia 7:14].

Në kontinentin amerikan, mbreti Beniamin tha: “Pasi vini re, koha vjen dhe nuk është shumë e largët, që me fuqi Zoti i Plotfuqishëm … do të banojë në një tabernakull prej argjile. … Ai do të durojë tundime dhe dhembje. … Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, Ati i qiellit dhe i tokës, Krijuesi i të gjitha gjërave nga fillimi; dhe nëna e tij do të quhet Maria” [Mosia 3:5, 7–8].

Pastaj erdhi nata e netëve kur barinjtë po rrinin në fusha dhe engjëlli i Zotit iu shfaq atyre duke i lajmëruar: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin. … Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” [Lluka 2:10–11].

Barinjtë shkuan me ngut në grazhd për t’i bërë nderimin Krishtit Zot. Më vonë, disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar. … Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë” [Mateu 2:2, 10–11].

Prej asaj kohe, shpirti i dhënies së dhuratave ka qenë i pranishëm në mendjen e çdo të krishteri ndërsa ai ose ajo përkujton periudhën e Krishtlindjes. Ati ynë Qiellor na dha Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ai Bir i çmuar na dha jetën e Tij, Shlyerjen dhe fitoren mbi varrin.3

2

Jezusi kërkon që ne të japim nga vetja në kujtim të gjithçkaje që Ai ka dhënë.

Vras mendjen nëse ne mund të përfitojmë po ta pyetim veten: Çfarë dhuratash do të donte Perëndia që unë t’i jepja Atij ose të tjerëve në këtë periudhë të çmuar të vitit?

Më lejoni t’i përgjigjem asaj pyetjeje dhe me gjithë solemnitetin t’ju deklaroj se Ati ynë Qiellor dëshiron që çdonjëri nga fëmijët e Tij t’i japë dhuratën e bindjes në mënyrë që të gjithë ta duam njëmend Zotin, Perëndinë tonë, me të gjithë zemrën, me të gjithë mendjen dhe me të gjithë fuqinë tonë. Atëherë, jam i sigurt, [A]i do të presë që ne t’i duam të afërmit tanë porsi vetveten.

Po të ishte Zoti këtu sot, nuk do të befasohesha po të na udhëzonte të japim bujarisht nga vetja dhe të mos jemi egoistë, as lakmitarë, as grindavecë, as sherrakë.4

Lindur në një ahur, përkundur në një grazhd, [Jezu Krishti] erdhi nga qielli për të jetuar në tokë si një njeri i vdekshëm dhe për të vendosur mbretërinë e Perëndisë. Ungjilli i Tij i lavdishëm e ndryshoi mendësinë e botës. Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Çfarë mund t’i japim ne Atij në këmbim?

Më pëlqejnë shumë fjalët e shkruara nga poetja angleze Kristina Roseti:

Atij ç’mund t’i jap,

Kaq e varfër sa jam?

Nëse bari do isha

Një qengj do t’i shpija.

Nëse Dijetar do isha

Pjesën time do bëja.

Ç’mund t’i jap Atij, pra?

Zemrën time do t’i jap.

[Në Jack M. Lyon and others, red., Best-Loved Poems of the LDS People (1996), f. 166–167] …

Dhënshim sikurse dha Shpëtimtari. Të japësh nga vetja është një dhuratë e shenjtë. Ne japim në kujtim të gjithçkaje që Shpëtimtari ka dhënë. Dhënshim gjithashtu dhurata që kanë vlerë të përjetshme, së bashku me dhuratat që përfundimisht prishen ose harrohen. Sa më e mirë do të ishte bota nëse të gjithë do të jepnim dhurata mirëkuptimi e dhembshurie, shërbimi e miqësie, mirësie e ëmbëlsie.5

Pamja
Maria, Jozefi dhe Jezusi foshnjë

“Lindur në një ahur, përkundur në një grazhd, [Jezu Krishti] erdhi nga qielli. … Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Çfarë mund t’i japim ne Atij në këmbim?”

Ai që jep para, jep shumë, ai që jep nga koha e tij, jep më shumë, por ai që jep nga vetja, jep gjithçka. Le të jetë ky përshkrimi i dhuratave tona të Krishtlindjes.6

Çfarë do të japim ju dhe unë për Krishtlindje këtë vit? Le t’i japim Zotit dhe Shpëtimtarit dhuratën e mirënjohjes në jetën tonë duke i jetuar mësimet e Tij dhe duke ndjekur hapat e Tij. Për të thuhet se Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë” [Veprat e Apostujve 10:38]. Ndërsa bëjmë të njëjtën gjë, shpirti i Krishtlindjes do të jetë i yni.7

3

Dhënia, jo marrja, e sjell shpirtin e Krishtlindjes.

“Çfarë more për Krishtlindje?” Kjo është pyetja e përbotshme mes fëmijëve gjatë ditëve që vijnë pas festës më të kremtuar të vitit. … Nëse ndryshojmë vetëm një fjalë në pyetjen tonë për Krishtlindje, rezultati është tejet i ndryshëm. “Çfarë dhe për Krishtlindje?”8

Krishtlindjet që mbajmë mend më mirë, nuk kanë të bëjnë dhe aq me të mirat e botës, por kanë të bëjnë shumë me familjet, me dashurinë dhe me dhembshurinë e përkujdesjen.9

Kremtimi ynë për Krishtlindjen duhet të jetë një pasqyrim i dashurisë dhe i vetëmohimit të dhëna mësim nga Shpëtimtari. Dhënia, jo marrja, i sjell lulëzim të plotë shpirtit të Krishtlindjes. Ne mendojmë më njerëzisht për njëri‑tjetrin. Shtrijmë dorën me dashuri për të ndihmuar njerëzit më pak fatlumë. Zemrat tona zbuten. Armiqtë falen, miqtë kujtohen dhe Perëndisë i tregohet bindje. Shpirti i Krishtlindjes e ndriçon dritaren e madhe të shpirtit dhe ne ngremë vështrimin mbi jetën e ngjeshur të botës e bëhemi më të interesuar për njerëzit sesa për gjërat. Për ta kuptuar domethënien e vërtetë të shpirtit të Krishtlindjes, duhet të heqim vetëm dy rrokjet e fundit dhe ajo bëhet Shpirti i Krishtit.10

Disa vjet më parë mora një letër anonime nga një dentist zemërmirë i cili tregoi dashuri e mirëdashje vëllazërore. Do të doja t’jua tregoja:

“I dashur Presidenti Monson,

Ndiej se jam treguar i shkujdesur që nuk të kam dërguar më shpejt një pusullë falënderimi. Dhjetorin e shkuar e dëgjova bisedën që dhe gjatë takimit shpirtëror për Krishtlindje. Fole rreth një gruaje më të moshuar e cila nuk kishte para për të paguar regjistrimin e një automjeti, të cilin e kishte blerë kohët e fundit. Njerëz të tjerë i erdhën në ndihmë. Të gjithë ata që u përfshinë, u prekën.

Unë me profesion jam dentist. Jo shumë kohë pas takimit shpirtëror, recepsionistja ime më informoi se një e njohura e saj do të vinte në zyrën time. Ajo kishte probleme me dy nga dhëmbët e saj. Ajo e njihte këtë grua dhe më tregoi për rrethanat e saj. Gruaja mbartte shumë barrë. Sipërmarrja e familjes, të cilën e drejtonte vetë, nuk po ecte mirë dhe familja kishte mbetur tre muaj prapa me pagesat e qirasë. Ata kishin pesë fëmijë, shumë qenë të rritur në moshë madhore, por ishin kthyer të gjithë në shtëpi për shkak të rrethanave të vështira vetjake. Me një forcë të madhe vullneti, ajo e kishte mbajtur familjen të bashkuar për disa kohë. Tani i qenë thyer dy dhëmbë.

Gruaja erdhi për takimin e saj dhe shpjegoi problemin me dhëmbët. Ajo më pyeti a do ta lejoja ta paguante faturën me pjesë. Më shpjegoi se familja e saj kishte përjetuar disa ulje‑ngritje financiare dhe së fundi po fillonte të paguante disa fatura të prapambetura.

E sigurova që mund të më mirëbesonte. Më pyeti a mund t’i rregulloja vetëm njërin nga dhëmbët e thyer në atë kohë. E sigurova që mundesha dhe filluam.

Duke qenë se kisha kohë, ia rregullova të dy dhëmbët, gjë për të cilën qe mirënjohëse. Kur mbarova punë, duke menduar për fjalimin tuaj, i thashë se nëse nuk fyhej, do të doja t’ia bëja dhuratë për Krishtlindje rregullimin e dhëmbëve, për të cilin nuk do të kishte faturë. Ajo u çudit. Munda ta ndieja thellësinë e stresit dhe peshës që kishte mbajtur, teksa vetvetiu i rrodhën lot mirënjohjeje prej një vepre të vogël e të thjeshtë dashamirësie. Duhej të kishin kaluar shumë vjet qëkurse dikush i kishte bërë një nder të vogël. Në pamundësi për të folur, ajo doli nga dera.

Të dyja, ndihmësja dhe recepsionistja ime ishin aq të prekura nga reagimi i saj sa edhe ato lotuan dhe zor se mund të flisnin. Unë, nga ana tjetër, isha dyfish i gëzuar. Pjesërisht që pashë se një vepër kaq e thjeshtë pati një efekt kaq të madh te dikush tjetër. Dhe për pjesën tjetër që një herë në jetë pata një pacient në zyrën time që po qante nga gëzimi dhe jo nga dhembja!

Urimet e mia më të mira për ju.

Sinqerisht,

Një vëlla në ungjill.”11

Dikush me vend tha: “Ne e sigurojmë jetesën nga ajo që marrim, por e ndërtojmë jetën nga ajo që japim”. “Nëpërmjet dhënies e jo marrjes, ndodh që Shpirti i Krishtit hyn në jetën tonë.”12

4

Dhuratat e dhëna nga Perëndia zgjatin në kohë.

I drejtofshim … mendimet tona për te dhuratat e dhëna nga Perëndia që zgjatin në kohë! Nga një listë e gjatë do të citoj veçse katër:

  1. Dhurata e lindjes

  2. Dhurata e paqes

  3. Dhurata e dashurisë

  4. Dhurata e jetës së përjetshme

Së pari, dhurata e lindjes. Ajo është dhuruar në mënyrë universale për secilin prej nesh. I yni ishte privilegji hyjnor që të largoheshim nga shtëpia jonë qiellore për të banuar në mish dhe për të treguar nëpërmjet jetës sonë denjësinë dhe kualifikimin që një ditë të kthehemi tek Ati Qiellor, te njerëzit tanë të dashur e të shtrenjtë dhe te një mbretëri e quajtur çelestiale. Nënat dhe etërit tanë na e dhanë këtë dhuratë të mrekullueshme. E jona është përgjegjësia për ta treguar mirënjohjen tonë nëpërmjet veprave të jetës sonë. …

Së dyti, dhurata e paqes. Në botën e ashpër në të cilën jetojmë, poterja e trafikut, reklamat kumbuese të mediave dhe kërkesat e shumta të kohës sonë – pa përmendur fare problemet e botës – shkaktojnë dhimbje koke, sjellin dhembje dhe i presin fuqitë tona për t’u bërë ballë. Barra e sëmundjes ose brenga e zisë kur një njeri i dashur largohet nga jeta, na ul në gjunjë për të kërkuar ndihmë qiellore. Me njerëzit në lashtësi mund të pyetim veten: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad?” [Jeremia 8:22]. …

Ai që është rënduar me pikëllim dhe është njohur me brengën, i flet çdo zemre të trazuar dhe i jep dhuratën e paqes: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” [Gjoni 14:27].

Ai e dërgon fjalën e Tij nëpërmjet misionarëve që shërbejnë anekënd, duke shpallur ungjillin e Tij të lajmit të mirë dhe mirëseardhjes së paqes. … Dhurata e Tij jepet individualisht: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai” [Zbulesa 3:20].

Pasaporta e paqes është praktika e lutjes. Ndjenjat e zemrës, të shprehura me përulësi dhe jo me një recitim të thjeshtë të fjalëve, na sigurojnë paqen që kërkojmë. …

Së treti, dhurata e dashurisë. “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?”, – pyeti mësuesi i ligjit që i foli Jezusit. Përgjigjja erdhi e shpejtë:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” [Mateu 22:36–39].

Në një rast tjetër Zoti dha mësim: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do” [Gjoni 14:21]. Shkrimet e shenjta janë plot e përplot me rëndësinë e dashurisë dhe lidhjen që ka ajo me jetën tonë. Libri i Mormonit na mëson se dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” [shih te Moroni 7:47]. Vetë Mësuesi na dha një model ideal për ta ndjekur. …

Së katërti, dhurata e jetës, madje pavdekësia. Plani i Atit tonë Qiellor përmban shprehjet absolute të dashurisë së vërtetë. Gjithçka që është e shtrenjtë për ne, madje familjet tona, miqtë tanë, gëzimi ynë, njohuria jonë, dëshmitë tona, do të zhdukeshin po të mos ishte për Atin tonë dhe Birin e Tij, Zotin Jezu Krisht. Ndër mendimet dhe shkrimet më të dashura në këtë botë është deklarata hyjnore e së vërtetës: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” [Gjoni 3:16]. …

I dhënshim Atij bujarisht, sikurse Ai na ka dhënë me aq bollëk, duke jetuar dhe duke dashur sikurse na kanë mësuar me aq durim Ai dhe Biri i Tij.13

5

Ne e gjejmë gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes kur e bëjmë Shpëtimtarin qendrën e asaj periudhe.

Përpara se të mund të ndërmarrim në mënyrë të suksesshme një kërkim vetjak për Jezusin, ne duhet së pari të sigurojmë kohë për Të në jetën tonë dhe të bëjmë vend për Të në zemrën tonë. Në këto ditë të ngarkuara, ka shumë njerëz që kanë kohë për golf, kohë për pazar, kohë për punë, kohë për lojëra, por aspak kohë për Krishtin. …

… A skuqemi nga turpi kur kujtojmë: “Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta”. (Lluka 2:7.) Nuk kishte vend. Nuk kishte vend. Nuk kishte vend. Kështu ka qenë gjithmonë.

… Barinjtë e lashtësisë e kërkuan Jezusin fëmijë. Por ne kërkojmë Jezusin, Krishtin, Vëllanë tonë më të Madh, Ndërmjetësin tonë me Atin, Shëlbuesin tonë, Vepronjësin e shpëtimit tonë [shih te Hebrenjve 5:9]; Atë që ishte në fillim me Atin; Atë që mori përsipër mëkatet e botës dhe për pasojë vdiq vullnetarisht që ne të mund të jetojmë përgjithmonë. Ky është Jezusi që ne kërkojmë.14

Orvatja për të bërë dhurata me tepri është veçanërisht e zakonshme në këtë kohë të vitit. Ne mund të marrim përsipër gjëra me tepri për kohën dhe energjinë që kemi. Ndofta nuk kemi para të mjaftueshme për t’i shpenzuar për ato gjëra që ndiejmë se duhet t’i blejmë. Shpesh përpjekjet tona gjatë periudhës së Krishtlindjes na bëjnë të ndihemi të stresuar, të shtypur dhe të rraskapitur gjatë një kohe ku në të vërtetë duhet të ndiejmë gëzimet e thjeshta të përkujtimit të lindjes së Foshnjës në Bethlehem.15

Trishtohem tek e shoh Krishtlindjen të ketë gjithmonë e më pak të bëjë me Krishtin dhe gjithmonë e më shumë të bëjë me reklamimin e shitjet, festat e dhuratat. E megjithatë, Krishtlindja varet nga ato që ne bëjmë për t’i dhënë kuptim asaj. Pavarësisht nga të gjitha gjërat që na hutojnë, ne mund të sigurohemi që Krishti të jetë në qendër të kremtimit tonë. Nëse nuk e kemi bërë ende këtë, ne mund t’i krijojmë traditat e Krishtlindjes për veten tonë dhe për familjet tona, që do të na ndihmojnë ta rrokim dhe ta mbajmë shpirtin e Krishtlindjes.16

Ne e gjejmë gëzimin e vërtetë [të Krishtlindjes] kur e bëjmë Shpëtimtarin qendrën e asaj periudhe. Mund ta mbajmë Atë në mendimet tona dhe në jetën tonë ndërsa bëjmë punën që Ai do të donte që ne të kryejmë këtu në tokë. Gjatë kësaj kohe, veçanërisht, le të ndjekim shembullin e Tij ndërsa i duam dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona. …

Pamja
familje duke vendosur skenën e lindjes së Krishtit

“Ne mund t’i krijojmë traditat e Krishtlindjes për veten tonë dhe për familjet tona, që do të na ndihmojnë ta rrokim dhe të mbajmë shpirtin e Krishtlindjes.”

Le ta bëjmë Krishtlindjen të ketë kuptim dhe qëllim të vërtetë. Nuk është vetëm xhingël dhe fjongo, veç nëse e kemi bërë të tillë në jetën tonë. Krishtlindja është shpirti i të dhënit pa mendimin për të marrë. … Është koha kur ne e kuptojmë më thellësisht se sa më shumë dashuri të jepet, aq më shumë dashuri ka për të tjerët. …

Ndërsa periudha e Krishtlindjes na rrethon me gjithë lavdinë e saj, kërkofshim, sikurse Dijetarët, yllin e ndritshëm e të veçantë që të na drejtojë te mundësitë për shërbim ndaj bashkëqenieve tona për Krishtlindje. E bëfshim të gjithë me shpirt udhëtimin në Bethlehem, duke marrë me vete një zemër të butë e përkujdesëse si dhuratë për Shpëtimtarin.17

Nuk ka asnjë kohë më të mirë se kjo tani, pikërisht kjo periudhë Krishtlindjeje, që ne të gjithë t’ua ripërkushtojmë vetveten parimeve që na mësoi Jezu Krishti. Le të jetë ajo një kohë që i ndriçon sytë e fëmijëve dhe i bën ata buzagaz. Le të jetë një kohë për ngritje shpirtërore në jetën e atyre që jetojnë në vetmi. Le të jetë një kohë për ta mbledhur familjen së bashku, për të ndier një afërsi ndaj atyre që kemi pranë, dhe një afërsi ndaj atyre që mungojnë.

Le të jetë një kohë lutjesh për paqe, për ruajtjen e parimeve të lira dhe për mbrojtjen e atyre që janë larg nesh. Le të jetë një kohë për harrimin e vetes dhe për gjetjen e kohës për të tjerët. Le të jetë një kohë për t’i hedhur poshtë gjërat e pakuptimta dhe për të theksuar vlerat e vërteta. Le të jetë një kohë paqeje për shkak se kemi gjetur paqe në mësimet e Tij.

Mbi të gjitha, le të jetë një kohë për të kujtuar lindjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, që të mund t’i bashkohemi këngës së engjëjve, gëzimit të barinjve dhe adhurimit të dijetarëve.18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson e përshkroi dhuratën e Birit të Tij nga Ati Qiellor si “një dhurim [të] madh” (pjesa 1). Si mund t’i tregojmë mirënjohje Atit Qiellor për dhuratën e Birit të Tij?

  • Presidenti Monson dha mësim se “të japësh nga vetja është një dhuratë e shenjtë” (pjesa 2). Rishikojini dhuratat që Presidenti Monson na nxiti të japim nga vetja. Kur i keni marrë ato lloj dhuratash që përmend ai? Çfarë dhuratash mund të dojë Perëndia t’i jepni Atij ose të tjerëve këtë Krishtlindje?

  • Rishikojeni letrën që i dërguan Presidentit Monson (shih te pjesa 3). Si mund t’ia sjellë një vepër bujare shpirtin e Krishtlindjes dhënësit dhe marrësit? Çfarë “vepr[ash të] thjesht[a] dashamirësie” keni parë në jetën tuaj? Përsiatni se çfarë dhuratash specifike të kohës, talenteve ose mjeteve apo të të ardhurave do të jepni. Për shembull, mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa të qenit një dëgjues i mirë ose të treguarit e dhembshurisë ndaj dikujt në nevojë.

  • Mësimet e Presidentit Monson rreth dhuratave që zgjatin në kohë, përfshijnë “dhurat[ën] e dashurisë” (pjesa 4). Si e jepni dhuratën e dashurisë? Si i keni parë të tjerët ta japin këtë dhuratë? Pse është e rëndësishme për Atin Qiellor që ne t’i duam të afërmit tanë?

  • Presidenti Monson dha mësim se ne e gjejmë gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes “kur e bëjmë Shpëtimtarin qendrën e asaj periudhe” (pjesa 5). Si siguroheni që të përqendroheni te Shpëtimtari gjatë Krishtlindjes? Presidenti Monson gjithashtu dha mësim se “sa më shumë dashuri të jepet, aq më shumë dashuri ka për të tjerët” (pjesa 5). Në ç’mënyrë e keni parë që kur u jepni dashuri të tjerëve, kapaciteti juaj për të dashur rritet?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 1–2; Lluka 2; Gjoni 1:1–14; Galatasve 4:4–5; 1 Nefi 11:13–23; 2 Nefi 17:14–16; Alma 7:10–12; Doktrina e Besëlidhje 76:40–43; Moisiu 6:57–62

Ndihmë për Studimin

“Kur përgatitemi për të marrë mësim, ne kërkojmë frymëzim dhe pohim me lutje nga Fryma e Shenjtë. Ne përsiatemi, lutemi, i vëmë në zbatim mësimet e ungjillit dhe e kërkojmë vullnetin e Atit për ne.” (Tomas S. Monson, “Mësoni nga Unë”, Mesazhi i Presidencës së Parë, mars 2016, f. 6).

Shënime

  1. The Christmas Cane”, Friend, dhjetor 2010, f. 2.

  2. A Gift Remembered”, New Era, dhjetor 2001, f. 4.

  3. What Is Christmas?Ensign, dhjetor 1998, f. 4–5.

  4. The Spirit of Christmas”, New Era, dhjetor 1974, f. 16.

  5. Gëzimi i Vërtetë i Krishtlindjes” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 8 dhjetor 2013), Churchofjesuschrist.org/study/broadcasts/article/christmas-devotional/2013/12/the-real-joy-of-christmas?lang=alb.

  6. The Gifts of Christmas”, Ensign, dhjetor 2003, f. 5.

  7. What Is Christmas?” f. 5.

  8. Christmas Gifts, Christmas Blessings”, New Era, dhjetor 1986, f. 4.

  9. The Spirit We Feel at Christmastime”, New Era, dhjetor 2010, f. 3.

  10. Gëzimi i Vërtetë i Krishtlindjes”.

  11. What Is Christmas?” f. 4.

  12. A Gift Remembered”, f. 6.

  13. Treasured Gifts”, Ensign, dhjetor 2006, f. 6–7, 8, 9–10.

  14. The Search for Jesus”, Ensign, dhjetor 1990, f. 4–5.

  15. The Spirit of the Season” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 6 dhjetor, 2009), ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/christmas-devotional/2009/12/the-spirit-of-the-season.

  16. Because He Came” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 4 dhjetor 2011), ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/christmas-devotional/2011/12/because-he-came.

  17. Krishtlindja Është Dashuri” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2012), Churchofjesuschrist.org/study/broadcasts/article/christmas-devotional/2012/12/christmas-is-love?lang=alb.

  18. A Bright Shining Star” (takimi shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 5 dhjetor, 2010), ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/christmas-devotional/2010/12/a-bright-shining-star.

Shtyp në Letër