“Kapitulli 17: Shenjat Dalluese të një Shtëpie të Lumtur”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)
“Kapitulli 17”, Mësime: Tomas S. Monson
Kapitulli 17
Shenjat Dalluese të një Shtëpie të Lumtur
“Nëse përpiqemi me të vërtetë, shtëpia jonë mund të jetë një copë qielli këtu në tokë.”
Nga Jeta e Tomas S. Monsonit
Duke kujtuar vitet e formimit të tij, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Disa nga gjërat e para me të cilat rritesh, zhyten thellë brenda teje kur je i vogël”1. Për të, njëra nga gjërat më të rëndësishme ishte të mësuarit se çfarë duhet për të ndërtuar një shtëpi të lumtur, cilësi të tilla si shërbimi, puna dhe dhembshuria. Ai i dëshmoi këto cilësi çdo ditë nga prindërit e vet dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Duke përshkruar shembullin që dha i ati për shërbimin dhe dashurinë e tij, Presidenti Monson tha: “Më kujtohet se ai e dhuronte atë pak kohë të lirë që kishte, për t’u kujdesur për ungjin e gjymtuar, emtat e moshuara dhe familjen e tij. Ai shërbeu në presidencën e Shkollës të së Dielës në lagje, duke parapëlqyer gjithnjë të punonte me fëmijët. Ai, si Mësuesi, i donte fëmijët. Nuk dëgjova kurrë nga buzët e tij një fjalë kritike për dikë tjetër.”2
Presidenti Monson tregoi edhe për etikën e punës që kishte mësuar nga babai i tij: “Fillova punën time të parë me kohë të pjesshme pas shkolle në shtypshkronjën që [im atë] drejtonte kur isha katërmbëdhjetë vjeç. Nuk më kujtohen shumë ditë në jetën time pas moshës katërmbëdhjetëvjeçare, në të cilat nuk punova, përveç të dielave. Kur mëson të punosh ndërkohë që je i ri, të mbetet zakoni. Unë jam më i lumtur se kurdoherë kur jam i zënë me punë.”3
Nëna e Presidentit Monson pati gjithashtu një ndikim të fuqishëm. Shumë herë ai foli rreth vështirësive të krijuara nga Depresioni i Madh dhe rreth mënyrës se si nëna e tij kujdesej për nevojtarët:
“Duke qenë se jetonim një ose dy blloqe ndërtesash larg nga shinat e hekurudhës, vazhdimisht burra të papunë, pa të ardhura për ushqime, zbritnin nga treni dhe vinin në shtëpinë tonë për të ngrënë diçka. Burra të tillë qenë gjithnjë të sjellshëm. Ata ofronin për të bërë ndonjë punë në këmbim të ushqimit. Një kujtim i pashqitshëm në mendjen time është pamja e një burri thatanik e të uritur që po qëndronte në derën e kuzhinës sonë, me kapelë në dorë, duke u lutur për ushqim.
Nëna e mirëpriti këtë vizitor dhe e drejtoi për te lajtorja e kuzhinës për t’u larë ndërkohë që i përgatiste ushqimin që do të hante. Ajo nuk e shkelte kurrë te cilësia ose sasia; vizitori hante të njëjtën drekë sikurse babai im. Ndërkohë që ai e gllabëronte ushqimin, nëna e shfrytëzonte mundësinë për ta këshilluar atë të kthehej në shtëpinë dhe familjen e vet. Kur ngrihej nga tryeza, ai qe ushqyer fizikisht dhe shpirtërisht. Këta burra nuk harronin kurrë të thoshin faleminderit. Lotët në sytë e tyre e zbulonin përherë aq në heshtje mirënjohjen e zemrës së tyre.”4
Presidenti Monson tha se nëna i “mësoi me jetën dhe veprimet e saj atë që përmban [Bibla]. Kujdesi për të varfrit, të sëmurët, nevojtarët ishin drama të përditshme që nuk duhej të harroheshin kurrë.”5
Kur President Monson foli rreth ndërtimit të shtëpive të forta, ai shpesh citonte udhëzimet vijuese nga Zoti rreth ndërtimit të Tempullit të Kirtlandit: “Ngrini … një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 88:119). Në një rast ai pyeti: “Ku vallë mund të gjenim një plan më të mirë për ta modeluar vendlindjen, shtëpinë, familjen, veten tonë?” Ndërtimi i një shtëpie sipas atij plani që na është zbuluar, tha ai, “do të përputhej me kodin e ndërtimit të shënuar te Mateu, madje një shtëpi e ndërtuar mbi shkëmb. (Shih te Mateu 7:24–25.) Ajo do t’u bëjë ballë shirave të fatkeqësisë, përmbytjeve të kundërshtimit dhe erërave të dyshimit që janë përherë të pranishme në botën tonë sfiduese.”6
Mësime të Tomas S. Monsonit
1
Një shtëpi e lumtur përbëhet prej dashurisë, sakrificës dhe respektit.
Lumturia nuk është një tepri luksi, ideja e botës për “një kohë të lumtur”. As nuk duhet që ta kërkojmë atë në vende të largëta me emra të çuditshëm. Lumturia gjendet në shtëpi.7
Një shtëpi është shumë më tepër se një banesë. Një banesë është e ndërtuar nga druri, tullat dhe gurët. Një shtëpi përbëhet prej dashurisë, sakrificës dhe respektit. Një banesë mund të jetë një shtëpi dhe një shtëpi mund të jetë një parajsë.8
Ne mund t’i bëjmë banesat tona shtëpi dhe shtëpitë tona qiell kur Shpëtimtari bëhet qendra e jetës sonë dhe shembulli që dha Ai për dashurinë dhe shërbimin gjen shprehje kuptimplota në jetën tonë.9
Le të tregojmë mirësi dhe dashuri brenda familjeve tona. Shtëpitë tona duhet të jenë më shumë se shenjtërore; ato gjithashtu duhet të jenë vendi ku Shpirti i Perëndisë mund të jetojë, ku stuhia ndalon tek porta, ku dashura mbretëron dhe paqja mbizotëron.10
Shumë shpesh ne besojmë gabimisht se fëmijët tanë kanë nevojë për më shumë gjëra, kur në realitet përgjërimet e tyre të heshtura janë thjesht për kohën tonë.11
Lumturia gëlon kur ekziston respekti i çiltër për njëri-tjetrin. … Atje ku ka respekt në shtëpi, fëmijët nuk e gjejnë veten në atë situatën e frikshme të quajtur “kurrën e kurrës”, duke mos qenë kurrë objekt shqetësimi, duke mos qenë kurrë marrësi i udhërrëfimit të duhur nga prindërit.12
Të gjithë ne kujtojmë shtëpinë e fëmijërisë tonë. Çuditërisht, mendimet tona nuk ndalen në faktin nëse shtëpia ishte e madhe apo e vogël, nëse lagjja ishte e pasur apo e rrënuar. Më shumë ne gëzohemi në përvojën që kemi pasur së bashku si familje. Shtëpia është laboratori i jetës sonë dhe ajo që mësojmë aty, përcakton në një shkallë të madhe çfarë do të bëjmë kur të largohemi prej saj.
… Ne jemi përgjegjës për shtëpinë që ndërtojmë. Duhet të ndërtojmë me urtësi sepse përjetësia nuk është një udhëtim i shkurtër. Do të ketë qetësi dhe erë, diell dhe hije, gëzim dhe trishtim. Por nëse përpiqemi me të vërtetë, shtëpia jonë mund të jetë një copë qielli këtu në tokë. Mendimet që mendojmë, veprimet që bëjmë, jeta që jetojmë, ndikojnë jo vetëm në suksesin e udhëtimit tonë tokësor, ato shënojnë udhën drejt qëllimeve tona qiellore.
Në vitin 1995, Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve nxorën një proklamatë drejtuar botës në lidhje me familjen. Një pjesë e kësaj proklamate deklaron: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese” [“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org].
Shtëpitë e lumtura kanë pamje të ndryshme. Disa kanë familje të mëdha me nënën, babanë, vëllezërit dhe motrat që jetojnë së bashku në një shpirt dashurie. Të tjerat përbëhen nga një prind i vetëm me një ose me dy fëmijë, ndërsa shtëpi të tjera kanë vetëm një person. Megjithatë, ekzistojnë tipare identifikuese që gjenden në një shtëpi të lumtur, pavarësisht nga numri apo përshkrimi i anëtarëve të familjes. Këtyre unë u referohem si “Shenjat Dalluese të një Shtëpie të Lumtur”. Ato janë:
1. Një model lutjeje.
2. Një bibliotekë mësimi.
3. Një trashëgimi dashurie.
4. Një thesar dëshmie.13
2
Në shtëpitë tona duhet të ekzistojë një model lutjeje.
Për ju që jeni prindër, … thirreni Atin tonë Qiellor për ndihmë ndërsa kujdeseni për nevojat e [fëmijëve tuaj] përditë dhe kur punoni me sfidat që shoqërojnë në mënyrë të pashmangshme aktivitetin prindëror. Ju nevojitet më shumë se mençuri vetjake në rritjen e tyre.14
“Lutja ësht’ dëshir’ e shpirtit, me zë o pa shprehur”, [Himne, nr. 83]. Kaq universal është zbatimi i saj, kaq i dobishëm është rezultati i saj, saqë lutja cilësohet si shenja dalluese numër një e një shtëpie të lumtur. Kur prindërit dëgjojnë lutjen e një fëmije, edhe ata vetë afrohen më pranë Perëndisë. Këta të vegjël, që fare pak kohë më parë kanë qenë me Atin e tyre Qiellor, nuk kanë asnjë pengesë t’ia shprehin Atij ndjenjat e tyre, dëshirat e tyre, falënderimet e tyre.
Lutja familjare është frenuesi më i madh i mëkatit dhe rrjedhimisht edhe siguruesi më bujar i gëzimit dhe lumturisë. Thënia e vjetër ende është e vërtetë: “Familja që lutet së bashku, qëndron e bashkuar”. …
Gruaja ime, Frensisi dhe unë kemi 53 vjet që jemi martuar. Martesa jonë u bë në tempullin e Solt-Lejkut. Ai që kreu ceremoninë, Benxhamin Bouringu na këshilloi: “A mund t’ju ofroj juve, të sapomartuarve, një formulë që do t’ju sigurojë se çfarëdo mosmarrëveshje që mund të keni nuk do të zgja[t]ë më tepër se një ditë? Çdo natë gjunjëzohuni në anë të shtratit tuaj. Një natë, vëllai Monson ofroje ti lutjen, me zë të lartë dhe i gjunjëzuar. Natën tjetër, motra Monson, ofroje ti lutjen, me zë të lartë dhe e gjunjëzuar. Atëherë unë mund t’ju siguroj që çfarëdo keqkuptimi që do të krijohet gjatë ditës, do të zhduket kur ju të luteni. Ju thjesht nuk mund të luteni së bashku, po të mos keni ndjenjat më të mira.”
Kur unë u thirra në Këshillin e Dymbëdhjetë Apostujve … , Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, Presidenti i nëntë i Kishës, më pyeti në lidhje me familjen time. Unë i tregova atij këtë formulë udhëzuese të lutjes dhe i dëshmova për vlefshmërinë e saj. Ai u ul në kolltukun e tij të madh prej lëkure dhe me një buzëqeshje u përgjigj: “E njëjta formulë që ka funksionuar për ty, ka bekuar jetën e familjes sime gjatë gjithë viteve të martesë sonë”.15
3
Shtëpitë tona duhet të jenë biblioteka mësimi.
Shenja e dytë dalluese e një shtëpie të lumtur zbulohet kur shtëpia është një bibliotekë mësimi. … Një pjesë thelbësore e bibliotekës sonë [të mësimit] do të jenë librat e mirë. …
Të lexuarit është një nga kënaqësitë e vërteta të jetës. Në kohën tonë të një kulture masive, ku pjesa më e madhe e asaj që ndeshim është e shkurtuar, e përshtatur, e përzier, e copëtuar dhe e përmbledhur, të ulesh e të lexosh një libër të mirë është çlodhëse dhe frymëzuese.
Edhe fëmijëve të vegjël u pëlqejnë librat dhe duan shumë që prindërit e tyre t’ua lexojnë.
Zoti na këshilloi: “Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” [Doktrina e Besëlidhje 88:118].
Veprat standarde na ofrojnë bibliotekën e mësimit për vete dhe për fëmijët tanë.
Disa vjet më parë ne i morëm nipërit dhe mbesat tona në një vizitë turistike me shoqërues në ndërtesat e shtypshkronjës së Kishës. Atje, ne të gjithë pamë botimin e librit të Mormonit të dilte nga transportieri, – i shtypur, i lidhur dhe prerë, gati për t’u lexuar. U thashë nipërve dhe mbesave të mia: “Punëtori thotë se mund të merrni një kopje të Librit të Mormonit për veten tuaj. Zgjidheni kopjen dhe pastaj ajo do të jetë e juaja.”
Secili mori një kopje dhe shprehu dashurinë e tij apo të saj për Librin e Mormonit.
Vërtet që nuk më kujtohet ndonjë ngjarje tjetër e asaj dite, por kurrë nuk do të harroj shprehjen e sinqertë të dashurisë për Librin e Mormonit – shprehje që dolën nga zemrat e atyre fëmijëve.
Si prindër, ne duhet të kujtojmë që jeta jonë mund të jetë ai libër nga biblioteka e familjes që fëmijët e vlerësojnë më shumë. A janë shembujt tanë të denjë për t’u imituar? A jetojmë në mënyrë të tillë që djali apo vajza jonë të thonë: “Unë dua të ndjek babin tim” apo “Unë dua të jem si mami im”? Ndryshe nga libri në raftin e bibliotekës, kapakët e të cilit mbrojnë përmbajtjen, jeta jonë nuk mund të mbyllet. Prindër, ne me të vërtetë jemi një libër i hapur.16
4
Shtëpitë tona duhet të kenë një trashëgimi dashurie.
Shenja e tretë dalluese e një shtëpie të lumtur është një trashëgimi dashurie. …
[Në dukje] pak mësime dashurie vërehen nga fëmijët kur ata në heshtje përvetësojnë shembujt e prindërve të tyre. Babai im, një tipograf, punoi shumë dhe me orë të zgjatura pothuajse në çdo ditë të jetës së tij. Jam i sigurt që ditën e Shabatit, atij do t’i kish pëlqyer thjesht të rrinte në shtëpi. Përkundrazi, ai vizitonte anëtarët e moshuar të familjes dhe sillte gëzim në jetën e tyre.
Një prej tyre ishte xhaxhai i tij, i cili ishte i paralizuar nga artriti kaq shumë, saqë nuk mund të ecte apo të kujdesej për veten. Në një nga të dielat pasdite babai do të më thoshte: “Tomi hajde ta nxjerrim për një shëtitje të shkurtër me makinë xhaxha Elian”. Duke hipur në makinën e vjetër Oldsmobile të 1928-tës, ai drejtohej për në [rrugën] “Eighth West” [në Solt-Lejk-Siti], ku pranë shtëpisë së xhaxha Elias unë prisja në makinë ndërsa babai shkonte brenda. Shpejt ai dilte nga shtëpia duke mbajtur në krahë, si të ishte një kukull porcelani, xhaxhanë e tij të paralizuar. Pastaj unë hapja derën dhe shikoja se me sa butësi dhe me sa dashuri babai im e vendoste xhaxha Elian në ndenjësen e përparme, kështu që ai të mund të shikonte sa më mirë, ndërsa unë ulesha në ndenjësen e pasme.
Shëtitja ishte e shkurtër dhe biseda e kufizuar, por oh, ç’trashëgimi dashurie! Babai kurrë nuk më lexoi nga Bibla për Samaritanin e mirë. Përkundrazi, ai më mori me vete mua dhe xhaxha Elian në atë makinë të vjetër Oldsmobile të 1928-tës në rrugën për në Jeriko.17
Disa nga mundësitë tona më të mëdha për ta shprehur dashurinë tonë do të jenë brenda mureve të vetë shtëpive tona. Dashuria duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e jetës familjare dhe, prapëseprapë, ndonjëherë ajo nuk është. Mund të ketë tepër padurim, tepër grindje, tepër zënka, tepër lot. Pyeti me keqardhje Presidenti Gordon B. Hinkli: “Pse ndodh që [ata] që i duam [më shumë], bëhen kaq shpesh objektet e fjalëve tona të ashpra? Pse ndodh që [ne] nganjëherë flasim sikur të kishim thika që shpojnë deri në palcë?” Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndryshojnë për secilin prej nesh dhe, prapëseprapë, e vërteta është që arsyet nuk kanë rëndësi. Nëse do ta zbatonim urdhërimin për të dashur njëri-tjetrin, ne duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me mirësi dhe respekt.
Sigurisht do të ketë raste kur disiplina nevojitet të jetë në masën e duhur. Le të kujtojmë, megjithatë, këshillën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje – domethënë që, kur është e domosdoshme për ne që ta qortojmë dikë, më pas të tregojmë një rritje të dashurisë [shih te Doktrina e Besëlidhje 121:43].18
Shtëpitë tuaja u mbushshin me dashuri e mirësjellje dhe me Shpirtin e Zotit. Duajini familjet tuaja. Nëse ka mosmarrëveshje ose grindje midis jush, unë ju shtyj që t’i zgjidhni ato tani.19
A jemi ne shembull i trashëgimisë së dashurisë? A janë shtëpitë tona shembull? Bernadina Hili, në një fjalim në një kremtim për marrjen e diplomave, dha këtë këshillë: “Si një mjeke që ka qenë thellësisht e privilegjuar të jetë e pranishme në çastet më të thella të jetës së njerëzve, përfshirë çastet e tyre të fundit, më lejoni t’ju them një sekret. Njerëzit që përballen me vdekjen, nuk mendojnë rreth diplomave që kanë marrë, çfarë pozitash kanë pasur ose sa pasuri kanë grumbulluar. Në fund, ajo që ka vërtet rëndësi, është fakti se kë deshët dhe kush ju deshi. Ai rreth dashurie është gjithçka dhe është një njësi matëse e shkëlqyer e jetës së kaluar. Ajo është dhurata me vlerën më të madhe” [“On Light and Worth: Lessons from Medicine” (fjalim në një kremtim për marrjen e diplomave, Vassar College, 29 maj 1994), f. 10, Special Collections].20
5
Në shtëpitë tona duhet të triumfojë një thesar dëshmie.
Shenja e katërt dalluese e një shtëpie të lumtur është një thesar dëshmie. “Mundësia e parë dhe më kryesore për të dhënë mësim në Kishë, [qëndron në shtëpi]”, vuri në dukje Presidenti Dejvid O. Mek-Kei [në Priesthood Home Teaching Handbook, bot. rish. (1967), f. ii]. “Një shtëpi e vërtetë mormone është ajo, në të cilën në qoftë se Krishti do të hynte rastësisht, do të ishte i kënaqur të qëndronte edhe pak më gjatë e të pushonte” [Gospel Ideals (1953), f. 169].
Çfarë po bëjmë ne për t’u siguruar që shtëpitë tona të përputhen me këtë përshkrim? Nuk mjafton që vetë prindërit të kenë dëshmi të forta. Fëmijët mund të kapen vetëm për pak kohë pas bindjeve të një prindi.
Presidenti Hiber J. Grant deklaroi: “Është detyra jonë t’u japim mësim fëmijëve tanë në fëmijërinë e tyre. … Unë mund ta di që ungjilli është i vërtetë dhe kështu edhe gruaja ime, por dua t’ju them se fëmijët tanë nuk do ta dinë se ungjilli është i vërtetë, përveç nëse e studiojnë atë dhe marrin një dëshmi vetë” [në Conference Report, prill 1902, f. 80].
Dashuria për Shpëtimtarin, nderimi për emrin e Tij dhe respekti i çiltër për njëri‑tjetrin do të sigurojnë një farishtë pjellore ku të rritet dëshmia.
Të mësuarit e ungjillit, dhënia e një dëshmie, udhëheqja e një familjeje janë procese rrallëherë në mos asnjëherë të thjeshta. Udhëtimi i jetës karakterizohet nga gunga në rrugë, dallgëzime në det, madje nga trazirat e kohës sonë.
Disa vite më parë, kur po vizitoja anëtarët dhe misionarët në Australi, u bëra dëshmitari i një shembulli sublim, që tregon se si një thesar dëshmie mund të bekojë dhe të shenjtërojë një shtëpi. Presidenti i misionit, Horas D. Ensain dhe unë po udhëtonim rrugës së gjatë nga Sindnei për në Darvin, ku unë do të inauguroja fillimin e punimeve për kishën tonë të parë në atë qytet. Gjatë rrugës, patëm një ndalesë të programuar në një komunitet minatorësh të quajtur Maunt‑Isa. Kur hymë në aeroportin e vogël në Maunt‑Isa, na u afrua një grua me dy fëmijët e saj. Ajo tha: “Unë jam Xhudith Louden, një anëtare e Kishës dhe këta janë fëmijët e mi. Menduam se ju mund të ishit në këtë fluturim, kështu që kemi ardhur të flasim me ju gjatë kësaj ndalese të shkurtër.” Ajo na shpjegoi se burri i saj nuk ishte anëtar i Kishës dhe se ajo dhe fëmijët e saj ishin me të vërtetë të vetmit anëtarë në të gjithë zonën. Ne treguam mësime dhe dhamë dëshmi.
Koha kaloi. Kur po përgatiteshim për t’u nisur, motra Louden u duk kaq e dëshpëruar, kaq e vetmuar. Ajo na u lut: “Nuk mund të largoheni ende; mua më ka marrë malli kaq shumë për Kishën.” Papritur altoparlanti lajmëroi për një vonesë 30-minutëshe për arsye mekanike të fluturimit tonë. Motra Louden pëshpëriti: “Lutja ime sapo mori përgjigje”. Pastaj ajo na pyeti se si mund të ndikonte tek burri i saj që ai të tregonte interes për ungjillin. Ne e këshilluam që ta përfshinte atë në mësimin e shtëpisë për Filloren çdo javë dhe që të ishte për të një dëshmi e gjallë e ungjillit. I thashë se do t’i dërgonim një abonim në The Children’s Friend [revista për fëmijë, Miku] dhe ndihma të tjera për mësimin e familjes së saj. E nxitëm që kurrë të mos i humbte shpresat për bashkëshortin e saj.
Ne u larguam nga Maunt‑Isa, një qytet në të cilin kurrë nuk jam kthyer më. Megjithatë, unë gjithmonë do ta kujtoj me dashuri atë nënë të dashur dhe ata fëmijë të shtrenjtë me sy të përlotur dhe një përshëndetje të ngrohtë mirënjohjeje dhe lamtumire.
Disa vite më vonë, ndërsa po flisja në një mbledhje të udhëheqësve të priftërisë në Brisbejn, Australi, theksova rëndësinë e studimit të ungjillit në shtëpi dhe rëndësinë e të jetuarit të ungjillit dhe të qenit shembuj të së vërtetës. Ndava me burrat që ishin mbledhur, tregimin e motrës Louden dhe ndikimin që besimi dhe këmbëngulja e saj kishin pasur tek unë. Në përfundim thashë: “Mendoj se kurrë nuk do ta marr vesh nëse bashkëshorti i motrës Louden u bashkua ndonjëherë me Kishën, por ai nuk do të kish mundur të gjente një shembull më të mirë për të ndjekur”.
Një nga udhëheqësit ngriti dorën, pastaj u ngrit dhe deklaroi: “Vëllai Monson, unë jam Riçard Louden. Gruaja për të cilën po flisni, është bashkëshortja ime. Fëmijët [zëri i tij u drodh] janë fëmijët tanë. Tani jemi një familje e përjetshme, pjesërisht, falë këmbënguljes dhe durimit të gruas sime të dashur. Ajo e bëri të gjithë këtë.” Asnjë fjalë s’u tha. Heshtja u thye vetëm nga rrufitjet e hundës dhe ngashërimat e mbytura dhe u shenjua nga pamja e lotëve që rridhnin nga çdo sy.
Vëllezërit dhe motrat e mia, le të vendosim, pavarësisht nga situatat, që t’i bëjmë [banesat] tona shtëpi të lumtura. Le t’i hapim plotësisht dritaret e zemrave tona, që çdo anëtar i familjes të mund të ndihet i mirëpritur dhe “në shtëpi”. Le të hapim gjithashtu dyert e shpirtrave tanë, që Krishti i shtrenjtë të mund të hyjë. Kujtoni këshillën e Tij: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai” [Zbulesa 3:20].
Sa i mirëpritur do të ndihet Ai, sa e gëzuar do të jetë jeta jonë, kur “Shenjat Dalluese të një Shtëpie të Lumtur” ta përshëndesin Atë.21
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
-
Presidenti Monson theksoi që “lumturia gjendet në shtëpi” (pjesa 1). Cilat janë disa mënyra se si mund të krijojmë lumturi më të madhe në shtëpi? Si mund ta bëjmë Shpëtimtarin qendrën e shtëpive tona? Si mund të kultivojnë pjesëtarët e familjes respekt të çiltër për njëri-tjetrin?
-
Pse është lutja e rëndësishme në ndërtimin e një shtëpie të lumtur? (Shih te pjesa 2.) Çfarë bekimesh keni përjetuar nga bërja e lutjes familjare? Si bekohen bashkëshortët dhe bashkëshortet nga lutja së bashku?
-
Në çfarë mënyrash duhet të jetë një shtëpi “një bibliotekë mësimi”? (Pjesa 3.) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të zhvillojnë një dashuri për të mësuarit? Si mund ta përmirësojmë studimin e shkrimeve të shenjta nga ana jonë?
-
Si mund të krijojmë “një trashëgimi dashurie” në shtëpitë tona? (Pjesa 4.) Kur ishit fëmijë, çfarë mësuat rreth dashurisë nga nëna ose babai juaj ose nga të tjerët? Si mund ta pakësojmë grindjen në shtëpitë tona?
-
Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të zhvillojnë dëshmi të forta për ungjillin? (Shih te pjesa 5.) Në çfarë mënyrash mund ta përmbushim më mirë detyrën tonë për t’u dhënë mësim fëmijëve? Çfarë mund të mësojmë nga historia e Xhudit dhe Riçard Loudenit?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Ligji i Përtërirë 11:19; Kolosianëve 3:19–21; Mosia 4:14–15; 3 Nefi 18:21; 4 Nefi 1:15; Doktrina e Besëlidhje 68:25–28; 93:40–50; Moisiu 5:1–5, 10–12
Ndihmë për Mësimdhënien
“Kujtoni që ngritja e besimit dhe bërja më shumë si Krishti nuk ndodh në një orë të shkurtër mësimore. Teksa i ftoni ata, të cilëve u jepni mësim, që të veprojnë sipas doktrinës së vërtetë, ju i ndihmoni ta shtrijnë përvojën e të mësuarit në shtëpitë dhe jetën e tyre të përditshme” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 35).